Histori

Nënë Tereza: Dashuria e vërtetë është të duash derisa të dhemb

Shën Nënë Tereza është thesar i papërsëritshëm, si në mësim e porosi ashtu edhe në veprimtarinë e saj të dashurisë, bamirësisë dhe humanizmit. Për të shpjeguar konceptin e dashurisë së vërtetë, atë dashuri e cila arrin deri në fund, derisa sa dhemb. Shën Nënë Tereza tregon dy ngjarje të bukura dhe unike që i ka përjetuar në jetën e saj, si dëshmi, provë e gjallë si realizohet ajo.

Ngjarja e parë
Unë nuk do ta harroj kurrë, se si dy të rinj para shumë kohësh erdhën në shtëpinë tonë dhe më dhanë një shumë të madhe parash. Unë i pyeta: ‘Ku i keni marrë të gjitha këto para?’. Ata thanë: ‘Ne jemi martuar para dy ditësh. Para se të martohemi, kishim vendosur, që mos të blejmë rroba martese. Ne nuk bëmë dasmë. Paratë e dasmës jua japim Juve.’

Dhe unë e di saktësisht, se ç’do të thotë në vendin tonë, në një familje hindu, të mos blesh rroba martese dhe të mos bësh dasmë. Prandaj i pyeta përsëri: ‘Po, përse? Përse vepruat kështu?’ Ata thanë: ‘Ne e duami njëri-tjetrin aq shumë, sa që gëzimin e dashurisë duami ta ndajmë me njerëzit, të cilëve ju u shërbeni.’ Si e përjetojmë ne gëzimin e dashurisë? Si e përjetojmë ne këtë? Tek japim, derisa dhemb.

Ngjarje e dytë
Para se unë të shkoja në Etiopi, në Kalkutë erdhën disa fëmijë të vegjël tek unë. Ata kishin dëgjuar, se unë do të shkoja atje. Ata kishin ardhur, sepse kishin dëgjuar nga motrat, që fëmijët në Etiopi vuanin shumë.

Ata vinin, dhe secili prej tyre jepte diçka, disa edhe ato pak para që kishin. Një djalosh i vogël erdhi tek un dhe më tha: ‘Unë nuk kam asgjë, nuk kam para, thjeshtë nuk kam asgjë. Por, e kam këtë copë çokollate. Dhe ti merre me vete dhe jepua fëmijëve në Etiopi!’
Ky djalosh i vogël dashuronte me shumë dashuri, sepse ai mbase për herë të parë në jetën e vet, mbante një copë çokollate në dorë. Dhe e dha atë. E dha plot gëzim, për ta ndarë me të tjerët, për ta zbutur sadopak dhimbjen e dikujt tjetri në Etiopinë e largët. Kjo do të thotë gëzim i dashurisë: të japësh, derisa të dhemb.

I dhembte Krishtit, që na donte neve, sepse ai vdiq në kryq, për të na mësuar neve se si duhet të duami. Kjo është rruga, se si duhet të duami edhe ne: derisa të dhemb.
(Pjesë nga libri: Leo Maasburg, Nënë Tereza. Histori Magjepsëse, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës, Shkup 2010, f. 88-89.) / KultPlus.com

Nënë Tereza: Dashuria e vërtetë është të duash derisa të dhemb Read More »

Në luginën e Labërisë së Vlorës

Mbas vizitave mbresëlënëse në Krahinën e Kurveleshit të Sipërm duke filluar nga Lekdushi, Progonati, Gusmari, Rexhini dhe Nivica vazhduam ne Krahinën e Lopsit, pra në pjesën e trevës së Labërisë së Luginës së Vjosës. Qëllimi i këtyre vizitave është njohja e traditave patriotike e liridashëse të këtyre zonave, duke përmendur trimat më në zë që bënë epokë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si heronjtë e popullit Mustafa Matohiti, Azim Zeneli, Abaz Shehu, Sali Nivica dhe Xheladin Beqiri, të cilët populli i këndoi: O Xheladini me halle/Vish e zhvish ato gjerdane/Bir i tokës kosovare Për të vazhduar më tej këtë traditë shoqata jonë (Shoqatë atdhetare kulturore e Labërisë dega Fier) më 26.09.2015 bëmë një vizitë në fshatrat e Lumit të Vlorës. Në lashtësi ky lum nga vendasit quhej Lumi i Bardhe, sepse është i pastër, është i kulluar dhe i bardhë, rrjedh nga zallishta e formuar prej pakëson prurjet gjatë stinës së verës, ndërsa më i përshtatshëm do të ishte Liçnij Reka në kuptimin lumë i pastër, lumë i kulluar (nga zallishta ose licet e lumit). Në këtë rast sllavët (serbët) nuk bënë gjë tjetër veçse përkthyen emërtimin vendas në gjuhën sllave.

