Histori

Ja pse serbët i quajmë shkije

Tregu i librit shkencor sapo u pasurua me një studim të ri etnolinguistik: “Shqiptar dhe shqa. Histori popujsh përmes dy emrave etnikë”, i Bardhyl Demirajt, nga Shtëpia botuese Naimi.

Ai studion emrin shqa me të cilin shqiptarët kanë emërtuar fqinjët sllavë qysh nga kontaktet e para me ta e deri në kohën tonë, kur ky emër ka mbetur tashmë në përdorim të ngushtë krahinor e madje nuk është përfshirë as në fjalorët e shqipes së sotme.

Autori sjell një material të përmbledhur dokumentar dhe të dhënat dialektore rreth përhapjes dhe përdorimit të këtij emri etnik, së bashku me çerdhen e tij leksikore në të gjitha trevat e shqipes, ku vihen re dukuri fonetike dialektore të vjetra, si ruajtja, përkatësisht zhvillimi i grupit bashkëtingëllor /kl/: shkla (arbërishte e Greqisë, e Italisë, e Ukrainës), shkjâ (geg. veriore), shqa (geg. jugore, tosk.), si dhe kuptime të ndryshme nëpër dialekte (“sllav i Jugut”; “malazez”; “serb”; “bullgar [= maqedonas]”; “sllav ortodoks”; “grek” te arvanitasit e Greqisë) ose në përdorime të kufizuara e të rralla (si p.sh. kuptimi “shërbëtor” në ndonjë shprehje popullore).

Një aspekt i rëndësishëm i studimit është edhe hetimi i prejardhjes së fjalës, nëse është huazim nga greqishtja bizantine (Miklosich) apo latinishtja mesjetare (Meyer), ku mbështetet teza e latinishtes, edhe me një argument të ri të ndërtimit të trajtës së femërores së fjalës (shkinë, shqinë, shqirë, shklirë “sllave”) nga një bazë paradialektore e cila nuk mund të shpjegohet veçse si huazim nga latinishtja.

Studimi ndalet edhe në disa shndërrime kuptimore që ka pësuar emri shqa ndër shqiptarët në hapësirë dhe kohë. Një vëmendje e veçantë i kushtohet përdorimit që ka fjala shkla në ngulimet arbërore në Greqi, ku emri etnik shënon fqinjët grekë dhe ndajfolja shklerisht gjuhën greke.

Pjesa përmbyllëse u kushtohet çështjeve që kanë të bëjnë me historinë e brendshme të fjalës në shqipe, ku ndërthuren vështrimi gjuhësor-historik me atë etnolinguistik, hulumtimi i etnogjenezës së popullit shqiptar dhe i marrëdhënieve të tij me fqinjët sllavë.

Nga analiza e tufës së tipareve identifikuese që përmban shenjuesi shqa ndër shqiptarë vërehet se janë të njëjtat tipare, por të përkundërta, që karakterizojnë shqiptarët, duke u dalluar kështu si entitet etnik-kulturor i veçantë në Ballkan e në diasporën historike shqiptare.

Përfundimi i shtjellimeve thekson faktin se në kohën e dyndjeve sllave në Ballkan, nën rrezikun kërcënues të zhbërjes kulturore-etnike të gjithë Ballkanit, ishte ngjizur ndërkohë vetë etnogjeneza shqiptare, dhe se shënjuesi shqa ndër shqiptarë, qysh para shpërnguljeve arvanite drejt jugut të Greqisë, fitoi edhe kuptimin e “fqinjit joshqiptar” me të cilin shqiptarët e Greqisë emërtuan pastaj fqinjët grekë. /Milosao/

Ja pse serbët i quajmë shkije Read More »

Fjalimi origjinal i mbajtur nga Hasan Prishtina më 5 maj 1912 në Kullën e Ahmet Delisë

Këtu u tubuan krerët e Drenicës. Kishte edhe nga viset tjera shqiptare. Natën kishte ecur lajmi kudo: Hasan Prishtina kishte dalë në Drenicë. Në kullën e Ahmet Delisë do të mbahej një Kuvend historik. Dhe, të gjithë vrapuan andej. U mbush kulla plot e përplot. Hasanit i rritej zemra. U përgjigjej pyetjeve që ia bënin të pranishmit. Kënaqej me ta. Kjo i dukej e madhërishme në krahasim me Parlamentin Turk. Atje, anarki e vërtetë. Replika, sharje, fyerje e kacafytje fizike. E këtu krejt ndryshe, një flet të tjerët dëgjojnë. Mrekulli. Pasdreke e bukur. Ora pesëmbëdhjetë.

Kishin arritur të gjithë përfaqësuesit. Hasani, i ngazëllyer e plot emocione kënaqësie, u ngrit në këmbë dhe e mori fjalën: -“Të dashur vëllezër! Nata pesëqindvjeçare aziatike po kalon. Perandoria e kalbur po shembet. Fuqitë e mëdha evropiane po bëjnë plane djallëzore. Fqinjët grabitqarë po i mprehin thikat për të na rënë pas shpine. Populli ynë gjendet para një fataliteti. Nga çdo anë na kanoset rreziku. Të bëhemi syçelë e vigjilentë. T’u dalim zot trojeve tona stërgjyshore. T’i mbrojmë qysh i kemi mbrojtur gjithmonë, me gjak. Këtë mund ta bëjmë vetëm të bashkuar, si një grusht i vetëm. Unë e braktisa Parlamentin e ndyrë turk. Tri vjet i kalova në të dhe çdoherë i pakënaqur. Aq haptas i kundërshtoja, saqë më quanin deputet kryengritës. U përpoqa me ngulm t’i mbroja të drejtat që na u garantuan me Kushtetutën e vitit 1908, por kot. Sa patëm mundësi e shfrytëzuam: E bëmë Alfabetin dhe i hapëm ca shkolla shqipe. Disa djem kosovarë ia dërgova Luigjit në Normalen e Elbasanit.

Tërë pasurinë pata me e shkri për shkollat shqipe. Por, të pabesët, turqit e rinj, na tradhtuan. Nuk i realizuan premtimet. Kabineti i Hilmi Pashës i mohoi të gjitha. Ai vetë pat deklaruar para deputetëve se: Rreziku më i madh i Turqisë, nga të gjitha kombet që jetojnë në Perandorinë tonë, janë shqiptarët. Është frikë e madhe nga ky komb të mos zgjohet nga gjumi i rëndë dhe të mos mëkëmbët, të mos marrë dituri në gjuhën e vet dhe atëherë e mori lumi Turqinë e Evropës. Të gjitha këto i kundërshtova ditën e enjte, më 11 janar 1912, kur u mblodh Parlamenti. Aty i pata paralajmëruar haptas: Po nuk u përmbushen kërkesat tona, do të plasë revolucioni. E ndër të parët që do t’i rrok armët do t’jem unë. Si sinjal të kryengritjes e pata lënë: “Kur t’i mbathi opingat e të dal në Drenicë”. Dhe, e mbajta fjalën. I shita të gjitha magazet e mia në Shkup, se na duhen para dhe erdha këtu. Sot, në kullën e këtij trimi besnik po e ngrinim flamurin e lirisë, atë të Skënderbeut dhe po i shpallim luftë TURQISË”. Të pranishmit u pajtuan njëzëri. U betuan sipas tekstit që e kishte hartuar vetë Hasani, në të cilin thuhej: “Bajmë be e japim besën e burravet, se kemi me ba çfarëdo flije e në kjoft nevoja kemi me i ba kurban me duart tona robët e fëmijët tanë”. /dardaniasacra.com/

Fjalimi origjinal i mbajtur nga Hasan Prishtina më 5 maj 1912 në Kullën e Ahmet Delisë Read More »

Biseda super-sekrete, ja çfarë ka thënë Adolf Hitler për Shqipërinë para 74 vitesh (video)

Në një bisedë të regjistruar me 4 qershor të vitit të 1942 mes Adolf Hitler dhe Presidentit të Finladës, Mannerheim, në një siguri tërësisht private, lideri nazist duke folur për dështimin e planit

“Babarossa” dhe dështimet e pushtimeve italiane në Afrikë nuk lë pa përmendur edhe rastin e Shqipërisë.
Ai i thotë Mannerheim se do të futej në Ballkan drejt Greqisë dhe Shqipërisë, pikërisht aty ku Italia kishte pushtuar. Në fakt Hitleri vetë nuk e ka konsideruar më parë Shqipërinë si një vend për tu pushtuar, por ai ishte krejtësisht kundër pushtimit të Shqipërisë nga italianët, prandaj së shpejti duhej të dërgonte forcat e tij në këtë vend.

