Histori

Isa Boletini, gazetarit anglez: Do të luftoj deri në vdekje për Shqipërinë

Nga Aurenc Bebja*, Francë

Gazeta franceze, “Journal des débats politiques”, ka botuar, të mërkurën e 7 majit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me intervistën e patriotit shqiptar, Isa Boletini, dhënë në Londër për prestigjiozen “Daily Telegraph”.

Si e përshkruanin perëndimorët atdhetarin shqiptar? Çfarë ka shprehur ai për median britanike? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:

Isa Boletini dhe problemi shqiptar

Isa Boletini, patrioti shqiptar, armiku i betuar i serbëve dhe grekëve, dhe nesër, nëse është e nevojshme, kundërshtari i pamëshirshëm i një ndërhyrje austro-italiane në vendin e tij, ndodhet në këtë moment në Londër.

Një gazetar i Daily Telegraph ka bërë me të një intervistë interesante; Isa Boletini vë në dukje meritat e ish-regjimit turk. Abdul Hamidi i vlerësonte shqiptarët.

Në vitin 1902, ai e thirri Isa Boletinin në Kostandinopojë dhe e vendosi atë në krye të gardës së tij duke i vënë titullin Bej.

Isa Boletini qëndroi në Kostandinopojë për katër vjet dhe pastaj u kthye në Shqipëri. Ai jetonte që prej tre vitesh në afërsi të Mitrovicës, kur filloi Revolucioni Xhonturk.

Shqiptarët në 1908 kërkuan “Kushtetutën”, por Isa Boletini, që nga ai moment, u tregua i shqetësuar. Xhonturqit, të vetëdijshëm për ndjenjat e atij lideri, kërkuan ta shtypnin atë. Xhavit Pasha e sulmoi atë papritur me trupat që kishte në dispozicionin e tij.

Por Isa Boletini mundi të shpëtojë, megjithëse me një dëmtim të rëndë në shpatull. I larguar nga Mitrovica, Isa Boletini u tërhoq në Pejë, dhe më pas u strehua pranë Malësorëve të Gjakovës.

Atje, ai organizoi një rezistencë serioze. U zhvilluan luftime ku turqit u rrahën.

Ngjarjet e pranverës së vitit 1909 detyruan kthimin e trupave turke në Kostandinopojë, por vitin e ardhshëm një ushtri turke u kthye në Shqipëri për të dënuar rebelët. Isa Boletini, i mundur në Kaçanik, në vend se të dorëzohej, u strehua në Mal të Zi.

Një vit më pas, në krye të trupave të tij, Isa Boletini hyri në Pejë, Gjakovë, Prishtinë dhe Shkup : “Kështu, unë kisha arritur qëllimin e përpjekjeve të mia, ekzistencën e Shqipërisë, e kërcënuar nga xhonturqit. Ne ishim duke përfunduar një marrëveshje me Ahmet Muhtar Pashën kur shpërtheu lufta aleatëve.”

Isa Boletini gjendet aktualisht në Londër për të mbrojtur çështjen e pavarësisë së Shqipërisë pranë Fuqive të Mëdha.

Isa Boletini nuk i pranon kufijtë e vendosur për Shqipërinë nga Konferenca e Londrës.

Shqiptarët kurrë nuk do të pranojnë sundimin serb. Ata nuk e pranojnë parimin e hekurudhës komerciale (tregtare) që i është dhënë Serbisë: “Gjithë jetën time, deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët, grekët, malazezët, italianët, austriakët.”

Duke thënë këtë, shefi patriot shqiptar shfaqte një agjitacion dhe ekzaltim ekstrem.

 * Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

Isa Boletini, gazetarit anglez: Do të luftoj deri në vdekje për Shqipërinë Read More »

Shqipëria e kuislingëve

Pëllumb Xhufi

Lufta e Dytë Botërore, ndryshe nga luftrat e mëparshme, në një mënyrë ose në tjetrën e përfshiu të gjithë popullin shqiptar.

Ajo shërbeu si një katalizator i madh social, ku klasat dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare u diferencuan qartë përballë detyrës imperative të momentit, që ishte lufta kundër pushtuesit nazifashist, për çlirimin dhe rivendosjen e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Qysh në orët e në ditët e para të pushtimit, në krah të pushtuesit italian u evidentua qartëgrupimi i kuislingëve dhe i kolaboracionistëve.

Nuk qe një rastësi, që ky grupim përfaqësohej nga pinjollë të bejlerëve, krerëve e bajraktarëve të mëdhenj të jugut e të veriut të Shqipërisë, të asaj klase, që kishte qenë mbështetja kryesore e pushtetit osman dhe më vonë, shkaktare e destabilitetit dhe e dobësisë së shtetit shqiptar në dekadat e para të shek. XX.

Shefqet Vërlaci, Eqrem Libohova, Eqrem bej Vlora, Kadri Cakrani, Qemal Vrioni, Kol Bib Mirakaj, Isa Toska, Preng Previzi, Vizhdan Risilia, Fiqiri Dine, Marka Gjoni, Muharrem Bajraktari, Xhafer Deva, Selim Kaloshi, Halil Alia, Hysni Dema janë disa nga emrat që i gjejmë në top-listën e kolaboracionistëve shqiptarë gjatë Luftës II Botërore.

Këtyre iu bashkuan edhe përfaqësues të veçantë të inteligjencës liberal-konservatore, si Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji, Skënder Muço, Ali Bej Këlcyra, Safet Butka, Bahri Omari, Mustafa Kruja, Koço Kota, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Rexhep Mitrovica, Hasan Dosti, Kolë Tromara, Vasil Andoni.

Disa prej tyre ishin veteranë të Lëvizjes Kombëtare ku kishin përfaqësuar krahun konservator të saj, që pavarësimin e Shqipërisë dhe themelimin e shtetit shqiptar, e kishin parë jo aq shumë si rezultat i mobilizimeve të mëdha popullore, se sa si rezultat i konjukturave e traktativave politike.

Pozicionimin e tyre në krah të pushtuesit, përfaqësuesit e këtij grupimi heterogjen u munduan ta përligjin ideologjikisht me antikomunizmin dhe nacionalizmin e tyre.

Në këtë kuptim, do ia vlente një analizë e sjelljeve dhe e qëndrimeve të elitës së vjetër shqiptare në vitet e Luftës II Botërore, për të parë se ç’qëndron e ç’nuk qëndron në këtë “antikomunizëm” e “nacionalizëm” të pretenduar të tyre.

