Kulinari

Speca të pjekura , shije dhe vlera në një pjatë

Një sallatë tipike e kuzhinës shqiptare që të tundon menjëherë me shijen e saj e të ngacmon oreksin, nepsin dhe dëshirën për ta konsumuar menjëherë.

Specat e kuqe dhe ato jeshile, të pjekura e të marinuara me hudhra, vaj ulliri dhe uthull janë ndër kënaqësitë fantastike që ofron tradita shqiptare.

Dikur, qindra vite më parë, ato piqeshin në prush, më tej në saç, e sot e shndërruar në një traditë të të gjitha amvisave shqiptare edhe në furrë.

Me një shije fantastike, kjo pjatë shndërrohet në shoqëruesen e shkëlyqer të supave e gjellëve të ndryshme teksa mund të shijohen edhe veçmas me pak bukë të thekur e pak djathë.

Më poshtë AgroWeb u sugjeron recetën e përgatitjes së specave të pjekur në furrë.
Speca të Pjekura dhe të Marinuara
Përbërësit
Speca të kuq dhe jeshilë të mëdhenj

Hudhra

Kripë

Piper

Vajj uilliri

Uthull

Majdanoz (Sipas dëshirës)
Përgatitja
Specat pastrohen me ujë dhe më pas përmes një pecete kuzhine fshihen në mënyrë që t’u thahet uji.

Priten në dy pjesë, u hiqen farat e brendshme dhe sipas dëshirës mund të vendosen direkt në zgarën e sobës për t’u pjekur ose në tavë, të cilën keni shtruar më parë letër pjekjeje.

Futen në furrë të piqen në temperaturë maksimale për 40-50 minuta derisa të jenë zbutur plotësisht.

Më pas, nxirren nga furra dhe pasi janë ftohur pak u hiqet lëkura. Për të hequr lëkurën më shpejt mund të përdorni letrën mbështjellëse të bukës, me të cilën mund të mbështillni për disa minuta specat e më pas t’u hiqni lëkurën.

Specat i vendosim me rradhë në një pjatancë. Në një tas të vogël hedhim vaji e ullirit, pak uthull, hudhrat e shtypura dhe pak majdanoz të grirë hollë. I përzjejmë të gjitha bashkë dhe ua hedhim specave duke i përzjerë sa të marinohen mirë.

Sipas preferencës, sipër mund t’u hidhni edhe pak djathë të bardhë./AgroWeb.org

Speca të pjekura , shije dhe vlera në një pjatë Read More »

Zupa të ftohta shtëpie me kakao , receta e freskët, e ëmbël

Zupa shtëpie, një ëmbëlsirë krejt e lehtë, e kombinuar në mënyrë fantastike me arra, reçel dhe biskota për të kënaqur shijen në çdo kohë të ditës.

E shoqëruar me kafe, çaj apo duke e shijuar edhe vetëm, kjo ëmbëlsirë është ndër më tradicionalet, e përgatitur shpesh nga amvisat në shtëpi dhe një nga më të preferuarat në pastiçeritë shqiptare.

Fantastike në servirjen e saj si gosti në mikpritjen e miqve ashtu si edhe në servirjen e saj në fund të drekave e darkave familjare.

Një shije krejt tjetër, kremoze falë qumështit si përbërës kryesor të saj dhe e pasuruar me disa nga përbërësit më të shijshëm të kuzhinës, arrat e biskotat e thërrmuara si dhe reçeli unik shqiptar i qershisë gjithashtu.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së zupave. Kjo është një ëmbëlsirë që përgatitjen krejt lehtë dhe shpejt për të ëmbëlsuar familjen dhe më të dashurit gjithashtu.
Përgatitja e Zupave në Shtëpi
Përbërësit
1.5 litra qumësht

2 të verdha veze

10 lugë sheqer

7 lugë niseshte

1 lugë kafeje vanilje

1 pako biskota të thjeshta të thërrmuara

3-4 lugë gjelle me majë me kakao

Një grusht arra të thërrmuara

Reçel qershie

Kanellë
Përgatitja
Si fillim në fundin e tasave të zupave hedhim një shtresë me biskota të thërmuara.

Hedhim qumështin në tenxhere dhe e vendosim në zjarr të ngadaltë, shtojmë dy të vërdhat e rrahura të vezëve me sheqerin, kakaon dhe niseshten.

Gjithë masën e përzjejmë pa ndërprerje derisa masa të trashet dhe të bëhet kremoze.

Kur masa bëhet kremoze shtojmë vaniljen dhe vijojmë të përzjejmë për pak sekonda.

E heqim tenxheren nga zjarri dhe nisim mbushjen e kupave.

