Kulinari

Për shëndet të mirë – Arsyet pse duhet të hani ullinj cdo ditë

Ullinjtë klasifikohen fruta me bërthamë të të njëjtës familje botanike me qershitë dhe pjeshkët.

Ullinjtë jeshilë mblidhen në fillim të sezonit të vjeshtës ndërsa të zinjtë kur janë pjekur plotësisht.

Të dy llojet konsiderohen të pasur me yndyrna të shëndetshme për organizmin.

Më poshtë do të gjeni të listuara , përfitimet e rëndësishme që merrni nga konsumi i përditshëm i ullinjve.
Përmirësojnë shëndetin e kockave
Një studim i fundit sugjeron se vaji i ullirit parandalon humbjen e masës kockore.

Ndaj konsumi i ullinjve është shumë i rekomanduar për kocka të forta.
Ulin kolesterolin
Acidet yndyrore te ullinjtë ulin kolesterolin e keq dhe rrisin kolesterolin e mirë.
Largojnë dhimbjet
Studimet kanë treguar se ullinjtë ndalojnë zhvillimin e enzimave përgjegjëse për shfaqjen e inflamacionit dhe dhimbjes.
Antioksidantët
Ullinjtë janë një burim i shkëlqyer i biofenolëve.

Këto antioksidantë, arrijnë të parandalojnë akumulimin e kolesterolit në enët e gjakut.
Janë të pasur me baktere të mira për stomakun
Ullinjtë përmbajnë lactobacillus, një nga bakteret më të mira për stomakun.

Sa më shumë baktere të mira të kemi në stomak, aq më e mirë do të jetë tretja dhe aq më pak inflamacion do të kemi në organizëm
Efikasë kundër rrudhave
Ullinjtë përmbajnë acid oleik që e mban lëkurën të butë dhe të shëndetshme.

Në fakt, ngrënia e ullinjve përmirëson paraqitjen e lëkurës dhe largon rrudhat me të paktën 20 përqind.
Ulin rrezikun e diabetit dhe mbipeshës
Këto fruta me bërthamë janë të pasur me yndyrna mono-të-pangopura dhe ulin rrezikun e shfaqjes së diabetit të tipit 2 dhe mbipeshës.

Kjo e mirë vjen nëse nuk konsumoni ushqime të yndyrshme dhe zgjidhni ullirin dhe nënproduktet e tij.
Ulin oreksin e tepërt
Ullinjtë përmbajnë acide yndyrore mono-të-pangopura që ngadalësojnë tretjen dhe stimulojnë hormonet që janë përgjegjëse për të informuar trurin që jeni të ngopur.

Konsumi i ullinjve është shumë i rekomandueshëm sa më shpesh të jetë e mundur.

Për shëndet të mirë – Arsyet pse duhet të hani ullinj cdo ditë Read More »

Mjaltë me spec djegës – Efektet fantastike për organizmin

A e keni provuar ndonjëherë mjaltin me spec djegës?
Është i ëmbël dhe i zjarrtë. Ka një shije, e cila duket sikur të ka munguar gjithë jetën. Në lugën e parë, ëmbëlsia e mjaltit të zgjon qiellzën ndërkohë që pak çaste më vonë përjeton nxehtësinë e papërmbajtur të specit djegës. Thënë shkurt, një kombinim i jashtëzakonshëm.

Duke marrë në konsideratë faktin që specat qëndrojnë shumë pak në përqafimin e ëmbël të mjaltit të ngrohtë, djegësia që ata çlirojnë është befasuese dhe ndjellëse.

Ata që janë të dhënë pas mënyrave të shëndetshme të pastrimit të organizmit, do të gëzohen kur të mësojnë se mjalti me spec djegës është një metodë pastrimi shumë popullore e cila përpos të gjithave ndihmon në rënien në peshë.

Speci djegës është përdorur prej shumë kohësh kundër disa problemeve shëndetsore përfshirë këtu urthin, kllapinë, ethet, sëmundjet e stomakut, temperaturën, problemet me tretjen, fryrjet e stomakut, problemet me fytin, çrregullimet hormolane, të vjellat, bajamet dhe difterinë.
Detoksifikimi i organizmit nëpërmjet kësaj formule shpesh njihet si ‘dieta e lemonatës.’
Në këtë artikull do të mësoni për vlerat dhe efektet e kësaj metode pastruese për organizmin.

