Histori

Legjenda shqiptare/ Thesari i humbur i turqve gjendet në Librazhd, shumë pak persona e dinë

Të gjithë kanë dëgjuar për këtë fshat, ndoshta shumë i njohur për shkak të 99-minareve që ka, apo ndoshta për thesaret e shumta që fsheh. Ky fshat e ka emrin Xhyra Kasaba. Ndodhet në pjesën jugperëndimore të rrethit të Librazhdit . Në këtë fshat kalon rruga kombëtare që lidh Shqipërinë me shtete të tjera me Greqinë, Maqedoninë, si dhe me qytetet e vendit tonë.

Me fshatin e Xhyrës janë lidhur shumë gojëdhëna dhe histori të ndryshme aq kulturore, por edhe misterioze që askush deri më sot nuk ja ka gjetur kuptimin. infoaAe dini se guri i “Bletës” një shkëmb me lartësi 1409m ka nxitur zbulues nga e gjithë bota kryesisht turq, maqedonas, edhe grek, por edhe nga “Puglia Grotte” dhe “Dauno”. A fsheh me të vërtetë ky shkëmb një pasuri të madhe?

Mendohet se pikërisht në këtë gur fshiheshin grabitjet që kaçakët (hajdutet) bënin karvanëve të ushtrisë turke dhe tregtarve nga Roma.

Jo më larg së disa muaj një turist nga turqia eksploronte bashkë me grupin e tij e shoqëruar më një hartë shumëvjeçare e cila tregonte me hollësi se ku fshihej thesari i turqve. Kushtet litologjike siç dukej ua kishte vështirsuar kërkimet.

Banorët e fshatit tregojnë se shumë kërkime janë berë, aq shumë saqë detyruan që emigrantët të ktheshin kudo që ishin edhe të gërmonin për ta gjetur dicka përpara se ta gjenin te turistët e huaj. Ja si shprehet një banor i fshatit Xhyrë A.M:

“Nuk e mbaj mend sa veta kanë ardhur e kanë hapur gropa pafund me qëllimin se ka flori apo gjëra të tjera si këto. Në fakt vetë nga legjenda e gurit të bletës mjalti i shumtë i bletëve simbolizon floririn, ndërsa bletët puntore hajdut të cilët vidhnin floririn e ushtrisë Osmane.

Mendoj se është vetëm një legjendë, por herë pas herë mendoj se mund të jetë edhe e vërtetë. Jo më larg se disa muajsh një grup turistësh nga gjuha që flisnin mendoj se ishin turq, kishin një hartë të vjetër e cila në të ishte të vizatuar shkëmbinjtë edhe vetëm një shkëmb ishte më kryq vetëm guri i “Bletës”.

Njerzit janë të çuditshëm në këtë fshat saqë marrin kazma edhe lopata edhe gërmojnë pa lidhje, duke prishur në shumicën e rasteve edhe rrugën “Egnatia” e cila kalon mes për mes fshatit”. Po kush është me të vërtetë lëgjenda e gurit të “Bletës” e cila ka bërë bujë në të gjithë Shqipërinë? info Sipas legjendës thuhet se: “Dikur një djalë i ri nga fshati shkon tek guri i “Bletës” për të marrë mjaltë.

Aty kishte shumë bletë dhe mjalti ishte në sasi të madhe. I riu futet brenda në gur dhe fillon të mbushë enët me mjaltë. Guri i thotë djalit se duhet të marrësh mjaltë vetëm aq sa të takon. Por ai nuk e dëgjon duke vazhduar të marrë mjaltë pa u ndalur.Atëherë guri mbyllet duke e zënë brenda. Djali fillon e rënkon.

Zëri i tij dëgjohet dhe njerëz nga fshati i shkojnë në ndihmë për ta nxjerrë nga guri. Ata përdorin mjete të ndryshme si pyka prej thane për të hapur gurin, por pa mundur ta nxjerrin dot.Pykat e thanës ( katër copë) gjenden edhe sot e kësaj dite në mesin e gurit.

Pikërisht në atë vend guri është i lagur për shkak të lotëve të njeriut brenda tij. Madje edhe sot thuhet se; sa herë që bie shi, po të qëndrosh afër gurit në heshtje dhe të dëgjosh me kujdes, do të ndiesh zërin e të riut që vjen nga brenda duke rënkuar”.

A thua vërtetë se diçka fshihet pas atyre gurëve? Një shprehje thotë: “Ku ka zë sështë pa gjë”, thuhet se në varrezat e turqve janë gjetur qypa nga florinj edhe kjo vërtetohet nga vetë banorët e fshatit.

Vetë struktura e gurit të “Bletës” është e çuditshme saqë nuk e kupton nga hyre edhe ku dole. Kjo strategji është ndjekur që deri sot e kësaj dite ajo e fshehtë e thesarit të bletës të mos gjendet kurrë.

Disa banorë të fshatit janë shumë të sigurt që brenda shkëmbit ka dicka, ja si shprehet një i moshuar B.H i cili na tregon me hollësi cfarë ka ndodhur vite më parë: “Unë jam 86-vjeç edhe të them të drejtën more djalë guri i bletës edhe “Gryka e Shkallës” fshehin thesare shumë të mëdha. Babai im para se të vdiste më tha që lartë në këto male fshihet një thesar shumë i madh i cili nuk është gjendur kurrë.

