Shkodra, që gjithnjë ka qenë një nga qytetet më arsimdashëse dhe të shquara për kulturën qytetare e artin, ka pasur shkolla që në shekullin XIII. Dëshmitë e ekzistencës së këtyre shkollave na vijnë nga arkivat e françeskanëve.
Sipas studiuesit Sami Rrepishti, shkollat e para në gjuhën shqipe janë hapur në veri të Shqipërisë nga klerikët katolikë.
Dhe pikërisht në Ulqin në vitin 1258, në Durrës në vitin 1278, në Shkodër në vitin 1345 dhe 1359, në Tivar në vitin 1349, në Pult në vitin 1397, në Drisht 1396 dhe nga shekulli XV deri në shek. XVIII me shkolla të tjera në Shkodër e Lezhë e në shumë qytete të tjera.
Sipas profesorit, kishat katolike shqiptare me françeskanët në vijën e parë i zhvillonin të gjitha ritet në gjuhën tonë, ndaj dhe populli i frekuentonte të gjitha kishat e kuvendet e tyre me dëshirë, duke marrë pjesë masivisht në mesha, katekizëm, krezma, celebrimin e martesave, etj.
Sipas të dhënave që jep profesori Lutfi Alia, shkollat që janë ngritur në Shkodër në vitin 1416 ishin: shkolla “Santa Barbara, shkolla “Sam Mercurio”, “Kryqi i shenjtë” etj.
Shkolla të tilla do të hapeshin më pas dhe në Kurbin, në Pllanë, në Blinisht dhe në Zadrimë.
Në raportet e etërve françeskanë të kohës theksohet roli i madh që kisha katolike i kushton shkollës dhe nevojës së shkollimit të shqiptarëve.
Sigurisht që në këto shkolla kryesisht shkonin djem, por kisha katolike do i kushtonte një vëmendje të veçantë dhe vajzave, duke hapur në vitin 1879 shkollën fillore për vajzat dhe përkatësisht nga motrat stigmatine, ku u edukuan vajzat me kulturën bazë dhe mësoheshin si të bëheshin zonja të mira shtëpie.
Në vitin 1882 françeskanët çelën një kolegj fetar që do shërbente për të gjithë ata nxënës shqiptarë që dëshironin të bëheshin fretër. Mësimet u rregulluan sipas programit të gjimnazit të Austrisë.
Shkollat do të hapen vit pas vitit duke arritur në vitin 1908, kur do të mbahet Kongresi i madh i Manastirit.
Pyetja që është e natyrshme ishte: nga mbaheshin këto shkolla. Sipas profesorit, ato kryesisht financoheshin nga Austro-Hungaria. Dhe në fakt ka të drejtë. Austro-Hungaria ka pasur prej shekujsh një interes të veçantë për Shqipërinë, duke investuar në shkolla, në studimin e gjuhës shqipe, etj.
Pra nga statistikat që disponojnë françeskanët deri në vitin 1911 katolikët kanë hapur 47 shkolla shqipe, ndër to 10 shkolla për vajza. Në vitin 1933, me urdhër të Zogut, u mbyllën 74% e shkollave fetare katolike dhe në 1945 ato u mbyllën plotësisht nga diktatura komuniste.
Faik Konica, në shkrimet e tij, do të lëvdonte punën e madhe të shkollave fetare katolike. Ai do të shkruante: ”Kolegji saverian mbahet në një shkallë të lartë dhe të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Evropës mund të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për punë dhe krahasohet një me të”.
Dhe pikërisht për këto shkolla kanë dhënë kontribut të veçantë klerikët katolikë, si At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, At Justin Rrota, Don Ndoc Nikaj, Karl Gurakuqi, Mati Logoreci etj./konica.al
Plot 65 vite të shkuara si sot u dha vendimi për Gjyqin e famshëm që Qeveria Komuniste bëri kundër grupit të dërguar nga amerikanët nën pseudonimin “Apple” apo i njohur si Grupi i Hamit Matjanit.
Në fakt me deklasifikimin e arkivave amerikane mund të themi se Matjani ishte një pjesëtar jo shumë i rëndësishëm në këtë operacion dhe drejtuesit e vërtetë ishin oficerët e Zogut, Zenel Shehu dhe me vonë Halil Branica, të dërguar nga ai personalisht për drejtimin e një rebelimi antikomunist.
Ky grup i rekrutuar nga radhët e njerëzve më të besuar të Zogut, i cili qëndronte në Egjipt dhe kishte filluar një bashkëpunim me operacionet klandestine të amerikanëve për një “kundër revolucion të mundshëm në Shqipëri” u trajnua dhe u përgatit në fshehtësi të madhe nga amerikanët në stacionin e tyre në Kifisia, Athinë.
Për vite me radhë një operacion shumë sekret, por mjaft i përfolur në qarqet profesioniste të inteligjencës vuri përballë njeri-tjetrit dy fuqitë më të rëndësishme të spiunazhit botëror.
Amerikanët e CIA-s dhe KGB sovjetike, e cila ishte këshilltari i fshehtë i Sigurimit.
Por duket se ishte Kundërzbulimi shqiptar, i cili me një profesionalizëm të dukshëm udhëhoqi një operacion kundër CIA-s amerikane duke shkaktuar kthesën e rëndësishme në vazhdimësinë e këtyre operacioneve. Ashtu si në një loje shahu ku kundërshtarët planifikojnë lëvizjet e ardhshme, ky Operacion mbajti të mbërthyer në këtë lojë nervash të gjithë oficerët e angazhuar në të për gati 16 muaj nga dita kur grupi i Zenel Shehut u tradhtua nga njerëzit e tij dhe u kap nga grupi special i Sigurimit.
Tashmë me deklasifikimin e arkivave amerikane dëshmi shumë interesante dalin mbi këtë operacion jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili për nga mënyra e ekzekutimit dhe profesionalizmi i treguar nga oficerët shqiptarë të kundërzbulimit kanë marrë vlerësimin në heshtje nga kundërshtarët e tyre, amerikanët. Operacioni ‘Apple Team” ishte kthesa e rëndësishme e përfshirjes amerikane në operacionet klandestine shqiptare, pasi grupi i përbërë nga agjentë të kalibrit të lartë, të pa përfshirë në bashkëpunim me italianët apo gjermanët gjatë Luftës dhe me mbështetje amerikane konsiderohej si mundësia më e madhe për krijimin e trazirave në Veriun shqiptar me shpresën e një rebelimi dhe rrëzimin e qeverisë Hoxha. Nëse ky operacion do të ishte i suksesshëm do të kishim modelin e parë të rrëzimit të një qeverie komuniste nëpërmjet operacioneve klandestine. Për këtë arsye duket se edhe sovjetikët mobilizuan personel të rëndësishëm për të këshilluar shqiptaret në infiltrimin e këtij operacioni.
