Histori

Si përfunduan armët e Skënderbeut në Vjenë ?

Shqipëria ka famën se është vendi i “Atletit të Krishtërimit”, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, por në arkivat e saj nuk ka asnjë relike origjinale të tij. Përkrenarja dhe armët ndodhen në Vjenë, një vulë që mendohet se është e tij, gjendet në Danimarkë, ndërsa në Krujë dhe në Tiranë pak gjëra, më shumë imitime. Por cila është historia e relikeve të Heroit Kombëtar, si përfunduan ato në Vjenë gati 300 vjet më parë.

Një histori që zgjatet prej pesë shekujsh dhe që debatet për të nuk mungojnë edhe sot. Historinë e rrugëtimit të relikeve e ka zbuluar 72 vjet më parë, Leo Alexander Freundilich, një austriak i apasionuar pas historisë së Shqipërisë. Por më shumë se relike tashmë ato janë pjesë e identitetit kombëtar. Përkrenarja me kokën e dhisë që mbante Skënderbeu është një simbol i huazuar nga legjendat e Pirros së Epirit dhe Aleksandërit të Madh. Ajo është me metal të bardhë dhe me një rrip (ruban) të larë me ar.

Ndërsa sipas historianëve Skënderbeu ka përdorur dy shpata. E para i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e vitit 1466 dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85.5 centimetra dhe e gjerë 5.7, peshon 1.3 kg. E dyta është model turk, është 121 cm dhe peshon 3.2 kg. Kjo e fundit gjendet së bashku me përkrenaren në muzeun e Historisë në Vjenë.

Historia e armëve sipas Leo Alexander Freundlich
Historinë se si armët përfunduan në Vjenë e jep konsulli i Shqipërisë në Austri gjatë Mbretërisë së Zogut, Leo Alexander Rfeundlich. Në Arkivin e Shtetit në dosjen e Skënderbeut gjendet një shkrim ku tregohet historia e udhëtimit të tij. Artikulli i Freundlish, një njeri i pasionuar pas historisë së Shqipërisë, përdor rrëfimin e drejtorit të mbledhjeve të Muzeut Historik të Vjenës për të treguar të vërtetën e armëve të Skënderbeut. Sipas tij, për herë të parë këto objekte janë përmendur në vitin 1578.

Në krahun e djathtë ai mban lart shpatën e zhveshur nr. 345 (550) dhe poshtë në tokë afër këmbës së majtë qëndron elmi nr. 71 (127). Në kokë mban një beretë. Objektet që janë pikturuar në fotografi i ngjajnë shumë atyre në origjinal që ndodhen në muzeun e Artit Historik të Vjenës.

Shihet qartë që këto dy objekte njiheshin që në vitin 1601 si sendet e Skënderbeut. Ja një përshkrim i imët mbi dy shpatat e mbi përkrenaren: Në sallën XXV Nr.71/127 ndodhet një përkrenare e shtrirë në një piedestal të ulët, e cila duhet të jetë prerë si mbas stilit italian. Në majë të përkrenares janë vendosur kryet dhisë, por asht fiksue mirë. Përkrenarja përbëhet prej dy pjesëve, një pjesë prej bakri dhe pjesa tjetër sipër me një copë metali buzët e secilës janë zbukuruar me ar. Syve të dhisë u mungojnë gurët.

Akoma duket vendi bosh, i cili të jep të kuptosh se brenda kanë qenë vendosur gurë. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri. Në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: I.N.P.E.RA.TO.RE.BT. Ky shkrim është shumë i vështirë për t’u kuptuar çfarë thotë. Deri më tani e kanë deshifruar si: “Jesus Nazarenus Principi Emathiae Regi Albaniae Terrori Osmanoru Regi Eperi Benedicat”.

Pesha e përkrenares është 3000gr.
Kjo përkrenare është një “unikum”, i vetmi e i veçantë që gjendet në muzeun dhe i përket artit të punimit të metalit në stilin gotik të vonshëm. Përpara së gjithave kjo përkrenare në pikëpamjen estetike është një vepër e mrekullueshme dhe i ka hije vetëm një burri të fuqishëm të fortë e me vullnet të hekurt.

Shpata që ndodhet në sallën XXVII, rafti V.Nr.345(550) është e gjatë 88.5 cm e gjerë 57 cm, me dy tehe dhe me një formë të drejtë dhe në një vend të kthyer përmban disa shkronja latine. Prej këtyre shkronjave lexohen këto fjalë: “Heroi i perëndisë, Iskander Beg”.

Doreza është e përbërë prej druri të mbështjellë me lëkurë, pesha e kësaj shpate asht 1300 gr. Shpata me dorezë është e veshur me lëkurë shagreni, ka nga anët e jashtme 4 arabeska të thella, tre rripa për hijeshim. Anët e jashtme përshkohen prej fildishi dhe në anët e brendshme shohim disa germa të kuqe, të cilat janë shkruar më shekullin e XVI e që përmbajnë emrin “Scënderbeg”. Pesha është 600gr dhe pesha e përgjithshme 1900 gr. Kjo shpatë është e shënuar dhe pikturuar në librin e sekretarit privat të arqidukës së Tirolit, Jakob Schrenckh, “Armametarium heroicum”, në faqet XVI.

Përveç këtyre në sallën e armëve historike të muzeut të Vjenës gjendet dhe një tjetër, e cila quhet si një nga shpatat e Gjergj Kastriotit dhe është shënuar në inventarin mbajtur në vitin 1593. Kjo shpatë të jep të besosh nga pesha e rëndë dhe nga gjatësia se Kastrioti me një të goditur i ndante në dy pjesë trupat e armiqve. Kjo shpatë gjendet në sallonin XXV, rafti II Nr.92(143), gjatësia e saj 121 cm dhe doreza është e zbukuruar me ar dhe me lëkurë. Pesha e saj është 3.2 kg.

Si përfunduan armët e Skënderbeut në Vjenë ? Read More »