I mbushim të gjitha me krem deri në gjysmë e më pas hedhim një shtresë me biskota të thërmuara dhe pak reçel qershie.

Më pas hedhim pjesën tjetër të kremit duke mbushur gjysmën e kupave. Në fund shtojmë sërish një shtresë me biskota të thërmuara, arra dhe nga një lugë të vogël me reçel qershie.

Zupat, pasi janë ftohur futen në frigorifer dhe konsumohen të ftohta./AgroWeb.org

Zupa të ftohta shtëpie me kakao , receta e freskët, e ëmbël Read More »

Akullore me shalqi. Ja si ta përgatisni me kosto të ulët në shtëpi

Mmmm! Kostoja është e ulët dhe ju mund ta bëni sa herë të keni nevojë. Edhe për qerasje nuk është një ide e keqe.

Ja përbërësit: 2.5 kg shalqi; 150 gr sheqer; 80 gr niseshte; 1 lugë çaji kanellë pluhur; 3-4 lugë gjelle qitro (e sheqerosur në copa); 2-3 lugë gjelle çokollatë (në copa); 1 lugë gjelle ujë trëndafili (ose ujë jasemini).

Receta dhe përgatitja: Fillimisht shalqiri pastrohet nga lëkura e farat dhe kalohet në mikser për t’u bërë masë homogjene. Kjo masë kalohet në tenxhere, përzihet me sheqerin, niseshtenë dhe lëngun e aromatizuar. Pastaj vendoset në zjarr dhe përzihet shpesh, pasi lëngu të fillojë të ziejë ulet temperatura duke llogaritur 4 deri 5 minuta zierje.

E pasi hiqet nga zjarri hidhet kanella dhe më pas shtohen frutat e sheqerosura dhe çokollata. Përmbajtja hidhet në një formë për puding dhe vendoset në frigorifer për disa orë. Vendoset xhelatina në një pjatë, e cila sipas dëshirës mund të zbukurohet me lule jasemini dhe më pas shërbehet. Ju befte mire!/korrieri

Akullore me shalqi. Ja si ta përgatisni me kosto të ulët në shtëpi Read More »

Festa e Fërgesës, prezantohen recetat e vjetra të gatimit të Shqipërisë së Mesme

eliaj: “Promovojmë kulturat lokale dhe produktet vendase; Kemi në dorë që ta kthejmë në një traditë”

Nga restorantet luksoze me panoramë e deri tek vendet më të vogla, që i dinë pak njerëz, në Tiranë dhe rrethinat e saj gjithkush mund të provojë varietete të shkëlqyera të kulinarisë tradicionale.

Recetat e vjetra të gatimit të Shqipërisë së Mesme, u sollën këtë fundjavë me mjeshtëri nga shefat e mirënjohur të kuzhinës në “Festën e Fërgesës” në Surrel, ndërsa nuk munguan edhe këngë dhe valle tradicionale tiranase. Festë në të cilën mori pjesë edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi traditat e zonës dhe potencialet për zhvillimin e agroturizmit.

“Sot nis një risi, e cila mund të kthehet në traditë dhe në fakt, e kemi vetë në dorë: tradita bëhet kur ia tregojmë dikujt këtë histori dhe rikthehemi prapë këtu. Siç i bëjmë njëri-tjetrit tag në fotografi, do të ishte mirë t’i bëjmë tag Tiranës nga një festë e tillë, diku me gjelin, diku me vajin e ullirit, diku tjetër me fërgesën apo me domaten e zezë. Ne jemi vërtet të bekuar sepse sot Tirana urbane është rrethuar nga kjo kurorë e fshatrave. Shpresoj që ky fshat do të rrisë këtë që lindi sot, për t’u rikthyer vit pas viti për të treguar histori”, – u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku solli edhe disa shembuj pozitiv ku falë promovimit të produkteve të zonës, është rritur edhe ekonomia lokale, duke sjellë më shumë të ardhura për familjet. “Disa herë kemi pasur debate nëse promovimi i kulturave lokale, i konsumit të produkteve vendase ka duk apo është vetëm një gjë momentare. Një nga studimet që kemi bërë është historia e Baldushkut. Nisi si një minimarketing që po bënim për gjelat e Baldushkut. Kur llogaritëm që shitja e gjelave kishte shkuar në nivelin 4 milion euro, do të thotë që është mjaftueshëm për të gjitha ekonomitë që rrisnin tufa 100-200-250 gjela për të jetuar gjithë pjesën tjetër të vitit me dinjitet”, tha ai, teksa u bëri thirrje qytetarëve që të konsumojnë më shumë produkte të zonës, duke ndihmuar në këtë mënyrë edhe ekonominë vendase.