Në Drashovicë tek lapidari.

Lapidari në formë harku përfaqëson dy epope të lavdishme të kësaj zone kundër pushtuesve të vendit. Luftën kundër pushtuesve italianë më 1920 dhe atyre gjermanë më 1943. Në anën perëndimore të lapidarit përtej lumit ka qenë ndërtuar një fortifikatë italiane, ku ishte vendosur një togë mitraljerë. Sipas urdhrit të Shtabit të Mbrojtjes Kombëtare luftëtarët popullore sulmuan në një kohë forcat italiane në Llogora, Jonufër, Kaninë, Drashovicë, Kotë dhe Gjorm dhe pasi zunë robër këto forca u nisën drejt Vlorës me këngë në gojë: ‘’Çu nise nga Drashovica/ Lule more Selam lule!” Pjesa tjetër e lapidarit, siç theksuam, përkujton luftën kundër pushtuesve gjermanë ose Epopenë e Drashovicës. Në këtë epope të lavdishme morën pjesë forcat partizane e vullnetare të Qarkut të Vlorës. U sulmua garnizoni i fortifikuar gjerman, që ishte vendosur në fushën e Drashovicës e të Mavronës dhe u çliruan 6000 ushtarë e oficerë italianë të çarmatosur nga gjermanët. Në këtë luftë dhanë jetën 20 partizanë dhe u plagosën shumë të tjerë. Ecim përpjetë luginës dhe arrijmë në Kotën e bukur. Në këtë vend më 1920 u zhvilluan luftime të ashpra midis patriotëve të zonës dhe forcave italiane të fortifikuara. O bobo, seç qenkej Kota/Bytym mitraloz e topa Luftëtarët popullorë edhe të plagosur nuk largoheshin nga fronti i luftimit.

Vjen Kanan Mazja nga Shkoza/

Me një nofull copa-copa Në Kotë ishte përqendruar një batalion armik me organikë të plotë me 700 ushtarë dhe 100 oficerë. Këtu u përqendrua edhe goditja më e madhe e forcave tona. Humbje të mëdha nga të dyja palët dhe së fundi armiku dorëzohet. Duke kënduar lart në majë të kodrës një tjetër. Lapidari pranë xhadesë dëshmon aksionin e Çetës Plakë kundër një autokolonë armike, e cila u shpartallua plotësisht duke zënë 48 robër e mjaft municione e armatim luftarak. Aksioni u drejtua nga Qarkori i Vlorës dhe Çeta Plakë. Lapidari më të majtë të rrugës , në majë të kodrës përfaqëson luftën dhe përpjekjet e komunitetit gjormiot dhe atij të krahinës në operacionin gjerman të dimrit të vitit 1943.

Arrijmë në Gjorm. Në qendër të fshatit është lapidari i Çetës Plakë, e para çetë partizane në Qarkun e Vlorës krijuar më 04.12.1942 me komandant Neki Imerin dhe komisar Qazim Çakerrin. Çeta e disa aksioneve të rëndësishme luftarake. Pranë shkollës së mesme Hamdi Rrapi ndodhet lapidari kushtuar heroit të popullit Abaz Shehu, i cili u caktua komandant i grupit partizan të Vlorës më 1943 e më vonë komandant i Brigadës së Pestë sulmuese detyrë të cilën nuk arriti ta marrë, pasi ra heroikisht në këtë vend më 04.12.1943 në përpjekje me armiqtë. Për këta lapidarë që përfaqësojnë ngjarje të rëndësishme historike komuniteti gjormiot krenar për ta por duhet të tregojë më shumë kujdes për mirëmbajtjen e tyre.

