Histori

Shqiptarët, themeluesit e Akademisë së Athinës

Për krijimin e shtetit të ri grek, shqiptarët ose arvanitasit kanë kontribuar në të gjitha drejtimet për ecurinë përpara të Greqisë. Arvanitasit ishin profesorët e parë që themeluan Akademinë e Athinës.

Që në vitet e para të Revolucionit të 1821, luftëtarët e lirisë kishin dëshirë të themelonin Akademinë, sepse besonin se arma më e fuqishme ndër të gjitha ishte ndriçimi i trurit.

U bënë shumë përpjekje për të hapur Akademinë, por dështuan. Vetëm në vitin 1926 ministri i atëhershëm i arsimit Dhimitër Egjiniti, arvanitas nga Egjina, raportoi dhe u botuan Urdhëresat Kryesore më 18 mars 1925 dhe u bë realitet Akademia e Athinës me pamjen e brendshme dhe misionin e sotëm.

Ndërtesa ku strehohet Akademia ka një histori interesante.

Më 1856 tregtari  i pasur nga Voskopoja e Korçës në Vjenë të Austrisë, Simon Sina, dëshironte t’i bënte një dhuratë të madhe Greqisë, brenda në Athinë. Simon Sina ishte djali i Gjergj Sinës ish Konsull i Përgjithshëm në vitin 1834 i qeverisë greke në Austri.

Familja Sina ishin me origjinë nga Bithkuqi (sot Vithkuq) i Korçës, por që andej ishin ngulur në Voskopojë dhe më vonë u vendosën në Vjenë. (http://konica.al/2017/07/miliarderet-sina-nje-dinasti-shkelqimi-voskopojar-ne-zemer-te-vjenes/)

Kështu Simon Sina për dhuratën që dëshironte të bënte në Athinë e bisedon me ambasadorin e Greqisë në Austri, z.Skina, dhe ai menjëherë i diktoi të ndërtojë pallatin e Akademisë. Sina e pranoi dhe i paraqiti planet inxhinierit Teofil Hanse, i cili na dha kryeveprën që është akoma sot ndërtesa e Akademisë.

Natyrisht punuan shumë artistë, mjeshtra ndërtimi, skluptorë dhe piktorë, por çelësi ishte Teofil Hanseni.

Më 1859 filluan punimet e para. Në vitin 1863 Sina ndërpreu punimet, sepse, siç është shprehur, erdhi në front mbreti Othon. Mërzia i kaloi pas disa vitesh, dhe më 1868,  ky bamirës vendosi të rifillojë punimet.

Më 15 prill 1876, Simon Sina vdes duke lënë trashëgimtar vetëm dy vajza dhe, në bazë të testamentit të tij, e vazhdoi dhe e mbaroi veprën  që ai nisi, gruaja e tij Ifigjenia Sina më 1885.

Kur u hapën portat e Akademisë më 1885, Ifigjen Sina i dha si dhuratë kryeministrit Deljani 800.000 mijë dhrahmi, por ai nuk e pranoi dhuratën.

Vitin tjetër Harrilla Trikupi u interesua për atë shumë tepër të madhe për kohën, por atëherë trashëgimtarët e Sinës ishin varfëruar.

Kështu hapja e Akademisë së Athinës u dedikohet, pra, dy arvanitasve të vërtetë, Teodor Pangallo, që ishte atëherë në brendësi të punimeve, dhe arvanitasit tjetër Dhimitri Egjiniti, që ishte atëherë ministër i Arsimit.

Vallë a është rastësi, që me armët e shqiptarit u bë Greqia e re?

Ndoshta! Vallë rastësi, që zgjuarsia shqiptare formoi dhe zhvilloi trurin e Akademisë së Athinës?

Ndoshta! Është më e pëlqyeshme kështu se sa të mbahet në heshtje dhe ky fakt i vërtetë i kontributit shqiptar për krijimin dhe ecurinë e Akademisë së Athinës, vatra e zhvillimit të shkencës greke.

(u shfrytëzuan materialet e historianit Arben Llalla)

Shqiptarët, themeluesit e Akademisë së Athinës Read More »

Migjeni, letrat e të dashurës: Do vras veten nga dëshpërtimi

Askush nuk di të thotë se si do të mund të transformohej Migjeni, nëse do të kishte jetuar gjatë dhe të përjetonte realizmin socialist.

Ai vdiq në 26 gusht të vitit 1938, në moshën 27- vjeçare dhe për aq sa la pas, ai është konsideruar si një “uragan i ndërprerë”.

Dhimbja që shkaktoi vdekja e tij te njerëzit e dashur ishte e jashtëzakonshme. Këtë e dëshmojnë letrat që e dashura e tij, Bojka Nikolla, i dërgon motrës së Migjenit, njëkohësisht mikeshë e saj, menjëherë pas lajmit të keq. Në zgrip të dëshpërimit ajo mendonte t’i jepte fund jetës.

Letrat që ajo i dërgonte Ollgës janë përfshirë në librin e studiuesit Nasho Jorgaqi, “Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve”.

Letrat e shkruara me dorë, të një epoke tjetër, edhe në mos qofshin të bukura për t’u lexuar, janë gjithmonë interesante. Mes radhësh lexon e, pjesërisht kupton, vitet nëpër të cilat kanë jetuar ata që i kanë shkruar.

Për shembull, në këto letra të gjata që mikesha e Migjenit, pas vdekjes së tij, i shkruan motrës së shkrimtarit, nuk ngjajnë me asgjë, as me më të ndjeshmin e romantikun e kohëve të mëpasshme (do ishte e tepërt të thoshim të sotshme).

Bojka Nikolla, më shumë sesa për të zbrazur dhimbjen e saj, duke i shkruar Ollgës, përpiqet t’i lehtësojë dhimbjen, t’i gjendet afër, qoftë edhe me fjalë ngushëlluese.

Ato nuk i lidhte vetëm Milloshi; të dyja, qysh më herët kanë qenë mikesha, ndërsa tani, kur shkruhet letra, i bashkon një dhimbje e madhe.

Dallohet një kujdes gati i tepruar i Bojkës, përmes fjalëve dashamirëse, për ta bërë Ollgën të ndihet më mirë. Ajo nuk merr përgjigje; mjaftohet me faktin që mund të jetë ngushëlluese. Nëpër radhë, përveç gjendjes së saj pas humbjes së të dashurit, do të njiheni edhe me dashurinë e tyre, ç’marrëdhënie kishin.

Nga ana tjetër, bisedat tregojnë gjithashtu për komunikimin e Migjenit me të motrat.

Këto letra janë pjesë e librit “Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve” të studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, i cili skalit portretin e një prej poetëve më të mëdhenj shqiptarë, një prej themeluesve të prozës moderne shqipe, përmes kujtimeve të miqve të tij bashkëkohës.

Ndërsa vetë Jorgaqi rrëmon në bibliotekën e Migjenit, nëpër librat e tij, për të kuptuar më shumë nga ajo dritë që ndriçonte shpirtin e gjeniut, që u fik, në moshën 27-vjeçare.

E ndër të tjera, edhe letrat e Bojkas që i dërgon të motrës së Milloshit, ku i zbraz dhimbjen dhe ato momente dëshpërimi, gjatë të cilave mendonte t’i jepte fund jetës…

Letrat janë dërguar vetëm pak ditë pas vdekjes së Migjenit, i cili u nda nga jeta në 26 gusht 1936. Lexojini vetë, për të jetuar disa minuta në një epokë dashurie të vërtetë.