Nuk mendojmë se duhen përfshirë në këtë analizë ata krerë e bajraktarë krahinash, analfabetë e injorantë, tek të cilët antikomunizmi nuk ishte aspak një qasje ideologjike, por ishte thjesht një qasje pragmatike, që përcaktohej nga bindja se krijimi i një shteti kombëtar modern, do të thoshte fund i pushteteve dhe autoriteteve të trashëguara, fund i strukturave të vjetra politiko-juridike, që bazoheshin kryekëput në izolimin krahinor, në klientelizmin, në mercenarizmin, në analfabetizmin dhe në një folklorizëm primitiv, që akoma në shek. XX e përfaqësonte Shqipërinë me gjakmarrjen dhe kanunin.

Në këtë kuptim, krerët tradicionalë nuk mund të pajtoheshin me ndërtimin e një shteti modern, pak rëndësi kishte nëse bëhej fjalë për një shtet republikan, monarkik apo komunist.

Në fund të fundit, ata patën të njëjtin konflikt si me qeverinë e Ismail Qemalit, ashtu edhe me atë të Princ Vidit, të Ahmet Zogut e të Enver Hoxhës. Ekzistenca e tyre ishte pengesa e fundit për realizimin e shtetit kombëtar, ashtu siç e kishin projektuar Shqipërinë ideologët e nacionalizmit shqiptar, si shtet unitar, si shtet ligjor e si shtet evropian.

Në fakt, një nga arritjet e Luftës Antifashiste ishte zhdukja e pushtetit anakronik e ilegjitim të këtyre krerëve, që u bënë njësh me pushtuesin.

Pëllumb Xhufi

Pëllumb Xhufi

Mbi antikomunistët dhe anglezët

Antikomunistët e vërtetë, pra, duhen kërkuar gjetkë, tek njerëz të mendjes e të penës, si Mustafa Kruja, Patër Anton Arapi, Mithat Frashëri, Skënder Muço, Ali bej Këlcyra me shokë.

Por antikomunizmin e tyre këta nuk arritën ta kolaudonin me atë që ishte prova e zjarrit e momentit historik, duke u angazhuar në luftën antifashiste, siç bënë forcat demokrate e republikane në Itali, Francë e gjetkë në Evropë, të cilat dolën nga lufta me kredenciale po aq të forta sa komunistët falë pjesëmarrjes së tyre në rezistencën antifashiste.

Antikomunistët shqiptarë, të grumbulluar rreth organizatave të “Ballit Kombëtar” e “Legalitetit”, në rastin më të mirë qëndruan në pritje, dhe në rastin më të keq bashkëpunuan me pushtuesin.

Sigurisht, rasti i Mustafa Krujës është një rast ekstrem. Kruja pretendonte se pranoi ta marrë përsipër drejtimin e qeverisë kuislinge në kushtet kur “organizatat komuniste ishin gjallëruar” dhe kur ai e ndjeu si detyrën e vet “shkuljen e komunizmit”.

Por, a thua vërtet të ketë qenë “antikomunizmi” ai që e shtyu Mustafa Krujën të bëhej kryeministër i një prej qeverive kuislinge më të urryera të historisë së Shqipërisë? Ka pak të ngjarë, përderisa në dhjetorin e vitit 1941, kur ai u emërua nga Musolini, komunizmi ishte shumë larg së pushtuari mendjet dhe zëmrat e shqiptarëve, të cilët atë kohë vuanin një të keqe konkrete e të përditshme, që ishte pushtimi fashist.

Pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit: Mustafa Kruja ishte një fashist i bindur, dhe për fatin e keq të tij, antikomunizmi i një fashisti ishte krejtësisht jashtë kohe dhe i pavlerë në një kohë kur demokracitë e mëdha, SHBA e Britania e Madhe ishin bashkuar pikërisht me bastionin e komunizmit, BRSS, për të mposhtur fuqitë e boshtit nazifashist.

Diçka më shumë se Mustafa Kruja mund ta luanin kartën e antikomunizmit personalitete si Ali Këlcyra, Abaz Ermenji, Skënder Muço apo edhe vetë Abaz Kupi.

Të bindur, dhe me të drejtë, se aleatët anglo-amerikanë nuk e dëshironin një qeveri komuniste pas luftës, këta e justifikonin inaktivitetin, apo edhe bashkëpunimin e tyre me pushtuesin, me nevojën për të ruajtur të paprekura forcat e tyre, të cilat do t’i përdornin pas largimit të gjermanëve për të mënjanuar ardhjen në pushtet të Frontit Nacional Çlirimtar të drejtuar nga komunistët.

Në 15 shkurt 1944, përfaqësuesi i Ballit Kombëtar, Skënder Muço, i përgjigjej me këto fjalë akuzave të majorit amerikan Kuejl (Quayle) lidhur me bashkëpunimin e BK me gjermanët: “Po, ne jemi vënë në krah të gjermanëve për të mundur komunistët dhe ndikimin e FNÇl: një ditë gjermanët do largohen nga Shqipëria, por kush do t’i largojë komunistët”?

Një arsyetim identik përdorte edhe Abaz Kupi ndaj ushtarakëve të misionit britanik të atashuar pranë tij, kur këta e nxisnin të kryente ndonjë aksion kundër gjermanëve.

Nuk mund të mohohet, se justifikimi i inaktivitetit apo i kolaboracionizmit me nevojën për të luftuar komunizmin, ngjiti sidomos tek disa oficerë të misioneve ushtarake angleze, si J. Amery, D. Smiley, Billy McLean dhe tek ndonjë shef i tyre në Londër e në Kajro.

Këta, siç pohon një tjetër oficer anglez, J. Naar, përveç detyrës për të nxitur sulmet kundër gjermanëve, “punonin edhe për të zbatuar një axhendë anti-partizane e anti-komuniste”.

Në pranverën e vitit 1944, majori britanik, Philip Leak, insistonte se, pavarësisht qëndrimit pritës apo bashkëpunimit të hapur me gjermanët, BK e zogistët duhet të mbështeteshin nga aleatët në vështrim të “një kryengritjeje të përgjithshme në fund të luftës”.

Me nota miratuese, në 19 prill 1944 majori Seymour i raportonte Londrës se Kupi “është duke u përgatitur për luftë civile pas largimit të gjermanëve” (is preparing for Civil War after the Germans leave).

