Histori

Letra drejtuar mësuesit të djalit. Presidenti i madh rrëfen edukimin e vërtetë të njeriut…

Letra e Abraham Lincoln shkruar në vitin 1830 drejtuar mësuesit të djalit!

Mësues i nderuar,

Djali im sot e fillon shkollën. Pas pak, gjithçka do të jetë për të e çuditshme dhe e re, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht. Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet.

Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi.

Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo. Për këtë, i dashur Mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë – por butësisht, nëse mundeni.

Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik. Atij do t‘i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, se jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.

Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.

Mësojeni të jetë i mirë me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojeni po të jetë e mundur – si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.

Mësojeni se mund të ketë dështim të ndershëm dhe fitore të turpshme. Mësojeni t’i përqeshë cinikët.

Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbër.

Mësojeni të këtë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do ti thonë se janë të gabuara. Mundohuni ti mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë të gjithë atë që dëgjon në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij sesi të shesë talentin dhe zgjuarësinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën. Lejojeni të ketë kurajën për të qenë i padurueshëm. Lejoheni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në zotin. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mirë. Dhe është biri im”.

Me respekt,

Letra drejtuar mësuesit të djalit. Presidenti i madh rrëfen edukimin e vërtetë të njeriut… Read More »

Mallakastra, dikur martire – sot e braktisur

Në këtë shkrim unë nuk kam qëllim, as tagrin dhe mundësinë të flas për këtë se e bëjnë dhe e kanë bërë veteranët e gjallë dhe historiografia jonë kombëtare që e njeh kontributin e vyer të krahinës në LANÇ dhe më gjatë në gjithë momentet nevralgjike historike të Shqipërisë.

Dua të hedh disa mendime për Mallakastrën si krahinë dhe për figurat e shquara dhe historike së saj që i kanë bërë nder tërë kombit shqiptar.

Mallakastra, e vetmja krahinë në Shqipëri që e ka merituar të quhet dhe “martire”. Po të gërmosh në histori dhe etimologji emrin “Mallakastër” do të thotë latinisht male-castre (kala e keqe). Kjo krahinë e vogël por me “nam” e ka marrë këtë emër nga hordhitë e ushtrisë romake të Jul Çezarit, pasi u bë koloni romake që në sundimin e Augustit. Mallakastra është një krahinë që shquhet për intrasigjencën patriotike dhe figurat e saj që kanë zënë vend të nderuar në panteonin patriotik. Kjo zonë me tipare dhe tradita burrërie dhe trimërie, por edhe urtësie dhe kulture të lashtë, ka simbol Bylisin antik të Ilirisë.

Pak histori për Bylisin

Bylisi (Byllis) që nga sh. VI p.k. – ka qenë qytezë e zhvilluar e Ilirisë, dhe ka patur dhe teatrin dhe gjimnazin e vet. Në vitet 230-168 p.k. ka prerë dhe monedhat e veta. Klosi – Nikaia – qytet tjetër 1400m larg Bylisit, me pikën dominante të Gradishtës dhe kalanë e Nikaias. Dy qendra të tjera të lashta banimi kanë qenë dhe Margëlliçi dhe Allambrosi, por kohët e fundit janë gjetur gjurmë qyteti të lashta dhe në afërsi të Cfirit. Bylisin e përshkruan gjeografi grek Skylaksi si një qytet Ilir që në v.380 p.e.s.

Plini Plaku (historian romak) e quante popullin e Bylisit – barbar dhe e cilëson atë si koloni Romake që nga Sh. I-re. Ndërsa Ptolemeu në sh. II dhe Herakli në sh. VI, e klasifikonin atë ndër qytetet kryesore të Ilirisë, krahas Apolonisë, Butrintit dhe Amantias. Nën sundimin e Augustit qyteti i Bylisit u kthye në një koloni Romake, ku u vendosën veteranë romakë. Qyteti i Bylisit iu dorëzua Çezarit të Romës në v. 49-48 B.C.

Në vitin 431 peshkopi Felix, i Apolonisë dhe i Bylisit, mori pjesë në koncilin e Efesit. Në vitin 458 Bylisi kishte një peshkop të vetin. Gjatë sundimit të Justinianit (527-565) Bylisi përmendet edhe si një nga qytetet kryesore të Provincës së Epirit të Ri. Ai u shkatërrua përfundimisht nga sllavët-serbë (për herë të dytë) dhe nga kur u braktis fare, ne v. 586.