Ndoshta unë nuk e kam vërtetuar por çështë e vërteta këtë histori nuk e tregon vetëm mosharët e mi por edhe të parët e mi. Shumë kohë më përpara këtu në këtë zonë, që përdorej nga Turqit për vet faktin që ishim të pushtuar nga ata, një tjetër ana pozitive për ne ishte edhe rruga “Egnatia” doje apo sdoje ishe i detyruar të kaloje sepse ishte e vetmia rrugë që lidhte perëndimin me lindjen.

Thuhet se Carinë kaçakët vidhnin të gjithë karvanët të cilët vinin nga Roma, por kishte një problem shumë të madh për ta sepse nuk ja dilnin dot asnjëherë në Xhyrë. Sipas të parëve të mi thesari është fshehur në Xhyrë edhe është pothuajse 100% e sigurt, edhe jam i bindur.

Pastaj nuk e di të them tek guri i “Bletës” apo me ndonjë vend tjetër sepse po ta dija do ta kisha marrë vetë”. Kjo legjendë edhe shumë gojëdhëna të tjera ka nxitur shume turiste vendas edhe huaj të përveshin krahët edhe të gërmojnë, por si përfundim janë zhgënjyer nga rezultati sepse janë larguar me duar bosh.

Nga: Daniel Muçaku & Ilir Hoxha | JOQ.al

 

Legjenda shqiptare/ Thesari i humbur i turqve gjendet në Librazhd, shumë pak persona e dinë Read More »

E gjeni dot veten në këto foto? Pozat e rralla kur shqiptarët pushonin nën “çarkun” e diktaturës!

Shqipëria ka pësuar një transformim tejet të madh gjatë këtyre 28 viteve të fundit.

Bregdeti ka qenë hapësira e parë ndaj të cilit u ushtrua një masakër e thellë duke zhdukur gjithnjë e më tepër hapësirën publike. Sot jemi në kushtet, kur era e pishave, rëra e bollshme dhe çadra personale e qytetarëve gjenden gjithnjë e më rrallë.

Ju ftojmë të shikoni disa fotografi të shkrepura në kohën e diktaturës…

E gjeni dot veten në këto foto? Pozat e rralla kur shqiptarët pushonin nën “çarkun” e diktaturës! Read More »

Unë biri yt Kosovë, po të tradhtoj!

Nga Fahri Xharra

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;….

Jo, nuk t`i paskan ditur as dëshirat e heshtura, as ëndrrat e fjetura me shekuj sepse… “Arrestimi i tre të dyshuarve për terrorizëm në rrethin e Kaçanikut, ka rikthyer në mediat botërore lajmet e këqija që vijnë nga Kosova dhe për shqiptarët e Kosovës në këtë fillim të verës dhe në valën e vapës tropikale të ndeshjeve të Kampionatit Botëror të Futbollit në Brazil.

Rrjeti televiziv amerikan ABC citonte agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press nga burime të policisë së Kosovës dhe thoshte se tre të ndaluarit shqiptarë etnik dyshohen për rekrutim dhe formim të një grupi terrorist. Sipas lajmit, gjatë bastisjes tek ata ishin gjetur uniforma ushtarake dhe materiale propagandistike ndërsa dyshoheshin për komplot për të kryer sulme sipas frymëzimeve nga mësimet radikale islamike.

Lidhjet e të dyshuarve, që citojnë burime kosovare të zbulimit, çonin tek radikalët në Siri, ku të paktën njëri prej tyre thuhet se kishte luftuar përkrah kryengritësve sunitë atje”.

Unë biri yt, Kosovë,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,…
Unë ta mohova Idriz Seferin, unë ta mohova Grykën e Kaçanikut, unë të mohova të tërën. Mendoja që ta di gjakun që të vlon në gji; por jo më duket që ishte një gurrë uji.

….“Operacioni i policisë së Kosovës kundër tre të dyshuarve ishte koduar me emrin “Hit”, ndërsa duke cituar burime të medias në Kosovë, theksonte se të dyshuarit ishin pjesë e një grupi prej 150 shqiptarësh nga Kosova të luftës civile siriane kundër forcave të presidentit Bashar al-Assad.” Mos bre!

Unë biri yt, Kosovë,
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan, …
Dhe ai vullkan ishim ne, disa të birtë të shekullit të ri që … “Duke dhënë një pasqyrë kulturore të Kosovës, ABC thoshte më tej se më shumë se 90 për qind e popullsisë etnike shqiptare janë të përkatësisë myslimane që praktikojnë një Islam të moderuar dhe kanë lidhje të forta politike e kulturore me botën perëndimore”.

Unë biri yt , Kosovë
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,

Unë, biri yt…. …Por jo, paskemi qenë gabim sepse…. “ata qe kanë vendosur te bëhen vegël qorre ne sherbim te terrorizmit, ja kanë falur shpirtin dhe kombin djallit! Gjersa te arrijnë ne theqafje, ketyre trushpërlarve nuk ka kush i kthen ne rrugë te mbarë! Te kujdesemi për rininë që ende ka mundësi te mos u lehet ne duar kriminelëve terroristë, pavarësisht cilit religjion i takojnë! Mbi te gjitha eshte kombi shqiptar”.

“Kam thënë, dhe prapë them, se e di mirë se çfarë kërkonte Serbia,por nuk e kam ditur se pas asaj që pësuam nga serbët,do të vendosim vet për fatin tonë,natyrisht jo kështu me terrorizëm të disa shqiptarëve, në Amerikë,në Frankfurt të Gjermanisë,në Irak,Siri,dhe tash,terroristët kapën edhe në Kosovë, duke u përgatitur për akte terroriste brenda saj,apo edhe gjetke,pikërisht ashtu si i marrin direktivat nga kolegët e tyre pjesëmarrës në luftimet në Siri – (D.M)”.