Nga arkivat del se Gjenerali sovjetik, Dmitri Kurbatov ishte këshilltari i parë në këtë operacion dhe duket se kanë marrë pjesë aktive në Radiolojën e njohur si “Liqeni i Vajkalit”.
Ndërkohë Grupi Apple i drejtuar nga nën Koloneli George Mason, më vonë shefi i stacionit te CIA-s në Holandë dhe në Uashington, nga Koloneli Yasetvich për 16 muaj me radhë furnizoi nga ajri grupin e kontrolluar nga Sigurimi shqiptar i cili eliminoi çdo rrjet rezistence në Veri si dhe mundi të kapte gjallë Hamit Matjanin, një personazh tejet i famshëm për rezistencën e tij anti-komuniste.
Hamit Matjani majtas
65-vjet më vonë historia duhet ta kujtojë këtë përpjekje të rëndësishme të kampeve opozitare ideologjike por me pasoja për historinë e Shqipërisë. Grupi Apple duhej kujtuar si një grup njerëzish idealistë, besnikë të traditës së ndjekjes së prijësit por fatkeqë, të cilët të larguar prej kohësh nga Shqipëria nuk e kuptonin ndryshimin e madh që i kishte ndodhur shoqërisë shqiptare. Të futur në lojë nga Zogu me besimin e verbër tek prijësi, ata u angazhuan në këtë Operacion të rrezikshëm, por sipas dokumenteve, me t’u kapur nga Sigurimi bashkëpunuan me të ndoshta të zhgënjyer nga fati i keq. Tahir Preçi, radisti i grupit një antikomunist i vendosur, i cili me besnikëri i qëndroi detyrës duke u përpjekur të njoftojë amerikanët për radiolojën dhe si përfundim humbi jetën.
Amerikanët që drejtuan operacionin, që me pa mundësinë profesionale që treguan morën në qafë të tjerë njerëz të cilët u hodhën me parashutë apo u infiltruan me kërkesën e Sigurimit.
George Mason i cili pagëzoi edhe grupin me emrin e koduar “Apple”, i cili u nda nga jeta vetëm disa vite më parë, në shënimet e tij pranon dështimin e madh të operacionit që drejtonte. Aq të zemëruar ishin amerikanët me këtë dështim saqë në dokumentit e deklasifikuara shikohenqartë edhe tentativat për të eliminuar fizikisht çdo kënd që mund të kishte dekonspiruar këtë operacion.
Zenel Shehu, i cili bashkëpunoi me Sigurimin, u pushkatua pa asnjë mëdyshje së bashku me shokët e tij duke dërguar një mesazh të qartë të egërsisë së regjimit për këdo që i kërcënonte pushtetin. Zogu vdiq në mërgim i survejuar nga Sigurimi i Shtetit.
Majtas Peter Mangelli, shqiptaro amerikani Komandant i Kompanisë 4000 një kompani e krijuar nga CIA për Operacione Klandestine në Shqipëri.
Ndërkohë nga Grupi Special dy drejtuesit kryesorë të Radiolojës, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, vite mëvonë u pushkatuan edhe si agjentë amerikanë. Anëtarët e tjerë te grupit special të Sigurimit dikush vdiq në vetmi i zhgënjyer thellësisht nga regjimi për të cilin kishin kontribuar aq shume. Një nga Oficerët e rinj të këtij grupi, Pilo Shanto, i cili botoi edhe një libërth shumë interesant për Operacionin e kaloi pensionin në qetësi të plotë në rrethinat e Uashingtonit, jo shumë larg selisë së CIA-s, betejat me të cilën ai i kishte kushtuar pjesën më të madhe të jetës.
Deri me sot nuk ka asnjë dëshmi mbi fatin e Gjeneralit sovjetik Dmitri Kurbatov. Ndoshta arkivat ruse mund të sjellin më shumë dritë mbi rolin sovjetik në këtë ngjarje.
Operacioni Apple Team apo Liqeni i Vajkalit është një dëshmi historike shumë interesante e betejës politike të pasluftës që duhet njohur dhe studiuar më shumë për të kuptuar më qartë dinamikën e asaj kohe. Jo në llogore ideologjike, por si një dëshmi e rëndësishme historike e pjesëmarrjes së Shqipërisë në majat më të larta të operacioneve klandestine dhe rëndësisë që Shqipëria kishte në atë kohë për politiken globale.
Dorëshkrimi latinisht me “Formulën e Pagëzimit” u gjet më 8 nëntor në bibliotekën “Laurenziana”, të Firences nga historiani rumun Nikolla Jorga dhe u botua prej tij me 1915.
Njihet si dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip, që njohim deri sot.
Ajo është një fjali e shkurtër shqip (Unte’paghesont premenit Atit et birit et spertit senit) në mes të një shkrimi latinisht, një letër qarkore e kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, bashkëpunëtorit të ngushtë të Skënderbeut.
Është një formulë që duhej të përdornin familjet për të pagëzuar fëmijët e tyre të porsalindur, kur nuk mund t’i çonin në kishë. Formula është shkruar në dialektin e Veriut dhe me alfabet latin, i afërt me atë që ka përdorur Buzuku në veprën e tij.
Me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, në vitin 2008, Muzeu Historik Kombëtar botoi librin me titull “Formula e Pagëzimit”. Në këtë libër u përfshinë kumtesat kushtuar dokumentit të parë të shkruar në gjuhën shqipe.
Kjë është dëshmia e 86 vjeçarit Lek Pervizi me banim në Belgjikë, i cili bashkë me familjet e vëllezërve të tij qëndruan në kampe dhe internime nga viti 1945 deri në 1991-in.
Nga: Dashnor KALOÇI
Në fundin e vitit 1948 apo fillimin e vitit 1949 kur Shqipëria i prishi marrdhëniet me Jugosllavinë e Titos, pothuaj në të gjithë veriun e vëndit filluan arratisjet në masë. Si rezultat i kësaj situate dhe për ta frenuar sadopak fluksin e madh të personave që arratiseshin jashtë vëndit, qeveria komuniste e Tiranës e rriti menjëherë represionin dhe në atë kohë filluan internimet në masë.
Si rezultat i atij represioni, kampi i Beratit dhe ai i Kuçovës që sapo ishte hapur u mbushën plot me të internuar. Nisur nga numri i madh i të internuarve që u grumbulluan në ato dy kampe, qeveria komuniste u detyrua dhe hapi kampet e Turhanit dhe të Memalijat në rrethin e Tepelenës. Në ato dy kampe ku jetonin rreth 6000 të internuar në kufijtë e mizerjes, që në ditët e para plasën epidemi të ndryshme dhe në gushtin e vitit 1949 në kampin e Turhanit brenda një nate vdiqën 33 fëmijë nga sëmundja e dizanterisë”.
