Kulinari

Shije dhe vlera gjatë gjithë vitit , ja si t’i thani bamjet në dy mënyra

Është koha perfekte kur amvisat shqiptare nisin të përgatisin zahiretë e dimrit.

Bëhet fjalë për një proces përgatitjeje dhe ruajtje e ushqimeve tradicionale të destinuara për konsum për të dimrin por edhe stinuet e tjera .

Gjatë kësaj kohe, në shumë zona të Shqipërisë, gratë dhe gjyshet nisin të përgatisin tushitë, trahananë, petkat, mishin e thatë apo frutat dhe perimet e thata siç janë fiqtë, mollët, rrushi, kajsitë, kumbullat, domatet dhe specat.

Së fundmi, amvisat shqiptare po praktikojnë një recetë të re, të cilën AgroWeb.org e sjell më poshtë: bamjet e thata, të cilat janë të shijshme dhe plot me vlera ushqyese.

Tharja e bamjeve është një proces i thjeshtë

Mënyra 1

Mjafton të keni një furrë me temperaturë 60 gradë celcius. Lajini, hiqini pjesën e kurorës dhe prijini diagonalisht në copëza të vogla.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon t’i vendosni një e nga një mbi një letër gatimi dhe futini në furrë për t’i tharë nga 16 deri në 20 orë.

Periudha e tharjes së bamjes ndikohet edhe nga qarkullimi i ajrit, ndaj rekomandohet përdorimi i një freskuese në drejtim të derës së hapur të furrës.

Mënyra 2

Bamjet shpëlahen me ujë të bollshëm e të ftohtë dhe më pas të thahen me kujdes me letër kuzhine.

Më pas ato duhen prerë në gjysmë, sepse në këtë mënyrë mund të thahen më shpejt.

Pasi i keni prerë në dysh, bamjet duhet t’i vendosni në një zgarë druri ose metalike të mbështjellë me një napë të hollë dhe të pastër.

Zgara duhet vendosur në një vend të atillë që të mundësojë qarkullimin e pandërprerë të ajrit nga poshtë dhe lart.

AgroWeb.org këshillon t’i mbuloni me një napë tjetër të pastër e të hollë që të parandaloni insektet.

Zgara e drunjtë ose metalike duhet vendosur në ambient të jashtëm e të ndriçuar mirë nga dielli për gjatë gjithë ditës.

Bamjet nuk duhen mbajtur në hije sepse do të prishen.

Në mbrëmje, zgarën mund ta fusni brenda që të parandaloni dëmin e vesës.

Për tre ditë me rradhë, bamjet duhet t’i nxirrni në diell që në mëngjes që të thahen në mënyrë të njëtrajtshme, rekomandon AgroWeb.org.

Ato konsiderohen të thara në momentin që lëkura e jashtme forcohet dhe tuli nuk nxjerr asnjë lëng pas shtrydhjes me gishta.

Bamjet e thara duhen mbajtur në qese të mbyllura ose në enë qelqi të mbuluara mirë me kapak.

Ato mund t’i mbani në frigorifer për disa muaj ose në ngrirje për deri në 3 vjet.

Vlerat shëndetësore të bamjes së thatë

Bamja e thatë ofron një sërë vlerash ushqimore.

Ajo përmban sasi domethënëse të acidit folik dhe vitaminës B6.

Në 15 gramë bamjesh të thata gjenden 3.3 gramë fibër dietike e cila ndihmon sistemin tretës dhe lëvizjen e zorrës së trashë duke parandaluar kostipacionin dhe diarenë.

Bamja e thatë është plot e për plot me vitamina A dhe C.

Në një sasi prej 15 gramësh bamjesh të thata gjenden 97 përqind e dozës së rekomanduar ditore të vitaminës A e cila i bën mirë lëkurës dhe qelizave të kockave./AgroWeb.org

Shije dhe vlera gjatë gjithë vitit , ja si t’i thani bamjet në dy mënyra Read More »

Byrek i Ëmbël me Kungull të Stinës – Receta me Shije Fantastike

Është koha perfekte për një byrek me kungull veror, të cilët, të freskët sapo kanë dalë në treg.

Tradita shqiptare e përgatitjes së byrekëve është unike në botë, aq sa kuzhina shqiptare identifikohet me recetën e tij.