PJESË NGA LIBRI “MIGJENI NË KUJTIMET E BASHKËKOHËSVE” TË NASHO JORGAQIT

“Ollga ime e dashur,

Sillem nëpër shtëpi dhe qaj. Qaj si rrallë kur. Qaj dhe të dëgjoj edhe ty si qan. A të shkon nëpër mend se edhe unë, në të njëjtën kohë, qaj me ty Mirkon e dashur?

Do të donja të më dëgjoje se si dhe unë dënes me zë me ty. Oh, sa fatkeqe që jemi! Si nuk mund të vi tek ti të të përqafoj e dashura ime Ollga fatkeqe!

Ndoshta je krejtësisht vetëm atje?! E ndiej dhëmbjen tënde thellë, sepse është në të njëjtën kohë edhe dhëmbja ime.

Unë e kam dashur dhe respektuar. Unë nuk mund të ngushëllohem derisa mos të të shoh. A thua unë do të mund të të jap pak ngushëllim? Gjatë kësaj kohe jam në shtëpi, kam pasur momente që të vendosja për vetëvrasje.

Një dëshpërim i papërshkruar, nerva të tendosura më kishin mbërthyer. Më dukej në disa momente se po shkoja drejt çmendurisë. Një shqetësim kishte pllakosur shpirtin tim.

Dhe vetëm një gjë mendoja, një gjë të vetme dëshiroja, një gjë të vetme shpresoja dhe një gjëje të vetme i gëzohesha: ardhjes tënde. Por kur dëgjova se vetëm nga fundi i tetorit do vije, më lëshoji edhe ajo shpresë e vetme, kjo dëshirë e vetme, i vetmi gëzim që prisja.

Më dukej kjo tepër larg. Kur u lirova nga prangat e provimeve u ula që të shkruaj që këtej, por ndër ato ditë ndjeva dallgë të mëdha jetësore, që më hodhën dhe më coptuan pamëshirshëm në të gjitha anët. Ditët u bënë për mua gjithnjë e më të hidhura, shqetësimet në shtëpi gjithnjë e më të shpeshta, ndërsa varfëria bënte që të mos mendoja në asgjë tjetër.

Qenë atëherë këto momente, por vetëm momente, kur çdo gjë dukej e mundur. Por koha tashmë kishte kaluar dhe të gjithë, tek të cilët u interesova për adresën tënde, më thanë se sigurisht ti do ta kishe lënë qytetin.

Atëherë u shqetësova duke i numëruar ditët që duhet të kalonin derisa të të shihja më në fund. Plot një javë para se të merrja këtë lajm të zi, e kam parë në ëndërr pikërisht Mirkon tonë.

As që më shkonte nëpër mend se ishte aq keq, sepse për sa kam qenë e informuar si edhe pse ishte në sanatorium, kam kujtuar se ishte atje më shumë për studime, siç më pat thënë edhe vetë ai. Kur u zgjova nga ëndrra mendova se ç’është kjo që duhet të di-me siguri Mirko ende mendon për mua, thashë me vete, edhe përsëri mendova të të shkruaj, por në kokën time kishte ende shpresë dhe përsëri u ndala. Ndërsa dje mora vesh për këtë të vërtetë të tmerrshme, e cila më ka shkatërruar fare.

Unë do të kisha shumë për të treguar nga jeta e të dashurit tonë, Mirkos, dhe të të them ty se edhe ai në jetë ka qenë i lumtur. Kjo për mua është ngushëllim e mendoj se ashtu do të jetë edhe për ty, prandaj do të them vetëm diçka për këtë.

Ndoshta edhe ti vetë e ke vërejtur se ai më ka dashur, edhe pse unë këtë e kam fshehur prej teje sipas dëshirës së tij.

Kur e kam pyetur se duhet të të them ty, sepse unë me ty gjithnjë kam thënë gjithçka, ai m’u përgjigj:

“Më mirë mos, motrat ndoshta e shohin edhe vetë, por unë nuk dëshiroj që ato, qoftë edhe për një çast, të mendojnë se unë dashurinë time ia fal edhe ndokujt tjetër përveç tyre”.

Pas kësaj unë i thashë se dashuria e tij ndaj jush do të mbetet kurdoherë e paprekur dhe dashuria ndërmjet nesh është një lloj tjetër dashurie, entuziazëm, që nuk e gjen në jetë shpesh dhe se ju, motrat e tija, do të gëzoheshit për këtë. Dhe mbeti ashtu siç deshi ai. Unë kundrejt tij kam qenë, mund të them lirshëm, shumë e përkujdesur.

Nuk është se jam shtirur, por ashtu e kam ndjerë veten, ka qenë kjo krejtësisht në mënyrë të sinqertë dhe ai e meritonte. Kur ma shfaqi dashurinë për të parën herë me anë të një letre, unë i jam përgjigjur se edhe tek unë ka lindur e njëjta ndjenjë dhe se edhe unë e dashuroj dhe e respektoj.

Më vonë qe i lumtur. Këtë e keni vërejtur, kur unë fillova t’ju vizitoj aq shpesh. E kemi kaluar kohën me biseda e këngë.

Ja disa nga fjalitë e tija nga letra e parë, që janë gdhendur në kujtesën time:

“Ti je kundrejtmeje aq e ëmbël, më e ëmbël sesa ëngjëlli që nuk ekziston… Kam dashuruar e kam puthur, por vetëm te ty kam gjetur qenien e vërtetë shoqërore”.

Dhe më në fund përfundonte kështu: “Sidoqë të shkojnë punët, ne mbetemi miq, si thua Bojka? Se unë jam mësue me dështime, që jeta m’i ka kurdisur në çdo hap, moj Bolko (dhimbja) ime”. Në rastin më të parë unë iu luta të ma shpjegonte pse më ka quajtur Bolko. Më tha se unë për të mund të isha dhembje po mos ta dashuroja.

Unë i thashë se një gjë e tillë nuk mund e nuk do të jem në asnjë mënyrë sepse e dashuroj dhe që kjo mos ta shqetësoj fare- dhe në fakt e kam dashur.

Ndoshta do të pyesësh pse nuk kemi shkëmbyer letra më vonë, kur unë erdha në Tiranë.

Kjo përsëri ka qenë dëshira e tij, sepse kishte frikë që të mos më dëmtonte. Ty të kujtohet se unë për këto gjëra kam qenë e pafuqishme dhe se në kundërshtim me çdo gja, madje edhe këtë që më kishte ndaluar, e kam kërkuar shoqërinë tuaj, se ajo ka qenë për mua më e këndshmja dhe më e sinqerta.

Kur po përgatiteshim për në varkë për herën e dytë dhe që unë nuk mendoja të shkoja edhe ai vetë kishte hequr dorë, duke e justifikuar se nuk e ndiente veten mirë.

Kur erdha në atë mëngjes te ju, e pyeta Çvetkën: “Ku është Mirko?”, më tha se është në dhomë. Unë hyra pa u ndjerë tek ai. Rrinte te tryeza dhe shkruante. Kur më pa i shkëlqeu fytyra nga buzëqeshja. Unë i përkëdhela flokët dhe e pyeta çfarë do të shkruante dhe ai m’u përgjigj: “Për ty e dashur, lexoje!” Të bekoj, o shi… që u bëre shkas të qëndroj te shtëpia, të jem sa më afër Bojkës sime të dashur dhe të mos shkoj në Vrakë.

Jam i lumtur dhe i stërlumtur…”. Unë fillova të qeshja dhe ai më ndërpreu, që të lexoja më tutje dhe më tha me gëzim: “Kur je ti këtu, atëherë edhe unë jam shëndoshë-të shkojmë së bashku!”.