Në të dalë të Gjormit ndodhet Ura e Komandës sipas emërtimit vendas. Po pse është quajtur kështu, pse e ka marrë këtë emër? Më 1916, pushtuesit italianë larguan nga ky vend banorët gjormiot dhe ndërtuan kazermat tepër të fortifikuara ku vendosën 300 ushtarë dhe 13 oficerë e nënoficerë. Ky batalion ishte i mjaftueshëm për të mbajtur të nënshtruar Gjormin dhe Krahinën e Mesaplikut. Më 19.06.1920 tërë burrat e këtij fshati së bashku me çetën e Lepenicës të Dukatit, të Vranishtit, të Kërbaçit mbas disa orë luftimesh zunë rob tërë batalionin me 300 ushtarë bashkë me oficerët komandues. Nga forcat tona dhanë jetën pesë luftëtarë. Nuk mund të lëmë pa përmendur Epopenë e Gjormit më 31.12.1942 , 02.01.1943 ku populli i Gjormit i ndihmuar nga gjithë krahina e Mesaplikut shpartalluan dy regjimente milicie e karabinierësh të shoqëruara nga 1500 mercenarë të fshati një bukuri të rrallë dhe jo më kot sllavët e emërtuan në gjuhën e tyre (Lep-Lepen) vend I bukur. Ahmet Canaj, bir i këtij fshati Kapiteni trim mori detyrën e komandantit të luftëtarëve vlonjatë në luftën kundër pushtuesve italianë më 1920. Vazhdojmë rrugën automobilistike me të përkeqësuar copë- copë, handre-handre, që po nuk vuri dorë njeri shumë shpjet, ka për të përfunduar në rrugë kuajsh dhe qarkullimi me Vlorën do të bëhet si para një shekulli. Ish-komuna e dikurshme Brataj, në qendër të vrasin sytë një grumbull ndërtesash të boshatisura, që janë në kontrast me ndërtesat plot hijeshi të banorëve. Me ketë emër Brati përmendet që në shekullin e 7- të të erës sonë.

Njihet kontributi i këtij fshati në të gjitha luftërat kundër çdo pushtuesi. Në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare dhanë jetën shumë dëshmorë me ne krye heroin e popullit Laze Nuro. Fshati i romuzeve, i bejteve, vargjet satirike të poetit popullor Selim Hasani i përmblodhi në këto vargje të Dritëro Agollit: Kur gjëmonte qafë shpatit/ Mardhur borë djegur vape/ Mbushe xha Selim i Bratit/ Dy bejte me këngë labe… Duke vazhduar për në Kërbaç shfaqet madhështor lapidari i formimit të Brigadës së Pestë Heroinë e Popullit, që u inaugurua më 20.01.1944. Nga partizanët e kësaj brigade ranë në fushën e betejës kundër pushtuesve 350 partizanë midis tyre heronjtë: Abaz Shehu, Dervish Hekali, Kastriot Muco, Zaho Kola, Zenja Cure, Laze Nuro, Llambro Andoni. Kërbaçi i pesë dëshmorëve dhe i dy heronjve të popullit. Në të djathtë të rrugës shfaqet Kërbaçi. Kërbaçi i Bilbilenjve, i Miro Terbacit, i Halim Xhelos, Hysni Kapos, Arif Haskos. Qafa e Pëllumbit ndan Vranishtin me Tërbacin. Në Gusht të vitit 1942 në këtë qafë u shpartallua një togë xheniere italiane dy makina që ishin të interesuar, për të shtrirë e mirëmbajtur, linjën telefonike midis fshatrave Brataj e Kuç.

