Histori

Kosova ruan dëshmi të shekullit të 14-të se UFO-t ekzistojnë?!

Universi është i mbushur me mistere që sfidojnë njohuritë tona aktuale, ndërsa në Manastirin e Deçanit një i huaj ka vërejtur ikona që tregojnë për UFO.

Në “Beyond Science” (Përtej shkencës), “Epoch Times” përmbledh rrëfime për këto fenomene të çuditshme për të stimuluar imagjinatën dhe për të na dhënë disa opsione që më parë nuk na shkonin as nëpër mend.

Në periudhën e mesjetës dhe të Renesancës, në civilizimin perëndimor janë krijuar disa nga veprat e artit më ikonike dhe më definuese në histori.

Vlera e këtyre veprave është rritur edhe më shumë ndër vite, derisa artistët i rafinonin shkathtësitë e tyre dhe ua përcillnin ato nxënësve të tyre.

Edhe në ditët e sotme, artistët dhe vizitorët e muzeve i shikojnë këto vepra me shumë vlerësim dhe vazhdojnë të inspirohen prej tyre.

Teoricientët konspirativë që merren me dëshmitë rreth ekzistimit të UFO-ve, besojnë se ato ruhen edhe në Kosovë, në Manastirin e Deçanit të ndërtuar diku mes viteve 1327 dhe 1335.

Brenda Manastirit janë disa piktura të ndryshme nga pjesë të famshme që janë të përshkruara në Bibël.

Kryqëzimi i Krishtit, njëjtë sikurse në katedralen Sventiskhoveli, i tregon 2 objekte fluturuese në këndin e majtë dhe atë të djathtë të skenës, raporton lajmi.net.

Ato mjete shihen duke u drejtuar nga dy qenie të cilat duken se janë duke e mbajtur timonin.a295

E sipas teorive konspirative, nëse këta pilotë do të konsideroheshin engjëj, ata do të kishin kurorë drite si dhe krahë, pasi që kështu ishte tradita krishtere e pikturave të asaj kohe.aa63

“Në fakt, në këtë pikturë të njëjtë mund të shihen figura të shenjta me kurorë drite dhe engjëj me kurorë drite eme krahë. Kjo e dëshmon atë se ato nuk ishin krijesa hyjnore. Disa spekulojnë se këto objekte e paraqesin diellin dhe hënën. Sidoqoftë, këto objekte nuk ishin identifikuar si karaktere apo perëndi nga kisha. Kjo do të ishte blasfemi”, shkruan The Ancient Aliens.

Këta teoricientë ngrisin disa pyetje për këtë: Çfarë ishin këto qenie dhe cili ishte qëllimi i tyre që shfaqeshin vazhdimisht në punimet e vendeve religjioze nga viti 1000-1300? Pse këto piktura ndaluan të shfaqeshin në punimet religjioze gjatë epokës mesjetare? Cila është e vërteta dhe lidhja e alienëve të lashtë me Jezusin e cila është duke u mbajtur e fshehtë? 7986120417

Kosova ruan dëshmi të shekullit të 14-të se UFO-t ekzistojnë?! Read More »

Zbulohet sekreti/ Pse Enveri nuk i hapte kufijtë e Shqipërisë? Rrëfehet mjeku

A e kishit menduar ndonjëherë pse diktatori Enver Hoxha e mbante vendin të izoluar?

“Doktor, unë do t’i mbaj kufijtë mbyllur edhe për disa vjet, sepse ky vend duhet ndërtuar dhe ky popull duhet ndërgjegjësuar. Në qoftë se unë do të hap kufijtë, shumica dërmuese do të emigrojë, siç kanë bërë në shekuj…”.

Ky është sekreti që ish-diktatori komunist, Enver Hoxha, i ka pohuar mjekut francez, Pol Miliez, ndërsa ai e pyeti se cila ishte arsyeja që ai po e mbante Shqipërinë të izoluar.

Një detaj mjaft interesant ky që mbërrin nga vijimi i rrëfimit të ish-zbuluesit politik të Shqipërisë në Francë, Hasan Luçi, posaçërisht për “Albanian Free Press”, mbi figurën e profesorit të njohur francez, Pol Miliez, i cili drejtonte edhe Shoqatën e Miqësisë, Francë-Shqipëri dhe që ditën e vdekjes së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985, dha një intervistë rreth tij në kanalin TF 2.

“Përveç Shqipërisë nuk ka vend tjetër komunist që t’i këtë mbetur besnik Stalinit”, citon Luçi, që të ketë thënë gjithashtu Pol Miliez gjatë asaj interviste…

Zbulohet sekreti/ Pse Enveri nuk i hapte kufijtë e Shqipërisë? Rrëfehet mjeku Read More »

Mos e nënvlerësoni përunjësinë: Është arti i atyre që dinë të përmirësohen

Që nga kohët e Sokratit, njohim vlerën e përunjësisë. Shprehja e tij “di që nuk di”, është një shembull i admirueshëm i asaj që mund të jetë përunjësia, dhe avantazhet që mund të na sjellë.

HIstoria tregon për një mik të vjetër të Sokratit, Cerefoni, u konsultua me orakullin e Delfit për të ditur nëse ekzistonte ndonjë person më i ditur se sa filozofi, dhe përgjigja ishte negative: Sokrati ishte vërtetë më i dituri i të gjithëve, iu përgjigj orakulli. Por filozofi grek, duke ushtruar artin e dyshimit, nuk besonte se zotëronte dije më të mëdha se sa një politikan, një poet apo një artist. Kështu që, filloi t’i pyesë, me stilin e tij. Dhe zbuloi diçka që nuk e priste aspak: këta personazhe nuk i kishin të gjitha ato njohuri që deklaronin se i kishin.

Prej këtu, buruan konkluzionet e Sokratit: ndërkohë që një politikan apo një artist mendojnë se dinë dhe në fakt nuk dijnë, unë nuk besoj se di, atë që praktikisht nuk e di. Filozofi pranonte kështu, me përunjësi, se nuk dinte pjesën më të madhe të gjërave të kësaj bote. Dhe të paktën për këtë, ishte i sigurt.

