Kulinari

Patëllxhanë të mbushur me gjizë / Shije dhe shëndet i mirë

Patëllxhanët janë ndër perimet fantastike që pavarësisht mënyrës apo recetës së përgatitjes të tërheqin përherë oreksin.

Vlerat fantastike të patëllxhanit vijnë kryesisht nga vitaminat dhe mineralet. Patëllxhani është i mbushur me vitamina C, K, B6, magnez, fosfor, bakër, fibër, acid folik, potas dhe mangan.

Të përgatitur në gjellë e tava të ndryshme, sallata apo edhe turshi, patëllxhanët të mrekullojnë me shijen e tyre fantastike në çdo recetë gatimi.

Agroweb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e patëllxhanëve të pjekur me gjizë, një recetë e thjeshtë dhe shumë e shijshme.

Kjo recetë kërkon pak kohë në përgatitje dhe është një kombinim i shkëlqyer i patëllxhanëve dhe gjizës, vezëve dhe erëzave.
Përgatitja e Patëllxhanëve me Gjizë
Përbërësit
5-6 patëllxhanë mesatarë

4 vezë

400- 500 gr gjizë pa kripë

4-5 lugë miell

Kripë

Piper

Majdanoz
Përgatitja
Patëllxhanët i lajmë, u presim bishtat dhe më pas i vendosim në një tenxhere me ujë për t’i zierë 10-15 minuta. Mund t’i provoni me një pirun, nëse janë zbutur mjaftueshëm, piruni do të depërtojë lehtësisht.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon që të hiqni tenxheren nga zjarri, t’i kulloni patëllxhanët dhe t’i vendosni në një pjatë për t’u ftohur.

Kur të jenë ftohur i presim në mes (për së gjati) dhe me ndihmën e një luge heqim tulin por jo plotësisht.

Në një tas tulin e patëllxhanit, e përziejmë me vezët, gjizën, majdanozin e prerë hollë, kripën piperin dhe miellin. Duke e trazuar me kujdes, deri sa masa të jetë homogjene.

Në zjarr kemi vendosur një tigan ku kemi hedhur me vaj ulliri, patëllxhanët i mbushim me masën që përgatitëm dhe i vendosim për t’i skuqur në fillim nga ana e lëkurave të patëllxhanit dhe kur të kenë marr pak formë kthehen dhe nga ana tjetër. Në këtë mënyrë ruhet forma që duam.

Pasi i heqim nga tigani i vendosim në një pjatë me letër kuzhine për të thithur yndyrën e tepërt.

Nëse preferoni patëllxhanët pasi i zjerë mund të vijoni me mbushjen dhe t’i piqni në furrë.

Shoqërohet me kos të freskët apo dhallë si dhe sallata të freskëta të stinës./AgroWeb.org

Patëllxhanë të mbushur me gjizë / Shije dhe shëndet i mirë Read More »

Buka me ullinj, kryevepra e shijes – Si ta bëni vetë

Kjo është receta fantastike e bukës së përgatitur në shtëpi me ullinj, erëza e hudhër.

Një shije mahnitëse që shoqëron e i shton lezetin çdo gatimi po aq sa të kënaq nepsin e oreksin duke e ngrënë edhe thjeshtë pa asnjë ushqim tjetër shtesë.

E ngrohtë, pak krokante nga jashtë dhe e butë brenda, buka me ullinj është ndër gatimet më të shijshme për të shoqëruar të gjitha vaktet, sidomos drekën e darkën.

Ata që kanë provuar të pjekin bukë në shtëpi, nuk kanë hequr më dorë prej saj.

Recetat e bukës së bërë në shtëpi janë të shumta dhe tepër të shijshme.

AgroWeb.org ka publikuar disa prej tyre dhe në këtë artikull do të mësoni më shumë për recetën e bukës me ullinj.
Buka e Pjekur me Ullinj
Buka me ullinj të zinj është një recetë tipike mesdhetare.

Ajo është shumë e shijshme, sidomos për ata që preferojnë ullinjtë.