Në mënyrë që ta kuptoni këtë metodë, duhet të dini që përbërësit janë ushqime natyrale të jetës së përditshme, ndaj nuk përbëjnë ndonjë rrezik për trupin.

Metoda e pastrimit ka të bëjë me ushqyerjen me lëngje.

Duhet të pini 1 lugë çaji mjaltë dhe spec djegës të tretur në një gotë ujë të ftohtë ose të vakët të paktën tetë herë në ditë.

Disa njerëz përdorin edhe limonin për një shije më të mirë.

E gjithë metoda e pastrimit synon të çlirojë trupin nga kthetrat e radikaleve të lira që akumulohen në trup dhe rikthimin në normalitet të sistemit tretës.

Nëse e pini limonatën në fjalë për tre deri në katër ditë, shëndeti juaj do të forcohet ndjeshëm. Sidoqoftë, është e udhës që të diskutoni për këtë çështje me mjekun dhe të mos ndërmerrni aktivitete fizike. Kura ka nevojë për pushim.
Si të përgatisni mjaltin me spec djegës

Përbërësit

1 filxhan me mjaltë

3 lugë çaji me speca djegës të grirë ose 5 speca të vegjël e të thatë të grirë.

Udhëzimet

Mjaltin dhe specat vendosini në një enë qelqi, të cilën duhet ta mbani futur në një tenxhere me ujë të valuar.

Përziejini specat dhe mjaltin ndërkohë që ngrohen për disa minuta duke rritur ngadalë temperaturën. Por duhet të kujdeseni që nxehtësia të mos jetë shumë e madhe sepse shkatërron enzimat mirëbërëse të mjaltit.

Fikeni zjarrin dhe lëreni enën me mjaltë të qëndrojë për 10 minuta. Më pas kullojeni mjaltin në një kavanoz qelqi.

Përveçse në formën e limonatës siç përmendëm më lart, mund ta përdorni këtë mjaltë në sallata, me djathë, mish, peshk ose perime.

Nëse jeni prekur nga të ftohtit, hidhni pak prej tretësirës në çajin tuaj me limon ose mente.

Mjaltë me spec djegës – Efektet fantastike për organizmin Read More »

Patate furre me ajkë

Një recetë që ju merr pak kohë por me një shije që zgjat. Ja si ta realizoni atë:

Përbërësit:

300 ml ajkë
100 gram djathë kaçkavall
1 kilogramë patate
1 qepë e grirë imët
150 gram proshutë e tymosur
1 vezë
kripë, piper
pak majdanoz

Përgatitja:
Në një tenxhere me ujë të valuar shtojmë kripën dhe vendosim të ziejmë patatet (pa ia hequr lëkurën). Në një enë kombinoni vezën, ajkën, djathin e grirë, kripën piperin dhe i trazoni mirë. Ndërkohë i shtoni dhe proshutën.
Në një tigan me pak vaj ulliri skuqni qepën me masën që përgatitëm për rreth 5 minuta.
Në një tavë shtroni patatet e ziera dhe të qeruara. Sipër i shtoni masën me proshutë dhe vezë që përgatitëm.
Shtojini sipër djathin dhe e fusni në furrë për rreth 30 minuta në temperaturë 180 gradë. Para se ta servirni i shtoni sipër pak majdanoz. Tava me patate është gati!

Patate furre me ajkë Read More »

Pulë me dromka – Shije nga më të mirat e traditës

Thërrime, Rroshnica apo Dromka. Pavarësisht emrit që ndryshon sipas krahinave të ndryshme, shija e kësaj recete tradicionale shqiptare është e papërshkrueshme.

Supa e pulës me dromka është përgatitur jetë e mot nga gratë e nënat shqiptare duke trashëguar këtë traditë brez pas brezi.

Kjo supë fantastike, krahas shijes fantastike është ideale për t’u konsumuar në çdo stinë të vitit.

Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me bukë të thekur, sallata të ndryshme, të freskëta të stinës, ullinj, salcë kosi apo edhe turshi.

