Histori

100 vrasjet e bujshme në Shqipëri… masakra dhe tortura e “heroinave” komuniste

Njëra 23 dhe tjetra vetëm 20 vjeçe.

Ajo që ndodhi të dielën e 25 prillit 1948 në Tarazh të Mirditës është një nga krimet më të rënda ndaj femrës në Shqipëri. Të lidhura me litar, dy vajza të reja, Marta 23 vjeçe dhe Prenda Tarazhi 20 vjeçe, u ekzekutuan pas torturave duke ngjallur habi, duke i bërë heroina për sistemin komunist e, po ashtu, shembull për atë sistem se njerëzit e Komitetit të Maleve ishin kriminelë.

SKENA E KRIMIT

Janë me dhjetëra shkrimet, komentet dhe librat e shkruar gjatë sistemit komunist për vrasjen e dy vajzave nga Mirdita, por ai i Luçie Doçit është më i ploti. Studiuesja ka arritur të mbledhë dëshmi dhe t’i botojë, natyrisht nën ndikimin e ideologjisë, por edhe të versionit zyrtar të asaj kohe. Gjithsesi, nga ato që botohen për dëshmi, mënyra e vrasjes është makabre.

Studiuesja Doçi ka arritur të bisedojë vetë me një dëshmitare okulare, nënën Marë, siç e quan ajo, dhe përcjell në libër fjalët e saj. Skena është aq e rëndë, sa dëshmia duket gati-gati e pabesueshme. “Njëra ishte pa sy, pa një pjesë të kafkës. Tjetra ishte pa buzë, pa mollëza të faqeve, pa… ishin një tmerr. I dalluan nga rrobat. Bjeruni më fort. Thikat nguleshin egërsisht në trupin e tyre. Vendimi ishte që të vdisnin me tortura. Në fytyrë, dëgjoi një britmë të egër. Copëtojani fytyrën”. Për një krim të tillë, vrasësit duhet të kishin arsye shumë të fortë. Por cila ishte kjo arsye?
Monumenti “Katër heroinat e Mirditës”, i vendosur në Rrëshen, kushtuar Marta dhe Prenda Tarazhit, Shkurte Carës e Mrika Lokës. Monumenti u hoq në vitin 1993

PËRSE I VRANË VAJZAT MIRDITORE?

Studiuesja Luçie Doçi jep versionin zyrtar të vrasjes së Marta dhe Prenda Tarazhit: “Nënë Mara dëgjoi një zë të egër “Marta Tarazhi e Prenda Tarazhi! Për shkelje të zakoneve të vendit, për ndjekjen e rrugëve të komunistëve, ju dënojmë me vdekje me tortura”. Por mënyrën e vrasjes dhe, sidomos arsyet e saj, i jep më qartë Kryeministri i asaj kohe dhe diktatori Enver Hoxha.

“Nga gjiri i këtij populli, të edukuar me mësimet e Partisë, dolën katër vajzat trimëresha të Mirditës, katër heroinat: Mrikë Lokja, Shkurte Cara, Marta Tarazhi dhe Prenda Tarazhi, që u ngritën në luftë kundër reaksionit, hodhën poshtë zakonet e vjetra, shkuan vullnetare për ndërtimin e hekurudhës, u kthyen përsëri pranë familjeve, kësaj radhe më të forta e më të kalitura, prandaj, si burrnesha, me mësimet e Partisë në zemër, filluan të punojnë për zbatimin e vijës së drejtë të saj. Pikërisht për këtë arsye reaksionarët i kapën, i torturuan dhe na i vranë me 25 prill 1948… Por ato u bënë pishtarë dhe lëshuan dritë mbi gjithë Shqipërinë…”