Kjo recetë është shumë e thjeshtë dhe ka nevojë për pak përbërës.
Përbërësit:
3 filxhanë me miell gruri

2 lugë çaji me maja buke

Kripë

Pak sheqer

Një lugë e gjysëm çaji me hudhër pluhur

1 lugë çaji me erëza (piper, rigon, rozmarinë)

Gjysëm filxhani me ullinj

3 lugë gjelle me vaj ulliri

1 filxhan e gjysëm me ujë të ngrohtë

1 lugë gjelle me miell misri.
Udhëzimet
Në një enë të madhe përzieni miellin, majanë, sheqerin, kripën, hudhrën, erëzat, ullinjtë e zinj, vajin e ullirit dhe ujin.

Përziejini mirë dhe më pas transferojeni brumin në një sipërfaqe të sheshtë.

Punojeni brumin me duar për 5-10 minuta dhe lëreni të vijë për 45 minuta deri sa të dyfishohet në masë.

Pasi të ketë ardhur brumi, punojeni sërish për 5 deri në 10 minuta dhe lëreni sërish të vijë për 30 minuta të tjera.

Më pas, punojeni sërish dhe jepini brumit një formë rrumbullake.

Mbështilleni me një napë të lyer me miell dhe dhe lëreni sërish të vijë për 30 minuta të tjera.

Teksa brumi fryhet për të tretën herë, ndizeni furrën dhe në të vendosni një tenxhere të vogël me ujë.

Merrni një tepsi dhe lyejeni lehtas me vaj ulliri dhe me miell misri.

Jepini brumit formën e preferuar dhe futeni në furrë.

AgroWeb.org u sugjeron ta piqni për 15 minuta në temperaturë prej 250 gradësh dhe më pas 30 minuta të tjera në temperaturë 180 gradësh deri sa të piqet plotësisht./AgroWeb.org

Buka me ullinj, kryevepra e shijes – Si ta bëni vetë Read More »

Kungulleshka me vezë për mëngjes / Shije e lehtë dhe shëndet i mirë

Omleta është gjithmonë zgjedhja e duhur për një mëngjes të shëndetshëm.

Në ka një gatim që qendron në krye të recetave për një mëngjes të shijshëm, plot vlera ushqyese e të shëndetshme pa asnjë dyshim ato janë omletat.

Të kombinuara me perime të ndryshme, të miksuara apo thjeshtë me një prej tyre, spinaq a brokoli, lulelakër a patate, omletat, përbërësi kryesor i të cilave janë vezët përbëjnë një mënyrë ideale për të nisur ditën shëndetshëm.

Një mënyrë fantastike për të mbajtur trupin dhe organizmin në formë, për të nisur ditën mbarë me energji.

Recetat e këtij gatimi të thjeshtë janë të shumëllojshme.

Këtë mëngjes AgroWeb.org jua sjell të kombinuar me një perime plot vlera, si kungulleshka.
Përbërësit
500 gr kungulleshka

6 vezë

80 gr djathë i bardhë i thërrmuar

2 lugë gjelle me majdanoz të grirë

2 lugë gjelle vaj ulliri

Kripë

Piper i zi
Përgatitja
Pasi t’i keni larë me ujë të bollshëm kungulleshkat, AgroWeb.org ju sugjeron t’i prisni në feta sa më të holla.

Më pas vendosini në një letër kuzhine, në mënyrë që të përthithet lagështira që ato kanë.

Në një tas përzieni vezët, djathin e thërrmuar dhe majdanozin. Më pas i shtoni kripën dhe piperin sipas dëshirës.

Vendosni tiganin në zjarr të lartë, dhe hidhni aty vajin e ullirit.

Si fillim shtoni fetat e kungulleshkave, dhe kthejini herë pas here që të marrin një ngjyrë neutrale.

Ky proces mund të zgjasë rreth 6-8 minuta në varësi të trashësisë së fetave të kungulleshkave.

Kur kungulleshkat të jenë gati, hidhni përzierjen e vezëve.

Sigurohuni që përzierja të përhapet në të gjithë sipërfaqen e tiganit dhe të kenë mbuluar kungulleshkat.

Lëreni në zjarr deri sa veza të ketë filluar mpiksjen.

