Histori

Në Orikum, atje ku bashkohen perënditë Iliriane – Nga Laureta Petoshati

Reportazh nga Laureta PETOSHATI

Në Orikum, atje ku bashkohen perënditë Iliriane.

Një diell kaq të bukur, që bën të shkëlqejnë valët si mijëra pasqyra vezulluese, të gërshetuara nga rryma detare në mënyrë të tillë, sa që të duket se vetë deti ashtu, luspa-luspa është në sfidë të hapur edhe me shtatë ngjyrat e ylberit. Këtu, ku bregu zbret shkallë-shkallë, edhe ngjyra zbret shkallë-shkallë, kemi dhjetëra nuanca të bojë-qiellit, po aq të jeshiles, po aq të së bardhës. Në këtë bregdet, ku ndihet pushteti i krenarisë që je bir i kësaj toke Arbënore, për të gjithë shqiptarët, edhe mrekullia që ka bërë zoti, shkrihet me mrekullitë që po ndërton njeriu shqiptar ditë pas dite. Këtu, fillon dhe njësohet deti Jon me atë Adriatik, këtu njësohet era e detit me të malit, këtu njësohet rëra me zallin, sa dhe ngjyrat e ndërtesave njësohen e luajnë me natyrën përreth si luan pranvera me ngjyrën e luleve të saj. Sa kemi lënë pas Vlorën dhe kemi kaluar në atë që quhet “Përroi i Vrizit”, jemi futur në atë kufi institucional, që i përket bashkisë së Orikumit. Nuk ka njeri të kësaj zone që të mos e dijë se futesh në Radhimë , ku të vjen në mend një këngë e këtyre viseve: “Dukat, Tragjas e Radhimë/ U derëzeza o djem” .Kjo është zona ku tre fshatrat e një krahine që quhet Dukat, janë të lidhur me njëri –tjetrin me gjak, vëllazëri e krushqi të përjetshme. Kjo zonë, që kufirin fillestar e ka direkt mbas shkëmbit natyror që ngrihet si një ballkon madhështor mbi det e që vlonjatët e quajnë me emrin “Kalaja” , mbaron mbi Qafën e Llogorait, kur zbret për në Palasë, dhe ashtu si fillon dhe mbaron, në një vijë natyrore ku qielli, toka, deti bëhen njësh, ashtu bëhet njësh dhe e shkuara me të sotmen, duke folur me të njëjtën gjuhë, duke kënduar të njëjtat këngë.

Kur ecën në rrugën gjarpëruese të Radhimës, aty ku mushmollat, limonët, ullinjtë, ndërthurën me pishat, gjineshtrat e verdha e xinat buzë rrëzomave, që herë bëhen njësh me detin, e herë bien thikë duke u zvarritur nëpër hone, mahnitesh se sa shumë ka ecur kjo zonë në këta pak vjet, sa bukur ka ndërhyrë njeriu e sa afër dukesh me Mesdheun e përtejmë, ku konkurrenca kalon deri në marrëzi. Kohët e fundit, këtu kanë ardhur dhe turistë që ecin e lëvizin shpateve në këmbë, e me mushka duke mohuar edhe makinat e shtrenjta që as këtu nuk mungojnë. Duke i parë kështu grupe-grupe, të kujtohet koha që kjo zonë u përshkua në të njëjtën mënyrë në 29 maj 1920, kur u bë Kuvendi i Barçallait që përgatiti Ultimatumin dhe u morën vendimet e rëndësishme të Luftës së Vlorës. Me mendje, po të kthehemi mbrapa në ato vite, lexojmë se çfarë ka lënë të shkruar për këtë krahinë një nga udhëheqësit kryesor të asaj lufte, mëmëdhetari i madh Osmën Haxhi Muhameti: “Kur i hipa kalit për në Radhimë e Barçalla nëpër penxhere kishin vënë flamurë kuq e zi me shkabë. Njerëzit ishin gati të linin punën dhe të vinin në luftë. Kurse nëpër sokakët ndihej era e fortë e petullave. Në Tragjas e mbyllën shkollën dhe ishin gati që burra dhe gra të vinin me mua. Piva dhallë të ftohtë në shumë stane. Në Dukat ishin mbledhur të gjithë burrat dhe ata që nuk kishin dyfek kishin marrë kërrabën ose shkopin prej drize. Aty pashë dhe gjeta një nocion nacional që Shqipëria është Dukati, apo Dukati është Shqipëria.

Është bukur kur sheh njerëz që vijnë për mallin e largët, për kureshtje, për gëzim në këto anë, që më shumë kanë pritur ushtri të huaja dhe i kanë përballuar ato me dinjitetin e shqiptarit. Në horizont ishulli i Sazanit dhe gadishulli i Karaburunit, janë aq afër dhe aq larg, si dhe rrëfenjat që flasin gjuhën e sotme. Dikur ishte vetëm një gadishull, por si pasojë e një tërmeti dhe shkëputje nënujore ai u nda dhe u krijua ishulli i Sazanit. Kjo zonë dikur përfshihej në zonën e Himarës prej 50 fshatrash, dhe nga njëri prej tyre, Radhima e ka prejardhjen dhe arbëreshi i famshëm Jeronim De Rada. Pra pak kohësh këto gurë i preku dhe studiuesi francez me origjinë shqiptare, Mathieu Aref, autor i librit “Shqipëria-Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” i cili duke studiuar ato që shkruan Hamund se në malet Akrokeraune (në malet e Vetëtimës) në Dukat, ka lindur Zeusi, erdhi këtu për t’i parë e shkelur këto troje mitike. Ndoshta, studiuesin që ka bërë të mendohen shumë shkencëtarë, e kanë shtyrë përpara dy fakte: i pari është fakti se dijetari C.Roth në librin e tij shkruan se në malet Keraune jeton fisi Albanoi, domethënë Albanopoli i dikurshëm, dhe i dyti se E.Gilbert thotë se emri Labëri është emri i vjetër i Albanopolit që ndodhet në malet e Akrokeraunëve.

