Histori

Dokumenti i 1930-s/ Franca i kërkon qeverisë së Zogut të bëhet pjesë e Bashkimit Federal Europian

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka vendosur të sjellë për publikun një rubrikë të re me titull: “Historia e diplomacisë shqiptare”. Kjo rubrikë synon t’i ofrojë publikut informacion të plotë për pasuritë arkivore historike të diplomacisë shqiptare.

Janë plot 6 milion dokumente të cilat paraqesin dëshmi arkivore mbi ngjarje e figura të caktuara, të cilat lanë gjurmë në politikën e jashtme duke vendosur standarde në rrugëtimin diplomatik të shtetit shqiptar do të publikohen online për të gjithë ata që janë të interesuar.

Kjo rubrikë do të pasurohet çdo javë me informacione dhe dokumente të reja dhe synon të nxisë interesin dhe kuriozitetin publik mbi pasuritë tona arkivore.

Kërkesa e Francës

Këtë javë rubrika sjellë në vëmendje të lexuesve informacion mbi qëndrimin e qeverisë shqiptare në vitin 1930, ndaj propozimit të Ministrit të Jashtëm francez, Aristide Briand, për krijimin e një Bashkimi Federal Evropian, ku do bënin pjesë të gjitha shtetet evropiane anëtare të Lidhjes së Kombeve. Ky organizim do të kishte karakter ekonomik.

Në gjysmën e dytë të viteve ’20 të shek.XX, periudhe kur Gjermania po restauronte statusin e Fuqisë së Madhe, shefi i diplomacisë franceze të kohës arrin në konkluzionin që Gjermania do të ishte paqësore vetëm në kuadër të një federate evropiane.

Në Asamblenë e 10-të të Lidhjes se Kombeve në v.1929, Briand prezantoi këtë skemë ambicioze për kohën, por të turbullt në formulimin e saj. Propozimi u mbështet nga Ministri i Jashtëm gjerman Gustav Stresemann, dhe u kërkua qëndrimi i gjithë vendeve që përfshiheshin në këtë propozim. Shteti shqiptar, si anëtar me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve, mban qëndrimin e tij ndaj këtij propozimi.

Më poshtë do të gjeni komentin që i bën këtij propozimi Ministri i Jashtëm i kohës Z. Rauf Fico, dhe përgjigjen zyrtare të qeverisë shqiptare e cila iu dorëzua me 15 korrik 1930 Ministrit Fuqiplotë të Francës në Tiranë.

Në kushtet e fillimit të Depresionit Ekonomik të v.1929-1934, largimit nga jeta të Ministrit Stresseman (1929), largimit nga posti i Ministrit të Jashtëm të Briand (1932), dy mbështetësit kryesore të idesë, projekti mbeti i parealizuar, ndërkohë Evropa po hynte në trazirat politike që po përgatisnin Luftën e Dytë Botërore.

Image

Dokumenti i 1930-s/ Franca i kërkon qeverisë së Zogut të bëhet pjesë e Bashkimit Federal Europian Read More »

Cilët ishin Gjirokastritët që Dhanë më Shumë Napolona për Ngritjen e Monumentit të Çerçiz Topullit!

Inisiativen per ngritjen e monumentit te Çerçiz Topullit e kane ndërmarre mërgimtarët gjirokastritë në Amerikë dhe në Gjirokastër Xhevat Kallajxhi, botues i gazetës “Demokratia” i cili organizoi në kinemanë e qytetit një mbledhje të zgjeruar me parinë, intelektualë, zanatçinjë dhe qytetarë të thjeshtë.

Kjo ide u mbeshtet dhe u ngrit nje komision per çeljen e fushatës për ndihma. Në shtypin lokal, gazetën “Demokratia”, u botua dhe nje thirrje drejtuar popullit të Gjirokastrës dhe mërgimtarëve në Amerikë e gjetkë për të kontribuar me napolona për ngritjen e monumentit që u pranua të përgatitej nga skulptori Odise Paskali.