Në këtë moment, AgroWeb.org ju sugjeron që të ulni temperaturën e nxehtësisë dhe të mbuloni tiganin me një kapak për 10 minuta.

Hiqeni nga zjarri tiganin dhe kthejeni me kujdes në një pjatë.

Kjo omletë është e përshtatshme për katër persona. /AgroWeb.org

Kungulleshka me vezë për mëngjes / Shije e lehtë dhe shëndet i mirë Read More »

Jahnia e traditës / Receta fantastike për shëndet të mirë dhe shije në tryezë

Pa dyshim jahnia shqiptare është ndër pjatat më të shijshme, të cilën amvisat kujdesen ta përgatisin përherë në familjet e tyre.

Dikur ishte pjata e parë me të cilën, nënat dhe gjyshet mirëprisnin miqtë në tryezat e shtruara plot për dreka apo darka.

Kjo pjatë tipike shqiptare, e trashëguar me mjeshtëri brez pas brezi sjell shije dhe shëndet në tryezat familjare.

E gatuar në zjarr të ngadaltë sipas traditës, ajo mbush gjithë kuzhinën me aromën e saj fantastike të ndezur nga gjethet e dafinës, erëza karakteristike e kësaj pjate të shijshme.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën speciale të jahnisë që sigurisht nuk duhet t’i mungojë menusë së çdo tryeze shqiptare.

E plotë në shije, tradicionale e mbi të gjitha e shëndetshme, jahnia shqiptare shoqërohet në mënyrë fantastike me bukë të ngrohtë shtëpie dhe turshi, pure patatesh, pilaf dhe perime të furrës.
Jahnia E Shijshme Krejt Lehtë në Kuzhinën Tuaj
Përbërësit

1-1/2 kg tul mish viçi (i prerë në copa afërsisht 5 cm)

2 qepë mesatare të grira hollë

4 lugë gjelle vaj ulliri

4 gjethe dafine (të thata ose të njoma)

1 kuti salcë domatesh të grira

2 lugë supe domate pelte

200 ml ujë

kripë

piper
Kujdesi në Përgatitjen e Mishit
Me ndihmën e një letre kuzhine, AgroWeb.org ju udhëzon që të thani të gjitha lëngjet e mishit.

Më pas, vendosni një tenxhere me bazament të gjerë në zjarr dhe hedhim vajin e ullirit.

E lëmë të nxehet pak dhe hedhim mishin duke e kaurdisur derisa të skuqet fortë.

Mishin e kavërdisim përreth 10 minuta derisa të skuqet mirë nga të gjitha anët.

Heqim mishin nga tenxherja dhe e ruajmë në një pjatë, ndërkohë në tenxhere hedhim qepët e grira.

I kavërdisim derisa t’iu ulet volumi dhe të marrin një ngjyrë të verdhë të artë.

Në këtë moment, mishin e hedhim sërish në tenxhere. E kavërdisim për vetëm një minutë bashkë me qepët dhe më pas masën e shuajmë me pak ujë.
Kujdesi në Përgatitjen e Salcës
Në momentin që uji avullon, AgroWeb.org ju udhëzon që të përgatisni salcës, duke hedhur në tenxhere të gjithë  përbërësit e tjerë, bashkë me ujin. (kripën dhe piperin i lëmë për më vonë)

Në momentin që masa nis të vlojë, ulni zjarrin duke lënë që gjella të gatuhet në nxehtësi të ngadaltë.

Tenxheren mbulojeni me kapak dhe lëreni të ziejë në zjarr të avashtë përreth dy orë, derisa mishit të jetë i butë.

Një orë pasi ka zjerë gjella, hedhim kripën dhe piperin (masa sipas dëshirës).

Kjo pjatë serviret e ngrohtë dhe për t’i shtuar edhe më shumë shijen mund t’i hidhen edhe disa pika uthull./AgroWeb.org

Jahnia e traditës / Receta fantastike për shëndet të mirë dhe shije në tryezë Read More »

Uji i bamjeve / Vlerat e padiskutueshme për shëndetin dhe organizmin

Bamja ka fituar një reputacion të pakundërshtueshëm si një ushqim plot vlera, për konsumatorët e të gjitha moshave, por ka veti të veçanta sidomos për njerëzit që janë të rrezikuar ose diagnostikuar me diabet.