Ptolemeu në hartat e tij të famshme ka dhënë koordinata të sakta për Vlorën, Orikun, Pashalimanin, Palermon, ndaj mendohet që s’ka si të ketë gabuar kur Albanopolin e ka vendosur në juglindje të Keraunisë, në krye të rrjedhës së lumit të Celydnos. Si për koincidencë, lumi i Dukatit burimin lindor e ka në Vrizë. Këtu, në Fushë-Dukat ndodhej qyteza ilire Erihoi, ndërsa ku shtrihet Orikumi,ndodhet qyteza 2500 vjeçare me rrënojat e lashta të saj, me amfiteatrin, që i kanë dhënë të drejtë ministrisë së Turizmit e Kulturës për ta shpallur atë “Park Arkeologjik Kombëtar”. Në fakt, koha e saktë për themelimin e Orikumit nuk dihet. Ka shumë gjasa që kjo qytezë është themeluar si koloni mbi ndonjë vendbanim ilir më të vjetër, se shekulli VI p.e.s , ashtu si ka ndodhur edhe për shumë qyteza të tjera ilire, sepse dihet që Orikumi është pjesë e tokës së fisit ilir të amantëve. Në gjithë këtë zonë ka shumë shpella që brenda tyre ka shumë histori për të dalë në dritë. Dikur Lukiani shkruante se “këtu strehohen varkëtarët, kur Adriatiku të gjitha fuqitë e veta i vë në lëvizje dhe kur Keraunia fshihet ndërmjet reve.” Mbas Karaburunit gjendet një liman që quhet Gramata e banorët i thërrasin Grama. Ky liman, në ditët e sotme, është një kompleks, me tuma, qeramikë, amfora nënujore, aty është gjetur dhe një anije me vela ilire. Dijetari i shquar gjerman Hans Treidler ka shkruar se Gramata e sotme ka qenë limani i fisit të vogël ilir Encheler, që nuk mund të dilte drejtpërsëdrejti në Orikum, ku ish vendosur kolonia greke, ndërsa mitologu grek Apolonius Phoius thotë se Zeusi i drejtonte vetëtimat për të dëbuar gjindin e racës së Encheler. Në një nga shpellat e famshme të kësaj zone do të strehohej, për tu ruajtur në shekujt që do të vinin më pas edhe ulqinakasi i famshëm Haxhi Aliu, emrin e të cilit e mban kjo shpellë sot e kësaj dite.

Nga gërmimet që ka bërë në trevën e Dukatit arkeologu shqiptar Pr. Neritan Ceka, ka gjetur varreza të lashta ilire të mijëvjeçarit të tretë p.e.r. Në thikat prej bronzi, karficat, sendet e tjera të stolisjes, që u gjendën në ato tuma, tregohej qartë se ilirët kaonë kanë jetuar në këto troje në periudhën kur shoqëria fisnore ishte duke u shkatërruar. Në Dukat toponimi “Gropa e Pirit”, vjen nga emri i lashtë “Gropa e Epirit”, ku i pirë do të thotë i pjerrët, që laget nga uji. Këtu ndodhet edhe një hon që quhet Gërxhinë, që s’është gjë tjetër veçse një gërxh i vogël, banorët fjalës Greqi i thonë Gërqi, dhe njerëzit e gërxheve, i quajnë me fjalën “grekërit” apo “gërxhianët” dhe është plotësisht e mundshme që romakët t’i kenë quajtur banorët e gërxheve, “graccianë” e vendin “Grecia”, nga që bregu ka qenë gjithmonë gërxhe-gërxhe. Këtu shtrohet dhe pikëpyetja e aludimi i madh i shumë shkencorëve, gjuhëtarë e historianë, se s’ka pasur kurrë grekë të vjetër, por ata ishin pallazgo-ilirët e gërxheve. Në se duam të studiojmë të vërtetat tona të mohuara, duhet gërmuar thellë në këtë zonë, sepse këtu është filli që pështjellon lëmshin, kjo zonë është palca e shqiptarisë.

Në Orikum gjendet dhe Kisha e Marmiroit, e ngritur në kodër me gurë të punuar të ardhur nga Paleokastra. Këtu, thuhet se rrugën bregdetare, në rrëzë të së cilës ndodhet kisha, Akili e bllokoi me dy anije. Më vonë, Pompeu i Ri, sulmoi dhe mori me flotën egjiptiane hyrjen e bllokuar të Limanit, dogji e shkrumboi muret e qytetit. Në vendin ku është kisha e lashtë, që është shpallur monument kulture, janë dhe varret e lashtë të mbuluar me gurë, shumë prej tyre janë ndërtuar me tulla. Si për të bashkuar historinë e re me atë të vjetër krahas rrënojave të lashta, ndodhet pak më tutje Tragjasi i vjetër, një shkrumbim i mëvonshëm. Tragjasi i djegur dy herë, një herë nga italianët e një herë nga gjermanët… Kush tha se hebrenjtë vuajtën dhe u persekutuan më keq! Edhe mbas luftës, thonë se bijtë e Tragjasit, vendit të “Heroinës së Popullit” Zonja Çurre e patriotit Alem Mehmeti, që i kish ngritur kullat e tij, atje ku ishin rrënojat amante, bënin karrierë deri diku, por jo më shumë se ç’duhej, se në fund të fundit, ata ishin pjellë, gjak e mish me dukatasit, këta disidentë të përjetshëm. Nuk e thotë kot dhe kënga e dy shekujve më parë kur ata nën komandën e Dervish Ali Dukatit, shkonin e vriteshin bashkë në luftë kundër turkut: “Dukat e Tragjas shumë /Djemuria një furtunë/ Ngrehu Kanina me vulë.”
Ka aq shumë histori, aq sa ka dhe gurë e shkrepa. Nga Tragjasi ishte dhe shoqëruesi i Ismail Qemalit. Kur vajti në Tragjas, Ismail Qemali pyeti: ‘A ka ndonjë djalë nga fisi i Kamber Delos, bashkëluftëtarit e mikut të babait tim?’ ‘Po ka!’-ishte përgjigjja. Plaku i urtë i tha Xhafer Halil Xhuvelit: ‘Biro, Atdheu, është në rrezik. Ti do të vish me mua!?

Xhuveli nuk iu nda më Ismail Qemalit dhe bashkë me miqtë e tij dukatas e mbajtën fjalën para e mbas pavarësisë. Lufta e tyre kundër andartëve grekë në vitin 1914, ishte ajo që vendosi edhe një herë fatin e atdheut. Nuk mund të flitet për trimat e Dukatit si Hamit Selmani, Imer Çelo, Skëndo Kulluri, Pilo Andoni, Mezin Hasko si dhe “Heroina e Popullit” Sado Koshena, Hodo Zeqiri, pa përmendur dhe trimat e Alem Mehmetit, aq sa përmendet edhe sot e kësaj dite fjala profetike e Ismail Qemalit : “Llogorai s’bie se Dukati e bastuni im e mban frontin e Llogorait.” Dhe kur thoshte Dukati, kishte ndër mend një krahinë të tërë, sepse Dukati është i madh si ajo shprehja : ‘Dukat e gjysmë e Misirit’.