Jo të gjithë oficerët britanikë që vepronin në Shqipëri ishin dakord me politikën e mbështetjes së ballistëve e zogistëve, aq më shumë që tashmë ishte e qartë se ishte shuar çdo shpresë për t’i përfshirë ata në luftime kundër gjermanëve.

Në 7 qershor 1944, majori Watrous e paralajmëronte eprorin e tij në Kajro, Boxshall, se “çdo mbështetje e mëtejshme për Abaz Kupin, me gjasa do t’i shërbente vetëm shpërthimit të luftës civile dhe do t’u krijonte shqetësime operacioneve të partizanëve kundër gjermanëve”. Duhet thënë, se misioni ushtarak amerikan OSS nuk u përfshi në këtë lojë të dyfishtë.

Pasi krijuan bindjen se kush luftonte e kush bashkëpunonte, amerikanët vendosën t’i atashonin misionet e tyre vetëm pranë Shtabit të UNÇl.

Abaz Kupi e Mitat Frashëri, Londër 1949

Kalimi në veri

Gjithsesi, kur Divizioni I kaloi në veri dhe sidomos kur ai u angazhua në luftime të gjata e të përgjakshme për çlirimin e Peshkopisë, Dibrës, Krujës etj., vetë britanikët e atashuar tek Abaz Kupi e krerët e Dibrës, patën rastin të konstatojnë nga afër epërsinë dërrmuese të forcave partizane ndaj atyre “nacionaliste”, tek të cilat më kot shpresuan se “do hidhnin ndonjë pushkë” kundër gjermanëve, e sidomos se do ndalnin ardhjen e komunistëve në pushtet pas luftës.

Luftimet e ashpra mëse dy-mujore të angazhuara prej Divizionit I për çlirimin e Peshkopisë dhe të Dibrës, që ishte lufta e parë frontale që UNÇl përballonte me forcat gjermane, e bindën Londrën përfundimisht se Ushtria Nacional Çlirimtare ishte një forcë e jashtëzakonshme goditëse, se kalimi i Divizionit I në veri nuk kishte qëllim eliminimin e Abaz Kupit dhe nuk bëhej për qëllime të luftës civile, por për çlirimin e qendrave kryesore; jo më kot, pas marrjes së Peshkopisë, anglezët rifilluan furnizimet nga ajri, me armë e pajisje, për forcat partizane.

Dhe së fundi, dalja e Divizionit I në veri, e shoqëruar nga një galvanizim i popullsive të atyre viseve dhe me bashkimin e tyre me formacionet partizane, i bindi përfundimisht anglezët, se Abaz Kupi përbënte një faktor të papërfillshëm dhe se kishte qenë kohë dhe energji e humbur investimi i bërë prej tyre në favor të të ashtuquajturve nacionalistë.

Kishin kaluar plot 10 muaj nga koha kur, në 17 dhjetor 1943, nga Orenja gjenerali Edmund Davies i kishte rekomanduar qendrës për t’u dërguar një paralajmërim të fundit ballistëve e zogistëve, që tashmë bashkëpunonin hapur me pushtuesit gjermanë: “Mendoj se qëndrimi i aleatëve duhet të bëhet publik menjëherë, duke deklaruar fort, se kuislingët, tradhtarët dhe ata që nuk luftojnë kundër gjermanëve do të marrin ndëshkimin që u takon dhe në kohën e duhur nga aleatët.

Shqiptarët e kanë bërë këtë lojë kuislingësh në vazhdimësi me turqit, italianët dhe tani edhe me gjermanët. Ata besojnë se do të bëjnë të njëjtën gjë edhe me aleatët. Prandaj rekomandoj të bëhet një deklaratë e hapur në favor të Frontit Nacional Çlirimtar”.

Kalimi i Divizionit I në Veri dhe përmbysja e madhe që ai solli në frontin e luftës dhe në rikonfigurimin e raportit të forcave, i dha fund shpresës së britanikëve për ta faktorizuar Abaz Kupin dhe krerët e tjerë zogistë si një alternativë serioze ndaj FNÇl. Kështu, në shtator 1944, McLean, Smiley e Amery, oficerët anglezë që mbështetën deri në fund Kupin, shpeshherë edhe duke dizinformuar Londrën për forcën e tij reale, u udhëruan ta braktisin atë dhe të kthehen në atdhe.

Balli, Legaliteti dhe teoria e jug-veriut

Në raportet e misionarëve anglo-amerikanë, organizatat e “Ballit Kombëtar” e të “Legalitetit” emërtohen zakonisht si organizata nacionaliste. Në fakt, Kosova dhe Shqipëria etnike zinin vendin kryesor në propagandën e përditshme të këtyre dy forcave politike.

Mbi të gjitha, këto ishin dy tema, që ata mendonin se u siguronin epërsi në ballafaqimin me kundërshtarin e tyre kryesor, Frontin Antifashist dhe me PK dhe që shpëtonin disi imazhin e tyre të kompromentuar nga bashkëpunimi me gjermanët e me qeverinë kuislinge. Megjithatë, dy oficerë anglezë, Ridell e Hibbert, e vinin seriozisht në pikëpyetje ndershmërinë e tyre, kur raportonin se ballistët e zogistët “vërtet flasin gjithë ditën për nacionalizmin, por vështirë të gjesh në sjelljet e veprimet e tyre edhe shenjën më të vogël të nacionalizmit”.

Nga ana e tij, Julian Amery e ilustron fare mirë se cili ishte koncepti i Abaz Kupit mbi atdheun, mbi patriotizmin dhe mbi vetë historinë e Shqipërisë, kur riprodhon një pohim që Abaz Kupi ia kishte bërë atij në një moment sinqeriteti: “Për njëmijë vjet ne Gegët kemi sunduar mbi Toskët dhe tani, me sa duket, ka ardhur radha e tyre të sundojnë mbi ne”.

Mustafa Kruja

Ky koncept antirilindas dhe antishqiptar, që ekzaltonte armiqësinë mes Veriut e Jugut në një moment kur vendi ishte i pushtuar nga gjermanët, kishte qenë artikuluar qysh herët në nivelin e një platforme ideologjike nga kuislingu Mustafa Kruja. Sejfi Vllamasi, në vitet 1920, e akuzonte Mustafa Krujën si “teoricienin e flaktë të filozofisë idiote të luftës mes Gegëve e Toskëve”.