Në thirrje vec të tjerave thuhej:

Gjirokastritë!

Çdo komb është bërë me mundime dhe me gjakun e dëshmorëve të vet. Edhe kombi shqiptar ka idealistët e tij që u përpoqën dhe sakrifikuan veten e tyre për këtë qëllim të shenjtë. Nje nga këta dëshmorë është dhe Çerçiz Topulli.

Çerçiz Topulli luftoi si hero dhe vdiq si hero… Mbledhja e 19 shkurtit 1928 vendosi që statuja të ngrihet vetëm me fondet e gjirokastritëve…”.

Po cilët ishin gjirokastritët që dhanë më shumë napolona nga xhepi i tyre per ngritjen e monumentit të Çerçizit?

Ata jane të shumtë por më shumë të holla në franga ari dhanë:

Hirësia e Tij At Sulejmani 240 fr.ari;
Fejzi Alizoti 200 fr.ari;
Remzi Kadare 200 fr.ari;
Elmaz Hadëri 200 fr. ari;
Sami Karagjozi 200 fr.ari
dhe nga 100 fr. Ari Zurdi Karagjozi, Aleks Caci, Bilal Topulli, Mersin Sejdo, Xhevdet Xheneti, Foto Tola, Vasil Lito; Xhevat Kallajxhi, Muharrem Hajdëri, Sami Kokalari, Beso Gega, Galip Cano, Dr. Avni Lako, Bame Mezini, Qerim Karagjozi, Kaman Topulli, Muho Çene, Hulusi Kavo nga 40 fr. ari, ndërsa të tjerë sipas takatit, kush 30, 20, 10 dhe 5 fr. ari.

Kësaj thirrjeje iu pergjigjën edhe gjirokastritët e mërguar në Amerikë te cilet derguan 93 dollarë dhe ne shtator te vitit 1929 komisioni i ngritur ne Gjirokaster njoftonte per dergimin e ndihmave te tjera nga Amerika, gjithsejt dhe 95 dollarë. Listat e pjesëmarrësve që ndihmuan me para per ngritjen e monumentit te Çerçizit si dhe për ceremoninë e organizuar për përurimin e monumentit, më 18 mars 1934, ditë e dielë, do shkruajmë në faqet në vijim të Gjirokastra Online.

Cilët ishin Gjirokastritët që Dhanë më Shumë Napolona për Ngritjen e Monumentit të Çerçiz Topullit! Read More »

Rruga e Llogarasë, si u ndërtua për 100 ditë nga italianët

Rruga automobilistike nga Vlora në Sarandë është një nga më piktoresket në Shqipëri. Por pak kush e di që atë rrugë e ka ndërtuar ushtria italiane 100 vite më parë. Në luftën e Parë Botërore, Italia pushtoi Vlorën dhe shumë zona të jugut të Shqipërisë.

Ajo do të largohej vetëm në vitin 1920, falë luftës së armatosur të organizuar nga qeveria e Kongresit të Lushnjës dhe ndikimit të faktorit ndërkombëtar.

Por gjatë qëndrimit të italianëve në Vlorë, ka pasur disa ndërhyrje në infrastrukturë të cilat vendi i trashëgon ende sot. Italianët ndërtuan në mes të luftës rrugën e Qafës së Llogarasë. Më pas ata u investuan që rruga të lidhte Sarandën dhe Vlorën.

Fotografitë e rralla në Arkiv Britanik tregojnë rrugën e sapo ndërtuar si dhe ndërtimin e disa urave në dalje të Vlorës në vitet 1917-1918.

Po ashtu, italianët nisën edhe ndërtimin e një linje hekurudhore që mbeti në mes. Këto investime në infrastrukturë nga pushtuesit nuk ishin çudi, kjo për shkak se ndërtimi i tyre kishte avantazh ushtarak. Po ashtu, edhe mjaft investime të ngjashme bënë në veri edhe austro-hungarezët.

