Histori

Në gjurmë të shqiptarëve të Selanikut. Si u prish varreza e shqiptarëve nga grekët

Arlinda CANAJ

Selaniku, është qyteti i dytë më i madh në Greqi për nga numri i banorëve. Sot në Selanik banojnë rreth1.000.000 njerëz. Pas shpërnguljes së banorëve myslimanë pas vitit 1923 në këtë qytet u vendosën mijëra refugjatë të ardhur nga Azia e Vogël. Pothuajse 2/3 e banorëve të këtij qyteti dhe të prefekturës kanë ardhur pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Lozanës.

Kush udhëton në Selanik vë re se ka shumë qytetarë grekë që kanë mbiemra të fjalës shqipe. Rrugës për në spitalin Shën Nikolaos, gjendet një Tavernë, pronari i së cilës quhej Mihal Allvanosi i cili ka origjinë shqiptare. Në rrugën Politeknou nr. 45 gjendet zyra e një avokati me emrin Orestis Albanis, e shumë të tjerë.

Selaniku dikur ka qenë metropoli heterogjen i popujve ballkanikë të cilët jetonin së bashku prej shekujsh. Në fillim të shek. XX, jetonin mijëra hebrenj dhe deri në fillim të viteve 1930 ekzistonte varreza më e madhe e tyre me 500.000 varre të cilat qeveria greke e atyre viteve i shkatërroi. Hebrenjtë e parë kanë ardhur në Selanik në vitin 140 para Krishtit dhe më 1376 mbërritën hebrenj nga Hungaria dhe Gjermania. Në vitin 1492, 20.000 hebrenj nga Spanja morën leje për tu vendosur në këtë qytet.

Gjatë pushtimit gjerman 54.050 hebrenj nga Selaniku u zhdukën në kampet e të burgosurve nga gjermanët.

Sipas regjistrimit zyrtar më 1913, në Selanik u deklaruan 61.439 hebrenj, 45.867 turq, 39.956 grekë, 6.263 bullgarë dhe 4.364 të tjerë, gjithsej 157.889 banorë.

Sot në qytetin e Selanikut jeton, një bashkësi e vogël hebrenjsh prej rreth 2.000 njerëz dhe kanë një varrezë të vogël në lagjen Evozmos. Shpeshherë varret e hebrenjve dhunohen nga grupe vandalësh.

Turqit pasi e humbën qytetin e Selanikut, një pjesë të madhe u larguan për në Turqi. Sot ndoshta kanë mbetur 2 – 3 mijë veta të cilët merren me punë të rëndomta duke shitur çaj dhe salep nëpër rrugët e qytetit. Ata jetojnë në baraka dhe shtëpi të vjetra duke mos pasur mundësi për ndërtime të reja.

Numri i serbëve që kanë jetuar në Selanik nuk dihet, por ata kanë një varrezë të madhe për të cilën tregohet një kujdes i veçantë, me punëtorë dhe roje. Në këtë varrezë mund të hysh vetëm me leje speciale nëse nuk ke kombësi serbe. Ndoshta është varreza më mirë e ruajtur në Greqi, aty janë eshtrat e ushtarëve serb të vrarë gjatë luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore.

Shqiptarët në fillim të shek. XX kanë zhvilluar aktivitetet politike dhe kulturore në Selanik. Në këtë qytetet kanë pasur shtëpi të tyre shumë tregtarë nga Korça si dhe ishkryeministri i Shqipërisë Hasan Bej Prishtina i cili u vra në 1933, po në këtë qytet. Në rrugën Vasilis Ollgas, ku ndodhet ende shtëpia – pallat e Hasan Prishtinës, pak metra më tutje janë dy shtëpi-vila të tregtarëve shqiptarë Mehmet dhe Ahmet Kapandzit. (Për familjen Kapandzi, shpeshherë shkruhet se ishin hebrenj mysliman që njihen me emrin Donme, por në disa shkrime thonë se janë shqiptarë. Sot familja Kapandzi është e vendosur në Turqi). Këto dy vila u ndërtuan në vitin 1893- 1895, në një hapësirë prej 4 hektarësh të cilat shikonin nga deti.

Njëra është e modelit zviceran e projektuar nga Piero Arigoni me një dekorim të bukur të tavaneve me piktura. Ndërsa vila tjetër në vitin 1912 u bë rezidenca e princit të Greqisë, Nikollës.

Vila Kapandzit më tej u bë rezidenca e kryeministrit të Greqisë,Elefteros Venizellos, ndërsa në vitin 1928 kaloi në pronësi të Bankës Kombëtare Greke. Këto shtëpi gjenden në lagjen e të pasurve ku dikur kishin shtëpitë e tyre turqit, hebrenjtë dhe grekët e pasur.

Në vilën e Mehmet Kapandzi nga Gushti i vitit 1916 e deri nga fundi i vitit 1917 qëndroj Esat Pash Toptani i cili komandonte disa forca ushtarake shqiptare të cilët shërbenin në mbështetje të ushtrisë franceze gjatë Luftës së Parë Botërore.

Esat Pashë Toptani mbërriti në Selanik më 27 Gusht 1916 dhe u prit me paradë madhështore nga gjenerali francez Emanuil Serraili. Për shërbimet që i bëri Francës Esat Toptani, do të nderohej nga gjeneral Serrail me Kryqin e Luftës në një ceremoni të madhe të organizuar më 18 Gusht 1917, në qendër të Selanikut.

Sipas gazetës greke ΜΑΚΕΔΟΝΙΑ, varrezat e bashkësisë shqiptare që ndodhej në Selanik u prishën në vitin 1983. Në këto varreza ndodheshin varret e shumë personaliteteve të jetës politike dhe shoqërore, por për fat të keq vetëm eshtrat e Hasan Prishtinës shpëtuan dhe u dërguan në Shqipëri pas zhdukjes së kësaj varreze. Deri në vitin 2000, pika gjeografike ku ndodhej varreza shqiptare ishte shënuar gabimnë librin e Artë të Selanikut.

Vendi i varrezave të shqiptarëve ka qenë i blerë nga familjet shqiptare që kanë jetuar dhe punuar në Selanik që në kohën e Perandorisë Osmane.

Në Selanik disa vite ka jetuar Ismail Qemali i cili u martua me një greke me emrin Kleoniki. Gjatë kohës së Kryengritjes së Turqve të rinj (Xhonturqve) në korrik-gusht tëvitit 1908, në Selanik kanë qëndruar Çerçiz Topulli, Bajo Topulli dhe Mihal Grameno.

Në vitin 1916 në qytetin e Selanikut forcat greke të ndihmuar nga ushtria franceze pushkatuan atdhetarin e shquarshqiptar Themistokli Gërmenjin. Për pak muaj qëndroi në këtë qytet edhe mbreti Ahmet Zogu bashkë me shoqëruesit e tij pas largimit nga Shqipëria në 1939.

Me Selanikun lidhet edhe një ngjarje shumë e rëndësishme për grekët dhe Greqinë. Më 26 Tetor 1912,komandanti turk me kombësi shqiptare gjenerali Hasan Tahsin Pasha ia dhuroi grekëve dhe jo bullgarëve qytetin e Selanikut.

Hasan Tahsin Pasha pas i dhuroi Selanikun u largua në fillim për në Francë dhe më pas në Zvicër ku vdiq në vitin 1918 në Lozanë të Zvicrës. Aty edhe u varros për herë të parë. Në vitin 1937 Hasan Tahsin Pasha ç’varroset dhe eshtrat e tij u varrosën për herë të dytë në varrezat e shqiptarëve në Selanik, në varrin familjar Mesara. Pasi u prishën varrezat shqiptare më 1983,përsëri ç’varroset dhe rivarroset në varrezat e Malakopit, ku eshtrat i qëndruan 23 vite.

Më 2006 eshtrat e Hasan Tahsin Pashës do të ç’varrosen për të tretën herë për t’u rivarrosur me nderime të larta ushtarake bashkë me eshtrat e djalit të tij Qenanit në Muzeun e Luftërave Ballkanike që ndodhet 25 km larg Selanikut në drejtim të qytetit të Edesës. Ndërtesa që është kthyer në Muze ka shërbyer për bisedime midis Gjeneral Mesaresë dhe komandantit të

Pra, me qytetin e Selanikut lidhen dy ngjarje historike për shqiptarët në fillim të shek. XX edhe pse në këtë qytet kanë jetuar një numër i vogël i shqiptarëve në krahasim me turqit, hebrenjtë, bullgarët dhe grekët.

Revista greke PANDORA, e Qershorit të vitit 1869 shkruan se në prefekturën e Selanikut banonin 318
.000 grekë,19.000 shqiptarë, 15.000 vllahë, 17.000 sllavë, 12.000 ciganë dhe 26.000 hebrenj.