Hitleri fliste i qetë rreth kësaj bisede private sepse ishte i sigurt që nuk po inçizohej, por dikush po dëgjonte me interes. Pjesa 05:30 e videos./njekomb

Biseda super-sekrete, ja çfarë ka thënë Adolf Hitler për Shqipërinë para 74 vitesh (video) Read More »

Tragjedia çame:Si u kthyen në thertore qytete të tëra !

Enver Kushi

1. Dëshmi të listave të dhimbjes

Në vitin 2007, kur merresha me projektin dhe realizimin e veprimtarive kushtuar historisë dhe kulturës së Çamërisë, z. Hilmi Saqe, më solli për të ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, ca fletë të zverdhura nga koha.

Ato ishin të fotokopjuara. Me duart që më dridheshin dhe me shikim të turbulluar (pse ta fsheh nga lotët), i shfletova disa herë dhe i lexova me dhimbje ato fletë. Ato nuk janë as kujtime, as kronika  të tragjedisë çame, as të dhëna për masakrat e viteve 1944-1945. Ato janë më shumë se kujtime, më shumë se kronika individësh, më shumë se raporte të shtabeve të Luftës së Dytë Botërore në Çamëri. Ato janë lista me emrat e të masakruarve.

Nuk janë të plota. Janë një pjesë (vetëm 13 faqe). Duhet të kenë qenë qindra faqe, sepse diku, në fund të tyre, dallohen numrat 105, 106, të faqeve. Krahas tyre, z. Hilmi Saqe, më dha edhe një listë tjetër ku janë shënuar emrat e atyre që kanë deponuar për masakrat në Paramithi, Pargë, Filat, Spatar, Vola, Vërselë, Smarte. Ndoshta këta apo edhe të tjerë kanë dhënë edhe emrat e të masakruarve çamë nga bandat e kriminelëve të Napoleon Zervës. Çfarë përmbajnë këto lista:

  1. Fëmijë të masakruar nga forcat zerviste gjatë 1944-1945.
  2. Emrat e pleqve e grave të masakruara e të humbura gjatë 1944-1945.
  3. Emrat e të marrëve e sakatëve të masakruar gjatë 1944-1945.
  4. Familje të zhdukura dhe të masakruara gjatë 1944-1945.

Dhimbja dhe kuja është në çdo emër të këtyre listave, por më ulëritëse ato janë në listën e parë, ku përfshihen 64 emra fëmijësh të moshave nga 1 deri në 12-14 vjeç. Mes tyre është edhe fëmija me numrin 42, i quajtur Nail Gjinika nga Margëllëçi, vjeç 13. Përbri këtij emri është edhe ky shënim i veçantë: pjekur në furrë.

Vetëm kaq që menjëherë të të mbahet goja, vështrimi të turbullohet dhe të ringjallet kujtesa tragjike e mijëra çamëve, për të trokitur në ndërgjegjen e trazuar të fqinjit tonë të jugut. Vetëm kaq për të sjellë ndër mend edhe gjykimet objektive të ndonjë historiani grek, siç është Niko Zhangu, i cili për tragjedinë e popullsisë çame dhe masakrat e bandave kriminale të Napoleon Zervës shkruan: “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vijë turp për ato që u bënë, sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”.

Duke botuar këto lista, në kuadrin e përkujtimit të 27 qershorit, shpallur më 30.06.1994 si “Dita e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”, ne rikthejmë në këtë 65-vjetor të masakrës së Paramithisë, një pjesë të kujtesës tragjike të popullsisë çame. Duke u larguar me dhunë nga trojet stërgjyshore, çamët e të gjitha moshave, fiksuan në kujtesën e tyre imazhet e tmerrshme të tragjedisë, pamjet makabre të krimeve të banditëve zervistë, të cilat janë transmetuar nga brezi në brez me një vërtetësi të habitshme.

Pamjet e qiellit, retë, shirat, erërat, ngricat e dëbora apo ditët e nxehta, imazhet e shtëpive të djegura, brigjet e detit, ujërat e turbullta të lumenjve Kalama dhe Aheron, shtigjet dhe monopatet nga kanë kaluar, zërat e viktimave të pafajshëm, kokat e prera, kalldrëmet e përgjakura, gjymtyrë të flakura nëpër kanale, gra shtatzëna me barqe të çara etj., etj., përbëjnë kujtesën e dhimbjes çame.

Asnjë ligj i botës, ka shkruar shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, asnjë formim kulturor nuk mund t’i bëjë njerëzit të mos kenë kujtesë e aq më pak, të mos kenë nostalgji. Është një dhembje që nuk ikën ngaqë dikush e shpall të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di, aq më pak, kur sillesh pa nderim ndaj saj.

tregjedia-came-1tregjedia-came-2tregjedia-came-3tregjedia-came-4tregjedia-came-5tregjedia-came-6tregjedia-came-7tregjedia-came-8

2. Dëshmi e dhimbjes në vargje

Këto ditë, duke kërkuar në dosjet e arkivit tim modest për Çamërinë, gjeta të fotokopjuar vjershën “Sanije Bollati”, shkruar nga Gjergj Komnino dhe botuar në gazetën “Zëri i Çamërisë”. Gazeta në fjalë ishte organ i Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamëri, në Shqipëri dhe u botua vetëm në disa muaj duke nisur nga gjysma e dytë e vitit 1945. Në faqet e kësaj gazete, Gjergj Komnino ka publikuar disa nga krijimet poetike më të dhimbshme kushtuar tragjedisë çame si “Paramithi, Paramithi”, “Rruga e kthimit”, “Sanije Bollati”.

Do të duhej një studim i veçantë kushtuar jetës dhe veprës së Gjergj Komninos, që siç shkruan shkrimtari durrsak, Shpend Topallaj, ishte “diplomuar jashtë shtetit, ku kishte mbrojtur shkëlqyeshëm diplomën me një studim për Luixhi Pirandelon”. Këtë intelektual, në damarët e të cilit “rridhte gjak princash e deri perandorësh”, këtë antifashist të orëve të para, regjimi komunist do ta burgoste.

Agim Musta, në librin “Mandelët e Shqipërisë”, mes të tjerash kujton edhe fjalët e Komninos: “Më dënuan me vdekje më 1956–n. Gjashtë muaj duke ngrënë si qeni, në koritë, gjashtë muaj me duar e këmbë të lidhura me hekura, gjashtë muaj duke urinuar në tesha, gjashtë muaj ….”.

Le të rikthehemi te poezitë e Gjergj Komninos kushtuar tragjedisë çame. E përbashkëta e tyre është dhimbja e skajshme dhe tragjizmi deri në ulërimë. Poeti duket se është njohur nga afër me plagën çame dhe trupin e sfilitur të Çamërisë.