Çfarë fsheh Gjiri i Vlorës? Prapatoka në epokën e gurit të vjetër

Nga Prof. MUZAFER KORKUTI

Së bashku me kolegun e vjetër, mjeshtrin e monumenteve Novrus Bajrami, vizituam disa stacione paleolitike të reja dhe u njohëm me gjetjet, veglat e strallit, të zbuluara në këto site.
UJI I FTOHTË
Vizitën e parë, në të cilën na u bashkua edhe prof. Aleks Trushaj, njohësi e studiuesi i vlerave historiko-arkeologjike të Kaonisë, e bëmë në zonën e Ujit të Ftohtë, pikërisht në gjirin e vogël e të bukur që gjendet menjëherë pas tunelit, ku shumë vite më parë kisha zbuluar rastësisht disa vegla stralli të periudhës së paleolitit të mesëm. Duke vazhduar gjurmimin rreth 200-300 m në jug, në një xhep të vogël, që formon përsëri deti, e ku sot punohet për ngritjen e një resorti të ri, në shtresën e dheut me ngjyrë të kuqe (Terra rosa), u gjet një nukleus (bërthamë) stralli me ngjyrë gri me gjurmë të qarta përdorimi, i cili tipologjikisht i takon epokës së gurit të vjetër. Kjo gjetje, së bashku me një vegël tjetër të përgatitur nga strall ngjyrë mjalti, me retush anësor, me gjurmë përdorimi, e cilësisë shumë të mirë, janë vegël tipike për kohën e paleolitit të mesëm. Këto vegla stralli, ndonëse të pakta në numër, por tipologjikisht të përcaktuara qartë, d.m.th. të bëra e të përdorura rreth 30.000-40.000 vjet më parë e të depozituara në një shtresë gjeologjike të përcaktuar kohësisht, provojnë se në këtë buzë deti, me kushte të shkëlqyera gjeoklimatike, ka ekzistuar një stacion paleolitik i rëndësishëm për kohën e gurit të vjetër, e që ruan vlera parësore për të gjitha kohët.
GJORM
Në fshatin Gjorm, në vendin e quajtur Fusha e Frengut, e cila ndodhet rreth 3 km larg qendrës së fshatit, në krahun e majtë të lumit të Shushicës, në një sipërfaqe rreth 400 m2, gjurmimi i kujdesshëm i “gjuetarit të strallave” (N.Bajrami), zbuloi gjurmët e një siti paleolitik të dëshmuar nga gjetja këtu e 10-12 veglave të dallueshme tipologjikisht. Stralli i përdorur për bërjen e veglave është ngjyrë gri, mjalti, krem etj., i cilësisë së mirë. Veçohen për cilësinë e punimit një ashkël tipike e teknikës musteriane, një majë mprehte me retush të thellë anësor, një kruese me retush të thellë e gjurmë të shumta përdorimi. Të gjitha veglat e gjetura në Gjorm i takojnë tipologjikisht periudhës musteriane (paleolitit të mesëm). Me interes të veçantë janë gjithashtu edhe dy vegla stralli që kanë karakteristika të kulturës salutre, kulturë e cila kohësisht i takon paleolitit të lartë.
VAJZË
Në fshatin Vajzë, në vendin e quajtur Brus, rreth 700-800 m larg vendit ku në vitin 1954-1956 janë zbuluar tumat e Vajzës, janë gjetur disa dhjetëra vegla stralli të cilësisë së mirë e që tipologjikisht i takojnë kohës së neolitit dhe kohës së bronzit. Vegla të tilla janë gjetur edhe në varret kur u zbuluan tumat e Vajzës. Me shumë gjasë kemi të bëjmë me të njëjtin rit të varrimit të përdorur edhe në tumat e tjera të vendit tonë, ku në vendvarrim sillej dhé e mbetje të tjera nga vendbanimi. Rit që nënkupton vazhdimësinë e jetës edhe në botën tjetër.
DRASHOVICË
Në Palohor (Drashovicë), dëshmia e aktivitetit të njeriut të gurit të vjetër provohet nga dy vegla masive të bëra nga strall që ruan gjurmë të mellës (shtresa e hollë që mbështjell bërthamën), të cilat kanë retush anësor e të thellë, tipare teknike karakteristike për paleolitin e mesëm.
TRAGJAS
Në vendin e quajtur Kodra e Çure, që ndodhet në periferi të kalasë mesjetare të Gjon Boçarit, gjetjet e mbledhura nga “gjuetari i stralleve” përfaqësohet, nga një ashkël masive me pjesë mëlle, me gjurmë të thella përdorimi, e bërë nga strall ngjyrë gri e cilësor, që provon se në këtë kodër ka pasur veprimtari të njeriut që ka jetuar në epokën e musties (rreth 40.000 vjet më parë).
AMANTIE
Në akropolin e qytetit antik gjetja në sipërfaqe e disa veglave stralli si kruese, shpuese etj., të bëra me strall ngjyrë gri, teknikë cilësore retushimi, janë dëshmi e jetës paraurbane në akropolin e Amanties.
ZVËRNEC
Vendbanimi më i madh e me përfaqësi për epokën e gurit të vjetër, jo vetëm në gjirin e Vlorës, por edhe për territorin e vendit tonë, i zbuluar vitet e fundit në sajë të përkushtimit, vëmendjes e kujdesit të vazhdueshëm të Novrus Bajramit është vendbanimi i Zvërnecit. Ai shtrihet përgjatë bregut, aty ku vija e ujit puqet me tokën saktësisht në mikrotoponimet Dalan i Parë, Porto Nuova e Putanjë, në një brez më shumë se një kilometër të gjatë. Batica vepron çdo ditë mbi rripin e tokës ku shtrihet stacioni dhe pas zbaticës, në rërën e pastër shndrisin veglat e strallit dhe “gjuetari i stralleve” çdo ditë shëtitjen e tij e bën buzë detit ku shtrihet vendbanimi. Dhe koleksioni i stralleve të mbledhura është i jashtëzakonshëm për nga numri (mbi 2000 copë), dhe sidomos për treguesit cilësorë të industrisë litike, prandaj vendbanimi i Zvërnecit, mund të krahasohet e barazohet me kulturat me të zhvilluara paleolitike të Evropës (Musteriane e Salutriane). Studimi e publikimi i gjetjeve të vendbanimit paleolitik të Zvërnecit do të zgjerojë e do të plotësojë ndjeshëm njohjen tonë për epokën e gurit të vjetër jo vetëm për jugun e Shqipërisë, por për tërë trevën e Ballkanit Perëndimor.
Zbulimet e bëra në shpellën e Velçës dhe gjetjet e rastit të bëra në vitet ‘30 të shekullit të kaluar në stacionin mezolitik të Rrëzës së Kanalit (Dukat) dhe të zgjeruara e plotësuar me gërmimet e viteve të fundit nga prof. I. Gjipali; të dhënat arkeologjike për epokën e bronzit e të epokës së hekurit të nxjerra në dritë nga gërmimet e tumave të Vajzës, në vitet ‘50 të shekullit XX, zbulimi dhe interpretimi historik i pikturës shkëmbore prehistorike të Lepenicës, së bashku me shumësinë e siteve paleolitike të zbuluara së fundi në Ujë të Ftohtë, në Gjorm, në Vajzë, në Drashovicë, në Tragjas, në Amantie dhe në kryeqendrën paleolitike të Zvërnecit, dëshmojnë se Gjiri i Vlorës e prapatoka e tij, kanë pasur një zhvillim parësor në prehistori e protohistori, që parapriu zhvillimin cilësor e kulturor të kësaj treve në epokën historike me ngritjen e katër qyteteve antike, Thronionin (Kaninën), Orikumin, Triportin dhe më pas Aulonën.
P.s. Në shkrim të vendoset edhe një vlerësim i shkurtër për N.Bajramin: “Novrus Bajrami, me veprimtari mbi 35-vjeçare si specialist në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, me kujdes të vazhdueshëm e përkushtim ka dhënë një kontribut të veçantë në ruajtjen, zbulimin dhe hulumtimin e vlerave historike, arkitektonike, arkeologjike dhe etnografike. Bashkautor në ngritjen e Muzeut Historik të Vlorës dhe Muzeut të Pavarësisë; zbulues i sitit paleolitik të Zvërnecit”./voal

