Nuk duhet ta humbisni këtë video që tregon momentet e tensionit mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetarit Blendi Fevziu ne Opinion.
Biseda fillimisht ka nisur me tone të qeta, por shpejt është tensionuar.
Kryeministri ka pranuar përgjegjësinë lidhur me tarifën e vendosur në Rrugën e Kombit, por është shprehur ndër të tjera se kjo ka ndodhur edhe për mospasje të dijenisë lidhur me problematikën, duke qenë se kjo është një përvojë e re për Shqipërinë.
Gazetari Fevziu e ka kundërshtuar këtë përgjigje, duke u shprehur se Rama ka marr shumë letra nga përfaqësuesit e biznesit, të cilët prej vitit 2016 në fakt i kanë shkruar për të kërkuar bisedime lidhur me këtë çështje.
Ka bere nje deklarate bombe ambasadori Donald Lu sonte per ish kryeprokurorin Adriatik Llalla, kur tha:
“Sekretari i Shtetit vendosi që Z. Llalla do të ishte i pari person në botë që sipas këtij ligji që i lejon Presidentit të Shteteve të Bashkuara t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari të korruptuar nga një vend tjetër”.
Keshtu tha ne studion e emisionit “Opinion” ambasadori amerikane Donald Lu, i cili tha se ‘Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shumë burime informacioni, dhe të gjitha ato të çonin në një përfundim, dhe ai ishte përfundimi ku Sekretari i Shtetit u mbështet për vendimin e tij”.
Fevziu: Zoti Ambasador, do t’i kthehem vetingut, por doja t’ju pyesja për historinë tuaj me ish Prokurorin e Përgjithshëm Z. Llalla. Përse Departamenti i Shtetit ia ndaloi hyrjen Z. Llalla dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara?
Lu: Sekretari i Shtetit vendosi që Z. Llalla do të ishte i pari person në botë…
Fevziu: I pari person në botë?
Lu: …në botë, që sipas këtij ligji që i lejon Presidentit të Shteteve të Bashkuara t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari të korruptuar nga një vend tjetër.
Fevziu: Sipas informacioneve të kujt?
Lu: Më lejoni të mbaroj. Pra, mbështetej në korrupsion të konsiderueshëm. Prandaj ne, qeveria e SHBA, dhe në këtë rast Sekretari i Shtetit, i cili nën autoritetin e Presidentit për këtë çështje, ishte i bindur se kishte prova të mjaftueshme për të besuar se Z. Llalla ishte i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm. Këtu ngrihet edhe një pyetje tjetër, nëse ai ka shkelur ligjet e vendit tuaj. Nuk mund ta vendosim ne këtë për Shqipërinë, ne nuk jemi zbatuesit shqiptarë të ligjit. Prandaj po punojmë me prokurorët dhe policinë shqiptare, për t’i ndihmuar ata të kuptojnë atë që ne kemi kuptuar, në mënyrë që të vendosin nëse duan ta çojnë këtë çështje në gjykatë.
Fevziu: Po nga erdhi ky informacion? Nga Ambasada Amerikane në Tiranë apo nga institucionet ligjzbatuese në Shtetet e Bashkuara, të cilat e ofruan këtë informacion?
Lu: Blendi, ju e dini se ne kemi shumë burime informacioni.
Fevziu: Shumë njerëz besojnë se ishit ju që personalisht e dëbuat Llallën për shkak të problemeve që keni pasur më parë.
Lu: Asnjë President i Shteteve të Bashkuara apo Sekretar Shtetit nuk do mjaftohej vetëm me të dhënat e Ambasadorit Amerikan. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shumë burime informacioni, dhe të gjitha ato të çonin në një përfundim, dhe ai ishte përfundimi ku Sekretari i Shtetit u mbështet për vendimin e tij.
Fevziu: A ka një hetim zyrtar për Llallën në Shtetet e Bashkuara? Nuk po flas për hetimin në Shqipëri.