Në këtë aksion mori pjesë Çeta e Kërbaçit dhe çeta Plakë e Gjormit. Avash-avash arrijmë në Hore (Aghore) kështu quheshin ato qendra banimi fshatare helene Aleksandriane (shek 3-2 para erës së re), që nuk kishin perëndimor të Cipinit. Këtu do të ndalemi në një ndodhi të hershme, sepse memoria popullore ka regjistruar shumë këngë kushtuar luftëtarëve të këtij fshati,të ndihmuar nga krahina. Në Bolenë e në përrua/ Ulërin turku si grua.. Ndofta dikush nuk i ka lexuar apo dëgjuar këto vargje, pro gurra popullore është e përshtatshme. Është detyra e çdo brezi të gërmojë, të hulumtojë dhe ti pasqyrojë këto vlera. Këto vargje pasqyrojnë copëza lavdie e trimërie të brezave të mëparshëm, pasqyrojnë luftën e mbarë luginës së Shushicës e Kurveleshit kundër Tanzimatit më 1847. Forcat tona nën udhëheqjen e Zenel Gjolekës i bënë rezistencë forcave turke të shumta në numër. Midis Bolenës dhe Kallarabit duke i shkaktuar atij humbje të mëdha. Turqit u hakmorën duke djegur e rrafshuar Bolenën, Kallaratin dhe Kuçin. Këtu në Bolenë është një territor që i thonë ‘’Përroi i Gjormit’’ Çeta e Gjormit pjesëmarrëse në këtë luftë la në fushën e betejës 13 të vrarë. Bisedat janë nga më të ndryshmet, për ekonominë, për fshatrat e kësaj lugine që janë të boshatisura etj.

-Po çfarë ka më shumë Dardha e Korçës?- thotë një vizitor, që vinte për herë të parë në këto anë. Cili vizitor vendas apo i huaj nuk do dëshironte të qëndronte në këtë vend rrëzë Cipinit midis burimeve të pastra apo gjelbërimit të përhershëm, të drekonte me atë ushqimin tradicional lab? Pa le sikur të ndërtoheshin hotele turistike, kush nga të sëmurët e organeve të frymëmarrjes nuk mund të qëndronte për t’u kuruar në këtë ajër të pastër? Të gjitha janë të mundshme, por mungon infrastruktura kujdesi i çdo qeverie për t’i zhvilluar këto zona malore. Lëmë Bolenën e bukur dhe shkojmë në Vranisht, në Vranishtin e 72 martirëve në Vranishtin e Kapedan Saliut, por nuk rron marrësi të hedhë atë vallen e bukur ‘’O trima vallen ma mbani’’, nuk jeton Mamon Saliu… Jeta ecën, koha bën punën e saj. Të moshuarit na tregojnë për tmerret e luftës, ku dhe si u vranë 72 vranishnjotë, tradicionale labe. Pasho Zhupa /Kryetari i Shoqatës Labëria, dega Fier Skender Seferaj zëvendës kryetar/ burimi Gazeta Telegraf

Në luginën e Labërisë së Vlorës Read More »

Shkrimi më i vjetër i shqipes, ja ç’shkruhej më 1210

Nga Arkivat e Vatikanit shkrimi më i hershëm se “Meshari” i Buzukut/ I gjithë dorëshkrimi është autograf, i shkruar nga një dorë. Ndërsa në fund fare, në f. 208, autori është firmosur vetë me emrin e tij: Teodor Shkodrani.

Është folur e shkruar, por gjithnjë deri tani në formë të supozimeve, “duhet” të ketë libra, dorëshkrime apo dokumente të shkruara në gjuhën shqipe, të cilat janë më të hershme sesa “Formula e pagëzimit” nga viti 1462 apo nga libri i parë i shtypur në gjuhën shqipe “Meshari” nga viti 1555.

faqe-nga-meshari-i-gjon-buzukut-2

/njekomb

Shkrimi më i vjetër i shqipes, ja ç’shkruhej më 1210 Read More »

“New York Times” Shqiptaret jane raca me e bukur ne Europe

“Shqiptarët janë raca më e bukur në Evropë”. Ky është konkluzioni i një shkrimi në New York Times publikuar më 21 maj të vitit 1911, e cila sillet tashmë sërish në vëmendje.