Unë biri yt, Kosovë, nuk e kam ditur që…. “Familja e kamikazit kosovar, Blerim Heta, i cili javës që shkoi vrau në një sulm vetëvrasës në Bagdad mbi 50 persona, thotë se atë e mashtruan. Ata thonë se atij ia shpëlanë trurin me ligjërata. Blerimi, konfirmojnë ata, ishte dëgjues i rregullt i ligjëratave të Shefqet Krasniqit, por edhe i ligjëratave të Bekir Halimit e Omer Bajramit nga Maqedonia”.

“Më 24 mars,2014 familja Heta nga Varoshi i Ferizajt mori një telefonatë nga djali i tyre, Blerim Heta, për të cilin e dinin se po mësonte për fe në Siri. “Nesër do të takohem me All-llahun”, ishte lajmi që ai ua kumtoi atyre.Të nesërmen, më 25 mars, kosovari Blerim Heta kreu një sulm vetëvrasës në Bagdad të Irakut, ku la mbi 50 të vrarë.

Forumet e xhihadit në internet e shpallën menjëherë shehid (dëshmor).Familja e Blerim Hetës thonë se djalin e humbën për asgjë”.
Dëgjon zanin q’i thotë feja. Plagos qiellën, e shpon tokën,
i shkyn horizontet e bardhë, zhvesh natyrën, ia heq kotllën.
Kult’ i tij kult i zhveshun! Nuk ia bren ma trutë enigmie varros, mbi varr ia vë një shej përbuzje o nderimi…
“Merret vesh se të arrestuarit në operacionin e sotëm policor kundër terrorizmit janë Ë. Berisha, Sadat Topojani e Jetmir Kyçyku. Berisha e Kyçyku janë nga Kaçaniku dhe i takojnë organizatës joqeveritare të paregjistruar në shtet- “Rinia Islame-Kaçanik”, derisa Sedat Topojani është ish-xhihadist i krahut të Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit (ISIS) nga Hani i Elezit. Gazetat patën raportuar kohë më parë për xhihadistët shqiptarë nga Kaçaniku dhe për strukturën e OJQ-së “Rinia Islame-Kaçanik”. Mos bre! Unë jam biri yt, Kosovë!

Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna. ….“Ngjarja e 2 marsit (2011) në Frankfurt, ku 21-vjeçari nga Kosova qëlloi për vdekje ushtarë amerikanë, dëshmoi se as një shoqëri s’është imune nga ndikimet e dyshuara islamistë radikale.

Lind pyetja si mund të parandalohen raste të tilla? Arid Uka veproi në mënyrë individuale dhe sipas hetimeve të deritanishme urrejtjen ndaj amerikanëve ai e mori në internet brenda një kohe shumë të shkurtër. Ai nuk ishte i riu i parë mysliman i radikalizuar, por ishte i pari, që realizoi atentatin terrorist në territorin gjerman.

Dhe ajo, çka i shokoi shqiptarët, ishte jo vetëm fakti që ai ishte shqiptar, por edhe që urrejtja e tij ishte drejtuar ndaj amerikanëve. “Ky konstelacion është befasues”, thotë Konrad Clewing, ballkanolog nga Instituti i Evropës Juglindore në Regensburg. Por ai thekson se fakti që atentatori ishte rritur në Gjermani dëshmon se kjo ngjarje është në radhë të parë një shenjë alarmuese për Gjermaninë, se sa për Kosovën, apo shoqërinë shqiptare në përgjithësi”.
Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;… “Por opinioni kombëtar shqiptar është shumë i ndjeshëm, kur bëhet fjala për ndikimin e fesë islame dhe parapëlqen heshtjen, konstaton Robert Pichler. “Feja, e sidomos ajo islame, është një nga temat më të tabuizuara tek elitat shqiptare”, thotë studiuesi austriak.

Sipas tij kjo ka të bëjë me doktrinën kombëtare të trashëguar nga koha e rilindjes. Për Pichlerin “Feja e shqiptarit është shqiptaria” është një nga mitet më të mëdha të shqiptarëve. “Problemi është se sa e hap këtë temë tek elitat shqiptare, menjëherë ato mundohen ta banalizojnë”, thotë ai.

Të rinj në udhëkryq. Robert Pichler është marrë dhjetë vjet me radhë me ndikimin e fesë tek shqiptarët, sidomos ata të Maqedonisë. Docenti i Universitetit të Gracit është duke punuar aktualisht në një libër, që trajton pikërisht problemet e përkufizimit të identitetit të rinjve shqiptarë, që jetojnë në Austri.

Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të të të pa feve
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!… “Çuditeshim, madje reagonim ashpër, kur serbet shqiptarët /NEVE/ i/na quanin irredentistë, separatistë dhe terroristë. Thoshin, pra serbët, para se të bëhej luftë dhe Kosova të shpallte pavarësinë, se Kosova paraqet rrezik për paqen dhe sigurinë në Ballkan.

Kjo që disa vite po ndodh me Kosovën,nën ndikimin e papenguar të shteteve islamike, është një pasqyrë, vërtet trishtuese, por njëkohësisht edhe shpirtkënaqje për serbët, të cilët edhe ata, në forma, me gjithfarë mjetesh dhe financa të mëdha, kanë stimuluar dhe nxitur interesimin dhe shtuar ndikim më të madh të islamit tek shqiptarët,me qëllim,që sa më parë të shkaktohet një destabilizim,jo vetëm në Kosovë,por edhe vende të tjera kudo ku jetojnë shqiptarët.