Lu: Unë nuk jam agjent i FBI-së, unë nuk jam agjent i DEA-s. Nuk mund të them nëse ata kanë nisur hetimet. Unë mund të flas vetëm në emër të Ambasadës tonë dhe ne po bashkëpunojmë me autoritetet shqiptare.
Fevziu: Përse keni pasur një marrëdhënie kaq të fortë dhe të keqe me Z. Llalla?
Lu: Jo, unë kam pasur një marrëdhënie personale mjaft të arsyeshme me Z. Llalla, kemi pasur disa takime, kemi qëndruar në komunikim edhe pas konfliktit që patëm. Janarin e kaluar unë thashë se Z. Llalla kishte vepruar kundër reformës në drejtësi. Unë nuk kam asgjë personale me Z. Llalla. Unë dhe qeveria ime kemi investuar shumë përpjekje në reformën në drejtësi dhe nuk do të lejojmë asnjë zyrtar të vetëm, sado i lartë të jetë ai, që të pengojnë këtë reform.
Fevziu: Z. Ambasador, doja t’ju pyesja sepse kanë qarkulluar komente, nëse deklaratat që ju keni bërë gjatë këtyre 3 viteve kanë qënë të miratuara nga Departamenti i Shtetit, nga politikat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Lu: 100%.
Fevziu: 100%?
Lu: 100%! Unë jam një burokrat shumë besnik. Unë nuk bëj asgjë pa marrë miratimin e Uashingtonit, komunikoj me Uashingtonin çdo ditë, dhe ata e dinë shumë mirë se çfarë bëjmë ne.
Fevziu: Cili ishte problem më i madh i Z. Llalla
Ambasadori Lu: Prokurori i Përgjithshëm Llalla nuk ndoqi penalisht njerëzit. Ai ishte Prokurori më i lartë në vend, e megjithatë askush nuk u fut në burg gjatë mandatit të tij. Ju keni nivelin më të ulët të ndjekjeve penale për krimet e rënda në një vend me probleme serioze me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Prandaj shpresoj që të gjithë Prokurorët e Përgjithshëm të ardhshëm, përfshirë edhe Znj. Marku, ta marrin më seriozisht përgjegjësinë e tyre për të ndjekur penalisht njerëzit që shkelin ligjin.
Ndarja nga jeta e aktores shqiptare, Hajrie Ronodo, la pas një dhimbje të madhe për gjithë shqiptarët.
Prej një dekade na ka bërë të qeshim e të qajmë me rolet e saj dhe mund të themi se është një aktore e pazëvendësueshme.
Vajza e Hajries, aktorja Klea Rondo, e ftuar në emisionin “Pasdite në Top Channel”, foli për kujtimet me të ëmën, ditët e fundit kur luftonte me sëmundjen dhe dhimbjen e madhe që ajo la pas.
“Qaj shpesh kur jam vetëm. Nuk dua ta bëj para fëmijëve sepse ata nuk e meritojnë të mërziten. Djali është i vogël, 3 vjeç kur shkuam në shtëpinë e prindërve që nga vera e vjetshme kur unë i shërbeva, e kërkoi të kolltuku i saj: Më thoshte: Ku, ku?. Kurse vajza është më e rritur. Ajo është 12-të. Ia fshehëm si fillim. Por në shkollë i treguan. Nuk më thoshte gjë, por pas disa ditësh e mërzitur më tha: Po nëna nuk është më? Mu desh pastaj tia shpjegoja sa më lehtë. Po është shumë e vështirë”, tregoi Klea me lot në sy.
Ndër të tjera Klea rrëfeu se si ajo dhe i vëllai i saj u rritën në prapaskenë, ndërsa e ëma i tyre ishte në xhirime.