“Fizikisht shqiptarët janë raca më e bukur në Evropë. Gratë shqiptare janë shumë të bukur, me flokë të errët dhe nganjëherë sytë e tyre janë gri. Ecja e tyre është një kënaqësi për t’u parë, kështu janë edhe vallet e tyre kur konkurruan në Serbi. Herën e parë që pashë vallen shqiptare, më dhanë një kënaqësi të veçantë”, shkruhej në “New York Times”.

Artikulli vlerëson edhe kërcimet tradicionale shqiptare, por nuk lë pas as bukurinë fizike dhe inteligjencën e meshkujve shqiptarë.

“Lëvizjet janë elegancë dhe tregojnë forcë. Po ashtu, ato janë shumë të bukura dhe shumë të talentuara. Ata janë si skocezët në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Me këtë kuptoj që janë raca më e mirë nga inteligjenca dhe fiziku në Ballkan. Nëse shkoni në Kostandinopojë, ju do të gjeni se njerëzit më të mirë, jo vetëm ushtarët, por edhe zyrtarët janë shqiptarë”, thuhen në shkrimin e “New York Times”.

“New York Times” Shqiptaret jane raca me e bukur ne Europe Read More »

E vërteta e Himarës, ja çfarë fshehin dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave çeli në qytetin e Himarës në bashkëpunim me Bashkinë e Himarës, ekspozitën “Himara në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror, një ekspozitë dokumentare dhe fotografike”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Dr. Ardit Bido.

Kryetari i Bashkisë, Goro falenderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe theksoi faktin që bashkëpunimi midis dy institucioneve do të vazhdojë, sepse Himara është e mbushur me dokumente dhe histori. “Kjo ekspozitë është shumë interesante për vendasit dhe pushuesit për të treguar historinë e kësaj treve, që nëpërmjet atdhedashurisë arriti të ndërtoj këtë realitet”,  tha Goro.

Bido falenderoi Kryetarin e Bashkisë së Himares, i cili u gjend tërësisht i gatshëm për këtë iniciativë.

“Himara është shumë e bukur, ka histori të gjallë. Në këtë mënyre ne i promovojmë këto vlera të veçanta të cilat gjenden në Arkivin Qëndror të Shtetit, si arkivi unik nga lloji vet në Shqipëri, në mënyrë që të gjithë të shohim paraardhësit e tyre, ku jetonin, si jetonin dhe si frymëzim për të tashmen”- tha Bido.

Në këtë ekspozitë paraqiten dokumente historike dhe fotografi të Himarës dhe fshatrave përreth, duke u përqendruar në gjysmën e parë të shek. XX. Përmes këtyre dokumenteve shpërfaqet veprimtaria publike dhe private e banorëve të zonës, si dhe peizazhet e virgjëra të rivierës shqiptare, siç dukeshin pothuaj 100 vjet më parë.

Publiku do të njihet me dokumentin e parë të vitit 1922, ku kërkohet krijimi i Bashkisë së Himarës, e cila në atë kohë ishte Nën-Prefekturë e Vlorës; me korenspondencën e përditshme dhe praktike mes banorëve dhe autoriteteve shtetërore për problemet e shëndetit të njerëzve dhe të agrumeve; me kërkesat e thjeshta, si ato për bursa studimesh apo leje gjuetie; por edhe me kërkesa të rëndësisë publike, siç është rindërtimi i skelës së portit dhe krijimi i një flote kombëtare tregtare.

Siç informon drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, interesante është marrëveshja mes Ministrisë së Punëve Botore me një shoqëri private më 1925 për ndërtimin e urës së Palasës, e cila pas më pak se 20 vite jetë u shkatërrua gjatë Luftës II Botërore, një histori e shoqëruar me dokumente dhe fotografi.
Materiali fotografik tregon viset e krahinës së Himarës dhe personalitetet e atyre viseve, apo fabrikat e vajit para Luftës II Botërore. Mes dokumenteve që nuk i përkasin periudhës nga Pavarësia deri më 1944 paraqitet një pasaportë udhëtimi e lëshuar nga kavalieri Luigi de Medici i Toskanës për kavalierin Mihal Spiro nga Himara më 7 maj 1829, si dhe një një VKM e vitit 1960, përmes të cilës Republikës Demokratike Gjermane i jepen me qira 2 ha tokë, me qëllim ndërtimin e një kampi pushimi për rininë e lirë gjermane.