Po shihet se uji “terrorist” po shkon në mullirin e Serbisë, dhe keqësimi i situatës në Kosovë, sidomos,asaj i shkon për shtat,dhe ëndërrohet se është një shans për rikthim të saj në Kosovë (Dedë Mirdita).
Unë biri ty Kosovë nuk e kam ditur që “Çdo vit duhet të dërgohen fëmijët tanë në shkollat në Turqi. Por, nuk mund të marrim mbështetje nga buxheti i shtetit. Prandaj është e barrë e rëndë ti edukojmë fëmijët tanë. Në këtë aspekt ndihma e Turqisë është shumë e rëndësishme”,( tha Tërnava ).

Pse oj Kosovë! E di ti Kosovë që në vitet 1998-1999 bota vajtonte per ty? E di ti Kosovë që na ka humbur krenaria ? E di ti Kosovë që për pak para po të shesin? E di ti Kosovë?… …I di ti, te gjitha por nuk flet, sepse ta kanë shterrur zërin!

Fahri Xharra (2014) 14.10.17
Gjakovë

Unë biri yt Kosovë, po të tradhtoj! Read More »

Familja Vlora dhe rëndësia e saj në historinë e Shqipërisë dhe veçanërisht të Labërisë dhe të Vlorës

AMILJA VLORA është nga ato të rrallat fare, do të thoshte Prof.Dr.Isuf Luzaj; edhe unë jam i predispozuar të mbështetem në fjalën e Professorit, i cili i ka njohur plotësishtë shumicën e Familjeve të Mëdha Shqiptare…

Eqerem bej Vlora, e ka quajtur Ismail Qemalin“yll i fisit të Vlorajve”. Familja Vlora, me origjinë nga Kanina e Vlorës, për shekuj me radhë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë dhe veçanërisht të Labërisë dhe të Vlorës. Kjo familje ka mbajtur ofiqin më të lartë të Sanxhakbeut të Vlorës, mëkëmbësit të Sulltanit, për afro 350 vjet, që nga viti 1481 deri në vitin 1828, jo vetëm “de jure”, por edhe “de facto”.

Edhe pas vitit 1828, kjo familje vazhdoi të ushtrojë ndikim të madh në historinë e Shqipërisë, veçanërisht në krahinën e Labërisë. Më 28 nëntor 1912, është po kjo familje që i dha historisë Ismail Qemal Vlorën, Atin e Kombit tonë, njeriun që krijoi Shtetin e Pavarur Shqiptar, pas 500 vjet robërie. Si themelues i kësaj familje, njihet Sinan Pashë Vlora, (1455 – 1505).Më 1481, ai ishte admiral i Madh dhe Kapedan i deteve, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane.

Sipas Ismail Qemalit “Familja jonë, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë e pushtet, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim shumë të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Për mëse katër shekuj familja jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapshtitë, tirania dhe tekat e sundimtarëve absolut osmanë”.

Rrallë ndodh në histori që kur shkruhet për ndonjë figurë historike të përmendet pak ose aspak familja e tij. Përkundrazi, historianët «gërmojnë» edhe në skutat më të thella për të hedhur dritë mbi paraardhësit dhe pasardhësit e një figure historike. Me Ismail Qemalin historiografia jonë veproi ndryshe.

BREZAT E FUNDIT TË FAMILJES VLORA MUSTAFA PASHË VLORA (1824-1885), vali i Bullgarisë Veriore dhe i Kretës. Një figurë e shquar e familjes Vlora, gjyshi Eqerem bej Vlorës, një nga eksponentët kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, anëtar i Komitetit të Fshehtë të Janinës dhe i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, i njohur me emrin “Komiteti i Stambolli”. Ka qenë po ashtu anëtar i delegacionit që do të paraqiste dhe mbronte përpara Portës së Lartë rezolutën e nënshkruar nga Kuvendi i Dibrës, 1 nëntor 1878, e cila përmbante po ato kërkesa që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit.

Mustafa Pashë Vlora ka vepruar për Lidhjen e Prizrenit edhe si kryetar i degës saj në Vlorë. Pas shtypjes se Lidhjes u arrestua dhe u internua ne Çarmakala, ku u mbajt në një kështjellë për tre vjet i mbyllur. Mustafa Pashë Vlora pati tre djem: Ferit Pashë Vlora ( 1852 – 1914), vali i famshëm i Konjës. Ministër i brendshëm i Perandorisë Osmane. Nga viti 1903 deri 1908, ish kryeministër pranë Sulltan Abdyl Hamitit, 16 vjet anëtar i Zyrës Diktimit. Më 23 korrik 1908 u pushua nga posti i kryeministrit, po Sulltani e mbrojti duke e emëruar kryetar të Senatit.

Ferit Pashë Vlora pati dy djem: – Nuredin bej Vlorën ish Kryetar i Bashkisë Vlorë, edhe – Riaz bej Vlorën. Vlorajt, pa përjashtim mbajtën një qëndrim të prerë kundër regjimit totalitar. Përveç burgjeve që ata provuan, siç tregojmë më poshtë, midis Vlorajve kemi edhe një martir, dhe ky është Riaz bej Vlora, i cili vdiq nga torturat, gjatë hetuesisë, në gusht të vitit 1948.

