Kulinari

Perimet që largojnë fryrjen e stomakut

Nëse ka këshillë që pranohet  nga të gjithë ekipet e ekspertëve është që njeriu duhet të hajë sa më shumë perime.

Zakonisht, ekspertët janë të ndarë për vlerat dhe kundërvlerat e yndyrnave apo karbohidrateve, por kur vjen puna tek perimet të gjithë bien dakord se ato janë një nga bazat e një regjimi të shëndetshëm ushqimor.

Perimet përmbajnë shumë fibër.

Gratë, sipas ekspertëve, duhet të konsumojnë të paktën 25 gramë fibër në ditë.

Një racion me brokoli ofron 4 gramë fibër.

Kjo tregon qartë sa shumë perime duhet të konsumojë njeriu në ditë për të plotësuar nevojën për fibër.

Nga ana tjetër, fibra ka edhe një efekt anësor që manifestohet më qartë tek disa njerëz.

Ngrënia e perimeve ka raste që shkakton fryrje në stomak.

Kjo shfaqet kryesisht në momentet kur njeriu kalon nga një regjim ushqimor të pasur me mish dhe yndyrna në një tjetër të pasur me perime.

Për të minimizuar problemet me stomakun, të dhënat të cilave u referohet  AgroWeb.org rekomandojnë përfshirjen graduale të perimeve në regjimin ushqimor.

Me kalimin e kohës, fibra nuk do të shkaktojë më fryrje.

Nëse ju keni një stomak të ndjeshëm, ekspertët rekomandojnë që perimet t’i hani të gatuara.

Një tjetër këshillë e ekspertëve është që të jeni të kujdesshëm në përzgjedhjen e perimeve.

Disa prej tyre kanë shije të shkëlqyer, janë të pasur në vlera dhe nuk shkaktojnë fryrje.

AgroWeb.org gjithsesi ju rekomandon të mos e teproni edhe me sasinë.
Perimet Që Nuk Shkaktojnë Fryrjen e Stomakut
Kastraveci
Kastraveci ofron shumë vitamina dhe antioksidantë.

Nga ana tjetër kastraveci nuk përmban shumë fibër, ndaj gjasat për fryrje në stomak janë minimale.

Për më tepër, kastraveci është hidratues për organizmin.
Shpargu
Shpargu përmban një amino acid që e ndihmon organizmin të largojë lëngjet e tepërta dhe fryrjen.

Megjithatë, me shpargun duhet të tregoni kujdes me sasinë.

Nëse e teproni, do të përballeni me fryrjen në stomak.

Avokado është i pasur me kalium dhe rekomandohet në rastet kur e keni tepruar me kripën dhe ndiheni të fryrë.

Avokado përmban yndyrna të shëndetshme.

Këto yndyrna e ndihmojnë trupin të përthithë ushqyes të tjerë.
Kungujt E Njomë
Shumë perime përmbajnë sheqerna dhe karbohidrate që shkaktojnë gazra dhe fryrje.

Kungujt e njomë kanë më pak nga këto përbërës, ndaj konsiderohen idealë, sipas të dhënave të AgroWeb.org.
Barishtet
Barishtet dhe spinaqi në veçanti përmbajnë shumë vitaminë B që largon ndjesinë e fryrjes.

Barishtet konsumohen të kavërdisura me vaj ulliri dhe limon ose në sallata.
Lakra Turshi
Lakra turshi është e shëndetshme për stomakun dhe përmban shumë probiotikë.

Sigurohuni që ta përgatisni vetë në shtëpi për një rezultat më të mirë dhe kujdes me sasinë.
Domatet
Domatet janë të pasura me antioksidantë dhe konsiderohen një perime që nuk shkakton fryrje.

Megjithatë, reagimi ndaj domates varet nga organizmi i njeriut dhe shëndeti i stomakut./AgroWeb.org

Perimet që largojnë fryrjen e stomakut Read More »

Na ishte dikur – Gurabia e famshme e kuqe nga kohët e kaluara

Gurabiet e dikurshme me sheqer të kuq, apo siç njihen për një pjesë të shqiptarëve “Gurabie 5 lekëshe” janë fantastike me një shije unike dhe tipike shqiptare.