Njeriu që flet dhe dëshmon mbi kalvarin e gjatë të vuajtjeve të qindra familjeve shqiptare nëpër kampet e ndryshme të internimeve, të cilat regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte shpallur “familje reaksionare”, është 86-vjeçari Lek Përvizi me origjinë nga Skuraj i Kurbinit, që bashkë me familjen e tij ka vuajtur nëpër kampet e ndryshme nga viti 1945 e deri në vitin 1990-të. Ndonëse që nga viti 1991, Lek Përvizi është vendosur me banim në Bruksel të Belgjikës, ai nuk i harron lehtë vuajtjet që ka kaluar nëpër ato kampe dhe ka dëshirë të flasë jo vetëm për dramën tragjike të familjes së tij, por për ato dhjetra e dhjetra familje të tjera që patën të njëjtin “fat” me të.
Lidhur me këtë periudhë kohe, pas viteve ’90-të Leka ka shkruar disa libra si dhe është botues i revistës “Kuq e Zi” që e nxjerr pa ndërprerje prej 20 vjetësh në mërgim në Bruksel. Gjithashtu Leka është i vetmi ish-i dënuar në kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili ka pikturuar mjaft skica nga kampi i Tepelenës dhe bashkëvuajtës të tij, duke i ruajtur ato me shumë sakrifica në vëndet e ndryshme të internimit ku ai ka qenë familjarisht deri në vitin 1991 dhe duke na i sjellë ato si një dëshmi e gjallë dhe e pakontestueshme e një prej periudhave më të errta të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Po kush ishin ato familje të mëdha që regjimi komunist i Enver Hoxhës i shpalli “Familje armiqsh e reaksionarë” dhe kur filloi kalvari i gjatë i vuajtjeve të tyre? Cili ishte kampi i parë i të internuarëve që regjimi komunist hapi në Shqipëri dhe cilat ishin familjet e para që u dërguan për të vuajtur dënimin aty? Kush ishin kampet e tjera që u hapën më pas dhe si u trajtuan të internuarit në ato kampe? Lidhur me këto dhe ngjarje të tjera nga kampet e internimit bën fjalë ky shkrim që është bazuar mbi dëshmitë e Lek Pervizit.
(Bashkangjitur këtij shkrimi po publikojmë dhe disa foto të rralla të internuarve në kampet e ndryshme të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku Lek Pervizi apo familjarë të tij kanë dalë me bashkëvuajtës të tjerë, nga familjet: Kupi, Gjonmarkaj, Bajraktari, Staravecka, Kola, Marashi, Dosti, Çelo, Dine, Dema, Koliqi, Trashani, etj etj.) Maj 1945, internimet e para të familjeve “reaksionare”
Ndonëse komunistët që erdhën në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, arrestimet ndaj kundërshtarëve të tyre politikë i kishin filluar që nga vera e atij viti, internimet e para të atyre familjeve që ata i shpallën “reaksionare”, filluan vetëm në majin e vitit 1945. Të arrestuarit e parë që ishin kapur pak kohë para mbarimit të luftës, të cilët komunistët i konsideronin armiq, u grumbulluan në një nga kazeramt e italianëve që ndodhej diku në malin e Dajtit dhe aty u mbajtën të izoluar deri nga janari i vitit 1945.
Në atë kohë ata i zbritën në qytetin e Tiranës dhe i izoluan kryesisht në Burgun e Ri dhe në Burgun e Vjetër. Ky ishte dhe kontigjenti i parë i të burgosurve politikë të Shqipërisë, ndërsa disa muaj më pas, në majin e vitit 1945, qeveria komuniste e Tiranës filloi dhe internimet masive ku “streha” e parë e atyre familjeve ishte qyteti i Beratit.
Lidhur me këtë, Lek Përvizi, dëshmon: “Deri aty nga maji i vitit 1945, shumë nga familjet e mëdha që ishin shpallur rekasionare, si Gjomarkajt, Mëlyshajt e Bajraktarët e Mirditës, Kaloshët, Dinet, e Demët e Dibrës, Bajraktarët e Kukësit, Sokolët dhe Marashët e Shkodrës, Përvizët dhe Lalat e Kurbinit, ishin mbajtur të izoluar në Degët e Brendshme të rretheve të tyre. Në muajin maj të atij viti këto familje dhe shumë të tjera të cilat ishin njohur si familje zogiste, pa asnjë lloj vendimi gjyqësor u internuan të gjitha në qytetin e Beratit, i cili u bë qëndra dhe “streha” e parë e të gjitha familjeve “reaksionare” kryesisht të Veriut të Shqipërisë.
Ndërsa në atë kohë qyteti i Beratit u “popullua” nga këto familje “reaksionare”, të Veriut të Shqipërisë, qyteti i Krujës u bë “streha” e shumë familjeve të tjera të Jugut të Shqipërisë. Familjet që u internuan në atë kohë në qytetin e Krujës, ishin kryesisht nga qyteti i Korçës por kishte dhe nga Gjirokastra, Saranda dhe nga zona e Dropullit të minoritetit grek. Nga ato familje që u internuan në atë kohë në qytetin e Krujës, më kujtohen: Kokali nga Saranda dhe Kullajt nga Zëmbëlaku. Të gjitha ato familje që u internuan në qytetet e Krujës dhe të Beratit, më parë u ishin konfiskuar të gjitha pasuritë e tundëshme dhe të patundshme dhe ato kishin dalë nga shtëpitë e tyre vetëm me rrobat e trupit.
Po kështu kishte dhe shumë familje që pasi ishin arrestuar dhe ishin sjellë në internim, komunistët u kishin djegur shtëpitë. Nga ato familje që iu dogjën shtëpitë ndër të tjera ishin: Gjomarkajt e Mirditës, Marashët e Shkodrës, Dinet e Demat e Dibrës, Kolat e Matit etj”, kujton 86-vjeçari Lek Përvizi, lidhur me periudhën kur regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi internimet e para të atyre familjeve që i shpalli “armike dhe reaksionare”.