Për këtë zonë janë mijëra shkrime, për historinë, bukurinë, traditat. Jo më kot ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Ylli Pango, kur bëri çeljen e sezonit turistik të kësaj zone tha se “bukurinë kësaj zone ia ka falur natyra, por ne do t’i japim përparësi turizmit kulturor dhe atij rural”. Kryetari i Bashkisë së Orikumit, dukatasi Kanan Braho, e shpreh që kjo zonë është lënë mbas dore dhe gjithçka që është bërë në infrastrukturë është bërë nga vetë njerëzit dhe jo nga shteti. Edhe pse kjo është një e vërtetë që dhëmb, duhet thënë se Orikumi po vihet në rrugë të mbarë. I pari, e çeli rrugën ish kryeministri Ilir Meta, duke zgjeruar e shtruar rrugën deri në Palasë, pastaj ish ministri vlonjat i Kulturës Bujar Leskaj me përpjekjet e tij për Parkun Arkeologjik. Edhe deputeti i zonës Ardian Kollozi, bën përpjekje që kjo zonë, nga më të bukurat e Vlorës dhe Shqipërisë të futet në turizmin elitar. Por këtu, nuk mungon me vizitat e tij të shpeshta e me mall edhe ministri i Komunikacionit dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, i cili ka kaluar fëmijërinë e tij në Orikum si bir i një ushtaraku të Flotës Detare. Konsulli italian në Vlorë, Tomassoni është bërë si i shtëpisë sepse në Orikum ngrihet dhe Porti Turistik i Jahteve që popullohet çdo verë nga italianët, ai ka vendosur që këtu të festojë dhe Ditën e Republikës Italiane. Duhet thënë se pothuajse në të gjithë fshatrat turistikë të kësaj zone, kamerierët gjatë verës vijnë nga Tirana sepse Vlora mbipopullohet.

Tek kjo zonë, që tashmë mbushet me pushues, dikur, kanë ardhur e shkuar shumë pushtues. Orikumi zilepste romakët jo vetëm për bukurinë, por edhe për pozicionin gjeografik. Në Llogora shkoi dhe Qesari në luftën e tij me Pompeun, sot e kësaj dite ka një rrugë që quhet Rruga e Qezarit. Të parafundit ishin rusët e bazës ushtarake, të fundit kinezët…
Kjo zonë, që të josh me gjithçka, ka pushues të veçantë sidomos ata nga Kosova, që tashmë nuk porosisin më dhoma 15 ditore, por porosisin blerje shtëpish e pallatesh. Është peshku i famshëm, i quajtur “koce Dukati”, është mishi i pjekur në hell nga meratë e Llogorait, është dhia e zezë që kacavirret shpateve, është misri i bardhë që bëhet arapashi i famshëm me zorrë qengji, është kënga labe “treshja e Dukatit”… është hëna që bie mbi det e pasqyruar. Këtu është mrekullia që duhet jetuar, këtu flenë të vërtetat që duhen zbuluar. Këtu ndodhen edhe restorantet që ndoshta edhe shtetet më të zhvilluara do t’i kishin pasur zili. E dini ç’ka thënë një udhëtar i famshëm që ka kaluar para dy shekujve në Llogora, që edhe kjo është pjesë e Dukatit brez pas brezi ? Çdo shqiptar duhet të mbajë shënim këto që ai ka shkruar : “ Në këtë udhëtim mbërrita në Qafë të Llogorait, për të shijuar magjinë e atij vendi, që ndoshta është më i bukuri që unë kam parë në të gjitha udhëtimet e mia të shumta në Evropë e Azi. Është Qafa e Llogorait”, një simfoni e mrekullueshme e përbërë prej pyjeve, livadheve, luleve, shkëmbinjve, ujit dhe ajrit balsamik. A duhen të zhduken trupat madhështorë të pishës së rrallë në Llogora!? Shpëtoni Llogoranë për stërnipat e brezat që do të vijnë!’

Të parët tanë e kanë bërë punën e tyre, kanë luftuar, na kanë mbrojtur, na kanë lënë histori, kulturë, dinjitet, tani e kemi radhën ne, për të ecur më shumë, më shpejt, sepse mrekullia për shqiptarët, ndodhet vetëm në Shqipëri, sepse ajo nuk është kalimtare por është brenda nesh, perceptohet me ndjenjat tona dhe shihet me sytë e dashurisë, me sytë e perëndive që e kanë zanafillën në detet tanë e janë treguar në djep nga nënat tona, nga gjuha jonë e madhërishme shqipe. Orikumi është ajo pjesë e Shqipërisë, që si vetë trojet tona me të shkuarën na nxisin për një të ardhme më të mirë.

Nga Laureta Petoshati

Në Orikum, atje ku bashkohen perënditë Iliriane – Nga Laureta Petoshati Read More »

27-vjeçari që guxoi të vriste Esad Pashën. Gjyqi në Francë dhe pritja si hero në Shqipëri

Nëse do të flasim për tri nga ngjarjet më të rëndësishme të ndodhura në 1920, janë vrasja e Esad Pashë Toptanit nga Avni Rustemi dhe gjyqi i tij në Francë, lufta e përgjakshme e Vlorës dhe ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme, Kongresi i Lushnjës. Në këtë artikull do të flasim për gjyqin e famshëm të Avni Rustemit, pasi ai vrau në mes të rrugës me dy plumba Esad Beun.

Avni Rustemi lindi në Libohovë, më 22 shtator 1895 dhe vdiq në një atentat në Tiranë, më 24 prill 1924. Ai ishte mësues, publicist, atentator dhe deputet shqiptar.

Themelues dhe drejtues i shoqatës “Bashkimi” dhe anëtar i opozitës demokratike para Lëvizjes së qershorit. Familja në të cilën u rrit Rustemi ishte oxhaku i Libohovës Arsllan-Pashalinjt. Avni Rustemi, në vitet 1920, shfaqet si figurë shumë aktive dhe revolucionare për kohën.

Që kur ka qenë 14 vjeç, Avniu ka kërkuar që të bëhet pjesë e çetës së Çerçiz Topullit, por nuk është pranuar për shkak të moshës. Më vonë arrin që të shkollohet dhe në moshën 17-vjeçare fillon punën në Tepelenë si mësues.