“Kur ti blen një produkt vendas, nuk po blen vetëm drekën ose darkën e Vitit të ri, por po blen edhe rrobat e shkollës dhe librat dhe ushqimin për një familje gjatë një viti. Atëherë ndryshoi komplet mënyra se si u prezantua historia e Baldushkut”, – deklaroi Veliaj.

Në fund, u bë edhe shpërndarja e certifikatave për pranimin e shef Ismet Shehut dhe Ilir Hysajt në “Aleancën e Shefave Slow Food”./atsh

Festa e Fërgesës, prezantohen recetat e vjetra të gatimit të Shqipërisë së Mesme Read More »

Kek me reçel fiku receta e ëmbël me shije fantastike

Keku me reçel fiku apo i njohur ndryshe si Pasta Flora është një ndër ëmbëlsirat më të preferuara të shqiptarëve.

E thjeshtë për t’u përgatitur, fantastike për t’u shijuar me një filxhan kafeje apo çaji në çdo kohë të ditës.

Është ëmbëlsira ideale për të pritur miqtë dhe për të ëmbëlsuar më të dashurit në familje.

Kjo ëmbëlsirë është shndërruar tashmë në një traditë të kuzhinës shqiptare.

Pasta Flora në fakt është një tartë e përbërë nga një petë brumi e shkrifët e mbushur me reçelra të ndryshëm.

Shija e kësaj ëmbëlsire është si ajo e një biskote të shkrifët të kombinuar me reçel.

Përgatitja e kësaj ëmbëlsire do të shtonte edhe më shumë atmosferën duke e shijuar në familje apo mes miqsh.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën tipike të përgatitjes së pastës Flora në shtëpi.
Përgatitja e Pastës Flora në Shtëpi
Përbërësit
2 gota ujë me miell

5 lugë gjelle sheqer

2 filxhanë kafeje margarinë

1 kokërr vezë

Gjysmë luge kafeje me sodë

5 lugë gjelle me kos

Një tas mesatar me reçel fiku (lloji i reçelit zgjidhet sipas preferencës)

Në një tas të madh rrahim si fillim vezën, më pas shtojmë sheqerin dhe sodën, i përzjejmë dhe shtojmë kosin.

Vijojmë përzjerjen derisa masa është bërë homogjene.

Në vijim, masën e përgatitur e shtojmë nga pak tek mielli që kemi vendosur në një tas dhe përgatisim brumin me dorë.

Pasi brumi është shndërruar në një masë të njëtrajtshme e hapim në tavolinën e punës në formën e një pete të trashë, e cila nuk duhet të jetë më e trashë se një centimetër.

Para se të hapim petën kujdesemi që mënjanë të lëmë një masë brumi më vete, të cilën do ta përdorim për shiritat që do vendosim mbi tartë.

Petën e përgatitur e vendosim në një tavë. Sipër saj shtrojmë masën e reçelit. Në fund marrim brumin që kemi lënë mënjanë, e ndajmë në shirita të hollë dhe e vendosim në formën e rombave(si në foto)mbi reçelin që kemi shtruar.

Shiritat nëse dëshironi mund t’i lyeni me vezë me ndihmën e një furçe kuzhine.

Piqet në furrë, derisa shiritat e sipërm të marrin ngjyrë të artë në të kuqërremtë përreth 40 minuta.

Pritet në pjesë dhe serviret kur është e ftohtë./AgroWeb.org

Kek me reçel fiku receta e ëmbël me shije fantastike Read More »

Trahanaja , tre receta tradicionale plot shije

Në ka një gatim special nga tradita shqiptare që të kënaq nepsin dhe oreksin , padyshim është trahanaja.

Tradita e gatimit të trahanasë ndryshon sipas krahinave të ndryshme.

Disa e përgatisin trahananë të ëmbël me qumësht e gjalpë, disa të tjerë me kos, disa me lëng domatesh e të tjerë me lëng mishi.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë tre receta tradicionale të krahinave të ndryshme por njëlloj të shijshme e fantastike, ideale për mëngjese të shëndetshme apo edhe darka gjithashtu.
Tre Receta Tradicionale Të Përgatitjes Të Trahanasë
Trahana me Qumësht e Gjalpë
Për një kg miell, dy gota qumësht, dy lugë gjelle gjalpë, 1 lugë gjelle kripë.

Sitet mielli, të cilit i hapet një gropë në mes ku hidhet gjalpi i shkrirë, qumështi dhe kripa.

Duke filluar nga mesi e përzjejmë brumin duke mos e gatuar shumë, por të përzihet aq sa të mos thithë krejt miellin.