Dile Guri ishte një bashkëkohëse, por edhe shoqe me Marta dhe Prenda Tarazhin. Madje, mund të ishte vrarë edhe ajo si ato. Dilja jep edhe arsyet e vrasjes. “Unë i kam pasur shoqe Marta dhe Prena Tarazhin, por edhe Mrikë Lokjen dhe Shkurte Carën. Edhe mua Komiteti i Maleve më kishte dënuar me vdekje, por të afërmit e mi e morën vesh dhe morën masa që unë të mos bija në duart e tyre. Ato u ngritën mbi zakonet që poshtëronin gruan dhe e linin në padije. Ato luftuan për zhdukjen e analfabetizmit, hapjen e shkollave, arsimimin e masave.
Kjo punë e verbonte Komitetin e Maleve. Prandaj i vranë, duke i akuzuar se kanë shkelur kanunin. Por kanunin e shkelën vetë kriminelët, duke vrarë gratë e pambrojtura”. Ndërsa Gjergj Ndoja shkon edhe më tej kur citon edhe vrasësin. “Vrasja e heroinave ka qenë vrasje politike. Edhe heqja e monumentit të tyre ishte politike, është vazhdim i asaj lufte të errësirës dhe dritës… Ndue P. Gjonmarku vjen nga Kanadaja dhe thotë me mburrje “I kam vrarë unë”, duke e konsideruar vrasjen e tyre si një akt burrëror.
Por këtu nuk ka vend për burrëri, sepse kanuni e ndalon vrasjen e femrës. Edhe sikur të kishin bërë ndonjë turp, nuk ishte e drejta e tij t’i vriste, por e njerëzve të vet”.

CUCAT E MALEVE
Në vitin 1960, në gazetën “Zëri i Rinisë”, një gazetar i ri me emrin Loni Papa botoi një shkrim lidhur me dy vajzat Marta dhe Prenda Tarzhi. 6 vjet më vonë, Loni Papa shkrimin e ktheu në dramë dhe më 8 mars të vitit 1967 ajo u dha premierë në teatrin “Migjeni” nga regjisori Mihal Luarasi me titullin “Cuca e maleve”, e cila më vonë u vu edhe në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.

Ishte si një betejë mes sistemit komunist që përçonte të renë dhe zakoneve të vjetra që përfaqësoheshin nga personazhe, që më së shumti ishin armiq të pushtetit të asaj kohe. Natyrisht që ky është viti kur u vendos ndalimi i fesë dhe përzierja e historisë së dy vajzave që u vranë me fenë ishte një gjetje, por me ideologjizimin që iu bë historisë ishte për kohën më se normale.

Mjafton të lexojmë motivacionin e dhënies së titullit heroina të popullit më 23 tetor 1967, për të kuptuar më shumë se në çfarë niveli u ideologjizua kjo ngjarje. “Është ndër gratë dhe vajzat e para që me fjalën e Partisë në zemër çau me guxim rrugën e të resë e të përparimit, rrugën e çlirimit të gruas nga zakonet e egra të kanunit dhe të fesë.

Ajo luftoi me vetëmohim kundër reaksionarëve dhe elementëve konservatorë, punoi në mënyrë shembullore në aksionet e ndërtimit të vendit, për ngritjen arsimore e kulturore, përvetësoi me etje e zgjuarsi mësimet e Partisë dhe u bë agjitatore, luftëtare e flaktë për emancipimin e gruas shqiptare. E kapur tradhtisht nga bandat e armatosura të reaksionit, ajo u masakrua egërsisht, por qëndroi e papërkulur e ballëlart.” I bënë heroina, i kthyen në model të femrës që mbronte të renë çka, sipas tyre, vetëm komunizmi mund ta sillte. Vetëm një gjë nuk e ndryshonin dot për dy vajzat e thjeshta: as Marta e as Prenda Tarazhi nuk e mësuan kurrë që ishin heroina.

100 vrasjet e bujshme në Shqipëri… masakra dhe tortura e “heroinave” komuniste Read More »

Kush janë shqiptarët që ndërtuan Stambollin

Vepra e disa shqiptarëve të mëdhenj të frymëzon…

-Mimar Sinani lindi në vitin 1490 dhe vdiq në vitin 1588.

Sipas të dhënave që jep për të Sami Frashëri thuhet se ai lindi në Qesarat, në fshatin Sinanaj të rrethit të Tepelenës, ku kaloi fëmijërinë e tij dhe iu nënshtrua ligjeve të Devshirmesë. Do të rekrutohet fillimisht si jeniçer dhe do të bëjë karrierë ushtarake.

Jeta e tij ishte me të vërtet e çuditshme. Do ta fillonte dizajnin në moshën 50 vjeçare. Ai la trashëgimi 364 vepra artistike dhe të gjithë artistët e Rilindjes italiane mësuan nga ai. Gjeramënt nuk sulmuan Stambollin gjatë luftës së Dytë Botërore nga frika e shkatërrimit të artit të tij të bukur.