“Mami na merrte me radhë në xhirime. Për shembull te ‘Përrallë nga e kaluara’ mori vëllain se ai ishte më i vogli. E shijonin të qëndruarin në sheshxhirim, pas skene. Mami ikte për periudha të gjata, edhe kur s`na merrte me vete kishim babin që bëhej burrë dhe grua. Pastaj kur vinte mami na përkushtohej. Dilnim shëtitje”, tregoi Klea.
Moderatorja dhe gazetarja e emisionit “Studio e Hapur” në News24 Eni Vasili për emisionin “Jo vetëm modë”, ka folur për personazhet dhe të ftuarit e saj nga politika, duke iu referuar shprehjes emocionale të tyre dhe rastit të kryeministrit Edi Rama që u përlot në emision kur kujtoi akuzat për familjen.
Gazetarja tha se këto momente i bëjnë mirë audiencës së emisionit.
“Sigurisht i bën mirë audiencës, emisionit.
Në fund fare njerëzit që kemi përballë, politikanët janë edhe njerëz.
Ajo që kam vënë re në disa përballje të tilla dhe në disa përlotje të tilla sepse Rama nuk ka qenë i vetmi gjatë këtij sezoni të “Studios së Hapur” që është përlotur në intervistë me mua, është që të gjithë këto personazhe që kanë një jetë të gjatë politike, kanë pengje të mëdha sa i takon familjes, pra ndihen në faj për faktin që nuk i kanë kushtuar shumë rëndësi fëmijëve, nuk kanë jetuar fëmijërinë e tyre apo që nuk i kanë dhënë martesës së tyre aq kohë sa duhet.
Edhe po të dish t’i prekësh në ato tasta, emocionohen si çdo njeri dhe ata”,tha Vasili.
Takimi i fundit i gazetarit Blendi Fevziu me ish-Kryeministrin Sali Berisha është përfolur dhe komentuar nga mediat online si një ritakim domethënës mes tyre, pas një “ftohjeje” prej disa vitesh. I ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan, Fevziu sqaroi se takimi mes tyre nuk ka patur si temë ndonjë ftesë për në emision, apo diskutimet për zhvillimet në Shqipëri.
Fevziu tregoi se në takimin me Berishën kanë diskutuar për politikat e jashtme, duke e quajtur takim kortezie, që përkoi në fakt me vizitën në Tiranë të ish-Kryeministrit të New York Rudy, Giuliani. Gjatë emisionit Fevziu sqaroi se me Berishën ka pasur ndalim komunikimi dhe nuk ka asnjë zënkë mes tyre.
”Jo s’kam biseduar fare për programin, as për probleme të ditës apo politike. Ka qenë një kafe kortezie, pothuajse e gjithë biseda ka qenë e fokusuar tek politika e jashtme. Kam folur për problemet që janë në qendër të vëmendjes kohët e fundit, siç janë raportet mes Turqisë dhe Bashkimit Europian. Nuk kam folur as për programin, as për ftesë, ka qenë një kafe kortezie shumë korrekte. Në Shqipëri është bërë zakon që çdo gjë e kthejnë në lajm dhe portalet ndjekin njëri-tjetrin. Berisha ka një ftesë të hapur për të ardhur në emision, por unë nuk kam hyrë në këto biseda. Unë nuk kam patur zënie me Berishën, por ndalim komunikimi për arsye të rrethanave të krijuara nga emisioni. Nuk më ka telefonuar më, më pas as unë nuk e kam telefonuar sepse dy-tre telefonatave të fundit nuk i është përgjigjur. Kaq ka qenë historia. Nuk kemi bërë fjalë dhe nuk jemi sharë. U takova në një kafe dhe nuk bëhet fjalë për tjetër gjë”, tha Fevziu.
Hijet e zeza të depresionit që ia vështirësuan punën dhe ia rënduan shpirtin, Sandër Prosi i mori me vete në varr, duke lënë jashtë tij vetëm shkëlqimin. Dhimbja dhe krenaria do të shoqërojë zemrën e çdo lexuesi në këtë rrëfim të sinqertë të artistit Aristidh Prosi.