Ja ç’shkruan në librin e tij “Mallakastra dhe Myzeqeja” austriaku C. Praschniker (1920): “Në zonën malore-jugore shtrihet Mallakastra. E gjithë krahina është një zonë kodrinore që vjen dalëngadalë duke u ngritur nga perëndimi drejt lindjes, kokojkat (majat) e kodrave të kësaj zone përbëhen nga argjili, shtufi, dhe guri ranor, dhe rrallë gjen mbi to dhe formacione gëlqerore (kreshta e Shpiragut..). Më tej zona kodrinore prej guri të butë ndërpritet pastaj prej malesh të moçëm prej guri gëlqeror (kreshta e ashpër e malit të Shëndëllisë) dhe kurrizi-thikë i gjatë dhe uniformë i Shpiragut, i cili ndërpritet nga qafa e butë e Sinjës, që ka qenë prej kohësh të lashta një shteg kalimi për në jug d.m.th. drejt Vjosës e përmes saj drejt Vlorës dhe Italisë. Mallakastra e Butë është zonë me popullsi më të dendur, në tokë të punuar më mirë dhe me nivel kulturor më të lartë të Shqipërisë…”.

Reminishenca historike në vite

Në memorien time ka mbetur si një imazh që s´venitet lehtë figura e Bektash Cakranit, që ishte fillimisht kryetar i lëvizjes së rezistencës së Mallakastrës, ndaj pushtuesve. Më vonë këtë stafetë ai ia dorëzoi “me dëshirë“ Mehmet Shehut dhe ky ia “shpërbleu“ dorëzimin e stafetës dhe kontributin e tij patriotik duke e varur në litar në Ballsh pas çlirimit.

Që në kohën e Perandorit bizantin me nam Kantakuzen (Cantacuzene, sh. XII) dalin në pah mallakastriotët në takime direkte me të për problemet e krahinës. Dhe siç e dimë historinë dhe më pas në reformat e mëdha radikale të Tanzimatit që ndërmori Perandoria Osmane/Turke del në pah emri i heroit mallakastriot Rrapo Hekali. Dhe kjo traditë e kësaj krahine martire ka vazhduar e trashëguar e tillë në shekuj deri në kohën tonë.

Për të nënvizuar këtë fakt po përmend disa nga njerëz që kan lënë gjurmë në historinë tonë e më gjerë, që nga Rrapo Hekali, etj, si prijës të kryengritjes së Tanzimatit apo të patriotëve Ismail Klosi, Hajredin e Musa Fratari (që kanë hapur dhe shkollën e parë shqipe në Mallakastër) e Refat Rexhepi, Shefqet Hekali apo dhjetra heronj e dëshmorë të tjerë të luftës nacional-çlirimtare si Dervish Hekali, Ramiz Aranitasi e Dino Kalenja dhe të tjerë heronj të spikatur të kombit, pra nga nacionalistët më në zë dhe deri tek figurat e forta Mehmet Shehu, Liri Belishova, Bilbil Klosi, Hajdar Aranitasi, Feçorr Shehu, Idriz Seiti, Zaim Myftari pa harruar këtu dhe “heronjtë e heshtur“ të dalë nga kjo krahinë, që qenë vërtetë burra që punuan me ideal për këtë vend. Por kjo krahinë ka patur ata që mbajnë nofkën “të këqij“ sepse u rreshtuan në krahun tjetër të palëve ndërluftuese, si Isa Toska, Besim Belishova, Kadri Cakrani, Isuf Hasani etj.

armo-fier

Mallakastra e braktisur!

Ndërsa po të vijmë në periudhën e pas 1991 apo të pluripartitizmit mendoj se Mallakastra e parë si “macja e kuqe“ e kohës së komunizmit është lënë pas dore, pothuajse ka mbetur në hije dhe është braktisur apo dhe nuk ka mundur të përfaqësohet vetë denjësisht nga përfaqësues të saj të “dalë” me votë, ku ende s´eshtë rivendosur “dirigjimi“ i zhvillimit ekonomik nga shteti apo supervizimi qeverisës dhe s´ka patur përfaqësimin që meriton në investime publike dhe në promovimin e ndryshimeve social-ekonomike.