Për të njëjtën arsye, në 1925, edhe Faik Konica e godiste hidhur ish- dishepullin e Esad Pashës, Mustafa Krujën pra, “një bandit pa skrupull… e spiun i mbaruar…që vazhdon akoma propagandën e tij të vjetër kundër Toskëve. Mustafa Kruja e di se udha më e lehtë për të dobësuar Shqipërinë e për të prishur shtetin është të kallet mosbesim mes Toskëve e Gegëve. Le të shpresojmë se shqiptari s’do bëhet vegël e këtij vagabondi”.

Si për të vërtetuar se ishte vërtet i tillë, në 18 korrik 1944 Mustafa Kruja u drejtoi një thirrje bashkëqytetarëve të tij krutanë për t’u përgatitur për luftë kundër Jugut “komunist” që, sipas tij ishte lëshuar të pushtonte Veriun.“Ne s’kemi shkuar për t’i kërkuar këto bisha në strofkull të vet, atje larg në Toskëri, por sot na kanë ardhë ata te shtëpitë tona… Mos t’i lemë të shkelin vatrat tona e të bëjnë qejf me gratë e vajzat tona”.

Kjo ideologji e përçarjes gjarpëronte, ku më shumë e ku më pak, tek të gjitha rrethet kuislinge të veriut dhe e dha grahmën e fundit të saj, në janar 1945, gjatë kryengritjes së Koplikut kundër qeverisë së Tiranës, të cilën dikush vazhdon ta pagëzojë si kryengritjen e parë antikomuniste në Evropë.

Në traktin e shpërndarë prej organizatorëve të saj, ndër të cilët edhe mjaft ish-funksionarë e milicë fashistë, qeveria e Tiranës nuk sulmohej si qeveri komuniste, por si një qeveri “që ishte thjesht e toskëve dhe prej së cilës gegët nuk do fitonin asgjë”.

Mendjelehtësia e baballarëve dhe disa pakte skandaloze

Është pikërisht kjo urrejtje ndërshqiptare, e ushqyer tinëzisht nga pushtuesit e huaj dhe nga bajraktarë e, ndonjëherë, edhe klerikë të caktuar, që shpjegon brutalitetin me të cilin u sollën bandat e Xhafer Devës, Halil Alisë, Hysni Demës, Selim e Dan Kaloshit ndaj popullsisë civile në Tiranë, Vlorë apo Berat. Masakrat e kryera prej tyre nuk shpjegohen me kinse “nacionalizmin” e “antikomunizmin” e tyre. Për këta kuislingë mendjengushtë, që makar flisnin ditë e natë për Shqipërinë e Madhe, atdheu fillonte e mbaronte tek kufijtë e katundit e të krahinës së vet. Individë të tillë nuk kishin të bënin fare me nacionalizmin e mishëruar në programin e Rilindjes Kombëtare për një Shqipëri të bashkuar në një shtet unitar.

Por, nuk ishte më i mirë as “nacionalizmi” i shprehur nga ideologët dhe krerët e Ballit Kombëtar e të lëvizjes zogiste. Këta, duke u implikuar direkt ose indirekt në regjimin e pushtimit, morën pjesë në zhbërjen e pavarësisë, në humbjen e sovranitetit dhe në rrezikimin e kufijve të njohur në 1913.

Të ashtuquajturit “baballarë të nacionalizmit shqiptar” nuk kishin një projekt të tyre për Shqipërinë, por u zvarritën pas projekteve të hartuara në ofiçinat e huaja.

E pranuan “Shqipërinë e Madhe” të bërë dhuratë nga nazifashistët, pa e menduar gjatë se pas lufte ajo mund të tërhiqte në greminë edhe Shqipërinë e vogël të 1913-s. Njëherësh, si organizata e Ballit, ashtu edhe legalistët e Zogut përqafuan projektin e një federate ballkanike greko-jugosllavo-shqiptare, sapo morën vesh se për të po punohej në MPJ të Britanisë së Madhe.

Kuptohet, projekti i një federate të tillë i skicuar nga anglezët, nuk i jepte Shqipërisë as Kosovën e as Çamërinë.

Muharrem Bajraktari, Greqi 1948

Në frymën e projekteve të tilla, si ballistët ashtu edhe zogistët kryen bisedime të fshehta me serbët dhe me grekët. Në vitin 1941, Muharrem Bajraktari dhe përfaqësues të Zogut në Stamboll filluan bisedime me përfaqësues të Drazha Mihajlloviçit, eksponent serb monarkist e antishqiptar, për të ripërtërirë marrëveshjet e fshehta të bëra me Pashiçin nga Esad Pasha në 1914, dhe nga Ahmet Zogu, në 1924. Bisedimet synonin krijimin e një federate jugosllavo-shqiptare, me kusht që Jugosllavia të ndihmonte “rilindjen zogiste”, d.m.th. rikthimin e Zogut në pushtet me ndihmën e bajonetave sllave, si në vitin 1924.

Kur e pa se Mihajlloviçi nuk kishte gjë në vijë dhe në Jugosllavi po triumfonin komunistët e Titos, Muharrem Bajraktari iu përkëdhel grekëve, duke paraqitur projektin e një federate “pellazgjike” greko-shqiptare.

Ndonjë muaj më vonë, Kryetari i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri në emër të BK dhe Koço Kota në emër të zogistëve, hynë në bisedime me grekët për krijimin e një federate greko-shqiptare. Projekti i paraqitur nga ballisto-zogistët e linte Kosovën e Çamërinë jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë dhe e vinte ushtrinë shqiptare nën urdhrat e Komandës greke.

Nëse për këtë marrëveshje nuk u ra dakord, kjo erdhi pasi Gjenerali Athanas Chryssoidou, që përfaqësonte palën greke, kërkoi shumë më tepër nga ç’ofronte Mit’hat Beu.

Kërkonte që Shqipëria të kthehej thjesht në një provincë të varur nga Athina (ekartima), ku shqiptarët do mund të zgjidhnin vetëm kryetarët e bashkive e të komunave, ndërkohë që guvernatori do emërohej nga Athina. Shqipëria nuk do kishte ushtri, do kishte vetëm një xhandarmëri dhe nuk do të kishte shërbim të jashtëm, që do të mbulohej nga Athina.