Si u trajtuan familjet “reaksionare” në Berat e Kuçovë
Po si u trajtuan ato familje që regjimi komunist i dërgoi me dhunë për të vuajtur dënimin si të internuar në qytetin e Beratit? Lidhur me këtë, Lek Përvizi dëshmon: “Familjet e para që u dërguan në internim në qytetin e Beratit, ishin: Gjomarkajt, Mëlyshët, Bajraktarët, Përvizët, Lleshmarashët, Sokolët, Dinet, Demat, Kolat, Dodgjinët etj. Ato familje u vendosën kryesisht në lagjen “Kala”, por më pas ato u vendosën
edhe në lagjet e tjera të qytetit si “Mangalem”, “Murat-Çelepias” etj. Atyre familjeve fillimisht u jepej vetëm 500 gram bukë misri në ditë dhe ato ishin të detyruara që ta paguanin vetë qeranë e shtëpisë ku banonin. Shumë prej atyre familjeve që ishin të internuara në Berat, edhe pse banonin nëpër barake apo kasolle të improvizuara, e paguanin njëlloj qeranë e banesës si ato që ishin në gjëndje disi më të mirë. Të gjithë personat e familjeve të internuara në qytetin e Beratit, nuk kishin të drejtë të largoheshin nga qyteti dhe tre herë në ditë të gjithë: me gra, burra, fëmijë dhe pleq, paraqiteshin tre herë në ditë në apel pranë Degës së Brendshme.
Që në ditët e para që ato familje u dërguan aty, pra në majin e vitit 1945, regjimi komunist u mundua për t’i poshtëruar ata duke përdorur të gjitha mënyrat. Një nga ato mënyra që u përdorën për t’i poshtëruar ato familje, ishte hapja e kanaleve të ujrave të zeza në mes të qytetit. Më pas të internuarit u dërguan për të punuar edhe në punë të ndryshme në bujqësi dhe sidomos në luftën kundër karkalecit në fushat e mbjella. Në atë kohë shumë nga familjet që nuk mund ta mbanin dot frymën gjallë me 500 gram bukë në ditë, detyroheshin dhe shkonin në mal për të bërë dru, që t’i shisnin ato në qytet për të fituar ndonjë lek për bukën e gojës.
Përveç vuajtjeve fizike dhe urisë, në atë kohë shumë familje të internuara provuan mbi kurrizin e tyre dhe strese të shumta nga epshet e oficerëve të Sigurimit që kërkonin të shtinin në dorë vajzat e reja. Nga që asnjë prej atyre vajzave nuk ra “preh” e tyre, oficerët e Sigurimit u detyruan dhe i burgosën shumë nga ato vajza të reja. Ndonëse propaganda komuniste në atë kohë përdorte të gjitha mënyrat për t’i poshtëruar familjet tona që ishim të internuar atje, populli i Beratit u tregua tepër fisnik dhe mundohej me të gjitha mundësitë që kishte për të na i lehtësuar sadopak dhimbjet. Shumë familje beratase në atë kohë u dërgonin familjeve të internuara, ushqime dhe rroba e batanie për të fjetur. Po kështu dhe brenda për brenda familjeve të internuara në atë kohë kishte një solidaritet shumë të madh.
Shumë prej familjeve që kishin ndonjë të ardhur apo krah pune më shumë, u gjendeshin dhe u jepnin gjithmonë atyre familjeve që nuk kishin krah pune për të punuar. Në atë kohë në familjet e internuara nuk kishte shumë arrestime dhe kur ndonjë i arratisur vritej, familjen e tij e lironin nga internimi dhe e kthenin andej nga kishte ardhur. Kështu ndodhi me familjen e Llesh Marashit që u ekzekutua në atë kohë në Shkodër. Por ajo gjë nuk ndodhte gjithmonë, sepse kishte raste si ai i familjes Gjonmarkaj, që ndonëse u vranë shumë prej tyre, ata nuk i liruan asnjëherë nga internimi. Nga fundi i vitit 1947 nga Berati shumë familje u dërguan në Kuçovë ku filloi ndërtimi i fushës së aviacionit.
Ato familje u vendosën në kazermat e italianëve dhe për të ngrënë u jepej vetëm bukë thatë pa gjellë. Pas Kuçovës shumë nga ato familje u sollën në Valias të Tiranës për të punuar në bujqësi, siç ishin Gjomarkajt, Demët etj”, kujton Lek Përvizi lidhur me trajtimin e familjeve të internuara në qytetin e Beratit e Kuçovës.
Vdekja e 33 fëmijve në kampin e Turhanit
Pas qytetit të Beratit, regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi t’i dërgonte të internuarit edhe nëpër qytete të tjera. Lidhur me këtë, Lek Përvizi dëshmon: “Aty nga fundi i vitit 1948 apo fillimi i vitit 1949, kur Shqipëria i prishi marrdhëniet me Jugosllavinë, në Veriun e vëndit filluan arratisjet në masë. Për ta frenuar sadopak atë fluks arratisjesh, regjimi komunist në atë kohë rriti represionin dhe filloi internimet masive. Nga që Kuçova dhe Berati në atë kohë u mbushën plot me familje të internuara, për të mos rënë në sy, regjimi komunist u detyrua dhe hapi dy kampe të tjera në Turhan dhe Memalija të Tepelenës.
Në ato dy kampe që u mbushën vetëm me familje të internuara të Veriut të Shqipërisë, kushtet e banimit ishin në kufijtë e mizerjes dhe të internuarit jetonin në kondita primitive. Atyre u jepej vetëm 500 gram bukë misri thatë e asgjë tjetër. Në atë kohë që u vra Bardhok Biba, numri i të internuarëve në dy kampet e Tepelenës, arriti në 6000 vetë. Nga mungesa e madhe e higjenës, aty plasën epidemitë e sëmundjeve të ndryshme dhe njerzit vdisnin në masë. Mesatarja e vdekjeve nga ato epidemi, ishte shtatë veta në ditë. Katastrofa më e madhe ndodhi në gushtin e vitit 1949 kur në kampin e Turhanit vdiqën 33 fëmijë brenda një nate dhe për këtë gjë është dëshmitar, Abdurrahman Kaloshi, i cili mund të tregojë më shumë.
Të gjitha ata fëmijë vdiqën nga epidemia e dizanterisë sepse nuk kishte asnjëlloj ndihme mjeksore dhe buka e misrit ishte e mykur. Tmerrit të vdekjeve të asaj nate, iu shtua edhe më shumë ankthi sepse nuk premtonte koha për të hapurr varret për të gjithë ata foshnje. Një gruaje nga Vermoshi i Dukagjinit që quhej Cukalina, i vdiqën dy fëmijet binjakë, njëri në mëngjez dhe tjetri në darkë. Nga që ata ishin dhe mashkujt e vetëm të fisit, nëna e tyre vrau veten të nesërmen me gjithë motrën e saj. Kjo tragjedi e madhe shkaktoi bujë të madhe tek mjekët e Gjirokastrës dhe Tepelenës, të cilët patën kurajon dhe e bënë problem në Tiranë atë gjë.