Dhe kjo ditë qe për të plot gëzim, këtë ma tha më vonë dhe mua më kujtohet, sepse kam qenë kundrejt tij e përkujdesur edhe pse dëgjoja andej këndej qortime nga injorantët, të cilët të gjitha këto i shikonin me sy tjetër.

Por, megjithëkëtë, e qortoj veten që në kohët e fundit nuk i shkrova ndonjëherë. Por ku ta dinja unë, fatkeqja, se ai do të na linte shpejt? Unë gjithnjë kam shpresuar se do të përjetonim një çast të lumtur kur ti do të diplomoheshe, se do vije këtu së bashku me mua dhe e mendoja atë ditë si diçka madhështore.

Ky ka qenë gëzimi im i parë për të cilin kam shpresuar. Fatkeqësisht ky gëzim qe vetëm iluzion. Kjo vdekje është fatkeqësi e madhe, Ollga ime e dashur. Nuk e ndjen vetëm ti humbjen, por edhe ne që e njohëm dhe e tërë shoqëria, sepse ai ka qenë me të vërtetë një qenie shoqërore, një personalitet që do t’i kishte sjellë shumë dobi shoqërisë.

Por jeta, ajo që do, që ndjen dhe kupton, është e shkurtër. Të lutem e dashura ime Ollga, bëhu trime sa të jetë e mundur më shumë.

E kemi për detyrë t’i bëjmë ballë çdo fatkeqësie që na ndodh në jetë. Unë e ndjej edhe dhembjen tënde, edhe vetminë tënde dhe sigurisht që dëshiron të shihesh me motrat dhe me to të vajtosh, por e di që edhe këtu ke një pengesë- detyrën që ke marrë përsipër. Kemi për detyrë që të jetojmë dhe punojmë për të tjerët, si ti ashtu edhe unë.

E di që s’je e qetë, e kuptoj plotësisht gjendjen tënde të rëndë e kritike dhe e ndjej të vërtetën e tij edhe unë, e dashur Ollga, e di që s’mund të mendosh e jo më të mësosh, e di që je fatkeqe për shkak të humbjes shumë të madhe e të pazëvendësueshme, por të lutem mendo për ata, që pas tij i do më shumë dhe le të jenë për ty ngushëllimi dhe kuptimi i jetës.

Sepse është e lehtë t’u japim fund jetëve tona, unë do ta bëja e para këtë gjë, sepse për mua e tërë jeta është një mizerje, kudo pengesa e fatkeqësi, por duhet ecur përpara për të mirën e të tjerëve.

“Dashuria njerëzore”-ishte parimi i Mirkos sonë të dashur, ti këtë e di dhe do ta mësojnë të gjithë, sepse kështu njoftojnë edhe gazetat, dhe ai do të rrojë gjithmonë në ndjenjat e kujtesën tonë dhe në veprat e tija.

Të përqafoj me dhembje në shpirt, Ollga ime e dashur, dhe të lutem t’i dëgjosh lutjet e mia, të bëhesh trime, trime e vërtetë, që të përballosh me kurajo fatkeqësinë.

E jotja Bojka

Pres të më dërgojnë adresën tënde dhe prit këtë letër të dhimbshme.


Çdo ditë që kalon, dhimbja ime për Mirkon bëhet më e madhe. Diçka më shtrëngon në gjoks kur mendoj për atë, për ty dhe motrat e tua, më zgjohen kujtimet e kohës kur ishim së bashku. Kam menduar se do të ripërtërihen…

Më beso, që të them, se deri tani asnjë nuk kam qarë si atë. Vdekja e askujt nuk më ka paralizuar kaq shumë forcat dhe gjallërinë si ajo e tija; asnjëherë nuk kam qenë më e humbur në vetvete sesa tani dhe pareshtur mendoj për ty, o e dashura ime Ollga, për motrat e tua, për Çvetkën, që ka sakrifikuar aq shumë, por më tepër mendoj për ty, sepse ti tani je në gjendje më të vështirë. Jam me ty edhe pse ti nuk më shikon.

E jotja Bojka

Në qoftë se gjen mundësinë, më shkruaj e dashur Ollga në adresën: B Nikolla/ rruga “Miss Edith Durham” 17/ 9.IX.1938

P.S Sot mora adresën tënde dhe nxitoj të të dërgoj këtë letër. Pareshtur mendoj për ty Ollga ime e dashur. E ndjej dhembjen tënde po aq sa ti dhe gjithnjë mendoj si ndjehesh dhe çfarë bën tani. Bëhu trime, të lutet Bojka jote, më beso se të dua me gjithë thellësinë e shpirtit, Ollga ime. Të përqafoj me dhembje në shpirt.

E jotja Bojka

ANI JAUPAJ/Panorama/d.i.

Migjeni, letrat e të dashurës: Do vras veten nga dëshpërtimi Read More »

Gurëzeza misterioze e Ilirëve

Gurëzeza herë duket si një legjendë, e herë si një rrëfenjë e humbur edhe pse në të vërtetë është një qytet i dikurshëm ilir, që ngrihet mbi shpinën e fshatit Cakran të Fierit. I vendosur në rrugën e natyrshme që lidhte Bylisin me Apolloninë, ky qytet ka patur kulmin e jetës së tij në shekullin e III para Krishtit. Sipas gërmimeve arkeologjike, fillesat e Gurëzezës i gjejmë që në periudhën protoqytetare, e cila më pas mori zhvillim të natyrshëm me kalimin e shekujve. Periudha e tretë përfaqëson edhe të fundit për këtë qytet i cili në vitin 167 u shkatërrua nga konsulli romak Pal Emili, gjatë fushatës së tij të njohur shkatërrimtare që çoi në djegien e mëse 70 qyteteve në Ilirinë e Jugut.

I pari që ka folur e shkruar për këtë qytet ka qenë arkeologu austriak Kamilo Prashniker i cili në mes të viteve 1916 – 1918 mesaduket u tërhoq nga gurët masivë që dalloheshin tek-tuk mbi tokë. Skënder Anamali ishte arkeologu i shquar që përcaktoi shtrirjen e fortifikimit, ndërsa një informacion të detajuar kanë sjellë edhe Neritan Ceka e Skënder Muçaj.

Shumë teori janë hedhur për emrin e vërtetë të tij, por asnjë nuk ka qëndruar në këmbë si i gjithëpranuar, përsa kohë gërmimet afatgjata kanë munguar. Shumica mendojnë se rrënojat e sotme i përkasin qytetit Eugen që siç shkruhet edhe në Hartën Arkeologjike të Shqipërisë rreshtohej në prapatokën e Apollonisë, në traktatin e Foinikes krahas Dimalit dhe Bargulit.

Megjithatë këto mbeten thjesht hipoteza, sa kohë të dhënat shkencore flenë sëbashku më shumë të panjohura që ruan nëntoka e këtij vendi. Ato shumëfishohen kur mendon se jo larg ngrihet edhe Mashkjeza, një qytezë e vogël që mund t’i ketë rrënjët e saj të shtrira edhe më herët se Gurëzeza. Të dyja këto qendra janë larg vetëm pak minuta nga njëra tjetra.

Mungesa e arkeologëve, mbështetja dhe ruajtja, u ka hapur rrugën abuzuesve, të cilët janë derdhur këtu në mënyrë të vazhdueshme. Ata janë dëmtuesit më të mëdhenj të këtij vendi, edhe më shumë se pushtuesit që kanë ikur e kanë ardhur këtu shumë herë përgjatë historisë.

