Histori

Historia e simbolit të mbijetesës në kampet e përqendrimit.“Shkova fëmijë dhe u ktheva plakë. 45 vite në internim, u vesha nuse atje”

Është historia e Klora Merlikës, simboli i mbijetesës në kampet e internimit, atje ku shkoi fëmijë e kaloi 45 vite të jetës, ku pa të vdisnin bashkëmoshatarët e saj. Atje ku dashuroi e veshi fustanin e bardhë të nusërisë, atje ku la nënën e saj përgjithmonë.
Një fustan i bardhë dhe një shëtitje nëpër dyert e familjeve të internuara janë të paktat çaste që mban mend Klora Merlika në ditën e shënuar të jetës së saj, atë të martesës. Ajo ditë nuk do të bënte asnjë ndryshim nga ditët e zakonshme të jetës së saj të mundimshme në kampet e internimit nga Berati në Tepelenë e deri në Savër… Kishte mbërritur në kampet e internimit, kur kishte ende përparsen e shkollës fillore dhe është larguar prej andej 45 vite më vonë. E kanë quajtur simbol të mbijetesës, pasi e kanë degdisur thuajse në të gjitha kampet e internimit të Shqipërisë. Është Klora Merlika, nusja e djalit të ish-kryeministrit Mustafa Merlika. Është një ndër ato që ka vuajtur më së shumti terrorin komunist, që kur ishte fëmijë.

Ja si e kujton ajo fëmijërinë në kampet e internimit, atje ku shumë bashkëmoshatarë të saj humbën jetën në mënyrë tragjike.

“Duke qenë pjesë e familjeve të mëdha, në fillim dhe në fund të kampit ishin banjot, dhe ne të Mirakajve (gruaja e xhaxhait, ishte grua ministri) bashkë me Bardha Markagjonin na vendosën në fund, në një hapësirë jashtë çdo kushti normal… As mbijetesë nuk e quaje dot. U desh shumë mund nga nëna ime e nuset e xhaxhallarëve për ta pastruar vendin rrotull, deri sa mori një pamje të pranueshme. Në Berat ne qëndruam nga viti 1944 deri 1949-n, gati pesë vjet. Shumë herë aty në kamp ra sëmundja e malaries, tifoja, dhe fëmijët e vegjël vdisnin njëri pas tjetrit.

Brenda një nate kanë vdekur mbi 20 fëmijë, dhe unë nuk kam për ta harruar kurrë një grua shtatlartë shkodrane, Cuklina e quanin, së cilës i vdiqën të dy foshnjat binjake nga tifoja. Buzët e thara të atyre fëmijëve i kam përpara syve (qan). Unë gjithë kohës rrija pranë nënës e familjarëve të mi, ndërsa mamaja bëri të pamundurën që të më regjistronte në klasë të katërt, në një shkollë pranë kampit, sa për të kaluar disa orë të ditës. Mbaj mend që disa herë rresht e kam shoqëruar time ëmë në Burgun e Kuçovës, sepse aty pranë po ndërtohej nga të burgosurit kanali Kozarë-Kosovë, ndërkohë që ata merrnin edhe njerëz nga kampe të tjera internimi”, thotë Klora.

Po, në internim Klora përjetoi edhe momentin më solemn në jetën e njeriut, atë që praktikisht duhet të ishte çasti më i paharruar: fustani i bardhë dhe nusërimi, deri edhe lindja e nipërve dhe mbesave. Martesa me Fatosin, të birin e ish-kryeministrit Mustafa Merlika, do t’ia rëndonte dënimin, sidomos edhe pas kërcënimit që vetë Mehmet Shehu i kish bërë në burg të shoqit. Janë 45 vite internim, dhe sot 80 vjeçarja Klora Merlika (Mirakaj) ka shumë për të rrëfyer…

“Nuk ishte dasmë ajo imja! Unë u vesha me fustan të bardhë dhe bëra një xhiro rrotull kampit, nëpër dyert e familjeve bashkëvuajtëse aty. Të nesërmen direkt u kthyem në punë dhe vetëm një ditë pas martesës Fatosin e detyruan që të shkonte për të punuar në kënetën e Gradishtit. Gjatë ditës troket një oficer i Sigurimit dhe i kënaqur nga vendimi për të degdisur tim shoq, më pyet nëse do e lija apo do e ndiqja kudo, ku shteti do ta transferonte. Unë isha martuar me Fatosin, dhe kisha vendosur që ta ndiqja në çdo vend ku atë do ta caktonin. Në kampet e internimit kam kaluar momentet më të bukura dhe më të trishta të jetës. Martesa është vetëm një kapitull… Në kamp më vdiq ime më, e varrosëm aty. Në kamp më lindi vajza dhe vendosëm me Fatosin që të kishim vetëm një fëmijë, për të mos i hyrë në hak jetës, vuajtjeve… Nuk mund të torturoje veten dhe fëmijën në ato kushte në të cilat jetonim”, thotë Klora./Kujto.al

Historia e simbolit të mbijetesës në kampet e përqendrimit.“Shkova fëmijë dhe u ktheva plakë. 45 vite në internim, u vesha nuse atje” Read More »

Dokumenti që vërteton se Enver Hoxha ishte një injorant, ja sa herë ngeli në klasë

Studiuesi Hasan Bello ka publikuar së fundmi një dokument të rrallë, i cili lidhet me arsimimin e diktatorit Enver Hoxha kur ai ishte i ri. Bëhet fjalë për një shkresë të Ministrisë së Arsimit gjatë Mbretërisë së Zogut, në të cilën jepen të dhëna mbi të rinjtë shqiptarë që kishin marrë bursa për të studiuar jashtë shtetit.

