Kulinari

Byreku me qepë e domate, shija e kuzhinës shqiptare që e kërkojmë gjithë jetën

Nëse ka një recetë të traditës shqiptare që është e plotë në shije, e me të cilën nuk ngopesh asnjëherë, ajo është receta e byrekut me qepë dhe domate. Ky është një gatim i vjetër, e përdorur ndër shekuj, me përbërës shumë të thjeshtë.

I përgatitur me mjeshtërinë e duarve të amvisave shqiptare, byreku shndërrohet në një pjatë të mrekullueshme, që tërheq shijen e kujtdo që e provon.

Byreku me qepë e domate ashtu si edhe çdo byrek tjetër shqiptar shoqërohet në mënyrë fantastike me supa të lehta, kos apo dhallë, turshi apo sallata të freskëta.

Receta që AgroWeb.org sugjeron më poshtë është ndër recetat tradicionalet shqiptare e cila bashkon gjithë familjen rreth tryezës për të shijuar një ndër byrekët më të shijshëm.

Përbërësit: (Për brumin) 500 gr miell, 1 lugë gjelle kripë, 250 ml ujë i vakur, (Për mbushjen) 3 kokrra qepe, 3 kokrra domate, 3 lugë gjelle vaj ulliri, Kripë dhe pak piper.

Përgatitja e mbushjes me qepë e domate

Si fillim grijmë fare hollë qepët. Në një tigan hedhim vajin e ullirin e më pas qepët për t’i skuqur derisa volumi i tyre të bjerë dhe të marrin një ngjyrë të artë.

Në kohën që qepët skuqen hedhim edhe kripën, e nëse dëshirojmë edhe pak piper.

Më pas, grijmë domatet në copa të vogla. Për t’u hequr me lehtësi lëkurën më parë i fusim për pak minuta në ujë të ngrohtë.

I hedhim në tiganin ku kemi skuqur qepët dhe vijojmë t’i skuqim derisa domatet të treten dhe masa të bëhet në formën e salcës kompakte.

Më pas e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.

Përgatitja e brumit për byrekun
Në një tepsi hedhim miellin. Hapim një gropë në mes dhe një lugë kripë ndërsa nisim të shtojmë ujin e vakur duke e punuar brumin me dorë.

E punojmë me duar derisa të krijohet një masë kompakte dhe e ndajmë në dy pjesë të barabarta.

Pjesën e parë të brumit e ndajmë në 10 toptha të vegjël dhe secilin prej topthave nisim t’i hollojmë në petë të vogla.

Të gjitha petat e hapura i vendosim njëra mbi tjetrën duke e spërkatur secilën me disa pika vaj ulliri.

Sigurohemi që petën e fundit të mos e lyejmë me vaj por ta përdorim për të mbuluar petët e tjera.

Më pas, të gjithë petën e krijuar nisim ta hollojmë në përmasat e tepsisë që kemi për petanikun.

Me ndihmën e furçës së kuzhinës, tepsinë e lyejmë me vaj ulliri.

Më pas shtrojmë në petën që kemi holluar duke e puthitur në sipërfaqen e tepsisë.

Hedhim mbushjen me qepë dhe domate mbi petën që kemi shtruar në tepsi.

Edhe për petën e sipërme veprojmë në të njëjtën mënyrë si me petën e parë.

Pasi e kemi hapur e vendosim mbi mbushjen që kemi shtruar, kujdesemi që të bashkojmë mirë anët e të dyja petave.

Byrekun e spërkasim me disa pika vaji ulliri në pjesën e sipërme.

E fusim për ta pjekur në furrë me 200 gradë. Byreku piqet përreth 30 minuta./AgroWeb.org

Byreku me qepë e domate, shija e kuzhinës shqiptare që e kërkojmë gjithë jetën Read More »

Supa e Sulltanit, mrekulli për shijen dhe shëndet të mirë

E ka emrin supa e Sulltanit sepse ka qenë ndër recetat e veçanta që përgatitej më shpesh e shtrohej në tryezën e Sulltanit shekuj e shekuj më parë, madje edhe kur ai priste miq apo shtronte gosti.