Shqipëria ishte vendi më i prapambetur i kohës dhe kishte shumë pak rrugë automobilistike. Vetëm në qeverisjen e mbretit Zog u bë e mundur që Shqipëria të ketë një rrjet disi të mjaftueshëm, të cilin ende e trashëgojmë sot.

Ironia më e madhe qëndron se që në hapat e para të shtetit shqiptar, rrugët kanë qenë problemi thelbësor dhe ende sot rrugët dhe infrastruktura në tërësi janë një dobësi e madhe e shtetit shqiptar./njekomb

Rruga e Llogarasë, si u ndërtua për 100 ditë nga italianët Read More »

Gjurmët e ilire që po harrohen e po treten gjatë shekujve..

Olimpia është qyteti ilir i cili është ngritur në nder të vajzës së Pirros së Epirtit, sot është harruar pothuajse plotësisht

Është shumë e vështirë për të shkuar e për të rënë në gjurmët e një qyteti të vogël ilir i cili sot ndodhet mes barit që mundohet ta përpijë, por deri tani nuk ka arritur dot të zbehë gjithë historinë e mrekullinë që mban mbi supe. Po flasim për qytetin ilir të Olimpias që ndodhet vetëm 40 kilometra nga qyteti i Vlorës , pikërisht në fshatin Mavrovë.

Identifikimi i emrit antik është bërë i mundur vetëm rreth viteve 1960 ku Burhan Dautaj, një studiues i kohës ka zbuluar disa monedha të cilat kishin mbishkrimin Olympistan. Shumë nga studiuesit thonë se qyteti e ka marrë emrin nga vajza e mbretit Pirro i Epirit, ndoshta qyteti ka pasur një emër tjetër në fillimet e tij, por më vonë me kohën e kanë ndryshuar, kjo bëhet e ditur nga studimet që thonë se qyteti ka njohur dy periudha ndërtimi. Periudha e parë është ajo mes shekujve V dhe IV para Krishtit dhe qarkon pjesën jugore të kodrës.

Rrethimi i dytë përfshin një sipërfaqe rreth dy herë më të madhe, rreth 16 hektarë, me një mur 1500 metra të gjatë. Ky trakt i dytë i përket, sipas arkeologëve, shekullit IV para Krishtit.

Fillimet e jetës qytetare të Olympias i përkasin të njëjtës periudhë ndërsa zhvillimin më të madh mendohet se e ka marrë në vitet 229 – 148 para Krishtit. Një nga elementet më të rëndësishme të zbuluara në këtë vend janë mbishkrimet që i kushtohen Zeusit e që janë realizuar nga kreu më i lartë i qytetit, i cili ndihmohej në këtë strukturë drejtuese nga një grup prej katër nëpunësish dhe një sekretari.

Është shumë e thjeshtë të organizosh studime të reja në këtë “qytet” edhe pse  muret janë pothuajse të gjithë të çarë, diku janë përpirë nga erozioni e të njëjtin fat rrezikon edhe pjesa tjetër, megjithatë objekte të ndryshme dalin kudo në sipërfaqe pa pasur nevojë të gërmosh.

Nuk janë të pakta rastet kur  vetë banorët kanë zbuluar objekte të rëndësishme kur janë duke punuar tokën, ose dhe kur bien shira të rrëmbyeshëm, këto objekte janë kryesisht monedha të vjetra që janë përdorur në qytet.

Monedhat ilire që gjenden në masë janë lehtësisht të identifikueshme sa kohë ato që nxjerr nëntoka në Olympia janë të njëjta me ato të kategorizuara nga arkeologët më në zë në vend si të emetuara nga mbreti ilir Monun.