Sipas shkresës, Hoxha kishte ngelur katër herë duke bërë që ministria t’ia priste bursën.

Postimi i Hasan Bellos

Enver Hoxha themelues i “precedentit te mediokritetit”.

Ne shkresen e meposhte te Ministrise se Arsimit, e cila ben fjale per bursistet shqiptare qe studionin ne universitetet europiane ndodhen edhe disa te dhena per Enver Hoxhen. Nder te tjera konstatohet se studenti ne fjale kishte ngelur kater here ne te njejtin vit. Kjo e detyroi ministrin Mirash Ivanaj, nje personalitet i jashtzakonshem per kontributin qe ka dhene, qe t’i nderpriste bursen.

Nje veprim i tille beri qe pas 1945 diktatori te hakmerrej, duke e burgosur ne nje nga burgjet me te tmerrshme ku edhe vdiq. Nderkoh qe kater vite si ngeles, Enver Hoxhes, shqiptaret (dhe te huajt) ia shperblyen me dyzete vite pushtet. Kjo beri qe ne historine e politikes shqiptare, ai te krijonte precedentin e mediokritetit.

Sa me injorant te jesh, aq me shume te do populli, aq me gjate mund te qendrosh ne pushtet. Nje “virtyt” i tille e shtyu ate dhe te tjeret sot, per ti hapur lufte inteligjences, te arsimuarve…deri ne elitocid.

Dokumenti që vërteton se Enver Hoxha ishte një injorant, ja sa herë ngeli në klasë Read More »

Dokumenti/ Historia e vajzës nga Gjirokastra, që u përdhunua nga ish-shefi i sigurimit

Një dokument sekret i vitit 1958, i Degës së Punëve të Brendshme të qarkut të Elbasanit zbulon një ngjarje të pazakontë për efektivët e Sigurimit të Shtetit.

Relacioni me firmën e kreut të institucionit, Gani Goxhi, “Mbi veprimtarinë e imoralitetit të organizuar në grup nga shefi i Degës Qatip L.”, e pohon qysh në mbititull thelbin e çështjes, që i përket një historie perverse, me një mori ndodhish e episodesh, të cilat fillojnë e mbarojnë me skena përndjekjesh e përdhunimesh, me skenarë të ideuar nga një zyrtar jo pak i rëndësishëm i Degës së Brendshme.

Ndër të tjera në këtë dokument flitet edhe për një vajzë nga Gjirokastra, me të cilën kishte abuzuar shefi i Degës, Qatip L. Ja çfarë shkruhet në këtë dokument.

“Në muajin korrik 1957, kapiten Qatipi ka marrë një vajzë imorale (minoritare) e quajtur Fotini nga Gjirokastra, me të cilën ka pasur lidhje edhe më përpara dhe së bashku me kushëririn e tij, Nevruz B., e çojnë nga rruga e trenit dhe aty bëjnë aktin.

Një herë tjetër po këtë femër e kanë thirrur në zyrë me pretekstin për t’i kontrolluar dokumentet, ku kanë mbajtur gjoja njëfarë procesverbali dhe pastaj e kanë nxjerrë jashtë dhe në afërsi të Degës së Brendshme, Qatipi dhe Nevruzi kanë kryer marrëdhënie seksuale me të”.

Dokumenti/ Historia e vajzës nga Gjirokastra, që u përdhunua nga ish-shefi i sigurimit Read More »

Pse Ali Pashë Tepelena i mbyti 18 vajza në liqen?

Janina apo Ioannina për fqinjët, vendi i lavdisë dhe rënies tragjike të Ali Pashë Tepelenës.

Mbi kodër, në pjesën perëndimore të qytetit, brenda kështjellës mesjetare gjendet varri pa kokë i Ali Pashait, i fortifikuar me një kupolë të hekurt.

Pranë tij thuhet se prehet Emineja, gruaja e parë dhe një foshnjë, eshtrat e së cilës janë zbuluar aty pranë, që thuhet të ketë qenë vajza, të cilët Pashai e mbyti pasi nuk donte fëmijë femra.

Pranë varrit është Xhamia e Fitores, e ndërtuar në rrënojat e një kishe bizantine më 1430 –ën. Formën e fundme ia dha Ali Pashai. Fotis Rapakusis, rrëfen për grupin e turistëve dashurinë e madhe që Ali Pashai kishte për gruan e parë Eminenë, me të cilën edhe pse pa kokë prehet pranë.

Thuhet se pas vdekjes së saj, Pashai dilte netëve dhe mbi varrin e saj lotonte.