Ai është bërë pjesë e kësaj tragjedie dhe duket sikur edhe trupi i tij është me plagë që ende rrjedhin gjak. Mendoj se poezia “Sanije Bollati” është më tragjikja. Atmosfera është danteske. Duket se ajo flet në boshllëk diku mes tokës e qiellit. Ka 37 vargje dhe në fund një sqarim për lexuesin: “Sanije Bollati është një viktimë e monarko-fashistëve grekë, të cilët e dogjën pak nga pak dhe e masakruan tmerrisht”.

Kush është Sanije Bollati? Ka lindur në qytetin e Paramithisë, bijë e një prej fiseve të hershme të këtij qyteti (ku ndodhjet ende në këmbë kulla e Bollatatëve) dhe martuar po në këtë qytet në familjen Nuri. Është me interes për lexuesin t’i bëj të njohur deklaratën noteriale të Fadil Nurit, që mban datën 26 janar 2005, lindur në Paramithi në vitin 1935 dhe është biri i Sanije Bollatit.

Po citoj një pjesë të dëshmisë së tij, marrë nga Z. Ilmi Saqe dhe vërtetuar nga noterja Ruko Soko: “Nëna kishte në djep motrën 6-muajshe, Dilenë, dhe shkon në banjë për të marrë ndërresat e motrës, por kriminelët e djegin. Nëna del nga banja duke u djegur gjithë flakë. Unë fillova të qaja me të madhe, duke parë nënën që i digjej gjithë trupi flakë. Një zervist më qëllon dhe më shtyn nga kati i dytë dhe më rrëzon nëpër shkallë, duke u vrarë dhe coptuar.

U mbusha tërë gjak nga plagët që mora. Kjo shenjë që kam në ballë është nga këta kriminelë. Nëna vazhdonte të digjej, deri sa humbi ndjenjat. Ajo është përcëlluar komplet, mishrat e trupit ishin nxirë dhe vende-vende kullonin gjak. …

Buzët ishin djegur dhëmbët ishin përjashta. Nga djegia trupi ishte rrudhosur dhe tkurrur. Ishte një pamje lemeritëse. Ajo pamje më ka shoqëruar dhe do të më shoqërojë derisa të rroj…. Kriminelët vranë në djep edhe motrën, Dilenë 6-muajshe…..”

Dëshmia e lartpërmendur, e pashembullt në kanibalizmin e bandave zerviste ndaj popullsisë të pafajshme çame, më sjell ndërmend, mes të tjerave, thënien e historianit objektiv grek: Niko Zhangu “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vijë turp për ato që u bënë, (në Thesproti), sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”.

Të njëjtën mendim ka edhe historiani bashkëkohor grek, Jorgos Margaritis, i cili në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, shkruan për Paramithinë që më 27 qershor 1944 qyteti u kthye në thertore…. Rreth pesëqind persona u vranë me mënyrat më çnjerëzore. Keqtrajtimi i përgjithshëm i grave dhe rrëmbimi i pasurisë, e plotësonin këtë kuadër”.

Poezia e Gjergj Komninos ribotohet në faqet e shtypit shqiptar pas 67 vjetësh, në kuadrin e 27 qershorit, Ditës së Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë. Me këtë rast i bëjmë një thirrje opinionit të shëndoshë grek: Etërit tuaj të mëdhenj të lashtësisë, ata që i dhanë një dimension tjetër më pas kulturës botërore, në tragjeditë e jashtëzakonshme që shkruan trokitën fort në ndërgjegjen e bashkëkohësve dhe brezave, duke bërë katarsis.

Hiri i trupit të vdekur të Sanije Bollatit në Paramithinë martire është akoma jashtë, pakallur në dhe. Të pakallur në dhe janë edhe eshtrat e pleqve, burrave e grave apo fëmijëve masakruar barbarisht nga bandat famëkeqe të Napoleon Zervës. Në emër të tyre, shpirtërave që nuk gjejnë qetësi, të paktën lejonani t’u vëmë nga një trëndafil atje ku janë, në viset tragjike të Çamërisë tonë. Kjo poezi u flet! Zëri që del nga shkrumbi i trupit të zhuritur të Sanije Bollatit, ju flet. Dëgjojeni këtë zë dhe atë të poetit Gjergj Komnino.

 

3. Dëshmi të një historiani grek

Më 26 qershor, sektorë të Divizionit X të Lidhjes Demokratike Kombëtare Greke, duke shfrytëzuar tërheqjen e grupeve ushtarake gjermane nga zona, sulmuan Paramithinë dhe e pushtuan atë, pas një rezistence shumë të shkurtër të milicisë çame. Me gjithë premtimet, brenda pak ditëve, më 27 qershor, ditën e parë të “çlirimit”, qyteti u kthye në thertore.

Të gjitha dëshmitë, nga çfarëdo palë që të vijnë, bien dakord në shtrirjen dhe dhunën e vrasjeve e të keqtrajtimeve në kurriz të banorëve myslimanë. Me qindra e qindra vetë – numri është i panjohur, por ndoshta afrohet rreth pesëqind personave – u vranë me mënyrat më çnjerëzore, brenda dhe përreth qytetit. Keqtrajtimi i përgjithshëm i grave dhe rrëmbimi i pasurive, e plotësonin këtë kuadër.

Pasditen e së njëjtës ditë, mbërriti në qytet major Kranias, komandant  i Regjimentit të 16- të të Lidhjes Demokratike Kombëtare Greke. Ai mori vendimin për dënimin e shkaktarëve kryesorë, domethënë ekzekutimin e 34 çamëve, të cilët i kishin shpëtuar masakrës. Ky vendim gjeti zbatim të menjëhershëm.

(Jorgos Margaritis: “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, fq. 141.)

 

4. Dëshmi të shtypit amerikan

Gjendja pikëlluese në të cilën gjenden çamët që banojnë në Shqipëri, është e përshkruar në një listë të zonjushës Lovely, anëtare e familjes të Manchester dhe që shërben si sekretare pranë misionit të UNRRA në Shqipëri. Zonjusha Lovely shpjegon gjendjen e çamëve. Sipas saj kjo gjendje do të shkaktojë një farë jehone në mes të çamëve të Hartfordit që është konsideruar si qendra e çamëve në Shtetet e Bashkuara.

Tani Shqipëria strehon më shumë se 25000 çamër, pjesa më e madhe e së cilës përbëhet nga gratë dhe fëmijët të instaluar nëpër kanune të ndryshme (bashkësi) gjatë luftës në Greqi, fshatrat e tyre u shkatërruan dhe ata shpëtuan duke u strehuar në Shqipëri.

Muajin e kaluar, UNRRA në marrëveshje me qeverinë shqiptare, u dha si ndihmë këtyre të fundit dhe në hapësirën e 5 ditëve, 329 tonë artikuj të ndryshëm. Në dy kampet që kam vizituar në Elbasan, shkruan zonjusha Lovely, çamët jetonin në një mjerim të vërtetë.

Çdo dhomë ishte e ndarë më dysh dhe strehoheshin dy familje, numri i të cilave ndryshonte nga 11 deri 12 vetë, fut këtu edhe pleqtë dhe të sëmurët. Mobiliet e vetme ishin hasrat e shtrira në tokë duke lënë në mes të dhomës vijën ndarëse ndërmjet dy familjeve. Kishte gjithashtu edhe orenditë e nevojshme për të përgatitur ushqimin e tyre. Ushqimi për shumë javë përbëhej nga një bukë e thatë për kokë dhe kjo qe e një cilësie të keqe.

Një grup tjetër që kishte më shumë shans kishte vënë një tenxhere për të zier supën. Kjo supë përbëhej nga mielli dhe disa perime me qëllim që të jepnin pak aromë. Një fëmijë 5 muajsh qe ushqyer me një lloj mielli të përzier me ujë. Në fund të dhomës gjendeshin dy burra dhe dy djem të rinj.