Sot, kjo recetë, e njohur në mbarë botën përgatitet kudo nga amvisat në kuzhinën e tyre deri tek restorantet më prestigjiozë.

Është e lehtë dhe e mrekullueshme në shije ashtu si dhe e pasur me vlera ushqyese.

Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me gatime të ndryshme, sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura, byrekë të ndryshëm shtëpie, bukë të thekur etj.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën e përsosur të kësaj supe, e cila padyshim do të shndërrohet në më të preferuarën e amvisave dhe gjithë familjes.

Përgatitja e Supës së Sulltanit

Përbërësit: 3-4 thela pule, 2 lugë gjelle gjalpë të freskët (Për një gatim më të shëndetshëm, AgroWeb.org ju sugjeron përdorimin e vajit të ullirit ekstra të virgjër) 2-3 lugë gjelle miell gruri, 1 gotë me qumësht të vakët, 4-5 lugë gjelle bajame të thërrmuara, 2 të verdha veze, Lëngu i një limoni, Piper, Kripë,

Përgatitja: AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni thelat e pulës në një tenxhere.

Vendoseni tenxheren në zjarr dhe kthejini thelat nga të dyja anët derisa t’u thahen lëngjet, kaurdisini me pak gjalpë ose vaj ulliri.

Më pas shtoni rreth 1 litër ujë dhe lërini të ziejnë derisa mishi të zbutet.

Pasi mishi i pulës të ketë zjerë, largojeni nga texherja dhe copëtojeni mishin në fije-fije duke larguar kockat.

Lëngun e pulës ruajeni për të përgatitur supën.

Lëngun e pulës kalojeni në një tas dhe vendoseni tenxheren në zjarr mesatar.

AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni shtoni gjalpin, lëreni sa të shkrijë por kujdes që të mos digjet.

Sapo të shkrijë shtoni miellin, përzjeheni për 2-3 minuta derisa mielli të zverdhet pak.

Më pas, pak e nga pak shtoni qumështin e vakur dhe mos e ndaloni përzjerjen e masës. Për t’i përzierë sa më mirë mund të përdorni një rrahëse vezësh.

Pasi të keni shtuar qumështin, shtoni lëngun e pulës dhe vijoni akoma t’i përzjeni.

Shtoni në fund copat e pulës, bajamet e thërrmuara, kripën dhe piperin. Lëreni të zjejë aq sa supa të trashet mjaftueshëm. Përzjeheni herë pas here.

Pasi ta keni hequr nga zjarri, në një tas rrihni të verdhat e vezëve bashkë me lëngun e limonit.

Shtoni në po të njëjtin tas një garuzhde me lëngun e supës dhe përzjeini mirë të gjitha bashkë, në mënyrë që vezët të mos priten kur t’i shtoni në tenxheren me supë.

Shtojeni masën e vezëve dhe limonit të përzjerë me lëngun e supës ne tenxhere.

Përzjeheni mirë dhe vendoseni në zjarr edhe për 4-5 minuta.

Më pas, përzjeheni, largojeni nga zjarri dhe shërbejeni kur është ende e ngrohtë.

Për më shumë shije, kur ta shërbeni sipas preferencës spërkateni me pak majdanoz të grirë hollë dhe me disa pika gjalpë të shkrirë./AgroWeb.org

Supa e Sulltanit, mrekulli për shijen dhe shëndet të mirë Read More »

Mjaltëza të buta me ëmbëlsi mahnitëse – Si t’i përgatisni

Mjatëzat me sherbet janë një ëmbëlsirë fantastike me shije unike që padyshim do magjepsin gjithë familjen e më të dashurit me shijen e tyre.

Receta e përgatitjes së tyre është krejt e thjeshtë dhe përgatitet shumë lehtë në shtëpi.