Pamja piktoreske që ofron liqeni që rrethon kështjellën bëhet e zymtë nga legjenda se Pashai mbyti 18 vajza , duke i futur në thashë me grykë të mbyllur dhe lidhur me gurë…

Gjithçka nisi nga Zonja Frosina, gruaja pas së cilës u dashurua marrëzisht i biri i Ali Pashait, Muhtari .

“Frosina ishte e martuar me një tregtar. Kur iknin jashtë Pashai iu mbante familjet peng që të kishte sigurinë se ata do të ktheheshin. Frosina u lidh me djalin e Ali Pashës dhe kur u morr vesh kjo lidhje qe skandal për kohën”- rrëfen Rapakusis.

Gruaja e Muhtarit dhe nusja e djalit tjetër, motra dhe bijat e Pashait të Beratit thuhet se i vunë veton Pashait për të vendosur nderin në vend.

Për të mos e bërë publik skandalin e familjes së tij, por edhe për të kënaqur nuset dhe për të ruajtur aleancën me Pashain e Beratit, Ali Pashai nxori një dekret për të pastruar qytetin nga prostitutat.

U gjetën 17 vajza publike, ndërsa Frosina u bë e 18 –ta ndër to, të gjitha të mbytura në liqen. /mapo.al

Pse Ali Pashë Tepelena i mbyti 18 vajza në liqen? Read More »

Kruja, Panteoni Shqiptar / foto

Nëse ju intereson turizmi historik dhe ai i traditës, apo nëse jeni një turist i huaj dhe doni të njiheni me një prej figurave kryesore të historiografisë botërore të shekullit XV-të, siç është Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vizitoni Krujën. Muzeu Etnografik i Krujës është unik dhe mund të cilësohet si më i miri në Ballkan.
I vetëshpallur si kryeqyteti historik dhe turistik i vendit, qyteti muze i Krujës të ofron ndjesinë e dykohësisë, mes periudhës së lavdishme të Skënderbeut dhe realitetit të sotëm. Kur viziton Krujën mund të përjetosh një eksplorim të magjishëm të së shkuarës përmes rrugicave të shtruara me kalldrëm, të rrethuara nga ndërtime karakteristike të drunjta dhe të gurta që sjellin elementë të Mesjetës.

Por jo vetëm kaq… Kombinimi i disa llojeve të turizmit si ai historik, kulturor dhe i traditës, por edhe turizmi natyror me Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës vetëm 25 km larg qytetit dhe turizmi religjoz me pelegrinazhin në majën e Sarisalltikut, bëjnë që Kruja të ofrojë një paketë të plotë turistike, ndër më interesantet në Shqipëri.

Qyteti ofron një pjesëz historie në çdo qoshe, madje edhe secili nga krojet prej të cilëve merr emrin Krujë, ka historinë e vetë. Kulinaria ruan traditën e kuzhinës vendase, ndërsa artizanati sjell artin e grave krutane në Pazarin e vjetër të Krujës.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi detajon disa prej arsyeve se përse duhet vizituar Kruja.

Pozicioni i favorshëm gjeografik, afërsia me kryeqytetin (32 km), afërsia me aeroportin (21 km), me Durrësin (41 km), me Malin e Zi (100 km), e bëjnë Krujën një destinacion tërheqës dhe të arritshëm në çdo kohë.

Më poshtë vijon intervista e plotë për ATSH-në:

ATSH: Çfarë përfaqëson Kruja në vetvete?

Hafizi: Kruja është një ndër qytetet më të përmendura në historinë e shqiptarëve, Qytet Hero (1968). Shtrihet në shpatin e malit të Krujës në lartësinë 608 metra mbi nivelin e detit.
Gërmimet arkeologjike pranë qytetit të Krujës dëshmojnë se ka qenë vendbanim ilir që në shekullin e III-të para lindjes së Krishtit.

Në afërsi ndodhet Albanopolisi nga ku vjen origjina e emrit Abania (përmendur nga gjeografi i lashtësisë Ptolemeu). Me braktisjen e këtij qyteti në fillim të Mesjetës, banorët gjetën një vend më të mbrojtur në Krujë, duke marrë kështu për të gjithë krahinën emërtimin si qendër e kulturës arbëreshe, siç e dëshmojnë objektet e një varreze të shekujve VI-VIII.

Kruja përmendet për herë të parë në një dokument të vitit 879, si një qendër peshkopate. Është qendër e garnizoneve dhe guvernatorëve bizantinë deri në fund të shekullit XII.
Kruja ishte dhe qendër e shtetit të parë feudal shqiptar (Principata e Arbërit, viti 1190).
Qyteti arrin lulëzimin në shekujt XIII-XIV.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIV, Kruja është kryeqendër e familjes së Topiajve, kohë në të cilën merr zhvillim tregtia dhe zejtaria si edhe ngrihen lagjet më të vjetra. Kruja ishte qendër e epopesë shqiptare shqiptare të shekullit XV-të kundër osmanëve dhe emri i saj bëhet i njohur në gjithë Evropën. Erdhën për ta pushtuar kalanë dy nga sulltanët më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane, Murati II-të dhe Mehmeti II-të.