Pra familja Vlora, megjithëse zë një vend shumë të rëndësishëm për prezencën e saj në historinë e Shqipërisë, për shekuj me radhë në shërbim të interesave të atdheut, ajo u persekutua egërsisht prej regjimit komunist. Neshet Pashë Vlora, ishte kryembikqyrës i pasurive të kurorës dhe në Stamboll ishte këshilltar shtetëror. Kryesonte pleqësitë e fshatrave të Mesaplikut për mosmarrëveshjet e ndryshme që kishin. Në vitin 1930, ai rindërtoi një xhami në lagjen Muradie të Vlorës, që është edhe sot, atje varrosi gruan dhe djalin e tij të vetëm Servetin që vdiq në moshën 19 vjeçare dhe në fund u varros edhe vetë në këtë xhami. Nesheti ishte martuar me Zehranë, motrën e Esat pashë Toptanit. Motrën tjetër të Esatit e kishte marrë për grua Syrja bej Vlora vëllai i Neshtetit, pra dy vëllezërit kishin marrë për gra dy motra.

Syrja bej Vlora (1860 – 1940), drejtor i doganave osmane, deputet i parlamentit turk, pas vitit 1908, ambasador i Shqipërisë në Vjenë në vitin 1914.Bashkëshortja e tij ishte motra e Esat Pashë Toptanit, me të cilin nuk pati asnjëherë marrëdhënie normale. Eqeremi thotë për të atin: “Ishte një gjeni i vërtetë në fushën ekonomike dhe administrimit të pronave të familjes”.

Syrjaji pati dy djem dhe tre vajza: — Eqerem bej Vlora (1885 – 1964). Me vendim të qeverisë shqiptare më 31 mars 2014, eshtrat e Eqerem bej Vlorës u sollën nga Vjena në Shqipëri dhe sipas amanetit të tij u varrosën në Kaninë. Pati reagime në shtyp duke thënë se nuk mund të rehabilitohen kolaboracionistët. — Safa bej Vlora (1900 – ? ) — Vajzat: Nexhati, Fezileti dhe Suadi. Kjo e fundit ishte martuar me gjeneralin turk Fuad Suad pashën. ISMAIL BEJ VLORA Ismail bej Vlora, Është gjyshi i Ismail Qemalit. Ai pati tre djem: Mahmut bej Vlora, babai i Ismail Qemalit, Selim Pashë Vlorën dhe Beqir bej Vlorën.

Familja Vlora dhe rëndësia e saj në historinë e Shqipërisë dhe veçanërisht të Labërisë dhe të Vlorës Read More »

Si u vra Isa Boletini, dëshmia e rrallë: I zumë pritë nga të dy krahët e urës në Podgoric

Nga Roland Qafoku*

Si u vra Isa Boletini, dëshmia e rrallë: I zumë pritë nga të dy krahët e urës në Podgoric Read More »

Mësonjëtorja e parë dhe fati tragjik i Pandeli Sotirit

Pandeli Sotiri është një nga personalitetet më të mëdha të letrave shqipe. Drejtori i parë i Mësonjëtores do ta bashkojë fatin me institucionin e parë të gjuhës shqipe, mësonjëtoren e parë të Korçës. Por dhe ai si shumë patriotë të tjerë që iu përkushtuan gjuhës shqipe do të kishte një fat tragjik. Në rastin e tij kemi të bëjmë me një kolonë të pestë. E shoqja që ishte vajza e një despoti grek, sajoi me të atin një vdekje aksidentale të patriotit, sigurisht në moshë të re.

Pandeliu do të lindë në vitin 1843 në Selckë të Lunxhërisë në Gjirokastër. Mësimet e para do t’i merrte nga patrioti Koto Hoxhi dhe do të dallohej që në vogëli për zgjuarsinë e tij, duke përfituar shpejt njohuri dhe kulturë të gjuhëve të huaja. Pas fatkeqësive familjare, detyrohet me të vëllain të emigrojë në Austri, ku kryen dhe studimet e larta. Në Vienë do të diplomohet për mjekësi.

Në rrethet intelektuale që frekuentonte, flitej për lëvizje të mëdha kombëtare, ndaj ai do të mësojë më shumë për lëvizjen kombëtare shqiptare, për Rilindjen, dhe vendos t’i përkushtohet me çdo aftësi të tij, çështjes kombëtare. Në vitin 1870 ai do zhvendoset në Stamboll dhe nëpërmjet mësuesit të tij , Koto Hoxhit, do të miqësohet me patriotët e mëdhenj shqiptarë si vëllezërit Frashëri, Vreto, Kristoforidhi etj. Do të marrë pjesë në grupe të rëndësishme patriotike, duke u shquar për vlerat e tij intelektuale dhe atdhetare.

Shoqëria, e cila kishte seli në tre shtete :Bukuresht, Stamboll dhe Kairo, filloi përpjekjen serioze për hapjen e shkollës në Korçë, duke angazhuar gjithë patriotët shqiptarë. Pandeliu hapi disa gazeta të shquara ku dallohet “Prometeu”, “Drita”, “Dituria”,  misioni  i të cilave ishte krejtësisht atdhetar.

Pandeliu ishte një intelektual shumë i shkathët dhe kudo ku shkoi, u shqua për aftësi të mëdha organizative në hapjen e revistave dhe gazetave që do të kontribuonin në zhvillimin e arsimit kombëtar.

Shoqëria e Stambollit që pati degët e saj dhe në Bukuresht e Egjipt dhe që drejtohej nga Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Hasan Tahsini nënshkruan “Platformën e Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. Aty u miratua  alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe sipas projektit të Sami Frashërit. Alfabeti i Stambollit me anë të të cilit u botua Alfabetarja e gjuhës shqipe solli dhe mundësinë e botimit të librave shqip.