Shkruan Dhurata Hamzai
“Unë do të doja të flitej për veprat individuale që ka bërë babai im. Flitet kaq shumë për vdekjen. Ai ka pasur plot role e ngjarje artistike, filmat flasin vetë dhe me këto mediat mund të bëjnë publicitet…”.Këto janë fjalët e të birit, ndërsa mbushen plot 33 vjet nga vdekja e aktori të madh Sandër Prosi.
Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, violoncelisti Aristidh Prosi, djali i Sandër Prosit rrëfen të vërtetën e vdekjes në sheshxhirim të aktorit më të madh shqiptar, të një figure të papërsëritshme e skenës dhe ekranit.
Vdekja e tij e papritur në sheshxhirim ka lënë pas shumë enigma. Është e natyrshme që çdo emër të madh ta shoqërojnë lengjendat: vdiq, u vetëvra apo e vranë.
Kjo ka qenë tema më e diskutuar që kur regjisori Muharrem Fejzo botoi një libër për aktorët shqiptarë dhe ka përshkruar atë ditë kur aktori Sandër Prosi vdiq në sheshxhirimin e filmit me regjinë e tij, duke e lënë megjithatë të dyshimtë çështjen e vdekjes së tij. Xhirohej filmi “Pranverë e hidhur”.
Muharrem Fejzo lë një hije pas vdekjes së tij kur shkruan se: “Ai aktori me shpatulla të gjera, me një ballë të lartë e rrudha fisnike, mundohej nga kaq shumë të pathëna: që nga rroga e vogël që nuk i dilte për të mbajtur dy djemtë e tij në shkollë, te frika e të qenët i përgjuar në çdo kohë.”
Ndërsa ndryshe nga regjisori Fejzo, i biri flet për alternativën e vetëvrasjes, por përjashton çdo aspekt politik.
“Varianti zyrtar është që u rrëzua nga shkallët”, rrëfen Prosi, por mund të ketë qenë edhe vetëvrasje, thotë ai pasi rrëfen periudhën e depresionit që kishte kaluar në vitet e fundit të jetës aktori i madh Sandër Prosi.
Pak është folur për këtë pjesë të vështirë të jetës së tij.
Aristidh Prosi hedh dritë në jetën e një ikone të kinematografisë shqiptare, aktorit që prej rolit u njësua me themeluesin e pavarësisë, Ismail Qemalin.
Përmes dhimbjes Aristidhi rrëfen edhe kujtime të bukura, siç është edhe pjesa që Sandër Prosi ka rruar një pjesë të flokëve mbi ballë që të ishte ballëlartë si heroi që kishte për zemër. Kujton shkëlqimin e tij në skenën e teatrit me rolin e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur të Ismail Kadaresë, të cilin me vetëm 18 ditë e realizuan edhe film falë realizmit që i bëri Sandër Prosi rolit kryesor.
Modest dhe i përmbajtur në rrëfim Aristidhi, djali i aktori të madh, rrëfen të panjohurat nga jeta dhe karriera e një shkëlqimtari në skenë, në film në mendjen dhe në zemrën e publikut shqiptar.
Hijet e zeza të depresionit që ia vështirësuan punën dhe ia rënduan shpirtin, Sandër Prosi i mori me vete në varr, duke lënë jashtë tij vetëm shkëlqimin. Dhimbja dhe krenaria do të shoqërojë zemrën e çdo lexuesi në këtë rrëfim të sinqertë të artistit Aristidh Prosi
Kanë kaluar 33 vjet nga ndarja nga jeta e babait tuaj. Një vdekje jo e zakonshme. Ndërkohë që i rikthehemi jetës dhe veprës së tij, është lënë një hije dyshimi nga regjisori i njohur Muharrem Fejzo për paqartësinë e rrethanave të vdekjes?