Dhe le të vijmë tek hallet e mallakastriotëve që janë si kudo të shumta dhe që lidhen me mjetet më minimale jetike. Pas kaq vitesh pritshmërie dhe stanjacioni, është bërë një gjendje e padurueshme sa ekonomike dhe mjedisore për shkak të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës, që rrallë i përmenden “bëmat” përveçse ka mbetur i vetmi vend punësimi për mallakastriotët dhe qytetarët e Ballshit dhe nga rrethinat e tij dhe Fieri, por nga analizat e ajrit thuhet se “qyteti është bërë i pabanueshëm”. Me alternativat e punësimit dhe të jetesës janë tejet të kufizuara, kjo “krahinë martire” ndoshta mbetet ende krahina më e varfër në vend.

Ndoshta për kontributin në luftë mallakastriotët “e privilegjuar“ disi më shumë se të tjerët nga shteti i kaluar pritën më shumë dhe nga shteti i ri, por abandonimin s´e kishin pritur dhe për këtë janë të shumtë ata që thonë se ajo nuk ka pasur përfaqësimin e duhur siç e meriton në parlament dhe qeverisje. S´është bërë për të asnjë investim serioz që mund të përmendet, këtë e dëshmon realiteti vajtues i qytetit të Ballshit dhe krahina e tërë, por dhe dhe lumi Gjanica që vazhdon të rrjedhë i zi, nga jashtëqitjet kimike të naftës së uzinës apo ç´është më kryesorja, gazrat që emeton uzina e kanë bërë qytetin e Ballshit pothuajse të pabanueshëm.

Dhe këto për hiçgjë, për vendosjen e një impianti-purifikues në oxhakët e uzinës dhe një në dalje të lëngjeve-mbetëse (outlets) të saj, gjë që mesa di ka filluar të projektohet dhe që qeveritë duhet t’i çojnë deri në fund. Ashtu si dhe duhet të mendojnë për hapjen e fronteve të punës për mallakastriotët, se kjo krahinë me kodra të ëmbla dhe ujrat e Lumarës, mund të zhvillojë një frutikulturë dhe agrumeri model siç tha dhe Nikita Hrushovi kur i hodhi një sy krahinës gjatë udhëtimit që bëri për në Sarandë.

Por të gjitha këto, ndonëse nuk janë veza e Kolombit, mendoj se arrihen kur të vritet mendja dhe nga ish-menaxherët me përvojë të bujqësisë së krahinës të konsultuar dhe në bashkëpunim me risitë e kohës dhe praktikat bashkëkohore dhe rregullat e ekonomisë së tregut e promovuar ndoshta kjo dhe e mbështetur me një politikë krediti dhe teknologjie bashkëkohore, kjo dhe për krahina të tjera të ngjashme dhe të varfra nga vetë shteti, etj si këto dhe për të bërë projekte zhvillimi. Kësaj krahine s’i kanë munguar dhe s´i mungojnë dhe intelektualët, por shpesh në krye të punëve dhe përfaqësimit në qeverisje kanë dalë njerëz të pamerituar./njekomb

Mallakastra, dikur martire – sot e braktisur Read More »

Atdheu nuk vret – Kristo Dakon e vrau tradhtia komuniste

nga Fahri Xharra

Nëse Shqipërisë dikush ia donte te mirën, Kristo Dako, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi ia donin me te mirën për vajzat dhe edukimin e tyre. Vepra e tyre pedagogjike, gjithnjë herësh humaniste dhe patriotike, i ka bërë me kohë ata figura bamirëse të shquara të kombit.

