Kulinari

Mbretëroret e ëmbla të veriut

Është një ëmbëlsirë krejt e veçantë, karakteristikë e traditës shqiptare e cila është përcjellë mes amvisave si një recetë sekrete e misterioze.

Në disa zona të Shqipërisë quhet Mbretërore e në disa të tjera Bushe, por shija e saj e përsosur të lë me të vërtetë pa fjalë.

Mbretëroret apo Bushet janë aq të buta sa duket sikur të përkëdhelin shijen menjëherë sapo i provon, teksa të përfshijnë tërësisht e s’mund të ndalesh pa ngrënë edhe një tjetër.

Për të gjitha amvisat ja receta fantastike dhe të panjohur të përgatitjes së kësaj ëmbëlsire unike.
Përgatitja e Mbretëroreve në Shtëpi
Përbërësit
1 filxhan kafeje miell

1 filxhan kafeje qumësht pluhur

1 kokërr vezë

1 lugë kafe të sheshte sodë buke
Përgatitja
Në një tas të gjerë përzieni miellin, qumështin pluhur, sodën e bukës dhe vezën.

Përziejini deri sa të formohet brumi.

Nëse masa e përftuar nuk mblidhet siç duhet, atëherë shtoni pak miell.

Brumin e përpunoni me duar dhe i jepni forma të rrumbullakëta.

Bushet apo Mbretëroret shtypen me dorë që të jenë të sheshta dhe të vogla.

Më pas vendosini në një tavë të lyer me gjalpë.

Në sipërfaqen e secilës prej ëmbëlsirave vendoseni pak gjalpë.

Tavën futeni në furrë dhe piqini në 180 gradë.

Hiqini nga furra kur bushet të kenë marrë një ngjyrë të kuqerremtë.

Ndërkohë që bushet piqen në furrë, vendosni një tenxhere në zjarr për të përgatitur sherbetin.

Hidhni një litër ujë, 23 lugë gjelle sheqer dhe një majë luge çaji me vanilje pluhur.

Këtu është edhe pjesa më delikate e procesit të përgatitjes, ku këshillohet që kur uji të ketë marrë valë dhe sheqeri të jetë shkrirë, hidhni bushet në tenxhere dhe lërini në zjarr të ngadaltë deri sa të thithin të gjithë sherbetin.

Gjatë kësaj kohe, ëmbëlsirat kthejini herë pas here nga të dyja anët në mënyrë që të thithin sa më mirë sherbetin.

Më pas, vendosini në një tepsi për t’u ftohur.

Bushet serviren të ftohta dhe ruhen në frigorifer.

Mbretëroret e ëmbla të veriut Read More »

Sonte mos flini pa i provuar, receta me domate të pjekura e hudhra, do na kujtoni!

Domate të pjekura me hudhra

Përgatitja: 10 minuta

Koha e gatimit: 35 minuta

Përbërësit:

Domate qershi ( sasia sipas dëshirës)
2 thelpinj hudhër të copëtuar
1/4 lugë. kripë
1/2 lugë. trumzë të tharë (opsionale)

Përgatitja

Ngroheni furrën paraprakisht në 200 gradë celcius. Vendosni një fletë pjekjeje në tepsinë ku do shtroni domatet.
Shtroni domatet në tepsi dhe hidhni sipër hudhrën e prerë, kripën dhe trumzën.
Lërini në furrë për 33-35 minuta dhe përziejini me kujdes gjatë pjekjes. Shërbejeni si pjatë anësore ose hidhjani sallatës./Shije

Sonte mos flini pa i provuar, receta me domate të pjekura e hudhra, do na kujtoni! Read More »

Të lëpini gishtat…Pulën me arra si të Përmetit nuk e keni provuar askund tjetër

Kjo është një recetë tradicionale përmetare, shumë e shijshme, që nuk e keni provuar në asnjë vend tjetër.

Ajo madje është edhe shumë e thjeshtë në përgatitje.

JA RECETA:

Përbërësit

gjysmë pulë
2 lugë gjelle miell
2 lugë gjelle arra (të grirë)
2 vezë (të verdhat)
50 gr gjalpë
kripë

Përgatitja:

Presim pulën në copa të vogla dhe e shtojmë në tigan ku e skuqim pak.
Më pas i hedhim 300 ml ujë dhe e lëmë të ziejë për 15 minuta.
Ndërkohë bëjmë brumin duke përzier miellin me arrët e grira dhe të verdhat e vezëve. E punojmë mirë me dorë sa të marrim një masë të plotë të cilën e skuqim me gjalpë derisa të marrë ngjyrë karameli.
Shtojmë lëngun e pulës dhe e lëmë derisa masa të bëhet pak kremoze.