Ndër veprat që i kanë rezistuar kohës dhe që njihen të projektuara e të ndërtuara nga dora e tij janë 400 vepra mbrojtëse ushtarake, 84 xhami të mëdha, 58 xhami të vogla, 7 spitale, 22 mauzoleume, 17 streha për të varfër, 5 rrjete ujësjellësash dhe shumë vepra të tjera publike.

Po vepra e tij më e mahnitshme është xhamia “Sulejmanie” të cilën e ndërtoi për shtatë vjet, dhe ia kushtoi sulltan Sulejmanit.

-Edhe nxënësi i tij, arkitekt Kasemi do të hynte në historinë e arkitektëve të mëdhenj të Turqisë. I lindur në fshatin Grëmsh të krahinës së Tomoricës ai do e kalojë rininë e parë në Berat dhe më pas i ati do e dërgojë në Stamboll për studime profesionale. Do bëhej asistent pranë arkitekt Sinanit dhe Sedefqar Mehmet Elbasanit. Ndërtoi xhaminë e re të Stambollit dhe la dhe shumë vepra të tjera.

-Në historinë e arkitekturës së Stambollit do të hynte dhe një shqiptar tjetër nga Elbasani, Sedfqar Mehmet Agai. Pasi kreu studimet në Rumeli dhe Lindje të Mesme në vitet 1597-1598 ai ishte drejtor i krojeve të Stambollit, ku shërbeu 8 vjet. Më 1606 u bë kryearkitekt, ndërtoi dhe zbukuroi mjaft faltore dhe pallate. Kryvepra e tij është Xhamia Blu.

Kush janë shqiptarët që ndërtuan Stambollin Read More »

‘Vëllezërit më rrahën, mamaja më preu flokët dhe më burgosi’, rrëfehet motra që takon vëllain pas 36-vitesh

Heroida ka ardhur në rubrikën “Ka një mesazh për ty” te “E Diela Shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, për të kërkuar vëllain e saj nga ana e të atit, pasi prej 36 vitesh nuk janë parë.
Sikurse e thërrasin miqtë, Lida rrëfen se e ka patur gjithmonë pasion muzikën, por familja e saj nuk e lejonte, ndaj ajo shkonte e këndonte fshehurazi në festivalet e pionerëve. Por në moshën 14 – vjeçare ata e zbuluan dhe e dhunuan fizikisht, duke e larguar edhe nga shkolla. I vëllai e rrahu me rrip, ndërsa e ëma i preu flokët dhe e mbylli në dhomë, duke e “burgosur”. Kjo sjellje erdhi si pasojë e shpifjeve të vëllezërve të saj, të cilët pretendonin se ajo nuk shkonte për të kënduar dhe se ishte e shthurur.

“Unë ika nga shtëpia, ika nga familja. Në orën 16:15 ikte treni nga Elbasani për Durrës. Kam hipur në tren pa biletë, pa lekë, pa asgjë prej gjëje. Vajta në Durrës, ngela ku do veja. Te gjyshja nuk veja dot se kisha frikë e as te dajat. Kisha dëgjuar në familje që kisha një vëlla me gruan e parë të babait. Kisha dëgjuar që kishte emrin e gjyshit, Abedin Lufta dhe thashë të veja ta takoja e të kërkoja një strehë te ky. Nëqoftëse nuk do më pranonte, nuk e dija se si do përfundonte jeta ime.”

Lida shkoi në shtëpinë e të vëllait dhe familja e tij sëbashku me të ëmën pranuan ta strehonin.
“Kam ardhur këtu që vetëm e vetëm t’i kërkoj falje sepse në atë moshë që vajta unë i rashë derës së atij, ai mund të përfundonte në burg për mua. Ai as më njihte, as unë s’e njihja, as nuk isha rritur me të, as nuk kisha jetuar me të. I kam krijuar shumë debate edhe me gruan, por unë isha fëmijë dhe nuk dija. Pasioni im ishte vetëm të këndoja vetëm që të isha një vajzë e shkathët.”