Borivoje Millojeviç, shkruan të ketë pasur 4.000 shtëpi ku banonin sllavë të krishterë, 200 shtëpi ku banonin shqiptarë të krishterë, 8.000 shtëpi turq mysliman, 200 shtëpi vllehë,5.000 shtëpi grekë të krishterë, 17.700 shtëpi hebrenj, 1.300 hebrenj të islamizuar dhe 4.000 shtëpi ku banonin njerëz të kombësive të ndryshme.

(U shfrytëzuan materialet e vyera të historianit Arben Llalla)

/konica.al/

Në gjurmë të shqiptarëve të Selanikut. Si u prish varreza e shqiptarëve nga grekët Read More »

Albert Kamy/ Nga Parisi në Berlin, në kërkim të unitetit të Europës

Në 1955, shkrimtari i madh francez ka mbajtur këtë fjalim në Athinë, në një diskutim për Europën, mes plagëve të vjetra dhe shpresave të reja: “Liria pa kufi është e kundërta e lirisë. Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa limite; dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi në të gjithë perandorinë e tij. Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë, nuk mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka patur gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve”.

Nëse besojmë se qytetërimi perëndimor konsiston mbi të gjitha në humanizimin e natyrës, domethënë në teknikat dhe në shkencën, Europa jo vetëm ka triumfuar, por forcat që sot e kërcënojnë, kanë huazuar nga Europa perëndimore teknikat dhe ambiciet e saj dhe, në cdo rast, metodën e saj shkencore apo atë të arsyetimit. I parë kështu, qytetërimi europian nuk është i rrezikuar, përvecse nga ndonjë vetëvrasje e përgjithshme.

Nëse, e anasjellta, besojmë se qytetërimi ynë është zhvilluar mbi konceptin e qnies humane, ky këndvështrim, që mund të jetë i vlefshëm, con në një përgjigje krejt tjetër. Ndoshta është e vështirë të gjesh një epokë në të cilën numri i njerëzve të poshtëruar të ketë qenë kaq i madh. Megjithatë, nuk do të thoja që kjo epokë përcmon në vecanti qenien njerëzore. Në fakt, njëkohësisht me këto forca, që do t’i quaja të së keqes për të thjeshtësuar gjërat, nuk ka dyshim që përgjatë shekujve është përhapur në mënyrë progresive një reaksion i ndërgjegjes kolektive dhe në mënyrë të vecantë i ndërgjegjes së të drejtave individuale.

Dy luftërat botërore vetëm sa e kanë lodhur pak dhe besoj se është e arsyseshme të përgjigjemi që qytetërimi ynë rrezikohet, në po të njëjtën masë sa, qenia njerëzore sot, kudo e nga pak, poshtërohet.

Këtij dallimi të dobishëm mund t’i shtoj se ne ndoshta mund të ngrejmë pyetjen që, mos vallë pikërisht suksesi i qytetërimit perëndimor në aspektin e vet shkencor, është pjesërisht fajtor për dështimin moral të këtij qytetërimi? Për ta thënë ndryshe, mos vallë, në një farë kuptimi, besimi absolut, i verbër, në fuqinë e arsyes racionaliste – të themi në arsyen karteziane për të thjeshtësuar gjërat, sepse është kjo arsye në qendër të dijes bashkëkohore – është përgjegjës në një farë mase për kufizimin e ndjeshmërisë njerëzore që ka mundur, gjatë një procesi të gjatë për ta shpjeguar, të shkaktojë pak e nga pak këtë degradim të universit personal.

Universi teknik në vetvete nuk është një gjë e keqe, dhe jam absolutisht kundër të gjithë atyre teorive që kërkojnë kthimin tek rrota, apo plugu i tërhequr nga buajt. Por arsyeja teknike, e vendosur në qendër të universit, konsideruar si agjenti mekanik më i rëndësishëm i një qytetërimi, përfundon duke provokuar një lloj perversioni, si tek inteligjenca, ashtu edhe tek zakonet, që rrezikon të cojë në dështim atë për të cilin kemi folur. Do të ishte interesante të përpiqeshim të kuptonim se si e bën këtë.

(…) Cilët janë, mbi të gjitha, elementët që përbëjnë qytetërimin europian? Ju përgjigjem që nuk e di. Megjithatë, secili prej nesh ka një këndvështrim të privilegjuar, sentimental në një farë mënyre, që për më tepër mund të arsyetohet bazuar mbi vëzhgime, e që na bën të preferojmë një prej këtyre elementëve, kundrejt të tjerëve.

Sipas meje, qytetërimi europian është pikësëpari një qytetërim pluralist. Dua të them që ai është vendi i diversitetit të mendimeve, të kundërshtimeve, të vlerave që bien ndesh dhe të dialektikës që nuk arrin në një sintezë. Në Europë, dialektika e gjallë është ajo që nuk con në një lloj ideologjie njëkohësisht totalitare dhe ortodokse. Më duket se kontributi më i rëndësishëm i qytetërimit tonë është ai pluralizëm, që ka qenë gjithmonë themeli i nocionit të lirisë europiane. Sot, është pikërisht ky që është në rrezik dhe këtë duhet të përpiqemi të ruajmë.

Shprehja e Volterit, që më duket se ka thënë se “nuk mendoj si ju, por do të luftoja deri në vdekje për t’ju lënë të shprehni mendimin tuaj” është natyrshëm një parim i mendimit europian. Nuk ka dyshim, që sot në planin e lirisë intelektuale, por edhe në plane të tjerë, ky parim vihet në diskutim, sulmohet dhe më duket se duhet mbrojtur.

Në lidhje me pyetjen, për të ditur nëse në fund do të shpëtohet dhe nëse në fund e ardhmja do të jetë e jona, siç thuhet, pikërisht këtyre lloj pyetjeve u përgjigjem në të njëjtën mënyrë sic u përgjigjem të tjerave, që i ngre vetvetes në situata të ngjashme. Në disa rrethana, më duket se një njeri mund të përgjigjet: “Kjo gjë është e vërtetë, sipas meje, apo ndoshta e vërtetë. Pra, kjo gjë duhet të jetojë. Nuk është e sigurtë që unë mundem ta bëj të jetojë, nuk është e sigurtë që atë që mua më duket thelbësore, nuk e pret vdekja. Sifdoqoftë, e vetmja gjë që mund të bëj është që të luftoj që të mbesë e gjallë”.

Mendoj se në këtë fazë Europa është e mbyllur në një kuadër të ngurtë, në brendësi të të cilit nuk mundet të marrë frymë. Që nga momenti kur Athina është gjashtë orë nga Parisi, që në tre orë nga Roma shkohet në Paris, dhe që kufijtë ekzistojnë vetëm për doganierët dhe pasagjerët që i nënshtrohen juridiksionit të tyre, jetojmë në një shtet feudal. Europa, që ka qenë fillesa e ideologjive që dominojnë sot botën, e që sot i sheh të kthehen kundër saj, teksa janë mishëruar në vende më të mëdhenj dhe më të fuqishëm industrialisht, kjo Europë që ka patur pushtetin dhe fuqinë që të teorizojë ideologji të tilla, në po të njëjtën mënyrë mund të gjejë forcën për të krijuar konceptet që mund të lejojnë kontrollin apo ekuilibrimin e këtyre ideologjive.

Thjeshtë ka nevojë për frymëmarrje, për mënyra të menduari që nuk janë provinciale, ndërkohë që për momentin të gjithë mënyrat tona të të menduarit janë të tilla. Idetë pariziene janë provinciale; edhe ato athiniane, në kuptimin që kemi vështirësi të madhe për të patur kontakte dhe dije të mjaftueshme, duke qenë se idetë tona janë të izoluara në vendet respektivë. E megjithatë mendoj që ky ideal, drejt të cilit të gjithë duam të shkojmë, që duhet ta mbrojmë dhe për të cilin duhet të bëjmë të pamundurën, nuk do të realizohet shumë shpejt.

“Sovraniteti” për shumë kohë ka vënë shkopinj në të gjithë rrotat e historisë ndërkombëtare. Do të vazhdojë ta bëjë. Plagët e luftës janë ende shumë të hapura, shumë të dhimbshme për të shpresuar që kolektiviteti i kombeve do të bëjë atë përpjekje, të cilën vetëm individë superiorë janë në gjendje ta bëjnë, e që konsiston në dominimin e ndjenjave. Pra, psikologjikisht ndodhemi përballë pengesave që e bëjnë të vështirë realizimin e këtij ideali. Thënë kjo, duhet luftuar për të kapërcyer pengesat dhe për të bërë Europën, më në fund Europën, ku Parisi, Athina, Roma, Berlini do të jenë qendrat nevralgjike të një perandorie të mesme, e që do të luajë rol në historinë e të nesërmes.

Rezerva e vogël që do të paraqes është si vijon. Eshtë thënë se nuk mund të përballet nga pikëpamja intelektuale problemi i të ardhmes europiane, që nuk mund të reflektohet deri sa nuk kemi atë strukturë të cilës mund t’i referohemi. Ajo që dua të them është: ne duhet të përballemi me problemin, t’u japim përmbajtje vlerave europiane, edhe pse Europa nuk do të bëhet nesër. Më goditi pak shembulli që dëgjova. Ju thatë: “Gjermania, kur nuk ishte e bashkuar, nuk ishte një fuqi”.