Kristo Dako, studiuesi dhe patrioti korçar, bashkëkohës i ngjarjeve që vendosën fatin e shtetit Shqiptar pagëzuar nga Fuqitë e Mëdha. Njeriu që shëtiti pëllëmbë për pëllëmbë në “tokën e harruar”, këshilltarin e presidentit amerikan Uillson, Çarls Krejn dhe roli i tyre në çështjen shqiptare. Dëshmitë e masakrës greke që vijnë për herë të parë në veprën e Dakos “Shqipëria, çelësi kryesor i Lindjes së Afërme”.
I lindur në Korçë më 1876 Dako më vonë emigroi në Bukuresht, Rumani, ku mbaroi shkollën e mesme, dhe më vonë Fakultetin e Matematikës. Ai më vonë emigroi në Shtetet e Bashkuara ku mbaroi për filozofi.
Më 1910 u bë drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit. Botues i gazetës Dielli, organ i Federatës Mbarëshqiptare Vatra më 1913. Dako mori më vonë pjesë në Konferencën e Paqes së Parisit më 1919. Dako është takuar dy herë me presidentin e Shteteve të Bashkuara Woodrow Wilson, për t’i shpjeguar atij interesat kombëtare të Shqipërisë. Dako u bë Ministër i Edukimit në një nga qeveritë e Ahmet Zogut,Dako ka themeluar Institutin e Vajzave “Qiriazi” në Korçë, e më vonë në Kamëz, Tiranë.
Kristo Dako ishte bashkëshorti dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Sevasti Qiriazit (Dakos) dhe Parashqevi Qiriazit, në veprimtarinë e tyre fisnike të arsimimit dhe emancipimit të femrës shqipëtare… Kristo Dako dhe Sevasti Qiriazi (Dako) patën dy fëmijë Gjergjin dhe Aleksandrin… Kristo Dako radhitet dhe zë një vend nderi ndër emrat më të shquar të patriotëve më aktivë në Europë dhe në botë të kohës së tij, si Faik Konica, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, etj. Veprimtaria e Kristo Dakos shuhet me vdekjen e tij në vitin 1941. Sistemi komunist, tërë veprimtarinë e Kristo Dakos, e la në harresë për 50 vjet. Prandaj, sot ka ardhur koha që vepra e Kristo Dakos të vlerësohet dhe të bëhet e ditur për të gjithë shqiptarët dhe njëkohësisht të ndreqet padrejtësia që ka rënduar mbi të dhe familjen Dako.
Kristo Dako ishte një nga figurat me autoritet të padiskutueshëm. Mendimi i tij kishte peshë.
Ai ishte bashkëkohës dhe bashkëpunëtor me të gjithë burrat famëmëdhenj të Shqipërisë, nga të gjitha trevat, në ngjarjet më pikante të Shqipërisë. Jo vetëm për sa thamë më sipër, por ai veshi mantelin e zyrtarit më të lartë të Ministrit të Arsimit,atë të Deputetit të Drinit në Parlamentin e parë shqiptar, të administratorit të talentuar që transformoi kodër Kamzën dhe ngrit Institutin “Kyriaz” këtë vatër të madhe të arsimimit dhe emancipimit te vajzave shqiptare të mbiquajtur “Foleja Kombëtare. Tani së fundmi nuk mund të mos nënvizoj faktin se kjo heshtje e stërzgjatur dhe përbuzja e veprës së tij për një kohë të gjatë ishte pjesë e një lufte që synonte dobësimin e influencës amerikane në Shqipëri, në mënyrë që ajo të ishte sa më e izoluar, larg çdo ndikimi dhe influence të huaj, që vëndin e frymës perëndimore ta zinte ajo lindore, kultura sllave dhe ideologjia e saj. Njohja e veprës së gjithanëshme, me gjith nuancat e saj është , si të thuash, mbushje e boshllëkut të trashëguar nga e kaluara.Por sintezën e luftës, përpjekjeve të tij na e dha Parashqevi Qiriazi kur shkruante se “Veprat na veshim me pavdekësi lavdërimi ose çnderimi, se veprat janë të vetmet tapi që mund te trashegohen pas vdekjes”.

Mbas luftërave ballkanike, e kërcënuar herë mbas here për konfiskimin e librave, djegien e shkollës dhe internimin nga qeveria turke, dhe e ndjekur nga veprimtaria kriminale e Patrikanës, Sevastia u tërhoq përkohësisht në Manastir. Ajo e rihapi shkollën në dy vitet e para të Pavarësisë, 1912-1914; po për arsye të përndjekjevë të andartëve grekë, Qiriazët u larguan në Rumani dhe, me fillimin e Luftës së Parë Botërore, erdhën në Amerikë, në Natick, Massachusetts. Të dy motrat filluan menjëherë nga puna për t’i mësuar shqiptarëve të rritur gjuhën amtare. Shkolla në Natick, e para shkollë në gjuhën tonë në Amerikë, qe hapur që në vitin 1908 nga Kristo Dako. Ndërkaq, ndërsa Parashqevia boton revistën dyjavore “The Morning Star” (“Ylli i Mëngjesit”), çifti Dako-Qiriazi themelojnë Partinë Kombëtare Shqiptare, me qendër në Worcester, kryetare e së cilës qe Sevastia. Qëllimi i kësaj partie politike qe mbrojtja e të drejtave të Shqipërisë në forumet ndërkombëtare. Kësaj propagande, ndër të tjera, i shërbeu edhe “Memorandumi mbi të drejtat, shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve”, që shkroi Sevastia dhe ua dërgoi Fuqive të Mëdha, më 12 tetor, në prag të Konferencës së Paqes të Parisit.