Të lëpini gishtat…Pulën me arra si të Përmetit nuk e keni provuar askund tjetër Read More »

Patëllxhanët e mbushur, receta e shijshme nga duart e amvisave Shqiptare

Shija dhe vlerat e patëllxhanëve të mbushur, të pjekur në furrë është mbresëlënëse.
Patëllxhanët e mbushur apo të njohur ndryshe si “Imam Ballajdi” janë pa dyshim një nga gatimet më të shijshme shqiptare.

Shumë histori janë ngritur mbi prejardhjen e emrit të recetës së famshme të patëllxhanëve të mbushur-Imam Bajalldi.

Edhe Shqipëria ka versionin e saj të prejardhjes së këtij emri.

Sipas gojëdhënave, një Imam i nderuar ishte ftuar për drekë në një familje tradicionale elbasanase.

Mes gjithë gatimeve të shijshme që amvisat e shtëpisë kishin përgatitur enkas për të nderuar Imamin, më e veçanta ishte tava me patëllxhanë të mbushur.

I mahnitur nga pamja e kësaj tave fantastike, Imami u magjeps nga shija e tyre, duke ngrënë aq shumë patëllxhanë të mbushur sa u “bajalldis” (i ra të fikët).

Mësohet se që prej asaj kohe, kjo tavë tipike shqiptare mori emrin Imam Bajalldi.

Por krahas kësaj gojëdhëne që na tregon mbi emrin e veçantë të kësaj tave tradiconale shqiptare, vërtetë shija dhe vlerat e patëllxhanëve të mbushur, të pjekur në furrë është mbresëlënëse.

Po sjellm më poshtë recetën tipike të gatuar e të trashëguar brez pas brezi që prej kohërave të vjetra nga stërgjyshet e gjyshet dhe nënat shqiptare.
Përgatitja e Tavës Shqiptare me Patëllxhanë të Mbushur
Përbërësit
1 kg patëllxhanë

5 speca të gjelbër

4 kokrra mesatare qepë

5 kokrra mesatare domate

200 gr mish të grirë (sipas preferencës)

1 kokërr hudhër

vaj ulliri

piper

kripë

majdanoz
Përgatitja
Si fillim, pastrojmë me kujdes patëllxhanët e më pas qërojmë lëkurën e tyre përsëgjati si një rrip të hollë nga të dyja anët.

I vendosim me rradhë në tepsi dhe i spërkasim me pak vaj ulliri dhe kripë. I fusim në furrë me temperaturën 200 gradë dhe i lëmë aty rreth 15 minuta.

Gjatë kohës që patëllxhanët piqen në furrë, përgatisim mbushjen e tyre me perime.

Në një tigan hedhim vajin e ullirit dhe si fillim skuqim hudhrat, më pas shtojmë qepët e qëruara dhe i kaurdisim bashkë me hudhrat në zjarr të ngadaltë.

Pasi volumi i qepës bie nga skuqja, hedhim mishin e grirë dhe specat e prerë në kubikë të vegjël. Vijojmë kavërdisjen.

Më pas hedhim domatet e grira, i kavërdisim dhe i lëmë të ziejmë për 15 minuta. Në fund gjellës së përgatitur i hedhim kripën dhe erëzat.

Nxjerrim patëllxhanët nga furra, i presim mes përmes me një lugë gjelle dhe i mbushim me gjellën që kemi përgatitur.

I vendosim të gjithë patëllxhanët e mbushur në tavë dhe u hedhim sipër një gotë me ujë.

Më pas, tavën e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë, për 1 orë.

Patëllxhanët e mbushur, receta e shijshme nga duart e amvisave Shqiptare Read More »

Mëngjes i shijshëm, shëndet i mirë – Omletë me perime

Omleta është një ndër recetat më të hershme jo vetëm të kuzhinës shqiptare por gjithë kuzhinës botërore.

Një ushqim i shijshëm por mbi të gjitha i pasur me vlera ushqyese, me përbërës kryesor vezët, omleta vijon të mbetet simboli i një mëngjesi të shëndetshëm.

Omleta përgatitet shumë lehtë dhe kërkon pak kohë ndërkohë që është e pasur me vlera të shëndetshme.

Ajo përgatitet e kombinuar në mënyra të ndryshme, me djathë të bardhë a kaçkavall, proshuta të ndryshme e salsice por më e shëndetshmja dhe më e shijshmja është padyshim omleta me perime të freskëta.