Askush nuk i reziston dot byrekut shqiptar. Menjëherë sapo del nga furra ai mbledh gjithë shtëpinë rreth tij.

I shijshëm dhe i kombinuar me mbushje të ndryshme, me djathë e me qumësht, me hithra a lakra të egra, me qepë e domate apo preshë, të gjitha mënyrat e gatimit të tij janë të mrekullueshme.

Por ka dhe një tjetër recetë, shumë familjare dhe shumë të dashur në tryezat shqiptare: Byreku me Kungull.

Shija e tij është fantastike pikërisht në këtë kohë, kur kungujt e freskët, të verdhë të sapo mbledhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë kanë mbushur tregjet plot e për plot.

Byreku me kungull veror përgatitet i kripur dhe i ëmbël. AgroWeb.org sjell më poshtë versionin e ëmbël të kësaj recete.

Përgatitja e Byrekut me Kungull 

Përbërësit:

700-800 gr tul i kungullit veror

500 gr Miell

250 ml Ujë

100 gr sheqer (sasia e sheqerit hidhet sipas preferencës)

Vaj Ulliri

Pak gjalpë fshati

Sodë Buke

Një gotë qumësht

Një kokërr vezë

Përgatitja e brumit dhe mbushjes me kungull 

Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin.

Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë ndërsa nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.

Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër dhe e lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e harxheve.

Për përgatitjen e kungullit, pasi e kemi prerë në copa mesatare i hedhim në një tenxhere me ujë në mënyrë që të zjejë.

Sapo copat e kungullit të jenë zbutur. Kullojmë ujin dhe i shtypim derisa të marrin formën e puresë.

Më pas, në një tenxhere hedhim kungullin pure, vezën, sheqerin, një lugë gjalpë fshati dhe gotën e qumështit.

I vendosim në zjarr për 8-10 minuta derisa të krijojmë një masë të njëtrajtshme, jo të lëngshme.

Përgatitja e  Byrekut 

Tradita shqiptare e përgatitjes së byrekëve është unike në botë, aq sa kuzhina shqiptare identifikohet me recetën e tij.

Pasi e përgatisim mbushjen me kungull, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar. Brumin e ndajmë në 10 kuleçë të vegjël dhe nisim hapjen e petave.

Në tepsinë e lyer me vaj ulliri, shtrojmë tre petat e para duke u hedhur secilës nga disa pika vaj ulliri.

Më pas shtrojmë pjesën e parë të mbushjes me kungull. (Masën e kungullit e planifikojmë të ndarë për tre shtresa)

Vijojmë me shtrimin e dy petave të tjera dhe më pas hedhim sërish një pjesë të mbushjes së kungullit.

Pas kësaj, sërish shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur gjithmonë me disa pika vaj ulliri.

Hedhim dhe pjesën tjetër të mbushjes dhe vijojmë shtrimin e dy petave të tjera.

Hedhim edhe pjesën tjetër të mbushjes së kungullit dhe më pas shtrojmë tre petat e fundit duke u sërish disa pika vaj ulliri.

Byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë për 20-30 minuta deri sa të marrë pjekjen e duhur.

Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me një lugë gjalpë fshati./AgroWeb.org

Byrek i Ëmbël me Kungull të Stinës – Receta me Shije Fantastike Read More »

Supë me somate, speca dhe lëng pule / Mrekulli për hijen dhe shëndetin

Supa është një ushqim ideal për të gjitha stinët.

Në AgroWeb.org keni gjetur receta të ndryshme për supa të shijshme që mund të konsumohen në drekë ose në darkë, duke ju lejuar të merrni pak kalori por shumë ushqyes dhe vitamina.

Nëse ju pëlqejnë supat, atëherë me siguri do t’ju pëlqejë edhe kjo recetë.

Supa në këtë recetë të AgroWeb.org përmban disa prej produkteve më të shëndetshme për ju dhe është e përshtatshme edhe për ata që i janë nënshtruar një regjimi të rreptë ushqimor.

Supa e Domates në Kushtet e Shtëpisë
Përbërësit
500 gramë domate të freskëta

Vaj ulliri

1 karrotë

2 speca të gjelbër

2 thelpinj hudhra të grira hollë

2 qepë mesatare të grira

Borzilok të freskët

Pak spec djegës

kripë

1 litër lëng pule me pak kripë
Udhëzimet
Ndizeni furrën në 200 gradë.