Çfarë fsheh Gjiri i Vlorës? Prapatoka në epokën e gurit të vjetër Read More »

Vlorë: Biblioteka e Eqrem Bej Vlorës, një ndër më të mëdhatë në Ballkan

Mes pasurive të Eqrem Bej Vlorës studjues dhe hulumtues i mjaft momenteve të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, ishte biblioteka e famshme, e cila u dëmtua pas vitit 1944. Kjo bibliotekë e vendosur në sarajet e familjes Vlora, e njohur ndryshe me emrin “Shtëpia e Beut”, në qendër të qytetit, ishte e krijuar nga pinjollët e familjes Vlora, ndër më të njohurat në Shqipëri.
Studiuesi vlonjat, Fahri Shaska, thotë se, biblioteka ishte ndër më të mëdhatë në Ballkan në dekadat e para të shekullit XX. “Prej saj u zhdukën vlera të jashtëzakonshme”, sqaron Shaska. Sipas tij, përveç një numri të jashtëzakonshëm titujsh, në këtë bibliotekë, përfshiheshin dokumente të rralla. Mes tyre, ai përmend një ditar të shënimeve të Hoxhës të fshatit Armen, Sali Efendiut, e vitit 1757; shënimet e Hafës Zenel Efendiut, nga Armeni, që përkojnë me vitin 1768; përmbledhje e kopjeve të letërkëmbimit të Ismail Pashë Velebishtit, me njerëzit më të shquar të Vlorës; letërkëmbimin e Çelo Picarit me Ismail Beun; shënimet historike “Mbi “oxhaqet” e Shqipërisë, e Azem Bej Janinës, e vitit 1889; dy libra të shtypura në shtypshkronjën e Voskopojës, në vitet 1720-1769, korrespondencë e pinjollëve të kësaj familjeje me shkrimtarin Dyma etj.

Në vitin 1914, në bibliotekën e Eqerem Bej Vlorës ndodhej një fond prej 14640 vëllime në gjuhët arabisht, turqisht, gjermanisht, italisht, greqisht, shqip. Në të kishte dorëshkrime të rralla arabe, libra fetarë si Kurani, Bibla etj.

-Biblioteka u shkatërrua në 1944-

Çlirimi i qytetit të Vlorës në 15 tetor të vitit 1944, shënoi edhe fillimin e procesit të dëmtimit pa kthim të bibliotekës së njohur të familjes Vlora. Pinjolli i saj, Eqerem Bej Vlora, u largua jashtë vendit, ndërkohë që banesa dykatëshe ku ndodhej biblioteka, në qendër të qytetit u bastis. Gjithçka u dëmtua dhe pakkush pyeste për ata libra të rrallë që griseshin e shkatërroheshin. Por, mes atyre që ndodheshin gjatë kontrolleve në mjediset e banesës së Vlorajve, që sot njihet me emrin Shtëpia e Beut, kishte edhe nga ata që mendonin se ata libra kishin një vlerë të madhe dhe mund të duheshin një ditë. Mes tyre ndodhej edhe një ushtarak i cili tërhoqi një numër të konsiderueshëm titujsh të vjetër. Ai i ruajti ata në banesën e tij, për vite me rradhë, ndërkohë që, pas vdekjes, ja la vëllait të vet. “Sot këta libra ndodhen në fshatin Vuno, në banesën e vëllait të ish-oficerit, që është në emigracion”, tregon Shaska, ndërkohë që për arsye etike nuk përmend emra. Ai thotë se, rastësisht ka rënë në gjurmë të këtyre librave të cilët janë botime të rralla të dy shekujve më parë.

Megjithatë, pavarësisht atyre që ndodhën, një fond prej rreth 2000 librash e dorëshkrimesh të fushës së albanologjisë, u shpëtuan dhe u përfshinë në fondin e bibliotekës publike “Shevqet Musaraj” të qytetit, ku ndodhen edhe sot. Ato u vendosën në këtë bibliotekë në 22 gusht të vitit 1946, që shënon themelimin zyrtar të këtij institucioni. Duke filluar nga viti 1974, gjatë 10 vjetëve, banesa e Eqerem Bej Vlorës, shërbeu edhe si bibliotekë duke krijuar kështu një lidhje simbolike mes dy periudhave të ndryshme, të pangjashme me njera-tjetrën./ATSH-Harilla Koçi

Vlorë: Biblioteka e Eqrem Bej Vlorës, një ndër më të mëdhatë në Ballkan Read More »

Porta nga kaloi qytetërimi në mesjetën shqiptare ishte Arkitektura Ilire

Veprat më të rëndësishme të artit që njihen në Shqipëri nga shekujt e mesjetës i përkasin arkitekturës. Kjo shpjegohet me faktin se arkitektura ishte e lidhur me nevojat e jetës së përditshme, me banimin, mbrojtjen e vendit si edhe me nevojat e forcave politike drejtuese të kohës për vepra monumentale…

Gjatë periudhës së mesjetës, përgjithësisht, në fushën e arkitekturës u bë një përparim i ndjeshëm në teknikën e ndërtimit. Shek. VI karakterizohet nga ndërtime masive në territorin e Shqipërisë që përfshihej në provincat e dy Epirëve dhe Prevalitanës. Mbizotëruan kryesisht ndërtimet me karakter mbrojtës, që synonin t’u bënin ballë sulmeve

Veprat më të rëndësishme të artit që njihen në Shqipëri nga shekujt e mesjetës i përkasin arkitekturës. Kjo shpjegohet me faktin se arkitektura ishte e lidhur me nevojat e jetës së përditshme, me banimin, mbrojtjen e vendit si edhe me nevojat e forcave politike drejtuese të kohës për vepra monumentale. Përveç kësaj monumentet e arkitekturës kanë mundur t’u qëndronin më mirë dëmtimeve të kohës sesa veprat e tjera të artit, që u shkatërruan nga luftërat e shumta.

Gjatë periudhës së mesjetës, përgjithësisht, në fushën e arkitekturës u bë një përparim i ndjeshëm në teknikën e ndërtimit. Shek. VI karakterizohet nga ndërtime masive në territorin e Shqipërisë që përfshihej në provincat e dy Epirëve dhe Prevalitanës. Mbizotëruan kryesisht ndërtimet me karakter mbrojtës, që synonin t’u bënin ballë sulmeve avaro-sllave. Perandori bizantin Anastasi I (491-518) fortifikoi qytetin e tij të lindjes, Durrësin, me tri radhë muresh, ndërtoi kështjella dhe riparoi mure qytetesh.