/njekomb

Gurëzeza misterioze e Ilirëve Read More »

Legjenda e Bjeshkëve të Nemuna

Nga Gani Mehmetaj

Në valën e dëbimeve, kur refugjatët iknin maleve apo fshiheshin shpellave që të mos i rrihte era, shqota e shiu, më kujtohej legjenda për emrin e Bjeshkëve të Nemuna. Legjenda thotë se një nënë me dy fëmijë (burrin ia vranë hordhitë turke), mori ikën drejt Bjeshkëve të Nalta, sipër Rrafshit të Dukagjinit. Me fëmijë për dore, nuk u kujtua për sende të tjera, koha nuk priste, ushtarë të armikut mund t’i kapnin.

E frikësuar nga ndjekësit, e pikëlluar për vrasjen e burrit, kthente kokën prapa me dy jetimë. Në largësi shquhej shtëpia e saj që i dilte flaka. Një pikëllim i pakufishëm ia mbuloi fytyrën, ia nxiu sytë. Ec e ec e ujë askund. Sa më shumë që ngjitej, bjeshkët lartësoheshin, sa më shumë përpiqej t’i shmangej diellit, masa e zjarrtë bëhej më e pamëshirshme, skuqte e digjte si saç. Dhe ata shpejtonin, sa më larg ushtarëve turq.

Dielli i korrikut vazhdonte t’i përvëlonte, etja i kishte molisur nënë e fëmijë. Vijat e ujit në këtë kohë, në të dy krahët sipër burimit të Drinit shterojnë, bora që dikur rrinte deri në fund të gushtit, për dreq, atë ditë korriku kur u duhej kalamajve të nënës së ve, kishte shkrirë në luginat më të fshehura nga dielli përvëlues.

“Nanë, du ujë!” kërkonte me ngulm djali i vogël, sepse urinë e harruan nga vapa e madhe e lodhja edhe më e madhe. Po ujë s’kishte askund. “Nanë, t’lutem, ni pikë uj!” e përgjëronte vogëlushi, pa e kuptuar se kjo gjë nuk ishte në vullnetin e nënës së gjorë. S’gjendej askund pikë uji sa t’ua njomte buzët e përthara. S’kishte një copë reje në qiell që do ta fshihte diellin të mos përvëlonte. Nëna e hutuar përpiqej ta ngushëllonte të voglin me fjalë, i madhi nuk bëzante, megjithëse shkrumbi iu bë një pëllëmbë mbi buzë, thotë legjenda.

“Tash e gjajmë ujin, drita e syve të mi, edhe pak! Gurrat e Bardha nuk janë larg”, përpiqej t’i jepe zemër nëna e shkrumbuar nga vapa e pikëllimi. Kaluan Gurrat e Bardha, por uji nuk rridhte as për ilaç, u ngjitën Malit të Thatë, vija uji askund. Kopetë e deleve me barinj si t’i kishte lëshuar toka a ngrënë ujku, kambana nuk jehonte në tërë Bjeshkët e Nalta, sikurse quheshin dikur. Njeri të gjallë mbi faqe të dheut.

Fëmijët u lodhën, buzët iu ngjitën nga shkrumbi, forcat u shteruan, nuk mund të flisnin nga etja e nga lodhja, nisën të përpëliteshin, flisnin përçart. Nënën e mbërtheu kulmi i dëshpërimit. Lotët nuk i rridhnin që t’ua njomte buzët kalamajve, shihte e dëshpëruar se si po i shuheshin dy engjëjt para syve. Por më parë se t’i kapte agonia, para se t’ua bënte gjamën, ajo mallkoi në kulm të zemërimit: “Hej, moj bjeshkë, kurrë mos paçi ujë! Flaka u daltë! Ju shitoftë reja!” Dhe ra shakull në tokë mbi kalamajtë që po i kalonin çastet e fundit të agonisë.

Legjenda nuk e thotë ç’u bë me nënën e dy fëmijët. Nuk e thotë as a vdiqën apo i shpëtoi mrekullia.

Legjenda thotë se mallkimi i nënës i zuri të gjitha bjeshkët sipër Dukagjinit, në të dy anët e Drinit të Bardhë. Nama e nënës u rri kërcënueshëm edhe sot. Bjeshkët e Nemuna u dogjën nga zjarri i mallkimit, reja shkreptin ndonjëherë në qiell të kthjelltë, duke djegur pyje të tëra. Gur mbi gur nuk mbetën. Të mbërthen angështia kur i shikon mijëra hektarë të djegur, brinjë të bjeshkës që dalin në sipërfaqe, gërgja që shkëlqejnë në diell. Mallkimi i ndjek këto bjeshkë: zjarret përsëriten çdo vit, në të njëjtën kohë, në të njëjtin rrugëtim të nënës: sa herë nisin të këndellen bimësia e filizat e hollë, bie një rrufe dhe i djeg filizat e bredhave e të çetinave.

Asnjëherë nuk ma tregoi gjyshja fundin e nënës me fëmijë, legjenda nuk e thotë a shpëtuan apo vdiqën. Ata morën rrugën e përjetësisë, por sigurisht si fëmijë nuk ma thanë fundin tragjik, sepse përrallat e legjendat gjithherë duhej të përfundonin fatlumësisht.

Megjithatë në Bjeshkët e Nemuna, më thoshte gjyshja, është një muranë, shkëmb i skalitur, ku shihet nëna me dy kalamajtë, më bohçe e me pagur uji. Barinjtë kur kalojnë pranë shkëmbit, e derdhin një curril uji, që t’ua njomin buzët nënës e kalamajve.

Një motërzim serb shumë më i vonshëm, ka një legjendë tjetër për mallkimin e Bjeshkëve të Nemuna. Sipas kësaj legjende kur ushtria serbe pasi pësoi disfatë nga malësorët e Rugovës e burrave të Dukagjinit, me të ngjitur bjeshkëve, dielli i pamëshirshëm i dërmoi përfundimisht. Gushti me vapë, ushtria e shkalafitur serbe, që i kishte zënë gjaku i të pafajshmëve, ranë shakull në gërxhe. Legjenda e tyre, e sajuar nga kronistët ushtarakë, thotë se gjenerali i tyre klithi: “Qofsh e mallkuar!” (Prokleta da si) . Në gjuhën e tyre “Prokletije”, d.m.th. “Të mallkuarat”.

Në hartat gjeografike mbi pesëdhjetë vjet ishin të shënuara të dy emërtimet.

Më iku nga përfytyrimi nëna me dy kalamajtë që përpëliteshin për një pikë uji, u zhduk vapa e gushtit, që nisi të më djersinte në fundmars. Pamjet e tjera e mbulonin të parën, fërfëlliza e zëvendësoi diellin saç. Turma të mëdha refugjatësh mbulonin rrugën gjarpërore nga Burimi i Drinit deri në Qafën e Malit, sipër Kullës, nëpër Bjeshkët e Nemuna. Shpërngulja e njerëzve më dukej si në ëndërr. Kllapia nuk më shqitej. Më fanitej sikur ata po ktheheshin me zhurmë. Zhurmën e dëgjoja nga furriku im. Ikën të heshtur e kokulur, ktheheshin triumfalisht./njekomb

Legjenda e Bjeshkëve të Nemuna Read More »

Zbulohet më në fund enigma e madhe e njerëzimit, ja pse u zhduk qytetërimi i lashtë Maja

Shkencëtarët kanë zbuluar se si qytetërimi i lashtë Maja u shkatërrua më shumë se 1.000 vjet më parë, shkruan ShkodraNews. Hulumtimet e reja nga Universiteti i Kembrixhit më në fund zbuluan se çfarë ndodhi me qytetërimin që braktisi qytetet e tij të famshme gëlqerore.