Ndajini domatet në gjysmë dhe vendosini mbi një letër pjekjeje. Hidhni sipër tyre një lugë me vaj ulliri.

Palosini cepat e shtresës së letrës së pjekjes që të shmangni derdhjen e lëngjeve dhe futeni në furrë për 20 minuta.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të kaurdisni karrotat dhe specat një një tigan të vogël me vaj ulliri. Kaurdisini deri sa të zbuten ose për 10-15 minuta.

Shtoni hudhrën dhe qepën e grirë hollë. Uleni temperaturën dhe vazhdoni kaurdisjen edhe për 4 minuta të tjera.

Hiqini domatet nga furra dhe lërini të ftohen për 15 minuta. Qërojini dhe hidhini lëkurat. Nëse dëshironi mund t’i kaloni domatet në rende që të hiqni farat.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni të gjithë përbërësit në një mikser, përveç lëngut të pulës dhe përziejini deri sa të marrin formën e puresë.

Përzijeni atë me lëngun e pulës dhe ziejini së bashku për 15-20 minuta.  Mue pas spërkateni me borzilok të grirë hollë, spec djegës apo me erëza të tjera sipas preferencës.

Shoqërohet me bukë të thekur apo byrekë shtëpie, sallata të freskëta të stinës apo perime të pjekura gjithashtu./AgroWeb.org

Supë me somate, speca dhe lëng pule / Mrekulli për hijen dhe shëndetin Read More »

Musaka me patate, ja si ta gatuani në shtëpi në mënyrë perfekte

Kjo recetë që gatuhet shpesh në shtëpitë tona është një nga ato ushqime që shijohet tepër. Musakaja me patate është një pjatë plot ushqyes dhe kalorike, të cilën familjarët tuaj do ta duan.

Ja përbërësit: 1 kg patate; 500 gr mish i grirë; 6 kokrra qepë (mesatare); 4 filxhanë kafeje vaj ulliri; 5 kokrra domate (ose 1 lugë gjelle salcë); kripë; piper
gjethe dafine; 1 lugë gjelle gjalpë; 1 lugë gjelle miell; 1 gotë çaji qumësht; 1 vezë; djathë kaçkavall.

Receta dhe përgatitja:

Fillimisht qëroni patatet. I lani dhe i prisni në feta të rrumbullakëta, jo shumë të trasha. Patatet ziejini për disa minuta, por me kujdes që të ruajnë formën.
Prisni qepët në formë gjysmë rrethi dhe i skuqni në zjarr të avashtë, në mënyrë që të mos digjen.

Pastaj hidhni dhe domatet e qëruara në copa kubike, pak salcë dhe mishin e grirë dhe vazhdoni t’i përzieni. Përzierjes i shtoni kripë, piper dhe fletët e dafinës. Shtroni në tavë një shtesë me patatet e ziera dhe hidhni një pjesë të gjellës së përgatitur.

Pastaj vendosni dhe një shtresë tjetër me patate dhe pjesën e ngelur të qepës dhe shtresën e fundit me patate. Skuqni miellin me gjalpë, shuajeni me qumësht, përzijeni mirë derisa të marrë valë.

Hidhni pak kripë dhe lëreni masën që të ntrashet. Hiqeni nga zjarri dhe e lëreni të ftohet pak dhe përziejeni me vezë. Beshamelin e përgatitur e vendosni mbi musaka. Tavën vendoseni në furrë për t’u pjekur për 30 minuta. Ju bëftë mirë!/korrieri

Musaka me patate, ja si ta gatuani në shtëpi në mënyrë perfekte Read More »

Tavë me patate dhe qumësht, ja si ta gatuani më pak përbërës

Mmmm! Kjo recetë e përgatitjes së patateve realizohet në pak minuta dhe ka një shije për tu patur zili! Qumështi dhe gjalpi do t’i japin kësaj recete, shijen që ju amvisa meritoni!

Ja përbërësit: 2 gota qumësht; 4 kokrra patate (të prera në feta të holla); 1 pako gjalpë; kripë; rozmarinë; 100 gr djathë kaçkavall.