Eshtë e vërtetë. Madje, duhet të themi se pjesa më e madhe e ideologjive bashkëkohore janë formuar mbi ideologjinë gjermane të shekullit XIX, dhe që të gjithë filozofët gjermanë që kanë bërë të lindë ajo formë e re mendimi, i paraprijnë bashkimit gjerman, natyrisht nëse konsiderojmë që bashkimi gjerman u realizua në 1871. Pra, është e mundur të ndikosh mbi një qytetërim, edhe në gjendjen e braktisjes dhe varfërisë ku ndodhemi.

Roli i intelektualëve dhe shkrimtarëve është në një farë kuptimi ai i vazhdimit të punës në fushën e tyre, të përpiqen të shtyjën rrotën e historisë, nëse mund ta bëjnë e nëse kanë kohë.

(…) Liria pa kufi është e kundërta e lirisë.

Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa limite; dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi në të gjithë perandorinë e tij. Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë, nuk mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka patur gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve. Dua të shtoj që ajo ekziston dhe ka një kuptim vetëm nëse limitohet nga liritë e të tjerëve. Një liri që sjell vetëm të drejta, nuk do të ishte liri, por vetëm tirani. Por, nëse sjell të drejta dhe detyrime, është një liri që ka përmbajtje dhe mund të jetohet. Pjesa tjetër, liria pa limite nuk jetohet dhe ka si cmim vdekjen e të tjerëve. Liria me limite është e vetmja gjë që bën të bashkëjetojnë atë që e ushtrojnë dhe ata në favor të të cilëve ushtrohet./Bota.al

Albert Kamy/ Nga Parisi në Berlin, në kërkim të unitetit të Europës Read More »

Negovani, fshati që ka vetëm shqiptarë por ku nuk lejohet të flitet shqip

Është e trishtë historia e Negovanit. Në vitin 1928 këtij fshati të famshëm iu kthye emri në Flamburo. Në ditët e sotme aty ende banojnë shqiptarë ortodoksë dhe pak vllehë. Por sipas të dhënave nga viti 1912 deri në vitin 1928 në Negovan banonin rreth 1100 njerëz.

Ky fshat është i njohur për atdhetarizmin e banorëve të tij. Në shumë shkrime të mëparshme kemi përmendur që në këtë fshat u hapën shkolla shqipe dhe u mbajtën mesha në gjuhën shqipe që në fillim të shekullit XX.

Fshati është i njohur sepse këtu lindën figura të shquara shqiptare ndër më të njohurit Papa Kristo Negovani dhe Theodhos Haradhambi Negovani, të cilët u vranë barbarisht nga grekët në vitin 1905 sepse u mësonin fëmijëve të fshatit gjuhën shqipe.

Papa Vasil Gjikë Stillo është nipi i Negovanëve i cili më 1910, bëri përpjekje që në kishën e fshatit të mbante meshën në gjuhën shqipe dhe e goditën me thika gjatë meshës, vdiq më 16 janar 1910 në spitalin e burgut të Manastirit.

Për vrasjen, në Negovan, të priftit shqiptar, dëshironte ta kthente liturgjinë në kishë nga gjuha greke në gjuhën shqipe ka shkruar edhe Brailsford.

Sipas të dhënave që disponon historiani i njohur Arben Llalla në librin e tij “Demografia në viset Veriore të Greqisë”, shumë dokumente historike vërtetojnë se Negovani ka qenë fshat i pastër shqiptar. Pleqësia e fshatit në fund të vitit 1909, lajmëronte me një letër në gjuhën shqipe prej tre faqesh se është hapur shkolla shqipe “Dituria”, me mësonjës Petro Nini Luarasi, Në letër thuhet se shkolla në Negovan ka nevojë për libra dhe fletore për rreth 40 nxënës, djem dhe vajza të cilët e kishin braktisur shkollën në gjuhën greke. Në fund letra është firmosur nga pleqësia e shkollës, kryeplaku Sotir Kristo, arkëtari Sotir A Xoxe, pleqnar Naso Tire dhe mësonjësi Petro ( Αθανάσιος Χαλκιόπουλος, ΜΑΚΕΔΟΝΙΑ – ΒΙΛΑΕΤΙΑ, ΤΗΕΣΣΑΛΟΝΙΚΗΣ-ΜΩΝΑΣΤΙΡΙΟΥ, (Εθνολογική στατιστική των βιλαετίων Θεσσαλονίκης και Μοναστηρίου), Αθήναι, 1910, fq.90 203 ëëë.lithoksou.net/florina_gh.html).

Në fund letra ka edhe vulën e pleqësisë së mësonjëtores me vitin e themelimit të saj 1909. Origjinali i kësaj letre gjendet në muzeun e qytetit të Elbasanit. Kjo shkollë u drejtua deri në vitin 1911 nga Petro Nini Luarasi .

Nga Negovani është dhe ish-ministri i brendshëm i Republikës së Shqipërisë Koçi Xoxe (1911-1949), njëri nga figurat qendrore të Partisë Komuniste. Gjatë kohës së diktaturës komuniste është shkruar se Koçi Xoxe ishte sllav-folës, por në Negovan nuk ka pasur asnjë familje sllav-folëse. Një kushëri i Koçi Xoxes i quajtur Mihal Xoxe, në fund të shek.XIX kishte ngritur në Kostancë një shtypshkronjë nga më të mëdhatë të asaj periudhe në Rumani, ku rilindësit shqiptarë botonin veprat e tyre patriotike. Aty janë botuar edhe librat e Frashërllinjëve, të Naimit, Abdylit të Samiut dhe të shkrimtarëve e patriotëve të tjerë të Rilindjes sonë Kombëtare, të cilat ndezën në ato vite shumë ndjenjat patriotike.

Negovani në fillim të shek.XX ishte fshat shumë i madh dhe numëronte mbi 500 shtëpi të banuara qind për qind me shqiptarë.

Në një shkrim të botuar në revistën gjermane Der Spiegel, më 10 nëntor 2003, Renate Flottau, shkruan se në Flamburo (Negovan) kishte takuar një të moshuar që shiste mollë anës rrugës dhe ai i kishte thënë se shqiptarët vendas nuk guxojnë as të flasin shqip në shtëpitë e tyre. Grekët na kanë asimiluar. Nuk ka shkolla shqipe apo institucione kulturore.

Nga të dhënat e regjistrimeve të popullsisë që do sjellim më poshtë, nuk na rezulton që në Negovan të ketë familje sllave.

Nga të dhënat që jep autori Brankof në fshat ka 96 bullgarë të krishterë, 110 grekë, 300 vlehë dhe 1080 shqiptarë të krishterë. Fshati kishte dy shkolla fetare, tre mësues dhe 200 nxënës. Sipas Millojeviç, ai jep të dhëna për 110 shtëpi ku banojnë shqiptarë ortodoks dhe 3 shtëpi vlleh ortodoks. Në regjistrimin e vitit 1932, fshati kishte 210 familje të huaja që flisnin gjuhën shqipe dhe pak prej tyre gjuhën sllave dhe rumanishten, dhe 44 familje kanë deklaruar hapur se janë shqiptar.Ndërsa Riki Van Boeschoten dhe Helleen van der Minne, deklarojnë se banorët e Negovanit janë deklaruar të gjithë shqiptarë.

Sot fshati i përket komunës së Perasmatos dhe ka rreth 420 banorë./njekomb

Negovani, fshati që ka vetëm shqiptarë por ku nuk lejohet të flitet shqip Read More »

Dokumenti i CIA-s: Publikohet harta e Shqipërisë së bashkuar, ja kur do të ndodhë

Në një kohë kur teza e bashkimit kombëtar sa vjen e artikulohet në qarqet e politikës mbarëshqiptare, një hartë e detajuar e një grupit ekspertësh pranë CIA amerikane parashikon që kjo gjë të ndodhë në vitin 2035.

Rritja e ndikimit të shqiptarëve në politikat rajonale, si dhe mbështetja në rritje nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duket se do të përshpejtojë procesin e bashkimit, i cili në retorikën e politikës së sotme globaliste, duket si i pamundur.

Në një kohë që në rajonin e Ballkanit kanë nisur të vlojnë çështjet e pazgjidhura historike si dhe padrejtësitë ndaj popullit shqiptar, është zbardhur një hartë e krijuar nga ana e ekspertëve të CIA e cila parashikon ndryshime drastike kufijsh jo vetëm sa i takon trevave shqiptare, por edhe territoreve të tjera evropiane të cilat prej shekujsh kanë qenë objekt luftërash.

Nuk dihet nëse botimi i kësaj harte lidhet me rrethanat aktuale, kur zëri i shqiptarëve për ndreqjen e padrejtësive historike sa vjen e forcohet, apo ky studim i CIA dhe agjencisë ruse GRU zbardhet fare rastësisht.