– Unë do të doja të flitej për veprat individuale që ka bërë babai im. Flitet kaq shumë për vdekjen. Ai ka pasur plot role e ngjarje artistike, filmat flasin vetë dhe me këto mediat mund të bëjnë publicitet…
Natyrisht, por ka shumë të panjohura nga jeta e një artisti të madh. Le ta nisim nga fillimi. Nga cila zonë e Shqipërisë është familja juaj, çfarë traditash trashëgonit në familje?
-Babai im ka qenë vlleh nga i ati. Më duket se kanë ardhur nga Voskopoja në Tiranë. Gjyshi ka qenë këpucar, zanatçi, por nuk ishte një temë që flitej shpesh në shtëpi për origjinën tonë; nga je ti, nga vjen, nga kemi ardhur. Profesioni familjar ka qenë stomatologjia, vëllai i madh i babait ishte stomatolog.
Po babai yt ishte stomatolog, sepse kështu e kam parë të shkruhet shpesh?
-Babai pati studiuar në Universitetin e Vjenës dy vjet për Mjekësi të përgjithshme dhe nuk e ka përfunduar. Nuk e di për ç’arsye, por më duket se për arsye të pagesës, sepse ishte me pagesë shkolla. Meqë kishte marrë njohur mjekësore ai ak punuar në klinikën e të vëllait si asistent. Im atë ka studiuar edhe për violinë dhe ishte shumë i talentuar. Në dy konkurse që bëheshin në atë kohë ka dalë fitues, dhe i jepej një instrument violine dhuratë. Kemi pasur në shtëpi dy violina të tijat, që ishin trofe të këtyre konkurseve dhe qëndronin varur në mur.
Ky hyri në gjimnaz aty ku është sot “Qemal Stafa”, ai luante dhe në teatër. Shumë pasione ka pasur, Ndërsa në kinema ai u kthye pas dy viteve të studimeve në Vjenë. Nuk i ka mbaruar studimet, dhe ka ardhur në Tiranë më 11 janar të vitit 1946, ditën që Shqipëria u bë Republikë. Babi erdhi nga Bari dhe sheh se në Portin e Barit kishte shumë shqiptarë nacionalistë që po largoheshin nga Shqipëria. “Po ti ku vete?”- i thanë ata. “-Në Shqipëri përgjigjet babai”.“-Po atje e kanë marrë pushtetin komunistët, ç’të duhet ty të shkosh?,-i thonë. Por babai erdhi megjithatë sepse kishte nënën këtu dhe ajo kishte shumë mall për të.
Po nëna e Sandër Prosit nga ishte?
-E ëma Aspasia ishte ortodokse nga Shkodra, dhe babai im ka lindur në Shkodër në vitin 1920. Prindërit e tij jetonin në Tiranë, por kur nëna shtatzanë me të shkoi tek prindërit, e lindi atje, duke të ketë qenë lindje e parakohshme për shkak të një udhëtimi të vështirë me kuaj siç ishte në atë kohë. Kështu që Sandër Prosi është regjistruar në Shkodër në kishën ortodokse kur lindi. Pas 6 muajsh ai ka ardhur së bashku me nënën në Tiranë. Babi nuk fliste shumë për jetën e tij.
Pasi vdiq, shumë gjëra i kam marrë vesh nga xhaxhai. Xhaxhai më tregonte se babai e kishte pasion kinemanë që fëmijë. Në vitet ‘20-‘30 kishte filma interesantë në kinema nga bota, dhe babi e kishte aq pasion sa i mblidhte koleksion negativët e filmave, por xhaxhai rrëfen se “unë u detyrova dhe ia mora e ia dogja koleksionin, se mos mbetej mbrapa me mësime nëse luante gjithë ditën me to”, dhe xhaxhai tregon se ai u bë shumë keq kur u dogjën. E vuajti shumë.
Ju kujtohet roli i parë që keni parë nga babai juaj?