Më vonë Rustemi u zhvendos në Vlorë për të zhvilluar profesionin e tij, pikërisht në fshatrat Tragjas dhe Radhimë. Por ai nuk do të rrinte i qetë.

Në vitin 1920 krijohet një organizatë nga djelmoshat e Vlorës, pjesë e të cilëve ishte edhe Rustemi, nga kjo organizatë do të dilte edhe urdhri për të vrarë Esad Pashë Toptanin.

Komploti për vrasjen e Esad pashë Toptanit u organizua në Vlorë, në një shtëpi në lagjen “Muradie”, në të njëjtën lagje ku pjesëmarrës ishin 36 burra, nga të cilët u përjashtuan ata që kishin familje dhe shorti u zhvillua vetëm me 11 burra, ku, siç dihet, shorti i ra Avni Rustemit.

Avniu shkon dhe e vret Esadin. Ja çfarë thonë gazetat franceze të kohës rreth kësaj çështjeje, fakte të mbledhura nga Aurenc Bebja.

Më 13 qershor të 1920, në kryeqytetin francez, Esad Pasha po dilte nga hotel «Continental», i shoqëruar nga një mik dhe një mikeshë, për të shkuar në drejtim të automjetit të tij, i parkuar në rrugën «Castiglione». Avni Rustemi, i cili po priste mbi trotuar, qëllon dy herë mbi të duke e lënë të vdekur në vend.

Si rrjedhim, gazeta franceze «Le Matin» ka botuar në faqen e parë të saj, më datë 30 nëntor 1920, një artikull mbi procesin gjyqësor të kësaj vrasje të bujshme. Ajo ka botuar shkëmbimet e ndryshme në sallën e gjyqit, ku bie veçanërisht në sy gjakftohtësia e Avni Rustemit.

Më 20 qershor 1920, Avni Rustemi shfaqet para Gjykatës së Krimeve të Rënda të «Seine». Gazeta e përshkruan autorin 27-vjeçar, si të dobët fizikisht, që dukej sikur të ishte 20-vjeçar, me një pamje të mprehtë, i cili ishte i sigurt kur shprehej, me një kokëfortësi që haset tek të gjithë vrasësit politikë. Dhe si ata, ai dinte të përdorte lehtësisht «klishetë».

Në vijim, seanca gjyqësore e rrëfyer në gazetën franceze:

“Seanca është udhëhequr nga kryetari i gjykatës, këshilltari Z. Drioux.

Avokati i Përgjithshëm Bloch – Laroque mbështet akuzën.

E veja e Esad Pashës përfaqësohet, si palë civile, nga avokatët Freyssanges et Lyon – Caen.

Avokati De Monzie (Anatole) mbron të akuzuarin.

Pas formaliteteve, fillon marrja në pyetje e Avni Rustemit.

I akuzuari, i lindur në një familje me prona përreth Janinës, është shkolluar në Konstandinopojë, Gjenevë dhe Romë. Ai i ishte destinuar mësimdhënies. Në vitin 1913, u bashkohet Shqiptarëve që luftonin kundra Greqisë me qëllim «lirimin e Epirit».


Drioux: Në atë moment të caktuar, ju nuk e njihnit Esad Pashën?

Avni Rustemi : Oh, kanë folur shumë për të!

Drioux: Po ju paralajmëroj se do të jem tepër i kujdesshëm në këtë terren. Unë pranoj se jam i paditur në çështjet e historisë dhe politikës shqiptare. Mbi këtë bazë, unë do t’ju lejoj të thoni atë që ju dëshironi.


Rustemi përfiton nga leja për të afirmuar se në Shqipëri kishte vetëm një qeveri legjitime, ajo e cila luftoi Esad Pashën.

…Në maj të vitit 1920, partizani i ri kthehet në Shqipëri, ku takon « një zyrtar të lartë, i cili i shpjegon situatën » dhe kuptohet se është kundra « Esadiste ». Në vijim niset për në Paris.


Drioux: Çfarë burimesh financiare keni?

Avni Rustemi : Pak më shumë se 6000 lireta.

Drioux: Nga vijnë këto para?

Avni Rustemi : Nga vëllai im.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Kjo dëshmon se Rustemi nuk është vrasës me pagesë.


Rustemi e përgjonte Esadin nga hoteli i rrugës « Saint – Hyacinthe », komshi me hotelin « Continental », ku jetonte Esadi. Iu desht vetëm një « hap » për ta gjetur. Më 13 qershor u takua papritmas me pashain në trotuarin e rrugës « Castiglione » dhe aty ndodhi gjithçka.


Avni Rustemi : Kur pashë këtë njeri u turbullova dhe nuk u kontrollova dot.

Drioux: Dhe pastaj, ju qëlluat?

Avni Rustemi : Ishte një gjest ashtu si marrja e Bastijës!

Drioux: Ju u bëni aluzion, pa i njohur mirë, disa fakteve të historisë sonë. Shumë të huaj shprehen kështu. Në një tekst të shkruar nga pala juaj mbrojtëse, miqtë tuaj e kanë krahasuar viktimën me Luigjin e XVI! Ju paralajmërova se mund të thoni gjithçka në lidhje me politikën shqiptare.

Ne, francezët, ne nuk mund të harrojmë se Esadi ishte miku ynë, që u detyrua të largohej prej austriakëve, që ka punuar në shpëtimin e ushtrisë serbe, dhe për arsye të këtyre fakteve, ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Franca ka besuar disa herë gabimisht.


Proçesi gjyqësor mbyllet me këto fjalë të akuzuarit:

Avni Rustemi : Unë nuk e kam paramenduar vrasjen. Unë kam qenë gjithmonë i shtyrë nga ndjenjat e pastra.


Nga ky moment, mbaron proçesi i Avni Rustemit dhe fillon i Esadit.


Dëshmitarët e parë, doktori Paul, eksperti i armëve Flobert, roja (gjuetari) Cavet që ndaloi vrasësin u dëgjuan me shpejtësi.

Avokati i Rustemit, De Monzie, me aftësinë e madhe për të mbrojtur klientin e tij, do të tërheqë vëmendjen e sallës në vijim.


Avokati i Rustemit, De Monzie : Një patriot shqiptar, si Rustemi, a ka pasur ndaj Esadit ankesa të bazuara (të mjaftueshme) për të eliminuar tiranin dhe tradhtarin?


Sipas gazetës, dhjetë dëshmitarë mbrojnë të vrarin.

Gjenerali Gouraud i ka shkruajtur Z. Drioux për të vërtetuar bujarinë e Esadit. Z. Edouard Julia e konsideron Esadin si një mik të Francës.