Kur Lida ishte 16 vjeç njohu një djalë, për të cilin s’kishte asnjë informacion, vetëm pamja e jashtme i bëri që të dashuroheshin e më pas të martoheshin. Familja e djalit ishte e internuar prej shumë vitesh në Fier, por duke qenë se i ati i Lindës ishte sekretar partie në Elbasan, e detyruan të ndahej.
“Më mori babai, të them të drejtën më gënjeu. Nuk më tha të drejtën kur më mori. Më tha që i kishte marrë malli se u bënë shumë vite që s’më kishin parë. Unë meqë isha e martuar, të them të drejtën vajta se thashë çfarë do më bëjnë tani. Kur më ka marrë për herë të parë babai isha shtatzënë 3 – muajshe me Rozalindën. Ndenja 1 javë dhe pastaj më hapi babi këtë bisedë. Më tha: ‘Po më do mua, nuk do shkosh më në Fier.’ Jo, i thashë unë, ai është burri im dhe unë kam jetën atje”.

Por kur lexoi letrën nga komiteti, që i kishin dërguar të atit, qau dhe vendosi që të mos i ndodhte ajo çka i kishte ndodhur asaj, të privohej nga ajo që donte. Lida vendosi të ndahej nga bashkëshorti, por divorci duhej të bëhej pasi të lindte foshjen. Ferizi nuk donte të ndaheshin dhe ka kërkuar disa herë takim me Lidën.
“Mori gocën në krahë, qante e thoshte: ‘Pse? Çfarë i kam bërë unë kësaj jete?’. Nuk i ndërpreva lidhjet me Ferizin. Kur m’u bë vajza 5 vjeç e kam takuar prapë, fshehurazi. Kjo ishte hera e fundit që u takuam se pastaj më martuan”.
Përsa i përket të vëllait, Lida thotë se e ka kërkuar shumë, por nuk ka mundur dot ta gjejë, ndaj i është drejtuar rubrikës “Ka një mesazh për ty”.

“Ta shikoj tani nuk e mbaj mend. Kam pësuar dhe një disfatë shumë të madhe, më ka humbur memorja. Dhe këto gjëra që mbaj mend, nuk e di se si … Janë ngulitur shumë thellë në memorjen time”.
Stafi i “E Diela Shqiptare” mundi të gjejë vëllain e Lidës, Abedinin, i cili pranoi ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty”. I pyetur nga Ardit Gjebrea se kush mund të jetë personi që e ka ftuar, ai me humor shprehet se vetëm Arditi dhe Zoti e dinë.

Abedini – Unë pres kush të jetë, më ka lënë pa gjumë gjithë natën.
Arditi – Çfarë mendoje, ku të shkonte mendja?
Abedini – Ku nuk shkon mendja. Ne shqiptarët gjithmonë mendojmë shumë dhe plakemi shpejt. Unë s’kam menduar ndonjëherë gjatë gjithë jetës sa kam menduar për këtë të sotmen.

Në ekranin e murit ndarës vëllai shikon motrën pas 36 vitesh dhe arrin ta njohë.
Abedini – Kjo është motra më duket. Më duket se është ajo se kam vite pa e parë. E kam parë një herë të vogël, një herë më fëmijë, pastaj s’e kam parë më. Ka qenë në Greqi.

Lida – Abedin mirë se erdhe! Shumë faleminderit! E para kam ardhur të të kërkoj falje, të kam futur shumë në bela. Kam ardhur kam trokitur në derën tënde në një moshë shumë të vogël dhe më ke pranuar, më ke futur brenda. Ju jam shumë mirënjohëse, megjithëse je gjaku im, je vëllai im!
Abedini – Ajo nuk diskutohet.

Lida – Kam bërë luftë të madhe dhe me vëllezërit e tjerë dhe motrën që ju të takoheni, të flisni. Doja t’i sillja dhe këtu në emision, por nuk pranuan. Dashi është në Amerikë, Kujtimi në Itali. Mbrëmë kam folur me Lolën dhe më tha: “Nuk e donte nëna dhe babai, as unë nuk do ta dua derisa t’i shkoj atyre afër”. Babai na vdiq në ’99-ën.
Abedini – E di. Një javë pasi kam martuar unë gocën.

Lida – Mamaja më vdiq para 2 vjetëve. Kisha shumë dëshirë t’ju takoja, megjithëse kam patur dhe unë shumë halle. Kam qenë dhe unë gati një vit në spital se bëra karambol me makinë. Jam bërë dhe unë gjyshe.
Abedini – Urime! T’i kesh me jetë.