Qeveria komuniste e Enver Hoxhë u detyrua dhe dërgoi aty një grup oficerësh për të parë gjëndjen dhe pas atij inspektimi u vendos mbyllja e kampit të Turhanit dhe atij të Memaliajt. Të gjithë të internuarit e atyre dy kampeve, u dërguan në kampin e Tepelenës ku kushtet ishin disi më ndryshe se aty, sepse u vendosën në kazermat e italianëve ku kishte dhe ujë për të pirë. Por edhe në atë kamp ku të internuarëve u jepej vetëm 650 gram bukë gruri me pak supe me krimba që ishte vetëm ujë, vazhduan përsëri vdekjet. Edhe në aty të internuarit nuk i shpëtuan dot të ftohtit dhe urisë.
Ata dërgoheshin të punonin në pyll për dru, pleh, dhe për të mbajtur shtylla për ndërtim. Nga fundi i vitit 1949 shumë të internuar u dërguan në kampin e Porto-Palermos që sapo u hap në atë kohë. Në atë kamp ata u vendosën në Kala dhe shumë prej të internuarëve edhe sot e kësaj dite janë të verbuar nga errësira që ishte atje”, kujton Lek Përvizi, lidhur me tragjedinë e kampit të Turhanit ku në gushtin e vitit 1949, vdiqën 33 fëmijë nga kushtet e këqia të jetesës.
Nga Tepelena në Myzeqe
Familjet e internuara në kampin e Tepelenës, qëndruan aty deri në vitin 1953, sepse në atë kohë shumë prej forcave të afta për punë u dërguan për të punuar në rrethe të ndryshme për ndërtimin e disa godinave të Degëve të Brendshme. Lidhur me fatin e mëtejshëm të familjeve të internuara, Lek Përvizi, dëshmon: “Aty nga viti 1954 kampi i Tepelenës u mbyll dhe të gjithë familjet që ishin aty i mblodhën dhe i sollën në disa kampe që u hapën në fushat e Myzeqesë, si në sektorët e Grabjanit, Çermës, Gradishtës, Dushkut, Plugut, Savërs, Xhazës etj.
Po në vitin 1954 një pjesë të internuarve u dërguan në kampin e Kuçit të Kurveleshit që sapo u hap në atë kohë. Vetëm ndër 100 të internuar që u dërguan përnjëherë aty, 60 prej tyre kishin mbaruar universitetet e Perëndimit, si Dom Mikel Koloqi, Ali Erebara, Ibrahim Sokoli, Nedim Kokona, Sami Kokalari etj. Kampi i Kuçit të Kurveleshit u mbyll në vitin 1958 dhe të internuarit që ishin aty u sollën përsëri në kampet e Myzeqesë. Në ato kampe, bashke me dhjetra familje si Dostët, Gjomarkajt, Çelët, Hoxhat, Bajraktarët, Dinet, Demët, Ndretë, etj, ne qëndruam deri në vitin 1990-të kur u shkri Komisjoni i Internim-dëbimeve.
Një pjesë e të internuarëve qëndroi aty edhe për disa vjet të tjera pas 1990-ës, por për hir të së vërtetës dua të them se në ato kampe ka akoma disa nga familjet e internuara që nuk kanë se ku të gjejnë strehë tjetër”, e përfundon rrëfimin e tij 86-vjeçari Lek Përvizi, mbi fatin tragjik të shumë familjeve fisnike që regjimi komunist i shpalli “reaksionare” dhe i degdisi për 45-vjet me rradhë në kampet e internimmit që ishin hapur anekënd Shqipërisë./Tema
Në mjediset e Muzeut të Pavarësisë Kombëtare në qytetin e Vlorës, ndodhet një tablo e piktorit të njohur kroat, Pajo Jovanovic. Ajo emërtohet “Vallja e shpatave” dhe sipas piktorit Hilmi Bani, është një kompozim mjaft i veçantë.
Autori i saj Pajo Jovanoviç (1850-1930), punimet e të cilit janë ekspozuar në mjaft sallone në vende të ndryshme të Evropës, ka punuar për një periudhë të konsiderueshme edhe në Shqipëri dhe ishte mik i Kolë Idromenos.
Në këtë tablo paraqiten një grup valltarësh, të veshur me kostume popullore, nga treva të ndryshme, jo vetëm shqiptare. Në qendër, një burrë i veshur me kostumin popullor të krahinës së Labërisë, i cili ndiqet në interpretimin e tij nga një numër valltarësh e valltaresh, që gjithashtu bëhen gati të kërcejnë. Në kostumet, që përvijohen në këtë kompozim, përfshihen edhe ato të veriut të Shqipërisë, por dhe të trevave jashtë vendit.
Piktura, perceptim i piktorit kroat për Shqipërinë
Piktori vlonjat Hilmi Bani thotë se në këtë punim të tij, Jovanoviç kërkon të transmetojë perceptimet e tij të udhëtimit në vende të ndryshme të Ballkanit. “Është një perceptim i realizuar në mënyrë artistike dhe, ndoshta asgjë më tepër”, thotë Bani. Sfondi i saj, një mjedis fshati, është gjithashtu i papërcaktuar, gjë që e bën edhe më të vështirë interpretimin e brendisë së këtij kompozimi.
Në fakt, kjo është një nga dy punimet me të njëjtën temë të piktorit kroat Jovanovic. Në variantin e parë të kompozimit, “Vallja e shpatave”, të gjithë protagonistët janë në gjendje statike. Ky variant, sipas Banit, ndodhet në një Muze të arteve të bukura në Vjenë. Ndërkohë, po sipas tij, mendohet që punimi që është ekspozuar në mjediset e Muzeut të Pavarësisë në Vlorë të jetë realizuar më vonë.
Piktura, pronë e Eqerem Bej Vlorës
Por, ajo që e bën të veçantë tablonë që ndodhet në Muzeun e Pavarësisë në qytetin e Vlorës është historia e saj. “Vallja e shpatave”, e piktorit Pajo Jovanovic, ka ardhur në qytetin e Vlorës në fund të viteve ’20-të apo fillimin e viteve ’30-të të shekullit të kaluar. Ajo është blerë nga një emër i njohur i parisë së asaj kohe të Vlorës, Eqerem Bej Vlora. Mendohet se Vlora e kishte porositur tablonë në Francë, ku jetonte në atë kohë Jovanoviç. Këtu nis edhe interpretimi mbi origjinalitetin e veprës, e cila, gjithsesi duhet t’i ketë kushtuar shumë pinjollit të familjes së njohur të Vlorës, që mendohet se ka paguar mjaft për ta sjellë nga Franca.