Krahas shijes së tyre të ëmbël dhe të butë, për një brez të tërë shqiptarësh sidomos brezit para viteve ’90 këto gurabie sjellin një nostalgji të veçantë të kujtimeve të fëmijërisë, pasi ishin ndër të vetmet ëmbëlsira me të cilat jo vetëm të vegjëlit por edhe të rritur ëmbëlsoheshin.

Edhe sot, edhe pse pastiçeritë dhe dyqanet e ëmbëlsirave janë përplot të mbushura me ëmbëlsira të shumë llojshme, gurabiet me sheqer të kuq kanë padyshim vendin e tyre dhe mbeten ndër më të preferuarat e shqiptarëve, për shijen dhe kujtimet e dikurshme gjithashtu.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën e veçantë të përgatitjes së këtyre gurabieve krejt lehtë, si një mënyrë fantastike për të sjellë në shtëpi shijen dhe ëmbëlsinë e dikurshme të kujtimeve të fëmijërisë.
Përgatitja e Gurabieve të Kuqe
1 kg miell

500 gr sheqer

2 të verdha veze

2 gota e gjysmë ujë (375 ml)

100-150 ml vaj ulliri ose gjalpë tër tretur

1 lugë kafeje sodë buke
Përgatitja e Kremit të Kuq
Pak ngjyrues të kuq ëmbëlsirash (e gjeni në markete)

1 të bardhë veze

250 gr sheqer pluhur

Përgatitja
Në një tas të madh hedhim miellin dhe sodën e bukës. AgroWeb.org ju udhëzon t’i përzjeni mirë me njëra tjetrën dhe dhe më pas të hapni një gropë në mes ku do të hidhni sheqerin, vajin e ullirit ose gjalpin, të verdhat e vezës.

Përzjeini mirë të gjitha bashkë dhe më pas shtoni ujin.

Brumin punojeni me duar dhe shpejtë. Brumi do të jetë pak i lëngshëm.

E vendosim brumin në tavolinën e kuzhinës, hedhim pak miell dhe e hapim me kujdes përmes një petësi.

Petën e hapim me një trashësi rreth 1.5 cm.

Presim biskotat në forma rrumbullake përmes një thike ose nëse kemi forma ëmbëlsirash.

I nxjerrim nga forma dhe i vendosim në një tavë ku kemi shtruar letër pjekjeje.

Futini të piqen në furrë të parangrohur në 200 gradë përreth 20 minuta.
Përgatitja e kremit të kuq
Në një enë qelqi, AgroWeb.org ju udhëzon të rrihni të bardhën e vezës dhe më pas të shtoni sheqerin pluhur.

Trazojeni me kujdes derisa masa të bëhet e njëtratshme.

Në fund, shtoni nga pak ngjyruesin derisa të arrihet ngjyra tipike e kuqe.

Pasi biskotat të jenë ftohur, lyejini me kremin e përgatitur dhe lërini të ftohet derisa kremi me sheqerin e kuq të ngurtësohet dhe të ngrijë./AgroWeb.org

Na ishte dikur – Gurabia e famshme e kuqe nga kohët e kaluara Read More »

Roli i arrave për shëndetin e sistemit tretës dhe kundër qelizave tumorale

Arrat ofrojnë një larmi përfitimesh shëndetësore për organizmin. Ato forcojnë zemrën dhe ulin rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve tumorale.

Arrat janë një thesar i mirëfilltë antioksidantësh të cilët përmirësojnë funksionet e trurit dhe ulin kolesterolin.

Kërkimet më të fundit shkencore kanë hedhur dritë edhe mbi rolin e arrave në përmirësimin e florës bakteriale në stomak.

Një dokument i publikuar nga Universiteti i Illinois në SHBA nxjerr në pah mënyrat se si arrat ndikojnë në mirëqenien e florës bakteriale e cila përbëhet nga miliarda mikro organizma që gjenden kryesisht në stomak.

Arrat janë një burim i vyer i fibrës. Kjo e fundit ndihmon në krijimin e një flore të larmishme bakteriale që është më e fortë kundër sëmundjeve që i kanosen sistemit tretës.
Roli i Arrave Në Përmirësimin E Florës Bakteriale
Shkencëtarët e Universitetit të Illinois thanë se konsumi i rregullt i arrave, rrit nivelet e tre baktereve kryesore në stomak: Faecalibacterium, Roseburia, dhe Clostridium.

Këto tre baktere prodhojnë një nënprodukt metabolik që përmirëson shëndetin e zorrës së trashë.
Arrat Ulin Nivelin E Acideve Kancerogjene Biliare
Studiuesit thonë se njerëzit që konsumojnë arra kanë nivele më të ulëta të acideve dytësore biliare.