Fjala përunjësi (humilta), buron nga fjala latine humus, ose më saktë tokë pjellore. Nga kjo pikëpamje, përunjësia përfaqëson terrenin më pjellor për të rritur dijet dhe fituar aftësi të reja. Pa përunjësinë, është e vështirë të rritesh dhe përmirësohesh. Nëse arroganca na shpie të zëmë pozicion mbrojtës të qëndrimeve tona, përunjësia na shtyn që të shohim përtej, të kërkojmë informacione të reja dhe zgjidhje të reja. / Bota.al

Mos e nënvlerësoni përunjësinë: Është arti i atyre që dinë të përmirësohen Read More »

”Rrugët e ferrit”, çfarë ndodhi 38 vite më parë në Kukës, në gjyqin ndaj Visar Zhitit

Në 14 dhe 15 prill të vitit 1980 në qytetin e Kukësit u bë gjyqi i hapur ndaj poetit Visar Zhiti, atëherë mësues në një fshat të largët. Dënohej për fjalën e lirë, për poezitë e tij me burg dhe me heqjen e së drejtës elektorale, të botimit dhe profesionit. Është një gjyq që duket sikur kërkon të vazhdojë me forma të tjera, me po atë akuzë e gjuhë, nga segmente të caktuara “të veglave të mbetura të diktaturës së dikurshme”.

Një ndjesi e tillë mbartet në burgologjitë “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë” të shkrimtarit Visar Zhiti, libra të rëndësishëm, monumentalë, ku tregohet me forcë për burgjet e Spaçit e të Qafë-Barit. Po sjellim një pjesëz në shërbim të kujtesës kolektive si dëshmi, por dhe që të ndërgjegjësojmë për të mos qenë indiferentë dhe të sprapsim sulmet kundër fjalës së lirë që na thotë të vërtetën.

VISAR ZHiti

COPRA NGA GJYQI… I PAMBARUAR

“Rrugët e ferrit”
I lidhur me pranga, mes dy policëve të armatosur, po prisja në bankën e të akuzuarit, në krye, por anash, në sallën e madhe, bosh të gjyqit. E dija ku më kishin sjellë, në gjykatën e re, në qendër të qytetit. Ngrehinë gri, vazhdimisht e ftohtë si nën erëra. Isha endur rrugëve ndanë saj, ku kalimtarët rralloheshin ose nxitonin t’i largoheshin si të yshtur nga një e keqe.

S’kisha ndjekur ndonjëherë ndonjë gjyq, s’i duroja dot dënimet. I hapur apo i mbyllur do të jetë gjyqi im? Unë kisha thënë: më mirë i hapur. I hapur, sigurisht, tundi kryet hetuesi. Duhej ta shihnin si goditej armiku. Në vendin e lartë kryesor, sipër tryezave me cohë të kuqe të trupit gjykues, që ende s’kishte ardhur, pashë parullat e tmerrshme për luftën e klasave dhe për dënime të pamëshirshme ndaj armikut të brendshëm.

Citatet pushtonin tërësisht ballinën me emrin e Enver Hoxhës poshtë, shkruar me të kuqe, kurse fjala “armik” sterronte, me shkronja të zeza pisë kudo.

…Ku isha unë?

I asgjëkundshëm, buzë një lumi të tretë, as Drini i Bardhë dhe as i Zi, pa realitet. Sepse po dënohesh. Poshtë mbytej Kukësi i Vjetër prej ujërave të liqenit të hidrocentralit, që i kishin dhënë emrin “Drita e Partisë”. Veç mbi mbytje ngrihej Partia. A ta them këtë në gjyq? Edhe Kukësi i Ri po mbytej. Nën diktaturë si…

Po mbytesha unë. Përmbyteshim nga një llum tmerri. …Njëri nga policët e mi u ndërrua me një tjetër, të cilit i dha armën automatike, që, pasi u ul bri meje, e vuri midis gjunjëve ashtu si polici në anën përkarshi. Ngjanin si të ishin pasqyrime dhe unë mes tyre, ujë. Dy armë për mua…

…Një rrapëllimë, si një sulm, revolucion province, më solli në vete. Qenë hapur dyert në fund të sallës së gjyqit, jo andej nga u futëm ne dhe po vërshonin njerëz, me zhurmë, shtyheshin, sa më afër kreut, mundësisht. Kishte nga ata që seç tundnin në duar, ftesat me sa duket dhe mëtonin për vende më të mira në spektaklin e zi.

Pra, s’kishte asnjë rebelim, protestë. As kryengritje. Të gjitha këto populli im i kishte harruar, i përkisnin një lloji tjetër arkeologjie. Ndjeva dallgë. Radhët dallgë-dallgë po mbusheshin me fytyra të dëshpërimit të gëzueshëm.

– S’lejohet të shohësh nga salla, – më urdhëroi polici…

– Se mos ka ardhur ndonjë nga familjarët e mi. Si e ka rregulli, lajmërohen?

– Afishohen datat e gjyqeve në korridorin e Gjykatës.

– Po sa është data sot? – u interesova befas.

– 14 prill.

(- Pranverë tamam.)

– Të gjyqeve politike, jo, nuk lajmërohen, – ndërhyri polici tjetër.

– Pse politikan është, kaq i ri? – u ngurtësua polici që s’dinte gjë ç’isha unë.

Njerëzit zhurmonin si në kinema, sikur do të kishte shfaqje estrade. Kulmi, filloi dhe loja. Një të marri, çdo qytet ka lolon e vet, të cilin e ngacmojnë të gjithë, të kënaqur që s’janë si ai, por më keq, ia rrëmbyen kapelën nga koka dhe ia hidhnin sa nga njëri te tjetri, nga skaji këtej i sallës në skajin andej dhe ai kërcente mbi karriget tutje-tëhu. Rendte. Donte kapelën e tij fluturake.

Kur i qëlloi të turrej jo shumë larg nga podiumi i vogël me parmakë si ballkon, ku rrinim unë me policët e mi anash, ndali dhe më pa me sytë e sëmurë. Uli kokën dhe s’e kërkoi më kapelën. Siç duket, e kuptoi, ka raste kur kapela është një turp. Dhe jo vetëm ajo.