Mund të kombinoni të gjitha perimet që u gjenden në shtëpi, domate, patate, karrota, kunguj, lulelakër, brokoli etj.

Sa më shumë përbërës të hidhni aq më shumë e shijshme dhe e shëndetshme do të bëhet omleta.

Më poshtë, keni një recetë të shëndetshme të përgatitjes së omletës krejt lehtë në shtëpi për të nisur ditën mbarë bashkë me familjen.
Përbërësit
(Përbërësit e kësaj recete janë për katër persona dhe përveç vezëve që janë baza e omletës perimet e tjera mund të shtohen sipas dëshirës dhe atyre që keni në kuzhinë)

4 vezë

Vaj ulliri

Një lugë çaji gjelle miell

Pak qumësht

1 kokërr domate

Një qepë e njomë (vetëm pjesa e bardhë)

Gjysmë kungull i njomë

100g djathë i bardhë ose kaçkavall i grirë

Një spec i vogël

Kripë dhe piper
Përgatitja
Si fillim pastroni perimet dhe prijini në kubikë shumë të vegjël.

Grijeni qepën shumë hollë. Në një tigan që nuk ngjit hidhni vajin e ullirit dhe hidhni qepët kavërdisni pak dhe më pas shtoni domatet dhe perimet e tjera të prera në kubikë.

Hidhni piperin dhe kripën dhe kavërdisini herë pas here derisa volumi i perimeve të bjerë.

Nga ana tjetër, në një tas rrihni vezët, shtoni miellin dhe qumështin dhe rrihni derisa të bëhet masa e njëtrajtshme.

Hidheni masën e vezëve në tigan dhe trazojeni në sekondat e para. Në momentin që  pjesa e fundit nis të skuqet shtoni djathin, fikni zjarrin dhe vendosini kapak.

Pas dhjetë minutash mundohuni ta ktheni omletën për ta pjekur edhe nga ana tjetër ose paloseni dhe lëreni të piqet edhe pak minuta.

Në fund vendoseni në një pjatancë dhe servireni me kastraveca ose domate të freskëta por edhe më pak sallatë jeshile apo sallatë spinaqi.

Mëngjes i shijshëm, shëndet i mirë – Omletë me perime Read More »

Buka e shtëpisë – Aromë, shije dhe shëndet

Kanë ikur kohët kur buka që blihej ishte e një  cilësie aq të mirë sa gjysma e saj konsumohej pa shkuar akoma në shtëpi.
Nuk ka të krahasuar buka e shtëpisë! Ajo të tundon që në momentet kur nis të piqet në furrë kur mbush gjithë shtëpinë me aromën fantastike të saj.

E më pas, e sapo dalë nga furra, e ngrohtë, me pak gjalpë e djathë apo vaj ulliri, kripë e rigon, shija e saj të përfshin tërësisht. Është diçka krejt e natyrshme dhe dashje pa dashje i dorëzohesh pa kushte që në kafshatën e parë.

Megjithatë, në larminë e ofertave që gjejmë sot në treg, njëzëri mund të biem dakord që buka e bërë në shtëpi është më e shëndetshmja dhe më shpërblyesja në kënaqësi dhe vlera.

Të bësh bukë vetë në shtëpi jo vetëm që është më e shëndetshme për stomakun por edhe për portofolin. Kostoja e pjekjes së bukës është më e ulët se një bukë e blerë në furrën e lagjes.
Pse buka e shtëpisë është më e shëndetshme
Sot, buka e blerë përmban shtesa produktesh nga më të ndryshmet, të dukshme dhe të padukshme, duke justifikuar shqetësimin e çdo konsumatori që tashmë nuk e di se çfarë po ha.

Ndonëse qeveritë e ndryshme në botë ushtrojnë kontrolle të imtësishme në përbërësit e industrisë ushqimore, numri i substancave shtesë në ushqime rritet gjithnjë e më shumë.

Syri nuk i sheh këto substanca, por shëndeti ynë vuan pasojat. Industria ushqimore e bën bukën me gjëra shtesë që ajo të rrojë më gjatë. Substanca të tjera përdoren që korja e saj të jetë më krokante apo fermentimi i majasë të përshpejtohet.

Këto shembuj janë të pakët në krahasim me ‘ushtrinë’ e adititivëve që përdoren në gatimin e bukës apo ushqimeve të tjera.

Si gjithmonë, zgjedhja është e konsumatorit. Nëse vendosni të bëni bukën vetë, atëherë është në dorën tuaj se çfarë përbërësish do të ketë ajo.