Ky mbret qendrën e tij e kishte në qytetin e Gurëzezës në Cakran, ashtu siç me shumë gjasa për një periudhë edhe Glaukia, mbreti i Taulantëve. Monuni ka pasur nën sundimin e tij për një periudhë edhe Durrahun (Durrësin), çka konfirmohet edhe nga monedhat të cilat nga njëri krah kanë lopën tek e cila pi një viç dhe në tjetrën një katror me stilizime, të cilat mbajnë emrin e qytetit të Dyrrahut dhe atë të mbretit Monun. Të njëjtat monedha gjenden me shumicë edhe në Olympia.

Monedhat, muret e lartë, fortësia e tyre janë karakteristikë e një qytetërimi të madh dhe të rëndësishëm. Traktet e mureve të ndërtuara me blloqe të mëdhenj dallohen pa vështirësi, edhe pse mbi to qëndron një pjesë e mirë e banesave të vjetra të fshatit.

Në fakt, Mavrova, që sot është tkurrur në 50 familje, nga më se 300 dikur, për shkak të rrugës dhe vështirësive të tjera, ndërthuret në të gjithë territorin e saj me rrënojat antike. /konica.al/

olimpiaolimpia1-696x522olimpia2olimpia3

olimpia5-768x513olimpia6olimpia-768x576

Gjurmët e ilire që po harrohen e po treten gjatë shekujve.. Read More »

Tri shkollat e para shqipe pas pushtimit osman

Nga Andreas Dushi

Me ardhjen e osmanëve dhe vendosjen e tyre në Shqipëri deri kur arritën të “bierrin autonominë”, si shprehet atë Donat Kurti, u sanksionua gjuha turke si gjuhë zyrtare, duke ndaluar rreptësisht hapjen e shkollave në gjuhë të tjera, përfshirë edhe atë shqipe. Sipas Ismail Kadaresë, gjuha shqipe ishte e ndaluar me ligj gjatë asaj periudhe në të gjithë Perandorinë.

Pavarësisht kësaj, elementi i klerit katolik në Shqipëri nuk rreshti së punuari për të mirën e kombit dhe të gjuhës. Kështu, qysh pas pushtimit osman, të dhënat tregojnë se janë hapur tri shkolla ku mësimi nuk bëhej turqisht. E para ishte e Pdhanës, e dyta e Blinishtit ndërsa e treta e Shkodrës.

Sipas një dokumenti të botuar në Orbis Seraphicus T, II.  C, II. N. 49 Quaracchi MCCCLXXXVI , në vitin 1638, një prifti i urdhrit të fretërve minorë, P. Hiacinti a Sospitello O. F. M., një “italjan me fis, por shqyptar me zemer” siç shprehet atë Donat Kurti, merr guximin dhe çel një shkollë fillore në Pdhanë, vend i cili asokohe ishte mjaft i banuar.  Shkolla mori famë deri në katunde të largëta të krahinës së Zadrimës, banorët e të cilëve dërgonin fëmijët për të studiuar në këtë shkollë. Sipas dokumenteve, dihet se numri i nxënësve që vinin nga fshatra të tjerë ishte mbi njëzet e pesë, kështu që, mund të ngremë dyshime se aty duhet të ishte edhe një konvikt. Gjithashtu, përpos uratëve e lutjeve në atë shkollë, mësohej edhe letërsi e sigurisht studiohej edhe gjuha vendëse. Pas nëntë vjetëve, kur shkolla qe bërë shumë e njohur, turqit e rrënuan deri në themel.

Edhe pse u rrënua, ajo u hap sërish në vitin 1697. Deri kur vazhdoi të funksiononte si shkollë, nuk dihet, por dokumenti ku përmendet kjo shkollë, i cili daton më 1702, thotë se “ka gjasë të gjindet edhe sot”.

Një vit pasi u hap shkolla e Pdhanës, në vitin 1639, në Blinisht u hap një tjetër shkollë nga fretërit e Kuvendit të Troshanit. Drejtor i kësaj shkollë u caktua P. Karl Mirandulanus O. F. M.. Informacioni për këtë shkollë jepet në një dokument, botuar në numrin pasardhës të Orbis Seraphicus, sipas të cilit thuhet gjithashtu se shkolla ishte mjaft e plotësuar. Ajo frekuentohej nga më shumë se pesëdhjetë nxënës dhe përveç shkrimit dhe këndimit, mësoheshin edhe lëndë të tjera, ku më e rëndësishmja ishte gjuha latine.