Brumi duhet të jetë i fortë dhe i shkrifët.

Sipër e spërkasim me miell, e mbulojmë dhe e lëmë të vijë për 2-3 ditë.

Pastaj e hapim copa copa në çarçafë të pastër, e lëmë të thahet pak e shkoqim me dorë.

E kalojmë në sitë të rrallë, e thajmë përsëri dhe e vendosim në qeska prej pëlhure (beze).

Ruhet në vende të thata dhe të freskëta.
Trahana me kos
Për 1 kg miell përdoren dy gota kos dhe një lugë e gjysmë gjelle me kos.

Procesi i përgatitjes është i njëjtë si përgatitja e trahanasë me qumësht.
Trahana me Domate
Dy gota me lëng domatesh të shtrydhura, dy lugë gjelle gjalpë, një lugë e gjysmë gjelle kripë.

Edhe kjo recetë përgatitet si trahanja me qumësht, në këtë rast në vend të qumështit hidhet lëngu idomateve.
Përgatitja e Trahanasë si Supë
(Përbërësit e Recetës më poshtë janë për 4-5 persona)

6 lugë gjelle trahana

2 lugë gjelle vaj ulliri

Djathë i thërrmuar

Gjysmë filxhan çaji me shëllirë djathi

Një litër ujë

Në një tenxhere hedhim vajin e ullirit, shtojmë trahananë dhe e skuqim lehtë.

Shtojmë ujin e vluar dhe vazhdojmë ta trazojmë me telin e kuzhinës  që të mos krijohen kokërriza.

Shtojmë djathin e thërmuarr, shëllirën dhe nëse duhet edhe pak kripë.

E lëmë të zjejë rreth 10 minuta. Serviret e ngrohtë./AgroWeb.org

Trahanaja , tre receta tradicionale plot shije Read More »

Nuk është barishte, por një mrekulli që natyra na mbjell në bahçe

Fjalën ‘Portulaca oleracea’ mund të mos e keni dëgjuar ndonjëherë, ama këtë bimë e keni parë me mijëra herë, në bahçen tuaj, nëpër ara, në rrëzat e xhadeve, madje është aq bujare sa ndonjëherë mbin edhe në vazot e luleve për të na thënë: ‘Ja ku jam, më përdor edhe ti që s’ke një bahçe’. Ky është burdullaku që ne s’ia kemi ditur vlerat dhe shpesh e kemi shkulur si bar të keq për të mos i marrë lëndët ushqyese luleve ose perimeve pranë të cilave mbin. Po përse duhet ta mbledhim gjithmonë këtë bimë?

Çdo pjesë e kësaj bime është e ngrënshme—lulet, gjethet, kërcelli, madje dhe farat. Për shkak të shijes pak të thartë e të kripur, shtimi i burdullakut në sallatën tuaj i jep asaj më shumë shije asaj. Është shumë e ushqyeshme dhe rritet fare lehtë në oborrin tuaj, ndonjëherë pa u përpjekur fare.

Burdullaku ndihmon kundra ngrënies dhe peshës së tepërt

Gjethet dhe kërcejtë e burdullakut janë mishtore, çka do të thotë që janë shumë të pasura me ujë dhe fibra. Kjo është arsyeja pse konsumimi i burdullakut është një ide e mirë nëse doni të hiqni ca kile. Kjo bimë ju siguron ndjesinë e ngopjes dhe nuk ju lejon të hani më tepër se duhet. Burdullaku është një aleat shumë i mirë i rënies në peshë nëse kombinohet me ushqime të tjera të shëndetshme dhe aktivitet të rregullt fizik.

Ndihmon në reduktimin e riskut të atakut dhe infarktit në zemër

Acidet yndyrore Omega-3 të cilat gjenden me shumicë tek burdullaku, janë shumë të dobishme për sistemin kardiovaskular. Këto yndyra të shëndetshme ndihmojnë në zvogëlimin e kolesterolit të keq dhe parandalojnë depozitimin e tyre së bashku me pllakëzat në muret e arterieve. Kjo rezulton në uljen e presionit të gjakut që është diçka pozitive për zemrën tuaj. Konsumimi i burdullakut mund të ndihmojë në uljen e shanseve të sëmundjeve të zemrës, goditjeve në zemër dhe në tru falë sasive mbreslënëse të acideve yndyrore omega-3!