Julia: Figura e tij ushtarake ishte ajo e një heroi. Ishte ai që mundësoi dialogun me mbretin Konstandin. Personaliteti i tij politik nuk ishte më pak i shquar. Ai ka kontribuar shumë në fitoren e aleatëve.

Pa atë, asnjë serb nuk do t’i kishte shpëtuar fatkeqësisë, asnjëri prej tyre nuk do të arrinte në Korfuz. Unë nuk jam këtu për të shkatërruar një njeri të ndriçuar nga pasioni i tij politik, por do t’i them të akuzuarit, se duke vrarë Esadin, ai ka sakrifikuar fatin e fundit për bashkim dhe pavarësi që i kishte mbetur shtetit të tij.

Avokati i Rustemit, De Monzie: Esadi, a nuk e dorëzoi Shkodrën në 1913 armiqëve të shtetit të tij? Dëshmitarë të tjerë do të vijnë të tregojnë».


Eskpertë të tjerë kanë vazhduar të flasin në gjyq si për shembull gjenerali Sarrail, ish-shefi i byrosë së ushtrisë Orientale, Z. Ancel, apo Z. Auguste Gauvain, Z. Gaston Richard, koloneli Lamouche dhe konsulli francez në Selanik, Z. Graillet.

Të gjithë këta zotërinj nuk kanë rënë dakord me pohimet e njëri – tjetrit.

Gjatë kësaj seance gjyqësore nuk është marrë një vendim i menjëhershëm për Avni Rustemin.

Një ngjarje tjetër që nuk mund të harrohet, është ajo e komisarit të bashkisë, mikut të Avni Rustemit, Tol Arapi, i cili hipi në anijen që solli Avni Rustemin, nxori nga brezi nagantin dhe qëlloi 5 herë në ajër duke brohoritur “Rroftë djalëria shqiptare, Rroftë Avni Rustemi!”.

Ngjarja e dytë ka qenë marrja në krahë e Avni Rustemit, ku një pjesë të rrugës për në Vlorë e mbajtën në krahë, dhe pjesën tjetër të rrugës e hipën në karrocë dhe i hoqën kuajt, dhe populli i Vlorës e shtyu karrocën deri në Bashki, në qendër të qytetit.

Po atë natë për nder të Avni Rustemit u shtrua një darkë e madhe ku përveç parisë së Vlorës, merrte pjesë edhe kryeministri i asaj kohe, Sulejman bej Delvina dhe njerëz të tjerë të shquar të kombit. Por gëzimi nuk do të zgjaste shumë.

Njerëzit e Esad Pashë Toptanit u rikthyen përsëri për të, dhe atë ditë 22 prilli të vitit 1924 në Pazarin e Ri në Tiranë, teksa ishte i shoqëruar nga një deputet demokrat i quajtur, Hoxha Kadriu nga Prishtina, papritur një njeri i armatosur e qëllon dy herë.

Rustemi jeton vetëm për dy ditë dhe vdes nga plagët e rënda që kishte marrë. Njeriu që vrau Avni Rustemin, ishte Jusuf Reçi, një nga njerëzit e Esad Pashë Toptanit.

Sot Avni Rustemi mban titullin “Hero i Popullit”.

27-vjeçari që guxoi të vriste Esad Pashën. Gjyqi në Francë dhe pritja si hero në Shqipëri Read More »

HISTORIA/ Një shqiptar ‘kërcënon’ të hedhë në gjyq Italinë, ja arsyeja e rrallë

Një shqiptar, tani 40-vjeçar i cili në vitin 1995 kreu gabimisht shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Itali, ka nisur  një betejë ligjore për të marrë shtetësinë italiane.

Armando Panariti kishte mbërritur në Puglia me prindërit e tij në marsin e vitit 1991, ku zbarkoi në Brindisi. Familja e tij u vendos në provincën e Tarantos, ku Armando, atëherë një adoleshent, filloi të shkojnë në shkollë dhe pastaj në punë.

Ai u thirr më pas “nën armë”, pavarësisht se ishte një shtetas shqiptar. Vetëm në fund të shërbimit ushtarak, të bërë në Leçe, u vu re gabimi. Ai u njoftua ëpr dëbim sepse nuk mund të punonte dhe merte lejen e qëndrimit.

Asistuar nga avokatët Raffaele Mascolo dhe Massimo Santoro, 40-vjeçar i cili aktualisht jeton në Tiranë, ndërsa familja e tij është ende në Itali, ka bërë aplikim për shtetësinë italiane, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Në ditët e ardhshme, ai do të paraqesë një ankesë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

HISTORIA/ Një shqiptar ‘kërcënon’ të hedhë në gjyq Italinë, ja arsyeja e rrallë Read More »

Rruga e Llogarasë, si u ndërtua për 100 ditë nga italianët ! Foto të rralla!

Rruga automobilistike nga Vlora në Sarandë është një nga më piktoresket në Shqipëri. Por pak kush e di që atë rrugë e ka ndërtuar ushtria italiane 100 vite më parë. Në luftën e Parë Botërore, Italia pushtoi Vlorën dhe shumë zona të jugut të Shqipërisë. Ajo do të largohej vetëm në vitin 1920, falë luftës së armatosur të organizuar nga qeveria e Kongresit të Lushnjës dhe ndikimit të faktorit ndërkombëtar.

Por gjatë qëndrimit të italianëve në Vlorë, ka pasur disa ndërhyrje në infrastrukturë të cilat vendi i trashëgon ende sot. Italianët ndërtuan në mes të luftës rrugën e Qafës së Llogarasë. Më pas ata u investuan që rruga të lidhte Sarandën dhe Vlorën. Fotografitë e rralla në Arkiv Britanik tregojnë rrugën e sapo ndërtuar si dhe ndërtimin e disa urave në dalje të Vlorës në vitet 1917-1918.

Po ashtu, italianët nisën edhe ndërtimin e një linje hekurudhore që mbeti në mes. Këto investime në infrastrukturë nga pushtuesit nuk ishin çudi, kjo për shkak se ndërtimi i tyre kishte avantazh ushtarak. Po ashtu, edhe mjaft investime të ngjashme bënë në veri edhe austro-hungarezët. Shqipëria ishte vendi më i prapambetur i kohës dhe kishte shumë pak rrugë automobilistike.