Zakonisht, acidet biliare ndihmojnë në përthithjen e lipideve, kolesterolit dhe disa vitaminave në sistemin tretës.

Por disa prej tyre janë toksike. Acidet biliare futen në dy kategori: primare dhe dytësore. Këto të fundit njihen për kontributin e tyre në shfaqjen e kancerit të zorrës së trashë.

Shëndeti i sistemit tretës është i lidhur ngushtë me shëndetin e të gjithë organizmit, veçanërisht zemrën dhe trurin.

Arrat janë përshkruar gjithmonë si një super ushqim për shkak të përmbajtjes së lartë të acideve yndyrore omega-3.

Këto acide yndyrore janë të dobishme jo vetëm për shëndetin e zemrës por edhe të trurit.

Përpos tyre, arrat përmbajnë edhe acid linolenik, fibër, dhe polifenolë.

Të gjithë këto përbërës, i bëjnë arrat të dobishme kundër inflamacionit, kancerit dhe sëmundjeve nervore./AgroWeb.org

Roli i arrave për shëndetin e sistemit tretës dhe kundër qelizave tumorale Read More »

Hallvë me miell misri dhe arra nga delikatesat e amvisave

Fantastike në shije, krejt e lehtë në përgatitje, hallva vijon të mbetet një nga ëmbëlsira klasike, tradicionale shqiptare.

E përgatitur në mënyra të ndryshme, me miell misri a gruri, me qumësht nëse dëshironi apo e pasuruar me arra e kanellë, kjo ëmbëlsirë pa dyshim është ndër më të preferuarat e shqiptarëve.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë dy receta tradicionale të përgatitjes së hallvës në shtëpi, asaj me miell misri, qumësht dhe arra si dhe hallvës me miell gruri dhe mjaltë.
Hallva me Miell Misri
Përbërësit
1 gotë miell misri

Gjysmë gote sheqer

700 ml ujë

Arra të thërrmuara

Gjalpë i freskët

Kanellë (sipas preferencës)
Përgatitja
Në rastin kur kjo ëmbëlsirë përgatitet me miell misri, sigurohemi që mielli që jetë i situr mirë.

Në një tenxhere, kaurdiset me mielli me gjalpë, sa të marrë një ngjyrë në kafe të çelët.

Hidhet sheqeri i bërë shurup, bashkë me arrat.

Masa përzihet fortë dhe shpejtë derisa të shkëputet nga anët e enës dhe ndahet lugë-lugë në format e topthave.

Për një shije më të plotë, mund të zëvendësoni ujin me qumësht.

Në këtë rast, sheqeri shtohet gjatë kohës që mielli i misrit kaurdiset me gjalpin dhe më pas hidhet qumështi i nxehtë bashke me arrat.
Hallva me Miell Gruri
Përbërësit
120 gr miell gruri

70 gr gjalpë

150 gr sheqer

250 ml ujë

arra të thërrmuara

kanellë

Dy lugë mjaltë
Përgatitja
Në një enë hedhim ujin të cilin e kemi vakur më parë bashkë me sheqerin.

E përzjejmë masën derisa sheqeri të shkrijë plotësisht.

Në një tenxhere, shkrijmë gjalpin me zjarr të ulët.

Pasi gjalpi të ketë shkrirë hedhim miellin, të cilin e përzjejmë pa u ndalur dhe shpejt në mënyrë të që shmangim formimin e kokërrizave.

Kur masa merr një ngjyrë në kafe të çelur shtojmë dy lugë mjaltë dhe më pas në mënyrë të ngadaltë shtojmë shurupin dhe arrat e thërrmuara.

Përgjatë gjithë kësaj kohe vijojmë përzjerjen derisa masa të përthithë të gjithë ujin.

Pasi ka përthithur ujin, hallva është gati.

E heqim nga zjarri dhe e lëmë me kapak të mbyllur për 15 minuta.

Më pas, mund të përdorim dy lugë në dhënien e formës karakteristike të hallvës, por edhe forma të tjera. Në sipërfaqe e spërkasim me kanellë dhe vendosim nga një thelpi arre sipër.

Kjo ëmbëlsirë fantastike mund të shërbehet në temperaturë ambjenti ose e ftohtë. Për një shije më të veçantë, uji mund të zëvendësohet me qumësht.