Shkolla, sigurisht, kishte edhe armiqtë e saj të cilët, në vitin 1640, sipas një dokumenti të botuar në Orbis Seraphicus C, IV. N. 126-127, dënuan drejtorin e saj me burg, ku u torturua deri në lirimin përfundimtar.

Pas lirimit nga burgu, P. Karli gjendet si mësues në shkollën e Pdhanës, çka dëshmon se shkolla e hapur nga ai në Blinisht nuk ka vijuar funksionin e saj për shumë kohë.

Dokumenti më i paplotë është deklarata e ipeshkvit Spila, botuar nën titullin “Memorie storiche” në Orbis Seraphicus, ku shprehet se në vitin 1698, një prift tjetër i urdhrit të fretërve minorë me emrin Filip e me banim në Shkodër, hap një shkollë private ku mëson fëmijët e tregtarëve e të pasurve.

Fakti se këto shkolla kanë qenë në shqip shpjegohet nga atë Donat Kurti në “Hylli i Dritës”:

“Por kush mundet mandej me dyshue, se në kto shkolla nuk flitej shqyp? Në ç’mndyrë katundari i padishëm i ndiqte me zell, në kje se s’merrte gja vesht?” /konica.al/

Tri shkollat e para shqipe pas pushtimit osman Read More »

Zanafilla ilire e flamurit më të bukur në botë

Flamuri shqiptar është simboli i shqiptarëve kudo ku janë. Ai është kthyer në një emblemë të dashurisë për kombin,  një dashuri dhe krenari vetëidentifikuese. Në mënyrë të veçantë është kthyer në modë dhe në të gjitha manifestimet kombëtare, festa, ndeshje futbolli shpaloset i bukur dhe krenar.

Dhe pa dyshim ai është simboli kryesor i të gjithë politikanëve. Betimi përpara flamurit përbën aktin më solemn dhe që ngjall emocione të jashtëzakonshme.

Po cila është zanafilla dhe historia e këtij flamuri që i shtyu kaq shumë patriotë të japin jetën për të, që i shtyu shumë heronj të sakrifikojnë gjithçka që ai të valëvitej i lirë në truallin shqiptar. Një ëndërr e madhe gjeneratash dhe krenarie.

Flamuri më i vjetër shqiptar ka qenë ai i Kostandinit. Siç dihet iliri i famshëm krijoi perandorinë e Kostandinopojës. Pas përdorimit të flamurit të Kostandinit me shqiponjë ai u përhap në gjithë Ballkanin. U përdor  nga Skënderbeu për të treguar se ai e kishte origjinën para vendosjes së osmanëve në truallin shqiptar,  për të ardhur në rrjedhat e historisë i ndryshuar në aspekt,  por gjithmonë i bukur dhe krenari e shqiptarëve.

Ajo që dallon në flamurin tone është shqiponja.

Sipas profesor Kasem Biçakut në historinë e lashtë ka qenë shumë i përhapur totemizmi. Që nuk ishte gjë tjetër veç adhurimi ndaj kafshëve dhe shpendëve, duke i konsideruar ato si perëndi. Luani dhe shqiponja janë konsideruar si bashkëudhëtare e perëndive dhe vetë perëndi. Ndaj në të gjitha heraldikat e lashta këto dy simbole janë përdorur më tepër.

Sipas profesor Biçakut shqiponja dy krenare është përdorur për herë të parë nga perandori iliro shqiptar,  Kostandini.  Duke qenë se ai krijoi dy qendra administrative Romën dhe Kostandinopojën, shqiponja kishte dy kokë se simbolizonte këto dy kryeqendra të botës së atëhershme.