Më poshtë keni përgatitjen e supës së pulës me dromka, një mënyrë fantastike për të kënaqur nepsin dhe oreksin e familjes dhe më të dashurve.
Si Të Përgatisim Supën me Dromka
Një pulë ose zog fshati 1 kg

Katër lugë gjelle vaj ulliri

Kripë

Piper

3-4 thelpinj hudhra të shtypura

Një lugë gjelle gjalpë të freskët

Lëngu i kokërr limoni
Për Dromkat
Në një tas hidhni gjashtë lugë miell dhe pak kripë.

Rrihni dy të verdha vezësh dhe shtojini tek mielli.

Përzjeini miellin me vezët me duar duke e shkoqur me dy pëllëmbët e duarve.

Bëjeni këtë proces derisa i gjithë mielli të shndërrohen në kokërriza të vogla.

Më pas, vendosini dromkat në një tavë që të pushojnë për 20 minuta.
Përgatitja e Supës
Pastroni pulën ose zogun e fshatit dhe ndajeni në copa.

Në një tenxhere, shtoni vajin e ullirit dhe copat e pulës për t’i skuqur për pak minuta nga të dyja anët.

Hidhni pak kripë dhe ujë derisa të mbulohen mirë të gjitha pjesët e pulës duke e lënë që të zjejë derisa mishi të zbutet.

Ndërkohë, në një tigan hidhni një lugë gjalpë dhe skuqni dromkat derisa të zverdhen.

Më pas,duhet t’i shtoni në tenxheren ku keni pulën dhe lëngun e saj dhe vendosni sërish në zjarr për të zjerë bashkë derisa supa të mpikset.

Sapo lëngu të jetë mpiksur dhe trashur pak shtoni hudhrat, lëngun e limonit dhe piperin e zi dhe hiqeni nga zjarri.

Pulë me dromka – Shije nga më të mirat e traditës Read More »

Magjia e dardhëve të pjekura me arra dhe mjaltë

Të gatuara në receta të ndryshme ëmbëlsirash, dardhat janë ndër frutat më të preferuara të recetave të amvisave shqiptare.

Janë të njohura tashmë recetat e shijshme të marmalatës së dardhës, reçelrave të ndryshëm, kekëve me dardhë, kompostove apo shurupit të tyre.

Por një recetë krejt unike, e thjeshtë  në përgatitje e shumë e shijshme që të kënaq oreksin dhe nepsin janë dardhët e pjekura në furrë.

Të kombinuara me arra, kanellë e mjaltë apo edhe me të tjerë përbërës si karafila a fruta të thatë, shija e përftuar nga kjo recetë është perfekte, mbresëlënse.

Kjo recetë është fantastike për të mbyllur vaktet e drekës apo darkës por sigurisht është po aq fantastike për t’u shijuar në çdo kohë të ditës duke dhuruar një ëmbëlsi të lehtë, natyrale.

Më poshtë do të gjeni recetën nga për përgatitjen e dardhëve të pjekura në furrë.

Përgatitja e Dardhëve të Pjekura me Arra dhe Mjaltë
Përbërësit
(Sasia e dardhëve përzgjidhet në bazë të numrit të personave në familje)

Dardhë

Mjaltë

Arra

Pak sheqer

Kanellë, fruta të thata ose karafila (Sipas dëshirës)
Përgatitja – Shpejt dhe Lehtë
Pastrojini mirë dardhët me ujë të bollshëm dhe thajini me një pecetë kuzhine.

Më pas,duhet të prisni pjesën e sipërme të dardhës dhe me ndihmën e një luge largoni farat.

Më pas, secilën prej dardhëve lyejeni me pak sheqer nga të gjitha anët dhe tek pjesa e brendshme që kemi hapur hedhim disa arra të thërmuara.

Vendosini me radhë në një tavë ku kemi shtruar më parë letër pjekjeje.

I pjekim në furrë me temperaturë 200 gradë përreth 20-30 minuta.

Pasi dardhët të jenë karamelizuar i heqim nga furra dhe i spërkasim me mjaltë.

Sipas preferences mund t’i spërkasim me pak pluhur kanellë ose fruta të thata apo disa karafila.

Kjo ëmbëlsirë shërbehet e ngrohtë por edhe ftohtë me akullore ose kekë të ndryshëm.