Vetëm në qeverisjen e mbretit Zog u bë e mundur që Shqipëria të ketë një rrjet disi të mjaftueshëm, të cilin ende e trashëgojmë sot. Ironia më e madhe qëndron se që në hapat e para të shtetit shqiptar, rrugët kanë qenë problemi thelbësor dhe ende sot rrugët dhe infrastruktura në tërësi janë një dobësi e madhe e shtetit shqiptar. newsbomb

Rruga e Llogarasë, si u ndërtua për 100 ditë nga italianët ! Foto të rralla! Read More »

Cili ka qënë tërmeti më tragjik që ka goditur 10 vitet e fundit Shqipërinë?

Vendi ynë është goditur sot nga dhjetëra lëvizje sizmike që shkaktuan panik te qytetarët. Lëvizja më e fortë ishte e fuqisë 5.2 magnitudë, që ka shkaktuar dëme në disa shtëpi. Shqipëria është në një zonë sizmike, vendi ynë nuk ka pasur tërmete shkatërrimtarë të shumtë. Megjithatë, në histori janë regjistruar tërmete të forta që kanë shkatërruar qindra banesa e kanë marrë qindra jetë njerëzish.

Shqipëria bën pjesë në zonën sizmogjene Jonike-Adriatike (rajoni i Shkodrës; Shqipëria perëndimore; zona Korçë-Ohër-Peshkopi, me vija aktive në Lushnje, Elbasan, Dibër dhe Vlorë, Tepelenë-Ersekë). Alpet e Shqipërisë janë më pak të prekura nga lëkundjet e tërmeteve. Afërsisht, çdo vit në Shqipëri shkaktohen 4-5 tërmete me 6 ballë dhe çdo 25 vjet shkaktohet 1 tërmet me afro 9 ballë, duke e bërë kështu Shqipërinë një rajon me aktivitet të lartë sizmik.

Nga lashtësia njihen si tërmete më të fuqishme ai i Apolonisë në vitin 217 e.s. Në Durrës tërmete kanë rënë në vitet 334 dhe 506 të erës sonë, si dhe në vitin 1273. Gjithashtu në kohët e vjetra përmenden dhe tërmetet e Butrintit në vitin 1153 dhe të Krujës në vitin 1617.Nga studimet e pakta që kanë ardhur deri në ditët tona rezulton se gjatë shekullit te 19-të në Shqipëri janë ndjerë 77 tërmete me mbi 7 ballë. Por cilët janë 10 tërmetet më të fuqishëm në historinë e vendit tonë? 10 rastet që figurojnë në rekordet e “CatMonitor”. Nuk do ta besoni, por historia nis së paku në vitin 1851…

17 tetor 1851 Rajoni i Beratit goditet nga një tërmet i fuqishëm me pasoja të rënda. Mbi 400 të vdekur dhe shkatërrime të shumta në ndërtesa. Plasaritje të mëdha, rrëshqitje toke dhe pluhur me squfur.

Korrik-gusht 1855 Shkodra ndjen lëkundje të forta që shkaktojnë shkatërrimin e Bushatit, Jubanit, Kozmaçit, Vaut të Dejës dhe fshatra të tjerë në Shkodër, Karme, Dushan, Toplane dhe Bruç. çarje të mëdha në tokë.

22 dhjetor 1919  Leskovik-Konicë ndihet tërmeti 6.1 ballë i shkallës Rihter. Shumë shtëpi të shkatërruara në kufijtë shqiptarë si dhe në fshatrat grekë Isboros, Plavoli, Belthonsi dhe Kapaztiko. I gjithë rajoni i shkatërruar. Nuk ka të dhëna për viktima.

18 dhjetor 1920 Elbasanit i shkatërrohen totalisht 173 shtëpi dhe dhjetëra persona plagosen. Pasojat e tërmetit me epiqendër në Elbasan më së shumti u ndjenë në Peqin ku 14 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën rëndë.

30 mars 1921 Nuk ka të dhëna për dëme në njerëz, por dhjetëra shtëpi janë shkatërruar në Peshkopi dhe Dibër (Maqedoni).

27 gusht 1948 Nën Shkodra preket nga tërmeti 5.5 ballë. Dëmtime serioze të shtratit të lumit Buna dhe në qytetin e Shkodrës. Dëmet më të mëdha raportohen në Trush (1 i vdekur dhe 27 të plagosur). Shkatërrime objektesh ka pasur edhe në Oblike e Barbullush.

1 shtator 1959 Shkatërrime në Lushnjë, Fier, Rrogozhinë, Peqin, Kuçovë dhe Berat. Në total 944 shtëpi të shkatërruara, shkruan Javaneës. Kryesisht në Karbunarë të Lushnjës. Dëmtime të mëdha në objekte industriale, shkolla, spitale dhe objektet kulturore. çarje të tokave bujqësore.

30 nëntor 1967 Librazhd-Dibër, 6.6 ballë. Dëme të mëdha në 13 lokalitete dhe 177 fshatra. Së bashku me Maqedoninë e prekur nga tërmet, raportohen 6,336 ndërtesa të shkatërruara. Raportohet për 12 të vdekur dhe 174 të plagosur.

15 prill 1976 Tërmeti 8 ballë godet Shkodrën duke shkaktuar viktima dhe dëmtime të mëdha. Fatkeqësisht 40 persona humbën jetën në Shkodër-Lezhë. U dëmtuan 17 118 shtëpi e objekte social-kulturore.

9 janar 1988 Lëkundje të shpeshta në Tiranë me dëme materiale. Pasojat kryesore në fshatrat Arbanë dhe Petrelë.

Cili ka qënë tërmeti më tragjik që ka goditur 10 vitet e fundit Shqipërinë? Read More »

4 Korriku–242 vjetori i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

4 Korrik 2018, u mbushën 242 vjet nga dita, që kur burrat më të ndritur të kombit amerikan, nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, duke u betuar, ashtu siç thuhet edhe në deklaratë, për nderin e tyre, të kombit të cilit ata i përkisnin

4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë-Ditëlindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe miratimin e Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik, 1776, sot e nderon me pietete të mëdha çdo amerikan. Kjo është një ditë, e cila festohet në të gjithë Shtetet e Bashkuara me parada madhështore, parada patriotike, me eskursione dhe pikniqe familjare, e cila mbyllet me një natë të koncerteve dhe hedhjes në qiell të tonelatave të fishekzjarreve, dhe është një arsye më shumë për të vendosur në çdo shtëpi flamurin amerikan.