Periudha e Justinianit I (527-565) ishte më intensivja në fushën e ndërtimeve, sidomos të atyre me karakter ushtarak. Përveç tyre ai ndërtoi shumë kisha, ujësjellësa etj. Këtë veprimtari e bën të njohur në veprën e tij Mbi ndërtimet historiani i Justinianit, Prokopi i Qezaresë. Por gjithë këto ndërtime pjesërisht nuk janë ruajtur, ndërkaq shumica e emrave të vendeve të përmendura nga Prokopi është vështirë të identifikohen me emrat e rinj.

Porta nga kaloi qytetërimi në mesjetën shqiptare ishte Arkitektura Ilire Read More »

Koculi një nga fshatrat më të vjetër dhe historikë të krahinës së Labërisë !

Koculi është një fshat në rrethin e Vlores të Shqiperise.

Koculi është një nga fshatrat më të vjetër dhe historikë të krahinës së Labërisë. Një vendbanim i hershëm Ilir, në Kocul janë gjetur objekte të ndryshme arkeologjike të cilat ndodhen ne Muzeun Etnografik në Vlorë dhe Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Këto objekte i përkasin periudhës së hershme të Epokës së Gurit.

Koculi ndodhet midis dy fortifikimeve të vjetra romake; Kalasë së Treblovës dhe Qytezës në Rexhepaj.  Koculi i vjetër gjendet në “Qafën e Mures” dhe ka qenë një qytezë tregëtare për zonën. Duket se Koculi ka qenë vazhdimisht i banuar. Gjatë perandorisë otomane Koculi ishte një qendër e rëndësishme tregtare për zonën dhe quhej nga zona e Labërisë si Stambolli i Vogël.

Sipas historisë së fshatit në Kocul familjet e vjetra kane qenë Gjatajt, Idrizajt, Pashajt, dhe Malajt. Gjatajt janë familja e Osmën Haxhiut e cila më vonë u shpërngul në Armen. Fiset e Pashajve dhe Malajve rrjedhin nga një trung familjar dhe u përkasin dy vëllezërve Pasho (Pashaj) dhe Malo (Malaj).

Qazim Kociu ose Qazim Koculi sic njihet më gjerë i përket fisit të Malajve.

Fisi i Pashajve ndahet në 4 degë: Zagolli (ose Pashajt e sotëm), Shaska (nga rrjedh fisi Shaska), Aliu (nga pasardhësit e ti cilit ka edhe me mbiemër Shaska edhe Pashaj), dhe Nuredini i cili ka qenë kajmekam i Turqisë në Egjipt dhe nuk ka lënë pasardhës.

Në vitin 1903 familja Shaska mbaroi në Kocul ndërtimin e shtëpisë së tyre e cila sipas documentave të asaj kohe ishte shtëpia më e madhe e Shqipërisë së Jugut. Ndërtimi i kësaj shtëpie zgjati 28 vjet dhe gjithë guri i shtëpisë u transportua nga 100 mushka prej Drashovicës.

Koculi ishte nga fshatrat që mbështetën fuqimisht pavarsinë e Shqipërisë dhe në vitet e para të pavarsisë Duro Shaska ishte komandanti kryesor në luftën kundra rebelëve të Haxhi Qamilit.

Në komision e Luftës së Vlorës, kishte 3 koculas nga 12 anëtarët e komisionit. Këta ishin Duro Shaska, Qazim Kociu (Koculi), dhe Osmën Haxhiu (me origjinë nga familja Gjata nga Koculi).

Ne vitin 1924, pas vdekjes së Duro Shaskës, i vëllai Hate Shaska në kujtim të vëllait, ndërtoi me fondet e tij Xhaminë e Koculit e cila ishte një ndërtesë mjaft impresionuese. U prish në vitin 1982.

Koculi ka pasur personazhe mjaft të spikatur në historinë e Shqipërisë. Me një bukuri të rrallë, pronat e Koculit fillonin nga Trubulli  në bregun e Vjosës  (kufi me Rromësin dhe Karbunarin) deri në Kropisht (duke përfshirë Gërnecin dhe Vllahinën), dhe vazhdonin deri në kufi me Vezhdanishtin dhe Peshkopinë.  Fshati ka pasur marrëdhënie nëpërmjet krushqive me zonën e Kurveleshit, me Mallakastrën, dhe me zonën e Tepelenës.

Bijtë e bijat e Koculit sot janë të shpërndarë në vende të ndryshme të Shqipërisë dhe të botës. Ata ndihen krenarë për historinë e tyre të lashtë dhe kontributin që të parët e tyre kanë dhënë për Shqipërinë.

Rezultate imazhesh për foto fshati kocul vlore

Rezultate imazhesh për foto fshati kocul vloreRezultate imazhesh për foto fshati kocul vloreRezultate imazhesh për foto fshati kocul vlore

Koculi një nga fshatrat më të vjetër dhe historikë të krahinës së Labërisë ! Read More »

Gjergj Kastrioti figura më emblematike shqiptare

Gjergj Kastrioti- Skënderbeu edhe sot mbetet figura më emblematika e historisë shqiptare.

Sot gjatë ditës është mbajtur manifestimi për “Ditët e Skënderbeut”, në rastin e shënimit të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu, gjatë këtij manifestimi tha se figura e Skënderbeut, mbetet shembull unik i frymës së bashkimit.

Ai foli edhe për personalitetin e Skënderbeut.”Ishte njeriu që karshi sfidave të mëdha që kishte dhe kohëve te renda, posaçërisht të përballjes me një perandori të fuqishme që kishte miliona km të nënshtruara, të gjejë forcë, guxim, energji që të arrijë pikërisht zenitin kulmor të përballjes më të suksesshme të kohës”.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, tha se me emblemën e Skënderbeut, po trokasim në portat e Evropës së bashkuar.

Gjergj Kastrioti- Skënderbeu lindi në vitin 1403. I përkiste familjes së Kastriotëve. I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Vdiq më 17 janar 1468, në Lezhë./albinfo

Gjergj Kastrioti figura më emblematike shqiptare Read More »

Plani i amerikanëve për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës për 9 muaj, vizita e fshehtë e ish-diktatorit në Moskë dhe eleminimi i Beqir Ballukut

CIA parashikonte të rrëzonte regjimin komunist të Enver Hoxhës për 9 muaj. Gazeta ”SOT” ka siguruar një dokument të deklasifikuar së fundmi, ku tregohet plani i amerikanëve kundër regjimit. Aty parashikohej që operacioni për rrëzimin e Hoxhës të zgjaste për 9 muaj. Ndërkohë tregohet dhe për një vizitë të tij në Moskë në mënyrë të fshehtë.