Duke qenë se në Stamboll kishte shumë vështirësi në botimin e librave në gjuhën tonë amtare, Pandeliu u dërgua në Bukuresht, ku ishte një koloni shqiptarësh patriotë që mbështesnin fuqimisht çështjet kombëtare. Kështu u krijua një fushatë për mbledhjen e fondeve të nevojshme. Fushata mblodhi 15 mijë franga, duke krijuar kështu vatrën e përgatitjes së librave, mbledhjes së dorëshkrimeve dhe porositjes së shkronjave në Vjenë. U hap shtypshkronja shqipe, e cila mori emrin Shtypshkronja e Bukureshtit.

Mësonjëtorja e parë shqipe e Korçës

Duke qenë se në Shqipëri ishin hapur shumë shkolla por asnjë shqip, patriotët e mëdhenj e kishin synim të tyre, ndër më madhorin të hapej një shkollë shqipe. Dhe kjo detyrë e madhe kombëtare iu caktua Pandeli Sotirit. Drejtori i ri i shkollës arriti në qytetin e shenjtë të Korçës me 150 abetare nga Bukureshti. Do të arrihej më së fundi misioni i madh historik i Rilindjes: hapja e mësonjëtores shqipe që do hynte në historinë e kombit shqiptar si një ndër ngjarjet më të shënuara të historisë.  Shkolla do kishte karakter kombëtar dhe do ishte laike.
7 marsi i vitit 1887 ishte ndoshta një nga ditët më të bekuara të Korçës. Fillimisht u paraqitën 35 nxënës dhe më vonë u bënë 60.  Përpara nxënësve dhe prindërve që i shoqëronin, Pandeliu mbajti një fjalim interesant,  i cili foli për këtë akt të rëndësishëm me karakter kombëtar, një akt që më së fundi finalizoi përpjekjen e dhjetëra patriotëve shqiptarë që dhe jetën e jepnin që fëmijët shqiptarë të mësonin shqip.

Në shkollë mësohej këndim, gramatikë, histori, gjeografi, aritmetikë, dituri natyre dhe disa gjuhë të huaja.

Mësonjëtorja e Korçës ishte dallëndyshja e parë që u shoqërua dhe me shkolla të tjera që u hapën në Pogradec, Kolonjë, Berat, Vlorë e Gjirokastër.

Bazën teorike dhe pedagogjike të mësonjëtoreve e hartuan Naimi, Samiu, Vretoja.  Ndërkohë që si mësues përveç Pandeliut u dalluan dhe Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi e më pas motrat Qiriazi.

Mallkimi i shkronjave shqipe

Por me gjithë përpjekjet e mëdha të atdhetarëve shqiptarë përsëri vazhdonte mallkimi i shkronjave shqipe. Qarqet shoviniste greke që prej kohësh persekutonin e vrisnin të gjithë ata që guxonin të shkruanin shqip do të martirizonin dhe drejtorin e parë të shkollës shqipe.

Profesor Dhimitër Shuteriqi shkruan: kjo luftë u zhvillua përmes kërcënimesh e viktimash sidomos pas krijimit të Shoqërisë së Stambollit dhe çeljes së shkollave shqipe. Pandeli Sotiri mbeti i pari në këtë luftë pas  Naum Veqilharxhit e më pas edhe Petro Nini Luarasi.I martuar me një grua, e bija e një dhespoti grek, me të cilën nuk kishte lindur fëmijë, ajo së bashku me të atin e saj kurdisën aksidentin e rënies së Pandeliut nga kati i tretë i shtëpisë në Stamboll. Humbja tragjike dhe e parakohshme e tij, e kurdisur nga armiqtë e kombit shqiptar, shkaktoi hidhërime në të gjithë shqiptarët…

E madhe ishte dhimbja për humbjen e këtij njeriu të madh. Doktorit që ia kushtoi jetën veprimtarisë patriotike dhe shkronjave të arta shqipe. Për kontributin e madh që ai dha në historinë shqiptare, në fushën e arsimit dhe bekimin dhe jetën që i dha shkronjave shqipe ai jo vetëm që zë një vend të rëndësishëm ndër patriotët e Rilindjes por do të jetojë në jetë të jetëve Mësonjësi i parë i gjuhës shqipe. /konica.al/

Mësonjëtorja e parë dhe fati tragjik i Pandeli Sotirit Read More »

A ishin më të shkolluar kryeministrat shqiptarë më parë sesa ata që po garojnë sot?

Kryeministrat e parë shqiptarë ishin zë i fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve, bartës të proceseve të mëdha, ndërtues të marrëdhënieve ndërkombëtare të shqiptarëve me shtetet tjera perëndimore, të ndjekur nga komunizmi, themeluan alfabetin dhe shkollat shqipe…

Ata njihnin disa gjuhë të huaja, kurse kishin mbaruar studimet në qendrat më të njohura universitare të asaj kohe si: në Itali, në Austri, në Zvicër, në Stamboll, në Romë…

Kryeministri i parë shqiptar Ismail Qemali u diplomua në gjimnazin Zosimea në Janinë. U arsimua në Paris për Shkenca Juridike dhe Ekonomike. Me këtë edukim ai ishte një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe.

Njihej si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten.

Ai u vlerësua nga qeveria turke si një diplomat, deputet, udhëheqës shteti, mendimtar, ndërsa mbajti disa pozita të rëndësishme e larta në qeverinë turke.

Asnjë kryeministër shqiptar nuk njihte më pak se katër gjuhë të huaja

Kryeministri i 2-të shqiptar Turhan Pashë Përmeti rridhte nga familjet e mëdha të qytezës së Përmetit në vilajetin e Janinës.

Ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Athinë, ka marrë mësim nga disa pedagogë privatë njohuri mbi të drejtën ndërkombëtare, të drejtën romake, mbi historinë e hartimit dhe të nënshkrimit të të gjitha marrëveshjeve duke filluar nga Paqja e Vestfalisë (1648) e deri në vitin 1815 Kongresi i Vjenës dhe njohuri mbi ekonominë ndërkombëtare, përcjell “Zeri.info”.

Njihte turqisht, frëngjisht, greqisht , italisht…

Ndër postet që ai ka pasur në perandorinë Otomane ishte Guvernator i Kretës në vitet 1895 dhe 1896 dhe ambasador në Shën Petërsburg.

Delvina, kryeministri që vendosi marrëdhënie diplomatike me shtetet e huaja

Një kryeministër tjetër ishte Sylejman Delvina ishte politikan i shquar shqiptar, kryeministër për periudhën 30 janar 1920-14 nëntor 1920 dhe pjesëtar i qeverisë së Fan Nolit…Studimet i ka kryer në Stamboll në vitin 1898, Universitetin “Mylkie”.

U emërua atashe në MPB-në Osmane dhe më pas sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë, si dhe profesor në liceun e Gallatasarait e në gjimnazin e Vefa-s.

U bë shef seksioni në MPB dhe drejtor i përgjithshëm i vilajeteve. Ishte një ndër figurat qendrore të klubit shqiptar të Stambollit. Ishte zë i mbrojtjes dhe zhvillimit të të drejtave të shqiptarëve. Ishte një nga nënshkruesit e thirrjes së 18 nëntorit dorëzuar përfaqësive të Fuqive të Mëdha në Stamboll ku kërkohej të njiheshin të drejtat kombëtare të popullit tonë, transmeton “Zeri.info”.

Në prill 1919 kolonia shqiptare në Turqi, e dërgoi atë në Konferencën e Paqes në Paris, për të mbrojtur në emër të saj interesat e Shqipërisë…

Qeveria Delvina njihet se drejtonte në atë kohë pjesën më të madhe të vendit dhe u përpoq që të kishte jehonë edhe në fushën ndërkombëtare, duke vendosur marrëdhënie diplomatike me shtetet e huaja, me kusht që të respektohej tërësia territoriale e Shqipërisë.

Kryeministri që Franca e dekoroi dhe komunizmi ia humbi varrin

Një tjetër kryeministër është dhe Iliaz Vrioni, tre herë kryeministër nga 1921 deri më 1925, ishte i biri i Mehmet Ali Pashë Vrionit, nën-kryetarit të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa vet ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar së. Shërbeu tre herë si kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë si Ministër i Jashtëm dhe si Ministër i Plotfuqishëm i Shtetit Shqiptar në Paris, Francë. Shërbeu gjithashtu për një kohë shumë të gjatë si Deputet i Parlamentit të Shqipërisë.

Vrioni, për kontributin e tij të pasur në marrëdhënie ndërkombëtare, është dekoruar nga Republika Franceze në vitet 1920 me urdhrin e lartë Grand Officier de la Légion d’Honneur, përcjell “Zeri.info”.

Në vitin 1946, regjimi dikatorial ia zhvarros eshtrat e ish kryeministrit Iliaz Vrioni, siç thuhet për t’i hedhur ato në lumin Osum të Beratit. Eshtrat e e tij vazhdojnë të mbeten të humbura duke e lënë ende pa marrë ish kryeministrin shqiptar.

Evangjeli, kryeministri që përpiqej të hapte katedrën e shqipes në qendrat evropiane

Një nga 33 kryeministrat shqiptar Pandeli Evangjeli që ishte katër herë kryeministër luajti një rol të jashtëzakonshëm në forcimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Si anëtar i shoqërisë “Dituria” në Bukuresht do të jap kontributin e tij në botimin dhe përhapjen e librit shqip në gjithë trevat ku jetonin shqiptarë, me qëllim që ata të mësonin të lexonin dhe të shkruanin gjuhën e tyre.

Nën drejtimin e Pandeli Evangjelit, shoqëria “Dituria” botoi abetaret e para shqipe, gjithë librat e Naimit e të Sami Frashërit, si dhe shumë të tjera. Librat shpërndaheshin falas në të gjitha trevat shqiptare, transmeton “Zeri.info”.

Pandeli Evangjeli, ishte autodidakt, i kulturuar, që njihte shumë mirë greqishten, rumanishten, frëngjishten. Ai kishte kontakte dhe letërkëmbime me shumë personalitete të huaja, si dhe akademik që lobuan për çështjen shqiptare si akademikun e shquar rumun Vasil Urechea, filologun e shquar francez, doktor Louis Benloew, dekan në Universitetin e Dijonit, ndërsa në bashkëpunim me E.

Legdrand (studiues i njohur francez), që në atë kohë Pandeliu u përpoq të hapte një katedër të gjuhës shqipe në Paris. Këto përpjekje patën rëndësinë e tyre sepse në vitet 1896-1898 bënë të njohur problemin shqiptar në qarqet shkencore evropiane.

Hasan Prishtina, shqiptari i pasur që shkriu pasurinë për kombin

Një nga kryeministrat që shumë pak i zgjati mandati por dha kontribut të madh në pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit shqiptar është edhe Hasan Prishtina përndryshe llogaritet kryeministri i 8-të shqiptar. Prishtina ka mbaruar gjimnazin grek të Selanikut ku mësoi edhe gjuhën frënge, në Stamboll u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, përkatësisht në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike.