Receta dhe përgatitja:

Fillimisht merrni një tavë dhe e lyeni me pak gjalpë. Qëroni patatet dhe i shtroni me kujdes. Sipër i shtoni pak kripë dhe qumështin.

Pastaj shtoni rozmarinën dhe djathin kaçkavall të prerë në pjesë të vogla. Në fund shtoni pak gjalpë Lufra në të gjithë tavën.

E fusni në furrë për 1 orë, në temperaturë 120 gradë. Pasi te jete gati e nxirrni nga furra dhe shijojeni! Ju befte mire!/korrieri

Tavë me patate dhe qumësht, ja si ta gatuani më pak përbërës Read More »

Mjaltëza të buta me ëmbëlsi mahnitëse – Ja si t’i përgatisni

Mjatëzat me sherbet janë një ëmbëlsirë fantastike me shije unike që padyshim do magjepsin gjithë familjen e më të dashurit me shijen e tyre.

Receta e përgatitjes së tyre është krejt e thjeshtë dhe përgatitet shumë lehtë në shtëpi.

Mjaltëzat janë një delikatesë e veçantë të cilat mjafton t’i përgatisësh njëherë e më pas shndërrohen ndër ëmbëlsirat më të preferuara që përgatiten në shtëpi.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e mjaltëzave krejt lehtë.
Receta e Përgatitjes së Mjaltëzave
Përbërësit
Për sherbetin

2 gota ujë

1 gotë sheqer

1 lugë gjelle lëng limoni

Një lugë kafeje vanilje
Për brumin
1 gotë e gjysmë me miell gruri

1 lugë çaji me sodë buke

2 kokrra vezë

5 lugë gjelle gjalpë të freskët

150 gr krem djathi(e gjeni në supermarket)

Mjaltë
Përgatitja
Si fillim, AgroWeb.org ju sugjeron të nisni me përgatitjen e sherbetit.

Hidhni në një tenxhere ujin dhe sheqerin, vendoseni në zjarr dhe lëreni derisa sheqeri të shkrijë dhe masa të nisë të vlojë.

Sapo nis të vlojë hidhni lëngun e limonit dhe vaniljen.

Lëreni të ziejë dhe dy minuta më shumë dhe më pas hiqeni nga zjarri.

Ndërkohë parangrohni furrën e sobës në temperaturën 180 gradë celsius.

Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon që në një tas të hidhni miellin e situr, hapni një gropë dhe hidhni aty vezët.

Përziejini me duar, shtoni më pas sodën, gjalpin dhe kremin e djathit, të cilin më parë duhet ta përzieni fortë përmes një luge.

Përziejini të gjitha bashkë dhe punojeni brumin derisa të përftoni një masë të butë. Nëse brumi ngjitet në duar atëherë shtoni edhe pak më shumë miell.

Shtroni një letër pjekjeje në tavë.

Më pas, ndani brumin në toptha të vegjël, para se të jepni formën e rrumbullakët hapini në formë të sheshtë, hidhni disa pika mjalti në mes dhe më pas mbyllini me kujdes në formën e një topthi jo më të madh se një kokërr arre.

Vijoni kështu me të gjithë topthat dhe më pas vendosini në tavën ku keni shtruar letrën e pjekjes.

Futini në furrë të piqen përreth 20 minuta derisa ngjyra e tyre të bëhet e artë.

Pasi janë pjekur, nxirri nga furra dhe lërini të ftohen përreth 20 minuta.

Më pas, vendosni sherbetin sërish në zjarr, lëreni derisa të nisë të vlojë dhe në këtë moment shtoni aty Mjaltëzat.

Lërini të ziejnë bashkë përreth 15 minuta në mënyrë që mjaltëzat të përthithin gjithë sherbetin dhe të zbuten.

Më pas, largojini nga tenxherja, vendosini në një pjatancë dhe lërini të ftohen.

Për më shumë shije mund t’i shërbeni me akullore të freskët apo me pak arra të thërrmuara sipër./AgroWeb.org

Mjaltëza të buta me ëmbëlsi mahnitëse – Ja si t’i përgatisni Read More »

Pite të mbushura me gjizë , më të dashurat nga duart e amvisave

Pitet e përgatitura nga nënat shqiptare janë padyshim gatimi më i preferuar i të vegjëlve ashtu si edhe të rriturve.