Piktura u ekspozua në një vend të dukshëm të shtëpisë së Vlorajve, që ndodhet në qendër të qytetit dhe, që vlonjatët e njohin me emrin “Shtëpia e Beut”. Këtu e gjeti edhe nëntori i vitit 1944, kur vila e famshme u sekuestrua nga komunistët, së bashku me gjithçka që ndodhej brenda saj. Krahas bibliotekës së madhe të familjes Vlora, ku ndodhej një fond i jashtëzakonshëm titujsh, u sekuestrua edhe tabloja në fjalë. Sipas piktorit Hilmi Bani, ndoshta për shkak të mosnjohjes së vlerave të saj, kompozimi “shëtiti” në mjedise të ndryshme, shpesh të dorës së dytë. Ashtu si mjaft sende dhe orendi të “Shtëpisë së Beut”, që në shumicë u shpërndanë pa destinacion, piktura përfundoi në muret e zyrave të ndryshme, ndërkohë që diku në fundin e viteve ’70-të deri në fund të viteve ’80-të, qëndroi e varur në një nga muret e Zyrës së Urbanistikës dhe Projektimeve, vetëm pak metra larg vendit ku ishte ekspozuar për herë të parë pas mbërritjes në Vlorë.
Një dhuratë në tentativë për gjeneralin Zhukov
Për këtë pikturë ka edhe një histori interesante, që lidhet me një nga emrat e njohur të Luftës së Dytë Botërore, gjeneralin sovjetik Zhukov. Në vigjilje të vizitës së tij në qytetin e Vlorës në vitin 1957, drejtuesit e atëhershëm të pushtetit lokal vendosën që krahas të tjerash, t’i dhuronin Zhukovit tablonë “Vallja e Shpatave”. Por, gjatë një mbledhjeje ku ishte i pranishëm edhe piktori i vetëm i asaj kohe në Vlorë, Vasil Talo, ai e kundërshtoi këtë ide.
Argumenti ishte se tabloja ishte e vetmja pikturë në qytetin e Vlorës, madje e një autori që nuk ishte vlonjat e madje, as shqiptar. Arsyetimi, tregon piktori Hilmi Bani, u pranua dhe piktura i shpëtoi emigrimit në një vend të largët.
Autori i saj Pajo Jovanoviç (1850-1930), punimet e të cilit janë ekspozuar në mjaft sallone në vende të ndryshme të Evropës, ka punuar për një periudhë të konsiderueshme edhe në Shqipëri dhe ishte mik i Kolë Idromenos.
Gurë-varri apo statueta e vajzës greke është rrëmbyer. Në vitin 1997, ajo ishte gjëja më e vogël, që mund të ndodhte në këtë vend. I ati i saj, doktor, nuk kishte mundur të shpëtonte. Kishte derdhur të gjitha ato, që profesioni i kishte mësuar nga Hipokrati, por më kot. Në fund kishte gjetur pajtimin. E kishte lënë në prehjen e gjelbërimit dhe në kujdesin e shpendëve të shumtë, që popullojnë këtë ishull të vogël. Kishte ikur. I qetë. Pas, qetësi. Në amshim…Një ditë, krijesat e luciferit e kishin marrë. E kishin dërguar diku gurin. Ia kishin tretur në keqësi.
Këtë nuk mund të na e shpjegojë një roje objektesh, që tash ruan Kishën e “Fjetjes së Hyjni-lindses në Manastirin e Zvërnecit. I duket si tjetër gjë. Duhet të jetë rreth 50 vjeç, ndërsa hedh sytë tutje-tëhu si për të kapur ndonjë të pabërë. Jemi vetëm: Ne dhe Ai. Bash në sheshin brenda manastirit, ku sapo kemi kaluar urën e drunjtë.
Më në fund qetësohet dhe roja. Bindet se para vetes ka vetëm tre njerëz, që janë të interesuar të shikojnë manastirin, kishën dhe pyllin. Ndaj, sikur ta ketë krejt në terezi, ulet… dhe kërkon shpjegim: “Pa ta marrim shtruar.
Çfarë doni?” I shpjegojmë se duam të fotografojmë dhe të shikojmë pyllin. Tund kokën, sikur do të thotë: mua doni të ma hidhni. Duket qartë se do të shtyjë shërbimin, ndërsa ne, që duam të mos na bezdisë, dhe të na krijojë mundësinë të shohim të gjithë hapësirën ku gjendet manastiri. Na bën pritë për aparatin, për diktofonin, për lëvizjen, për gjithçka. Sus. Jam unë. Sa i mjerë?-mendojmë. “Sa kot”, duhet të mendojë çapkëni i vjetër, që tashmë butaforisë së tij i ka shtuar edhe një fije bari në gojë.
Sa i pistë
Dikur ky vend ka qenë pronë e Frashërlinjve. Mit’hat bej Frashërit ia mori më pas një familje nga Kanina. Më vonë, ajo bëhet pronë e shtetit shqiptar. Ishulli i vogël prej 7 ha është një monument natyror. Në një gazetë kam lexuar se vetëm 0.1645 ha janë pronë e objektit të kultit, pjesa tjetër është monument natyror. Por, shqiptarëve, pak u bën për monumentin. Në vend të tij, janë të kënaqur me zdërhalljen në këtë mrekulli të natyrës. Ku më shumë vlerën ia provojnë, kur lëshohen të hazdisur në ditën e nderuar të pelegrinazhit. Dhe, atë ditë bëjnë qejf. Në Shqipëri pelegrinazhi është qejf, piknik..urraaaa. Kjo ka bërë që kisha të vuajë damkën e përvetësimit të gjithë mjedisit. Çdo fund-verë, falë saj bëhen kampingje me të rinj, gjë që ia ka përcjellë imazhin e mrekullisë së këtij vendi, shumë më larg. Por, gjithashtu dhe duke i sjellë probleme drejtuesve të kishës shqiptare, të cilët i akuzojnë se kanë marrë të gjithë ishullin. Jo se nuk kanë dhe ata pak siklete. Eshtë e pamundur, falë një rregulli të brendshëm, që t’i të kesh mundësi të takosh priftin. Ai nuk është, por edhe po të jetë- duhet leje që të shikosh interiorët brenda. E vërteta është se vendi është krejt i papastër dhe mungon dora e njerëzve. Ajo rregullohet disi në momentin, kur afrohet kremtimi i 15 gushtit. Por, kaq. Besimtarët e Zotit nuk e kanë shumë qejf pastërtinë, ndërsa pylli, tutje manastirit është edhe më i pistë. Kushdo mund ta provojë, po të ngjitet nga pas manastirit dhe të ikë tutje. Plastmase, mbeturina, të pëgëra që duket se nuk treten- i gjen kudo. Një tabelë akoma më e vjetër se manastiri, për hir të së vërtetës të përgatit që në hyrje me rregulloren e brendshme. Por, ndryshku dhe shëmtia e saj (e para ca kohëve) ta konfirmonte se nuk mund të bëhej më shumë. Roja ka tagër që të shoqërojë vizitorin deri brenda në manastir; Nuk lejohet futja e njerëzve të armatosur; Nuk lejohet njeri veç ditës dhe ndalohet gjuetia. Na bind kështu edhe karshillëku i rojes, që me sa duket e ka mësuar përmendsh këtë tabelë, që është e lakuar nga pas. Në ditën e festës të këtij viti, një kremtues më ka thënë se për “të nderuar”, Hyjni-lindsen, shqiptarët zbrisnin nga pylli me degë të thyera dafine. Qeshnin. Lumturoheshin. Dhe, askujt nuk i bënte përshtypje se po e dëmtonin këtë mrekulli. Kremtimi i ditëve do të thotë thjesht orgji ngrënie, ndërsa vari i Marigosë, këtij personazhi interesant, ishte i pa pamundur, që ta shpëtonte këtë zallamahi…
Këto objekte gjenden në perëndim të lagunës së Nartës, në brezin ranor, që ndan lagunën me detin. Përfaqëson një grup dunash ranore, të formuara nga veprimi i erës. Gjatësia e brezit me duna arrin disa kilometra. Ato kanë lartësi deri ne 5-6 m. dhe gjerësi deri 20-30 m. Dunat kanë vlera shkencore, estetike, turistike dhe ekonomike.