Parë nga distanca kohore, qëndrimet e të ashtuquajturve nacionalistë, të grupuar rreth “Ballit Kombëtar” e “Legalitetit”, nuk lenë vend për shumë fjalë.

Qëndrimi i tyre gjatë luftës e kompromentoi seriozisht pozicionin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes, ku asaj u tentua t’i mohohej statusi i vendit aleat dhe ku ndaj saj u paraqitën përsëri pretendime territoriale.

Qëndrimi i tyre mbeti antikombëtar edhe pas vitit 1944, kur vazhduan të ushqejnë ëndrrën për t’u kthyer në pushtet sa me ndihmën e anglo-amerikanëve, aq edhe me atë të qarqeve shoviniste greke.

Madje, pas prishjes së regjimit të Tiranës me Jugosllavinë, në 1948, mjaft prej tyre, mes sosh edhe vetë Ahmet Zogu, i mbështetën shpresat tek “komunisti” Tito, të cilit i premtuan miqësi të pakushtëzuar, në rast se ai i ndihmonte të vinin në pushtet.

Në kushte të tilla, mund të merret me mend, se cila do të kishte qenë fati i Shqipërisë, në rast se çlirimi do ta kishte gjetur atë të drejtuar nga kjo shpurë kuislingësh e kolaboracionistësh./njekomb

Shqipëria e kuislingëve Read More »

Njera nder piratet femra me mahnitese te historise – Teuta e Ilirise

Disa pirate femra kanë thyer stereotipin se vetëm meshkujt janë piratë. Duke nisur nga Roma e Lashtë deri tek Marina Mbretërore, këto femra pirate  konsiderohen më të këqijat e të më këqinjve.Mund të jetë e vështirë të besohet, por të kesh një mjekër të madhe nuk është domosdoshmëri për të qenë pirate.

Mbretëresha Teuta e IlirisëTeuta-the-Untameable-768x453Të paktë kanë qenë ata meshkuj që kanë pasur këllqet për të mundur forcën e Romës. Por ishte një mbretëreshë pirate si Teuta e Ilirisë që arriti t’i sfidonte romakët. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Mbretit të Ardianëve, Teuta trashëgoi Mbretërinë Ardiane në vitin 231. Me mbështetjen e mbretëreshës së tyre, ilirët morën qytetin fenikas dhe atë të Dyrrahut (Durrësin). Për të zgjeruar shtrirjen e tyre, piratët e saj sulmuan anijet tregtare të Romës dhe Greqisë. Në vitin 229 Roma u detyrua t’i shpallte luftë Ilirisë dhe Teutës. Një forcë prej 20 mijë trupash romake e detyruan Teutën të dorëzohej.

Sayyida al Hurra

Sayyida al Hurra

Sayyida al Hurra ishte vajza e një familje të shquar myslimane me bazë në Mbretërinë e Granadës. Ata u detyruan të iknin nga shtëpia e tyre në vitin 1492, pas ripushtimit të Spanjës nga të krishterët. Sayyida dhe familja e saj u vendosën në Chaouen, Marok. Pas vdekjes së burrit të saj biznesmen në 1515, Sayyida u bë guvernatore e Tetouan. Ajo u takua dhe u martua me Mbretin e Marokut, Ahmed al-Wattasi. Zemërimi i saj ndaj të krishterëve që e kishin detyruar atë të largohej nga shtëpia e saj ishte i vazhdueshëm për Sayyida. Ajo lidhi kontakt me Barbarossan e Algjerit, dhe iu fut piraterisë. Gjatë misionit për kapjen e anijeve kristiane, Sayydia u bë mbretëresha më e pushtetshme mbi detin Mesdhe në sytë e të krishterëve.

Anne Bonny

Anne-Bonny-e1380133847867

Anne Bonny ishte një pirate irlandeze e lindur mes viteve 1697-1700. Pas zhvendosjes së familjes së saj në Botën e Re, nëna e Anne vdiq, dhe babai i saj akumuloi një pasuri të vogël. Anne u mohua nga babai i saj. Ajo lëvizi për në Bahamas ku takoi kapitenin e një anije pirate Jack Rackham. Anne ndihmoi në ngritjen e një ekuipazhi të ri dhe arriti të kapte shumë anije, disa prej të cilave transportonin çaj. Si një kërcënim për tregtinë e çajit që ishin, guvernatori i Xhamajkas bëri apel kundër Jack Rackham dhe Anne Bonny. Anija e tyre u kap dhe Rackham u ekzekutua. Ndërsa Bonny u zhduk e fat ii saj mbetet i panjohur.

Jeanne de Clisson

Jeanne de Clisson

E lindur në vitit 1300, Jeanne ishte pasardhëse e një familjeje britanike. Në vitin 1330 Jeanne u martua me Olivier III de Clisson. Si fisnik i pasur që ishte, atij iu desh të mbronte vendin e tij, por u kap në Paris, dhe u ekzekutua nën urdhrat e Mbretit Filip VI. Jeane e mbushur me mëri, u betua për hakmarrje. Ajo ia shiti tokat e saj fisnikëve të pasur dhe bleu tre luftë-anije. Anijet e saj u quajtën “Flota e Zezë” dhe filluan të shkatërronin anijet që i përkisnin Mbretit Filip. Ajo linte vetëm disa marinarë gjallë të anijeve kundërshtare për t’i dërguar mesazhin Mbretin se Luanesha e Anglisë kishte goditur sërish. Edhe pas vdekjes së mbretit Filip ajo vazhdoi të luftonte anijet franceze derisa vendosi të kthehej në Angli.

 

Ching Shih, nga prostitutë në një lorde pirate

Ching-Shih-nga-prostitutë-në-një-lorde-pirate

Ching Shih lindi në provincën Guangdong të Kinës në 1775. Ajo u bë një prostitute që punonte në bordello të ndryshme. Pirati Zheng Yi, i cili komandonte një grup anijesh, vuri re bukurinë e Ching Shih dhe e mori atë për grua. Me çiftin në krye, “Flota Flamuri i Kuq” nga 200 anije arriti në 1700. Zheng Yi vdiq në vitin 1807, vetëm pas 6 vitesh martesë. Ching Shih mori fronin dhe njihej si një pirate e rreptë dhe e disiplinuar. Ajo u fokusua më shumë në strategjitë ushtarake dhe biznesin. Ajo gjithashtu krijoi disa ligje që mbronin piratët e saj. Skllevërit femra që konsideroheshin të shëmtuara liheshin të lira e të padëmtuara. Nëse një pirate donte të merrte për grua një skllave të bukur, kjo gjë i lejohej. Në fund të karrierës së saj si pirate, Ching Shih u rikthye në Canton dhe hapi një shtëpi kumari ku qëndroi deri në fund të jetës.