Të mbushura me gjizë a me djathë, me qepë e domate, me mish grirë a me spinaq pitet ofrojnë një shije fantastike që të përfshin tërësisht duke të ndjellë për t’i konsumuar sa më parë.

Ideale për t’i konsumuar në mëngjes por edhe në çdo moment të ditës, ashtu si edhe për t’ua dhënë fëmijëve me vete në shkollë apo për t’i marrë edhe vetë gjatë pushimit të punës.

Pitet janë ndër gatimet më speciale që kuzhina shqiptare ofron.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën tipike të amvisave shqiptare për përgatitjen e piteve në shtëpi, një mënyrë fantastike për të kënaqur gjithë familjen.
Përgatitja e Piteve të Shtëpisë
Përbërësit
½ kg miell

200 gr kos

Gjysmë luge kafeje me sodë buke

Kripë

Gjizë e freskët
Përgatitja
Në një tas të madh hidhni miellin dhe hapni një gropë në mes. Shtoni aty kosin, hidhni kripën si dhe sodën dhe përzjejini mirë me duar derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.

Sipas preferencës mund të shtoni edhe një kokërr vezë gjatë punimit të brumit me dorë.

Kur brumi është shndërruar në një masë kompakte por jo të thatë, mbulojeni me një pecetë kuzhine. Lëreni që të pushojë për një orë në një ambjent disi të ngrohtë.

Më pas, ndajeni brumin në toptha të vegjël. Në tavolinën e punës në kuzhinë nisni t’i hapni ato përmes një petësi në formë të rrumbullakët në madhësinë që dëshironi.

Pasi e keni shtruar petën, shtoni brenda mbushjen me gjizë.

Nëse dëshironi, për më shumë shije bashkë me gjizën mund të shtoni pak rigon dhe arra të shtypura.

Pasi keni shtuar mbushjen, paloseni piten dhe bashkoni mirë të dyja anët e pites në mënyrë që të mos dalë mbushja gjatë skuqjes.

Më pas skuqini në një tigan me pak vaj (për një gatim më të shëndetshëm AgroWeb.org u sugjeron të përdorni vaj ulliri/AgroWeb.org

Pite të mbushura me gjizë , më të dashurat nga duart e amvisave Read More »

Sallatë me patate dhe kastravecë, ja si ta përgatisni për pak minuta në shtëpi

Mmm! Sallata me patate dhe kastravecë mund të përgatitet edhe shumë kohë para se të shërbehet dhe të ruhet në frigoriofer.

Përbërësit:

1 kastravec; 1 qepë e kuqe; 6 domate qershi; 80 gr djathë i bardhë; ullinj të zinj (pa bërthamë); 800 gr patate (të vogla); 6 lugë vaj ulliri; 3 lugë ujë (i ngrohtë); 3 lugë lëng limoni; 1 thelpi hudhër; 1 lugë mjaltë; 1 lugë mustardë; rigon; kripë; piper.

Ja përgatitja:

Fillimisht lani patatet, futini në një enë me ujë të ftohtë të kriposur dhe vërini në zierje për rreth 30-35 minuta. Hiqini nga zjarri, qërojini dhe pasi të ftohen pritini në feta rrethore me trashësi rreth 1 cm. Lani mirë kastravecin dhe pa e qëruar priteni në fillim së gjati dhe pastaj në gjysmë rrathë.
Qepën grijeni në feta shumë të holla rrethore.

Pastaj futni në mikser të gjithë përbërësit e dresingut bashkë me thelpinë e hudhrës së qëruar dhe miksojini derisa të bëhen pure. Hidhni në një tas sallate patatet dhe kastravecët. Hidhuni përsipër domatet qershi (ose të tharat), qepën e kuqe, ullinjtë e zinj. Rregullojini me dresingun që keni përgatitur duke u kujdesur që ta shpërndani mirë. Në fund thërrmojini djathin e bardhë dhe hidhini rigon. Mund ta shërbeni menjëherë ose ta ruani në frigorifer derisa të vijë koha për të shtruar tryezën.

Sallatë me patate dhe kastravecë, ja si ta përgatisni për pak minuta në shtëpi Read More »