I gjithë vendi vizitohet duke ndjekur almanakët turistikë-duke ndjekur itinerarin qyteti i Vlorës-Kriporja-bregdeti i Nartës-Hidrovori. Manastiri i Zvërnecit është monumenti kulturor më i rëndësishëm në hapësirën e Nartës. Një nga arsyet për të vizituar ishullin e Zvërnecit është fakti që të shikohet ky manastir. Ai është ndërtuar më shekullin e XIII, sipas karakterit bizantin, dhe i kushtohet Shën Mërisë. Çdo 15 gusht ka një festim të kishës ortodokse me rastin e lindjes së Shën Mërisë në këtë kohë.
Drejt Zvërnecit
Po. Zvërneci nuk është shumë larg magjistralit kryesor. Si të gjitha, objektet e religjionit dhe ato kulturore-historike kudo në Shqipëri, nuk janë shumë larg magjistraleve kryesore…Por, pas kësaj rruge të gjatë që të drejton në të ashtuquajturin “Pusin e Mezinit”, nuk jemi në Lagunë. Duhet të përshkosh qetësinë e Nartës, një qytezë-fshat, me shtëpira, që i ngjajnë pa fund shtëpive të Bregut të Jonit.
Ende, gratë e vjetra, që ngjasojnë me ato të Jonit, të flasin me një greqishte arkaike, ndërsa burrat e pakët nuk i sheh kurrkund. Më të rinjtë në kurbet, kurse më të vjetrit në kafene. Askush nuk di për Kompleksin e madh, por të gjithë të konfuzojnë. Në sheshin, që përbën qendrën e Nartës, gjendet një kishë, e cila është e mbyllur zakonisht. Më duket sikur i shoh sërish ato dy karrige dhe togun e hedhurinave, që i gjej gjithmonë në këtë vend dhe sërish të patrazuara. Por, nuk kemi kohë.
Rendim për në Lagunë, një vend ku dikur punohej për të gjetur naftë. Njësoj sot, pretendohet që të bëhen afër Depozitat e mëdha. Sërish naftë. Sërish protesta. Dhe, jo më kot, rrugës i has plehrat kudo. Inertet. Tashmë, nuk ka rëndësi.
Shumë shpejt brazat e pishave nuk do të jenë. Dikur, banorët e Zvërnecit i bën një rezistencë të mirë INA-Naftaplin, operatori kroat i kërkimit të naftës, që kishte marrë në konçesion Bllokun e Panajasë në Shqipëri.
Kurse, nuk po e përballojnë dot Kompleksin e madh, që po merr jetë pak nga pak…
Edhe pse Këshilli Bashkiak po i bën rezistencë, puna duket se do të marrë jetë. Fshatarët kanë heshtur. Janë paqtuar. Këtë herë ambjentalistët duken si të nënshtruar…
Invers-Kisha dhe manastiri i njohur
Rruga bëhet më strapacuese dhe shtuar me aq shumë kodrina rrugës, të nxjerr jashtë pyllit. Me një makinë të mirë për gati 20 minuta të duhet të lësh pas Nartën. Pas një traseje të gjatë, rruga i ngjitet nga shumë afër Lagunës. Në këtë vend, ajo qarkon një ishull të vogël , ku gjendet manastiri dhe kisha e kahershme e zonës. Me një pasarelë, që shkon drejt, ndërtuar nga kisha ortodokse për 60 milionë lek (?)- futesh në një ishull të mbuluar me pisha, ku gjendet kisha e ndërtuar e shekullit të XIII dhe manastiri i vitit 1636. Historianët pretendojnë se në anën tjetër të ishullit, është edhe një kishë tjetër, të cilës i kanë mbetur rrënojat. Ajo është restauruar për herë të fundit në shekullin e XVIII. Në varrezat e saj ishte varrosur Marigoja e flamurit të Ismail Qemalit, bashkë me dy fëmijët dhe pak njerëz të tjerë. Dominon mbi gurët e varrit, greqishtja bizantine. Edhe vetë kisha është bizantine, sepse është e ndërtuar me gurë dhe me tulla të asaj kohe, sipas specialistëve. Një hajat me kolona, që i ngjan “Shën Nikollës” së Voskopojës, të mirëpret në hyrjen e kishës së njohur. Por gurët janë ngrënë nga motet dhe duket se nuk do e kenë të gjatë. Një dorë restaurimi i pret akoma t’i fusë në jetë. Një tjetër, ajo e kohës, pret t’i shkatërrojë. Roja, i cili na shoqëron me një bisedë absurde në ishull, bën rezistencë pasive. Kam urdhër,- thotë. Por, na mundëson të rifutemi në kishën e manastirit. Nuk na lë të fotografojmë brenda. Eshtë kategorik. Brenda nuk ka ndryshuar shumë, por duket se kisha ka dorë dhe është e restauruar më mirë. I veçuar, roja, ruan për ndonjë padrejtësi, kurse ne gjejmë mundësinë që të shikojmë në absidën e Kishës figurat bizantine. Ky element ka mbetur pak edhe në kupolën e vogël, që është mbi kishë. Ajo që ndoshta është shumë e njohur për kishën e Zvërnecit dhe që përmendet si një gjë unikale, është një kafkë me një gjarpër dhe mbishkrimi i greqishtes bizantine, që i qëndron sipër, rrasës së varrit të një personazhi, përballë hyrjes kryesore. Eshtë varri i Kostas Karanxhas dhe ka të ngjarë, sipas Prashnikerit, që të ketë qenë një figurë shumë e njohur e lidhur me perandorët e Bizantit. “Këtu prehet Kostas Karanxha, burrë fisnik, filiz i një dere fisnike”, thuhet mbi varrin e tij.