Në shtëpi, ju mund të gatuani bukë të ndryshme jo vetëm për nga madhësia por edhe përmbajtja. Siç e përmendëm më lart, arsyet për të gatuar bukën vetë në shtëpi janë të shumta. Megjithatë, arsyeja kryesore mbetet shëndeti dhe shija.

Më poshtë keni një recetë të thjeshtë, të shijshme të bukës së përgatitur në kushtet e shtëpisë.
Si t’a përgatisim në shtëpi
Përbërësit
1 kg miell

300 ml ujë të vakët

200 ml qumësht të vakët

2 lugë maja birre

4 lugë vaj ulliri

2 lugë të vogla kripë
Përgatitja
Në një tas të vogël hedhim majanë dhe e tresim me pak qumësht të vakët dhe e lëmë aty për 15 minuta, në mënyrë që të fermetohet.

Më pas, në një tjetër enë hedhim qumështin e vakët, majanë e fermentuar, vajin e ullirit, ujin e vakët dhe kripën.

I përzjejmë të gjitha bashkë me një lugë dhe nisim të shtojmë gradualisht miellin duke e përzjerë si fillim me lugë e më pas nisim punimin e brumit me dorë. Gjithë sekreti i një buke të mirë shtëpie qendron tek punimi i brumit me duar. Brumi do të jetë gati në momentin që masa do të jetë e fortë, kompakte dhe nuk ngjitet në duar.

Brumin e mbulojmë me një pecetë të pastër. E vendosim në një vend të mbyllur dhe të ngrohtë përreth një orë, në mënyrë që masa të dyfishohet.

Pasi burmi të ketë ardhur, e ndajmë në 12 toptha dhe i vendosim me rradhë në tepsi me letër pjekjeje. I lëmë ashtu edhe për 30 minuta të tjera në një vend të mbyllur. Më pas i fusim në furrë për t’i pjekur.

Para se t’i fusim në furrën e nxehtë, bukën e lyejmë me pak qumësht të vakët të përzier me një lugë vaj ulliri.

I pjekim në 200 gradë përreth 25 minuta derisa buka të ketë marrë një ngjyrë të kuqërremtë, të praruar.

Buka e shtëpisë – Aromë, shije dhe shëndet Read More »

Tumacë Skanderbeg nga tradita e shijshme Arbëreshe

Tumaca është një nga gatimet më të hershme e të vjetra të kuzhinës shqiptare. Ky specialitet është zahire e përgatitur si trahanaja, dromkat, rosnicat apo petkat. Tumacat janë pite të thara të copëtuara në kubikë.

Ky gatim e ka prejardhjen nga kuzhina turke dhe prej shekujsh është bërë pjesë e kuzhinës shqiptare,

Në disa zona të vendit quhet Tumacë e në disa të tjera, kryesisht në Shqipërinë e Mesme quhet Tutmoç.

Tumaca jo vetëm që përgatitet në mënyra të ndryshme por edhe kombinimet e saj janë të larmishme e plot shije gjithashtu.

Ato mund të përgatiten në formën e supës së trashë por edhe të mbuluara me salca të ndryshme.
Më poshtë keni një recetë shumë të vjetër arbëreshe, të trashëguar brez pas brezi emri i të cilës është “Tumac shpie Skanderbeg”.

Mësohet se tumaca ka qenë një nga gatimet e shtruara në sofrën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Përgatitja e Tumacës së Shtëpisë sipas Traditës Arbëreshe
Përbërësit
Për piten
½ kg miell

100 ml ujë të vakët

100 ml qumësht

1 kokërr vezë

Kripë
Për salcën
500 gr domate të freskëta

Një hudhër të plotë

Majdanoz të freskët

Borzilok të freskët

Një filxhan kafeje me copa bajamesh

100 gramë djathë nga qumështi i deles

Vaj ulliri

Kripë
Përgatitja
AgroWeb.org ju udhëzon të hidhni miellin, vezën, kripën, qumështin dhe ujin e vakët në një tas dhe përgatisni brumin duke e punuar me duar derisa të krijohet një masë e butë.

Lyejeni masën e brumit me pak vaj ulliri, lëreni të pushojë për 30 minuta e më pas ndajeni në toptha jo shumë të vegjël, pasi petat që do hapni duhet të kenë trashësinë e pites.

Petët që do hapni më pas, shtrojini në një vend ku ka diell apo është ngrohtë dhe lërini që të thahen mirë.

Pasi të jenë tharë thyejini dhe ndajini në copa të vogla katrorësh dhe janë gati.