Në vitin 1922, Sevastia u kthye në Tiranë dhe, së bashku me Parashqevinë, që kishte ardhur nga Parisi mbas përfundimit të Konferencës së Paqes, ku kishte qenë delegate e shqiptarëve të Amerikës, rihapën Shkollën e Vashave, tashmë si Instituti Kyrias, një institut me karakter hollësisht kombëtar dhe me vlera të pakrahasueshme mësimore-edukative, ku mësonin vajzat shqiptare pa dallime krahinash e besimesh. Me vendimin e qeverisë shqiptare për mbylljen e shkollave private e fetare, në vitin 1933, mbas 42 vjetësh shërbimi, u mbyll edhe Instituti Kyrias.

Por Atdheu nuk vret… vriste tradhtia komuniste.

Me rënien e Shqipërisë në duart e komunistëve, si për gjithë popullin tonë dhe sidomos për familjet e nacionalistëve, filluan vitet e vështira të përndjekjeve, bastisjeve, dhunimeve, burgosjeve, torturarave, pushkatimeve, varjeve, etj. Nuk mund të përshkruhen peripecitë dhe dhimbjet fizike e shpirtërore, që kaloi Sevastia dhe familja e saj në vitet e fundit të jetës së saj. Ajo vdiq në vitin 1949, mbasi e patën nxjerrë nga shtëpia dhe pati përjetuar dhunimin e kufomës së të shoqit, patriotit të madh Kristo Dako, burgosjen e djemve të saj, Aleksandrit dhe kirurgut të njohur, Gjergjit, i cili, duke mos mundur të durojë torturat e hetuesisë, vari veten në qelinë e burgut.
Ajo vdiq, në vitin 1949, e ngushtuar në shpirt që nuk ia dhanë kufomën e tij ta varroste me duart e veta dhe zemërplasur, duke parë gremisjen e atdheut të saj të dashur, për të cilin pati punuar gjithë jetën. Arkivolin e saj, të vendosur mbi një karrocë, e përcollën vetëm njerëzit e familjes: dy nuset e djemve, mbesa e vogël, Viktoria, dhe kuzhinierja e Institutit Kyrias.

Referencat:
-http://www.kohajone.com/2016/12/23/kristo-dako-perkujtohet-si-nje-patriot-dhe-nje-humanist-i-madh/ – Elsa Demo Shekulli, 29/12/2003 – http://illyriapress.com/kristo-dako-personaliteti-i-shquar-i-shtetit-dhe-pavaresise-shqiptare/ -Schwandner-Sievers, Stephanie (2002). Albanian identities: myth and history. Indiana University Press. p. 71. ISBN 978-0-253-21570-3.
– http://www.pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=790
– http://shqiperiaebashkuar.al/2016/09/qiriazet-nji-familje-ne-sherbim-te-kombit-shqiptar/

Atdheu nuk vret – Kristo Dakon e vrau tradhtia komuniste Read More »

Cila është ajo gjë e shenjtë për shqiptarët dhe përse?

Disa ditë më parë, në ambientet e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër u promovua libri i Dom Ernesto Cozzit me titull “Studime Etnologjike të Shqipërisë s’Epërme”. Pjesët përbërëse të tij janë tre relacione të mbajtura nga Dom Cozzi gjatë kohës që ky i fundit shërbente si famullitar në Malësitë e Shqipërisë së Veriut.

Me jetën e autorit, besoj se do të merremi në ndonjë artikull vijues, pasi është e përbërë prej shumë komponentëve mjaft interesantë, duke e kthyer Dom Cozzin në një njeri që ka ngjitur shkallët e hierarkisë kishtare, duke shënuar gjithçka për të na lënë ne vepra studimore me vlera të shquara si në rastin e librit të lartpërmendur.