…midis rreshtave, në rruginat e vogla, kishin shtuar karrige, kurse nga fundi rrinin dhe më këmbë. Ja, një grup i pikëlluar fëmijësh, nxënës të mi. Kokulur, të urtë. Mbase besonin se makina qethëse e shtetit i kishte ngulur dhëmbëzat e vet edhe te mendimet e mia, te metaforat, idetë, i kishte bërë zero dhe trutë. Njëri nga ata ngriti kokën për të më parë, a isha i tëri, a i kisha të gjitha gjymtyrët, a kuptoja dhe, kur i shkela syrin, aq shumë u çmerit, sa filloi të lajmëronte dhe të tjerët, duke i shkundur, seç u thoshte dhe ata sikur shkrinin nga një ankth.

“Ngri-shkri” është dhe një lojë, më duket. …Përtej kolegët e mi, tepër festivë, si në piknik, si në oborr të shkollës.

– Çohu! – dëgjova të më urdhëronte njëri nga policët.

Ata, bashkë me gjithë njerëzit në sallë, qenë ngritur në këmbë. Zhurmat e fundit ranë si suva muresh, si korniza nga një tërmet i pritshëm. Po hynte trupi gjykues…

Gjykatësi, i akullt i tëri, i mësuar me mynxyra, pasi bëri shenjë të uleshim të gjithë, u kthye nga unë dhe më duket se pyeti në isha dakord të më gjykonin ata:

– Mërgim Dragushi, gjyqtar, me Hamit Dungën dhe Ymer Bashën, ndihmësgjyqtarë?

– Po. Njëlloj është për mua, nuk ju njoh, – thashë.

– Mos rri ashtu, – më urdhëroi polici me zë të ulët. S’duhej të dukesha krenar.

– Ke të drejtën e fjalës, – më tha gjykatësi me zë të lartë, por që s’ishte dot i lartë dhe salla duhej të mbante qetësi, nëse do të donin të dëgjonin.

– Ke të drejtën e mbrojtjes, – po vazhdonte ai dhe mund të mbaja shënime, por s’duhej të bërtisja, as të shaja. Ndryshe gjyqi zhvillohej edhe pa praninë time… S’e di a iu dha fjala prokurorit apo vetë e dinte radhën, ai u ngrit më këmbë, atje pas tryezës së tij të vogël, në anë të trinisë së përbindshme gjykuese, ballë për ballë me mua.

Ashtu trupmadh, pa shprehje në fytyrë, si i zbrazur nga fryma, me flokë të shkurtër, por të hirtë e të butë, të shtrirë përpara si të xhelatëve klasikë, po ai xhup i trashë me kafshë te jaka si e mbërthyer e gjallë, nisi të lexonte, keq, shumë keq, me gabime të trasha ortoepike, akuzën, kopjen e zbehtë, të së cilës unë e mbaja mbi gjunjët që më dridheshin.

Përgatitur nga Nexhat Selimi, kryexhevapnxjerrësi me hu i oborrit të Enver Pashait. Ishte po ajo, autopsia a aktekspertiza e dy (sh)krimtarëve, sozitë e të cilëve, gjoja si punëtorë a ndihmësgjyqtarë, i shihja aty, në krye.

…Po dëgjoja të flitej për poezinë, pra, gjendja duhej të zbutej, të zhdramatizohej disi, por ajo u bë më absurde, sharëse dhe e egër. Kisha shkruar me qëllim të keq politik, nxija realitetin, isha hermetik, dekadent, pesimist, doja të çoroditja mendjet e njerëzve, që Partia i kthjellon. Shikoni deri ku arrin, kërkoja diell të dytë, a është parë e dëgjuar kjo?

Kisha dalë kundër Partisë, herë hapur dhe herë s’guxoja nga frika e popullit, por fshihesha pas… metagaforeve armiqësore, edhe kundër udhëheqësit të lavdishëm me poezinë “Sfinksi” etj., kundër klasës punëtore që ky armik te poezia “Lustraxhinjtë” shkruan se janë te këmbët, është kundër socializmit dhe realizmit socialist.

Mbrojtës i klasave të përmbysura, të cilave dhe u përket, kisha bërë thirrje të hapur për kryengritje dhe për përmbysje si te poezitë… nuk dëgjoja dot më, ndërkohë sa keq lexonte prokurori, të vinte të protestoje! Ju lutem, lexojini mirë poezitë e mia, ky është tjetër dënim! Pastaj u hodh te lidhjet e mia armiqësore, me të gjallët dhe me të vdekurit, rrëmujshëm, që kur isha student, me poetin e burgosur Frederik Rreshpja, por dhe me poetin revizionist sovjetik Jevtushenko, donim dhe ta përkthenim, me priftin reaksionar dhe poetin antibolshevik Gjergj Fishta, lidhjet e mia vazhdonin me francezin Bodler, dekadent i shpallur, kompozitorin reaksionar gjerman Wagner, me hermetikun italian Ungareti, me anglezët dhe arrinin deri në Japoni.

I shtrembëroi mizorisht të gjithë emrat. Me siguri e bënte dhe me qëllim, jo se s’ishte aq i trashë, por për të thënë se ata aq vlerë kanë për ne, s’na duhen, kemi Partinë. Dhe pa çarë kokën për homoniminë në shqip e përsëdyti emrin e poetit Takuboku, duke thënë “taketukja”…

Gjykatësi pa nga unë dhe u kthye nga salla si për të marrë lejen e popullit.

– I pandehur, e pranon akuzën? – pyeti ftohtë.

Brenda heshtjes u vorbullua një heshtje tjetër, më e thellë, përpirëse e tëra. U ngrita më këmbë:

– Jo, nuk e pranoj, natyrisht!… Gjyqi juaj është dhunë, duhet gjyq tjetër. Gjyq për gjyqin…

– Kalojmë me dëshmitarët, – thirri gjykatësi.

…Tani po më dridhej i gjithë trupi. Dukshëm. Nuk i mposhtja dot. S’kisha folur kurrë para kaq shumë njerëzve. Më hutonte dhe drita, dhe salla e pamatë. Ndryshe është klasa me nxënësit. Jam dhe i qethur. Ashtu i kafkët, fjalët e mia do të duken sikur nuk i përkasin më botës së të gjallëve, por thjesht një makthi të një dite gjyqi dhe aq. S’më duhej asnjë rol, përveç ai i vetes dhe i së vërtetës sime.