Paradoksalisht, këto harta të bëra publike në mediat amerikane dhe ato ruse nuk janë vetëm studim e ekspertëve të CIA, por edhe të agjencisë rusë GRU, shtet i cili njihet për politikat e tij proserbe dhe antishqiptare.

Në një kohë që çështja e rishikimit të kufijve shihet si një opsion i rrezikshëm për paqen, hartat qarkulluara në mediat amerikane dhe ruse proklamojnë një bashkim të të gjitha trevave shqiptare.
Ky bashkim parashikohet të ndodh në vitin 2035 dhe do të përfshijë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën si dhe trevat në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi si dhe Greqi.

Analiza dhe studimet për hartimin e hartës bazohen në analiza dhe studime speciale të kryera nga ana e të shërbimeve më prestigjioze amerikane dhe ruse siç janë CIA dhe GRU. Po ashtu konkludimi në këtë hartë bazohet edhe tek burimet e rëndësishme të institucioneve ndërkombëtare të cilat merren me studime gjeostrategjike.

Evropa
Edhe pse kjo hartë e bërë publike në mediat amerikane dhe ato ruse është produkt i analizave të ekspertëve të agjencive prestigjioze të inteligjencës së dy prej shteteve më të fuqishme të botës, nuk dihet nëse politikat e këtyre vendeve do të fokusohen zyrtarisht në konkludimin praktik të kësaj ndarjeje territoriale e cila prek jo vetëm trevat shqiptare, por edhe një pjesë të mirë të Evropës.
Kjo hartë zbardh fakte tronditëse në lidhje me një pjesë të mirë të territoreve në shtete evropiane të cilat kanë provokuar luftëra të shumta ndërshtetërore por edhe botërore.

Po sipas studimeve të konkluduara në këtë hartë, rezulton se Bosnjë-Hercegovina do të pushojë së ekzistuari si shtet për tu ndarë midis Kroacisë dhe Serbisë.

Ndryshime priten edhe në shtete e fuqishme si Britania, ku Skocia do të shpallë Pavarësinë ndërsa Irlanda do të bashkohet. Nga ana tjetër, Baskia dhe Katalonia, do të deklarojnë pavarësinë nga Spanja, duke marrë edhe pjesë nga territori francez.

Ky shtet duket se do të humbasë shumë nga lavdia e tij historike pas përqendrimit të lartë të grupeve islamike do të hapet rruga për rritjen dhe krijimin e një shteti islam në jug të Francës.

Krahina e luftërave historike franko-gjermane, Lorraine, mbi baza federale do të bashkohet me Gjermaninë ndërsa nga Belgjika do të ndahet Flamania, e cila do të bashkohet me Holandën.

Dokumenti i CIA-s: Publikohet harta e Shqipërisë së bashkuar, ja kur do të ndodhë Read More »

Çfarë më tha Fatos Nano, kur në skenë po kërcenin vajza gjysmë të zhveshura

Në intervistën e tij Muho Asllani rrëfen se pasi doli nga burgu në kushte të vështira ku e gjithë familja ishte pa punë vendosi të shkonte te Fatos Nano.

“E marr në telefon dhe kërkoj ta takoj. Më thotë hajde nesër në 12. Prita një orë, ma shtyu tre herë takimin, derisa pasdite më tha që hajde nesër. Mora trenin se kushtonte më lirë dhe shkova të nesërmen… Më sorollati përsëri, hajde pas një ore, hajde pas dy orësh. E mora në telefon dhe i thashë: Kurrë bojën mos ta pafsha! Kur erdhi në Durrës ishte fushata zgjedhore.

Fatosi më takoi në një takim, më pas në një program artistik. Më tha: ku je Muho Asllani, hajde, ulu këtu! Unë e përshëndeta me respekt edhe pse më kishte sorollatur pa më takuar më parë. Në skenë po kërcenin ca vajza gjysmë të zhveshura. Më thotë Fatosi: A do e kishe lejuar në kohën tënde këtë vajzën të kërcente kështu?

Jo vetëm që nuk do e kisha lejuar po do e kisha çuar në minierë të punonte, jo vetëm atë, por edhe ata që e kanë lejuar dhe organizuar këtë shfaqeje”, rrëfen Asllani për gazetën “Panorama”.

Ai tregon se që atëherë nuk është takuar më me të.

“Më ka ardhur keq kur u nda nga bashkëshortaja,Rexhina, sepse ajo ka sakrifikuar shumë për Fatosin. Ata kanë qenë të dashuruar që në gjimnaz, ndërsa famija e Rexhinës ishte një familje shumë e mirë shkodrane”, thotë ai.

Çfarë më tha Fatos Nano, kur në skenë po kërcenin vajza gjysmë të zhveshura Read More »

Historia e heshtur / “Të zbulosh zonën e Orikumit, Dukatit, Tragjasit është si të rrugëtosh në gjurmët e historisë. Vlera të ralla, kala, qytete antike, monumente kulture që i gjen kudo, e që kanë shumë për të thënë, edhe pse nuk kanë pasur mjaftueshëm zë, për të treguar gjithçka ato fshehin”.

“Të zbulosh zonën e Orikumit, Dukatit, Tragjasit është si të rrugëtosh në gjurmët e historisë. Vlera të ralla, kala, qytete antike, monumente kulture që i gjen kudo, e që kanë shumë për të thënë, edhe pse nuk kanë pasur mjaftueshëm zë, për të treguar gjithçka ato fshehin”.

Rreth 20 kilometra nga qyteti i Vlorës, Tragjasi i ri qëndron në këmbët e Tragjasit të vjetër. I riu ngre krye me banesat e reja shumëkatëshe, ku jetojnë mëse 1300 banorë, ndërsa më tej mijëra sy të gurtë ku s’jeton askush derdhen në horizont. Tragjasi ka një histori shekullore që shtrihet, sipas studiuesve, që prej shekujve 4-7 para Krishtit. Disa herë është djegur që nga koha e Sulltan Bajazitit, është masakruar, por nuk është shuar. Këto gërmadha të mbetura mbajnë brenda shekuj histori, mbajnë peshën e rëndë të moteve të shkuar. Banorët nisën të zbrisnin ngadalë, vit pas viti, shekull pas shekulli, nga ky fshat, shënjestër e sulmeve të shumta të okupatorëve, që nuk rreshtën edhe në Luftën e Dytë Botërore, kur Tragjasi u dogj nga gjermanët. Sot këtu gurët flasin e tregojnë me rrudhat e gdhendura mbi trupin e tyre nga shekuj histori.

Sot pamja që ofron Tragjasi i vjetër është impresionuese; nga shtëpitë mund të kuptosh pozitën e lartë që kanë pasur banorët e tij, ndërsa “varri i çifutit”, siç e njohin banorët e që gjendet diku në një pjesë të fshatit, e bën edhe më mistike e misterioze historinë e këtushme. I sigurt është fakti se ky fshat mund të kthehet në një burim të jashtëzakonshëm turistik, një muze në natyrë, një natyrë muze, që flet me shtëpitë e çdo gur të tij.

Nuk do të duhej shumë investim, por do të duhej imagjinatë e dëshirë për t’i dhuruar turistëve një perlë të tillë identitare, një vend ku ke ç’të shohësh e mësosh, pas çdo kthine e çdo rrugice, sot të vetmuar.

“Një dorë e vogël, një ndihmë e vogël e një fuqie të madhe, do të bënte mrekullinë. Mendoj se do të ishte një nga vendet më të vizituara”, thotë Lame Troqe, banor i zonës.

Jo larg nga fshati i vjetër, e as nga ai i riu, ngrihet edhe kalaja e Gjon Boçarit. Ai mendohet se ka qenë një nga luftëtarët e Skënderbeut, që më pas u kthye në këtë vend për të ngritur këtë fortesë, që daton sipas disa studiuesve që në shekullin e 14. E megjithatë, në kala e kemi të pamundur të shkojmë, pasi e vetmja rrugë është e rrethuar brenda një prone private, ndaj çdo tentativë tjetër është e pamundur mes pemishteve, ferrave e gjelbërimit të hazdisur. Në Shqipëri ndodh edhe kështu, të detyrohesh të shohësh një vlerë të tillë veç nga larg, ose veç përmes fotografive.

19 kilometra na ndajnë nga një tjetër fshat historik, që emrin e mban që prej të paktën shekullit të tretë para Krishtit, Dukatit. Në krye të tij, në pjesën e vjetër, ngrihet shtëpia e një prej krerëve më të njohur të kryengritjeve antiosmane të viteve 1847, Dervish Ali Dukatit. Kulla, monument kulture, që më shumë i përngjan një kalaje të vogël, në masën më të madhe ka rënë mbi vete, e kjo sepse edhe fondet që janë kërkuar nga Zyra Rajonale e Monumenteve të Kulturës duket se kanë fjetur sirtarëve, e kurrë nuk janë miratuar.

“Ky objekt me të cilin duhet të mburret krahina, është krenari e krahinës, por ka mbetur kështu siç është. Ka nevojë për investime, rregullime, mirëmbajtje dhe për fonde”, tha Sokrat Gjikoka.