I gjithë procesi i përgatitjes së kësaj ëmbëlsire kërkon durim dhe përkushtim./AgroWeb.org

Hallvë me miell misri dhe arra nga delikatesat e amvisave Read More »

Hurmashica , e ëmbël, e shijshme plot sherbet

Është një ëmbëlsirë fantastike që të rrëmben shijen që në momentin e parë sapo e provon.

Hurmashicat janë biskota të përgatitura në shtëpi e të zhytura në sherbet. Receta e tyre është specialitet kryesisht i Shqipërisë së Veriut dhe në veçanti i Kosovës.

Kanë një shije fantastike, të shkrifëta dhe të buta, hurmashicat janë ideale për të ëmbëlsuar veten dhe më të dashurit tuaj.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së hurmashicave krej lehtë në shtëpi.
Përgatitja e Biskotave me Sherbet në Shtëpi
Përbërësit
400 gr miell

2 vezë

2 filxhanë vaj ulliri ose misri

1 filxhan qumësht ose kos

2 gota sheqer

1 pako me pluhur pjekje (e gjeni në supermarket)
Për sherbetin
700 gr sheqer

1 litër ujë

Një kokërr limoni
Përgatitja e Sherbetit
Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të përgatisni sherbetin.

Hidhni në një tenxhere sheqerin dhe ujin dhe vendoseni në zjarr që të ziejë. Kur të ketë nisur vlimin shtoni në të limonin e grirë në thela shumë të vogla ose fetëza të imëta.

Pasi masa të marrë formën e shurupin hiqeni nga zjarri dhe lëreni që të ftohet.
Përgatitja e Biskotave
Në një tas të thellë rrihni si fillim vezët dhe sheqerin, më pas shtoni vajin e ullirit ose të misrit dhe vijoni të rrihni masën derisa të bëhet e njëtrajtshme dhe kremoze.

Shtoni në të qumështin dhe në fund miellin dhe pluhurin e pjekjes.

Brumi punohet derisa të bëhet homogjen dhe të mos ngjitet në duar.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon që brumin ta ndani në toptha shumë të vegjël, jo më të mëdhenj se një kokërr are.

Topthave u jepet forma e rrumbullakët apo ovale shtrihen me anë të një petësi u krijohen disa vrima në sipërfaqe më anë të një piruni dhe vendosen në tepsi të lyer me pak vaj.

Futen në furrë të parangrohur me 200 gradë dhe lihen të piqen derisa sipërfaqja e tyre të bëhet e kuqërremtë.

Ndërkohë, në momentin që fiksni sobën, biskotave ashtu siç janë të nxehta hidhuni gjysmën e sherbetit dhe 15 minuta më vonë hidhuni pjesën tjetër të sherbetit.

Hurmashicat shërbehen të ftoha dhe shoqërohen në mënyrë fantastike me arra ose bajame të thërrmuara sipër por edhe me akullore gjithashtu./AgroWeb.org

Hurmashica , e ëmbël, e shijshme plot sherbet Read More »

Kamomil qumësht kanellë – Ëmbëlsohuni dhe shëroni trupin

Kamomili është një nga çajrat më të përhapur në botë, ashtu si edhe në Shqipëri.

Ky çaj ka aftësinë të ndihmojë trupin dhe organizmin të qetësohet.

Kamomili shqiptar është një nga bimët mjekësore më të fuqishme, si pasojë e klimës dhe cilësisë së tokave ku rritet në gjendje të egër.

Sipas studimeve mjekësore, më shumë se një milionë filxhanë me çaj kamomili konsumohen çdo ditë në të gjithë botën.

Jo më kot kamomili është një nga çajrat më popullorë edhe në Shqipëri.

I kombinuar me qumësht dhe me pak mjaltë, çaji i kamomilit ngroh gjithë organizmin ndërsa fal qetësi mendore dhe shpirtërore.

Pse duhet të shtoni qumësht në çajin tuaj?

Qumështi i shtuar në çaj lidhet mjaft mirë me disa nga përbërësit e kamomilit duke shtuar vlerat për shëndetin.
Sa qumësht duhet të shtoni?
Në fakt nuk ka udhëzime të caktuara ose sugjerime se sa qumësht duhet t’i shtoni ndonjë çaji të veçantë. Kjo varet, më shumë se çdo gjë, nga shija juaj personale.