– Zoti gjykatës, zotërinj të pranishëm, zoti prokuror! Është vuajtje të flasësh siç jam unë i shtrënguar ta bëj.

– Ke qenë i cenuar, je prekur i pandehur? – më pyeti gjykatësi.

– Uria, minjtë. I mbyllur… S’kishte nevojë për tortura të tjera. Mjafton dhe kërcënimi. Ënjtja, veshkat. Trysni psikologjike dhe shpirtërore, po, vazhdimisht. Por ajo që më shkatërron, është se me mua duan të sajojnë armikun, jo se e kanë zbuluar.

Nuk ka asnjë provë serioze që ju të merrni kurajën të dënoni një jetë. Poezitë e mia, që dikush i quan armiqësore, së pari, nuk janë të tilla, sepse nuk mundin, nuk është ky misioni i çdo poezie qoftë, përkundrazi.

Së dyti, poezitë e mia ende s’janë libër, s’kanë lexues dhe nuk i kanë bërë kurrkujt agjitacion dhe propagandë kundër Partisë dhe shtetit. Prokurori u ngrit vrikthi më këmbë, se ç’donte të thoshte, por gjykatësi i bëri shenjë me dorë që të mos më pengonte… Në sallë filluan mërmërimat. Prita sa mbaruan.

Gjykatësi s’deshi të ma jepte fjalën prapë, por mua më duhej të thosha, e kisha vendosur:

– Me 100 lepuj nuk formohet dot një kalë, me 100 supozime nuk formohet dot një provë. Kështu thotë një proverb, – dhe nuk shtova: anglez.

– Ju doni të më dënoni me supozime.

– I pandehuri, – kërceu prokurori – është kundër tufëzimit të bagëtive, e dëgjuat.

– …kundër është ky gjyq!

– Më kapi një dhembje koke më keq se në qeli. Prokurori po lexonte pjesë nga ditari im, pashë që ia zgjati hetuesi nga radhët e para të sallës, ndalte te fletët e përthyera. Ato që s’i kuptonte, i mbulonte me të thirrura.

“…hapëm gropa si varre të vegjël… nxorëm patate e futëm brenda të shtunën tonë të masakruar… Një mollë hëngri Adami me Evën dhe i përzunë nga Parajsa. Përditë ha mollë të egra këtu unë (kemi mbetur pa bukë, s’ka…) dhe s’po i shpëtoj dot kësaj parajse të tmerrshme…” Flaku ditarin…

Njerëzit ishin nemitur. Dallgët e kokëve hidhnin shkëndijime sysh me habi gojësh që shuheshin pa mbërritur të gjitha tek unë. Ndjeva se po më rrallohej ajri përreth. E kotë, thashë me zë. Pranoje hëpërhë mynxyrën ashtu siç të vjen batërdi e pandreqshme…

-Do të lypësh mëshirë, i pandehur? – pyeti gjykatësi, duke më parë më gjatë, por gjithmonë i akullt. E kishin shumë qejf dhe mezi e prisnin rënien e kundërshtarit te këmbët, të mposhtur, që kërkon mëshirë. M’u fanit arena, e qarkuar nga pafundësia e duarve me gishtin e madh poshtë, duke e tundur në kërkim të dënimit.

Por populli im s’ka duar të lira, i ka të lidhura me zinxhirë, po thosha me vete, me poezi të papërfunduara dot. Komunistët nuk e njohin mëshirën. Ata njohin veç një dorë, atë që i udhëheq drejt dhunës.

– Jam mësues, – ngrita zërin tim të lodhur, – pra, pishtar drite, – dhe heshta.

(Mos duhej të shtoja “siç thotë Partia”?) (Ishte sforcimi i fundit.)

– Dhe, si i tillë, – vazhdova, – kam flakën time, por edhe tymin tim… Nuk duhet ta shuajmë flakën… me gjyq.

– Dhe heshta mes heshtjes së rëndë si rërë. S’kuptova ç’përshtypje bëra, por më erdhi keq për veten, m’u duk se pata shpresë për një çast. Trinia gjykuese, duke kthyer kokët nga njëri-tjetri, i afronin, se ç’mërmëritnin duke mbuluar fjalët me pëllëmbë ose me ndonjë fletore nga të miat, që i kishin marrë për provë, nëse do të duhej t’i përdornin, vendosi të tërhiqej mënjanë. Gjykatësi nuk urdhëroi të m’i hiqnin prangat, por shkurt dhe thatë tha:

– Gjyqi do të vazhdojë nesër…

VENDIMI

Nuk po lëvizte asgjë, veç po përsëritej si në ankth dita e djeshme, prangat, makina, salla e gjyqit, banka e të akuzuarit, trinia e inkuizicionit (Minosi, Eakusi, Radamanti, kështu quheshin? Po, po, këta janë gjyqtarët e botës së përtejme!), prokurori, policët e mi, të pranishmit në sallë, patjetër dhe i akuzuari, unë dhe jo unë, turma e nemitur dhe nuk po e përjetoja, jo, isha përtej asaj vorbulle të vdekur, jashtë kufomës sime, shpirt, po i këqyrja të gjitha me një ftohtësi të nxehtë, pa i kuptuar pse bëheshin, përse duheshin.

Gjykatësi në këmbë po lexonte atë që lexoi prokurori dje dhe ne në këmbë po dëgjonim. Poezia ime po më fuste frikën tani. Ajo paskësh qenë një bombë shkatërrimtare, që, mbi të gjitha, donte të hidhte në erë shtetin dhe Partinë. Po unë do të flas? Çfarë do të them apo nuk vlen asgjë? Dëgjo, dreqi e marrtë, se janë për ty këto:

…Vepra kriminale e të pandehurit paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, sepse drejtohet kundër shtetit të diktaturës së proletariatit. Në masën e dënimit gjykata ka parasysh rrezikshmërinë e theksuar shoqërore të veprës kriminale, rrezikshmërinë shoqërore të vetë të pandehurit, i cila ka vazhduar për një periudhë të gjatë në rrugën kriminale me gjithë vërejtjet që i janë bërë herë pas here, ka parasysh origjinën e tij shoqërore, arsimin dhe moshën e të pandehurit.