Lida – Dëshira ime, ëndrra ime… Ju kam kërkuar shumë, por ju keni ikur nga shtëpia që kam jetuar edhe unë. Më kanë thënë t’ju kërkoj në Gjendje Civile, por koha ime ka qenë shumë e pakët. Nuk kam asnjë fotografi tënde … Kjo më ka bërë që dhe të vij këtu. Si ika nga shtëpia juaj pa marrë një fotografi.
Abedini – Ishte gjë e shpejtë ajo që ike ti.

Lida – Nuk e di. Juve ndoshta ju ka kërcënuar babai ose Kujtimi ose Dashi, nuk e di se ç’keni patur në atë kohë.
Abedini – Unë s’kam patur me asnjë, asnjë gjë. Unë kam qenë gjithmonë në pritje. S’ka patur rezultat. Le t’i ngeli atyre, unë jam ndarë që 11 – muajsh.

Lida – Tani nuk do ndahemi më nga njëri – tjetri.
“Edhe pse lidhja e tyre humbi për 36 vite, gjaku përsëri thërret”, e përmbyll Ardit Gjebrea, duke i lënë mundësinë motrës dhe vëllait të përqafohen.

‘Vëllezërit më rrahën, mamaja më preu flokët dhe më burgosi’, rrëfehet motra që takon vëllain pas 36-vitesh Read More »

Kjo histori ka bërë xhiron e botës dhe ka arsye se përse! Zbulimi i papritur i zotërisë natën kur parashikoi fundin e botës

Kjo histori ka bërë xhiron e botës dhe ka arsye se përse!

Lexojeni dhe shpërndajeni!

Një burrë i cili jetoi shumë kohë më parë besonte se mund të lexonte të ardhmen në yje. Ai e quajti veten astrolog dhe e kalonte kohën e tij natën duke parë qiellin.

Ai gjithnjë ishte i zënë duke u shqetësuar për të ardhmen dhe fshatarët shpesh shkonin tek ai, duke shpresuar se do të mesonin çfarë mban e ardhmja e tyre.

Një mbrëmje po ecte përgjatë rrugës së hapur jashtë fshatit. Sytë e tij ishin të fiksuar në yje. Ai mendoi se pa atje që fundi i botës ishte afër. Ai humbi në mendimet e tij për të ardhmen. Ndërsa po vështronte yjet, vazhdonte të ecte pa shikuar poshtë. Papritmas, ai ra në një hendek të madh me baltë dhe ujë.

Ai filloi të fundosej në ujin me baltë, dhe duke u përpjekur të kapej në anët e rrëshqitshme të vrimës në përpjekjet e tij për t’u ngjitur. Ai nuk ishte në gjendje të lëvizte dhe u frikësua për jetën e tij, ai filloi të bërtiste për ndihmë. Thirrjet e tij për ndihmë i sollën fshatarët shumë shpejt.

Ndërsa e tërhoqën atë nga balta, njëri prej tyre tha: “Ju pretendoni ta lexoni të ardhmen në yje, por ju nuk e shihni atë që është nën këmbët tuaja! Kjo mund t’ju mësojë t’i kushtoni më shumë vëmendje asaj që keni para syve, dhe ta lini të ardhmen të kujdeset për veten”.

“Çfarë dobie ka,” tha një tjetër,” leximi i yjeve, kur ju nuk mund të shihni se ku jeni në tokë?”

Morali: Të gjithë duam që e ardhmja jonë të jetë e ndritshme dhe e lumtur, por koha nuk ndalet për askënd. Çdo e nesërme kthehet në të sotme, e tashmja juaj është gjithashtu një pjesë e të ardhmes suaj.

Gjithmonë ka një të ardhme për të parë dhe për të përmirësuar, por ju nuk mund të ktheheni në djeshmen. Pra, ruani ekuilibrin e jetës tuaj të tanishme gjatë punës për një të ardhme më të mirë.