Megjithatë, shumica e çajrave nuk kërkojnë shumë qumësht.

Në përgjithësi, filloni duke shtuar një lugë gjelle qumësht në gotën e çajit, pasi e keni zierë e kulluar.

Përziejeni dhe shijoni çajin tuaj. Nëse është e nevojshme, shtoni nga një lugë gjelle qumësht deri sa t’ju pëlqejë.
Përgatitja
Përbërësit

1 gotë ujë

2 lugë kamomil

Qumësht

Mjaltë nëse dëshironi

Një shkop kanelle
Udhëzime
Ujin ku keni hedhur kamomilin e thatë vereni të ziejë. Hidhni brenda një shkop kanelle. Më pas kullojeni.

Shtoni pak e nga pak qumështin sipas shijes suaj.

Shtoni mjaltë nëse dëshironi.
Vlerat për shëndetin
Thithja e avullit që përmban ekstrakte kamomili zbut problemet e shkaktuara nga infeksioni i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Konsumoni kamomil për të ulur nivelin e stresit. Kamomili përmban apigenin, një përbërës që ka efekte që luftojnë ankthin.

Konsumimi i çajit të kamomilit rrit komplekset antibakterialë në trup dhe rrit imunitetin./AgroWeb.org

Kamomil qumësht kanellë – Ëmbëlsohuni dhe shëroni trupin Read More »

Receta tradicionale e byrekut me 12 barishte dhe monedhë brenda

Tradita shqiptare e gatimit është e pasur me shije e aroma të dashura, pas të cilave shumëkush që i ka provuar, ka mbetur i magjepsur.

Mes mjeshtërisë së recetave në kuzhinën shqiptare padyshim tradita unike e byrekut me 12 barishte është unike e vendit tonë.

12 barishtet simbolizojnë 12 muajt e vitit dhe përgatiten me dëshirën dhe shpresën për sa më shumë begati, mbarësi dhe shëndet në familje përgjatë gjithë vitit.

AgroWeb.org ju kujton se byreku me 12 barishte ka jo vetëm një shije unike, por dhe vlera të larta ushqyese që vijnë nga lakrat e egra dhe barishtet me të cilat përgatitet.

Sipas traditës, amvisat gjatë përgatitjes së këtij byreku fusin mes petëve edhe një monedhë. Pasi përgatitet, byreku ndahet në pjesë dhe i serviret gjithë familjes.

Anëtarit të familjes që i bie pjesa e byrekut me monedhë brenda cilësohet si personi që do të ketë fat dhe mbarësi gjatë gjithë vitit.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën tradicionale të byrekut me 12 barishte.
Përgatitja krejt lehtë në shtëpi
Përbërësit
100 gr Pazi

100 gr Lëpjetë

100 gr Spinaq

100 gr Hithra

100 Qumështore

100 gr Labot

100 gr bishta të hudhrave të njoma

100 gr bishta të qepëve të njoma

100 gr bishta presh

Një tufë nenexhik

Një tufë majdanoz

Një tufë kopër

500 gr Miell

250 ml Ujë

Kripë

Vaj Ulliri

1 kokërr vezë

Sodë Buke

Dy lugë gjelle djathë i bardhë i thërrmuar
Përgatitja e Brumit
Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin. Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë.

Në këtë moment nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.

Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër. E lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e lakrave të egra dhe barishteve.
Përgatitja e Mbushjes
Grijmë hollë përmes një thike të mprehtë të gjitha barishtet.

U hedhim kripë dhe i shtypim me duar, i vendosim në zjarr me pak ujë sa të marrin një valë dhe uji të ketë shterruar.

U shtojmë djathin e thërrmuar dhe i përziejmë.

Për të përftuar një masë pak të trashë të gjellës, AgroWeb.org ju sugjeron që në një gotë të vogël të hidhni një lugë miell dhe treteni me dy lugë kos.

Këtë masë, më pas e shtojmë tek barishtet dhe përzjejmë masën. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe me qumësht në vend të kosit.

Në fund, gjellës me lakra i shtojmë vezën e rrahur dhe e përziejmë që masa të njëtrajtësohet.
Procesi i pjekjes në furrë
Pasi e përgatisim gjellën me barishtet, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar.

Brumin e ndajmë në 10 toptha të vegjël.

Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer me disa pika vaj ulliri, shtrojmë petën tjetër, e spërkasim me disa pika vaj ulliri dhe vijojmë kështu derisa të kemi shtruar petën e katërt.

Më pas, shtrojmë gjysmën e mbushjes me lakra, në këtë moment vendosim edhe monedhën, të cilën e pastrojmë mirë me ujë dhe e mbështjellim me një letër kuzhine.

Më pas, vijojmë të shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur me disa pika vaj ulliri.

Hedhim pjesën tjetër të lakrave dhe vijojmë me shtrimin e katër petëve të tjera.

Në fund petëve u kthejmë pak anët.

Më pas, byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë deri sa të marrë pjekjen e duhur.

Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me pak gjalpë fshati./AgroWeb.org>

Receta tradicionale e byrekut me 12 barishte dhe monedhë brenda Read More »

Pasha qofte , shija tradicionale e sofrave Shqiptare

Janë disa gatime tipike të zonave të ndryshme të Shqipërisë të cilat spikasin me shijen unike të tyre, të plotë dhe karakteristike.

Receta të cilat brez pas brezi lartësohen me shijen e tyre në çdo sofër e tryezë shqiptare.

E tillë është receta e amvisave shqiptare, një gatim i vjetër po aq sa edhe historia e Shqipërisë.

Falë mjeshtërisë së tyre në kuzhinë, nënat dhe gjyshet shqiptare mahnisin këdo me shijen e mrekullueshme të këtij gatimi special.

AgroWeb.org u sugjeron të shoqëroni këtë supë shije plotë me sallata të freskëta të stinës, byrekë të ndryshëm apo edhe me pak nga zahiretë fantastike shqiptare.

Me shumë pak përbërës, të cilët me lehtësi gjenden në çdo kuzhinë çdo kush mund të përgatisë këtë recetë tradicionale vet në shtëpi për t’i ofruar familjes një vakt fantastik e mbresëlënës për shijen.

AgroWeb.og u përcjell më poshtë mënyrën e përgatitjes së kësaj supe të shijshme në shtëpi.
Si t’i përgatisim krejt lehtë në shtëpi
Përbërësit

(Përbërësit përzgjidhen në bazë të personave në familje. Përbërësit më poshtë janë për katër persona)

Për përgatitjen e qofteve

250 gr mish i grirë

1 kokërr qepë

Gjysmë filxhani çaji me oriz

Një e bardhë veze 1 lugë gjelle gjalpë pa kripë ose vaj ulliri

3 gota me ujë

Majdanoz i freskët

Kripë

Piper

Për përgatitjen  e supës

Lëngun e një kokrre limoni

Një gotë ujë

2 të verdha vezësh

Një lugë gjalpë i shkrirë ose vaj ulliri

Përgatitja e Pasha Qofteve

Në një tenxhere hedhim ujin bashkë me orizin dhe i lëmë të zjejnë për 15 minuta.

Më pas i heqim nga zjarri dhe orizin e kullojmë nga uji duke e lënë mënjanë në një tas.

Më pas grijmë qepët hollë dhe e hedhim tek tasi ku kemi hedhur orizin e kulluar, shtojmë mishin e grirë, bashkë me të bardhën e vezës, kripën, piperin dhe majdanozin e freskët.

I përzjejmë mirë të gjitha bashkë derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.

Më pas, njomim duart me ujë dhe ndajmë masën në qoftë të vogla në madhësinë e një kokërr arre.

Nga ana tjetër, hedhim në një tigan dy gota me ujë, pak gjalpë ose vaj ulliri dhe shtojmë me kujdes qoftet duke i lënë të zjejnë në zjarr të ngadaltë për gjysmë ore.

Ndërkohë nisim përgatitjen e supës.

Rrahim të verdhat e vezës bashkë me lëngun e limonit dhe ujin dhe në mënyrë të ngadaltë i’a shtojmë tenxheres ku kanë zjerë qoftët.

I përzjejmë më shumë kujdes që të mos prishet forma e qofteve.

Tenxheren e heqim nga zjarri dhe e servirim të ngrohtë.

Sipër mund të shtojmë pak pika gjalpi të shkrirë ose pika vaj ulliri si dhe majdanoz të grirë hollë.

*Për një gatim më të shëndetshëm, AgroWeb.org u sugjeron të përdorni vaj ulliri në vend të gjalpit./AgroWeb.org

Pasha qofte , shija tradicionale e sofrave Shqiptare Read More »