Shoku i tij i ngushtë, Adriano Emini, duke folur për “Panoramën”, tregon bisedën e fundit me Eneon, pak orë para se ai të kryente aktin vetëflijues. Ata punonin bashkë në një fabrikë për prodhimin e këpucëve.
Kur keni folur për herë të fundit me Eneon?
Fola në mbrëmje, para se të kryente aktin fatal. Më fliste normalisht, siç flasim gjithmonë për planet e problemet tona. Më shkruante se kishte vendosur të bëhej pjesë e një videoklipi për të marrë ca fitime. Këtë bisedë bëmë herën e fundit që folëm.
Ju punonit bashkë, si sillej ditët e fundit?
Normalisht sillej. Ai punonte me mua dhe nusen time te këpucët. Nuk kishte shfaqur probleme, edhe pse kishte pasur disa probleme me gjërat e tij në jetën personale.
Çfarë problemesh? Ju ka folur për ndarjen?
Unë e di që ishte ndarë me atë vajzën, por nuk e di pse u ndanë. As më kish thënë e as e kisha pyetur, se më dukej sikur i ndërhyja në punët e tij. Di që me të kishte lidhje serioze. Edhe familjarët e tyre e dinin. Ai madje iku me të në Itali nja katër muaj dhe atje tentuan të jetojnë bashkë. U kthyen, sepse nuk dinin gjuhën dhe nuk arritën të gjenin punë. Në këto kushte u kthyen këtu.
Kishte probleme ekonomike familja e tij?
Jo, nuk kishte probleme ekonomike. Jetonin normalisht si gjithë të tjerët. Nuk vuanin. S’e kisha parë kurrë që të ankohej dhe dukej që jetonte mirë.
Po mbrëmjen para se të helmohej, sa minuta folët?
Nuk folëm shumë. Ai madje më kishte shkruar rreth videoklipit edhe më pas, por unë u shkëputa për pak se kisha punë dhe kur u ktheva, tentova t’i shkruaja, por s’më ktheu përgjigje. E mora në telefon, nuk ma ngriti. I bëra disa herë zile. Nuk dija asgjë se çfarë kishte ndodhur dhe nuk e di tamam sa ishte ora kur e mora në telefon.
Kur e morët vesh për vdekjen e tij?
Të martën në mëngjes. Nuk e besoj dot që ka ndodhur vërtet. Më duket sikur do ta takoj prapë. Ishte djalë shumë i mirë. Ishte i qeshur në përgjithësi.