Kjo histori ka bërë xhiron e botës dhe ka arsye se përse! Zbulimi i papritur i zotërisë natën kur parashikoi fundin e botës Read More »

Fati i syve që qëndisën flamurin

Nga Fiqri Shahinllari

 

Që të qëndisësh do të thotë të kesh durim, pasion, imagjinatë krijuese…

Do të shtoja edhe disa “Që” të tjera, por po ndalem këtu duke nënvizuar se të qëndisësh duhet t’i kesh sytë xixë, të fortë. Të tillë i ka patur Marigo Pozio, qëndistarja legjendare e Flamurit Kombëtar që u ngrit nga plaku Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Po si përfunduan ata sy vezullues poshtë ballit të asaj korçares “hollake” e me trupin selvi? Sot ma k’ënda të shkruaj disa gjëra pak të njohura nga mjaft njerëz për jetën e peripecitë e Marigosë…

Thanas Floqi, një nga firmëtarët e aktit historik të shpalljes së Pavarësisë, në  ditët e para të nëntorit 1912 së bashku me Marigo Pozion e Petro Fotografin përgatitën të gdhendur në dru bocën e flamurit që më vonë u përdor si shtampë në qindra e qindra flamurë të tjerë. Duke u interesuar për të gjetur informacione te tjera lidhur me figurat e spikatura të Floqit të Korçës, mësova mjaft gjëra interesante. Përveç faktit që boceta e shqiponjës prej druri lyhej me bojë të zezë e stampohej edhe në qylafët e bardhë të lebërve, mësova se pas dy-tre vjetëve të vdekjes së Marigo Pozios u hodh në dyshim fakti nëse vërtet ishte Marigoja apo ndonjë tjetër, qëndistarja apo qëndistari i flamurit që u ngrit nga Ismail Qemali në Vlorë më 1912. Sikur të mos kisha lexuar se Marigoja ka lidhje me mbiemrin Floqi, nuk do të zgjatesha fare në hollësitë e mëposhtme… Marigoja në vitin 1912 ishte vetëm 20 vjeçe. Kish lindur në Korçë më 2 shkurt 1892, bijë e Papakosta Poçit dhe e Lenka Ballaurit. U martua në Hoçisht me Jovan Pozion dhe prej Hoçishtit shkuan me banim e punë në Vlorë. Marigoja, siç shkruan shtypi, ishte atdhetare e famshme. Emri i saj lidhet me flamurin që ajo kishte qëndisur për pajën e saj por ja ia dërgoi Ismail Qemalit për ta ngritur në ditën e pavarësisë. Fizionominë e Marigosë, disa vite pas ngritjes së flamurit, ata që e njihnin mirë atë e përshkruajnë kështu: Ishte një grua hollake, me gjatësi mesatare e me fytyrë të ëmbël, nën rrudhat e së cilës fshiheshin tiparet e një gruaje që kishte qenë e bukur në të ritë e saj…. E zonja në fjalë sa t’ia kthente mendjen edhe burrit më me peshë.

Nga një artikull i shkruar nga Jakov Milaj në janar 1938 në revistën e përmuajshme kulturore “Përpjekja Shqiptare” e themeluar dhe e drejtuar nga Branko Merxhani, mëson se Marigo Pozio kish vdekur në Tiranë në gusht të vitit 1932 nga tuberkulozi. Nga një burim tjetër mësova që Marigoja kishte vdekur në shkurt të vitit 1932 e jo në gusht. Kjo hollësi për datën e vdekjes nuk ka rëndësi për komentin që po bëj. Marigoja vdiq nga tuberkulozi. Kjo sëmundje i kish marrë më përpara dy vajzat dhe djalin e saj të vetëm po edhe burrin, dyqanxhiun e pasur Jovan Pozio në Vlorë. Vitet e fundit të jetës Marigoja ishte verbuar. Kur themi vitet e fundit nuk po tregojmë për një grua të moshuar, për Marigonë plakë. Jo. Ajo kur ndërroi jetë ishte vetëm 40 vjeçe! A mund të përfytyrohet qëndistarja e flamurit me sy të verbër, sy që dikur kishin qenë shpuzë e flakë?!