ATSH: 5 arsye përse një turist i huaj duhet të vizitojë Muzetë e Krujës?

  1. Për tu njohur nga afër me historinë e njërës prej figurave kryesore të historiografisë botërore të shekullit XV-të, siç është Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

  2. Në rast se në botë në shumicën e rasteve ka përshtatje të banesave si muze, Muzeu Gjergj Kastrioti Skënderbeu është ngritur nga themelet me mendimin për t’u bërë muze, kështu që nga ana funksionale është në perfeksion (forma e Muzeut është shqiponjë në gur ).

  3. Për të parë Muzeun Etnografik më të mirë në Ballkan, ku mënyra e jetesës është shumë mirë e organizuar në një banesë të vitit 1764.

  4. Meqenëse Muzeu Gjergj Kastrioti Skënderbeu është i konceptuar në trajtë memoriali ku rolin kryesor e luan fjala, kemi bërë kujdesin e duhur për të përmirësuar përmbajtjen e tij me fakte të reja historike.

  5. Do të gjejnë gatishmërinë maksimale për t’u pritur me kulturë dhe profesionalizëm nga një personel i kualifikuar në ambjente të mirëmbajtura, si brenda ashtu edhe jashtë.

ATSH: A ka një rritje të numrit të vizitorëve në Muzetë e Krujës dhe çfarë politikash ndiqni për të nxitur interesin në këtë drejtim?

Hafizi: Numri i vizitorëve nga viti në vit ka patur rritje e cila varion nga 3-5 mijë vizitorë çdo vit. Vetëm në vitin 2015, Muzetë e Krujës janë vizituar nga 98 mijë vizitorë. Kemi bërë përmirësime të vazhdueshme në ambientet e të dy muzeve (si brenda dhe jashtë).

Kemi bërë rinovim të infrastrukturës teknike në Muzeun Etnografik dhe përmirësim të sinjalistikës turistike në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Kolektivi i Muzeve të Krujës asnjëherë nuk i ka parë vizitorët si të rastësishëm. Gatishmërinë që kemi treguar për t’i pritur vizitorët me kulturë dhe duke i shoqëruar në mënyrë profesionale në ambientet e Muzeve e kemi parë si çelësin e suksesit në punën tonë. Ne e dimë se do të kemi vizitorë, sepse kemi punuar mirë dje. Unë e them me bindje se tashmë është krijuar grupi i dashamirësve të Muzeve të Krujës, të cilët na bëjnë reklamë. Neve na mbetet si detyrë të përmirësohemi gjithë kohën dhe të mos i zhgënjejmë.

ATSH: Nëse i referohemi pikërisht turistëve të huaj, që mund të njohin pak ose aspak historinë e Shqipërisë, nga eksperienca juaj, cilat janë faktet historike apo eksponatet që nxisin më tepër interesin e tyre?

Hafizi: Interes të veçantë turistët e huaj tregojnë për përmbajtjen historike të Muzeut Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për objektet e periudhës ilire, por edhe për ato të mesjetës, si edhe për anën funksionale të Muzeut. Ndërsa në Muzeun Etnografik interes të veçantë tregojnë për banesën interesante dhe objektet e shumëllojshme brenda saj.

Interesante u duket dhe jehona e Skënderbeut në Evropë, ku shumë sheshe dhe rrugë mbajnë emrin e tij, prania e monumentit të Skënderbeut në shumë qytete të Evropës, apo dhe librat, operat, tragjeditë e shkruara nga autorë të njohur të kohës.

ATSH: Ndërthurja e historisë dhe traditës në Krujë e bëjnë atë një destinacion të mirëfilltë turistik. Çfarë mendoni se duhet përmirësuar në këtë drejtim?

Hafizi: Kruja është një destinacion i mirëfilltë turistik për nga vlerat që mbart; zona historike e mbledhur, kalaja me dy Muze Kombëtarë, Pazari karakteristik shumë i veçantë, por edhe pozicioni gjeografik; afërsia me kryeqytetin (32 km), afërsia me aeroportin (21 km), me Durrësin (41 km), me Malin e Zi (100 km).

Ajo që mendoj se duhet përmirësuar është rruga nga Fushë-Kruja në Krujë me të gjithë komponentët e saj. Zgjidhja e problemit te parkingut në qytetin e Krujës. Ushtrimi i sa më shumë zejeve në Pazarin e Vjetër, çka do të ngjallte interesim të veçantë të turistëve si edhe tregtimi sa më pak i objekteve të importit në Pazar.

Kruja, Panteoni Shqiptar / foto Read More »

Historia e kanunit të Labërisë !

Kanuni i Labërisë është përmbledhje e normave të pashkruara të së drejtës zakonore që kanë vepruar në krahinat midis tre urave: të Drashovicës, të Tepelenës e të Kalasës. Tradita gojore e lidh kanunin e Labërisë me emrin e papa Zhulit, themeluesit të katundit Zhulat (Gjirokastër).

Rreth viteve 1840-1850 u bënë disa ndryshime në kanunin e vjetër të Labërisë. Këto ndryshime njihen me emrin “Shartet e Idriz Sulit”.