-Rolin e parë nuk di ta them. Ai ka nisur punën si aktor duke bërë shkollën e skenës, nuk bëri shkollë për aktrim. Ka bërë ca kurse përgatitore që bëheshin në kuadër të shfaqjeve dhe aty zgjidheshin edhe për rolet. Por më kujtohet që shkonin shpesh teatër, jo vetëm për të parë, por edhe kur linin orën kur mbaronte shfaqja që e prisnin me mamin tek oborri i Galerisë Kombëtare.
Për çfarë vitesh bëhet fjalë?
-Ishin vitet ’60-62. Në atë kohë ai përgatitej për Otellon. Dhe ishte aq shumë i pasionuar sa studionte pjesët me orë të tëra në shtëpi, aq sa unë e kisha mësuar përmendësh të gjithë tekstin e Otellos, sepse e dëgjoja atë përditë në shtëpi.
Të pëlqente vetëm poezia apo mendoje të bëhehesh aktor?
-Unë aktor jo. S’e kam menduar kurrë. Por poezia më tërhiqte, dhe isha i vogël atëherë, futesha nën tavolinë dhe recitoja monologët e Otellos.
Babai të tha ndonjëherë që të provoje të bëheshe aktor?
-Jo s’kishte nevojë të më thoshte. Ai e dinte mirë çdo të thotë të jesh një aktor. Nuk e shihte tek unë. Pastaj aktori do një moshë madhore mbi 20 vjeç që të shihet nëse vërtetë ka vlera, ndryshe nga muzikanti që përcaktohet që i vogël. Unë u futa të studioja për violonçel.
Sa vjeç ju la babai?
-Në ’85-n, unë kam qenë 28 vjeç dhe tani kam kaluar plot 38 vjet pa të. Unë që e kisha përditë në shtëpi isha mësuar isha mësuar at shihja çdo gjë si normale. Por kujtoj se në profesionin e aktorit sidomos në atë kohë kur jetoi ai kishte shumë më shumë rëndësi. Dhe kolegët e tij e vlerësonin shumë sepse ai ishte shumë pasionant e shumë këmbëngulës. Shumë nga rolet që i mbaj mend unë i ka bërë me shumë dëshirë, sepse kujtoj disa moment dhe duhet thënë, sepse nuk është ndonjë sekret i madh, pati një periudhë depresive në vitet e fundit të jetës.
Por ai luftonte fort të përqendrohej tek roli dhe ia dilet me sukses. Dhe ai luajti personazhet të larmishme. Madje ai arriti të luante edhe fshatarin, edhe pse në fshat nuk kishte qenë kurrë. Ndoshta edhe ai formim që kishte edhe muzikë, ishte një element plus ndihmës, siç më tregojnë artistët. Ishte shumë punëtor. Shumë nga rolet që mbaj mend unë i ka bërë edhe në periudha të vështira. Mendo çfarë force e madhe i duhej të ekuilibronte mendjen dhe të realizonte personazhin.
Cilat ishin arsyet e depresionit? Ka pasur ndonjë histori përndjekjeje apo persekutimi në komunizëm?
-Jo ne në familje nuk kemi pasur persekutime, ose ndonjë problem. Por jeta kështu është askush nuk e di çdo të ndodh më vonë.
Thuhet se vdekja e tij në sheshxhirim ka lënë pas shumë enigma. Cili është mendimi juaj?
-Shiko varianti zyrtar ishte se u rrëzua nga shkallët dhe u dëmtua në kokë. Ky ishte varianti zyrtar. Natyrisht hetime pati. Mund të kishte qenë edhe vetëvrasje, por edhe të këmbëtulësh se ka qenë e tillë, kjo nuk është e mirë. Në atë kohë vetëvrasja ka qenë tabu, dhe meqë ishte një figurë e vlerësuar e lanë me variantin që u rrëzua. Unë bazat të dyshoj për vetëvrasje i kam, sepse e dija që vuante nga depresioni. Nuk jam i sigurtë nëse bëj mirë që t’i them këto gjëra kur mendoj titujt e gazetave.