Magjia e dardhëve të pjekura me arra dhe mjaltë Read More »

Bukëvale e ëmbël për mëngjes Sipas aneve Gjirokastrite

E ëmbël apo e kripur, bukëvalja mbetet përherë një nga gatimet më të hershme e të shijshme të kuzhinës tradicionale shqiptare.

Dikur, bukëvalja përgatitej shpesh për shkak të përbërësve të saj të pakët e jo të kushtueshëm, e megjithatë shija e saj të përfshin tërësisht.

Zakonisht nënat apo gjyshet e përgatisnin atë mëngjeseve dhe e shërbenin për gjithë familjen të ngrohtë.

Bukëvalja përgatitej e ëmbël me sheqer e gjalpë por edhe e kripur me djathë dhe erëza.

Që të dyja mënyrat janë krejt të veçanta në shije dhe ideale sidomos për vaktin e mëngjesit.

J një recetë fantastike të përgatitjes së bukëvales së ëmbël sipas traditës së nënave gjirokastrite.

Në disa zona, bukëvalja përgatitet me bukë të skuqur, por sipas traditës së aneve gjirokastrite bukëvalja përgatitet me kulaç.
Përgatitja e Bukëvales sipas traditës gjirokastrite
Përbërësit
500 gr miell gruri

Një lugë kafeje kripë

125 gr gjalpë i freskët

1 litër e gjysmë ujë

500 gr sheqer
Përgatitja
Si fillim, në një enë të gjerë shtojmë miellin, kripën dhe nisim e punojmë me duar duke shtuar ngadalë ujë të vakët derisa të krijohet një masë e butë

Brumin e kulaçit vendoseni në një tepsi të lyer me gjalpë të freskët dhe futeni të piqet në furrë derisa sipërfaqja të bëhet transparente.

Pasi është pjekur dhe ftohur pak, AgroWeb.org ju udhëzon që kulaçin ta thërrmoni në copëza të vogla si ato të përsheshit.

Ndërkohë, në një tenxhere shtoni sheqerin dhe ujin dhe lëreni derisa masa të vlojë mirë dhe të behët si shurup. Në këtë moment hiqeni nga zjarri.

Më pas, hidhni kulaçin e thërrmuar në tenxheren me shurup. Shtoni sipër gjalpë të tretur, mbylleni tenxheren me kapak dhe lëreni që copëzat e kulaçit të përthithin sherbetin.

Lëreni të ftohet dhe shërbejeni të ndara në pjata. Bukëvales nëse preferoni mund t’i shtoni edhe pak kanellë pluhur apo arra të thërrmuara

Bukëvale e ëmbël për mëngjes Sipas aneve Gjirokastrite Read More »

Supa e artë e kungullit – Receta plot shije dhe pasion

Cilado qoftë koha e vitit – kungulli është një perime krejt e mrekullueshme dhe për më tepër është baza e një supe krejt shijeplotë me të cilën mund të krenoheni në kuzhinë.
Më poshtë do të mësoni një recetë fantastike për supën e kungullit, por së pari mësoni disa vlera të saj
Vlerat shëndetësore
Përmirëson shëndetin e zemrës. Vajrat esencialë të kungullit përmbajnë një substancë me bazë bimore të njohur si fitosterol. Sipas studimeve të ndryshme, kjo substancë ul ndjeshëm kolesterolin e keq.

Redukton rrezikun e tumoreve. Beta-karoteni është një nga antioksidantët më të efektshëm në botë dhe kungull përmban sasi shumë të larta të këtij ushqyesi që cilësohet nga mjekësia zyrtare si zgjidhja natyrale ndaj sëmundjes së shekullit.

Mbron dhe rinon lëkurën.Një tjetër përfitim i mrekullueshëm i supave të kungullit dhe është se karotenoidet që gjenden në këtë ushqim ndihmojnë në mbajtjen e lëkurës të shëndetshme dhe largojnë rrudhat e fytyrës.

Forcon sistemin imunitar. Supa me kungull është e pasur me Vitaminë C, e cila është një nga vitaminat kryesore e njohur në rolin e rritjes së sistemit imunitar. Në fakt, kjo është një nga përfitimet më të rëndësishme shëndetësore të supave të kungullit, sepse pengon trupin të sulmohet nga sëmundje të ndryshme virale dhe bakteriale.