Në kullat mbrojtëse, ato të vrojtimit, odat dhe gjithë ambientet e tjera, vërehen dëmtimet e shumta të ndërtesës, që dikur në kohën e diktaturës ka qenë muze, ndërsa sot është kthyer në një rrënojë.

Jo larg ngrihet edhe shtëpia e një tjetër figure të madhe, Pilo Andon Gjikokës, luftëtar i shumë betejave, i internuar e masakruar nga osmanët tek italianët. Edhe këtu gjithçka është shkatërruar.

Në Dukat Fushë kalojmë edhe nga ujësjellësi i Ferrunit, i ndërtuar në vitin 1888 nga mjeshtrat vendas, e që sot duket i dënuar me shembje për shkak të degradimit të tij. Diku më tej, edhe Kisha e Marmiroit, një tjetër monument kulture i shekullit të 12. Dikur në vitet 1970, Instituti i Monumenteve të Kulturës, nën kujdesin e profesor Aleksandër Meksit, e ngriti nga gërmadhat duke e kthyer thuajse në gjendjen fillestare, ndërsa sot fati po shkon drejt rikthimit të saj ashtu siç u zbulua, në shesh.

Laguna e Orikut të drejton për nga qyteti antik, pjesa më e madhe e të cilit gjendet brenda territorit të bazës së Pashalimanit. Oriku, që mendohet se është themeluar në shekullin e 6 para Krishtit shtrihet përreth kodrës së Paleokastrës.

Përtej zbulimeve, që këtu ende vazhdojnë, e për të cilat Zyra Rajonale e Vlorës dhe Instituti Arkeologjik kanë dhënë kontributin e tyre, problemi më i madh duket mungesa e një mbështetjeje të denjë, e mbi të gjitha fondet që do t’i jepnin më shumë hijeshi e mundësi gërmimesh të reja.

“Është ‘i mbyllur’, sepse në fakt është i hapur, por s’pret njeri. Pa vënë dorë nga institucionet përkatëse dhe vështirë për t’u parë, për të gjetur rrugët për të identifikuar monumentet një e nga një, siç i ka parku”, shprehet Eduard Demo, kryetar i shoqatës “Oriku”.

Vlera të mëdha, që shqiptarët nuk kanë ditur kurrë t’i nxjerrin e promovojnë mjaftueshëm.

Në Orik, mbi të gjitha duhet të bëhesh gati edhe për një betejë, vështirë të përballueshme, me mushkonjat, duhet të jesh me fat të kalosh pa ndonjë virus nga pickimet e shumta, që vijnë nga laguna ku shtrihet sot edhe një pjesë e mbytur e qytetit antik.

Do të duheshin ditë të tëra të rreshtoje monumentet e kësaj zone, e mbi të gjitha vlerat historike e kulturore që ajo ka, e ku gjithçka bie ndesh me harresën, indiferentizmin, mungesën e investimeve disavjeçare, që kanë qenë veç grimca e asgjë më shumë.

“Ky është një rrugëtim për të  sjellë në vëmendje vlerat kulturore e historike të këtyre zonave, këto pasuri të ralla, me shpresën se zëri i tyre do të dëgjohet për të shkundur harresën e apatinë”.
Top Channel

Historia e heshtur / “Të zbulosh zonën e Orikumit, Dukatit, Tragjasit është si të rrugëtosh në gjurmët e historisë. Vlera të ralla, kala, qytete antike, monumente kulture që i gjen kudo, e që kanë shumë për të thënë, edhe pse nuk kanë pasur mjaftueshëm zë, për të treguar gjithçka ato fshehin”. Read More »

Lidhja e Prizrenit/ Përparim Kabo letër të hapur Abdyl Bej Frashërit: “Ti harxhove pasurinë për Shqipërinë, sot këta harxhojnë pasurinë e shtetit për vete”

I nderuar burri i shtetit, Abdyl Bej Frashëri,

Më ndje që po të prish qetësinë qiellore! Ndodh kështu, sepse oshtima historike vjen sot në një jehonë dhe thotë: “U mbushën plot 140 vjet nga viti i ngjarjes së madhe 1878, që në historinë tonë kombëtare njihet si viti i Lidhjes së Prizrenit! Emri dhe vepra jote “O bir i shquar i Frashëllënjive”, është e lidhur me ato ngjarje dhe me atë bashkim të gjerë të shqiptarëve në gegëri dhe toskëri.

Sot jemi Republikë Demokratike Abdyl Bej, por kalvari ynë historik ka qenë i vështirë dhe me kosto të lartë. Më 1912-ën e fituam pavarësinë, por dheu i të parëve, i pellazgëve, me Ilirinë dhe Epirin dhe jo thjesht gegërinë dhe toskërinë, u katandis një grusht vetëm 28.000 km katrorë.

Më 1928-ën, u bëmë mbretëri dhe prapë lamë jashtë vetes Shën Naunin. Më 1944-ën, pas Luftës së Dytë Botërore, përfundimisht Kosova dhe Metohia mbetën nga ana e shtetit të serbëve, të cilët që prej 1918-ës, me ndihmën e Fuqive të Mëdha kishin krijuar shtetin e sllavëve të Jugut. Sistemi komunist jo ai i Babëfit, por i prodhuar nga Rusia, pllakosi edhe tek ne dhe nuk qëndroi pak, por gjysmë shekulli! Më fal Abdyl Bej për këto që të them, por është më mirë t’i dish, sesa të mos kesh dijeni për to.

Shurdhëria për fatin e atdheut është më shumë se mosdëgjim! Ajo vete tek humbja e sojit dhe racës, detyrës dhe përgjegjësisë, tek e fundit është si të fërkosh duart, kur tymi i del çatisë së shtëpisë tënde. Ndaj jush kemi detyrimin e përgjegjësisë, sepse historia nuk fillon sot apo dje, por është mijëravjeçare.
Kemi parlament Abdyl Bej dhe ju e dini se sa i rëndësishëm është ky institucion.

Kemi edhe Kushtet apo “Ligjin Kushtetues”, si e quanit Ju në kohën tuaj, atëherë në motin 1876 kur më 23 dhjetor Perandoria Osmane shpalli për herë të parë “Ligjin Konstitucional” dhe në fillim të vitit 1877 u mblodh parlamenti i parë. Nga Vilajeti i Janinës si deputetë shqiptar ishit Ju, Abdyl Bej Frashëri, ishte Mehmet Ali Bej Vrioni dhe Ilia Harito.

Po sot në Parlamentin Shqiptar Abdyl Frashëri, nuk ka pinjoll të Frashërllinjëve. Por as nga Topiat, nga Mirditasit, nga Muzakajt, nga Komnenët, as nga Arianitasit, as nga Vrionasit, as nga Dodajt, Terezinjtë dhe Tabakët etj etj. Familjet e mëdha që shkrinë të gjithë pasurinë për të bërë Shqipërinë, ua kanë lënë vendin atyre që sot shkrijnë pasuritë e atdheut për të bërë para për veten dhe familjen e tyre. Pinjollët e tyre kanë mbetur ashtu oriental që si thotë një bir kosove për këtë takëm, Kris Maloku: “orientalët e kanë mendjen tek llokmat dhe tek pushteti”.

Antropologjia institucionale e dyerve të mëdha historike dhe me kontribut është ndërprerë Abdyl Bej. Kemi në parlamentin e sotëm, 140 vjet pas Lidhjes së Prizrenit, përfaqësues nga llagape të tjera; nga bufa dhe zogj, nga hoxhallarë dhe priftërinj,nga fushëfurtunët dhe nga çalamanët, nga leshprerës dhe kaposha, por nuk ka një frashëlli Abdyl Bej Frashëri.

Ky rrap i madh bëri degë të trasha si Medi e Mid’hat Frashëri, por pas tyre trungu nuk çeli më dhe do zoti nuk është tharë; pasi nëse nuk kemi ahe e pisha, ullinj dhe mollë, do të kemi driza e shkurre që bëjnë hije të shkurtër dhe lumturohen me të gjithë jetën. Pas luftës së Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit që ju krijuat Abdyl Bej, në të cilën më shumë se drejtues ju i ishit një ndërmjetës mes gegërisë dhe toskërisë për të ruajtur në një Vilajet të vetëm të gjitha trevat historike të shqiptarëve është ngjarja më kulmore.

Ju tribunët e asaj kohe të parët e kuptuat se “populli shqiptar prej Evropës së qytetëruar konsiderohej si i thëthitur prej popullit turk dhe si një anëtar i familjes madhe Myslimane, që nuk pranonte kombësi të veçantë. Si përfundim i këtij mendimi Shqipëria konsiderohej si një kuptim gjeografik dhe populli shqiptar i destinuar për të pësuar fatin e Turqve të Ballkanit, d.m.th. për tu zhdukur nga kjo tokë e për të mërguar, shpejt ose vonë, në Azinë e vogël”.