Mjaltëzat janë një delikatesë e veçantë të cilat mjafton t’i përgatisësh njëherë e më pas shndërrohen ndër ëmbëlsirat më të preferuara që përgatiten në shtëpi.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e mjaltëzave krejt lehtë.

Receta e Përgatitjes së Mjaltëzave

Përbërësit

Për sherbetin

2 gota ujë

1 gotë sheqer

1 lugë gjelle lëng limoni

Një lugë kafeje vanilje

Për brumin

1 gotë e gjysmë me miell gruri

1 lugë çaji me sodë buke

2 kokrra vezë

5 lugë gjelle gjalpë të freskët

150 gr krem djathi(e gjeni në supermarket)

Mjaltë

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju sugjeron të nisni me përgatitjen e sherbetit.

Hidhni në një tenxhere ujin dhe sheqerin, vendoseni në zjarr dhe lëreni derisa sheqeri të shkrijë dhe masa të nisë të vlojë.

Sapo nis të vlojë hidhni lëngun e limonit dhe vaniljen.

Lëreni të ziejë dhe dy minuta më shumë dhe më pas hiqeni nga zjarri.

Ndërkohë parangrohni furrën e sobës në temperaturën 180 gradë celsius.

Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon që në një tas të hidhni miellin e situr, hapni një gropë dhe hidhni aty vezët.

Përziejini me duar, shtoni më pas sodën, gjalpin dhe kremin e djathit, të cilin më parë duhet ta përzieni fortë përmes një luge.

Përziejini të gjitha bashkë dhe punojeni brumin derisa të përftoni një masë të butë. Nëse brumi ngjitet në duar atëherë shtoni edhe pak më shumë miell.

Shtroni një letër pjekjeje në tavë.

Më pas, ndani brumin në toptha të vegjël, para se të jepni formën e rrumbullakët hapini në formë të sheshtë, hidhni disa pika mjalti në mes dhe më pas mbyllini me kujdes në formën e një topthi jo më të madh se një kokërr arre.

Vijoni kështu me të gjithë topthat dhe më pas vendosini në tavën ku keni shtruar letrën e pjekjes.

Futini në furrë të piqen përreth 20 minuta derisa ngjyra e tyre të bëhet e artë.

Pasi janë pjekur, nxirri nga furra dhe lërini të ftohen përreth 20 minuta.

Më pas, vendosni sherbetin sërish në zjarr, lëreni derisa të nisë të vlojë dhe në këtë moment shtoni aty Mjaltëzat.

Lërini të ziejnë bashkë përreth 15 minuta në mënyrë që mjaltëzat të përthithin gjithë sherbetin dhe të zbuten.

Më pas, largojini nga tenxherja, vendosini në një pjatancë dhe lërini të ftohen.

Për më shumë shije mund t’i shërbeni me akullore të freskët apo me pak arra të thërrmuara sipër./AgroWeb.org

Mjaltëza të buta me ëmbëlsi mahnitëse – Si t’i përgatisni Read More »

Kënaqeni familjen me këtë kek nga duart tuaja, receta e thjeshtë realizohet për 5 minuta

Si e shtune qe eshte sot, ju sugjerojme nje recete keku qe te kenaqni familjen tuaj me nje kek te bera nga duart tuaja!

Përbërësit: 500 g luleshtrydhe, 250 g miell, 300 g kos i trashë, 2 vezë
125 g gjalpë, 6 lugë sheqer, 10 g sodë për ëmbëlsira.

Përgatitja:

Fillimisht ndezim furrën në 160°C. Në një enë përziejmë gjalpin me sheqerin, shtojmë vezët, kosin, miellin dhe sodën.

Hedhim brumin në tavën e lyer më parë me gjalpë e miell, vëmë sipër luleshtrydhet (mund t’i vendosim të prera) dhe e lemë të piqet për 50-60 minuta.

E mbulojmë me letër alumini kur të ketë marrë ngjyrë në sipërfaqe dhe e lëmë të piqet, shkruan klan. Më pas e nxjerrim nga furra dhe e lemë të ftohet. Keku është gati. Ju bëftë mirë!