Përbërësit e supës së kungullit:
2 kunguj mesatarë, 2 qepë, 2 lugë gjelle vaj ulliri, 2 gota me lëng pule, 1 gotë ujë, 1 lugë gjelle mjaltë, 1 lugë çaji kanellë, një lugë çaji xhinxher të grirë ose pluhur

Ngrohni furrën në temperaturën 200 gradë. Merrni dy kunguj të verdhë të madhësisë mesatare dhe ndajini në dysh. Hiqjani farat dhe vendosini në furrë nga ana e lëkurës mbi një letër kuzhine.

Lërini të piqen për 35-40 minuta ose derisa tuli i kungullit të zbutet. Nxirrini nga furra dhe me një lugë gërryeni dhe mblidheni të gjithë tulin e kungujve.

Tulin kalojeni në mikser që t’i jepni formën e puresë. Në një enë metalike hidhni vajin e ullirit dhe qepët e grira mira dhe kavërdisini për 5-10 minuta. Më pas në të njëjtën enë, bëni bashkë tulin e kungujve dhe shtoni lëngun e pulës, ujin, një lugë gjelle mjaltë, si edhe erëzat.

Lërini të ziejnë duke i trazuar nga pak në zjarr të avashtë për 30 minuta. Lëreni të ftohet paksa dhe servireni bashkë me fara të pjekura kungulli dhe pak piper të kuq.

Supa e artë e kungullit – Receta plot shije dhe pasion Read More »

Fli me miell misri dhe presh – Receta fantastike e shtëpisë

Flija është një specialitet tradicional i kuzhinës shqiptare, gatim tipik i Shqipërisë së Veriut dhe Kosovës kryesisht.

Nëse jemi mësuar me recetën tipike atë të përgatitjes së flisë me miell gruri, një tjetër recetë po aq popullore e zonave veriore të vendit është flija e përgatitur me miell misri, presh, gjizë dhe mazë.

Një shije fantastike e kombinuar në mënyrë të shkëlqyer me të gjithë përbërësit e që shoqërohet me më të mirat e zahireve shqiptare, siç janë turshitë, djathrat e ndryshëm, speca të pjekura, kos apo dhallë të freskët por edhe sallata të freskëta të stinës.

Pavarësisht se tradita e do që flija të piqet në saç gjatë përgatitjes, ajo shijon në mënyrë fantastike dhe e pjekur në furrë në shtëpi.

Ja receta e përgatitjes së flisë me miell misri dhe presh, një gatim ideal i cili padyshim do të mbledhë gjithë familjen rreth tryezës.
Përgatitja e Flisë me Miell Misri dhe Presh
Përbërësit
1 kg e 500 gr miell misri

1 litër ujë

1 lugë gjelle kripë

300 gr mazë (ajkë qumështi/e gjeni në supermarket)

250 gr. gjalpë

500 gr presh

200 gr gjizë
Përgatitja
Si fillim vendosni më shumë se gjysmën e ujit të nxehet në zjarr dhe më pas nisni përgatitjen e brumit.

Në një enë të madhe të shtoni miellin e misrit të situr hollë dhe kripën.

Më pas, mielli i misrit përvëlohet me ujin e nxehtë. Përziejeni me një lugë druri sa mielli të përthithë ujin dhe vijoni të holloni brumi duke shtuar ngadalë pjesën e ujit të ftohtë që ka mbetur.

Masën përzjeheni vazhdimisht me lugë druri ose edhe në mikser.

Trashësia e brumit duhet të jetë njëlloj me atë të brumit siç përgatitet flija me miell gruri, më i hollë se i petullave.

Ndërkohë që në një tas bashkoni preshin e zier me gjizën.

Lyejeni tepsinë me gjalpë. Shtroni një apo dy garuzhde nga masa e brumit dhe shtrijeni në të gjithë sipërfaqen e tepsisë.

Spërkateni me gjalpë të shkrirë dhe mazë dhe vijoni kështu derisa të shtroni gjysmën e brumit.

Më pas shtroni masën e preshit me gjizë dhe vijoni të shtroni pjesën tjetër të brumit duke e spërkatur me gjalpë dhe mazë secilën shtresë deri në fund.

Futeni në furrë të parangrohur me 200 gradë dhe lëreni të piqet derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të artë në të kuqërremtë.

Fli me miell misri dhe presh – Receta fantastike e shtëpisë Read More »