Fal jush shqiptarëve të asaj periudhe, prijës dhe popullit i thjeshtë, politikanë e diplomatë, udhëheqës ushtarakë dhe luftëtarë, nuk humbi kombësia shqiptare, nuk humbi atdheu i të parëve pellazg e ilir, nuk u shpërngulëm në Azinë e Vogël! Fal Jush u rrëzua përfundimisht kuptimi i gabuar i Botës Perëndimore ndaj shqiptarëve dhe ne mbetëm në kontinentin evropian.

Ju e keni meritën për këtë arritje Abdyl Bej, sepse kishit inteligjencën e duhur prej intelektuali, kthjelltësinë e mendjes prej mendimtari vizionar, karakterin e lartë prej një frashëlliu e shqiptari të pa ndryshuar në çdo moment dhe situatë, dhe gjithashtu se ju kishit kulturë perëndimore dhe e shihnit të ardhmen e popullit shqiptar dhe shtetit shqiptar nga oksidenti, por të respektuar dhe jo të masakruar e theroruar!

Të jemi mirënjohës Abdyl bej Frashëri, sepse Ju krijuat Qendrën në Frashër, hartuat programin e Lidhjes së Prizrenit, i dhatë lidhjes frymë nacionale dhe mbi të gjitha kuptim evropian.
Personalisht më vjen keq o burrë i kombit që kujtimet e tua për atë ngjarje të shkruar në gjuhën turke që mbetën të depozituar në shtëpinë e Kahreman bej Vrionit në Fier, humbën në kohën e luftërave mes Italianëve dhe Austriakëve, vite më vonë Abdyl Bej.

Kemi rreth 30 vjet që kemi edhe Akademi të Shkencave si edhe dëshironte dhe uronte për ngritjen e një kombi të emancipuar vëllai yt Samiu, por akademikët dhe gjërmonjësit e arkivave nuk gjetën kohë të merreshin me këtë punë dhe ndaj edhe pas 140 viteve, një pjesë e kujtesës historike na mungon.

Lidhja e Prizrenit dhe aktiviteti i saj vijoi tre vjet 1878-1881, por nga prurjet, aktivitetet, ngjarjet, betejat politike diplomatike dhe ushtarake, ajo nuk respektohet thjesht për kontribute, por për përballimin me sukses të një goditje që mund të rezultonte fundi i një race, eliminimi i një etnie, përçudnimi i një kombësie, mbyllje e një historie, zhdukja e një gjuhe e kulture,gllabërimi i një territori.

Nuk do ishim më në këtë botë Abdyl Bej me emrin e bukur shqiptar! Historia në të gjithë kohërat ka plot raste të popujve dhe kulturave, gjuhëve dhe identiteteve të zhdukura. Ndaj Lidhja e Prizrenit për herë të parë në mënyrë të organizuar në marrëdhënie si me lindjen (Portën e lartë) dhe me perëndimin (Fuqitë e mëdha) formulojë institucionalisht kuptimin mbi atë që ne quajmë “Rilindja Shqiptare”.

Ju Abdyl Bej Frashëri më mirë se kushdo kuptuat se përball ngjarjeve ndërkombëtare që lidheshin me Orientin, me raportin mes fuqive të mëdha dhe në veçanti me Rusinë, si dhe rolit të saj në Ballkan, ishin krijuar kushtet që fqinjët të “shqyenin një gojë të madhe” për të kafshuar. Ndërsa diabolizmi turk zvarriste problemet për të mos shkuar gjëkundi!

E gjithë përpjekja juaj atdhetare përfundoi me arrestimin tënd dhe organizmin e gjyqit ushtarak të drejtuar nga gjenerali turk Dervish Pasha; por ama ajo kishte vetëm një pikërëndesë, një shpëtim, një udhë faqebardhë në histori: “Ju Krijuat idenë e kombësisë për të kapërcyer vonesat historike tek shqiptarët dhe për ta sjellë edhe mes tyre dritën e Revolucionit Frëng të 1789-s, që kishte në programin e vet edhe parimin e nacionalitetit”. Mirënjohje nga zemra o njeri që e doje atdheun mbi çdo gjë! Edhe mbi jetën tënde!

Pas periudhës së Skënderbeut dhe qëndresës së tij e tërë energjia jonë antropologjike kishte shkuar jashtë nesh. Kishte ardhur koha ti shërbenim vetes si kombësi, si atdhe, si shtet, si institucione. Ato 27 vjet reshtë të luftës heroike nën udhëheqjen e Skënderbeut, qëndresa e tyre dhe energjia luftarake, u dha të kuptonin Osmanllinjëve, se shqiptarët ishin një “popull ushtar i shkallës së parë”.

Ata e nuhatën se për të kontrolluar Ballkanin lypsej ta bënin për vete këtë popull luftëtarësh. Ndaj pas pushtimit sulltanët e Stambollit mbajtën një politikë të veçantë për Shqipërinë. Më bukur se kushdo këtë përçudnim të shqiptarëve e ka shprehur në 60 vjetorin e Lidhjes, një tjetër Frashëlli i ndritur dhe me kontribut për shtetin Shqiptar, Mehdi Frashëri, i cili në ditët e Lidhjes ishte një fëmijë.

Ja si shprehet ai:

“Shqiptari si malësor, pushkatar, energjik, ambicioz, nga feja i dobët, madhështidashës dhe fort pak punëtor, gjithnjë prirej për të rrojtur me aventurë, i bindi turqit, që për të bërë shqiptarët me vete lipsesh t’i merrnin në qarkun e besës së tyre, domethënë t’i bënin myslimanë; jo me forcë, por duke i treguar një fushë të madhe të përfitimit e të ambicionit”.

Në 450 vjet 27 Vezir të mëdhenj (kryeministra) ishin të racës shqiptare, por në fillim të Luftës Ballkanike, nga 1 milion e 800 mijë shqiptarë, 4/5 kishin pranuar fenë e pushtuesit, e cila ishte shndërruar në fe të mbijetesës, të suksesit, të karrierës dhe e pasurimit. Por dëmi ishte i pallogaritshëm, koston e të cilit e paguajmë edhe në ditët tona, qoftë brenda vetes qoftë edhe jashtë në marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar.

Ende na quajnë më lehtësisht mysliman që po demokratizohemi se sa të na quajnë shqiptar që duam atdheun fillimisht, dhe që si shtet e shoqëri jemi laik, e jo fetar. Besimi mysliman në principet e veta, “fenë me kombësinë e quan një”. Në fjalorët arabisht dhe turqisht fjala “din” ka kuptimin “milet”; por kjo fjalë gjendet edhe si besim, pra mileti-kombësia rezultuan të njëjta me besimin.

Ja përse në 5 shekuj pjesa më e madhe e shqiptarëve e kishin bashkëshoqëruar fatin e tyre me Perandorinë Turke dhe kombësinë turke. Ja përse ideja e kombësisë tek ne pati vonesa dhe një rrugëtim disi të veçantë mes kombësive të Ballkanit.

Ideali i kombësisë lind nga “tirania e të huajit” dhe nga “zhvillimi ekonomik financiar”. Këto i mungonin pothuaj krejt shqiptarit. Shqiptarët morën pjesë të konsiderueshme në atë që quhej zotërimi i të huajit. Mori kulturën e tij aziatike fetare e cila ishte shumë larg civilizimit evropian, që në themel ka ndjenjat politike dhe idealin kombëtar.

Pranimi i myslimanizmit më shumë si një kërkesë e ardhur nga tregu dhe jo nga liturgjia, nuk kishte lënë shkas fillimisht të kuptohej, se “kultura turko-muhamedane nuk pranonte kombësi veç Islamizmit”.

Ndjenja kombëtare në Shqipërinë e fundshekullit 19 lidhet drejtpërsëdrejti me rruajtjen e territorit të atdheut që ngrihet mbi dallimet jug-veri, apo mbi dasitë fetare mysliman-krishter, sepse atdheu ishte në rrezik. Pikërisht kur perandorisë Turke po i vinte fundi,Fuqitë Evropiane, fqinjët sllavë dhe ortodoksë, nga veriu dhe jugu, projektuan për ne një fat tragjik që filloi me Shën Stefanin dhe u vulos me Kongresin e Berlinit 18 qershor- 18 korrik 1878 dhe më vonë për kufirin e jugut me Greqinë me Konferencën e Berlinit. Lidhja kuptoi djallëzitë e Rusisë dhe fatkeqësinë që projektoi Traktati i Shën Stefanit i 8 marsit 1878, si një kafshim që jo thjesht e cungonte trupin e atdheut por e asgjësonte atë tërësisht.

Paragrafi i dytë i nenit të parë të këtij traktati, trajton kufirin e Malit të Zi me Shqipërinë. Malit të Zi i jepej nga viset shqiptare; Rugova, Gucija e Plava, gjithë Vermoshi me Klementin (Kelment është një devijim fonetik që ndodh shpesh kur kërcen një germë para tjetrës) Tuzin, Triepshin, Hot e Grudë, Tivar e Ulqin, dhe vija e kufirit vinte te ura e Bunës duke përfshirë gjithë malin e Taraboshit dhe po thuaj tërë bregun e sipërm të Bunës.