Mendoni se është problem kur ju po më thoni të vërtetën e hidhur të jetës së tij?
-Sigurisht këto që po të them janë të vërteta, por kolegët e tij që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me të e dinin, sepse edhe në ‘72 –shin ai kishte bërë një tentativë vetëvrasje. U shtrua në spital duke u kuruar atje, sepse në shtyp nuk jepeshin këtë gjëra atëherë, se shihje edhe dëmtim i imazhit, dhe vetëvrasja ishte një tabu nuk gjykohej për mirë në komunizëm. Ndaj mua nuk do më pëlqente të flisja për këtë temë.
I qëndruan pranë kolegët?
Kolegët po. Kishte shumë miq, Viktor Gjikën e kishte shumë mik, kishte mik edhe Bujar Lakon, edhe pse ishte natyrë pak rebele. E megjithatë rrinte me të shpesh. Me Viktor Gjikën ka 9 filma shumë të mirë. Por ai nuk ishte natyrë që të kishte marrëdhënie të pasionuara miqësore. Kishte miqësi që i lidhte puna, korrekte, por nuk kishte miqësi shumë të ngushta. Ishte natyrë e tillë. Unë në pozicionin e të birit, e di që kohët e fundit para se të vdiste ai vuante nga depresioni i madh, të cilin nuk mund ta shpjegosh me shumë aspekte të politikës, si jo diktatura apo ndonjë gjë tjetër. Nuk mund ta justifikosh depresionin me vendin ku jeton, sepse edhe shumë aktorë apo artistë të shëuar në perëndim kanë bërë vetëvrasje dhe nuk janë pak.
Cilin film po xhironte kur vdiq?
“Pranverë e hidhur”. Roli i tij ishte i vështirë, ndaj i ishte besuar. U zëvendësua nga Rikard Larja. Njëherë u diskutua të mbahej regjistrimi i babait, por pastaj u la si ide dhe nisën xhirimet nga e para.
Sa i lidhur ishte me karrierën tënde si violonçelist, kur është emocionuar për herë të parë nga ju, nëse keni pasur ndonjë koncert?
-Në periudhën kur ai ishte gjallë unë nuk kam pasur koncerte të veçanta, as në diplomë nuk ka qenë, sepse ka qenë më xhirime. Tani unë i shoh ndryshe lidhjet e me të. Sa më shumë kalon koha mendoj ndryshe. Imazhi i tij largohet si puna e ylberit që sa më larg të jesh aq më mirë ja sheh madhështinë.
Ikte shpesh me xhirime, mungonte gjatë në shtëpi?
-E vërteta është se ai ka qenë me një kast aktorësh shumë të mirë, dhe vetë atë çdo regjisor donte ta kishte në filmin e tij, por ai u tregua inteligjent edhe për karrierën, edhe për të ruajtur staturën që kishte edhe bënte seleksionime dhe nuk është se merrte çdo rol, sepse ai ishte dhe aktor në teatër, dhe krahas një premiere në teatër, bënte një film. Kjo sigurisht ndikonte.
Nëna çfarë profesioni ka pasur. Sa fëmijë jeni?
-Ekonomiste. Vitet e fundit ka punuar edhe në maternitet. Jemi dy djem unë dhe vëllai që është violinist në Teatrin e Operës.
Cili ka qenë një nga rolet e babait tuaj Sandër Prosit të cilin ju e adhuroni jo si djali i tij, por si shikues?