Për këtë arsye Gjykata duke u bazuar në nenet 249-159 të K.Pr.P.

Vendosi

Të deklarojë fajtor të pandehurin Visar Zhiti për agjitacion e propagandë kundër shtetit dhe në bazë të nenit 55/1 të K. Penal e dënon me 10 vjet heqje lirie…

Vuajta e dënimit i fillon nga data që është arrestuar.

Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit

Sekretari Gjyqtari

Rexhep Gashi (Firma)

Mërgim Dragusha (Firma)

Dhe vula në mes si gropë e zezë që të hedh në ferr…

Nuk po e ndieja që po m’i shtrëngonin duart me pranga.

Edhe nëse prangat e diktaturës së dikurshme janë të ndryshkura, ka ende mendësira të atilla, akuza si atëherë, veprime të dhunshme dhe arrivizëm diktatorial që arrin edhe kreun e shtetit…

Dhe vërtet, poezia mbetet përgjigja e vetme, që edhe ajo duket si e mënjanuar dhe e nëpërkëmbur?!/Panorama

”Rrugët e ferrit”, çfarë ndodhi 38 vite më parë në Kukës, në gjyqin ndaj Visar Zhitit Read More »

Muralet në Shpellën e Devollit 6000 vite P.E.S

Shpella e Trenit në rrethin e Devollit,është një vlerë e trashëgimisë historike në rajonin juglindor,ndodhet në pjesën perëndimore të liqenit të Prespës së Vogël në zonën e Devollit dhe daton nga viti 6000 p.e.s.Shpella  është marrë në mbrojtje nga pushteti vendor me qëllim ruajtjen nga dëmtimi si pasojë e aktivitetit privat të guroreve në afërsi të saj.

Shpella e Trenit është studiuar për vlerat e saj historike dhe natyrore.

Shpella e Trenit në rrethin e Devollit, një vlerë e trashëgimisë historike në rajonin juglindor, është marrë në mbrojtje nga pushteti vendor me qëllim ruajtjen nga dëmtimi si pasojë e aktivitetit privat të guroreve në afërsi të saj.

Mendohet se kjo shpellë ka qenë banuar që në lashtësi,gjë që vërtetohet nga  pikturat  murale prehistorike me skena gjahu në brendësi të saj.

Arkeologët shprehen se shpella e Trenit dhe zona në afërsi të saj është bërë objekt gërmimesh dhe ekspeditash arkeologjike që në vitin 1966, duke zbuluar objekte me vlera në të.

Por, kalaja e Trenit që shënon dhe fillimin e fortifikimeve në këtë zonë tashmë nuk ka asnjë gjurmë të mureve të saj.

Aktualisht, mbi 80 % e zonës së mbrojur arkeologjike dhe historike e shpellës së Trenit i është dhënë për shfrytëzim subjekteve private.

Një ndërhyrje e shpejtë në këtë zonë,do të ndalonte dëmtimin e shpellës dhe vetë zonës arkeologjike.

Në sezonin veror,kjo shpellë vizitohet nga mjaft kurioz dhe turist të natyrës dhe historisë./thealbanian.co.uk/

Muralet në Shpellën e Devollit 6000 vite P.E.S Read More »

Kur mbreti kërkonte që Saranda të quhej Zogaj (Historia)

AKT DHURIMI I SARANDËS

ZOG I
MBRET’I SHQIPTARËVET ME VULLNET TË POPULLIT. Vjeti 1937, me 24 të mujit mars, ditën e mërkurë…
Në bazë të ligjës mbi dhurimin e pasunisë së Shtetit në Sarandë me datë 5 prill 1930 dhe t’urdhënit autorizues të Ministriës së Financavet telegrafikisht, i asht dhurue prej shtetit NALT MADHNIES TIJ ZOGUT-TË PARË, pasunija shtetnore e Sarandës në Zyrën e Ipotekavet të Delvinës nën zotnimin e tij: duke filluar nga bodrumi i prishun buzë detit dhe vëhet tek depo e gazit, deri te manastiri i prishun e kufizue me sinurin e Lykursit qi zotnojnë me tapi Selim beu me pjestarë, e nga manastiri tue ecun drejt krahut të Sarandës e kurrizit të malit, nga Dardha e Sipërme e Dardha e Poshtëme, deri tek  ara e qujtin ‘Bristane’ qi zotnon me tapi Mitro Gjini, e nga Limani i vogël i Sarandës te kullotja, që përbëhet prej 4082 dynym… Kryqi i kuq Shqiptar merr përsipër të vazhdojë zbukurimin e qytetit të Sarandës”.

Një vendim i dhjetorit të të njëjtit vit, marrë nga Komisioni MIKTS qendror i drejtohet Neltësis së Saj Imperijale, Princeshës Senije, Kryetare e Kryqit të Kuq për aprovim. Në të flitet për ndërtimin e 20 shtëpive, 10 të vogla dhe 10 me material të lehtë për të siguruar banimin e nëpunësve, për ngritjen e një kinemaje. Princesha Senije e miraton dy ditë më pas me shënimin: “Urdhnojmë zbatimin”- Kryetare e Kryqit të Kuq, Tiranë, me 5 dhetuer 1937(Firma).
Nga festimet e popullit të Sarandës për shpalljen e mbretërisë, te koncesionet, investimet me nga 30 e 500 metra, te shkresat, kërkesat për leje, fotografitë e rralla, punishtja e sapunit me emrin e udhëheqësit, tek aktet noteriale me rëndësi mbi debatet historike e VKM-të për qytetit e 40 shenjtorëve.
Copëza historie të dokumentuara shfaqen sot në Sarandë, në një ekspozitë. “Saranda që kishim – Saranda në gjysmën e parë të shek. XX” është një ekspozitë dokumentare dhe fotografike që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Sarandës çelin sot me 18 gusht, ora 19:30, në Sheshin e Limanit në Sarandë.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës do të jenë Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka dhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido.
Ekspozita është kuruar nga Sokol Çunga.