Ndryshimet pasqyronin marrëdhëniet sunduese feudale dhe u përgjigjeshin interesave të agallarëve, të klasës sunduese feudale.

Ndërkaq ato u kundërviheshin ligjeve dhe sistemit gjyqësor të pushtuesve osmanë si dhe reformave të Tanzimatit. Kanuni i Labërisë ishte i mbledhur, por jo i kodifikuar.

Normat e tij janë përgjithësisht të njëjta me ato të kanuneve të tjera./Njekomb

kanuni-i-laberise-2

Historia e kanunit të Labërisë ! Read More »

Në gjurmë të shqiptarëve të Selanikut. Si u prish varreza e shqiptarëve nga grekët

Arlinda CANAJ

Selaniku, është qyteti i dytë më i madh në Greqi për nga numri i banorëve. Sot në Selanik banojnë rreth1.000.000 njerëz. Pas shpërnguljes së banorëve myslimanë pas vitit 1923 në këtë qytet u vendosën mijëra refugjatë të ardhur nga Azia e Vogël. Pothuajse 2/3 e banorëve të këtij qyteti dhe të prefekturës kanë ardhur pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Lozanës.

Kush udhëton në Selanik vë re se ka shumë qytetarë grekë që kanë mbiemra të fjalës shqipe. Rrugës për në spitalin Shën Nikolaos, gjendet një Tavernë, pronari i së cilës quhej Mihal Allvanosi i cili ka origjinë shqiptare. Në rrugën Politeknou nr. 45 gjendet zyra e një avokati me emrin Orestis Albanis, e shumë të tjerë.

Selaniku dikur ka qenë metropoli heterogjen i popujve ballkanikë të cilët jetonin së bashku prej shekujsh. Në fillim të shek. XX, jetonin mijëra hebrenj dhe deri në fillim të viteve 1930 ekzistonte varreza më e madhe e tyre me 500.000 varre të cilat qeveria greke e atyre viteve i shkatërroi. Hebrenjtë e parë kanë ardhur në Selanik në vitin 140 para Krishtit dhe më 1376 mbërritën hebrenj nga Hungaria dhe Gjermania. Në vitin 1492, 20.000 hebrenj nga Spanja morën leje për tu vendosur në këtë qytet.

Gjatë pushtimit gjerman 54.050 hebrenj nga Selaniku u zhdukën në kampet e të burgosurve nga gjermanët.

Sipas regjistrimit zyrtar më 1913, në Selanik u deklaruan 61.439 hebrenj, 45.867 turq, 39.956 grekë, 6.263 bullgarë dhe 4.364 të tjerë, gjithsej 157.889 banorë.

Sot në qytetin e Selanikut jeton, një bashkësi e vogël hebrenjsh prej rreth 2.000 njerëz dhe kanë një varrezë të vogël në lagjen Evozmos. Shpeshherë varret e hebrenjve dhunohen nga grupe vandalësh.

Turqit pasi e humbën qytetin e Selanikut, një pjesë të madhe u larguan për në Turqi. Sot ndoshta kanë mbetur 2 – 3 mijë veta të cilët merren me punë të rëndomta duke shitur çaj dhe salep nëpër rrugët e qytetit. Ata jetojnë në baraka dhe shtëpi të vjetra duke mos pasur mundësi për ndërtime të reja.

Numri i serbëve që kanë jetuar në Selanik nuk dihet, por ata kanë një varrezë të madhe për të cilën tregohet një kujdes i veçantë, me punëtorë dhe roje. Në këtë varrezë mund të hysh vetëm me leje speciale nëse nuk ke kombësi serbe. Ndoshta është varreza më mirë e ruajtur në Greqi, aty janë eshtrat e ushtarëve serb të vrarë gjatë luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore.

Shqiptarët në fillim të shek. XX kanë zhvilluar aktivitetet politike dhe kulturore në Selanik. Në këtë qytetet kanë pasur shtëpi të tyre shumë tregtarë nga Korça si dhe ishkryeministri i Shqipërisë Hasan Bej Prishtina i cili u vra në 1933, po në këtë qytet. Në rrugën Vasilis Ollgas, ku ndodhet ende shtëpia – pallat e Hasan Prishtinës, pak metra më tutje janë dy shtëpi-vila të tregtarëve shqiptarë Mehmet dhe Ahmet Kapandzit. (Për familjen Kapandzi, shpeshherë shkruhet se ishin hebrenj mysliman që njihen me emrin Donme, por në disa shkrime thonë se janë shqiptarë. Sot familja Kapandzi është e vendosur në Turqi). Këto dy vila u ndërtuan në vitin 1893- 1895, në një hapësirë prej 4 hektarësh të cilat shikonin nga deti.

Njëra është e modelit zviceran e projektuar nga Piero Arigoni me një dekorim të bukur të tavaneve me piktura. Ndërsa vila tjetër në vitin 1912 u bë rezidenca e princit të Greqisë, Nikollës.

Vila Kapandzit më tej u bë rezidenca e kryeministrit të Greqisë,Elefteros Venizellos, ndërsa në vitin 1928 kaloi në pronësi të Bankës Kombëtare Greke. Këto shtëpi gjenden në lagjen e të pasurve ku dikur kishin shtëpitë e tyre turqit, hebrenjtë dhe grekët e pasur.