Anne Dieu-Le-veut

Anne Dieu-Le-veut

E lindur rreth vitit 1650, Anne ishte një kriminele e deportuar nga Franca në Tortuga diku mes 1665 dhe vitit 1675. Në Tortuga, Anne u martua me piratin Pierre Length. Në vitin 1683, Pierre u vra gjatë një përleshje. Anne e sfidoi vrasësin e burrit të saj në një duel.  Laurens që refuzoi të luftonte me një grua, u impresionua nga guximi i Anne dhe i propozoi asaj. Anne pranoi. Ata lundruan së bashku duke kapur shumë anije dhe duke bastisur Xhamajkën në vitin 1693. Ajo u kap një vit më vonë dhe u ribashkua me Laurens në vitin 1698.

Grace O Malley, mbretëresha pirate e Irlandës e shekullit 16

Grace-O-Malley-mbretëresha-pirate-e-Irlandës-e-shekullit-16

Grace O’Malley ka lindur në Irlandë rreth vitit 1530, kur Henri VIII ishte Lord i Irlandës. Babai i Grace ishte prijës detar i klanit O Maille. Pasi bashkëshorti i saj Donal u vra dhe kështjella e tij u kap, Grace ngriti një ushtri dhe e ripushtoi kështjellën. Gjatë martesës së saj të dytë, Grace mori rolin e babait të saj, që mblidhte taksa nga peshkatarët në territorin e tyre. Ajo gjithashtu filloi t’i kërkonte para kesh anijeve tregtare për një kalim të sigurtë. Kur të tjerët refuzonin ata vriteshin. Grace gjithashtu sulmonte fortesat e fisnikëve irlandezë e skocezë.

Elizabeth Killigrew

Pirate-fleet-e1380133739390

Data e lindjes së Elizabeth është e panjohur. Ajo u bë zonja Killigrew kur u martua me Sir John Killigrew të Arvenack. Kur në vitin 1540 Kështjella Pendennis u ndërtua nga Mbreti Henri VIII, Killigreë morën kontrollin e anijeve në këtë zonë, duke ngritur fortesën e tyre. Ata përdorimin pozicionin e tyre për të marrë para nga anijet që hynin në zonën e tyre të kontrollit. Kur bashkëshorti i saj vdiq, Elizabeth mori komandën e plotë të piratëve. Pasi Elizabeth u kap në vitin 1582, asaj iu dha një falje  nga Mbretëresha Elizabeth.

 

Christina Anna Skytte

Christina Anna Skytte

E lindur në vitin 1643, Christina ishte fëmijë i baronit Baronit Jacob Skytte e Duderhof, të Suedisë. Vëllai i saj, Gustav Skytte, jo  i lumtur me pasurinë e tij tashmë të çmendur, bëri një jetë të dyfishtë si pirate që nga viti 1657 e tutje duke plaçkitur anijet në Detin Balltik. Sëabshku me të dashurin e saj, Gustaf Drake, Christina u bë partnere në biznes. Christina tregoi se ajo nuk ishte një partnere pasive. Në vitin 1663 ajo ishte prezente kur sulmuan një anije tregtare holandeze,, duke bërë që i gjithë ekuipazhi i saj mbetën të vrarë. Ky sulm çoi në ekzekutimin e Gustaf dhe Christina u detyrua të largohej.

Jacquotte Delahaye

Jacquotte Delahaye

E lindur në Haiti nga një nënë haitiane dhe një baba francez, Jacquotte pati një fëmijëri të vështirë. Nëna e saj vdiq pasi lindi të vëllain e saj, ndërsa i ati iu vra, duke e lënë Jacquotte me pak para. Ajo u detyrua t’i futej piraterisë në Karaibe për t’u kujdesur për vëllain e saj. Aktive në vitin 1660, ajo falsifikoi vdekjen e saj për t’iu arratisur qeverisë që e kërkonte. Pasi jetoi për shumë vite si mashkull, ajo për shumë vite jetoi si pirate duke korrur shumë suksese./njekomb

Njera nder piratet femra me mahnitese te historise – Teuta e Ilirise Read More »

8 gusht 1991, Majko: Anija “Vlora” u kthye në një simbol të emigrantëve

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko kujton valën e largimit të shqiptarëve drejt vendeve fqinje pas rrëzimit të diktaturës, që sot me 8 gusht përkon me 27 vjetorin e largimit të anijes së quajtur “Vlora”, drejt brigjeve të Barit në Itali.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Majko shprehet se në 8 gusht të vitit 1991 një anije shqiptare me rreth 20 mijë persona në bord, mbërriti në portin e Barit.

“Anija e quajtur “Vlora” u kthye në një simbol të emigrantëve, të ëndrrës dhe shpresës për një të ardhme më të mirë. Pak ditë më parë në portin e Barit ankoroi një tjetër anije; “Anija e shpresës”, një skulpturë kjo që i kushtohet eksodit të madh të 27 vite më parë. Skulptura, e cila u realizua nga artistja shqiptare Ledi Shabani, dëshmon mirënjohjen e popullit shqiptar për mikpritjen që i ofruan qytetarët e Barit” shprehet Majko.

Më tej Majko shton se “ngjarja është e ngulitur thellë në kujtesën e të dy popujve dhe ka frymëzuar gjithashtu realizimin e dokumentari “La Nave Dolce”, nga Daniele Vicari”./atsh

8 gusht 1991, Majko: Anija “Vlora” u kthye në një simbol të emigrantëve Read More »

Si iu dhurua Skënderbeut spitali më i madh në Italinë e Jugut?

Emrin e San Giovanni Rotondo-s e të mrekullive, që bënte e bën në këtë vend  të bekuar një frat me varrët e gozhdave të Krishtit në duar, shqiptarët nisën ta dëgjojnë vetëm pasi u shemb tirania. E në vendin e tiranëve, u rikthyen shenjtorët.

E madje nisën të dëgjohen edhe emra të rinj, si ai i Atë Piut të Pietrelçinës, e ndokush nisi edhe të mjekohej në njërën nga mrekullitë më të mëdha të këtij frati këmbëzbathur. Në spitalin tashmë të njohur botërisht të lehtësimit të dhimbjes.