10 qershor 1949
Trajnimi

Prej 1 korrikut do të nisim trajnimin e një grupi prej rreth 50 agjentë për operacione në Shqipëri. Agjentët do të jenë shqiptarë dhe do të stërviten në mënyrë të tillë që të mos tregojnë se janë trajnuar nga amerikanët apo nga britanikët. Po hasim disa vështirësi në gjetjen e vendit për kampin e stërvitjes dhe mendojnë të vendosemi në Maltë. Bashkë me kampin e stërvitjes do të krijojmë një bazë të specializuar me britanikët në Korfuz. Deri në 1 shtator ne planifikojmë të kemi nisur infiltrimet e grupeve të vogla të agjentëve të pajisur me radio-transmetues. Hyrja e tyre do të bëhet nga bregdeti ose nga kufiri grek. Misioni i tyre do të jetë krijimi i kontakteve me grupet opozitare në Shqipëri, organizimi i tyre dhe demonstrimi se është koha e duhur për nisjen e operacioneve guerile dhe për ndihmat në armë e para.

Ne besojmë se fushata e infiltrimit do të na japë deri në nëntor një ide të qartë nëse revolta e armatosur do të jetë e suksesshme apo jo. Nëse raportimet janë të favorshme, atëherë deri në pranverën e ardhshme do të kemi nisur revoltën. Ajo do të ketë si bazë forcën e vogël të emigrantëve shqiptarë por për vendime të mëtejshme duhet të presim deri në vjeshtë.

Ne parashikojmë një periudhë prej nëntë deri në 18 muaj deri në arritjen e suksesit. Ne po marrim në konsideratë gjithashtu operacione dytësore siç mund të jenë veprimet për shtypjen e ekonomisë shqiptare me anë të lëshimit të parave fallto. Kjo do të ishte një detyrë e lehtë pasi të kemi hyrë fizikisht në vend.

Së dyti, sipas informacioneve tona ndihmat ushtarake ruse për Shqipërinë vijnë me anije polake që lundrojnë nga Balltiku deri në Adriatik prandaj në të ardhmen, ne mund të ndalojmë këtë trafik. Ne kemi zgjedhur ndërkohë komandantin në terren për operacionin shqiptar dhe ai tashmë është nisur drejt Mesdheut. Kostot e operacionit nuk mund të llogariten me saktësi në këtë kohë, por pritet të jenë nga 200 000 deri në 1 milionë dollarë. Faktori kryesor këtu është kohëzgjatja e operacionit dhe masa e parave që duhet të shpenzojmë.

Por eliminimi i bazës shqiptare për guerrilasit grekë do të ishte lirë me vetëm 1000 000 dollarë. Përfaqësuesit tanë në terren na kanë udhëzuar të mbajmë kontakte të ngushta me përfaqësuesit amerikanë ushtarakë e civilë në Greqi. Ne e kuptojmë se është thelbësore të veprojmë me rrjedhshmëri dhe pa zhurmë, dhe në koordinim me ekzekutuesit e politikës së hapur amerikanë.

Në këtë operacion ne nuk kemi llogaritur përdorimin e burimeve të stabilimentit ushtarak. Por me zhvillimin e ngjarjeve mund të kërkojmë asistencë të kufizuar ajrore ose detare. Ne nuk do ta bëjmë këtë përveç kur të jemi të bindur që nuk ka kompromise të tjera dhe propozimet do të pranohen në Uashington.

Konkluzion

Në këtë operacion theksojmë se karakteristikat kryesore janë siguria dhe fleksibiliteti. Me sipërmarrjen e këtij operacioni ne nuk kemi asgjë për të humbur përveç investimeve në kohë, përpjekje dhe personel, të cilat gjithsesi mund të ndërpriten në çdo kohë nëse mendojmë se mund të kenë arritur në pikën e zvogëlimit të shpërblimit apo të kompromentimit të suksesit.

Si minimum i suksesit, ne do të kemi shkaktuar trazira në bazën shqiptare të mbështetjes së guerrilasve komunistë grekë. Nëse kemi sukses të plotë do të kemi eliminuar të gjitha grupet e imperializmit komunist dhe do i kemi dhënë Bashkimit Sovjetik një goditje të rëndë që do të jehojë përtej Perdes së Hekurt, po aq fuqishëm sa dhe herezia e Titos apo heqja e bllokadës së Berlinit.

Dhjetor 1949

Vizita e Hoxhës në Moskë

Mësohet nga burime të sigurta se kryeministri shqiptar Hoxha u kthye më 15 dhjetor në Tiranë pas një qendrimi prej një muaji në Moskë. Sipas burimeve të informuara ai ka diskutuar me udhëheqësit rusë situatën pas likuidimit të luftës civile në Greqi, e cila tashmë e lë të izoluar Shqipërinë nga satelitët e tjerë të BRSS. Hoxha shoqërohej në takim nga ministri sovjetik në Shqipëri dhe gjithashtu raportohet të ketë kërkuar rritje të ndihmës sovjetike për Shqipërinë. Ambasada amerikane në Moskë nuk mund të konfirmonte vizitën e Hoxhës në Moskë, por shtypi sovjetik raporton se zonja Hoxha ka përfaqësuar Shqipërinë në një sesion të këshillit të grave të vendeve socialiste demokratike të sapombajtur në Moskë. Është gjithashtu e mundur që megjithëse nuk është përmendur, Hoxha të ketë marrë pjesë në takimin e vendeve të Kominform në Hungari.

Ambasadori francez në Moskë nuk ishte në gjendje të konfirmonte zhurmat por vizitën e Hoxhës dhe ambasadori shqiptar në Moskë ka mohuar të ketë pasur vizitë. Ndërkohë një raport nga Londra për gazetën greke “To Vima” thoshte sa më poshtë: Një raportim i besueshëm thotë se subjekti Hoxha po negocion me jugosllavët daljen nga Kominform dhe rinisjen e miqësisë së vjetër me Titon. Një lajm nga Parisi për gazetën greke Akropolis” më 15 nëntor 1949, Kominform ka akuzuar subjektin për titizëm. Kjo akuza e çuditi atë pasi konsiderohej si i preferuari i Kremlinit.

Por indinjata ndaj Moskës është e manifestuar në Shqipëri. Subjekti, megjithëse e përçmon Titon tani nuk konsiderohet më si i preferuar. Paralajmërimet e para për të nga Moska erdhën kur iu kërkua ndihmë për përforcimin e guerrilasve komunistë të Markos në Greqi dhe u akuzua për neglizhencë dhe mendjengushtësi për herë të parë në jetën e tij. Më vonë subjekti mori një tjetër paralajmërim, kur u urdhërua të dilte para udhëheqësve të Kominform në Moskë.

Por ai nuk iu bind urdhrave të Moskës dhe pranoi ftesën e Titos për të ardhur në Jugosllavi, për të diskutuar çështje se blerje e magnezit, plumbit dhe fosforit. Disa ditë më parë subjekti u takua me Mosa Pijade, i cili kishte ardhur në Tiranë me porosi nga Tito. Në këtë takim Pijade propozoi rihapjen e kufijve Shqipëri-Jugosllavi, rinisjen e marrëdhënieve tregtare, dhe një takim Hoxha-Tito në një pikë në kufirin mes dy vendeve.