Bamjet mbajnë emrin botanik Abelmoschus esculentus dhe Hibiscus esculentus. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, është e pranuar shkencërisht që bamja ka një efekt pozitiv në mbajtjen nën kontroll të nivelit të sheqerit në gjak, por jo vetëm kaq.

Ajo që me siguri nuk e dinit është që toniku ose uji i bamjeve është i pasur me ushqyes të shumtë.

AgroWeb.org ju tregon se një gotë me këtë tonik ofron 2 gramë proteina, 21 miligramë vitaminë C, 80 miligramë folat, 30 kalori, 60 miligramë magnez, 3 gramë fibër, 0.1 gramë yndyrna dhe 7.6 gramë karbohidrate.
Toniku i bamjes ofron përfitimet e mëposhtme:
– Ul kolesterolin
– Trajton diabetin
– Ul nivelet e glukozës që konsumohet nga ushqimi dhe që përthithet nga aparati gastrointestinal.
– Qetëson dhe zbut simptomat e azmës
– Trajton sëmundjet e veshkave


Si të përgatisni tonikun e bamjes
Më poshtë do të zbuloni në AgroWeb.org mënyrën se si të përgatisni tonikun e famshëm që do t’ju ndihmojë menjëherë të rregulloni nivelin e sheqerit në gjak.
Përbërësit:
– Një gotë ujë

-Pak akull (nëse dëshironi)

– 4 bamje të freskëta
Metoda:
– Prisni majën dhe pjesën fundore të bamjeve të freskëta dhe vendosini në një gotë me ujë dhe akull. Lërini të qëndrojnë në ujë gjatë gjithë natës.

– Hiqini bamjet nga uji dhe pa e kulluar ujin, e keni gati për ta pirë.

– Ky lëng duhet konsumuar në mëngjes me stomakun bosh, madje 30 minuta përpara se të hani mëngjes. Efekti do të jetë i shumë i kënaqshëm.

Shumë njerëz të cilët zbulojnë sekretet e mrekullueshme të bamjes mendojnë që kanë gjetur recetën për t’iu shmangur rreziqeve që vijnë nga produktet e ëmbla.

Por fakti që bamja ka këtë vlerë në balancimin e nivelit të sheqerit në gjak, nuk do të thotë që ju duhet të shkoni në pastiçerinë më të afërt dhe të konsumoni të gjitha ëmbëlsirat që dëshironi.

Toniku i bamjes si çdo kurë tjetër natyrale jep efekt vetëm nëse ju mbani një dietë të mirë e të disiplinuar.

Mos hezitoni ta konsumoni tonikun e bamjes çdo ditë. Por AgroWeb.org tregon se disa njerëz mjaftohen me rezultatet e para, që janë mirëbërëse dhe më pas heqin dorë prej këtij rituali duke iu kthyer ushqimeve të ëmbla.

Në këtë mënyrë niveli i sheqerit në gjak rritet sërish dhe ata supozojnë që toniku nuk bën punë. Duhet të dini që rruga drejt shëndetit të mirë kërkon durim, disiplinë dhe qëndrueshmëri.
Ndërveprimi me ilaçet
Shumë prej jush mund të pyesin nëse duhet të konsumojnë këtë tonik teksa marrin medikamente për diabetin. Përgjigjia është e thjeshtë. Bamja është një perime e pastër. Nuk është produkt mjekësor apo farmaceutik.

Pyeteni mjekun tuaj nëse duhet të bëni ndryshime në ushqim, megjithatë nuk ka se si bamja t’i bëjë njeriut dëm.

Por mos harroni se përdorimi i këtij toniku është vetëm një ndihmë më shumë për organizmin dhe nuk zëvendëson insulinën dhe as preparatet e tjera të rekomanduara nga mjekët./AgroWeb.org

Uji i bamjeve / Vlerat e padiskutueshme për shëndetin dhe organizmin Read More »

Japrak me gjethe rrushi / Shije fantastike nga tradita

Tradita e kuzhinës shqiptare është e pasur me receta të mrekullueshme e përshtatur me produktet e freskëta të çdo stine.