Serbia merrte sanxhakun e Prishtinës ndërsa Bullgaria vinte deri në Pishkash, duke marrë Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Rjekë, Dibër, Ohër, gjithë kazanë e Pogradecit, Bilishtin dhe tërë kazanë e Korçës, Oparin dhe Voskopojën, gjer në majë të Qarit.

Mbetej jashtë vetëm kaza e Kolonjës. Ju e mbrojtët atdheun edhe pse nën Turqi Abdyl Frashëri edhe kur u përdorën dredhitë me prapavijë fetare. Si edhe ishte rasti që me që shqiptarët nuk dorëzuan tek malazezët territoret me popullsi myslimane, ti jepeshin Malit të Zi ato me popullsi katolike, si edhe propozoi përfaqësuesi italian. Për shqiptarët ajo ishte tokë e të parëve, qe atdheu, ndaj dhe ata luftuan njësoj. Lidhja e Prizrenit i mbrojti territoret pa dallim feje, derisa e gjitha ajo maskaradë antishqiptare u mbyll me marrjen e Ulqinit nën praninë e flotës ushtarake. Shqiptarët i qëndruan ushtrisë turke të drejtuar nga Dervish Pasha deri më 24 nëntor 1880, por më 26 nëntor ushtria turke dhe jo ulqinakasit ja dorëzuan qytetin Malazezëve.

Po kështu në Jug të vendit, për kufirin me Greqinë, gjithçka ishte një përpjekje për të shkulur nga trungu shqiptar Janinën dhe Çamërinë dhe për ta sjellë kufirin deri në Vjosë. Porse 30 mijë shqiptar të Toskërisë seriozisht mund ti bënin ballë ushtrisë greke të asaj kohe. Grekët ngulnin këmbë për protokollin 13, nyjën 24 të Traktatit të Berlinit, por Turqia nuk e pranonte këtë, sepse e dinte se çdo të thoshte kjo për shqiptarët dhe Ballkanin.

Veçse ka një dallim mes këtij qëndrimi dhe atij të Lidhjes së Prizrenit. Porta e Lartë e shihte si territor të saj, ndërsa Lidhja e Prizrenit e shihte brenda autonomisë. Në zhvillimin e kësaj çështje Ju i nderuar Abdyl Frashëri dhe Lidhja keni meritën historike sepse në kufirin jugor nuk e lejuat copëtimin dhe ndarjen e Janinës dhe Çamërisë. Por më ndje o atdhetar, këto toka në prag të pavarësisë në luftën ballkanike 1912-1913 ranë në dorë të Greqisë. Sot ka nga ata që këtë grykësi antishqiptare duan ta shpien edhe më tej deri në Himarë Abdyl Bej! Ka prej tyre që edhe marrin rrogën e shtetit tonë që mbahet nga taksat e popullit.

E krijove atë lidhje shqiptare Abdyl bej në Frashër, por në të morri pjesë Dangëllia, Kolonja, Leskoviku, Përmeti, Skrapari, Dishnica, Korça dhe gjithë baballarët bektashinjtë të Toskërisë. Kërkesa e bashkimit të katër vilajeteve u formulua për herë të parë në Teqe të Frashërit.

Të jemi mirënjohës Abdyl Bej se ti more përsipër që këtë veprimtari ta kryeje në gegëri dhe në takimin e Stambollit u more vesh me parinë e Kosovës. Në veri në Shkodër ishte Prenk Bibdoda dhe Hodo Pasha, e në Guci Ali Pasha. Vizita e dytë në gegëri Abdyl Bej, në fillim të motit 1881 dhe thirrja jote drejtuar Lidhjes së Prizrenit që me fuqinë e armëve të pushtonte grykën e Kaçanikut dhe të deklaronte zyrtarisht Autonominë e Shqipërisë, e tronditi vetë Abdyl Hamitin në Bosfor.

Ndaj ca ta pritën me tradhti e të pa besë, dhe ca me spiunllëk dhe pusi Abdyl Bej. Por ti nuk u trembe dhe as nuk u tërhoqe nga udha! Tek kaloje Shkumbini në atë marshim për të shpëtuar vatanin atje mes Paprës dhe Elbasanit ai faqeziu i paguar për pesë grosh Jakup Çaushi të shtiu në dorë!

Për gjyqin tënd dhe trimërinë e treguar është shkrojtur shumë. U shkua edhe një dramë nga një pendë dhe mëndje shqiptari të Kosovës, që bash në këtë 140 vjetor e kemi të pavarur nga Shkjau e shtet më vete Abdyl Bej. “Epoka para gjyqit” quhej drama. Por fatkeqësisht as edhe në këtë 140- vjetor të bekuar nuk e rivunë në skenë. Nuk e di përse, por historitë e botës iu pëlqejnë më shumë, dhe kjo më ligështon pa masë Abdyl Bej Frashëri!

Po e mbyll letrën për TY, me një fjalë zemre! Të faleminderit o shqiptar me besë!

Merr:Abdyl bej Frashëri! Panteoni i Martirëve të Kombit!

Dërgon: Përparim Kabo, bir Përmeti nga gjaku i nënës

Lidhja e Prizrenit/ Përparim Kabo letër të hapur Abdyl Bej Frashërit: “Ti harxhove pasurinë për Shqipërinë, sot këta harxhojnë pasurinë e shtetit për vete” Read More »

Publikohet për herë të parë raporti sekret i SHIK në 1998: Çfarë konfliki kishte mes Azem Hajdarit dhe Haklajve

Zbulohet dokumenti i SHIK-ut i vitit 1998 për vrasjen e Azem Hajdarit. Dokumenti sekret, i cili disponohet nga avokati i Izet Haxhias dhe do të shërbejë si provë për rigjykimin e tij, sjell në dritë fakte të panjohura për vrasjen e shekullit, atë të deputetit Azem Hajdari. Dokumenti i shpjegon Presidentit të atëhershëm, Rexhep Mejdanit dhe Kryeministrit Majko dinamikën dhe arsyet e vrasjes së Azem Hajdarit.

Kështu, dokumenti nis me tre autorët, që sipas SHIK-ut, janë Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani dhe Feriz Kërnaja. Ky grup kishte armiqësi me Azem Hajdarin që kishte nisur që pas tentativës së dështuar të ish-deputetit të PS-së, Gafur Mazreku për të vrarë Azem Hajdarin në sallën e Parlamentit të Shqipërisë, më 18 shtator të vitit 1997. Sipas dokumentit, PD-ja tentoi të bënte një protestë në Tropojë për ngjarjen e rëndë, por kreu i Komisariatit atje, Fatmir Haklaj, nuk u dha leje, duke sjellë edhe përplasjet e para me Azem Hajdarin. Aty nisi edhe zinxhiri i vrasjeve.

Gjithashtu, në dokument, Azem Hajdari përmendet si i përfshirë në trafikun e armëve në Kosovë. Në këtë trafi, ishin të përfshirë si ortakë edhe vëllai i Izet Haxhias, Isamedin Haxhia dhe Halil Haklaj. “Isamedini dhe Halil Haklaj, vëllai i Fatmir Haklajt, zhvillonin së bashku trafik armësh nga Gramshi në Tropojë me objekt Kosovën. Për këtë qëllim ishin lidhur në Gramsh me Rudi Bardhoshin, subjekti ynë në gjurmim për trafik armësh. Me këtë ofertë ishin përzierë edhe Azem Hajdari e Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Kosovës.

Rrugën e tretë të ngarkesës me armë nga Gramshi për në Tropojë, arrestohet nga Policia e Gramshit Halil Haklaj dhe Isamedin Haxhia. Me ta ndalohet dhe më pas lirohet edhe pritësi i tyre nga Gramshi, Rudi Bardhoshi, i cili, sipas informacioneve tona, ka biseduar në telefon me Azem Hajdarin ose Shaban Memian dhe ka dhënë informacion për trafikun e armëve.

Ky fakt është marrë vesh nga Halili dhe Isamedini, të cilët janë liruar nga burgu në datën 4 shtator 1998, dhe ka acaruar më tej situatën midis tyre”, shkruan dokumenti sekret i SHIK-ut, që “Panorama” e disponon. Gjithashtu, në të thuhet se grupi që vrau Azem Hajdarin kërkonte të vriste edhe ish-Presidentin Sali Berisha. Ata kishin kryer grabitjen e Bankës së Tropojës, ku kishin marrë 600 mln lekë dhe kishin grabitur edhe mjetet e OSBE-së.

DOKUMENTI SEKRET
Nga disa burime të besueshme informative, të pavarura prej njëri-tjetrit, dyshohet se, autorët e vrasjes së deputetit Azem Hajdari janë: Fatmir Muharrem Haklaj, Jaho Salih Mulosmani dhe Feriz Kërnaja, që të tre nga rrethi i Tropojës. Origjina e konfliktit mes këtij grupi dhe Azem Hajdarit zë fill me tentativën për vrasje që realizoi deputeti i PS, Gafur Mazreku ndaj Azem Hajdarit, më datë 18 shtator 1997.