Kënaqeni familjen me këtë kek nga duart tuaja, receta e thjeshtë realizohet për 5 minuta Read More »

Po bën namin kjo recetë që pasi na e treguan, pula me kos e hudhra do ju lërë pa fjalë

Problemi që haset më shumë kur mishi i pulës gatuhet në furrë, është se bëhet shumë i thatë. Por me kete recete, me kos e me hudhra, e cila përgatitet në shumë pak minuta, krijon një pjatë të mrekullueshme.

Përbërësit për 4-5 persona

Një pulë mesatare, 2 gota me kos, 6-8 thelpinj hudhër, 2-3 lugë gjelle me vaj ulliri, Kripë, Piper, Majdanoz i grirë

Përgatitja e recetës

Pulën lajeni me ujë të bollshëm, pasi ta keni pastruar, ndajeni në disa copa. Pasi t’i keni kulluar, vendosini në një pjatë dhe spërkatni me pak kripë.

Në një tas hedhim kosin, pak kripë e piper sipas dëshirës, dhe i përziejmë në mënyrë që të formojnë një masë të njëtrajtshme.

AgroWeb.org ju këshillon që në rast se përdorni kos të përgatitur në shtëpi, duhet t’i kulloni lëngun që lëshon vetë kosi. Kjo recetë mund të bëhet me çdo lloj kosi, por më ideali është ai i deles, pasi është dhe më kremoz.

Pasi e kemi përgatitur kosin, kalojmë aty copat e mishit të pulës dhe i përziejmë me një lugë druri.

Në një tavë qelqi ose balte, hedhim vajin e ullirit dhe mundohemi që ta përhapim në të gjithë sipërfaqen e saj. Më pas qërojmë hudhrat dhe mjafton t’i ndajmë në gjysmë.

Masën me kosin dhe mishin e pulës e kalojmë në tavë, aty shtojmë dhe hudhrat e prera.

E vendosim për t’u pjekur në furrë të parangrohur me 220 gradë celsius, përreth 40 minuta, ose derisa mishi i pulës të jetë pjekur plotësisht.

Nëse dëshironi t’i forconi shijen kësaj recete mund t’i shtoni dhe disa feta limoni pasi kanë kaluar 20 minuta nga pjekja.

AgroWeb.org ju sugjeron që kur mishi i pulës të ketë marrë një ngjyrë të artë, ta kthejmë nga ana tjetër, kështu do të piqet uniform.

Para se ta servirni në tryezën tuaj, hidhini sipër majdanozin e freskët, të cilin e keni grirë imët, dhe përgatituni për një shije unike.

Mund të shoqërohet me bukë të thekur apo me sallatë perimesh të stinës për një vakt sa më të lehtë.Agroweb

Po bën namin kjo recetë që pasi na e treguan, pula me kos e hudhra do ju lërë pa fjalë Read More »

Kungulleshka me djathë në furrë / Shije dhe vlera në tryezë

Kungujt e njomë janë perime shumë të shijshme dhe të pasur në vlera.

Ato përmbajnë shumë vitaminë K, vitaminë C, kalium dhe fibër.

Kjo perime rekomandohet për njerëzit që vuajnë nga problemet me qarkullimin e gjakut dhe kockave.

Kungujt e njomë zakonisht gatuhen në gjellëra të ndryshme, ose bëhen pjesë e turlive me perime.

Megjithatë, kungujt e njomë mund të piqen në furrë dhe në formën e patateve të cilat e kemi të vështirë t’u rezistojmë.

Ndonëse ato janë krejt ndryshe nga patatet e pjekura, kungujt e njomë të pjekur të prerë në rripa kanë një shije befasuese.

Si Të Përgatisni Kungujt E Pjekur me Djathë

Përbërësit:

250 gramë kunguj të njomë

1 lugë e gjysmë gjelle me miell

Vaj ulliri

3 vezë

2 lugë gjelle me qumësht

2 lugë gjelle me djathë të grirë hollë.