Pra ilirët do të përcaktojnë heraldikat e Ballkanit. Kur në pushtet erdhi Justiniani I, u bë bashkimi i dy kishave dhe si simbol i përbashkët kishtar u bë shqiponja dy krenore, ndaj atë e gjejmë si simbol nëpër kishat mesjetare të Shqipërisë dhe Ballkanit.

Profesor Biçaku thekson se dhe në heraldikat e famshme të principatave të Mesjetës,  shqiponjën e përdorën familjet sundimtare shqiptare si Kastriotët, Arianitët, Muzakajt, Topiajt, Gjurashët,  etj sepse ata ishin pasardhëse të ilirëve.

Në rrjedhat e kohës flamuri do merrte elemente të ndryshme ku ndikuan ndryshimet qeveritare, partiake,  lokale etj. Ai do të standartizohej vetëm më 28 Nëntor 1912 kur u krijua Qeveria e parë shqiptare. /konica.al/

Zanafilla ilire e flamurit më të bukur në botë Read More »

Himarioti që u bë Presidenti i Argjentinës. Ishte grek apo shqiptar?

Shqiptarët historikisht kanë bërë karrierë personale në shumë vende të botës, ata ishin të parët më Egjipt, kryetar shteti të Rumanisë, Italisë, Greqisë, Turqisë etj. Gjatë kërkimeve historike rreth shqiptarëve në Greqi ndesha në disa të dhëna se kryetari i Parë i Republikës Demokratike të Argjentinës ishte Bartolomeo Mitre Martinezi i cili ishte politikan, ushtarak, shkrimtar, gazetar, ish-Guvernator i Buenos-Aires dhe një nga burrat shteti më të njohur në Amerikën Latine.

Sipas të disa të dhënave familja Mitre kishte ardhur në Argjentinë nga Venecia dhe kishte origjine greke, por nga kërkimet e mia mësova se në të vërtetë origjinale e familjes Mitre ishte nga Himara dhe stërgjyshi i tij quhej Dhimitër Mitropulos. Shumë familje shqiptare të besimit ortodoks para shekullit XX nga mungesa e një kishe ortodokse shqiptare shkonin për lutje në kishën ortodokse greke e fëmijët e tyre ndiqnin shkollat greke deklaroheshin me origjinë greke në emigracion. Raste të tilla kemi plotë gjatë shekujve të mëparshëm, por edhe sot. Ne do të sjellim të dhëna se familja e Bartolome Mitre Martinezi ishin nga Himara.

Familja Mitru ose Dhimitriu u larguan nga Himara rreth viti 1670 dhe emigruan si fillim në Venecia. Kjo familje himariote kishte lidhje të ngushta me shqiptarin nga Labova, humanistin e madh Vangjel Zhapën.

Bartolome Mitre- PencilLowBartolomeo Mitre ka lindur në Qershor të 1821 në Buenos-Aires. Që në fëmijëri dallohej për shpirtin e tij kryengritës, kryelart dhe mospërfillës ndaj sfidave të jetës. Në moshën 15 vjeçare u largua nga Buenos-Aire për në disa vende të tjera të Amerikës Latine.

Nga viti 1836-1839 studio në shkollën ushtarake-dega artileri dhe mori gradën Toger. Gjatë kësaj periudhe botoj shumë vjersha dhe shkrime në gazetat e ndryshme të Amerikës Latine.

Në janar të 1841 u martuar me Delfina Maria Luisa De Vedia py Perez, nga kjo martesë ata patën gjashtë fëmijë, dy vajza dhe katër djem.

Nga mosmarrëveshjet e shumta politike që pati u detyrua disa herë të ndryshojë vendbanimet duke jetuar në Kili, Peru, Uruguaj, Bolivi. Udhëhoqi shumë beteja luftarake dhe u zgjodh disa herë ministër i mbrojtjes dhe i jashtëm i provincave Amerikane Latine. Gjatë viteve 1840 Bartolomeo u takua me arbëreshin Xhuzepe Garibaldin të cilin e adhuronte shumë.