PD-ja, pas kësaj ngjarjeje, kërkoi të realizonte një miting proteste në Tropojë. Shefi i Komisariatit të Policisë në atë periudhë, Fatmir Haklaj, nuk u dha leje dhe për pasojë krijoi konflikt me të quajturin, Fatmir Hoxha, i cili është nga fshati Luzhë i Tropojës, në atë kohë ka qenë oficer i Policisë Kufitare në Shkodër, aktualisht qëndron i mbyllur në shtëpi për motive hasmërie. Në datën 5 janar 1998, në Qafë-Luzhë, Tropojë, vritet Shkëlqim Haklaj, i vëllai i Fatmir Haklajt, së bashku me kunatin e këtij të fundit, të quajtur Kujtim Demiri.

Kjo vrasje u dyshua se ishte bërë nga Haki Hoxha dhe Abdyl Matoshi nga fshati Luzhë, ish-oficer i Policisë në Burrel, të dy të shtyrë nga Azem Hajdari. Më datën 6 janar 1998, në fshatin Cernicë të Tropojës vriten Avdyl Matoshi, Gjin Kolbuçaj nga Bukova e Tropojës dhe Naim Dizdari, i cili kishte për grua motrën e Abdyl Matoshit. Në këtë vrasje, Fatmir Haklaj nuk ka marrë pjesë vetë.

Në janar 1998, Fatmir Haklaj vret brenda në Komisariatin e Policisë Tropojë, Shaqir Hoxhën, vëllain e Haki Hoxhës. Menjëherë pas ngjarjes, braktis detyrën dhe fshihet në mal. Jaho Salih Mulosmani është daja e Fatmir Haklajt, ose më saktë, kushëri i parë i nënës së Fatmirit. Jaho është aktualisht shef i Policisë së Rendit në Tropojë, ku me Fatmirin, veç lidhjeve të gjakut e lidhin edhe dyshime për vrasje.

 

Feriz Kërnaja, pjesëmarrës në vrasjen e Azem Hajdarit, ka pasur këto motive që e kanë shtyrë: Ferizi është poshtëruar publikisht duke u qëlluar me shuplakë para hotel “Arbëria” nga i quajturi Isuf Haxhia, që ka qenë shok i ngushtë me Azem Hajdarin, i arratisur në vitin 1990 për disa grabitje e shkatërrime të mjaft dyqaneve në Tropojë, i zbërthyer në hetuesi si agjent i zbulimit jugosllav.

Rreth datës 25 shkurt 1991, Feriz Kërnaja vret në mënyrë të hapur në tragetin e Tropojës Isuf Haxhiun, i cili rastësisht mbante të veshur atë ditë pardesynë e Azem Hajdarit. Në trazirat e muajit mars 1997, arratiset nga burgu dhe kapet në autostradë me një makinë, ku kishte edhe armë, së bashku me djalin e Nehat Kullës, me të cilin Ferizi ka qenë shok burgu.

Nga fillimi i muajit gusht 1998, Feriz Kërnaja lirohet nga Gjykata e Faktit Tropojë, duke u argumentuar vendimi me disa amnisti të njëpasnjëshme, nga të cilat kishte përfituar. Rreth datës 2 shtator 1998, babai i Fatmir Haklajt, i quajturi Muharrem Haklaj, rreth 67 vjeç, ka ardhur në Tiranë dhe është takuar me Azem Hajdarin me qëllim për të bërë pajtimin e gjaqeve.

Në bisedë ata kanë debatuar, në përfundim, pasi nuk kanë rënë dakord, Muharremi i ka thënë që për këtë problem do të kthej përgjigje pas 10 ditësh. Sipas informacioneve tona, ditën e ngjarjes, pra, më 2 shtator 1998, rreth orës 21:00, Azem Hajdari është ftuar me telefon për të biseduar rreth këtij problemi në vendin e kryerjes së krimit. Azemi ka dalë nga zyrat i shoqëruar prej dy badigardëve të tij, Besim Çerja dhe Zenel Neza. Vrasja e tij është bërë nga një “Benz” me targë të Vlorës, por jo me atë numër targe që jep ish-Presidenti, Sali Berisha.

Kjo makinë i është marrë Myftar Culajt, pronar i një lokali te “Menza e Kinezëve”, me emrin “Tarzani”, nga grupi i mësipërm. Myftarin, pas kryerjes së krimit, e kanë marrë në telefon dhe në shkëmbim të makinës, i kanë kërkuar që të shkojë në Tropojë dhe të marrë 30 milionë lekë. Myftari, i trembur, ka ikur në Itali bashkë me vëllain e tij.

Në vrasjen e Azem Hajdarit ka marrë pjesë edhe një person nga Nikla e Krujës, i njohur si vrasës profesionist dhe po atë datë, rreth orës 24:00, është çuar i plagosur në Spitalin e Traumës, ku edhe ka vdekur. Në xhep i është gjetur një pasaportë e firmosur nga Fatmir Meta, ish-shef i Komisariatit Tropojë.

Për këtë person, dyshohet se mund të jetë plagosur rëndë në momentin e përplasjes me dy grupeve, nga Azem Hajdari, ose është vrarë nga grupi i Jaho Mulosmanit, për të humbur gjurmët e krimit. Ekzekutorët e vrasjes së Azem Hajdarit kanë udhëtuar tërë natën në drejtim të Tropojës, ku kanë mbërritur rreth orës 05:00 të datës 13 shtator 1998.

Ish-ministri i Rendit Publik, Perikli Teta, ka marrë dy herë në telefon Tropojën për të verifikuar vendndodhjen e Jaho Mulosmanit, i cili kishte dy ditë që nuk ishte paraqitur në Komisariat, me pretekstin se ishte sëmurë. Në orën 22:00 të datës 12 shtator 1998, kur në shtëpinë e Jahos shkuan një grup policësh, babai i tij, Salih Mulosmani, u tha që ishte brenda në dhomë, por ata vetë nuk e verifikuan.

Taulant Dedja, përfaqësues i qeverisë për Tropojën, në mëngjesin e datës 13 shtator 1998, rreth orës 7:15, e ka konfirmuar ndodhjen e Jaho Mulosmanit në Tropojë. Në vendngjarje është ndodhur edhe makina e Fatmir Metës, tip “fuoristradë” me llambën e Policisë. Me këtë makinë, Jaho Mulosmani ka qarkulluar në Tiranë dy ditë para ngjarjes dhe atë ditë që u krye vrasja. Pas ngjarjes, Fatmiri nuk shkoi më në Tropojë dhe aktualisht është në dispozicion të Ministrisë së Rendit Publik.

Në vendngjarje është ndodhur edhe makina e Ismet Haxhias, shef i Qarkullimit Rrugor në Tropojë, vëllai i Izet Haxhias. Kjo makinë është “Tipo” me targë “Policia 203”. Ismet Haxhia kishte ardhur në Tiranë 2-3 ditë para ngjarjes dhe është larguar prej saj ditën e mërkurë, pra, katër ditë pas vrasjes. Ismet Haxhia ka vëlla edhe Isamedin Haxhian. Isamedini dhe Halil Haklaj, vëllai i Fatmir Haklajt, zhvillonin së bashku trafik armësh nga Gramshi në Tropojë me objekt Kosovën. Për këtë qëllim ishin lidhur në Gramsh me Rudi Bardhoshin, subjekti ynë në gjurmim për trafik armësh.

Me këtë ofertë ishin përzierë edhe Azem Hajdari e Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Kosovës. Rrugën e tretë të ngarkesës me armë nga Gramshi për në Tropojë, arrestohet nga Policia e Gramshit Halil Haklaj dhe Isamedin Haxhia. Me ta ndalohet dhe më pas lirohet edhe pritësi i tyre nga Gramshi, Rudi Bardhoshi, i cili sipas informacioneve tona, ka biseduar në telefon me Azem Hajdarin ose Shaban Memian dhe ka dhënë informacion për trafikun e armëve.

Ky fakt është marrë vesh nga Halili dhe Isamedini, të cilët janë liruar nga burgu në datën 4 shtator 1998 dhe ka acaruar më tej situatën midis tyre. Grupi i vrasësve të Azem Hajdarit dyshohet se është edhe autor i vjedhjes së fundit të Bankës së Tropojës, ku janë vjedhur rreth 600 milionë lekë, të cilat i mbajnë në shtëpi, si dhe autorë të grabitjes së makinave të OSBE-së, Kryqit të Kuq etj., me të cilat shëtisin lirisht në Tropojë. Theksojmë se ky grup në vazhdimësi, ka shfaqur dëshirën për të vrarë dhe ish-Presidentin Sali Berisha, gjë për të cilën ky i fundit ka dijeni.

Publikohet për herë të parë raporti sekret i SHIK në 1998: Çfarë konfliki kishte mes Azem Hajdarit dhe Haklajve Read More »