Mund të përdorni djathë të bardhë ose kaçkavall sipas dëshirës.

Përgatitja:

Prijini kungujt në rripa.

Në një enë qelqi hidhni miellin dhe shtoni aty kungulleshkat e prera një e nga një.

Mundohuni që të gjitha fetat të jenë të spërkatura në të gjithë sipërfaqen me miell.

Për pjekjen mund të përdorni një tavë qelqi, të cilën duhet ta lyeni me vaj ulliri dhe me pak bukë të thekur të grirë hollë.

Kështu lagështira e tepërt e kungulleshkave do të përthithet, dhe do të ruhet forma dhe shija e tyre.

Në një tas përzjeni vezën, qumështin dhe djathin e grirë derisa të formohet një masë homogjene.

Ndërkohë shtrojmë në tavë shtresën e parë me kunguj i spërkasim me pak vaj ulliri, kripë dhe piper.

Në të njëjtën mënyrë veproni me të gjithë fetat e kungujve.

Pasi i kemi vendosur që të gjithë, i hedhim sipër vezën, qumështin dhe djathin e grirë.

Mund të shtoni dhe pak majdanoz të grirë sipas dëshirës.

Vendoseni në furrë të ngrohur më parë me 200 gradë celsius përreth 20-30 minuta.

Kur të jetë krijuar një shtresë e artë në sipërfaqen e kungujve, është gati për t’u shërbyer.

Mund t’i servirni duke i shoqëruar me salcë kosi të thjeshtë ose tarator./AgroWeb.org

Kungulleshka me djathë në furrë / Shije dhe vlera në tryezë Read More »

Patëllxhanë të pjekur me hudhra, shija mahnitëse e traditës shqiptare

Patëllxhani është një perime që bie gjithmonë në sy në stendat e fruta perimeve në kryeqytet dhe përtej tij. Përdorimi i tij mbetet pjesë e traditës orientale të gatimit me shembullin më të mirë atë të tavës ‘imam bajalldi’, por edhe format e reja të gatimit si pjesë e turlive me zarzavate të ziera janë tradicionale për shqiptarët.

Më poshtë AgroWeb.org u sugjeron një recetë fantastike, atë të puresë me patëllxhanë, e cila përgatitet krejt lehtë dhe është e mrekullueshme në shije e në shoqërimin e vakteve të drekës apo darkës.

Për 4-5 persona nevojiten

1 kg patëllxhanë, 4-5 lugë gjelle vaj ulliri, 1 hudhër mesatare, spec djegës, Kripë, Piper, Majdanoz i freskët i grirë hollë

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që për këtë gatim zgjidhet patëllxhanë me tul dhe pa fara.

Patëllxhanët vendosen të piqen në furrë me gjithë lëkurë, ose me pak vaj ulliri në tenxhere me presion.

Nëse vendosni t’i piqni të paprera duhet t’i lini përreth 1 orë në furrë të para ngrohur me 200 gradë celsius.

Për të parë nëse janë pjekur sa duhet mund t’i shpojmë me një pirun, nëse arrin që piruni të depërtojë lehtësisht patëllxhanët janë gati.

U qërohet cipa dhe grijmë hollë në një dërrasë druri. Në një pjatë të thellë vendosim disa letra kuzhine dhe aty lëmë patëllxhanët e prerë, në mënyrë që t’u largohet lagështira e tepërt.

Më pas i vendosim patëllxhanët e grirë në një tas, u shtojmë hudhra të shtypura, kripë dhe piper sipas dëshirës, vaj ulliri dhe pak spec djegës.

Nëse preferoni që kjo pure të ketë një përmbajtje kremoze atëherë shtojini të gjithë përbërësit në mikser duke hedhur gradualisht vajin e ullirit.

Masa përzihet lehtë me një lugë druri, në mënyrë që të mos prishet forma kubike e copave të patëllxhanit. Tasin me purenë e patëllxhanëve vendoseni për disa minuta në frigorifer të pushojë.