“Fiset e Shqypnisë s’Epërme” është titulli i të parit relacion të Dom Ernestos, botuar nën kujdesin e Atë Zef Valentinit dhe përkthyer nga Willi Kamsi. Në të flitet edhe për mikpritjen duke dalluar, sipas të drejtës zakonore, tre lloje miqsh, miqësish apo mikpritjesh të cilat po i vendosim si origjinali (fq. 41 në librin e lartpërmendur):

a) Ata që gjinden në mprojtje të dorëzanëve të posaçëm; dorëzanët zgjidhen prej vetë miqve në mprojtje të sigurisë vetjake, sidomos prej njerzish që janë në rrezik të marrjes së gjakut dhe nxjerrin një besatim (besë) prej palës kundërshtare. Kështu në Malsinë e Vogël e tjetërkund e kanë zakon me caktue dorzanë edhe për meshtarin që kujdeset për shpirtnat, për kishen e qelen famullitare, e atyne u përket, po pat ndonji fymje ose dam, me hetue fajtorin e me e dënue.

b) gjithashtu mbahet mik ai që, tue qenë në rrezik për marrje gjaku, nxjerr nji besë prej anmikut të vet, pa u zgjedhë ma parë doraznët për sigurinë.

c) tjetër normë mikpritjeje asht ajo në të cilen nji njëri për siguri të veten ban që ta shoqnojnë në rrugë dikush ose  gjen strehim në ndonji familje për nji kohë pak a shumë të gjatë.

Por për të kuptuar këto lloje miqësish, le të japim përkufizimin që vetë atutori jep për mikpritjen:

Mikpritja asht e shenjtë dhe e paprekshme, e për sigurinë e mikut asht dorëzanë njeriu, familja e krejt fisi deri kur ai të bahet mik i nji familjeje tjetër, e kush cënon mipritjen bje në gjak./njekomb

Cila është ajo gjë e shenjtë për shqiptarët dhe përse? Read More »

Safo Marko, gruaja e Petro Markos dhe piktorja e mahnitshme shqiptare (FOTO)

Safo Marko, nuk njihet vetëm si bashkëshortja e shkrimtarit Petro Marko, por edhe si ilustratorja, apo piktorja, disa punë të së cilës ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Safo ishte pjesë e artistëve të rëndësishëm grafistë të shekullit të XX-të në artin pamor shqiptar. Ajo kreu shkollën e mesme në Instituttin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë, por nuk arriti ta mbaronte vitin e fundit pasi u lidh me lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Duke patur pasion pikturën Marko bashkëpunoi menjëherë pas çlirimit në disa organe të shtypit dhe të propagandës së viteve 1945-1960. Më tej rreth viteve ’70 ajo do të ishte piktore në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, Tiranë.

 

Artistja ka realizuar gjatë krijimtarisë së saj mbi 1000 kopertina librash si dhe ka qenë një nga piktoret kryesore ilustratore të revistave për fëmijë “Fatosi”, “Pionieri”. Në gjininë e Pllakatit ajo ka realizuar me dhjetra e dhjetra pllakate për festat popullore, për ngjarje të rëndësishme politike si festimet e ndryshme me karakter politik, social, kulturor & propagandistik si “1 Maji”, “28 – 29 Nëntori”, “8 Nëntori”, “1 Qershori”, “8 Marsi” etj.

Në këtë gjini Safo Marko kontriboi duke i botuar pllakatet e saj në shtypin e kohës të zmadhuara në sheshet e Kryeqytetit si dhe të realizuara në disa prej qyteteve kryesore. Ajo sëbashku me piktorët e tjerë grafistë të pas viteve 1960 si Pandi Mele, Ibrahim Shehu, Zef Shoshi, Besnik Dizdari, Vlash Prifti, Franc Ashiku ku realizuan pllakate të ndryshme në shërbim të propagandës partiake komuniste të kohës.

Në punimet e saj në pikturë Safo Marko ka lënë një koleksion me peizazhe kryesisht nga zona e bregdetit Jon, por edhe kompozime me figura femërore, ku ndjehet prirja e artistes për ti stilizuar figurat dhe për pasurimin e tablove me një kolorit me dritë. Safo Marko ishte pjesmarrëse duke filluar nga viti 1957 në ekspozitat kombëtare. Me punimet e saj ajo ishte pjesmarrëse në tri edicione të Bienales së Aleksandrisë në Egjypt.