Në vilën e Mehmet Kapandzi nga Gushti i vitit 1916 e deri nga fundi i vitit 1917 qëndroj Esat Pash Toptani i cili komandonte disa forca ushtarake shqiptare të cilët shërbenin në mbështetje të ushtrisë franceze gjatë Luftës së Parë Botërore.

Esat Pashë Toptani mbërriti në Selanik më 27 Gusht 1916 dhe u prit me paradë madhështore nga gjenerali francez Emanuil Serraili. Për shërbimet që i bëri Francës Esat Toptani, do të nderohej nga gjeneral Serrail me Kryqin e Luftës në një ceremoni të madhe të organizuar më 18 Gusht 1917, në qendër të Selanikut.

Sipas gazetës greke ΜΑΚΕΔΟΝΙΑ, varrezat e bashkësisë shqiptare që ndodhej në Selanik u prishën në vitin 1983. Në këto varreza ndodheshin varret e shumë personaliteteve të jetës politike dhe shoqërore, por për fat të keq vetëm eshtrat e Hasan Prishtinës shpëtuan dhe u dërguan në Shqipëri pas zhdukjes së kësaj varreze. Deri në vitin 2000, pika gjeografike ku ndodhej varreza shqiptare ishte shënuar gabimnë librin e Artë të Selanikut.

Vendi i varrezave të shqiptarëve ka qenë i blerë nga familjet shqiptare që kanë jetuar dhe punuar në Selanik që në kohën e Perandorisë Osmane.

Në Selanik disa vite ka jetuar Ismail Qemali i cili u martua me një greke me emrin Kleoniki. Gjatë kohës së Kryengritjes së Turqve të rinj (Xhonturqve) në korrik-gusht tëvitit 1908, në Selanik kanë qëndruar Çerçiz Topulli, Bajo Topulli dhe Mihal Grameno.

Në vitin 1916 në qytetin e Selanikut forcat greke të ndihmuar nga ushtria franceze pushkatuan atdhetarin e shquarshqiptar Themistokli Gërmenjin. Për pak muaj qëndroi në këtë qytet edhe mbreti Ahmet Zogu bashkë me shoqëruesit e tij pas largimit nga Shqipëria në 1939.

Me Selanikun lidhet edhe një ngjarje shumë e rëndësishme për grekët dhe Greqinë. Më 26 Tetor 1912,komandanti turk me kombësi shqiptare gjenerali Hasan Tahsin Pasha ia dhuroi grekëve dhe jo bullgarëve qytetin e Selanikut.

Hasan Tahsin Pasha pas i dhuroi Selanikun u largua në fillim për në Francë dhe më pas në Zvicër ku vdiq në vitin 1918 në Lozanë të Zvicrës. Aty edhe u varros për herë të parë. Në vitin 1937 Hasan Tahsin Pasha ç’varroset dhe eshtrat e tij u varrosën për herë të dytë në varrezat e shqiptarëve në Selanik, në varrin familjar Mesara. Pasi u prishën varrezat shqiptare më 1983,përsëri ç’varroset dhe rivarroset në varrezat e Malakopit, ku eshtrat i qëndruan 23 vite.

Më 2006 eshtrat e Hasan Tahsin Pashës do të ç’varrosen për të tretën herë për t’u rivarrosur me nderime të larta ushtarake bashkë me eshtrat e djalit të tij Qenanit në Muzeun e Luftërave Ballkanike që ndodhet 25 km larg Selanikut në drejtim të qytetit të Edesës. Ndërtesa që është kthyer në Muze ka shërbyer për bisedime midis Gjeneral Mesaresë dhe komandantit të

Pra, me qytetin e Selanikut lidhen dy ngjarje historike për shqiptarët në fillim të shek. XX edhe pse në këtë qytet kanë jetuar një numër i vogël i shqiptarëve në krahasim me turqit, hebrenjtë, bullgarët dhe grekët.

Revista greke PANDORA, e Qershorit të vitit 1869 shkruan se në prefekturën e Selanikut banonin 318
.000 grekë,19.000 shqiptarë, 15.000 vllahë, 17.000 sllavë, 12.000 ciganë dhe 26.000 hebrenj.

Borivoje Millojeviç, shkruan të ketë pasur 4.000 shtëpi ku banonin sllavë të krishterë, 200 shtëpi ku banonin shqiptarë të krishterë, 8.000 shtëpi turq mysliman, 200 shtëpi vllehë,5.000 shtëpi grekë të krishterë, 17.700 shtëpi hebrenj, 1.300 hebrenj të islamizuar dhe 4.000 shtëpi ku banonin njerëz të kombësive të ndryshme.

(U shfrytëzuan materialet e vyera të historianit Arben Llalla)

/konica.al/

Në gjurmë të shqiptarëve të Selanikut. Si u prish varreza e shqiptarëve nga grekët Read More »

Albert Kamy/ Nga Parisi në Berlin, në kërkim të unitetit të Europës

Në 1955, shkrimtari i madh francez ka mbajtur këtë fjalim në Athinë, në një diskutim për Europën, mes plagëve të vjetra dhe shpresave të reja: “Liria pa kufi është e kundërta e lirisë. Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa limite; dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi në të gjithë perandorinë e tij. Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë, nuk mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka patur gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve”.