A ishin më të shkolluar kryeministrat shqiptarë më parë sesa ata që po garojnë sot?

Ishte ithtar i ideve të Revolucionit Francez (1789-1794). Ai njihte shumë gjuhë: anglishten, arabishten, çerkezishten, frëngjishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten e turqishten. Brenda një kohe të shkurtër zuri pozita të rëndësishme në administratën turke dhe arriti të bëhet edhe kryekonsull në shtetin e Turqisë.

Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman si përfaqësues i Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, transmeton “Zeri.info”.

Në parlament luftoi për të drejtat e shqiptarëve, për njohjen zyrtare të kufijve të Shqipërisë, për hapjen e shkollave shqipe, për administratën shqiptare në Vilajetet shqiptare, që ushtria shqiptare të shërbejë në Shqipëri me oficerë vendas, etj.

100 vjet më parë diplomati dhe ideologu shqiptar Hasan Prishtina, shqiptari i pasur që shkriu pasurinë e tij, si dhe mblodhi të holla për të çuar në Shkollën Normale të Elbasanit djemtë shqiptarë nga Kosova.

Kryeministri i 10-të shqiptar Xhafer Ypi ishte ishte një politikan shqiptar, i edukuar në një universitet në Stamboll. Në 1920-1921 ai ishte ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministrit të Drejtësisë. Ai gjithashtu ka mbajtur postin e Ministrit të Rendit Publik. Si udhëheqës i Partisë Popullore, në fund të dhjetorit 1921 ai formoi një qeveri ku Fan S. Noli ishte Ministri i Punëve të Jashtme dhe Ahmed Zogu ishte Ministri i Punëve të Brendshme….

Kryeministri i 14-të Mehdi Frashëri u diplomua në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative/njekomb

A ishin më të shkolluar kryeministrat shqiptarë më parë sesa ata që po garojnë sot? Read More »

“Historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm kur shqiptarët të marrin pjesë në shkrimin e saj”

“…historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm kur shqiptarët të marrin pjesë në shkrimin e saj”. Në facebook, dikush pyeti nëse Lamberci tallej me shqitarët me këto fjalë? Jo,  Lamberci e kishte seriozisht!

Kur Maksimilian Lamberci i shkroi këto fjalë në studimin “Një vështrim mbi letërsinë shqipe” (1956), ai nisej nga hulumtime të thella që kishte kryer prej dekadash.

Maximilian Lamberc (1882 – 1963) e kishte studiuar shqipen (gjuhë, kulture, foklor) një jetë të tërë. Si albanolog, Lamberc jetoi për një vit (1907) mes arvanitasve në Greqi.

Publikimi i tij i parë në fushën e studimeve shqipe ishte një libër gjuhe dhe leximi shqip më 1913; pastaj shkoi në Italinë e Jugut për të shqyrtuar të folmet shqip atje; në veçanti iu kushtua dialektit verior arbëresh në Abruzzo dhe Molise, sidomos dialektit  në Badhesas (Villa Badessa).

Nga maji në qershor 1916, Lamberc  shkoi në Shqipërinë veriore dhe qendrore duke regjistruar për herë të parë mbi baza shkencore gjuhën dhe folklorin shqiptar.

Në këtë udhëtim ai vizitoi Grudën, Shkodrën, Lezhën, Krujën, Tiranën, Durrësin, Luginën Kir, Shoshin, Shalën, luginat e Drinit dhe të Valbonës dhe sidomos Mirditën.

Në dhjetor 1916 ai u kthye në Shqipëri, këtë herë me trupat perandorake austriake që kishin pushtuar Shqipërinë veriore dhe qendrore në kuadër të Luftës Botërore.

Ai ishte ngarkuar për krijimin e  sistemit arsimor shqiptar dhe ishte anëtari i vetëm i huaj i Komisisë Letrare Shqipe që autoritetet austriake kishin formuar per krijimin e një sistemi shkollor të njësuar për mbarë Shqipërinë.

Në Shkodër, Lamberc ishte me Gjergj Fishtën botues i gazetës Posta e Shypnisë në të cilën botoi edhe disa studime të vetat.

Pas Luftes I Boterore Lambertz u kthye në Austri, dhe shkroi disa  libra dhe artikuj mbi aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare, veçanërisht folklorit.

Fundi i Luftës II botërore e gjeti Lambercin në Gjermaninë Lindore nën kontrollin sovjetik. Në qershor të vitit 1945, ai u emërua drejtor i shkollës së gjuhëve të huaja në Lajpcig dhe në tetor 1946, bëhet profesor i Gjuhësisë Krahasuese.

Deri sa doli në pension, më 1957, Maksimilian Lambertz drejtoi edhe  Institutin e gjuhëve indo – evropiane.

Lamberci e vizitoi Shqipërinë në qershor të vitit 1954 dhe në vitin 1957.  Edhe pas prishjes së marrëdhënieve të ngushta politike midis Shqipërisë dhe vendeve të bllokut sovjetik, Lambers refuzoi t’i shkepuste  lidhjet e tij me Shqipërinë në fushën e gjuhës dhe kulturës.

Në pritjet e ambasadës shqiptare në Berlinin lindor, ai merrte pjesë vazhdimisht duke u interesuar për ecurinë e studimeve albanologjike në vend.

Maksimilian Lamberc vdiq më 26 Gusht 1963; autoritetet komuniste gjermano lindore lejuan që trupi  të varrosej në Vjenë, duke respektuar dëshirën e tij të fundit./VOA

“Historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm kur shqiptarët të marrin pjesë në shkrimin e saj” Read More »