E tillë është receta e përgatitjes së japrakëve me gjethe rrushi.

Një specialitet fantastik dhe i hershëm i amvisave shqiptare, i trashëguar brez pas brezi e që të përfshin tërësisht me shijen e tij.

Japrakët mund të përgatiten si meze për të shoqëruar gjellë, supa apo gatime të tjera, por mund të konsumohen edhe si drekë apo darkë e lehtë shoqëruar me sallata të freskëta të stinës.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së kësaj recete krejt lehtë në shtëpi .
Përgatitja e Japrakëve me Gjethe Rrushi
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

40 copë gjethe rrushi

5-6 qepë të njoma

1 filxhan çaji oriz

Kripë

Një tufë majdanoz

Kopër

Nenexhik

2 filxhanë kafeje vaj ulliri

Lëngu i një kokrre limoni

Një filxhan çaji me mish të grirë
Përgatitja
Për përgatitjen e kësaj recete, AgroWeb.org ju udhëzon të zgjidhni gjethe rrushi të mëdha dhe të njoma.

Si fillim, gjethet e rrushit pastrohen dhe zihen në ujë të valuar për 8-10 minuta.

Më pas, kullohen dhe hapen sa janë të nxehta pasi nëse ftohen ngjiten me njera tjetrën.

Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon të merrni qepët e njoma dhe ti grini hollë.

Kaurdisini në vaj ulliri derisa volumi i tyre të bjerë, më pas shtoni orizin dhe mishin e grirë nëse preferoni, kaurdisini të gjitha bashkë e më pas shtoni kripën, koprën, nenexhikun.

Disa amvisa krahas erëzave shtojnë edhe një grusht spinaq të grirë ose lëpjetë.

Kaurdisini në disa minuta, largojini nga zjarri dhe nisni përgatitjen e mbushjes së gjetheve të rrushit.

Secilës nga gjethet e rrushit, i pritet bishti dhe në mes vendoset një lugë gjelle nga mbushja me oriz.

Në fillim mblidhen anët dhe rrotullohen në formë roleje.

Vihen në tenxhere ku keni shtruar disa fletë rrushi.

I hidhet kripë, një gotë e gjysmë me ujë, vaj ulliri, i vihet një pjatë sipër dhe lihen që të zjejnë derisa japrakët të thithin të gjithë ujin.

Pasi të jenë gati, kur shërbehen japrakët spërkaten me lëng limoni dhe nëse preferoni për më shumë shije me disa pika gjalpë të freskët të shkrirë./AgroWeb.org

Japrak me gjethe rrushi / Shije fantastike nga tradita Read More »

Boll harxhuat lekë kot dyqaneve! Kek me dardha, përgatitet në 5 minuta në shtëpi

WOW!  Nuk do të ndiheni në faj pasi të konsumoni një ose dy feta… sepse në përmbajtjen e tij nuk ka asnjë gram yndyrë. Ndiqni hapat më poshtë për ta përgatitur dhe shijuar këtë kek në pak minuta:

Ja përbërësit: 200gr miell tip 00; 80 gram sheqer; 1 filxhan çaji kos natyral; 2 vezë; 3 dardha; 1/2 pako fryrës brumi; sheqer pluhur për spërkatje.

Receta dhe përgatitja: Fillimisht në një enë, rrahim vezët me sheqerin derisa përbërja të rezultojë kremoze. Shtojmë kosin, miellin, fryrësin e brumit dhe i përziejmë mirë. Shtojmë në fund dardhat në copa dhe vazhdojmë akoma përzierjen derisa brumi të formojë një masë homogjene.

Pastaj lyejmë një tavë të rrumbullakët me pak gjalpë dhe miell, hedhim në të brumin e kekut dhe e pjekim në furrë të parangrohur në 180°C për 25-30 minuta. Dhe e spërkasim në sipërfaqe me sheqer pluhur dhe e shërbejmë të vakët ose në temperaturë ambienti. Shijojeni!/korrieri

Boll harxhuat lekë kot dyqaneve! Kek me dardha, përgatitet në 5 minuta në shtëpi Read More »

Kefiri – Si Përgatitet Pija e Jetëgjatësisë

Kefiri është një nga super ushqimet më të kërkuara të momentit.