Nëse besojmë se qytetërimi perëndimor konsiston mbi të gjitha në humanizimin e natyrës, domethënë në teknikat dhe në shkencën, Europa jo vetëm ka triumfuar, por forcat që sot e kërcënojnë, kanë huazuar nga Europa perëndimore teknikat dhe ambiciet e saj dhe, në cdo rast, metodën e saj shkencore apo atë të arsyetimit. I parë kështu, qytetërimi europian nuk është i rrezikuar, përvecse nga ndonjë vetëvrasje e përgjithshme.

Nëse, e anasjellta, besojmë se qytetërimi ynë është zhvilluar mbi konceptin e qnies humane, ky këndvështrim, që mund të jetë i vlefshëm, con në një përgjigje krejt tjetër. Ndoshta është e vështirë të gjesh një epokë në të cilën numri i njerëzve të poshtëruar të ketë qenë kaq i madh. Megjithatë, nuk do të thoja që kjo epokë përcmon në vecanti qenien njerëzore. Në fakt, njëkohësisht me këto forca, që do t’i quaja të së keqes për të thjeshtësuar gjërat, nuk ka dyshim që përgjatë shekujve është përhapur në mënyrë progresive një reaksion i ndërgjegjes kolektive dhe në mënyrë të vecantë i ndërgjegjes së të drejtave individuale.

Dy luftërat botërore vetëm sa e kanë lodhur pak dhe besoj se është e arsyseshme të përgjigjemi që qytetërimi ynë rrezikohet, në po të njëjtën masë sa, qenia njerëzore sot, kudo e nga pak, poshtërohet.

Këtij dallimi të dobishëm mund t’i shtoj se ne ndoshta mund të ngrejmë pyetjen që, mos vallë pikërisht suksesi i qytetërimit perëndimor në aspektin e vet shkencor, është pjesërisht fajtor për dështimin moral të këtij qytetërimi? Për ta thënë ndryshe, mos vallë, në një farë kuptimi, besimi absolut, i verbër, në fuqinë e arsyes racionaliste – të themi në arsyen karteziane për të thjeshtësuar gjërat, sepse është kjo arsye në qendër të dijes bashkëkohore – është përgjegjës në një farë mase për kufizimin e ndjeshmërisë njerëzore që ka mundur, gjatë një procesi të gjatë për ta shpjeguar, të shkaktojë pak e nga pak këtë degradim të universit personal.

Universi teknik në vetvete nuk është një gjë e keqe, dhe jam absolutisht kundër të gjithë atyre teorive që kërkojnë kthimin tek rrota, apo plugu i tërhequr nga buajt. Por arsyeja teknike, e vendosur në qendër të universit, konsideruar si agjenti mekanik më i rëndësishëm i një qytetërimi, përfundon duke provokuar një lloj perversioni, si tek inteligjenca, ashtu edhe tek zakonet, që rrezikon të cojë në dështim atë për të cilin kemi folur. Do të ishte interesante të përpiqeshim të kuptonim se si e bën këtë.

(…) Cilët janë, mbi të gjitha, elementët që përbëjnë qytetërimin europian? Ju përgjigjem që nuk e di. Megjithatë, secili prej nesh ka një këndvështrim të privilegjuar, sentimental në një farë mënyre, që për më tepër mund të arsyetohet bazuar mbi vëzhgime, e që na bën të preferojmë një prej këtyre elementëve, kundrejt të tjerëve.

Sipas meje, qytetërimi europian është pikësëpari një qytetërim pluralist. Dua të them që ai është vendi i diversitetit të mendimeve, të kundërshtimeve, të vlerave që bien ndesh dhe të dialektikës që nuk arrin në një sintezë. Në Europë, dialektika e gjallë është ajo që nuk con në një lloj ideologjie njëkohësisht totalitare dhe ortodokse. Më duket se kontributi më i rëndësishëm i qytetërimit tonë është ai pluralizëm, që ka qenë gjithmonë themeli i nocionit të lirisë europiane. Sot, është pikërisht ky që është në rrezik dhe këtë duhet të përpiqemi të ruajmë.

Shprehja e Volterit, që më duket se ka thënë se “nuk mendoj si ju, por do të luftoja deri në vdekje për t’ju lënë të shprehni mendimin tuaj” është natyrshëm një parim i mendimit europian. Nuk ka dyshim, që sot në planin e lirisë intelektuale, por edhe në plane të tjerë, ky parim vihet në diskutim, sulmohet dhe më duket se duhet mbrojtur.