“Amerika e bukur.” “Shtëpia e lirë dhe e të guximshmeve.” “Toka e mundësisë.” – “America the beautiful.” “Home of the free and the brave.” “The land of opportunity.”, këto janë frazat që ne do të dëgjojmë në mënyrë të pashmangshme në këtë 4 Korrik, që vjen si një kremtim solemn teksa Shtetet e Bashkuara po festojnë, sot përvjetorin e 242-të, kur u deklarua pavarësia e saj. Nuk ka asnjë dyshim që ky është një festim madhështor patriotik  i çdo amerikani

Dita e Pavarësisë është dita kombëtare e Shteteve të Bashkuara:

Çdo vit, më 4 korrik, amerikanët festojnë së bashku me familjet e tyre,  lirinë dhe pavarësinë me pikniqe, dhe tubime familjare. Autoritetet, shtetërore dhe federale kan mobilizuar mijëra oficerë të policisë, për të patrulluar rrugët dhe sheshet e qendrave të banuara. Forca të tjerë të ruajtjes së rendit do të ruajnë hotelet dhe pikat tërheqëse për turistët, sidomos kjo në qytet më të mëdha përfshirë Nju Jorkun.

Miliona njerëz si për shembull në New York, dhe në disa shtete të SHBA do të jenë në gjendje të gëzojnë sonte spektakiln e mahnitëshëm me fishekzjarre, i cili është mbresëlënës dhe është një natë e shumë pritur. Aktivitetet lidhur me ditën e pavarësisë përfshijnë dhe garat dhe ngjarjet sportive, e koncerte në skena të hapura me këngëtarë nga më të njohurit në SHBA.

Deklarata e Pavarësisë është një dokument nëpërmjet të cilit 13 kolonit e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën veten të pavarur nga Mbretëria e Bashkuar. Dokumenti u ratifikua nga Kongresi Kontinental më 4 korrik, 1776. Deklarata e Pavarësisë është një nga simbolet e lirisë, dhe më të dashura e të nderuara të Shteteve të Bashkuara.

241-vjetori i Ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ose Ditëlindja e Amerikës! Kjo është dita kur lindi Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta amerikane, është ditë gëzimi, jo vetëm e amerikanëve, por edhe e kombit shqiptar.

Sot, më 4 Korrik 2018, u mbushën 242 vjet nga dita, që kur burrat më të ndritur të kombit amerikan, nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, duke u betuar, ashtu siç thuhet edhe në deklaratë, për nderin e tyre, të kombit të cilit ata i përkisnin.

Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787, dhe përshkruan bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, në ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, që në një gjuhë më të thjeshtë janë Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

Kur gjatë luftës për çlirimin e Kosovës shtrohej pyetja pse amerikanët duhet të vdesin për Kosovën, natyrshëm dilte pergjigjja e këtij kombi të madh: se burrat më të ndritur të këtij kombi, më 4 korrik, si sot, 242 vjet më parë, kishin vendosur të krijojnë shtetin e bazuar në lirinë dhe të drejtat e barabarta të sejcilit komb.

Trashëgimia dhe porosia e tyre e çoi Amerikën në luftë, për të mbrojtur principet e lirisë dhe demokracisë amerikane edhe në Kosovë, dhe të gjitha ato vende të shtypura nga diktaturat. Për Amerikën gjëja më e shenjtë, e cila simbolizon edhe këtë ditë, është fjala liri e demokraci. Pra, liria e Kosovës dhe e shqiptarëve në vite ishte emër kuptimplotë për Amerikën dhe kombin shqiptar.

4 Korriku kumbon thellë në zemër tek tri fjalët e para të Kushtetutës amerikane, “we the people”, “ne populli”, për të theksuar rolin e rëndësishëm që shtetasit amerikanë kanë në qeverinë e Shteteve të Bashkuara:

Ato tre fjalë u bëjnë thirrje amerikanëve të mos harrojnë se përveç pushtetit që ata ushtrojnë ndaj qeverisë, nëpërmjet të drejtës së tyre të votës, ata duhet të mbajnë edhe përgjegjësinë për lirinë e vendit të tyre.

Besojmë se askush më mirë se ne shqiptarët, nuk e ka kuptuar këtë, askush më mirë se ne shqiptarët nuk e di faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë betuar në nderin e tyre dhe që demokracia, liria e popujve, të mbrohet atje ku ajo dhunohet dhe shtypet. Armiqtë më të mëdhenj të Amerikës, nuk janë popujt, por janë diktaturat e diktatorët, shtypja e popujve liridashës, skamja dhe mjerimi i tyre.

Miku më i Madh i Amerikës, është ai komb që do dhe lufton për paqen, lirinë dhe demokracinë, jemi ne shqiptarët.

4 Korriku, Dita e pavarësisë amerikane, aq sa i përket sot kombit amerikan, po aq na përket edhe shqiptarëve, kombit shqiptar. Kombi shqiptar feston 4 Korrikun, ashtu siç feston 28 Nëntorin e Pavarësisë së shetiti shqiptarë, ashtu si feston çlirimin dhe lirinë e pavarësinë e Kosovës, 12 qershorin 1999, e cila i është mirnjohëse për jetë Shteteve te Bashkuara te Amerikës.

Presidenti i parë historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ia ka dedikuar sa ishte gjallë, gjithë këtë mrekulli admirimit dhe respektit që kanë shqiptaret për Amerikën, presidentëve Uilson,  Regan, Klintonit, që i tha ndal genocidit në Kosovë me intervenimin ushtarak sulmet ajrore të Natos, por edhe me të ashtuquajturën “Vija e Kuqe” në prag të Krishtëlindjeve të Bushit të vjetër, por edhe presidentit George W. Bush, i cili i vizitoi për herë të parë trupat amerikane në Kosovë, fill pas inagurimit presidencial, dhe në vizitën e parë të një presidenti amerikan në detyrë kur vizitoi Tiranën dhe deklaroi “Kosova vetëm e pavarurur nga Serbia dhe mjft është mjaft”.

Presidenti i i ndjer i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, patë thënë se: “Ne shqiptarët i duam amerikanët sepse ata na dhuruan lirinë, që ne dëshironim – pikërishtë për këtë ka një respekt ideal. Me Amerikën ne jemi të vegjel, por miq të mëdhenj që mund të bëjmë edhe punë të mëdha”.

Ndërkohë, sot më 4 Korrik 2018, kur Shtetet e Bashkuara po kremtojnë 242 vjetorin e Pavarësisë së saj  kombi shqiptar dëshiron të tregojë me sinqeritetin e tij se shqiptarët, u janë mirënjohës miqve të tyre të shumtë amerikanë, ndër të cilët presidentit Woodrow Wilson, për përpjekjet që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për kombin tonë dhe për ruajtjen e miqësisë shqiptaro-amerikane.