Pleqtë me tu afruar ne, donin të ngriheshin, por nuk mundën ta bënin këtë, për shkak të gjendjes së dobët ku ata ndodheshin. Pas këtyre fakteve dhe këtyre dëshmive, çfarë konkluzioni mund të nxjerrim nga deklarata e famshme e M. Pangalos e bërë më 1926 në kohën kur ai ishte ministër i Parë i Greqisë? Në Epir ne kemi disa mijëra çamë të njohur nga ne dhe që formojnë në shtetin tonë pakicën shqiptare.

Në qoftë se në të kaluarën ka pasur disa veprime të pahijshme nga ana e organeve të pushtetit në dëm të çamëve, kjo nuk përbën në asnjë mënyrë një trajtim kundrejt tyre. Në të kundërt, qeveria është e frymëzuar nga dëshirat më të mira dhe është e vendosur, të dënojë pa mëshirë çdo veprim të keq kundër pakicave, që rrjedh nga ana e disa personave të papërgjegjshëm dhe të rrëmbyer, dhe të zbatojë plotësisht zotimet të cilat rrjedhin nga traktatet ndërkombëtare ndaj pakicave në Maqedoni dhe në Epir.

Përfundimi që rezulton, është një akuzë e pamëshirshme kundër qeverisë greke. Në fakt, tragjedia e pakicës shqiptare çame në Greqi nuk është vetëm një krim i shëmtuar në vetvete që revolton çdo njeri të ndershëm, por ajo tregon për një etje të pashuar ndaj krimit të personave që qeverisin sot Greqinë. Mund të krahasosh vetëm me ushtarët hitlerianë, me Gestapon dhe me S.S gjermane, sepse, si ata dhe këta dogjën, përdhunuan dhe vranë një popullsi të tërë.

Por Napolon Zerva që udhëhoqi masakrat në masë, sot është ministër i Sigurimit Publik në Greqi, dhe shokët e tij qeverisin Greqinë dhe bëjnë ligjin në këtë vend. Gjithë varret, gërmadhat e Çamërisë, gratë dhe vajzat e përdhunuara, vuajtjet e refugjatëve në Shqipëri, si dhe deklaratat e personaliteteve të huaja janë aktakuza kundër qeverisë monarko-fashiste greke. Ato janë provat e politikës gjakësore dhe agresive të qeverisë greke ndaj popullit shqiptar, ato janë provat e një krimi ndaj ndjenjave njerëzore.

(Marrë nga gazeta “The Hartford Times”, Connecticut, Etats –Units, e datës 9 nëntor 1945./njekomb

Tragjedia çame:Si u kthyen në thertore qytete të tëra ! Read More »

Fluturojnë fustanellat çame, ja vallet më të famshme… (VIDEO)

Shqipëria është e njohur dhe jo pak e kërkuar për traditat e saj dhe mënyrën e interpretimit e tejçimit të emocioneve dhe kjo gjë në shumicën e rasteve bëhet nëpërmjet lëvizjeve të trupit, ose e thënë më mirë, nëpërmjet kërcimit.

Këtë gjë kanë bërë në shekuj edhe çamët, fama e të cilëve në kërcim do të merrte dhenë shumë shpejt. Na vijnë disa të dhëna nga studiuesi i njohur çam Aristidh Kola, i cili i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe vetë valles çame.

Ai thotë se vallja Çame është vallja më përfaqësuese e fisit Arvanit (shqiptarëve të Greqisë). Është një valle që pasqyron shpirtin shqiptar. Si tregon dhe fjala, kjo vjen nga çamët. Nëse analizojmë Vallen Çame do të na japë dhe karakterin e popullit krijues. Guxoj të them që analiza e valleve popullore vështirë të bëhet saktë nga të huajt, por dhe mësimi i saj në raste të tilla do të ishte i gabuar.

Fatkeqësisht vallja e vetme dhe e papërsëritshme çame ka rënë në duar “të paligjshme” dhe prezantohet krejt e panjohshme nga kinemaja, qendrat e ndryshme dhe televizori. Ata njerëz që kanë marrë në duar Vallen Çame, prej disa kohësh tanimë me sa duket qartësisht as arvanitasit nuk janë dhe as idenë s’ia kanë ç’ lloj valleje është Vallja Çame dhe nga cili popull është krijuar.

Kështu na paraqesin një lloj valleje çame, të cilën e shohin arvanitasit e qeshin. E quajnë “shkollore”, sepse mësuesit që dërgoheshin në fshatrat arvanitase pa ditur gjë prej gjëje përpiqeshin t’i mësonin Vallen Çame popullit që e krijoi atë dhe përfundimi ishte disi qesharak.

Ata që merren me vallen kombëtare nuk duhet të punojnë me fantazinë e tyre në mënyrë që të paraqesin vallet, sepse në këtë rast në mënyrë disi paradoksale, fantazia dëmton shumë. Këtu nevojitet njohje dhe studim i përqendruar, fillimisht dhe kryesisht i popullit që krijoi këtë valle, të cilën duhet të paraqesim. Guxoj të them se njohja dhe studimi nuk mjaftojnë, nëse pikëpamjet e tua bien në kundërshtim me atë të popullit të caktuar që studiohet.

Kështu e shohim Vallen Çame që vetëm e tillë nuk duket dhe mirë do të ishte që të interesuarit të marrin kamerat dhe të shkojnë në fshatrat arvanitase, në dasmat dhe festat e tyre, ta flasin dhe ta bisedojnë Vallen Çame në vendet, ku kërcehet. Shumë njerëz kujtojnë se Vallja Çame është vllahe dhe se atje duhet ta kërkojnë. Por, vllehët nuk kanë asnjë lidhje me Vallen Çame, ashtu si nuk kanë me fustanellën. Por, kjo pikëpamje e gabuar krijohet, sepse athinasit dhe aziatikët e vegjël, të gjithë joathinasit i emërtojnë vllehë…

Vallja Çame ka levendëri, krenari, bukuri në lëvizje, të cilat vënë në dukje dhe virtytet e mësipërme. Nuk është valle erotike, por gjithashtu nuk është as luftarake, as e ndjenjës. Vallja Çame është valle triumfale. Dyshoj, nëse mund të ketë një të dytë në botë.

Vallja Çame përmbledh me lëvizje, bukurinë, levendërinë, burrërinë dhe krenarinë e kërcimit të parë, sepse duhet theksuar këtu se Vallen Çame nuk e kërcejnë të gjithë, por vetëm kërcimtari i parë. I dyti “e mban mirë” dhe është me të vërtetë e vështirë të “mbash drejtë” e mirë kërcimtarin e parë e të zotë me figurat e mrekullueshme dhe kërcimet, ndërkohë që të tjerët ndjekin nga pas duke marrë pjesë mendërisht dhe shpirtërisht, duke u krenuar dhe duke i dhënë figurën e plotë asaj që përpiqet të shprehë i pari me lëvizjet dhe figurat e tij.

Sigurisht nuk kemi parë asnjëherë në kinema apo televizor një Valle Çame të kërcyer drejtë, por as Valle Çame që të kërcehet nga grua. Si thamë është valle triumfale dhe zakonisht kërcehet nga burrat, por është me të vërtetë e mrekullueshme të shihni një kërcim të këtillë nga vashë arvanitase të krahinës sime.

Pra, Vallja Çame është një valle triumfale, fitimtare. Kërcehet pas betejës, por dhe përpara apo gjatë armëpushimit dhe na është e njohur në piktura e Ess-it (Peter von Hess 1792-1871), piktor gjerman që paraqet trimat e Kolokotronit të kërcejnë Vallen Çame dhe në plan të parë Plaku i Moresë i menduar po krijon strategjinë e luftës çlirimtare.