Studiuesit besojnë se vdekja e popullsisë u shkaktua nga një thatësirë ​​masive që u përhap në Meksikë. Studiuesit që analizuan klimën e rajonit zbuluan se reshjet ranë në përmasa biblike – rreth 70% – në kohën që u braktisën qytetet e lashta.

Ka pasur shumë debate rreth asaj që ka ndodhur në këto qytet-shtete, disa teori thonë se ata u zhduken nga thatësira që ka qenë rreth e rrotull për vite me rradhë.

Të tjerë kanë sugjeruar se shkaku i kolapsit ishte ose lufta, pushtimi ose humbja e rrugëve tregtare, shkruan ShkodraNews. Hulumtime të reja kanë dalë në dritë pasi një ekip hulumtues arriti të kuptojë klimën e gadishullit të Yucatan në atë kohë duke përdorur mostrat e sedimenteve nga një liqen lokal.

Ata u zgjeruan në teorinë se thatësira ishte shkaku i ndryshimeve ekonomike dhe politike rreth vitit 800 pas Krishtit.

Ekipi analizoi ujin e bllokuar brenda kristalit të një minerali të quajtur gysum, i gjetur në liqenin Chichancanab, shkruan ShkodraNews. Qytetërimi klasik Maja u shtri nga viti 250 deri në vitin 800 kur u ndërtuan monumentet e famshme të gurit.

Në fund të kësaj periudhe, ndodhi diçka që i bëri njerëzit të braktisnin qytete gëlqerore. Tani të dhënat mund të përdoren për të lidhur zhdukjen e Majave me një thatësirë të rëndë në fund të qytetërimit. /Përshtati: ShkodraNews

Zbulohet më në fund enigma e madhe e njerëzimit, ja pse u zhduk qytetërimi i lashtë Maja Read More »

Myzeqeja, historia, emri dhe njerëzit e saj

Myzeqeja është një nga krahinat më të mëdha të Shqipërisë. Por është dhe fusha më e madhe dhe më e begatë e saj në gjithë Ballkanit jug-perëndimor. Mban në gjirin e saj një vendbanim 50 000-vjeçar të jetës siç është Kryegjata, pa harruar këtu Apoloninë, qytetin më të ndritshëm dhe më të zhvilluar të kohës antike si dhe Arnisën e bukur. Në territorin e saj gjarpëronte autostrada më e gjatë dhe më moderne e lashtësisë, rruga Egnatia së bashku me degën jugore të saj. Në këto qytete kanë jetuar ilirët taulantë dhe parthinë. Në Myzeqe u rrit Pirrua i Epirit. Ka studiuar perandori August Oktaviani si dhe kanë qëndruar ciceronë të shquar të Romës, kanë marshuar e luftuar burra si Filipi i V, konsulli romak Sulpici, gjeneralë, si Pompeu e Jul Qezari.

Në mesjetë në Myzeqe, marshuan, ngritën kampin dhe luftuan ushtritë e Bizantit, të gjermanit Manfred Hohenshtaufenit, të Normanëve. Më vonë Myzeqenë e shkeli ushtria e Karlit I Anzhu. Më 1336 në Despotatin e Beratit do të shkelte për herë të parë këmba e ushtarit turke.

Në kohën moderne, në Myzeqe (në Portëz) u krijua më 1835 “Besëlidhja e Portëzës”, vendimet e së cilës ishin me karakter autonomist dhe shtet-formues. Po në Myzeqe (Fier) erdhi dhe bisedoi Avdyl Frashëri, i cili gjeti një mbështetje të sinqertë nga populli dhe paria e Fierit (Familja Vrioni) për Lidhjen e Prizrenit.

Në Fier më 7 gusht 1912 nën drejtimin e Ismail Qemalit u mbajt Kuvendi i Fierit, ku morën pjesë 300-burra, gjithë paria patriotike dhe komandantët e çetave të Toskërisë, duke filluar nga Tetova e deri në Janinë. Prej këtij Kuvendi, Ismail beu mori rrugën për në Stamboll dhe nëpër kancelaritë e Europës. Po nëpërmjet Rrugës së Karatoprakut, që kalonte në pjerrësitë perëndimore të kodrave të Ardenicës, kaloi burri i pavarësisë, Ismail Qemali në Nëntor 1912.14732255_1413674858662687_8725899802264407420_n

Në dimrin e vitit 1913, në zonën Grizë dhe Libofshë u përqendrua gjithë Armata Turke e Vardarit, e cila në prill të atij viti, u imbarkua në Portin e Semanit drejt Turqisë.f1_21-myzeqeja13403061731

Origjina e emrit Myzeqe

Myzeqeja ka tërhequr vëmendjen e udhëtarëve dhe studiuesve të huaj. Në përshkrimin që i kanë bërë ngjarjeve dhe vetë kësaj treve, e kanë quajtur me emra të ndryshëm por në të shumtën e rasteve dominon emri “Myzeqe”.

Në vitin 620 para krishtit 200-kolonë (fshatarë grek) me në krye të dëbuarin Gylak, të ardhur nga tre fshatra greke, u lejuan të futeshin në Apoloninë ilire. Këta kolonë fshatarë u përpoqën që fushës së bukur të Myzeqesë t’i jepnin emrin e Gylakut. Ata e quajtën Gylakion Pedion (Fusha e Gylakut).

Herodoti (484-425 p.Kr) e quan fushën e Myzeqesë si Fusha e Apolonisë

Autorja bizantine, Ana Komnena në shekullin e XII, e quante Myzeqenë fushë ilirike. Përcaktimi i fushës “Ilirike” është një dëshmi shumë interesante. Ky përcaktim (ilirike) tregon se kjo trevë deri në këtë kohë ruan vazhdimësinë e etnisë ilirë jo vetëm si popull, por dhe si emërtim, kur pjesë të tjera të vendit kishin kaluar nën emërtimin “arbëri” apo Principata e Arbërit.18844_312450043595_5252266_n

Madje, me emërtimin etnik “Ilire”, e quan Myzeqenë dhe albanologu i shquar, Johan Georg Von Han. Duke folur për këtë krahinë, Hani thekson se Myzeqeja është fusha e Ilirisë jugore dhe e quan atë, një Lombardi të egër.

Një dokument venedikas i vitit 1412, përmend“ kështjella e Pirgut të Myzeqesë” (castrum Pirgi de Musachia). Ky dokument, jo vetëm na dokumenton emrin “Myzeqe”, por na dëshmon se në Pirg ka patur kështjellë.

Milan Shuflai emrin “Musachia” e lidhte me familjen princërore Muzakaj, të cilët ishin zotër të kësaj krahine.

Një informacion mbi emrin “Myzeqeja” na vjen dhe nga një dokument raguzian. Kështu ky dokument i vitit 1417, përmend “Via de Musachia” Në mesjetë Myzeqeja quhej “Savra”. Këtë e pohon Barleti, kur flet për betejën midis Karl Topisë dhe Balshës II e quan fushën “planicies saura” afër Beratit.