Në lidhje me pyetjen, për të ditur nëse në fund do të shpëtohet dhe nëse në fund e ardhmja do të jetë e jona, siç thuhet, pikërisht këtyre lloj pyetjeve u përgjigjem në të njëjtën mënyrë sic u përgjigjem të tjerave, që i ngre vetvetes në situata të ngjashme. Në disa rrethana, më duket se një njeri mund të përgjigjet: “Kjo gjë është e vërtetë, sipas meje, apo ndoshta e vërtetë. Pra, kjo gjë duhet të jetojë. Nuk është e sigurtë që unë mundem ta bëj të jetojë, nuk është e sigurtë që atë që mua më duket thelbësore, nuk e pret vdekja. Sifdoqoftë, e vetmja gjë që mund të bëj është që të luftoj që të mbesë e gjallë”.

Mendoj se në këtë fazë Europa është e mbyllur në një kuadër të ngurtë, në brendësi të të cilit nuk mundet të marrë frymë. Që nga momenti kur Athina është gjashtë orë nga Parisi, që në tre orë nga Roma shkohet në Paris, dhe që kufijtë ekzistojnë vetëm për doganierët dhe pasagjerët që i nënshtrohen juridiksionit të tyre, jetojmë në një shtet feudal. Europa, që ka qenë fillesa e ideologjive që dominojnë sot botën, e që sot i sheh të kthehen kundër saj, teksa janë mishëruar në vende më të mëdhenj dhe më të fuqishëm industrialisht, kjo Europë që ka patur pushtetin dhe fuqinë që të teorizojë ideologji të tilla, në po të njëjtën mënyrë mund të gjejë forcën për të krijuar konceptet që mund të lejojnë kontrollin apo ekuilibrimin e këtyre ideologjive.

Thjeshtë ka nevojë për frymëmarrje, për mënyra të menduari që nuk janë provinciale, ndërkohë që për momentin të gjithë mënyrat tona të të menduarit janë të tilla. Idetë pariziene janë provinciale; edhe ato athiniane, në kuptimin që kemi vështirësi të madhe për të patur kontakte dhe dije të mjaftueshme, duke qenë se idetë tona janë të izoluara në vendet respektivë. E megjithatë mendoj që ky ideal, drejt të cilit të gjithë duam të shkojmë, që duhet ta mbrojmë dhe për të cilin duhet të bëjmë të pamundurën, nuk do të realizohet shumë shpejt.

“Sovraniteti” për shumë kohë ka vënë shkopinj në të gjithë rrotat e historisë ndërkombëtare. Do të vazhdojë ta bëjë. Plagët e luftës janë ende shumë të hapura, shumë të dhimbshme për të shpresuar që kolektiviteti i kombeve do të bëjë atë përpjekje, të cilën vetëm individë superiorë janë në gjendje ta bëjnë, e që konsiston në dominimin e ndjenjave. Pra, psikologjikisht ndodhemi përballë pengesave që e bëjnë të vështirë realizimin e këtij ideali. Thënë kjo, duhet luftuar për të kapërcyer pengesat dhe për të bërë Europën, më në fund Europën, ku Parisi, Athina, Roma, Berlini do të jenë qendrat nevralgjike të një perandorie të mesme, e që do të luajë rol në historinë e të nesërmes.

Rezerva e vogël që do të paraqes është si vijon. Eshtë thënë se nuk mund të përballet nga pikëpamja intelektuale problemi i të ardhmes europiane, që nuk mund të reflektohet deri sa nuk kemi atë strukturë të cilës mund t’i referohemi. Ajo që dua të them është: ne duhet të përballemi me problemin, t’u japim përmbajtje vlerave europiane, edhe pse Europa nuk do të bëhet nesër. Më goditi pak shembulli që dëgjova. Ju thatë: “Gjermania, kur nuk ishte e bashkuar, nuk ishte një fuqi”.

Eshtë e vërtetë. Madje, duhet të themi se pjesa më e madhe e ideologjive bashkëkohore janë formuar mbi ideologjinë gjermane të shekullit XIX, dhe që të gjithë filozofët gjermanë që kanë bërë të lindë ajo formë e re mendimi, i paraprijnë bashkimit gjerman, natyrisht nëse konsiderojmë që bashkimi gjerman u realizua në 1871. Pra, është e mundur të ndikosh mbi një qytetërim, edhe në gjendjen e braktisjes dhe varfërisë ku ndodhemi.

Roli i intelektualëve dhe shkrimtarëve është në një farë kuptimi ai i vazhdimit të punës në fushën e tyre, të përpiqen të shtyjën rrotën e historisë, nëse mund ta bëjnë e nëse kanë kohë.

(…) Liria pa kufi është e kundërta e lirisë.

Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa limite; dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi në të gjithë perandorinë e tij. Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë, nuk mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka patur gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve. Dua të shtoj që ajo ekziston dhe ka një kuptim vetëm nëse limitohet nga liritë e të tjerëve. Një liri që sjell vetëm të drejta, nuk do të ishte liri, por vetëm tirani. Por, nëse sjell të drejta dhe detyrime, është një liri që ka përmbajtje dhe mund të jetohet. Pjesa tjetër, liria pa limite nuk jetohet dhe ka si cmim vdekjen e të tjerëve. Liria me limite është e vetmja gjë që bën të bashkëjetojnë atë që e ushtrojnë dhe ata në favor të të cilëve ushtrohet./Bota.al

Albert Kamy/ Nga Parisi në Berlin, në kërkim të unitetit të Europës Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com