Përmes kësaj ekspozite, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Himarës kërkojnë t’u ofrojnë banorëve apo pushuesve sezonalë edhe një mënyrë tjetër pushimi, përmes informimit dhe argëtimit me dokumente dhe fotografi.

Po ashtu, institucionet tona kërkojnë të ndikojnë pozitivisht ndërgjegjësimin qytetar se vlerat e trashëgimisë së tundshme dhe të patundshme kulturore duhen ruajtur: jemi përdorures të tyre, nuk na përkasin ne, por brezave që do të vijnë/njekomb

E vërteta e Himarës, ja çfarë fshehin dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror Read More »

Zbulimi tronditë shkencën: Njerëzimi e ka origjinën nga “pellazgët”, nga Ballkani

Shumica e ekspertëve janë të bindur se ndarja e njeriut nga majmuni u bë në Afrikë. Por një ekip studiuesish gjermanë, nga Qendra “Senckenberg” për Evolucionin e Njeriut dhe Paleomjedisin (HEP), hedhin një ide të re.

“Vendlindja e njerëzimit – sipas tyre, – nuk ishte kontinenti i nxehtë, por Europa, e më saktë Ballkani”.

Ekipi studimor, i udhëhequr nga Madelaine Behme, shqyrtoi mbetjet e vetme nga hominidi “Graecopithecus Freybergi”, të cilit shkencëtarët i referohen si “El Graeco”. Bëhet fjalë për dy fosile: një nofull e poshtme e gjetur në Greqi dhe një dhëmb i zbuluar në Bullgari.

Struktura e brendshme e tyre u arrit të shihej përmes tomografisë kompjuterike. Pas një analizimi të kujdesshëm, studiuesit kanë dalë në përfundimin se, fosilet janë më të vjetra sesa “Sahelanthropusi”, specia më e hershme e gjetur në Afrikë, që mendohet se është 6 deri 7 milionë vjeç.

Nisur pikërisht nga pjesa e nofullës dhe dhëmbi, shkencëtarët hedhin idenë se ndarja e linjave të zhvillimit mes njerëzve prehistorike dhe shimpanzeve ka ndodhur më herët nga sa mendohej, e jo në Afrikë, por në pjesën lindore të Detit Mesdhe.

“Deri në njëfarë pike, kjo mund të konsiderohet si një hallkë e re e munguar, që vjen në vëmendjen tonë”, thotë profesor Nikolai Spassov, i Akademisë bullgare të Shkencave. “Megjithatë, hallka që mungojnë do të ketë gjithmonë, – vazhdon ai, – sepse evolucioni është një zinxhir i pafundëm formash pasuese”.

Në bazë të madhësisë së nofullës, supozohet se “El Graeco” peshonte rreth 40 kg dhe kishte madhësinë e një shimpanzeje të sotme femër. Shkak për ndarjen e njeriut nga majmuni, ka gjasë të jenë bërë ndryshimet e forta klimatike./njekomb

Zbulimi tronditë shkencën: Njerëzimi e ka origjinën nga “pellazgët”, nga Ballkani Read More »

Në Kurvelesh, në zemër të etnisë së lebërve

Zylyftar Hoxha

Fshati ynë ka qenë i vogël, me 10-12 shtëpi (u mpak në Grekun e parë, ku shumica e familjeve shkuan në Berat dhe nuk u kthyen më) dhe, si i tillë, dasmë apo gosti të ishte, ishin të gjithë aty të mëdhenj e të vegjël në të gjitha ditët e ritualit. Tani, pas kaq vitesh, më vinë në mend disa prej kronikave të tyre. Njëra nga të cilat ka të bëjë me Kurveleshin.