Ndoshta është vallja e vetme joerotike, megjithëse dhe elementët erotike kalojnë brenda shfaqjes së levendërisë, bukurisë dhe aftësisë së kërcimtarit të parë.

Ja disa nga vallet më të njohura çame:

Një nga vallet më të njohura është vallja e Minush Agës, agait që vrau të shoqen për një fjalë goje, ja si është historia e tyre. Kjo këngë nxjerr një pah një histori që për kohën e atëhershme ishte diçka shumë e rëndë dhe duke marrë parasysh këtë gjë e kanë kthyer në këngë. Për sa i përket përmbajtjes mund ta themi fare shkurt : Në kafen e një qyteti të vogël të Çamërisë, ishin ulur dhe po pinin tre persona: Minush Agai, Birbili dhe Resuli, kuptohet edhe këta agallarë. Resuli, në pije e sipër, i lavdëron bukurinë e gruas Minush agait, i thotë se e ka parë në krua tek po mbushte ujë. I kishte dhënë shaminë e xhepit dhe ajo ja pastroi, i kishte thënë dy-tri fjalë ajo ja pranoi! Minush aga, që qe i pirë, vajti në shtëpi, mori thikën dhe theri gruan e tij!

Vendi dhe koha e ngjarjes, nuk dihet me siguri, por mund të jetë Parga, Gumenica, e nuk përjashtohet as Delvina, që aso kohe bënte pjesë në vilajetin e Janinës, qytete me shumicë shqiptare e myslimane por edhe pakica shqiptare ortodokse, kjo e fundit duhet mbajtur parasysh ngaqë, në kafenetë e myslimanëve nuk praktikoheshin pijet alkoolike. Sa i takon kohës, duhet të pranohet gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, në kohën e sundimit turk, shpjegime për këtë do të japim më pas kur të trajtojmë personazhet e ngjarjes.

Personazhet; janë nga paria e qytetit, ata thirren agallarë, nga shtresa e kamur, e fisme, me ofiqe dhe prona. Minush agai, burri i gruas së bukur, duhet të ketë qenë i rënë nga vakti, e them këtë se në shtëpitë e agallarëve punët i bënin kopilet, ndërsa gruaja e Minushit, kishte shkuar vetë në krua për të mbushur ujë. Birbili, është bashkëqytetar i tij shqiptar, kjo kuptohet nga emri.

I treti, Rersuli mund të ketë qenë kajmekami turk i vendit. Janë dy arsye që të bëjnë ta mendosh: së pari një shqiptar, për hir të kodit zakonor dhe moralit, nuk do t’ia lejonte vetes atë lloj ngacmimi dhe fyerje, se te shqiptarët kjo fyerje lahej me gjak; së dyti, personi në fjalë, duhet të ndjehej i sigurt, i mbrojtur nga ofiqi dhe pushteti që i jepte ky ofiq dhe që ia lejonte pushtllëqet.

Të tre kanë qenë burra në moshë të pjekur. Zonja e Minushit, e quajmë kështu se emri i saj nuk përmendet, here quhet grua, herë zonjë por edhe nuse, pa tjetër që ka qenë e hijshme dhe e bukur, që tërhiqte vëmendjen e të tjerëve, por e pafajshme dhe e ndershme. Ajo në tekstin e këngës quhet grua, por edhe zonjë. Edhe ajo ka qënë në moshë të pjekur e me bukuri të arrirë, për këtë dëshmon e thëna në këngë se ajo kishte disa fëmijë.

Kënga e Minushit

Zgjo Minushin,zgjo Birbilin,zgjo Resul aga!

Ishin mbledhur dhe po pinin në një kafene.

-Të bukur grua(nuse) që paske, bre Minush aga!

-Ku e njeh, ku e ke parë që ma mollois?

-E paçë një ditë në krua që po mbushte ujë,

I dhashë shamin e dorës,ajo ma pastroi,

I Thashë nja dy-tri fjalë,ajo mi pranoi!

Minush aga qe i pirë,vajti në shtëpi

Mori thikën dhe e theri, o gruan e tij!

Të nesërmen që i del rakia vajti te varri:

Çohu grua, çohu vishu se kemi fëmijë,

Çohu grua dil nga varri se un bëra faj,

Çohu vishu e stolisu,dil në shoqëri,

Të të shohin gjithë bota dhe unë i mjeri!

Dhe një valle e histori po kaq e njohur është edhe ajo e Osman Takës, Kapedanit që shpëtoi nga litari prej kërcimit. Ja cila është historia e këtij kërcimi që më paë quhej “Vallja e burrave Konispolitë”:  Historia zhvillohet gjatë kohës së pushtimit të Perandorisë Osmane.

Konispoli në atë kohë ka qenë qendër administrative  e cila kontrollohej nga ana ushtarake nga “Karakolli i Qafë Botës” që ndodhej në kufi me Sajdën, ose e thënë më mirë posta kufitare turke, e cila ruante  rendin si në Konispol edhe në Filat. Kjo trupë komandohej nga komanda ushtarake turke në Janinë. Trupa e karakollit turk, një oficer dhe 5 ushtarë, falte të “xhumane” (falej në xhami ditën e premte), njëherë në xhaminë e Konispolit dhe herën tjetër në xhaminë e Filatit. Këtu nis rrugë edhe tregimi i mrekullueshëm i Osman Takës.

Një oficer osman i shoqëruar nga pesë ushtarë sapo kishte falë xhumanë (falja e ditës së premte) dhe tek po kthehej ndeshë në rrugë  dy femra. Atë të premte gratë ishin të veshura mirë e me fytyrë të mbuluar sipas traditës, këto dy vasha ishin gruaja dhe motra e Osman Takës, të cilat kishin marrë rrugën nga Shehati për në Cucat për një vizitë të parashikuar.

I pari komandanti turk, u zuri rrugën grave dhe u çoj shaminë dhe u pa fytyrën, duke thënë sa të bukura ishin, “ifrret jalem” marshallah. Si të zëna në faj gratë largohen që aty, sakaq mbaruan sebepin në Mullenj dhe u kthyen në shtëpi. Të turpëruara nga ngjarja, se sipas zakonit quhej turp që të shikohej fytyra e femrës nga burra të huaj që nuk janë të familjes së saj, ose nuk është bashkëshorti.  Motra menjëherë i thotë Osmanit, që trupa ushtarake turke, që fal të xhumanë, iu kishte zbuluar fytyrën.

Për këtë turp Osmani do të merrte hak. Mblodhi burrat tek Oda e Madhe e Takajve dhe u mor vendimi, që komandanti me gjithë ushtarët, do të ruhet me kujdes dhe kur të kanë radhën për t’u falur në xhaminë e Konispolit dhe do të vriten. U tha dhe u bë, u ruajt radha, trupa u fal në Filat, dhe i erdhi radha për në Konispol. Osman Taka me 4 djem trima konispolatë, i zunë pusinë në udhë të re trupës që vinte nga Karakolli turk.

Komandanti dhe katër ushtarët e tij u vranë, kurse një nga ushtarët u la i gjallë nga Osmani për t’i çuar porosi komandantit në Janinë. Trimi i tha: Po të lë gjallë, t’i tregosh komandantit tënd në Janinë se kush jam unë dhe se nuk ka ushtar e oficer të prekë femrën konispolite, çoji selam nga Osman Taka i Konispolit.

Pasi u morr porosia në Janinë, Osman Taka u shall në kërkim.