JEPINI SARANDËS EMRIN E MBRETIT
Një Fletore Zyrtare që mban datën e datës 26 gusht 1938, pasqyron një vendim të Këshillit të Ministrave, atë nr.753 që mban datën 6 korrik 1938 për ndryshimin e emrave të qyteteve, fshatrave dhe lagjeve të Shqipërisë.

Mes tyre, emri i qytetit të Sarandës ndryshohej në Zogaj(nga Zogu në kohën, atëkohë ai qe mbret),  ndërsa emra të tjerë duket të kenë qenë prirje për t’u shqipëruar si: Bistrovica-Kështjelëlzë, Dobronik-Bukuranje, Gjoroven-Maliplak, Ksamile-Mulliri, Mejden-Sheshe, Sulltan Pajazit-Lagja Mbretnore, Shurkave-Vjosa, Badlonja-Malakuqi, Bodari-Bora, Leusa-Mëshira, Leshica- Shëngjoni, Lipa-Bliri, Lipivani-Qershizë, Lushja-Lushnjë, Musukari- Myshqerrë, Novosela-Fshati i ri, Ogdunini-Qiparisi, Trebozishta- Trillagje, Goznishta-Uji i Ftohtë, Rabani-Arbani, Zleusha-Bukuroshe, Çoroguni-Bregzalli, Potgorani-Nënmali, etj.

SHKRESA, KONCESIONE E TË TJERA

Një korrespondencë mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve Botore për planin rregullues të qytetit të Sarandës, korrespondencë mes nënprefektit të Sarandës me prefekturën e Gjirokastrës ku propozon ndërtimin e rrugës Sarandë-Butrint si mjet për promovimin e turizmit kulturor; një hartë e planit rregullues të Sarandës hartuar nga inxhinier Selim Zyma, më 1933.
Ka më tej një ligj të Mbretërisë për dhënien me koncesion të Kanalit të Vivarit në Butrint, shoqërisë “Dele”, 23 mars 1929. Veç taksave të ligjshme, Shoqëria “Dele” detyrohet të ndërtojë brenda dy viteve në dobi të komunitetit: një ndërtesë për zyrat e doganës, një ndërtesë për rojën e Xhandarmërisë dhe një frigorifer.
Në vijim dallohen shkresat Shoqërisë “Dele” drejtuar kryeministrisë përmes të cilave  njofton se ka nisur prodhimin e sixhadeve më nëntor 1928, dërgon statutin e shoqërisë dhe njofton edhe për ardhjen e një iktiologu francez në Vivar.

Mjaft interesant është një raport i Kryetarit të Bashkisë së Sarandës drejtuar nënprefekturës, ku renditen punët publike të bëra në qytet mes viteve 1912-1937; përmenden aty rrugë 100 e 500 metra, 25 e 30 metra, e mes të tjerash përmendet ndërtimi i një nevojtoreve, siç thotë shkresa, “krejt moderne”.

Ekspozita sjell imazhe të bashkisë e nënprefekturës mes dy luftërave botërore. Ka raporte kontrolli me parregullsi të gjetura në zyrat e Doganës së Sarandës, planimetria e Bar-Butrintit, kërkesa e Mihal Zahos nga Lugari i Gjirokastrës përmes së cilës i kërkon Ministrisë së Punëve Botore leje të çelë një kinema në Porto Edda në Sarandë me 2 nëntor 1941, dhe vendimi i Zyrës së Qarkut Detar të Porto Edda për caktimin e zonave të lejuara për Plazh më 1940, është leja e dhënë Mihal Zahos dhe plan-vendosja e kinemasë së tij.

PUNISHTJA E SAPUNIT “ENVER HOXHA”

Nën emrin e udhëheqësit, një vend të veçantë, jo për nga hapësira as vendosja, por për nga subjekti, zë në këtë ekspozitë punishtja e sapunit në Sarandë dhe personeli i saj, i pas 1944-ës.

Punishtja, siç shihet nga imazhet mban emrin “Enver Hoxha”, e prodhonte sapun. Punëtorët shihen me rroba të grisura, tek mbajnë kallëpet e sapunit, e ndërsa burrat kishin veshur jelekë deveje, në mure shihen qartësisht parulla të kohës për Republikën Popullore Socialiste të Shqipërinë, për kongreset, deri te porosia me shkronja kapitale në mur: “Të shtojmë dhe të përmirësojmë prodhimin se kështu forcohet ekonomija, pushteti popullor dhe krijohen konditat për përmirësimin e jetës tonë dhe s’gjithë popullit’- “Ruaj disiplinën më të fortë në punë.”

Imazhe të rralla janë edhe ato të urës së Kalasës(Shinjonit) para 1944-ës, e njëjta urë, por e rindërtuar pas shkatërrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore si edhe një kartolinë e qytetit më 1920, pamje e gjirit të Sarandës, hartë e basenit, kapitaneria e portit, kartolinë e një rruge në Sarandë, personeli i konviktit “Çamëria” bashkë me Neço Mukën, nxënësit dhe personeli i konviktit “Çamëria”.

FESTIME PËR NDER TË MBRETIT

Qëndrojnë po kaq bukur, në mos më shumë, festimet e popullit të Sarandës më 1 shtator 1928, me rastin e shpalljes së Mbretërisë. Nga imazhet me gjasë duket të jetë e pranishme paria më shumë se populli, po diku në thellësi të imazhit shtyhen fëmijët e diku tjetër të rriturit.

Flamuri valëvitet e me gjasë me shqiponjën dykrenore në të dyja imazhet megjithëse ngase janë bardh e zi, në njërën syresh duket vetëm një flamur i zi.

Paria mban kapele republike, bereta, kapele dielli, e të tjerë mbajnë kapele të thjeshta deri te ato të uniformave ushtarake. Një grusht njerëz për nder të mbretit, disa me bastunë e gjyzlykë, disa me sandale e pantallona të shkurtra. Gra nuk ka, ose nuk duken, ose festat e këtij soji qenë veç për burra.