Kur Moska u informua për këto propozime, Vishinski i cili ndodhej në asemblenë e OKB në Nju Jork, u takua privatisht me përfaqësuesin jugosllav atje Kardejl, dhe ditën tjetër nisën fishekzjarrët. Një telegram u dërgua nga Moska në Tiranë ku Kremlini akuzonte subjektin si tradhtar të komunizmit dhe i kërkonte të tërhiqej menjëherë nga pozita e tij si komandant i ushtrisë së Shqipërisë dhe të zëvendësohej me dikë tjetër. Por subjekti nuk kishte dëshirë të dorëhiqej dhe me anë të përfaqësuesit tëtij iu përgjigj Moskës se gjithmonë kishte qenë besnik ndaj demokracisë së popullit dhe ishte i gatshëm të pendohej. Situata qëndron kështu dhe aktualisht.

Eliminimi i Ballukut

Më 28 dhjetor 1952 Radio-Beogradi njoftoi se me eliminimin e Beqir Ballukut, tashmë nga komiteti qendror i partisë komuniste të Shqipërisë prej kohës së luftës mbetet vetëm subjekti Enver Hoxha. Në një artikull të publikuar nga Pravda në 30 mars 1953 Hoxha akuzon fuqitë perëndimore dhe Jugosllavinë se kanë si qëllim të sulmojnë Shqipërinë dhe ta ndajnë vendin mes tyre.

Artikulli me shumë gjasa është me urdhër të Moskës dhe Hoxha mund të mos jetë autori i tij, por Pravda e ka praktikë të sajën parafabrikimin e komenteve. Aty thuhet se Bashkimi Sovjetik dhe demokracitë e tjera popullore janë miq të vërtetë të Shqipërisë, dhe kjo do të thotë se BRSS është i shqetësuar se agjentët e tij në Shqipëri mund të mos jenë të aftë të qëndrojnë në pushtet. Kjo është pjesë e intensifikimit të vigjilencës kundër armiqve të brendshëm që përmenden në artikull.

17 tetor 1951

Gjendja aktuale e operacionit

Që prej diskutimit të fundit mbi operacionin në departamentin e Shtetit më 6 shtator, kanë ndodhur ndryshimet e mëposhtme:

Infiltrimet:

10 agjentë të tjerë janë infiltruar në vend dhe bashkë me ta bëhet tre grupe operative në Shqipëri. Secili prej grupe ka një operator radio dhe për herë të parë janë bërë të mundura kontaktet me agjentët në terren. Edhe një grup i katërt i lëshuar në verë mund të jetë aktiv, por nuk kemi marrë komunikime prej tyre që prej infiltrimit.

Propaganda

Radio klandestine Zëri i Shqipërisë së Lirë ka nisur transmetimet prej 15 shtatorit 1951. Raportimet paraprake tregojnë se transmetimet po dëgjohen dhe kapja është e mirë nga aparatet shqiptare.

Lëshimi i fletushkave

Më 13 shtator Hasan Dosti, kreu i Komiteti shqiptar të emigracionit, i dërgoi një telegram komercial Enver Hoxhës ku i ofronte ndihmë shqiptarëve të varfëruar, në formë ushqimi, veshjesh dhe ilaçe, të cilat vijnë nga një grup ndërkombëtar i paanshëm. Por Hoxha nuk i dha rëndësi telegramit dhe refuzoi asistencën, prandaj 30.000 thasë me miell po përgatiten për t’u lëshuar me avion në Shqipëri para fundit të vitit. Brenda thasëve do të ketë fletushka me simbolet e organizatës shqiptare të emigracionit Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, ku do të paralajmërohet kundër njoftimeve të qeverisë shqiptare se ushqimet janë të helmuara, si dhe do të ketë tekstin e telegramit të Dostit për Hoxhën.

Lëshime të tjera mallrash për propagandë janë në fazën e planifikimit. Jemi duke testuar parashuta të vogla dhe kontenierë të posaçëm për këto lëshime. Kontenierët do të mbushen me mbajtëse metalike ku do të ketë sende të vogla si gjilpëra, pe, thika dhe sende të tjera që gjenden me vështirësi në Shqipëri. Një tjetër fazë e programit është lëshimi i gjilpërave si shenjë mbështetjeje e Komitetit ndaj popullit shqiptar. Teksti i broshurave do të ketë gjithashtu telegramin e Dostit dhe do të përsërisë vendosmërinë e Komitetit për të sjell ndihma në Shqipëri, megjithë faktin se Hoxha i refuzon ato.

Pika diskutimi

Për vazhdimin e mëtejshëm është e rëndësishme të merren garanci publike për integritetin territorial të Shqipërisë nga Greqia dhe Jugosllavia. Zyrtarët e departamentit duhet të këshillojnë kolegët britanikë për anën e tyre të operacionit, pasi në komunikimet e fundit duket se ata ritmet aktuale të operacionit do t’i ruajnë vetëm për vitin 1952.

Me mbylljen e aktiviteteve të planifikuara ne besojmë se operacioni ose duhet të reduktohet, ose të përqendrohet tërësisht në objektivin e përmbysjes së regjimit të Hoxhës. Ky subjekt do të diskutohet në takimin e radhës në Londër mes zv. kreut të CIA dhe përfaqësuesve të inteligjencës britanike SIS, që është parashikuar të mbahet më 22 tetor.

Aktualisht qëndrimi ynë është kontradiktor me atë britanik, pasi besojmë se nuk është ende koha për të programuar operacionin përtej vitit 1952, deri sa operacioni BGFIEND të ketë arritur objektivat aktuale. Ne gjithsesi kemin plan përshkallëzimin e aktiviteteve për arritjen e vendosjes së minimumit prej 50 agjentësh në Shqipëri. Ne e dimë nga eksperienca se britanikët do të bëjnë çdo vit rishikim të planeve të projektit, por pa ndryshime të konsiderueshme të objektivave.

Plani i amerikanëve për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës për 9 muaj, vizita e fshehtë e ish-diktatorit në Moskë dhe eleminimi i Beqir Ballukut Read More »

‘Mos me vra të lutem, jam një vëlla mbas gjashtë motrave’

Përjashta një shi i ftohtë sikur e kishte ftohur më shumë atmosferën në atë makinë ushtarake që me zor merrte të përpjetat e asaj rruge të lodhur që mbaronte te Qafa e të Vdekurve afër një humnere.