Për kapjen e Osmanit, Veliu i Janinës, me ferman nga Porta e Lartë, jepte 5 mijë napolona floriri. Osman Taka u arratis dhe për disa muaj qëndroi nëpër fshatra e vende të ndryshme të Çamërisë, deri sa ra në derën e një miku tradhtar. Nasho Gërxhua ishte një çoban i njohur, i  cili kishte tre djem.

Nashua, pasi mirëpriti në konak Osmanin me shokë, u dha mish e raki, i dehu dhe pasi u sigurua se janë në gjumë, u nis për te karakolli osman i Qafëbotës që të spiunonte dhe të fitonte 5 mijë napolonët. Pasi Nasho spiunoi, Osman Taka u arrestua bashkë me trimat e tij. Ai u dënua me varje dhe “ditën e madhe” si amanet të fundit ka kërkuar të kërcejë vallen e burrave Konispolitë dhe ja çfarë tha Veliu i Janinës pasi mbaroi i kërcyeri.

“Çish të shikoje Osmanin një valltar elegant, me pamje të rrallë, burrë që kërcente aq bukur, sa që Hasan Bej, me gruan e tij Xhemile Hanëmin u çuan në këmbë, e cila tha: Po ky është rrap, nuk kam parë burrë si ki, i hijshëm, trim, elegant, nuk kam lënë vend të perandorisë pa shkelur dhe nuk kam parë të tillë div, të tillë artist, ky është lindur për të jetuar, për të argëtuar veten dhe ne!” Xhemile Hanemi ju drejtua, Mexhit beut: “Gjynah të varet ky njeri dhe këta burra. Unë do të ndryshoj fermanin në Portën e Lartë dhe u ngjit në podiumin e varjes dhe kërkoj vallen të luhej përsëri, ku Osmani e kërceu më me krenari dhe me virtuozitet, Vallen e Burrave të Konispolit.

Kështu, një valle që dikur quhej Vallja e Burrave të Konspolit, i shpëtoi jetën një njeriu, emrin e të cilit mban edhe sot Vallja e Osman Takës.

Dhe sigurisht  vallja Pogonishte, e njohur në të gjithë vendin. Kërcimi e ka origjinën nga Shqipëria e Jugut. Ritmi është 2/4 dhe kërcehet i hapur dhe në formë cikli, nga njerëz të bashkuar. Stili është krenar. Po ashtu ka dhe kostume popullore për gra dhe meshkuj.

https://youtu.be/uYII8zQ-l9s

  • Pjesë të shkëputura nga kujtimet e Petrit Ali Mullës
  •   Edhe yjet vdesin!,tregime,Tiranë 2011/ Nga Resmi Osmani

Konica.al

Fluturojnë fustanellat çame, ja vallet më të famshme… (VIDEO) Read More »

Moda mesjetare e Shqiptarëve

Nga: Marin Mema

Për të dalluar në mesjetë një shqiptar fisnik, nga një i thjeshtë, mund të mjaftonte të shihnit ngjyrën e veshjes që mbante. Nëse stofi me të cilin është qepur veshja e tij do të kishte ngjyrë të kuqe, të gjëlbër ose manushaqe e mbyllur, atëherë ai do t’i përkiste shtresave të larta të shoqërisë. 

Po, e vërtetë, në shekujt XIV-XVI sikundër edhe sot veshja e shqiptarëve kishte konvencionet e saj dhe ishte përcaktuese e pozitës që ata gëzonin në jetë. Një studim të detajuar e mjaft profesional ka bërë për këtë çeshtje studiuesja e specializuar në fushën e veshjeve popullore shqiptare Andromaqi Gjergji. Vepra e saj është padyshim një pasuri e rralle e kulturës, trashëgimisë e traditës shqiptare në shekuj. 

Për fat të keq, të dhënat e disponuara, pikënisja e të cilave është shekulli XIV, na referojnë karakteristika të pakta mbi shtresat e gjera qytetare ose fshatare të popullsisë në atë periudhë. Pjesa më e madhe e të dhënave jep detaje mbi veshjet e shtresave të larta të fisnikëve ose të luftëtarëve.

Duke patur parasysh karakterin e prodhimit në periudhën e feudalizmit, materiali i veshjes për masat e gjera fshatare në këta shekuj realizohej kryesisht me lëndë që nxirreshin nga prodhimet bujqësore e blektorale siç ishin lëkura, leshi, liri, kërpi e mëndafshi, pra një cikël i ekonomisë së mbyllur shtëpiake. Leshi i përdorur në tekstilet e punuara në shtëpi nga gratë fshatare ishte kryesisht në ngjyrë natyrale, pra e bardhe, e zezë, e murme dhe bojë kafe, por përdoreshin edhe ngjyruesit bimorë. 

Kultivimi i mëndafshit gjatë shekujve të mesjetës përmendet në disa dokumente, duke filluar që nga vitet 1335, 1348 etj. Madje që në fund të shekullit XIV përmenden dogana të mëndafshit në Shkodër e në Drisht, gjë që dëshmon se mëndafshi edhe eksportohej.Ndërkohë, pëlhura më e vjetër prej kërpi e ruajtur deri më sot në vendin tonë daton në vitin 1373 dhe ështëpikërisht ajo që është përdorur gjerësisht në veshjet popullore deri në fillim të shekullit tonë, e në disa krahina edhe më vonë. 

Lloji i pëlhurës që përdorej për njërëzit e punës dhe të shërbimit kishte një cilësi modeste, me përbërje pambuku ose pambuk me lin. Ishte një pëlhurë e punuar dendur dhe me qëndrueshmëri të madhe. Ajo njihej me emrin “fustan” dhe pikërisht prej saj mendohet se e ka zanafillën e emërtesës fustani apo fustanella.

Ndryshe nga shtresa e njerëzve të punës, pëlhura e përdorur nga fisnikët ishte mjaft e shtrenjtë dhe luksoze dhe importohej nga Venediku dhe Raguza. Sikurse rezulton në mjaft dokumenta, për krerët e vendit përdoreshin stofrat më të mira, që njiheshin ndryshe si “panni rubei boni”, “panni de Cumis” apo “panni viridi”.

Tregëtia e tekstilit me Venedikun u ndërpre për një farë kohe në shekullin e XVI, për shkak të pushtimit osman, por përsëri nga fundi i shekullit vihet re se krahas mallrave që vinin nga lindja (Stambolli, Bursa etj), rifillon sjellja e mallrave edhe nga perëndimi. Gjithashtu edhe prodhimi në këtë kohë nuk ishte vetëm për nevoja shtëpiake por edhe për treg. Llojet e stofrave që kalonin në këtë kohë nga skela e Vlorës ishin kadifeja, mëndafshi, taftaja, astari apo edhe beze. Gjithashtu edhe lëkurë kafshësh të egra si dhelpra, ketra etj. Nuk duhet lënë pa përmëndur edhe përdorimi i veshjeve të mëndafshta e shpesh të punuara në ar. 

Pra, nga një vështrim i shkurtër historik mbi veshjet në Shqipëri në shekujt XIV-XVI i shkëputur nga vepra e studiueses  ndjerë Andromaqi Gjergji mund të themi se që atëherë ka patur një modë të zhvilluar e me jo pak tendenca perendimore ./Blitz.al/

Moda mesjetare e Shqiptarëve Read More »

VLORA – VALONA ”AULONA E LASHTË” E DY DETËRAVE

Origjina e emrit: Aulona

Gjurmët më të hershme: Shekulli i 6-të para lindjes së Krishtit. Duke qenë një nyje e rrugëve tokësore e detare, i njohur për verën, ullinjtë e kripën, u bë porti kryesor i Ilirisë pas rënies së Apolonisë e Orikumit.

Data me rëndësi kombëtare: Më 28 Nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë, Lufta e Vlorës, 1920.