Por një dokument Venedikas i vitit 1570 përputh emrin “Savra” me emrin “Musachia”, ku shkruhet: “spatiose pianuredella savra la quale in un altro nome si dice Musachia”

Një mendim për emrin e Myzeqesë na vjen dhe nga Gjon Muzaka. Ky princ në kronikën e shtëpisë Muzaka shkruar në Itali më 1510, shkruan: “Myzeqeja në kohët e vjetra banohej nga popujt Molosë, nga ku u quajt Molosia, dhe meqenëse ne kemi qenë gjithnjë zot të këtij vendi, morëm mbiemrin Molosaku, por fjala Molosia u deformua dhe u bë Myzeqe, që në shqip thuhet Muzakiti” Zef Jubani hedh mendimin se emri Myzeqe vjen nga emri “Muzika”. Ai shkruan: “nuk ka dyshim, pra se shqiptarët, në përgjithësi janë të pajisur me ndjenjën e muzës dhe të melodisë.4807631987_54159c8174

Filozofët tanë të vjetër zbuluan praninë e saj dhe prandaj i kushtuan perëndisë së muzikës qytetin e Pojanit, tash i rrënuar mbi brigjet e Adriatikut, dhe e ngritën për të qenë si mësim dhe si model për kombin e vet dhe për popujt e huaj. Banorët e atyre vendeve mbajnë ende me vete emrin myzeqar, që don me thanë, njerëz të prirun kah muzika, të cilët i përgjigjen edhe sot me fakte këtij atributi tradicional. Kur shpirti i tyre tronditet nga misticizmi i muzës, shihen si të dehun e të lëkundur deri në ekstazë dhe, atëherë, shihet çasti në të cilën improvizojnë kangë simbas shijes kombëtare, me koncepte të madhnueshme dhe të jashtëzakonshme, tue ua përshtat melodinë e ambël dhe prekëse në mënyrë origjinale. Në këtë pikëpamje, kangët e Shqipnisë së mesme ose ato të Myzeqesë, janë më të mirat dhe ma të kërkuemet e këtij kombi”.

Kurse Eduard Lir e quan fushën e Myzeqesë, fusha e Apolonisë. Ai më 17 tetor 1848 ndaloi në Manastirin e Ardenicës. Eduart Lir ishte poet dhe piktor anglez. Për Ardenicën, nusen e bukur të Myzeqesë, ai shkroi: “ Ardenica ishte vërtet e mrekullueshme….prej andej dukej gjithë bota. Në veri humbisnin në mjegull malet e Shkodrës, Krujës e Tiranës. Në lindje, fare pranë, ngrihej hijerëndë Tomori. Në jug shtrihej fusha e Apolonisë e valëzuar nga kodra të buta e ndërsa në perëndim shkëlqen deti”.18844_312450088595_1272440_n

Ndërsa sipas albanologut rumun Nikolla Jorga, emri Myzeqe vjen vjen nga fjala muzg.

Mendimi im është se emrat “muzak” dhe “Myzeqe” e kanë marrë emrin nga epiteti i Apolonit. Apoloni identifikohej si perëndi e dritës, poezisë, muzikës dhe gojëtarisë. Si perëndi e poezisë, Apoloni drejtonte mbledhjet e muzave. Për këtë arsye, ai (Apoloni) mori (mbante, thirrej) me epitetin Muzaket-i .

Për kujtesë, në botë njihen mbi 30 qytete antike me emrin Apoloni, por më e madhja, më e bukura dhe e para është Apolonia jonë.

Myzeqari ecën në rrugën e tij të jetës, pa u ndeshur me të tjerët. Përvoja e ka mësuar t’u shmanget përplasjeve. Nga jeta e myzeqarit ka dalë dhe shprehja “hiq shkopin zvarrë dhe mos bëj vijë”. Ai e di mirë, se kur duhet të goditet stralli me hekur që të ndizet zjarri.16649002_1548206615209510_2583181552769533172_n

Perla e Myzeqesë .GUNA ME RRËKE

Myzeqari njeh mirë masën dhe e përdor atë me shumë art. Njeh mirë kufirin, kur durimi pushon së qeni virtyt. Dije se kur merr zjarr myzeqari, e ke bërë hak flakën. Myzeqari nuk para e thotë fjalën e keqe. Ai e di mirë, që llafi i mirë zbut dhe gurin, pa le burrin. Fjala është si fara – shprehet myzeqari, po mbolle lule do thithësh nektar. Po mbolle gjëmbaç shpejt a vonë do të hash kopaç.

Myzeqarët udhëhiqen nga mirësia. Kjo bënë që ata të merren vesh me kodin e heshtjes, duke u parë sy më sy. Durimi, qetësia dhe dashuria janë trekëndëshi i jetës për myzeqarin. Myzeqarët merren vesh jo me fjalë, por me zemër. Janë të qetë dhe duken të ftohtë. U mungon natyra entuziaste. Fjalët myzeqari i nxjerr si kokrra gruri, rrjedhshëm, të lehta e të buta, plot bukuri e hijeshi. Biseda e tyre u ngjan cicërimës së zogjve. Nderi tyre të ngroh, jo si zjarri i hapët, por si prushi në vatër. Vështirë se mund të depërtosh në vetëdijen e tij. Tek myzeqari ka gjithmonë diçka të palexueshme.

Myzeqari kurrë nuk i ka kënduar sundimtarit, beut dhe agait. Ai i ka kënduar punës, ku gjen lumturinë; fëmijës, ku gjen gëzimin e jetës.14199296_1362937367069770_688980274814290157_n

Myzeqari nuk ka primare forcën. Forca për të është diçka e huaj. Ai fle me libër te koka dhe me laps në dorë. Kulti i tij është mendja, urtësia, dija, libri dhe jo shpata. Shpata për myzeqarin është e fundit, vetëm atëherë kur ai është tërhequr deri tek muri. Ky është dhe momenti, kur ai të hidhet në gryk dhe me thonj të mbyt.

Myzeqarët janë dashamirës dhe mirëkuptues me njëri-tjetrin. Ata priren nga vlerat më të mira njerëzore si urtësia, toleranca, ndershmëria, besnikëria e sinqeriteti.

Myzeqarët i largohen së keqes. “Le ta gjej nga ndonjë tjetër” – shprehen ata. Urrejtjen myzeqari e shuan në ujë, miqësinë e gdhend në gurë Përgjithësisht nuk e praktikojnë dhunën dhe vetëgjyqësinë. Janë për respektim të ligjit dhe shtetit. Ai e di mirë se të jetosh është detyrë njerëzore. Jetës ai jep karakter të shenjtë. Kjo i bënë atë evropian në gen.

Myzeqari nuk nxitohet. Ai vëzhgon, dëgjon dhe me logjike vepron. Ka aftësinë e drejt-orientimit në momente të vështira. Nuk është kolaboracionist e kuisling. Përherë është orientuar nga vlerat, nga perëndimi. Të mirat që bënë nuk ti kujton. Kur të tjerët i thonë sherrit lepe, lala i thotë s’kam ngeh.

Myzeqarët janë njerëzit e dallëndysheve. Në Myzeqe gëzimi është i bukur. Në Myzeqe gjuha shqipe ka qënë flamuri i shqitarizmës që nuk e shkulën dot armiqtë…

Myzeqari, lumturia e gruas e sheh si lumturinë e familjes. Myzeqeja i zbut njerëzit, dhe kur nxehen kërkojnë gurë nuk gjejnë, kërkojnë hekur nuk gjejnë, pastaj i bien tëmthit të kokës pse gabova dhe në mënyrë të natyrshme i drejtohen logjikës.15094422_1431336233563216_6728513153283950588_n

Myzeqarët kurrë nuk e braktisën atdhenë. Ata i ngjajnë atyre zogjve që pavarësisht stinë të vitit, nuk e ndërrojnë folenë. Në Myzeqe dielli lind herët dhe perëndon vonë.