Por askujt nuk i shkoi as nëpër mend se San Giovanni Rotondi ishte pronë e shqiptarëve… Në kohë të largëta, kuptohet, kohë heroike, që pak kanë të bëjnë me kohët tona… Duhet të rikthehemi 550 vjet pas, për të kuptuar si e qysh San Giovanni Rotondo kaloi në duar shqiptare. Duhet të arrijmë në Mbretërinë e Napolit, në verën e vitit 1461, kur Skënderbeu u nis, në krye të ekspeditës shqiptare, për të ndihmuar të birin e mikut të tij, Alfonsit të Napolit, në një çast tejet të vështirë, kur po humbiste fronin. Gjergji, sapo arriti, u vërsul vrullshëm mbi kundërshtarët e princit napoletan dhe bëri kërdi mbi ta.

Shpejtësia e rrufeshme e manovrimit dhe dora e sigurt në drejtimin e  sulmeve, bëri që të fitonte admirimin dhe mahnitjen e të gjithë atyre, që qenë të pranishëm në betejë.

“Emri dhe lajmi i ardhjes së Skënderbeut – shkruan një historian i asaj kohe – jo vetëm që i shkatërroi të gjitha planet e armiqve, por e mbushi Italinë me famën dhe ngadhënjimin e tij”. Atëherë bota e asaj kohe e njohu konkretisht! E më mirë nga të gjithë, Ferdinandi i Napolit, që e quajti atë dhe i dhuroi, si pronë të përhershme, Tranin dhe San Giovanni Rotondon, në Italinë e Jugut.

Sot, kur pronat në Shqipëri janë mollë sherri, ndokush mund të pyesë, jo fare pa interes:

“U mor vesht si e fituam, po për ta humbur, si e humbëm?”. E humbëm njëherësh me trojet tona, kur u pushtuan. E humbëm dhe e harruam. Po në kujtesën e historisë, që nuk harron kurrë, mbeti pronë e ca viseve, të cilat nuk kishin më prona.

E atëhere mbi gjurmët e potkonjve të kalit të Skënderbeut, shkeli këmba e zbathur e një frati të thjeshtë. Pikërisht mbi ato troje që, sipas historisë, vijonin të ishin pronë e shqiptarëve. E çuditshme, kjo puna e pronës, me një mori kuptimesh – nga kuptimi material, tek ai shpirtëror – më i rëndësishmi. San Giovanni Rotondo mbetet pra, përsëri, pronë shpirtërore e shqiptarëve, të cilën nuk mund t’ua rrëmbejë asnjë sulltan….

Kush dëshiron ta vërtetojë këtë pronësi, mund të shfletojë ndonjë nga “Historitë e Skënderbeut”. E do ta gjejë patjetër.

 Referenca:  Arkivi i Vatikanit

Si iu dhurua Skënderbeut spitali më i madh në Italinë e Jugut? Read More »

Gravura e rrallë: Ja si duket stërnipi i 11-të i Skënderbeut (Foto)

Meqenese te gjithe vrapuan per te postuar dicka ne kujtim te te madhit Skenderbe, hapa edhe une arkivin tim per te pare mos kisha ndonje gje per te.

Me poshte po sjell dicka shume interesante dhe te rralle per te kuptuar se miti i te madhit Skenderbe vazhdonte ende ne Europe shekuj pas vdekjes se tij ne Lezhe.

Ne Koleksionin Mbreteror te Anglise nder materialet e rralla ne arkiven kolosale te saj ndodhet edhe nje Gravure e shek te 18. Kjo Gravure jep portretin ne profil te nje personi ende te pa njohur nga histografia jone me Titullin e Princit te Albanise.

Se kush eshte ky person mbetet per t’u zbuluar por fakti qe ndodhet ne koleksionin Mbreteror te Anglise tregon per interesin qe ende pas 4 shekujsh miti i Skenderbeut ishte i gjalle ne Europe.

Imazhi i Gravures me permasa 13.3 x 8.8 cm ka Profilin e Princit i cili cuditerisht nuk ka perdorur Shqiponjen me dy krere por nje shqiponje Perandorake. Me poshte mbishkrimi qe shoqeron Portretin e ketij princi i cili pretendon se vjen nga linja e te madhit Skenderbe.

“Nuk eshte nje vdekatar por eshte Apollo qe flet me zerin e tij” .

Ndersa ne Medalion shkruhet: “Princi Kastriot i Shqiperise sternipi i 11 i te Madhit Skenderbej 18 Shkurt 1751”./Dita

auroni

Gravura e rrallë: Ja si duket stërnipi i 11-të i Skënderbeut (Foto) Read More »

Kush ishte qyteti shqiptar që dekoroi ish-Presidentin amerikan Roosvelt

Në qytetin e Durrësit është emetuar medalja e parë në historinë e shtetit të ri shqiptar. Ajo i përket periudhës së Princit Vidit dhe njihet si “Urdhri Mbretëror i Shqiponjës së Zezë”. Po nga Durrësi i është dhënë dekorata e parë një personaliteti të shquar amerikan, ish-presidentit Teodore Roosevelt.

Derdhja e dekoratës së parë është bërë nga qeveria e Durrësit në tre kategori metalesh: në ar, argjend dhe në bronz. Ky urdhër i përket datës 26 mars 1914, kohë kur Princ Vidi ndodhej në ushtrimin e detyrës së tij të ngarkuar nga fuqitë e mëdha në qytetin bregdetar.

Po ndërkohë, mësohet se Princ Vidi, mbreti i Shqipërisë krijoi Urdhrin e Skënderbeut (The Order of Skender Bey) gjatë mbretërimit të tij për të lartësuar veprën e heroit kombëtar.

Medalja “Ürdhëri i Shqiponjës së Zezë”, e akorduar nga Princ Vidi, në vitin 1914
Me këtë urdhër ai nderoi tre amerikanë të shquar, miq të Shqipërisë së asaj kohe: Kolonelin Teodore Roosevelt dhe Dr. Layman Abbot për editorialet në gazetën “The Outlook” ku përkrahej çështja shqiptare; si dhe filantropistin Charles Richard Crane.