Dhe kjo është në traditën amerikane, me politikën që ka mbajtur gjithnjë kundrejt Shqipërisë, të filluar prej presidentit të madh, Woodrow Wilson, kujtimi i të cilit ka mbetur i paharruar në zemrat e mendjet e shqiptarëve.

Në Konferencën e Paqes, në Paris, në fund të Luftës së Parë Botërore, Presidenti Woodrow Wilson, flaku poshtë Traktatin e Fshehtë të Londrës (1915), që sakrifikonte të drejtat legjitime të Shqipërisë dhe u kërkoi përfaqësuesve të fuqive të mëdha, respektimin e pavarësisë së plotë të Shqipërisë, duke deklaruar se “Kufinjët e botës nuk ndahen sipas madhësisë por simbas kombeve që atyre u përkasin”.

Mirëpo, duhet theksuar se megjithse regjimi komunist i Enver Hoxhës, për 50 vet i ndërpreu lidhjet me SHBA, tek zemrat e shqiptarëve në vite u rrit e u farkëtua miqësia shqiptaro-amerikane. Me këtë rast shqiptarët nuk e harrojnë presidentin Bush (plakun), në prag të Krishtlindjeve,  i cili vendosi “vijën e kuqe”, vijë që sinjalizoi diktatorin Millosheviq, që kurrë Amerika s’do të lejonte një Bosnje të dytë, me shqiptarët. Vizitën në Shqiperi të Sekretarit të Shtetit James Baker në vitin 1991.

Vizita qe beri  ne Shqiperi, në qershor 2007, Presidenti i 43-te, SHBA-se, George W. Bush, padyshim qe mbetet nje nga vizitat me te rendesishme, qe ka bere ndonjehere nje personalitet i larte i politikes boterore, gjate gjithe historise se ketij vendi te vogel te Ballkanit, me tre besime fetare, qe jetojne ne nje bashkejetes dhe harmoni shembullore fetare.

Edhe presidenti Bill Clinton, u qëndroi besnik fjalëve të paraardhësit të tij, presidentit George H. Bush, Clintoni u bë njeriu më i dashur dhe më i besuar për shqiptarët kur premtoi: “Amerika do të jetë me Kosovën”!

Amerika ishte me Kosovën në luftë, tani ajo është me Kosovën në paqe, me Kosovën në liri, me Kosovën në Pavarësinë e saj. Amerika ishte garant i ngadhënjimit të luftës ndaj diktaturës së egër të Millosheviqit dhe tani ajo është garant që Kosova të ndërtojë në paqe shtetin demokratik të Kosovës, pavarësinë e saj shtetin demokratik, sovran dhe të pavarur.

4 Korriku–242 vjetori i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës Read More »

Kryeministri shqiptar që u pushkatua si tradhtar.Ja cili ishte amaneti i tij i fundit

Maliq Bushati lindi në Shkodër më 8 shkurt 1880. Prejardhja e tij është nga familja e njohur të Bushatlinjëve të Shkodrës.

Ai shkollën Ruzhdije në Shkodër ndërsa studimet e larta i kreu në Robert College në vitin 1910.

Bëri pjesë në Komitetin shqiptar të Stambollit. Është një nga themeluesit e Lidhja Kombëtare në Shkodër. Drejtoi gazetën Populli në Shkodër në vitin 1919.

Gjatë viteve të Luftës I Botërore u bë anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe shef i degës së Shëndetsisë në Bashki.

U zgjodh deputet në periudhat 1921-1923 dhe në vitet 1925-1937.

Bushati u bë ministër i Punëve të Brendshme në 1939-1941 dhe kryeministër në 1943.

Më 15 shkurt 1946 Maliq Bushati (66 vjeç) ekzekutohet nga një skuadër pushkatimi tek Kodra e Priftit, në Tiranë.

Trupi i tij u hodh në një varr pa emër. Bushati u arrestua nga forcat komuniste më 1946 në Shkodër. Një ditë më parë, më 14 shkurt 1946, Maliqi ishte dënuar me vdekje nga një gjykatë e posaçme, së bashku me Lef Nosin dhe Anton Harapin nën akuzat për bashkëpunim me pushtuesin.

Urrejtja ndaj mbretit Zog bëri që në prill 1939, Bushati të shprehej në favor të pushtimit italian, dhe shërbeu më pas si ministër i Brendshëm në qeverinë e Shefqet Vërlacit (një tjetër kundërshtar i Zogut).

Në një shkim të gazetës Standard (para pak kohësh), u botua rrëfimi i ish-sigurimit të Shtetit Koli Çobo i cili ishte i pranishëm në momentin e pushkatimit.

‘Kur pyeta Pater Anton Arapin se cila ishte kërkesa e tij e fundit, ai mu përgjigj: Dua një prift.

Atëherë unë i thashë që prifti për tu rrëfyer para vdekjes jam vetëm unë kështu që po deshe rrefeu.

Maliq Bushati më la amanet që të merrnin një napolon floriri që ia kishte borxh një personi dhe tia jepnin atë një personi tjetër që kishte ngelur borxhli.

Ndërsa kur pyeta Lef Nosin ai si gjithnjë tepër serioz duke hedhur sytë nga tre gropat ku do të varroseshin pas pushkatimit ma ktheu: Cila është gropa ime nga këto dhe hajde jepini fund e mos na lodhni shumë me budallallëqe.’-shkruhej në gazetë.

Kryeministri shqiptar që u pushkatua si tradhtar.Ja cili ishte amaneti i tij i fundit Read More »

Lexoni nga rrjedh emri Çezar, i cili shpjegohet vetëm në gjuhën shqipe

Karroca me dy rrotë që shihet në foto, në gjuhën Shqipe quhet Çeze, dhe në kohën e Perandorisë Romake e që në realitet ishte e tëra Ilire.

Titulli më i lartë ishte Çezar e kur dikush e fitonte këtë titull Perandorak, ku në ditën solemne që gradohej si Çezar ishte vetem ai që e gëzonte këtë privilegj të ulej në çezën e punuar nga Ari.

Nga këtu vjen edhe emeri i titullit- ÇEZAR-.
është edhe diqka që e plotëson këtë spjegim, se në të gjitha trojet shqiptare kudo e ndegjon legjendën se diku nëpër shpella është e rruajtur Çezja prej Ari.

Lexoni nga rrjedh emri Çezar, i cili shpjegohet vetëm në gjuhën shqipe Read More »