Myzeqarët janë kokërr dhe jo hime. Myzeqari zemrën e ka sa një mal dhe peshon sa Tomorri i lashtë. Kur të përqafon myzeqari trupi i tij lëshon oksitocinë, e aftë që të shërojë dhe lëndimet fizike. Myzeqarët janë njerëz të ditës dhe si të tillë janë bijë të diellit dhe jo njerëz të natës dhe bij të hënës së murrme me njolla. Myzeqarët janë një popull që u rritën nga mirësia dhe lartësuan nga dija. Shpirti i myzeqarit është vullkan i heshtur që nuk shuhet kurrë. Ai shpërthen sa herë që në qiell del re e zezë.

Myzeqari është qelq human. Ashtu si qelqi që nuk kalbet mbi shtresat e dheut, edhe shpirti i myzeqarit nuk kalbet nga stuhitë e zeza të historisë.

Lala (Myzeqari) të vret me pambuk, labi me pushkë. Myzeqari ta fut sot gjëmbin në këmbë dhe pas një viti e ndjen në zëmër. Myzeqari e zgjidh hallin jo me shkop, por me borzilok.

Në Myzeqe jeta vjen era nder dhe natyra vjen era diell. Që këtej kemi dhe shprehjen “bëj të mira dhe hidhi në det”. Nuk flet për veten e tij, megjithëse ka bërë vepra me peshë për shoqërinë e atdheun. Kjo është një mangësi, sepse nuk le kujtesë, kur të tjerë janë plot grykësi.

Myzeqari di t’i falet punës. Nuk i lyen duar me gjak. Ai mbjell vetëm lule dhe nektar. Është një popull që buzëqesh si fëmijë. Myzeqarët ka qënë gjithmonë të lirë sepse gjithmonë ka qënë të mirë me njeri tjetrin, me fqinjët dhe me të ardhurit. Forca e myzeqarit është (dija) dhe durimi.

Në Myzeqe edhe ajri lëngëzon urtësi. Mushkritë e Myzeqarit thithin vetëm mirësi. Bashkëjetesa për myzqarët është diçka natyrore. Ajo është ligj mbi ligjet.

Myzeqari është i qëndrueshëm në vështirësi. Durimi i tij shkon në kufijtë e pathyeshmërisë. Si njeri “kokë ulur”, ai bënë jetë të qetë, pëlqen atë pak pasuri dhe nuk është lakmues i pasurisë së tjetrit. Në pamjen e parë duket natyrë e mbyllur dhe indiferente, por në fakt është shumë i vëmendshëm, për mos të thënë vigjilentë. Ai nuk të bënë mik kollaj. Testimi që i bënë ai të njohurit të ri, është një aftësi e ngritur në art. Po të bëri mik e ke besnik për jetë.

Myzeqari është dru pa mol. E mira e Myzeqesë i jep hijeshi fushës dhe dritë malit, sepse ajo në përmbajtje është iluminat. Myzeqari është i butë. Ai e di mirë se i buti mund të fortin. Jeta e myzeqarit i ngjan një lumi fushor që rrozgat që vinë me rrëmbim i nxjerr anash. Myzeqari e ka të ndriçuar rrugën e jetës nga ndërgjegjja dhe dielli.

Myzeqari nuk është besimtar fanatik. Kulti i tij është jeta.

Mbi të gjitha myzeqari është NJERI…

/fieri.al/

Myzeqeja, historia, emri dhe njerëzit e saj Read More »

Si arriti Ali Pasha të bëhej veziri i madh i Janinës?

Figura e Ali Pashë Tepelenës është një nga më të ndriturat e më të diskutuarat në historinë shqiptare e botërore.

Në udhëtimin për të njohur figura të rëndësishme shqiptare konica.al sjell fakte të reja mbi jetën dhe veprimtarinë e tij.

Si arriti Ali Pasha të bëhej veziri i madh i Janinës?

Sipas drejtorit të Muzeut, z. Dorian Koçi, autor i librit “Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës”, familja nga vinte Ali Pashai ishte një nga më fisniket e krahinës së Toskërisë.

Kjo vërtetohet nga një raport i mitropolitit të Gjirokastrës në vitin 1779, dërguar në Hasburg të Vjenës, në të cilën përshkruhet saktë që ai është anëtar i një prej familjeve më fisnike të Toskërisë.

Parë në këtë kontekst babai i tij, si dhe një djalë xhaxhai ishin pjesë e elitave osmane, ndaj kërkesa që ai të merrte udhëheqjen e një pashallëku ishte diçka e natyrshme që vinte dhe si një lloj trashëgimie familjare.

“Jeta e Ali Pashë Tepelenës ka qenë një jetë e vështirë në fillimet e veta, por shpeshherë ka qenë dhe subjekt i historive melodramatike që e ka krijuar letërsia dhe fikshëni, për të treguar jetën e një njeriu që e fillon karrierën nga asgjëja.  Ato e kanë vizatuar sikur një tepelenas nga hiçi vihet në krye të një çete hajdutësh dhe papritur bëhet pasha. Po kjo nuk është e vërtetë”, thotë Koçi.

Për të gjithë ata që e njohin kulturën osmane është tashmë e ditur që brenda sistemit otoman kishte njerëz që ndryshonin shpejt statusin e tyre idenditar.

Në këtë rast na vjen në ndihmë historia. Një administrator osman mësonte që në vegjëli gjuhët kryesore:osmanishten, arabishten dhe persishten që ishin gjuhët kryesore të Orientit, dhe greqishten që ishte një gjuhë që e kishte fituar këtë status që nga vitit 1453 nga marrrëveshja e sulltan Mehmetit me patriarkun e Stambollit.

Pra që të vegjël të gjithë ata që jetonin nën sundimin osman merrnin mësime administrate, çka do të thotë se këta njerëz ishin të përgatitur për të ditur mënyrën e sistemit të mbledhjes së taksave osmane.

Një sistem që ka qenë shumë efikas dhe i njohur nga të gjithë.

Edhe pse nuk kanë qenë të pakta rastet ku grupe të ndryshme tregoheshin të pabindur dhe ngrinin krye. Ka pasur shumë shqiptarë të tillë. Ali Pashai e filloi karrierën e tij nga rrugët.  Rrugët ishin shumë të rëndësishme për Perandorinë Osmane  sepse nëpërmjet tyre bëhej gjithë tregtia Lindje-Perëndim dhe anasjelltas.

Ali Pashai arriti të imponohej në një situatë kaotike në Epir dhe të imponohej si një element force që vendosi qetësinë. Për këtë arsye ai hyri në Janinë dhe më vonë i erdhi fermani për tu vendosur pasha.

Aliu e mori këtë detyrë nëpërmjet organizimit të vet dhe nëpërmjet zotësisë pas një periudhe shumë të gjatë pasi ai kishte lëvruar të gjitha statuset e mundshme hierarkike në pashallëkun e Beratit, Tepelenës apo pjesë të tjera të Epirit. Ai mblodhi rreth vetes një ushtri me 4000 shqiptarë.

Më 1787 trimëria dhe talenti i tij ushtarak në luftën e perandorisë osmane kundër Rusisë e Austrisë, përfunduan në marrjen e fuqisë të Pashallëkut të Trikallës si shpërblim.

Pasi mblodhi forcë ushtarake u drejtua kundër Janinës. Atje afër liqenit të Janinës, mundi forcat e bejlerëve. Kur u fut në Janinë, populli e priti jo si sundimtar, por si çlirimtar. Më 1788 me firmë të sulltanit Selim, i u dha titulli i Vezirit të Janinës, dhe u krijua baza e Pashallëkut të Janinës.