Konsumi i rregullt i burdullakut mund t’ju mbajë larg osteoporozën

Osteoporoza është një gjendje që karakterizohet nga prirja e kockave për të pasur fraktura. Diçka e thjeshtë si shtimi i burdullakut në dietën tuaj mund t’ju ndihmojë në betejën me osteoporozën dhe ndërlikimet e saj me kalimin e kohës. Kjo sepse kjo perime nuk përmban vetëm kalcium, por edhe minerale të tjera të rëndësishme për kocka të forta. Ajo përmban edhe mangan, magnez dhe hekur. U bën mirë gjithashtu dhëmbëve tuaj.

Ndihmon në shëndetin e syve dhe për një lëkurë të shëndetshme

Falë përmbajtjes së lartë të vitaminës A, burdullaku ndihmon kundra turbullimit të shikimit. Kjo për arsye se vitamina A është një antioksidant që mbron retinën e ndjeshme nga dëmtimi. Për më tepër, burdullaku përmban shumë vitaminë C dhe për këtë arsye, duke e përfshirë atë në dietën tuaj, mund të parandaloni shfaqjen e vijave të holla dhe rrudhave në fytyrë. Vitamina C e pranishme tek kjo bimë gjithashtu promovon shërimin e shpejtë të plagëve dhe ndihmon kundra disa sëmundjeve të lëkurës.

Konsumi i burdullakut ndihmon në zvogëlimin e shanseve për kancer

Antioksidantët janë molekula të fuqishme të cilat ndihmojnë për të shtyrë procesin e plakjes. E dinit që janë gjithashtu shumë të dobishëm në mbrojtjen e qelizave nga radikalet e lira, duke ulur kështu shanset e prekjes nga kanceri. Ka shumë fruta dhe perime shumë të pasura me antioksidantë që luftojnë kancerin. Një nga më të lirat dhe më të aksesueshmet është burdullaku.

Këto janë vetëm disa nga vetitë e dobishme të burdullakut. Gjithsesi, nëse vuani nga gurët në veshka, reduktoni konsumin e tij, sepse përmban acid oksalik në sasi të larta. Nëse dëshironi të ulni nivelet e acidit oksalik të tij, ziejeni para se ta konsumoni!/lajmejavore

Nuk është barishte, por një mrekulli që natyra na mbjell në bahçe Read More »

Petulla gënjeshtare , receta unike e gjysheve Shqiptare

Nëse ka një kërkesë drejt nënave apo gjysheve për të gatuar diçka të mirë e të shijshme, padyshim në krye të listës së gatimeve shqiptare janë petullat.

Vështirë t’u rezistosh! Të ngrohta, me pak mjaltë, sheqer pluhur a kanellë, reçel apo djathë. Por edhe pa i shoqëruar fare, me asgjë, shija e tyre e plotë të përfshin tërësisht.

Fantastike për mëngjes dhe shoqëruese të këndshme për drekë, petullat mbeten një nga gatimet speciale jo vetëm për familjen  por edhe miqtë e të afërmit

AgroWeb.org sugjeron më poshtë një recetë të lehtë dhe të shpejtë për përgatitjen e petullave gënjeshtare në shtëpi. Një mënyrë fantastike për t’i shijuar me familjen a me miqtë.

Quhen gënjeshtare sepse janë të fryra nga jashtë dhe bosh nga brenda. E megjithatë, shija e tyre është fantastike.

Petullat gënjeshtare janë traditë e zonës së Korçës dhe rrethinave të saj.

Dikur gjyshet i gatuanin ato mëngjeseve dhe i shërbenin të ngrohta për nipërit e mbesat teksa gjithë shtëpia kënaqej me shijen e tyre të mrekullueshme.
Përgatitja e Petullave Gënjeshtare në Shtëpi
Përbërësit
500 gr miell gruri

2 kokrra vezë të freskëta

1 gotë e gjysmë kos

Dy lugë kafeje me sodë

Kripë
Përgatitja
Në një tas të madh shtojmë miellin, sodën dhe kripën.

Krijojmë një gropëz të vogël në mes dhe aty shtojmë dy vezët dhe kosin.

I përziejmë të gjithë përbërësit dhe punojmë brumin me dorë derisa të krijohet një masë e njëtrajtshme dhe homogjene.

Pasi brumi është gati, AgroWeb.org ju sugjeron ta lini të pushojë përreth një orë.

Më pas, brumin e ndajmë në dy pjesë të barabarta dhe secilën prej pjesëve e hapim në një petë me trashësi rreth 1 centimetër.

Petën e presim në katrore, rrethore ose trekëndore të vogla me madhësi nga 5-6 centimetra.

Vendosim tiganin në zjarr dhe hedhim vajin, pasi ky i fundit të jetë ngrohur nisim skuqjen e petullave./AgroWeb

Petulla gënjeshtare , receta unike e gjysheve Shqiptare Read More »