Një pjesë dafinash, që janë mbi varret e të paktëve të mbetur mbi manastir, janë shenja e plotë e paqësisë të manastirit. Pasi bëjmë një qarkore rreth tij, ai na drejton vetë drejt largimit…Njësoj kanë bërë ndoshta dhe ata. Ashtu si zbrisnin atë ditë me dafina dhe dukeshin të gëzuar se po i blatoheshin Shën Mërisë. Por mua më dhimbsen dafinat, më kujtohen fjalët e njeriut, që më ka shpjeguar pak për festën e vitit 2007.
Vetë ishulli
Ishulli i Zvërnecit është një nga peizazhet, ku paqja është e rrallë në Shqipëri. Në festën e 15 gushtit mblidhen bashkë të ikurit, lulëzojnë pemët dhe qetësohen peshkatarët. Pak më tej, në lagunën e Nartës, peshkatarët presin peshqit, ndërsa vreshtat përgatiten që nxjerrin ende atë rrushin kualitativ, që më pas prodhon atë verë të mrekullueshme, që e kërkojnë të gjithë. Pastaj, pelegrinët, prehen në ishull dhe para syve të natës i bëjnë fli gjumin dhe qetësinë- festës fetare. Në kohën e regjimit vinin fshehtas dhe e përshkonin ishullin me varka dhe depërtonin deri atje. Kurse sot, vinë në mes të ditës. Është mrekullueshëm. Ashtu, ishte bukur edhe atëherë në kohën e Anti-krishtit. Por, gjurmët e hershmërisë, sipas studiuesve, shkojnë që nga shekulli i 1 para Krishtit dhe më vonë. Duhet të largohemi. Puna e mirë veç të tjerave është kjo urë e stërgjatë 200 metra që i merr sëbashku vizitorët dhe i fut në ishull. E mirë se edhe të largon. Më 1967 bashkë me murgun e fundit që e liruan nga ky vend u dëbua për pak kohë dhe mrekullia e këtij vendi nga kujtesa. Thuhet se atje është djegur një thesar, nuk është më biblioteka e bollshme me literaturë…se kishte…
Roja është më shumë se indiferent, por tash bën dhe hokatarin. Na ngacmon pa fund dhe tallet me interesin. Na tregon për priftin, që meshon. Nga vjen dhe se duhet të hanë fëmijët… Nuk e dëgjojmë. Më nget për Marigonë, që e ka parë në film. Për ushtarakun, që është varrosur në kishë, nuk di pothuaj asgjë. Eshtë i qetë.
…
E pyesim për vajzën dhe gurin e saj. “Eh, ç’ia kini ngenë ju”, na përgjigjet, kur i dalim nga sfera e tij e logjikës. “Ta kisha ditur, një m…kisha për t’iu lënë”. I qeshim. A thua të ketë qenë ndonjë nga ata që e di, se ku është guri i vajzës greke?! Po ç’i duhet atij. E presin në shtëpi. Manastiri këtu ka qenë dhe këtu do të jetë. Eshtë viti 2007.
Ben Andoni : Revista Mapo
Letra e 16 Gushtit 1797: Shqiptarët, komb trim sipas Napoleon Bonapartit
Nga Aurenc Bebja
Napoleon Bonaparti, në letrën e 16 Gushtit 1797 dërguar pashait të Shkodrës (Ibrahim Pashë Bushatit, djalit të Mehmet Bushatit) shpreh admirimin dhe mbështetjen e tij për shqiptarët.
Shkrimi gjendet në faqen n° 499 të dokumentit me titull “Œuvres de Napoléon Bonaparte – 1822”.
Ja letra në vijim:
Shtabi i përgjithshëm, Milano – 16 Gusht 1797
Pashait të Shkodrës
Kam lexuar me kënaqësinë më të madhe lavdërimet në letrën e shkruar nga Zotëria juaj.
Republika franceze është një mike e vërtetë e Portës së Lartë; Ajo (Republika) ka një konsideratë të veçantë, sidomos, për kombin trim shqiptar, i cili ndodhet nën urdhërat tuaja.
Kam dëgjuar me dhimbje fatkeqësinë që i ka ndodhur vëllait tuaj (E ka fjalën për Kara Mahmud Pashë Bushatin): ky luftëtar i patrembur meritonte një fat më të denjë për trimërinë e tij ; por ai u shua nga një vdekje e guximshme.
I dërgoj Zotërisë suaj urdhërin e dhënë nga unë, që i lejon ushtrisë (flotës) osmane të udhëtojë (lundrojë) pa shqetësim në Adriatik. Turqit do të trajtohen si kombet e tjera, madje do të përfitojnë disa lehtësime…Në të gjitha rastet, unë do të mbroj shqiptarët dhe do të jem i lumtur t’i shpreh Zotërisë suaj respektin e konsideratën e lartë që kam për të.
Në shenjë miqësie, i lutem Zotërisë suaj të merrni katër arkat me pushkë që ju kam dërguar.
Gazeta gjermane pranë partisë konservatore të Angela Merkel, Die Welt paralajmëron se “Greqia e ka shkatërruar edhe më parë rendin Europian” dhe “ka ringjallur teoritë racore të nazistëve”, në një artikull ku citohet historiani Jakob Philipp Fallmerayer, i cili ka thënë se “grekët nuk janë grekët e vërtetë”.
Sipas gazetës Die Welt, situata në Greqi nuk është vetëm ekonomike por edhe historike.
Në artikull thuhet se “grekët e kanë shkatërruar dhe më parë ekonominë europiane” dhe se grekët e sotshëm nuk janë pasardhës të civilizimit antik Grek, por një miks i sllavëve, turqve, bizantinëve dhe shqiptarëve, shkruan standard.al.
Më tej në artikull citohen fragmente nga libri i historianit Fallmerayer “Geschichte der Halbinsel Morea während des Mittelalters” ku thuhet se popullsia greke u zëvendësua gjatë periudhuës së dyndjeve slave (350-800 pas Krishtit).
“Raca e Helenëve u zhduk nga faqja e Europës. Bukuria fizike, inteligjenca intelektuale, harmonia dhe thjeshtësia, arti dhe konkurenca u zhdukën nga faqja e kontinentit. Asnjë pikë gjaku grek nuk rrjedh sot në venat e të krishterëve prezent në Greqi”, shkruan Fallmerayer.
Madje gazeta shkon edhe më tej duke propozuar që anëtarësimi në Bashkimin Europian të kryhet vetëm në bazë të analizave të ADN-së. “Grekët që sot pretendojnë se janë pasardhës të Perikliut dhe Sokratit, nuk janë gjë tjetër veç një miks turqish, sllavësh, bizantinësh dhe shqiptarësh”, thuhet në artikull./standard.al