-Rolet e tij kur i shoh më krijojnë distancë nga ideja se ai është babai im. Dhe më duken shumë të veçantë. Ai më befason se si ka pasur mundësi që si rrallë aktorë të tjerë shqiptarë të vinte me role kaq të pasura e me figura kryesore. Kujtoj që kur bëri rolin e Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur, një personazh të adoptuar nga Ismail Kadareja me regjisorin Vladimir Prifti në film, më parë këtë rol e luajti me një sukses të madh në teatër me regjisorin Pirro Mani dhe meqë roli ishte i përgatitur falë tij, u xhirua film në një kohë record për 18 ditë.
Rreth viteve ‘70, ishin tre kandidatura për këtë rol së bashku me Sandër Prosin: Kadri Roshi e Sulejman Pitarka dhe ata ishin aktorë të mëdhenj. Dhe vendosën që këtë rol ta bëjë Sandri. Dhe Sandri ka bërë një punë të madhe për këtë rol, ku ka krijuar një figurë mbresëlënëse, në një film ku ishin tre figura qendrore si Ndrek Luca dhe Bujar Lako. Në këtë kohë Gjenerali mori shumë famë, ku u bë edhe një variant francez me Mishel Pikolinë.
Sa herë kujtohet pavarësia, ilustrohet me filmin ku luan babai juaj në vend të Ismail Qemalit. Duhet të jetë një ndjenjë krenarie për ju?
-Më kujtohet se kur do të luante Ismail Qemalin ai ka rrojtur një pjesë të flokëve për të dal balli i lartë si i tij. Aspekti fizik ishte shumë i rëndësishëm për një figurë historike kaq madhore dhe u mundua që Sandër Prosi të bënte një figurë sa më të afërt me origjinalin.
Kush ishte Sandër Prosi
Sandër Prosi u lind në Shkodër, më 6 janar 1920. Ai ka krijuar mbi 85 role në skenë dhe interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë.
Mënyra e interpretimit të Sandër Prosit ka tërhequr vëmendjen e kritikëve, si një model i rrallë për shkollën e aktrimit.
Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit” me Çmime të Republikës, me urdhëra e medalje.
Gazetari Marin Mema i ftuar në “360 Gradë” në Ora News, thotë se me palën greke duhet të diskutuar edhe çështja arvanitase.
Mema: Mendoj se në këtë situatë takimet me palën greke janë të nevojshme. Unë mendoj që kryeministri duhet të bëjë lëvizje sipas interesave të vendit të tij. Shqipëria është një vend që i ka dyert e hapura për këdo.
Unë besoj që ka një vend në botë që mirëpret dhe mbështet siç mbështet Shqipëria minoritetin.
Ndërkohë që flasim për këtë bashkëjetesë me minoritetin grek, minoriteti shqiptar në Greqi nuk ekziston.
Ne duhet të pranojmë të vërtetat e historisë ashtu siç janë. Çështja arvanitase është një histori e gjatë që kulmon në 1891ku 90 nga 100 heronj ishin arvanitas, që sot e gjithë ditën flisnin shqip.
Ditët e fundit opinioni publik është përfshirë në një debat nëse duhet të zhvillohen fushata ndërgjegjësimi mbi orientimin seksual në shkolla apo jo.
Debati dhe revoltat kanë ardhur pas takimeve që përfaqësues të LGBTI-së kanë zhvilluar me gjimnazistë të Tiranës.
Në debat kanë hyrë emra të njohur artistësh, politikanësh, figura të ndryshme publike, përfaqësues të shoqërisë civile. Të ndarë në dy krahë, debati i ka përfshirë të gjithë.
Edhe pse më pasiv në ekrane, po ashtu qytetarët e thjeshtë, janë pjesë e diskutimit.
Tirana Today pyeti kryeqytetasit se cili është qëndrimi i tyre dhe çfarë do të bënin nëse fëmija i tyre do të ishte gay apo lesbike.
Komentet janë të ndryshme, ndërsa ka nga ata që e pranojnë me qetësi duke thënë se rëndësi kanë ndjenjat, por ka edhe të tjerë që e konsiderojnë si ‘sëmundje’.