Pranë Princ Vidit shërbeu kapiteni amerikan Harold Sherwood Spencer, i cili solli dokumentacionin e dekorimeve në SHBA në shtator 1914 me mbarimin e misionit të tij në Shqipëri më 6 gusht 1914.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme për historinë tonë, mësohet, duke iu referuar një shkrimi të VOAL, se  janë disa gazeta amerikane (Boston Evening dhe Fitchburg Sentinel të datës 24 shtator 1914; The Washington Times e datës 27 shtator 1914; etj) që e përcollën lajmin e ardhjes së kapitenit Spencer me dekorata për amerikanët e shquar.

Në takimin e 7 nëntorit 1914 në Çikago, me rastin e dhënies së dokumentit të kësaj dekorate të lartë zotit Crane, kapiteni Spencer (sipas gazetës Chicago Examiner, dt. 8 nëntor 1914) midis të tjerash, u shpreh: “Unë jam në Amerikë si përfaqësuesi personal i Princ Vidit, megjithëse mbreti është detyruar të lërë kryeqytetin e Durrësit e të vendoset në Gjermani.

Misioni im është të sjell tre dekoratat e “Urdhrit të Skënderbeut” që është nderimi më i madh që një mbret shqiptar mund të japë. Amerikanët që janë nderuar nga qyteti i Durrësit janë: ish-presidenti Teodore Roosevelt, Dr. Lyman Abbot, editorialisti i The Outlook dhe Charles R. Crane, (president i Albanian Relief Fund), udhëheqës i lëvizjes për krijimin e fondit Shqiptar të ndihmës për mijëra e shqiptarë të uritur.” /tesheshi

Kush ishte qyteti shqiptar që dekoroi ish-Presidentin amerikan Roosvelt Read More »

Serbët vranë fëmijët në djep. A mund të kemi fqinjësi të mirë me ta? (Video)

Shrkuan: Sahide Dedushi

Lufta e vitit 1998-99 mbetët një nga ankthet më të frikshme ndër vite. Ishte  data 28 e muajit shkurt të vitit 1998 që solli netët pagjumë e ditët pa fund. Tanke dhe artileri të rënda u futen brenda në vatrat tona për të mbjell terorrin që me vite po e kujtojmë. Nuk u kursye as fëmija në djep, e as plaku i sëmur gjithçka mori dhenë. Ajo çka ne quanim shtëpi u bë shkrumb e hi.

Për të mos u takuar me agresorin popullata e pafajshme dhe me plotë frikë morën rrugën për tu largua nga e keqja që kishte “kapur” e kishte filluar të zotëronte gjithçka. Fëmijë, gra, burra e të moshuar, disa këmbëzbathur e disa gjysmë të zhveshur lënë pas gjithçka e mbi rrugët  të mbuluara me dëborë u larguan për të jetuar.

Krismat tashmë ishin e vetmja “muzikë” që mund të dëgjoje në çdo hap ndjeje rrezikun dhe e mendoje më të keqen, vaji fëmijëve jehonte në fusha e male.

Kolona të gjata e të stërmbushura ishin pafund sikur ishte bërë një lumë i zi mes fushave e maleve dhe po ecte në një drejtim të panjohur të gjallët me lot në sy e me zemra të bëra copash po varrosnin të vdekurit duke i lënë të pushonin por jo të qetë. Sytë e plakut ishin mbushur me lot e shikimi i ishte mjegulluar nga dhimbja dhe trishtimi teksa po u jepej lamtumira e fundit dëshmorëve të rënë për  lirin e atdheut.

Pikëllimi i kishte “përqafuar” të gjithë asgjë më nuk ishte si më parë, gjithçka ishte rrënuar e futur thellë në netët plotë errësirë. Tashmë kjo gjendje ishte bërë e padurueshme, vazhdimi i shtypjes, vrasjeve, persekutimeve të  popullsisë bindi shqiptarët se vetëm rezistenca e armatosur do ta ndryshonte këtë situatë të tmerrshme e të rënduar.

Si doli në skenë UÇK-ja?

Me datë  22 prill 1996, katër sulme  u ndërmorën ndaj personelit të sigurisë serbe në disa pjesë të Kosovës. Këto sulme u cilësuan si sulme të panjohura, por që sulmet u morën përsipër nga një organizatë e panjohur në atë kohë e quajtur “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” (UÇK).

Natyra e  kësaj ushtrie “misterioze” mbetej e panjohur nga ndërkombëtarët. Sulmet e  kësaj ushtrie u shtuan , ku si qendër kishin  luginën e Drenicës në afërsi të vendbanimit të Adem Jasharit.

Por një “bishë” e vendosur ndër male brenda “zemrës” së Kosovës po priste “damarët” e saj, dhe nuk po pyeste apo priste fare të mendonte se fëmija nuk mund të kapte armën dhe ti kundërpërgjigjej ashtu si e meritonte.

Shqiptarët iknin nga Kosova me lot në sy!

Një ngjarje tjetër goditi Kosovën, e cila shkaktoi një irritim të thellë në vendet e perëndimit. 5 marsi i vitit  1998 solli vrasjen masive të 60 shqiptarëve. Tashmë ishte koha që bota të “hapte sytë” e të thoshte ndal.

Karvanë të mëdha me shqiptar ia mësyn jetës së mërgimit, trena të mbushur e të gjithë të vendosur në dritare duke bërë me dorë për të përshëndetur dhe sikur jepnin mesazhin se ata do të ktheheshin, por sapo kjo katrahurë dhe dhimbje të merrte fund.

Lotët rridhnin lum e gjaku tashmë ishte vendosur mbi dhe, duke skuqur çdo gjë e kjo skuqje përfundoi në çdo fytyrë të çdo lideri botëror që nuk po merrte mundin të ndalonte këtë gjenocid që po merrte jetra fëmijësh e po ua ndalte buzëqeshjen, ëndrrat po u a linte në gjysmë.

Lufta u mori gjithçka u mori kujtimet, harenë, shtëpitë, e mbi të gjitha u mori jetët, kthimi më nuk ishte aq i shumë pritur të gjeje të dashurit e tu nëpër rrugë të zbathur e të gjakosur kjo nuk ishte ajo çka ata e pritën.

Sot pas 19 vjetësh akoma i kujtojmë dhe i jetojmë ditët dhe netët plot ankth dhe trishtim.

/infopress/

Serbët vranë fëmijët në djep. A mund të kemi fqinjësi të mirë me ta? (Video) Read More »