Pushtuar: Nga normanët më 1081, 1205 nga Venediku, më pas nën sundimin e Hohënshtaufëve gjermanë dhe më 1272 në mbretërinë e Arbërisë. U pushtua nga osmanët më 1417, italianët, gjermanët.

Objektet kryesore: Kalaja, porti, etj.

Aktualisht ka: 124 mijë banorë.


Vlora në lashtësi quhej Aulona. Ajo përmendet nga shumë udhëtarë dhe kronikanë të huaj, si një nga qytetet – skelë kryesore të Ilirisë së Jugut, që lulëzoi pas rënies së Apollonisë dhe Orikut.

Emri i Vlorës është ndër të paktët emra gjeografike të bregdetit lindor të Adriatikut që i ka qëndruar kohës qysh nga lashtësia. Në bregdetin e banuar sot nga popullsia shqiptare, ky emër gjeografik del i një lashtësie pak a shumë të përafërt me ato të Durrësit, Shkodrës, Lezhës dhe Ulqinit.

Këta emra gjeografik nuk do t’i kishin rezistuar kohës në rast se vendbanimet e emërtuara prej tyre nuk do të kishin pasur një vazhdimësi përdorimi në radhë të shekujve… Një pjesë e mirë e popullsisë së trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve mundi t’i rezistonte proçesit të romanizimit dhe më pas të sllavizimit, që përfshiu pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik”, nënvizon në studimet e veta akademiku Prof. Shaban Demiraj.

Sipas materialeve arkeologjike, dëshmohet se në bregdetin e Vlorës, ashtu edhe në prapavijën e tij, për vendbanime parahistorike e zhvillime ekonomike-kulturore të shumë qytezave e qendrave urbane dallohej karakteri i tyre fortifikues-mbrojtës.

Të tilla janë ato të “Shpellave të Velçës”, “Shpellave të shkruara të Lepenicës” (nga më të rrallat në Ballkan e Mesdhe), “Shpellat e Spilesë” (Himarë) apo “Mozaikët e Mesaplikut”, pasuri e rrallë kombëtare. Vendbanimet tumulare të Vajzës, Dukatit, Mavrovës, “Pitosa” të Mallkeqit tregojnë për autoktoninë dhe vazhdimesinë etno-kulturore të ilirëve në periudhën e bronxit dhe të hekurit.

 

E njëjta gjë dëshmohet edhe në vendbanimet e tjera të lashtësisë që janë qytete-kala si Amantia, Olympia, Kanina, Himara, Cerja, Armeni, Hadëraj, Triporti dhe vet Vlora (Aulona) etj.

Amantia, e themeluar në shek. V p.e s., është një nga qytetet e pakta të Ilirisë jugore që ka pasur jetë 1000 vjeçare, ku spikat më shumë ndërtimi në terren malor i stadiumit antik madhështor, i ndërtuar me blloqe të mëdhenj gurësh.

Në jug të qytetit të Vlorës gjendet qyteti i Orikumit, i cili ka qenë një nga portet më të lashte të bregdetit të Vlorës, i themeluar si vendbanim në shek. VI-V p.e s.

Oriku u bë port i fortifikuar, bazë e rëndësishme ushtarake në Adriatik dhe në shek. II-I p.e.s ishte kantier i rëndësishëm detar për ndërtim e riparim anijesh, gjë që favorizohej nga prania e madhe e pyllit me pisha të Llogarase dhe Sera e Selenicës. Në shek.I p.e.s. Oriku shërbeu si kryeurë e fuqive pushtuese të kohës, arenë luftrash midis Romës, Maqedonisë dhe Ilirisë, si dhe në luftën rivale midis Çezarit e Pompeut që i solli Orikut shumë shkatërrime. Në shek.II p.e.s., Oriku u godit nga një tërmet i fuqishëm dhe u shkatërrua duke e humbur rëndësine e tij, pa mundur të rimbëkëmbej më. Ishte pikërisht koha kur në gjirin e Vlorës del në pah një tjetër qytet-Skelë, që ishte “Aulona – Vlora e sotme”. Dëshmi arkeologjike e lashtësisë dhe autoktonisë është edhe vetë simboli i saj – “Vajza aulonase”, një skulpturë “hyjnesh” 87 cm., e gdhendur nga mjeshtër vendas me gurin gëlqeror të Kaninës, që simbolizon veshjen e grave ilire.

Emrin e qytetit – Skelë të Aulonës së lashtë e gjejmë të përmëndur në shek.II e.s., nga shkrimtari Lukani dhe nga gjeografi Aleksandrin Ptolemeu. Këto të dhëna burimore përputhen me të dhënat e tjera të përafërta, siç janë dëshmitë arkeologjike për një kështjellë, port e bankinë të madhe (kështjella e Jangjeçit, Triport), që kanë ekzistuar ndoshta kur lumi Vjosa e kish grykëderdhjen aty në Lagunën e Nartës.

Por,ndoshta kur Vjosa u largua në drejtimin verior,Triporti humbi mundësinë dhe rëndësinë. Pikërisht në këtë kohë duhet të ketë origjinën Aulona port i spostuar në JL, e cila del si skelë – qëndër tregëtare – dhe Kanina – qëndër administrative – ushtarake në shek. VI e.s. Fakti që në shek.V-VI e.s., ka pasur në Vlorë edhe një peshkop,varur nga metropoliti i Durrësit, tregon se Aulona ka qenë vendbanim me rëndësi.

Këtë e mbështet edhe zbulimi i viteve të fundit i traktatit të murit rrethues mbrojtës, fortifikues në qëndër të qytetit të sotëm të Vlorës (pranë monumentit të Pavarësisë) si dhe zbulimi i disa dëshmive të reja për ekzistencën e molit të vjetër, në afërsi të stacionit të trenit.

Gërmimet e fundit në Kaninë dhe Himarë kanë dhënë dëshmitë e tjera për kulturën ilire të antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme, për autoktoninë dhe vazhdimesinë iliro-arbërore dhe mesjetare shqiptare. Në shek. VI e.s., dhe vazhdimisht gjatë mesjetës, Aulona përmëndet në listën e qyteteve bregdetare si port i rëndësishëm, me detari të zhvilluar, që tregëton vaj ulliri, kripë, valanidh, lëndë drusore, ullinj si dhe panairet që bëheshin në afërsitë e Vlorës, ashtu edhe në vende të ndryshme të Europës. Edhe në grykën e Vjosës ishte skela e Spinaricës, ku zhvillohej tregti dhe aty ishin të pranishëm edhe konsuj tregtarë të Raguzës, Venedikut etj.

Në mesjetë Vlora dhe viset e saj ranë nën pushtimin normand më 1081, më pas nën pushtimin e Venedikut më 1205 dhe atë të sundimit të Hohenstaufenëve gjerman, siç e përshkuan edhe Jireçeku në studimin e tij.

Si një qëndër e zhvilluar dhe e kulturuar Vlora shfaqet edhe në mbrëtërinë e Arbërisë më 1272, ku kronikat e kohës shënojnë lulëzimin e zejtarisë, tregëtisë, blegtorisë dhe pemtarisë, të përfshirë si despotat më vete.

Një rol të madh në jetën politike, ushtarake e shoqërore të Vlorës, ka lozur edhe familja e madhe Arianitët, të cilët përmënden në shek.XI, nëpërmjet të parit të tyre Arianit Komnen Golemi Topisë, sidomos në shek. XV-XVI. Një nga figurat e shquara të shek.XV është Gjergj Arianiti, i cili organizoi qëndresën kundër pushtuesve osman më 1431-1432 e më pas në grykat e Labërisë. Me bëmat e tij, Gjergj Arianiti mori përgëzimet e Fuqive të Mëdha të Europës të asaj kohe.