Për t’i shtuar akoma dhe më shumë shijen kësaj recete, AgroWeb.org ju sugjeron që t’i shtoni dhe pak majdanoz të grirë hollë.

Kjo pure shërbehet e spërkatur me vaj ulliri dhe shoqërohet në mënyrë të përkryer me bukë të thekur.

Patëllxhanë të pjekur me hudhra, shija mahnitëse e traditës shqiptare Read More »

Do të lëpini gishtat! Ja si të gatuani Hallvë me miell misri dhe arra nga delikatesat e amvisave

Fantastike në shije, krejt e lehtë në përgatitje, hallva vijon të mbetet një nga ëmbëlsira klasike, tradicionale shqiptare.

E përgatitur në mënyra të ndryshme, me miell misri a gruri, me qumësht nëse dëshironi apo e pasuruar me arra e kanellë, kjo ëmbëlsirë pa dyshim është ndër më të preferuarat e shqiptarëve.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë dy receta tradicionale të përgatitjes së hallvës në shtëpi, asaj me miell misri, qumësht dhe arra si dhe hallvës me miell gruri dhe mjaltë.

Hallva me Miell Misri – rbërësit

1 gotë miell misri, Gjysmë gote sheqer, 700 ml ujë, Arra të thërrmuara, Gjalpë i freskët, Kanellë (sipas preferencës)

Përgatitja

Në rastin kur kjo ëmbëlsirë përgatitet me miell misri, sigurohemi që mielli që jetë i situr mirë. Në një tenxhere, kaurdiset me mielli me gjalpë, sa të marrë një ngjyrë në kafe të çelët.nHidhet sheqeri i bërë shurup, bashkë me arrat.

Masa përzihet fortë dhe shpejtë derisa të shkëputet nga anët e enës dhe ndahet lugë-lugë në format e topthave. Për një shije më të plotë, mund të zëvendësoni ujin me qumësht. Në këtë rast, sheqeri shtohet gjatë kohës që mielli i misrit kaurdiset me gjalpin dhe më pas hidhet qumështi i nxehtë bashke me arrat.

Hallva me Miell Gruri – Përbërësit

120 gr miell gruri, 70 gr gjalpë, 150 gr sheqer, 250 ml ujë, arra të thërrmuara, kanellë, Dy lugë mjaltë

Përgatitja 

Në një enë hedhim ujin të cilin e kemi vakur më parë bashkë me sheqerin. E përzjejmë masën derisa sheqeri të shkrijë plotësisht. Në një tenxhere, shkrijmë gjalpin me zjarr të ulët. Pasi gjalpi të ketë shkrirë hedhim miellin, të cilin e përzjejmë pa u ndalur dhe shpejt në mënyrë të që shmangim formimin e kokërrizave.

Kur masa merr një ngjyrë në kafe të çelur shtojmë dy lugë mjaltë dhe më pas në mënyrë të ngadaltë shtojmë shurupin dhe arrat e thërrmuara. Përgjatë gjithë kësaj kohe vijojmë përzjerjen derisa masa të përthithë të gjithë ujin. Pasi ka përthithur ujin, hallva është gati. E heqim nga zjarri dhe e lëmë me kapak të mbyllur për 15 minuta.

Më pas, mund të përdorim dy lugë në dhënien e formës karakteristike të hallvës, por edhe forma të tjera. Në sipërfaqe e spërkasim me kanellë dhe vendosim nga një thelpi arre sipër.

Kjo ëmbëlsirë fantastike mund të shërbehet në temperaturë ambjenti ose e ftohtë. Për një shije më të veçantë, uji mund të zëvendësohet me qumësht. I gjithë procesi i përgatitjes së kësaj ëmbëlsire kërkon durim dhe përkushtim.

Do të lëpini gishtat! Ja si të gatuani Hallvë me miell misri dhe arra nga delikatesat e amvisave Read More »