Me shijen e tij karakteristike, që vjen pak si e athët, ai është i pasur me probiotikët që kemi dëgjuar kaq shumë.

AgroWeb.org ju sjell mënyrën se si ta përgatisni në shtëpi këtë pije plot vlera.

Çfarë është Kefiri?

Kefiri është një produkt bulmeti i ngjashëm me kosin dhe ajkën e qumështit.

Por ajo që e bën të veçantë këtë pije është mënyra se si përgatitet.

Në vend që të ngrohet qumështi dhe të lihet në ambient të ngrohtë, siç bëjmë kur përgatisim kosin, ju duhen vetëm të keni farat e kefirit.

Këto fara nuk janë vërtetë fara si ato të grurit apo elbit.

Por janë disa struktura qelizore të baktereve dhe tharmit, të cilët fermentojnë qumështin.

Çfarë vlerash ka për organizmin?

Si kosi dhe produktet e tjera të bulmetit, kefiri është i pasur me probiotikë, që ndihmojnë në tretjen e ushqimeve.

Gjithashtu kjo pije ndihmon në rujatjen e florës dhe nivelit të aciditetit të sistemit tretës.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, procesi i fermentimit ndryshon disa nga proteinat e qumështit, duke e kthyer në një pije që tretet më lehtë.

Për disa persona që janë intolerant ndaj qumështit, kefiri është një zëvendësues perfekt.

Ku t’i gjeni farat e kefirit?

Mënyra më e mirë është që ta merrni nga një miku juaj.

Njihen si fara por në të vërtetë kanë formën e kërpudhës.

Farat pas një kohe të caktuar fillojnë dhe shtohen, dhe kushdo që e përgatit qumështin e kefirit vetë ka mjaftueshëm për ta shpërndarë.

Por nëse asnjë nga miqtë tuaj nuk e konsumon, mos u shqetësoni, farat mund t’i gjeni edhe në supermarkete ose në markete të specializuara.
Si të përgatisni Kefirin?
Për një gotë ju nevojiten:
250 ml me qumësht natyral jo i pasterizuar (si për shembull qumështi i fshatatrëve)

Një lugë çaji me fara kefiri

Një kavanoz apo enë qelqi
Përgatitja
Tek ena e qelqit vendosim farat e kefirit dhe më pas shtojmë qumështin me temperaturë ambienti.

E përziejmë ngadalë përbërjen me një lugë druri, duke treguar kujdes që të mos shkëputni farat e kefirit.

Mbulojmë kavanozin me një napë të pastër (si ato që kullojmë kosin) ose mund të përdorni një pecetë të hollë duke e kapur me një llastik.

Mos i vendosni kapak, pasi avujt që formohen nga fermentimi i farave mund të shkaktojnë një presion që në disa raste e thyen dhe kavanozin.

Përbërjen lëreni në temperaturë ambienti, për 16-18 orë.

Kur të vini re që qumështi ka filluar të pritet, pra të marrë formën e kosit, edhe pak orë duhen që ta keni gati.

Në periudhën e verës, fermentimi kryhet më shpejt, dhe mund të duhen rreth 12-16 orë.

Pasi kefiri të jetë gati, kullojeni me ndihmën e një site të vogël plastike.

Farat e kefirit që mbeten është e këshillueshme që t’i shpëlani pak në ujë të ftohtë para se t’i përdorni përsëri.

Si dhe të përdorni një enë të re qelqi sa herë që përgatisni kefir.

Qumështin e kefirit mund ta pini direkt pasi e keni kulluar ose ta ruani në frigorifer për jo më shumë se sa një javë.

Nëse doni që t’i ruani farat, AgroWeb.org ju sugjeron t’i vendosni në një enë me pak qumësht, dhe të mbuluar vendoseni në frigorifer./njekomb

Kefiri – Si Përgatitet Pija e Jetëgjatësisë Read More »