TREGIM NGA LEK GJOKAJ

Nik Vladi shikonte i trishtuar tre viktimat e radhës që pa dalë as në gjykim po shkonin për ti pushkatuar. Një trishtim i shkonte dhe vinte nëpër ndjenja kur shikonte fytyrën e njërit prej tyre që akoma s’i kishte mbushe të shtatëmbëdhjetat. Heshtja e varrit qëndronte pezull në atë natë dimri ku drita e mëngjesit me zor po mundohej të dilte.
– Oh zot! Ishalla prishet kjo makinë mortjeje që pothuajse çdo muaj ngjitej në këtë të përpjetë, nuk dua të vras fëmijë, djalli e marrtë këtë komunizëm.
Si arritën afër vendit të pushkatimit i zbritën të lidhur në pranga dhe i nisën në të përpjetë të kodrës. Poshtë humnerës së thepisur dëgjohej vajtimi i zakonshim i lumit,i vetmi deshmitar i përjetshëm i të pushkatuarve. Iu dhanë lopatat që të hapnin varrin e përbashkët.
Agimi një shok shkolle i Nikës i hodhi një vështrim tërë inat dhe iu afrua afër veshit duke i pëshpëritur me të madhe.
– Po të dhimbsen armiqtë e popullit, të gjithë në plumb do ti çojë kjo Parti, kulakët e dreqit.
Nika nuk bëri zë. I hodhi një vështrim tërë inat dhe u nis drejt të dënuarve.
– Ku po shkon o Nikë?
– T’iu heq prangat se me duar të lidhura do të vonojnë shumë të hapin varrin dhe është gjynah ti pushkatojmë ashtu.
– Jo, jo ktheu të thashë.

Ashtu të vuajnë minutat e fundit të jetës maskarenjtë e komunizmit…
– Eshtë gjynah o të vrafte zoti!
Ha ha ha! – qeshi me të madhe Agimi, – ku është zoti o Nik, apo ka ardhë andej nga fshati juaj? !… Nik Vladi nuk u ndal. Shkoi tek ata dhe nisi t’iu hiqte prangat kur dëgjoi një krismë dhe një fishek i fluturoi afër tij. Ktheu kokën kur pa se shokët e tij ishin ulur në pozicion luftimi dhe i thirrën me forcë.
– Mos ia hiq prangat se do të vrasim dhe ty bashkë me ta se na ikin dhe ec të gjejmë vrimë ku të futemi.
Nika u step disi dhe nisi t’iu flasë me zë të lehte të treve të cilët e vështruan tërë dhembshuri në minutat e fundit të jetës me shpresë të kotë se ndoshta shpëtonin.
– Më vjen keq, por… nuk mundem. Ju do te vdisni pa dalë dielli, ndaj kur unë t’i afrohem atyre, kush të mundet të hidhet në humnerë, të vdekur se të vdekur jeni provojeni fatin e fundit.
– Në rregull! – bërtiti Nika me të madhe dhe u nis drej togës së pushkatimit, – mos qëlloni se nuk po i zgjidh.
Sa hap e mbyll sytë u dëgjua një zë korbi që u bashkua me krismat e panumërta që u lëshuan drejt tyre.

Një mjergull e hollë si me porosi erdhi dhe në atë majë mali çdo gjë e mbuloi trishtimi. Më pas ra një heshtje varri,
Agimi e rimbushi pushkën dhe u nis drejt të pushkatuarve. Kur u afrua afër gropës të mbushur tërë gjak, mes rënkimeve të të vrarëve që jepnin shpirt nisi të qëllojë përsëri kur në një moment u shtang. Në gropë ishin vetëm dy veta. Hodhi një vështrim habie dhe iu bërtiti me forcë shokëve.
– Ejani shpejt, ejani shpejt.
Toga e pushkatimit iu afrua varrit ku trupat e dy të vrarëve me një shenjë lutjeje për jetë kishin vdekur me sy të hapur. Nika i shikoje tërë dhembshuri dhe shau vehten se pse dreqin kishte zgjedhur atë zanat.
– Më mirë bari në fshat se sa të pushkatosh njerëz, – i foli vehtes, – por është tepër vonë sepse nuk ka më kthim prapa. Çdo pendesë, dhimbje për kulaket apo kthim prapa shpërblehet me një plumb pas koke.
Ashtu duke menduar dëgjoi një zë si thikë pas koke.- Luaj vendit or dreq, ta kërkojme kulakun se na ka ikur.
Iu afruan humnerës por ajo ishte shumë e thepisur sa të tërëve iu morën mendët.
– Nga na iku! – bërtiste tëri inat dhe ironi Agimi, – apo e mori zoti yt Nik Vladi!
– Mbylle gojen, maskara me kë tallesh ti!
– Me zotin tënd, por mos u mërzit një ditë do të të kem edhe ty në vend të tyre.
Nika i inatosur mbushi pushkën dhe i bërtiti me të madhe.
– Mos luaj o Agim Karadaku! Në djall do shkosh dhe ti!
– Mosss Nikë, më fal, mos më qëllo, të hëngsha m…,po bëja shaka, jemi shokë shkolle e pune.
Shokët e tjerë iu afruan dhe e qetësuan situatën. Si ra një paqe e lehtë mbuluan të vraret dhe u nisën në kërkim të të tretit që as vetë nuk e dinin se nga kishte ikur.
Nika kaloi nga Shtegu i Dhive. Pas një shkurreje shikoi një njeri që dridhej. Iu afrua, kur pa vocërrakun që në momentin e pushkatimit ishte hedhur në humnerë.
– Mos më vrit të lutem, jam djalë i vetëm pas nëntë motrave…
– Jo, jo nuk do të vras!
Nika iu afrua dhe i hoqi prangat.
– Rri këtu sa të bjerë nata pastaj kalo lumin dhe pas atij mali do të arrish në Selitë ku në të majtë të Lakut të Krojit është një fshat dhe ka një kullë të madhe. Eshtë e Bushpepajve aty shko dhe thuaj se më ka dërgu Niku i dajës Zef. Merr njërin nga djemtë e tyre dhe nisu për Lurë. Atje do të të ndihmojnë dhe ik nga Shqipëria. Në rregull!
– Po po! – foli me gjysëm zëri Mark Gega që dridhej nga të ftohtit dhe nga frika . U nis pa marrun frymë drejt një kaçubeje të madhe që as ujku nuk kishte mundësi të hynte…
Hapja e derës së kafes bëri që Nik Vladi të kthente kokën pas. Nga larg dalloi një burrë disi të shëndoshë që po afrohej drejt tij tavolines ku po rrinte me Gjonin.
Si jeni !- i përshëndeti ai shqip.
– Mirë, – ja ktheu Gjoni.
– Gjon cfarë kemi ndonjë të re?
– Asgjë për tu shënuar. Po pret ndokënd apo do ulesh me ne.
– Jo askënd, po ulem.
– Çfarë do të pish.
– Një kafe.
– Çfarë kafje?
– Ekspres!
– Sigurisht, kjo është një kafe e fortë, kafe për ne shqiptarët që mijëra vjet kemi luftuar me vdekjen e prapë gjallë jemi.
Hynë ngadalë mbrenda kafes e u ulën.
Si vështruan njeri-tjetrin në sy një habi u qëndronte të dyve pezull.
– Ke kohë në Florida? – theu heshtjen Marku.
– Nja dy vjet.
– Si ka mundësi që nuk të kam parë? Këtu e pin kafen?
– Rrallë shumë rrallë sepse këtu vijnë ca shqiptarë nga ato që duan të zgjidhin hallin e politikës shqiptare pas rrëzimit të diktaturës komuniste ku një pjesë e baballarëve të tyre i kanë lyer duart me gjak.
– Pse ti nuk i do shqiptaret?
– Eh more bir, si nuk i dua a jam edhe unë shqiptar? A nuk duhet ta dua vetëvehten por koha që shkoi na ka
lënë shumë probleme .
– E di ishte kohë e tmerrshme, komunizmi që e përgjaku Shqipërinë e ndërroi shumë edhe shqiptarin.
– Po ti si quhesh? – s’iu durua Nikës dhe e pyeti me një frymë.
– Mark.
– Ta gëzosh.
– Faleminderit.
– Mark kush?
– Mark Gega. Po ty sikur të kam parë diku.
– Ndoshta.
– Ç’farë ke punuar në Shqipëri?
– Vrasës!
– Ç’farë?
– Pushkatar. Vrisja njerëz me gjyq e pa gjyq.
Mooosss! – bërtiti Marku me të madhe ti je ai që më ke shpëtuar jetën kur më pushkatuan dajën dhe axhën
tek Shtegu i Dhive, oh zot kot s’kanë thanë se mali me malin nuk takohen ndërsa njeriu me njeriun po…
Kur nata e zezë pus mbuloi tërë bjeshkën Marku duke u dridhur nga të ftohtit doli nga kaçubja dhe u nis drejt lumit. Si piu ujë mirë e mirë hyri në të dhe kaloi në anën tjetër.