Edhe pse ishte aleat me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe vjehrri i tij, pasi Donika, e bija e tij u martua me Skënderbeun, Gjergj Arianiti ishte i pavarur në zoterimet e tij në jug dhe në Shqipërinë e Mesme. Në Kuvendin e Lezhës, më 2 Mars 1444, për t’i bërë ballë rrezikut të pushtimit osman, Gjergj Arianiti u rradhit ndër të parët krerë sundimtarë shqiptarë, në këtë lidhje ushtarake mbarëkombëtare. Në shek.XV-XVI pushtuesit osman e kthyen portin e Vlorës në një nyje të rëndësishme të Adriatikut për pushtimin e Italisë.

Në regjistrin turk të vitit 1520 shënohen 701 familje vendase dhe 531 familje çifute. Kjo dëshmon për një klimë paqësore e tolerancë ndaj çifutëve në qytet në një kohë kur gjetke ata persekutoheshin egërsisht. Kështu qyteti përmblidhte 6300-6500 banorë.

Nga Vlora u nisën fuqitë ushtarake osmane kundër Italisë së Jugut, më 1480, kundër kryengritjes së himarjotëve më 1492 dhe shërbeu si bazë e sulltan Sulejmanit kundër Korfuzit, më 1537. Po në këtë vit u ndërtua kështjella e qytetit (aty ku sot ndodhet stadiumi “Flamurtari”), gurët e së cilës u morën nga kështjella e Jangjeçit në Zvërnec dhe nga muri rrethues i Aulonës.

Në shek.XVII-XVIII Vlora ishte një nga limanet më të rëndësishëm të Shqipërisë së Jugut, pas Prevezës, pasi gjiri i saj u siguronte anijeve mbrojtje nga stuhitë. Në skelën e Vlorës ishin ndërtuar depo të mëdha për grumbullimin e prodhimeve buqësore e blegtorale të fshatarësisë, ku përfshiheshin zona e Beratit, Gjirokastrës dhe Myzeqesë.

Në eksportin e tij ky qytet zhvillonte tregti më Triesten, Venedikun, Vjenën, Korfuzin, Stambollin, Izmirin, Breshian, Barin, Manastirin, Janinën, Maltën e Qipron. Në portin e Vlorës hynte rregullisht çdo javë vapori austriak “Lloid” dhe ai italian “Pulja”, të cilët vetëm për vitin 1904 kishin kryer respektivisht 224 dhe 181 hyrje-dalje.

Vlora eksportonte: vaj ulliri – 20.000 fuçi, ullinj të vjelur – 11.000 barrë, kripë – 1.5 milion kilogram, lesh të palarë – 15.000 okë, lëkurë qengji e lepuri – 20.000 copë, breshka – 40.000 copë, shushunja, shpende, dele, kuaj, mish të therur, peshk të kripur, vezë peshku, serë, asfalt, misër, tërshërë, thekër, fasule, dru zjarri, valanidh, mjaltë të bardhë Kanine, verë të Nartës dhe verë “Vlosh” të Vlorës.

Një artikull i kërkuar ishte edhe stralli i gurores së Drashovicës, që përgatitej me blloqe dhe ashkla. Për eksport, gëzofet prej lëkure, velenxat dhe brucat labe ishin artikuj mjaft të preferuar për Istrien, Triesten dhe vendet alpine…Ulliri i markës “Vlonjak”, që ishte më i lashtë se marka italiane dhe frënge, dallohej për prodhueshmëri të lartë, vaji dhe regjie lëkure. Në vitin 1900 Vlora regjistronte mbi 100.000 rrënjë ullinj.

Vlora njihet si një vatër e rëndësishme e patriotizmit ndër shekuj, ku përpjekjet për liri, pavarësi dhe prosperitet kanë qenë në shpirtin e çdo vlonjati.

Luftrat kundër pushtimeve të huaja dhe përpjekjet për përhapjen e arsimit shqip bënë që në Vlorë të krijoheshin shumë shoqëri patriotike.

Në vitet 1908-1912 klubi “Labëria” u bë një vatër e ndezur e përpjekjeve për pavarësinë e vendit dhe luftën kundër pushtuesve xhonturq. Kryetar nderi i këtij klubi atdhetar ishte Ismail Qemali. Çelja e shkollës shqipe të Muradies (7 Gusht 1908) ishte një ngjarje e shënuar në jetën arsimore të Vlorës.

Por ngjarja më kulmore e qytetit të Vlorës ishte 28 nëntori 1912 kur plaku i urtë e diplomati i shquar Ismail Qemali, së bashku me delegatët e ardhur nga vise të ndryshme të vendit, shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe njëkohësisht ngriti flamurin kombëtar në Vlorë. Kështu Vlora u bë kryeqyteti i parë i Shqipërisë së pavarur.

Më 25 dhjetor 1914 Vlora u pushtua nga imperializmi italianë. Pas zgjerimit të pushtimit italian nisi rezistenca kundër pushtuesve. Në vitin 1920, pas Kongresit të Lushnjes, u krijuan Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” me kryetar Osman Haxhiun, i cili organizoi forcat luftarake në Luftën e Vlorës. Lufta e Vlorës është një nga epopetë më të lavdishme të shqiptarëve. Vlora u kthye në “Termopilet” e Shqipërisë, siç thoshte patrioti Halim Xhelo.

Në vitet 1920-1924 Vlora u përfshi në rrjedhën e proçeseve të demokratizimit të jetës së vendit. Këtu u krijua Federata “Atdheu” (1921) dhe dega e shoqërisë “Bashkimi” (1922). Një rol të madh në këto vite ka lozur edhe shtypi me gazetat “Politika”, “Mbrojtja Kombëtare”, “Fjala e Lirë”, “Shpresa Kombëtare” etj që botoheshin në Vlorë.

Në Luftën e Dytë Botërore Vlora u bë një nga vatrat e rëndësishme të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazifashist. Ajo mbajti një barrë të madhe të Luftës dhe kontributi i saj ishte i shquar./njekomb

/njekomb

VLORA – VALONA ”AULONA E LASHTË” E DY DETËRAVE Read More »

Media gjermane: Ilirët kanë ndërtuar qytetet e para europiane para 3 mijë viteve

Media bavareze: Elozhe vendit të shqiponjave

Me titullin “Shqipëria – Vendi dhe Njerëzit,” media bavareze ansbachplus.de, ka shkruar një tekst të shkurtër por plot ditirambe ndaj vendit shqiptar. Shkrimi i plotë:

“Shqipëria është një vend relativisht i panjohur, ndaj së cilës janë shpërndarë shumë paragjykime. Është një vend i pambaruar, ku në 1990 kaloi paqësisht nga diktatura në liri. Atëkohë vendi ishte ekonomikisht në tokë. Me këtë situatë, Shqipëria kërkoi një rrugë të qëndrojë në këmbë, pa ndonjë ndihmë të rëndësishme nga jashtë.

Është ndër vendet me historinë më të lashtë të Europës, pasi ilirët kanë ndërtuar qytetet e para prej vitit 1100 para erës sonë. Vend ku respektohet çdo fe, pasi asnjërit nuk i bën përshtypje nëse je ortodoks, katolik, musliman suni ose bektashi. Secili pranon fenë e tjetrit ashtu siç është. Këtu mund të mësohet shumë nga shqiptarët. Dhe shqiptarët janë një komb shumë mikpritës. Edhe nga kjo mund të mësohet shumë nga kombi që ndodhet në kufijtë e Ballkanit”./njekomb

Media gjermane: Ilirët kanë ndërtuar qytetet e para europiane para 3 mijë viteve Read More »