Duke qenë e martuar me shkrimtarin Petro Marko i cili u arrestua dhe dënua në vitin 1947, sigurisht ju mohuan shumë të drejta në fushën e artit. Kjo gjë ndodhi edhe në vitin 1975 kur ju arrestua i biri për agjitacion e propagandë.

Piktorja Safo Marko deri në vitet e fundit të jetës mbeti bashkëpuntore e revistave për femijë si “Sirena e vogël”, “Mrekullia” etj. por gjithashtu ajo realizoi edhe kopertina dhe ilustrime për librat. Artistja vazhdoi të punoje deri vonë në moshë të thyer vepra në pikturë me motivet e bregdetit Jon. Safo Marko ndërroi jetë më 26 gusht 2012.

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë ruhen njëzet vepra të artistes Safo Marko të viteve 1959-1998 ku mund të kujtojmë: “Qymyrxhesha” (1959), ”Portreti i Petro Markos” (1960), “Shitësja e luleve”(1960), “Autoportreti” (1960), “Fidanët” (1973), “Vajzat e Himarës (1998). Vepra të artistes ruhen në familjen Marko si dhe nga koleksionistë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj.

Safo Marko lindi në Selanik më 28 mars 1925.

Ajo ishte vajza e Shefqet dhe Shazije Çelos. I jati Shefqeti kishte mbaruar studimet në Stamboll dhe punonte në administratën shtetërore si Kryetar Bashkie në disa qytete të Shqipërisë deri sa u nda nga jeta në vitin 1942.

Safoja vazhdoi studimet e mesme në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë, por nuk arriti ta mbaronte vitin e fundit, pasi u lidh me lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare. / KultPlus

Safo Marko, gruaja e Petro Markos dhe piktorja e mahnitshme shqiptare (FOTO) Read More »

Kjo është shqiptarja që u bë femra më e zgjuar në planet. Ja pse e gjithë bota përulet para portretit të saj

Pa dyshim që shqiptarët kanë lënë gjurmët e tyre kudo në bot. Pak e njohur nga shqiptarët, por shumë e njohur kudo në botë, sidomos në Akademitë e mëdha, është dhe Elena Lucrezia Peshkopia.

Elena ishte me origjinë shqiptare. Ajo është gruaja e parë në botë që në vitin 1678 ka arritur të marrë doktoraturën në filozofi. Gjatë shekullit ku jetoi ajo ishte gruaja më e ditur në Europë.

Statuja e Elenës që u gjet në Universitetin e Padovës, një prej universiteteve më të vjetër dhe ndër më të njohurit në Europë, dëshmon për vlerat e arritjeve të jetës së saj. Portreti i saj është gjithashtu edhe në dritaren e qelqit rreth 7 metra të lartë në bibliotekën “Frederick Ferris Thomson” në kolegjin Vassar të Nju Jorkut në SHBA ku Elena është portretizuar duke mbrojtur tezat e saj mbi Aristotelin.

Elena Peshkopia lindi në Venecia në 1646, ajo përfundoi shkollën e shqiptarëve “Santa Maria dhe San Gallo” në Venecia (Scuola di Santa Maria e di San Gallo degli Albanesi)./njekomb

Kjo është shqiptarja që u bë femra më e zgjuar në planet. Ja pse e gjithë bota përulet para portretit të saj Read More »

‘Kam qenë gjithmonë e shëndoshë, gjithmonë e paragjykuar….’, vajza shqiptare del me mesazhin bombë

Standardet e bukurisë ndryshojnë shpesh dhe format e preferuar fizike te femrat e te meshkujt janë në qendër të vëmendjes.

Ka diçka që nuk ndryshon kurrë, bukuria brenda njeriut dhe të qenit e lumtur me veten përtej pamjes fizike. Kjo është pak a shumë ajo çfarë beson edhe Elda Kocia, një vajzë me forma të kolme shumë larg vajzave elegante që mbushin revistat e modës. Kjo nuk e pengon aspak Eldën të pozojë me bikini dhe të jetë e lumtur pa menduar për paragjykimet. Ajo tashmë është kthyer në një frymëzim në rrjetet sociale për shumë vajza që e ndjekin. “I frymëzoj shumë me ato që ju them vajzave. Të kujdesen për trupin e tyre, për mendjen e tyre. Unë I motivoj sepse janë të shumta femrat shqiptare që kanë nevojë për motivim tregon Elda.