Marigo Pozio

Marigo Pozio

Për varrimin e saj ishte përkujdesur i kunati, Kristo Floqi. Po qëndroj paksa këtu. Marigoja, e mbetur e ve dhe pa fëmijë, vitet e fundit i kaloi në Tiranë, në shtëpinë e së motrës, Ranias, (Urania) më e vogël se ajo. Rania ishte bashkëshortja e Kristo Floqit. (Motra tjetër, Angjeliqia, ishte gruaja e politikanit e kryeministrit Koço Kota). Për ironi të fatit, në atë shtëpi ku strehoi të motrën vdiq pas 15 e ca vjetësh në katin përdhes, (sepse shtëpia ishte shtetëzuar), edhe vetë Urania. Po në atë kat përdhes, pas Uranisë vdiq në vitin 1951 edhe i shoqi i saj Kristo Floqi i cili, siç shkruan Dr. Prof. Stilian Adhami, ishte viktimë e thurjes së Himnit të Mbretërisë.

Në kohën kur filluan të hidheshin dyshimet për autoren e qëndismës së flamurit shqiptar, ngrihet Kristo Floqi, ky kunatolli floqar që qënka kujdesur për të gjorën e të verbërën Marigo, në vitet e fundit të jetës së saj dhe thotë se kish shumë dëshmitarë të tjerë që e pohojnë se Marigoja ishte qëndistarja e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Në fletoren “Arbëria” K.Floqi shkruan aty nga viti 1936 se “…flamurin Kombëtar që u ngrit për të parën herë e pat “hartuar” me duart e veta zonja Marigo mbi cohën e blerë te tregëtari Diamanti sipas modelit të shqipes që kishte vizatuar Dom Mark Vasa me Petro Fotografin”. Midis atyre që kanë dijeni mbi faktin, Kristo Floqi përmënd Lef Nosin, Shefqet Dajin, Thanas Floqin, Qemal Karaosmanin, Hamza Isan e Ymer Radhimën.

Kristo Floqi

Kristo Floqi

Marigoja ishte me origjinë nga Korça por, siç shkruam më sipër, qe martuar në Hoçisht me Jovan Pozion. Për shkak të persekutimit otoman çifti u largua nga Korça dhe u vendos me banim në lagjen Muradie të Vlorës. Në këtë lagje korçarja e bukur u mor me veprimtari patriotike. Në shtëpinë e saj hynin e dilnin Çerçiz Topulli, Mihal Grameno e figura të tjera atdhetare. Për t’u shëruar nga sëmundja ajo shkoi të mjekohej në Vjenë. Atje takoi disa herë Aleksandër Moisiun, aktorin shqiptar më përmasa ndërkombëtare.

Por më vonë, vec fatkeqësive familjare, sëmundja i mori sytë dhe u zhyt në varfëri. Ajo u varros në Zvërnec pranë varreve të të afërmve të saj, ku mori pjesë një masë e madhe njerëzish vlonjatë…

Mirëpo për varrin e saj e për kujtimin e saj nuk u interesua njeri as në kohën e Zogut, as në periudhën komuniste.

/gazetadita.al/

Fati i syve që qëndisën flamurin Read More »

Shtëpia e flamurit

Kjo është ndoshta e vetmja foto që tregon nga përballë shtëpinë, ku më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali shpalli pavarësinë. Nuk kam parë ndonjë fotografi tjetër të kësaj shtëpie, përveç një skice dhe një pikture. Nëse vërtet nuk ekziston një foto nga afër, kjo për mua është misterioze.

Në kohën kur u shpall pavarësia, kjo ndërtesë historike dykatëshe, e quajtur selamllëk, pjesë e sarajeve të mëdha të Vlorajve, ishte pronë e Xhemil bej Vlorës, nipit të Esat pashë Toptanit. Ajo ishte 70 metra e gjatë, kishte një ballkon përpara dhe pikërisht në atë ballkon u ngrit flamuri
Aq kuptim të veçantë ka kjo shtëpi në historinë e Shqipërisë, saqë ajo vërtet ia vlen të rikrijohet në formën e mëparshme dhe kjo do të kushtonte shumë më pak se sa ndërtimi i një pallati.

Saktësisht ajo ndodhej pranë vendit ku sot është varri i Ismail Qemalit me statujën e Flamurtarit.

Prapa saj ishte haremllëku, një ndërtesë e stërmadhe trekatëshe, që përdorej për jetën e përditshme: banim, gatim, rritjen e fëmijëve. Ekzistojnë disa foto të mira të haremllëkut, që është edhe shtëpia ku ka lindur Ismail Qemali.