U ngjit ngadalë në majë të malit dhe sa kaloi Lakun e Kroit shikoi një dritë të lodhur që vinte nga kulla që i kishte thënë polici.

Duke ecur tërë frikë u nis drejt kullës.
– Si t’ia them! – nisi të belbëzojë me vehte, – më dërgoi
Zefi i dajës dhe…
Pa e ditur kishte arritur para derës shekullore të kullës ku një kryq i gdhendur sikur ia treti frikën. Iu afrua afër dhe trokiti në derë.
– A doni miq o burra.
– Mirësevjen dhe mirë se të pruni zoti!
Një plak i Bushpepajve me krenarinë e bjeshkëve hapi ngadalë derën me një kandil të vogël të ndezur në dorë.
– Eja ore bir mbrenda se qenke bërë si lugat.
– A keni besë se…
– Bushpepajt s’kanë pre askënd në besë tash sa shekuj e jo të presin një fëmi.
– Faleminderit në besën tuaj dhe të zotit.
U ul në krye të oxhakut në një post deleje. Ngrohtësia e shtëpisë e bëri ta merrte vehten. Si i bënë një kafe, i sollën për të larë duart dhe e ulën në sofër për të ngrënë.
– Ç’e mirë të solli në këtë natë në mes të bjeshkëve e të ujqve.
– Më ka dërguar një njeriu juaj, më tha t’iu them se ishte djali i dajës Zef dhe të më dërgoni sa më shpejt në Lurë.
Si mesoi hallin e tij, plaku i Bushpepajve mori pushkën dhe bashkë me djalin e tij dhe Markun u nisën nëpër natë për në Lurë…
– Po në Lurë ku shkove? – e ndërpreu Markun Nika.
– Nuk e di emrin, mbiemrin më duket e kishte Vladi, por… Si kaluan Kurbneshin dhe u nisën luginës së Krejës për në Lurë një kokrrizë bore ia nisi të binte. I ftohti mundohej të na lodhte por malësorët gjithmonë e kishin trembur të ftohtin dhe armikun. Pak pa dalë drita arritëm në një fshat të Lurës.
– O i zoti i shtëpisë, – bërtiti plaku i Bushpepajve, – a doni miq.
– Eja dhe mirë se ju pruni zoti në këtë natë me borë që edhe vetë nata lodhet dhe kërkon ndonjë shpellë të rrije disi ma ngrohtë.
Si hynë mbrenda i zoti i shtëpisë iu lëshoi kutinë e duhanit. Pa vonaur shumë erdhi një grua e vogël por me një fytyrë të rreshkur dhe na solli katër kafe.
– Ç’farë e mire të solli kaq herët or mik? Na e kena ndarë ditën për dasmën e vajzes, a mos jeni penduar?
– Jo ore i pari i Vladit, tjetër hall më ka sjellë sonte ndaj kam marrë edhe dhandrin tand me vehte. Unë e di Kanunin por kur hyn besa e burrit dhe e zotit kanuni gjithmonë thotë je në rregull.
– Po more, vazhdo, si e keni hallin.
Plaku i Bushpepajve nisi të flasë ngadalë dhe i tregoi fill e për pe historinë e këtij fatkeqi.
Si hëngrën mëngjesin lanë Markun aty dhe u nisën nga kishin ardhur…
– Mark! – ia ndërpreu kujtimet Nika, – gëzohem që je gjallë, ajo ish një ëndërr e keqe që na lodhi shumë.
– Ajo ishte jeta ime që falë teje dhe besës së shqiptarit që sot nuk jam në gropë si daja dhe axha por kam familje dhe fisi i Gegajve ka pesë djem.
– I paç me jetë.
– Faleminderit, por zoti i madh të solli ty këtu sepse kam kërkuar shumë në Shqipëri dhe e di se ka vdekë plaku zemërmirë dhe i besës i Bushpepajve por nuk di asgjë për plakun e Vladit e as për një djalë nga Kacorri i cili për të më shpëtuar mua, u arratisëm bashkë.
– Edhe plaku i Vladit ka shumë vite që ka vdekur…
– Ashtu? – tha me keqardhje, – ku e di ti?
– Sepse ishte babai im!
Marku iu hodh në qafë dhe niste të qante. Lotët nuk i ndalonte dot saqë të gjithë kthyen kokën të shikojnë se
ç’farë po ndodhte.
– Qetësou sepse jeta kështu është, me lindje, dashuri, të papritura, vdekje trishtim.
– E di por nuk do ta kisha besuar kurrë që në Florida do të takohesha me ty pas pushkatimit, që ti më dërgove tek gjaku yt për të më shpëtuar. Por jeta është jetë që duhet jetur, ndaj jetoj me dhimbje në shpirt që për faj të një diktatori komunist për shumë vite shqiptarët nuk e shijuan dot jetën dhe mijëra të tjerë i vranë.
Jashtë një erë e lehtë u duk jo vetën si dëshmitar i këtij takimi por sikur edhe asaj iu rrënqeth trupi nga kjo histori e dhimbje jete.

Lek Gjoka
Marre nga libri me tregime
“Përroi i Djallit”
Tiranë 2013

‘Mos me vra të lutem, jam një vëlla mbas gjashtë motrave’ Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com