Gjatë viteve 1850 Mitren e shohim ministër të jashtëm dhe të mbrojtjes së qeverive provinciale të Buonas-Aires dhe më tej në vitin 1860 Guvernator i provincës të Buenos-Aires deri më 1862. Në 12 Tetor të vitit 1862 u zgjodh kryetar i parë i Republikës Demokratike të Argjentinës dhe e mbajti këtë post deri më 12 Tetor 1868. Ai për vitet që udhëhoqi Argjentinën është vlerësuar si Kryetari i Unitetit të Vendit dhe zhvillimit ekonomik. Kandidojë disa herë të tjera për kryetar të Argjentinës si më 1874 dhe 1891, por humbi.

Bartolomeo Mitre ka dhënë një kontribut të madh në fushën e kulturës së Argjentinës, ai në vitin 1870 themeloj gazetën La Nacion, është themeluesi i Akademisë së Historisë së Argjentinës, shkroi shumë poezi dhe botoj dy libra historike Historia de Belgrano dhe Historia de San Martin.

Në vitin 1893, Bartolomeo Mitre mori titullin Grand Master i Lozhës së madhe të Masonerisë në Argjentinë, dhe më 1901 u emërua Anëtar Nderi i kësaj Lozhe. Vdiq në 1906, shtëpia ku jetoj që nga viti 1860 e deri sa vdiq u kthye në Muze Mitre, ku në të ka pjesë nga historia e Argjentinës, gazeta që ai themeloj La Nacion udhëhiqet ende nga trashëgimtarët e Bartolomeo Mitre.

Për fat të keq deri më sot nuk është shkruar asnjëherë që Bartolomeo Mitre ka origjinë shqiptare, por bibliografët shkruaj se ai ka origjinë greke, por siç dihet Himara s’ka qenë kurrë Greqi, s’ka patur kurrë grek. Prandaj është mirë që studiuesit shqiptar që merren me diasporën shqiptare të bëjnë studime edhe për origjinën shqiptare të Bartolomeo Mitres.

Marrë nga gazeta ILLYRIA

Himarioti që u bë Presidenti i Argjentinës. Ishte grek apo shqiptar? Read More »

Kush ishte poeti anglez që e vuri Skënderbeun në radhën e të mëdhenjve të kësaj bote…

Edmond Spenser (1552/1553-1599), poet anglez në një sonet të shkruar për Skënderbeun vihet në radhën e njerëzve të mëdhenj të lashtësisë, për të cilët janë ngritur harqe triumfi dhe piramida gjigande që ‘kërcënojnë’ qiellin.

Poeti anglez Edmond Senser

Vepra u botua më 1596 me titull: “Historie of Georgis Castriot surnamed Scanderbeg – King of Albanian” (Historia e Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbe, Mbret i Shqiptarëve) ku citohet:

Pse mburret koha e lashtë kaq fort
Me monumentet e moçëm të zotërve
të fuqishëm
Të herojve, që me veprat pa mort
Mahnitën botën, dhe fëmijët i 
lexojnë etshëm?

Kushdo me lavdinë e tyre habitet,
Admiron statujat kolosetë e tyre
të lartë.
Harqët e pasur të triumfit, që
ngritën,
Piramidat vigane, që kërcënojnë 
qiejtë.

Po ja ai, që kohë e vonë e nxorri
në dritë
Që me më të mëdhenjtë ndër ta
matet,
I madh me emër në forcë e në,
vetitë,
Vend i triumfit atij i përshtatet.

Kamzhik për turqit, rrufe për të
pafetë, 
Për bëmat e tua Skënderbe, 
ky libët flet.

Libri i historianit francez Zhak Lavardin për Skënderbeun i përkthyer në anglisht nga Edmond Spenseri në 1596./njekomb

Kush ishte poeti anglez që e vuri Skënderbeun në radhën e të mëdhenjve të kësaj bote… Read More »