Kur mbreti kërkonte që Saranda të quhej Zogaj (Historia) Read More »

Syrja bej Vlora ishte ndër të parët që u përpoq për shpalljen e pavarësisë me ndihmën e Austrisë …

Syrja bej Vlora, i ati i Eqrem bej Vlorës, i vëllai i ish-Kryeministrit Osman Ferit pashës, ka qenë figurë me ndikim tek qarqet politike evropiane. Ai e përdori këtë ndikim në të mirë të mëvetsis së Shqipërisë.

Më 1912, kur Perandoria Osmane po shpërbëhej, Syrja bej Vlora ishte ndër të parët që u përpoq për shpalljen e pavarësisë me ndihmën e Austrisë. Intervista e mëposhtme e Syrja beut është botuar në gazetën e Bukureshtit, Universul, të datës 25 nëntor 1912, vetëm tri ditë para se Ismail Qemal Vlora të shpallte pavarësinë e Shqipërisë.

“Syrja bej Vlora, diplomat kalibri evropian: Intervista që u dha tri ditë para ngritjes së flamurit në Vlorë”

Ja deklaratat që bëri mbrëmë lideri shqiptar, i cili pranoi të më presë në pallatin e tij në Pera (të Stambollit) dhe të bisedojë me mua:

SYRJA VLORA:Dje më priti në audiencë ministri i Brendshëm dhe pastaj veziri i madh. I pari më deklaroi se qeveria është e gatshme të japë gjithçka për një Shqipëri autonome. I dyti, me të cilin pata edhe bisedën më të gjatë, më deklaroi se është absolutisht me mendimin e shqiptarëve, që Shqipëria duhet të jetë autonome, por do ta bëjë këtë pasi të jetë këshilluar me kolegët dhe do t’ia paraqesë çështjen për miratim Padishahut, i cili do të udhëzojë sesi duhet vepruar.

Siç e shikon, ngurrimi tradicional i burrave të shtetit turk nuk mungon as në çastet më kritike, kur ngjarjet ndodhin me shpejtësi marramendëse, sepse derisa të vijë miratimi nga Padishahu, Shqipëria do të jetë gllabëruar plotësisht nga pushtuesit ballkanikë. Që këtej del edhe vërtetësia e thënies se diplomati më i mirë është bajoneta.

GAZETA UNIVERSUL: Çfarë kuptoni me Shqipëri autonome?

SYRJA VLORA:Unë, si gjithë udhëheqësit shqiptarë, që interesohen për fatin e Shqipërisë, kam qenë dhe jam kundër autonomisë. Ne kërkojmë shpalljen e Shqipërisë shtet të pavarur nga çasti kur nuk është më e mundur të ruhet statukuoja e paraluftës në Turqinë evropiane.

GAZETA UNIVERSUL: Më duket se jo të gjithë shqiptarët e duan pavarësinë e Shqipërisë…

SYRJA VLORA: Po, keni të drejtë. Janë disa që duan të jenë shtojcë e Greqisë dhe shumica e tyre janë të krishterë ortodoksë. Të tjerët, janë ata që nuk gjejnë shpëtim përveçse te Kalifati dhe Sheriati, por nuk duhet harruar se të gjithë shqiptarët e vërtetë, pa dallim feje, e sidomos katolikët dhe gjithë intelektualët e larguar – dhe tek ata qëndron e gjithë forca e Shqipërisë – besojnë se nuk ekziston tjetër shpëtim përveçse shpallja e një shteti të pavarur.

Kjo është edhe bindja ime. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi mbështetjen e Aleancës Treshe dhe në veçanti të Austrisë katolike dhe apostolike, e cila edhe me rrezikun e një lufte nuk do të lejojë që Shqipëria të ndahet mes pushtuesve.

Në qoftë se Madhëria e Tij, veziri i madh Qamil Pasha do të më kishte dëgjuar që në fillim dhe do ta kishte shpallur Shqipërinë autonome, të gjithë malësorët shqiptarë, që sot luftojnë krahas malazezëve për qytetin e rrethuar të Shkodrës, do të ishin kthyer tani në shtëpitë e tyre për të treguar se me ç’guxim të madh rezistoi armiku.

GAZETA UNIVERSUL: A mund të na thoni se cilët janë udhëheqësit e shtetit të ardhshëm shqiptar?

SYRJA VLORA:Sipas meje, udhëheqësit e një Shqipërie etnografike janë të shumtë dhe do t’i shndërronin në hiç sukseset e serbëve në veri e lindje dhe të grekëve në jug dhe perëndim, por Shqipëria, ashtu siç është delimituar në kabinetet e Vjenës dhe të Romës, është një territor i kufizuar në veri nga Mali i Zi, në perëndim nga Deti Adriatik dhe me një vijë vertikale që fillon nga Prizreni. Italia dhe Austria garantojnë se i gjithë bregdeti Adriatik, deri përtej portit të Sarandës, do t’i mbetet Shqipërisë.

Austria garanton gjithashtu edhe Pazarin e Ri dhe që serbëve nuk do t’u lejohet dalja ne det e as pushtimi i një pëllëmbe të vetme territori. Me pak fjalë, shqiptarët i kanë varur shpresat në mbështetjen e vyer dhe të dobishme të Austrisë dhe të gjithë botës katolike, e cila nuk e sheh me sy të mirë pushtimin greko-sllav të një toke të zotëruar prej mijëra vjetësh nga raca shqiptare.

GAZETA UNIVERSUL: Ç’mendoni për jetëgjatësinë e Lidhjes Ballkanike?

SYRJA VLORA:Lidhja Ballkanike është krijuar që prej një viti dhe do të zgjasë derisa koalicioni të bëhet zot i të gjithë Turqisë evropiane. Sukseset e tyre besoj se i detyrohen edhe rënies së pritshme të Janinës dhe të Shkodrës…

Që ta mbyll, ne shqiptarët e kishim parashikuar këtë katastrofë dhe me kohë i kishim paralajmëruar dhe këshilluar qeveritarët të ishin më të sinqertë dhe më të shpejtë në zbatimin e reformave të vërteta, jo vetëm në letër. Por, fatkeqësisht kemi folur kot. Mëkat që edhe sot, kur gjenden përballë një fakti të kryer, pra kur Turqia evropiane është pushtuar nga aleatët, qeveritarët ngurrojnë të marrin masa për të shpëtuar aq sa mund të shpëtohet. Ndoshta ka qenë e shkruar që Perandoria Osmane, ashtu si ajo Bizantine, të bjerë nën barrën e mëkateve të bijve të saj.