Haremllëku trekatësh shpesh, dhe për arsye të pakuptueshme e ndoshta banale, ngatërrohet me shtëpinë dykatëshe ku u ngrit flamuri, edhe pse Eqrem Vlora, njëri ndër trashëgimtarët e hershëm të sarajeve, ka botuar një skicë të rrallë dhe me shënime që sqarojnë mirë e bukur çdo gjë.
ILIR IKONOMI

Shtëpia e flamurit Read More »

Shkallët e stadiumit të qytetit të Amantias 1100 BC, para erës sonë.

Amantia u themelua si qytet diku rreth fundit të shekullit V p. K. në brendësi të Vlorës së sotme në një kodër prej 613 m mbi nivelin e detit ngjitur me malin e Kudhësit.

Amantia ishte qyteti kryesor i Koinonit, qendra politike, ekonomike, shoqërore, kulturore etj.

Në të kryqëzohej një rrjet i dendur rrugësh që lidhnin Apoloninë me Bylisin dhe më tej me Epirin. Të ardhurat kryesore ekonomike vinin nga blegtoria dhe tregtimi i lëndës drusore, pasi malet përreth ishin të veshur me pyje.

Në vitet 260 p. K. – 168 p. K. (Hasan Ceka, Probleme të numizmatikës ilire, 1965), Amantia nxori edhe monedhat e saj prej bronzi me nënshkrimin “Amantion”. Lidhjet kryesore ekonomike qyteti i kishte me Apoloninë dhe Epirin.

Ndërkohë, nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet me Apoloninë, e cila shfrytëzonte minierën e serës së Selenicës, e cila gjendej në territorin amantin.

Mbishkrimet e gjetura dëshmojnë një organizim te perkryer të strukturës shtetërore, ku ndeshen një sërë nëpunësish dhe institucionesh si: Prytani, Agonoteti, Epimeleti, këshilli, sekretari i tij, këshilltarët etj., kurse nga strukturat ushtarake ndeshim Toksarkun, komandantin e shigjetarëve.

Shkallët e stadiumit të qytetit të Amantias 1100 BC, para erës sonë. Read More »

Nënë Tereza, gruaja e vetme në “top dhjetëshen” e njerëzve më të guximshëm në histori

E vetmja grua në dhjetëshen e parë të kësaj liste është Nënë Tereza, shqiptarja nga Shkupi, e shpallur vitin e kaluar nga Vatikani si shenjtëreshë. Ajo zë vendin e shtatë.

Më shumë se 12 mijë zviceranë janë pyetur në kuadrin e një hulumtimi për të gjetur se cilin personalitet gjatë historisë e konsiderojnë si më të guximshmin. Sondazhin e ka realizuar Instituti për Hulumtimin e Opinionit “Sotomo” i mandatuar nga kompania e sigurimeve “Allianz Versicherung”, shkruan blick.ch.

Njeriu më i guximshëm në histori sipas shumicës së të anketuarve është Nelson Mandela i ndjerë, luftëtari kundër apartheidit në Republikën e Afrikës së Jugut, transmeton albinfo.ch. Menjëherë pas Mandelës vjen Wilhelm Tell, por meqë ai konsiderohet më shumë personalitet fiktiv se historik, Tell “abstrahohet” nga kjo radhitje. Kështu, i dyti njeri më i guximshëm në histori konsiderohet Mahatma Gandhi, luftëtari për pavarësinë e Indisë, i cili pati fituar edhe çmimin Nobel për Paqe. Alpinisti i ndjerë ekstrem zviceran Ueli Steck vjen i treti në këtë renditje.

Është interesante se e vetmja grua në mesin e dhjetëshes së parë të kësaj liste që dallon më të guximshmit, është Nënë Tereza, shqiptarja nga Shkupi, e shpallur vitin e kaluar nga Vatikani si shenjtëreshë e Kishës Katolike ose Shën Tereza. Ajo zë vendin e shtatë në listë, përcjell albinfo.ch.
Realizuesit e hulumtimit kanë konstatuar se meshkujt kanë zgjedhur pothuaj pa përjashtim vetëm meshkuj, ndërsa gratë, nuk kanë bërë “diskriminim” të kësaj natyre.

Nënë Tereza, gruaja e vetme në “top dhjetëshen” e njerëzve më të guximshëm në histori Read More »