Por a ka tentuar ndonjëherë të humbë kilogram dhe cili është regjimi ushqimor i Eldës?

“Unë jam gjithë kohën me regjim ushqimor, jam gjithë kohën në lëvizje, në aktivitet. Dal që në 5 të mëngjesit bëj stërvitje. Ushqimin ma përgatit dietologia, ha shumë shëndetshëm. Nga problemi I tiroides mua më ka ardhur shëndeti të tepërt. Duhet të jemi pozitivë me veten tonë, duhet ta duam veten. Nuk duhet të gjykojmë njeriun nga format e trupit. Nuk duhet të jemi sipërfaqësor. Unë nuk e ekzagjeroj kurrë me ushqimin megjithatë kam këtë formë trupore”, thotë Elda.

Mesazhet që merr çdo ditë e mbushin me emocione jetën e saj. “Çdo ditë më shkruajnë vajza të cilat kanë dal me rroba banjo në plazh, e shijojnë jetën pa menduar për paragjykimet”.

Por asgjë nuk ka qenë e lehtë për Eldën. “Gjithçka ka qenë shumë e vështirë. Nuk kam qenë asnjëherë e dobët, unë kam qenë gjithmonë e shëndoshë, kam qenë gjithmonë e paragjykuar. Por asgjë nuk më ka penguar, kam bërë dy shkolla. Kam punuar, asgjë nuk më ka bërë të ndaloj”, tha plot frymëzim Elda.

Mesazhi i Eldës për të gjitha vajzat është “Ta doni sa më shumë veten tuaj, të bëni më të mirën për veten tuaj, mos u merrni me paragjykimet se njerëzit do të flasin gjithë kohën. Jetoni për veten tuaj”

E diplomuar për punë sociale, Elda ka edhe sipërmarrjen e saj e cila është e fokusuar në trajtimet e bukurisë.

‘Kam qenë gjithmonë e shëndoshë, gjithmonë e paragjykuar….’, vajza shqiptare del me mesazhin bombë Read More »

Sir Noel Malcom: Shqiptarët bënë karrierë në Venedik se ishin të dobishëm

Sir Noel Malcolm është një historian dhe ekspert i Ballkaniz, si dhe një autoritet mbi idetë e periudhës së hershme moderne. Ai ka shkruar 11 libra të historie, biografi dhe ese. Në një intervistë të fundit për Washington Independent Review of Books, ai i është përgjigjeve të ndryshme, përfshirë pyetjeve lidhur me «Agents of Empire» («Agjentë Perandorie», v.j.),ku del në pah elementi i mrekullueshëm familjeve shqiptare në Venedik, që ishin bërë të rëndësishëm vetëm sepse ishin të dobishëm për perandorinë.

“Unë mendoj se kjo ishte veçanërisht e vërtetë për Perandorinë Veneciane, për shkakun që ju jepni: ajo zgjati një udhë të gjatë nga Venediku, përfshirë sllavët, grekët, shqiptarët dhe të tjerët në mesin e subjekteve të saj dhe ishte kryesisht i shqetësuar (për pjesën më të madhe të historisë së saj) që kanë të bëjnë me Perandorinë Osmane”.

Ai më pas përgjigjet se, burokracia osmane ishte e përbërë kryesisht nga skllevërit e krishterë. Disa nga aleatët e krishterë e shfrytëzuan këtë mundësi për të spiunuar.
“Brenda sistemit osman, skllevërit e krishterë dhe të huajt e kapur mendoheshin se ishin më besnikë ndaj sulltanit pasi ata ishin deracinuar – të ndarë nga çdo grup interesash brenda perandorisë.

Dhe të huajt e kapur kishin kthyer në Islam, gjë që do të thoshte këtë, nëse ata ndonjëherë do të ktheheshin në Evropë ata mund të burgoseshin (ose më keq) nga Inkuizicioni. Gjithashtu, ata kishin aftësi gjuhësore dhe njohuri të botës evropiane që mund të ishin shumë të dobishme për mjeshtrat e tyre të rinj”, përgjigjet Sir Noel Malcom.

Sir Noel Malcom: Shqiptarët bënë karrierë në Venedik se ishin të dobishëm Read More »