Me këto fjalë plot hidhërim e mbylli intervistën lideri shqiptar.

Syrja bej Vlora ishte ndër të parët që u përpoq për shpalljen e pavarësisë me ndihmën e Austrisë … Read More »

Dibrani që guxoi dhe i tha të vërtetën në sy Enver Hoxhës: Po vret popullin, po i kthen në skllevër

Të paktë ishin ata burra shqiptarë që guxuan dhe i dolën kundër Enver Hoxhës. Fati i tyre dihej. Pushkatim, me ose pa gjyq!

Por kishte edhe nga ata që guxuan më shumë duke i shkruar një letër ish-diktatorit duke i plasur në sy të vërtetën e krimeve të komunizmit.

Edip Tërshana, u pushkatu më 18 janar të 1948. Ai u bë simbol kundër diktaturës së Enver Hoxhës.

Letra thuhet se u gjet në xhepin e tij nga hetuesi por fatmirësisht u ruajt.

Tërshana i shkruan Enver Hoxhës se është kundër diktaturës e cila po vret popullin shqiptar. Ai e akuzon edhe për bashkëpunimin me Jugosllavinë, ku sipas tij Hoxha ia fali Kosovën.

Ja letra e plotë:

Enver! Ideali Kombëtar më ka ba që jam kundra Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Unë isha në Dibër krijuesi i saj. Lëvizja Nacional Çlirimtare është në tradhëti e Atdheut, se jo vetëm që hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomisht. Sot organizatorët Sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetnore dhe para shtetnore. Kjo është tradhti. Sot politika e jashtëme e juaj sllave,ka shkaktuar që UNB të jetë kundër nesh, humbin shumë miq; kjo është Tradhti.

Jam kundra për vrasjet me Gjyq dhe pa Gjyq, që i bëhen këtij Populli, pse kështu don sllavi. Për 20000-30000 shqiptarë që dergjen në burg se s’janë “Komunista” sllavë. Kjo është tradhti. Jam kundra se e plaçkiti. Ky është pushteti, që varfënoi tregun shqiptar për të vesh klyshët e Rusisë dhe e la popullin byth-lakuriq, ndërkoh, qëne kishim për 20 vjet rresht –mbathje, kjo është pra tradhtia.

Jam kundra këtij Pushteti, se është spekulator tue grabit popullin me Ligj dhe mallin e sekuestruar nga tregëtarët po ja shet ma shtrejt se ç’e kishin ata, duke lanë në rrugë një numër familjesh të tregtarëve, kinse spekullatorë. Kurse Pushteti është më spekullator, se ja mori misrin 10 lekë e ja shiti 11.50; ja mori grunin 10 lekë ja shiti 15, mori duhanin 15-20 Fr, ja shiti 100-120 Fr.

Mallin e U.N.R.A.S nuk e pa populli, se një pjesë e madhe e tij, shkoi në Rusi e te Titua. Kjo është tradhti. Jam kundra se për dy vjet kemi shpenzuar dy miliard e disa milion Fr.shq për të ushqyer Pecot e amshorët e Frontit. Sot thuhet gjithçka për Pushtetin, ndërsa dje Nacionalistat thonin gjithçka për Atdheun. A nuk janë tradhëti këto?

Jam kundra thirrjeve “Jemi bij të Stalinit”, sepse e ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë, sa kur përmend Stalinin të gjithë ngrihen në këmbë. Jam kundra, se injoranca s’don kulturën: kështu duan sllavët.Kjo bësoj është tradhëti. Jam kundra, sepse s’ka liri fjale e shtyp të lirë. Ka vetëm terror. Kjo është shqiptarizëm: të rrojnë të Frontit, të tjerët të vdesin?

Jam kundra, se në historinë për shkollat Unike thuhet: Ballkani në kohët e lashta banohej prej grekëve e maqedonasve e se ilirët e lavdishëm u zhdukën. Kështu i shërbejmë imperializmit sllav. Pjetri tha: Rusia duhet të ketë tre sy: Vlladivostok, Petrograd e Durrës dhe dishepullli i tij Stalini me pushtetin tradhtar të sotshëm në Shqipëri, ja mbrriti dhe tek ne kësaj ëndrre.

Jam kundra, se grabitni teshat e “reaksionarëve”, si i quani ju pra grabit dhe ha. Kësaj i thonë me vjedh lirisht. Jam kundra, se oficerët të Mbrojtjes këtu në Dibër, arrijnë me grabit gratë e botës, me grabit karriollat e teshat shtëpiake e askush nuk tha ndal. Kjo është poshtërsi. Jam kundra, se tregtia, toka dhe nëntoka, Ekonomia Kombëtare janë në dorë të sllavëve. Njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare, a s’është kjo tradhti e naltë?

Enver!

Tue i çfaq këto, tue qenë i vendosur me Idealin Kombëtar, unë kam qenë, jam kundra Pushtetit e këtë ja kam vu në dritë popullit, i cili e ka pa dhe pranue, se 95% është kundra Pushtetit. Revoltën veç terrori i madh e mbanë. Pret nënë e mjerë, pasi i jati do të vrasë të birin e të bijën e vet. Edhe kjo është tradhëti e pushtetit popullor.

Ky Pushtet futi përçarjen toske e gegë, katolikë e ortodoksë, myslimanë e ortodoksë, pra tradhëti e naltë. More të mjerë, ju ka verbu fanatizma e ideologjisë dhe nuk shifni faktin që po i bëni popullit varrin. Këtë varr, jeni tue ja ba Atdheut dhe me politikën tuaj të jashtme. A s’është tradhëti?

Rroftë Ideali Kombëtar!

Rroftë Shqipëria me Kosovën, që ju ja falët Jugosllavisë!

Rroftë Populli Shqiptar!

Rroftë Flamuri Kombëtar i panjollosur! 22.11.1947

Dibrani që guxoi dhe i tha të vërtetën në sy Enver Hoxhës: Po vret popullin, po i kthen në skllevër Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com