Përgatitja e salcës

Për përgatitjen e salcës, si fillim AgroWeb.org ju udhëzon të grini hollë domatet dhe t’i vendosni në një tigan të madh apo tenxhere dhe t’i kaurdisni me vaj ulliri derisa volumi i domateve të bjerë.

Shtoni hudhrat dhe bajamet e thërrmuara, majdanozin dhe borzilokun e grirë hollë, hidhni dy gota me ujë dhe lëreni që të masa të nisë të vlojë.

Në momentin që salca nis të vlojë hidhni pitet e thara, pra tumacët, (për një person masa është një filxhan çaji e pak me kubikët e piteve të thara).

Lëreni të ziejnë bashkë derisa pitet të zbuten dhe lëngu të bëhet në fomën e salcës pak të lëngshme.

Ose një variant tjetër është edhe përgatitja e tumacëve siç përgatiten makaronat.

Zihet uji në një tenxhere me kripë e pak vaj ulliri. Kur të vlojë hidhen tumacët të ziejnë derisa të zbuten.

Në një enë tjetër përgatiten domatet me hudhrat dhe erëzat si më sipër vetëm se lihen që ziejnë plotësisht derisa salca të trashet.

Më pas, salca u hidhet sipër tumacëve.

Në të dyja rastet e përgatitjes, tumaca shërbehet e ngrohtë dhe sipër spërkatet me djathë të bardhë deleje (receta e ka djathë deleje por ju sipas preferencës mund të përdorni djathra të ndryshëm.

Tumacë Skanderbeg nga tradita e shijshme Arbëreshe Read More »

Kajmaçina – Ëmbëlsi magjepsëse nga tradita Prizrenase

Shumë e ngatërrojnë me krem karamelin, e disa të tjerë me qumështorin, por kur e provon, kupton se bëhet fjalë për një ëmbëlsirë krejt unike që të përfshin tërësisht me shijen e saj.

Tradita shqiptare është padyshim e shijshme.

Receta të ëmbla apo të kripura, të gatuara prej shekujsh me radhë, të trashëguara brez pas brezi e kanë shndërruar kuzhinën shqiptare në një nga më të veçantat e kulinarisë botërore në përgjithësi.

Më poshtë është Kajmaçina, një ëmbëlsirë fantastike kremoze me përbërës të thjeshtë dhe me një shije unike, traditë e amvisave të Prizrenit.

Kajmaçina është një nga ëmbëlsirat më të shijshme të kuzhinës shqiptare.

I lehtë plot shije dhe fantastik, ndër të preferuarit në raste festash, Kajmaçina ka mahnitur me shijen e tij këdo që e ka provuar.
Përgatitja e Kajmaçinës në Shtëpi
Përbërësit
8 kokrra vezë

8 lugë gjelle me sheqer

1 l qumësht

4 lugë gjelle niseshte
Sherbeti
300 gramë sheqer

200 ml ujë

Përgatitja

Si fillim, në një tas të gjerë, duhet që të rrihni vezët bashkë me sheqerin dhe niseshten.

Më pas, vijojmë duke shtuar qumështin pak nga pak duke i përzier vazhdimisht dhe pandërprerje derisa të krijohet një masë homogjene.

Këtë masë e shtrojmë në një tepsi të nxehtë, të lyer me pak vaj.

Kajmakçina piqet në temperaturë maksimale për 30-40 min derisa sipërfaqja e saj të bëhet e kuqërremtë.

Përgatisni ndërkohë sherbetin duke hedhur në një tenxhere sheqerin dhe ujin dhe duke i lënë të vlojnë derisa masa të bëhet të formën e sherbetit.

Pasi piqet nxirret nga furra dhe menjëherë i hidhet sipër sherbetin i cili duhet të jetë i ngrohtë gjithashtu.

Kjo ëmbëlsirë shërbehet e ftohtë.
Kombinimet
Kajmaçina mund të kombinohet me arra dhe biskota të thërrmuara, të cilat mund t’i hidhen në sipërfaqe por edhe në fund të pjatës para se të vendosni ëmbëlsirën në të.

Gjithashtu, kajmaçina kombinohet në mënyrë të mrekullueshme edhe me fruta të ndryshme. Mund të prisni disa luleshtrudhe dhe banane në kubikë të vegjël dhe t’i vendosni në sipërfaqen e saj.

Tjetër kombinim i shijshëm është edhe vendosja e lëkurave të grira të limonëve ose portokalleve si dhe frutave të thata në sipërfaqe të kajmaçinës.

Kajmaçina – Ëmbëlsi magjepsëse nga tradita Prizrenase Read More »