Fuqia e tij ishte kaq e madhe qe sulltani i dha titullin e “Beylerbey”(Bej i Bejlereve) në Rumeli, që ishtë titulli më i lartë për komandantët të zonave të perandorisë osmane.

Më 1804 duke komanduar rreth 80.000 ushtarë dhe 2/3 të pashave të perandorisë osmane në Europë mundi rezistencen bullgaro-sllave në Maqedoni.

Pasi shfrytëzoi situatën e vështirë të perandorisë osmane në periudhën e luftërave të Napoleon Bonapartit, Ali Pashë Tepelena zgjeroi pushtetin e vet duke marrë toka që nga gjiri i Prevezës deri në lumin Shkumbin.

Pashallëku i Janinës u bë forcë me rëndesi të madhe kur forcat franceze e ruse që ishin vendosur në Ishujt Jonianë si dhe mbretëria e bashkuar së Anglisë e Iralndës, drejtuan vëmendjen e tyre ndaj sundimtarit të fuqishëm shqiptar dhe krijuan lidhje diplomatike me të.

Më 1806-1807 sundoi me mjete politike, Pashallëkun e Moresë(Pelopones), qeverisjen e të cilës dha te djali i tij Veli, dhe Pashallëkun e Lepantos, të cilën qeverisi djali tjetër i tij Muhtar.

Më 1820-1822, perandoria osmane sulmoi Pashallëkun e Janinës, pasi rritja e forcës të Ali Pashës kishte krijuar frikë për ekzistencën perandorisë.

Më 24 Janar 1822 vdiq në Janinë, pasi u tradhtua. Pas vdekjes, koka e tij u dërgua në Stamboll, ku Turqit besonin që ishte “fat i madh” në luftë(si besuan dhe për shpatën e Gjergj Kastriotit)./njekomb

Si arriti Ali Pasha të bëhej veziri i madh i Janinës? Read More »

Bill Clinton: Nënë Tereza më bëri ta dua kombin shqiptar

Përgatiti Altin Kocaqi

Fjalët e Presidentit të ShBA-së, Bill Klinton, kur u shpreh se “Nënë Tereza ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar; ndihem krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”, tregojnë qartë se ajo e kishte shpalosur zemrën e saj arbënore edhe para personaliteteve të mëdha, duke iu folur për vendin prej nga e kishte origjinën, duke i njohur me historinë e këtij populli të lashtë e heroik, si dhe problematikën që mbartte mbi shpinë.

Kudo ku shkonte, Nënë Tereza e tregonte me krenari prejardhjen e saj. Këtë e dëshmojnë shumë nga letrat dhe shkrimet e saj. Ajo e mbante gjithnjë në zemër atdheun e saj, asnjëherë nuk qëndroi indiferente ndaj fatit dhe gjendjes së popullit shqiptar, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Madje, kujdesi i saj shprehej jo vetëm nëpërmjet lutjeve të vazhdueshme në ndihmë të kombit shqiptar, por edhe duke e çuar zërin te personalitete të shumta botërore në mbështetje të popullit të saj dhe lirisë së Kosovës, si dhe demokratizimit të Shqipërisë para viteve 90 të shekullit të kaluar.

Pjesë nga librii i ri i politologut edhe studiuesit Gjon Keka

Recensa e librit nga Dr.Don Lush Gjergjit

Gjon Keka: Nënë Tereza – Arbënorja e famshme e të gjitha kohërave”

“Edhe një shkrim, botim, libër kushtuar Nënës Terezës, mos është gjë e tepërt, pas më se 200 titujve dhe botimeve në gjuhë të ndryshme anekënd botës? A thua ka ende diçka të re, që mund të shkruhet dhe të thuhet për Nënë Terezën? Këto dhe pyetje të ngjashme kanë një përgjigje, nëpërmjet këtij botimi, në të cilin Gjon Keka, së pari, gjen një titull të qëlluar dhe kuptimplotë, duke e cilësuar atë si “Arbënorja e famshme e të gjitha kohërave”, shprehje kjo që, më së miri, cilëson lidhjen tonë të lashtë me ilirët, paraardhësit tanë, pastaj arbërorët gjatë shekujve dhe, së fundi me ne, shqiptarët e sotshëm. Cilësimi “e të gjitha kohërave” ia jep asaj dimensionin gjithë-njerëzor dhe hyjnor, si Nënë Universale, që tashmë i ka tejkaluar kufijtë e kohës dhe të hapësirës; është dhe mbetet Nënë për çdo njeri.

Cilësia e dytë e këtij shtjellimi na vetëdijëson se Nënë Tereza nuk është rastësisht shqiptare, katolike, misionarja e dashurisë, Nobeliste e Paqes, e Lume dhe e Shenjtë, sepse rrënjët e saj, pra edhe tonat, janë të thella, të lashta, të krishtera, martire, bamirëse, prej Shën Florit dhe Laurit e deri te ditët tona… Botimi i Gjon Kekës nuk është vetëm për t’u lexuar, por shtjelluar, thelluar, medituar, përvetësuar, sepse pa artin e jetës – fenë dhe dashurinë, gjithçka është e mangët, e zbrazët, kalimtare, e vdekshme. Nënë Tereza është për ne një Bijë, Motër dhe Nënë për këtë jetë e veprimtari, sidomos dëshmitare dhe ndërmjetëse për amshim të lumtur. ” Pjsese nga Parathenie tjeter nga Mr.Sare Gjergji: “Gjon Keka, i cili tashmë ka krijuar profilin e qartë prej studiuesi, si zakonisht zgjedh tema e figura të mëdha për trajtim.

Pas Skënderbeut, Konstandinit të Madh, Rugovës dhe Anton Çettës, kësaj radhe vjen me librin “Nënë Tereza – Arbënorja e famshme e të gjitha kohërave”. Që në titull, autori sikur shpërfaq gjithë thelbin, palcën e librit. Mesazhi është i qartë: Nënë Tereza, duke qenë arbërorja (më) e famshme e të gjitha kohërave, njëkohësisht del të jetë edhe model për rrugëtimin tonë jetësor si komb. Ajo është jo vetëm pasqyra dhe dëshmia më e mirë e vlerave më qenësore të qenies sonë kombëtare në botë, por, njëkohësisht, është kripa e tokës dhe drita e botës (edhe amë, gjithsesi); është shëmbëllimi dhe dëshmia më e mirë e Atij, në emrin e të cilit veproi… Autori, jo vetëm që provon, por edhe është krejt origjinal e i veçantë në mënyrën se si i qaset figurës komplekse të Nënë Terezës, dritës që ndriçon anët më të errëta të shoqërisë, siç shprehet ai.

Edhe diskursi i autorit dhe mënyra e rrëfimit janë në nivelin e temës që ai trajton. Ai nuk ekzagjeron, as rrëmbehet në mënyrë emocionale kur një shenjtëreshë na ofron për identitet, sidomos tashmë kur tokën dhe qiellin i lidh një arbërore, e cila aq shumë e deshi atdheun dhe popullin e vet, Shqipërinë e shqiptarët. Autori, jo pa qëllim prek dhe këtë aspekt të jetës së Nënë Terezës, në një kohë kur përdhosja e figurave tona kombëtare po ndodh para syve tanë e nga vetë ne shqiptarët. Edhe për mënyrën se si shtrohet dhe trajtohet tema, figura e Nënë Terezës, besoj do t’i imponohet lexuesit dhe studiuesve terezianë, por jo vetëm.”

Bill Clinton: Nënë Tereza më bëri ta dua kombin shqiptar Read More »