Sabriu ishte një nga burrat më të mirë të fshatit. Kishte qenë njeri i “i dalë” dhe si xhandar kishte bredhur “bythën e dreqit”, siç kisha dëgjuar të thoshin! Në dasma, kur vinte radha e këngës, ai, pas këngëve me avazin tonë, sado që ishte i pari i muhabetit, kërkonte leje të këndonte një këngë që nuk ishte e anëve tona. E bënte aq shpesh këtë në dasma a gosti, saqë dihej, dhe në kohën e caktuar pjesëmarrësit i drejtoheshin Sabriut: “Shkrepja tani”! Dhe ai ia niste, në fillim vetëm, më pas bashkohej edhe një tjetër dhe më pas akoma bashkoheshin të gjithë që ishin aty me një iso jo si jona, me lëvizje buzësh gjoja këndonin, por në të vërtetë nxirrnin një zanore të zgjatur, “o”, “e” apo “ë” midis  “e”-së dhe “ë”-së. “Kurvelesh, zemra ime, Kurvelesh”, ia merrte Sabriu! Sakaq gratë linin punët matanë e grumbulloheshin te dera të dëgjonin. Kur shikoja këtë skenë, unë, si i vogël që isha, nuk e kisha mendjen te kënga, por te ai Kurveleshi, që zihej aq shpesh në gojë. Vrisja mendjen ç’të ishte ai, burrë, grua apo çfarë!?…Por që ishte gjë e mirë, e mirë do të qe, derisa ishte zemra e Sabriut. Vonë, kur shkova në shkollë, e mësova se ç’ishte Kurveleshi!…

Dhe ja tani pas kaq e kaq vitesh jam “në zemrën e Sabriut të ndjerë”, në Kurvelesh, madje në atë të sipërmin, që është çatia e Labërisë, me një qiell drite mbi krye. Janë pesë fshatra; Nivica, Rexhini, Gusmari-historikisht qendra e nënprefekturës, Progonati dhe Lekdushi. Si gishtërinjtë e një dore, të cilët s’bëjnë dot pa njeri-tjetrin. Natyra ngjason me një pikturë impresionuese të kapur pas reve. Në sfond, mali i Gribës (Këndrevica) 2221 m, qarkuar me malet e tjera. Njerëzit janë të rrëmbyer si rrëketë, dhe shumë krenarë. “Brenda humnerave pellazge dhe kanioneve të shumta e të frikshme, është historia e banorëve të zonës, zërat njerëzorë. Dhe kjo s’është një krahinë çfarëdo, por krahina emërshquar e Kurveleshit. Aty s’kanë vlerë lekët, qofshin edhe flori, s’ka peshë pushteti, qoftë edhe i sulltanit, aty ka vlerë krenaria dhe fjala, e cila, para se të thuhet peshohet me kandar dhe vret njëlloj si plumbi!…”  (Mihal Gjergji, “Ngjyrat e mendimit”, Tiranë 2010, fq 56.)

Në vitet 1908-1919, u hapën edhe shkollat e para shqipe në këtë krahinë; në Nivicë nga Shuko Dalipi, në Gusmar nga Magrip Bana, në Progonat nga Shaqo Buxo, në Lekdush nga Sinan Tare Kërpi.

I paçmuar është edhe kontributi i mëmëdhetarit gusmariot Bilal Rukia, në hapjen e këtyre shkollave, këtu dhe në treva të tjera, aq sa drita e të cilit i verboi shovinistët grekë, të cilët e masakruan këtë pishtar në lartësitë e fshatit Pilur, në fushën e Vanovës.

Pushka dhe pena, një binom i pandarë i këtyre banorëve. Kudo që të rrëmosh, qoftë edhe sipërfaqësisht, është pëllëmbë e histori.

Rexhini krenohet me atdhetarin, publicistin dhe luftëtarin e arsimit kombëtar, Saliun, që jemi mësuar ta njohim si Sali Nivica.  “Saliu ishte portë e shtyllë, a thue nji shkamb në të cilin tash 10 vjet i turren tallaze të mëdha pa mujtë me e bremun kërkund…”. Janë fjalët vlerësuese të  Gjergj Fishtës, më shumë se çdo titull apo dekoratë e munguar.

Po Rexhini ka përkundur në djepin e tij edhe komandantin e famshëm të Bilbilenjve, kordhëtarin Bilbil Shako. (“Dale bej, të ndez cigarë/  Se s’jam çanaku me dhallë/ Po jam Bilbili me pallë…”)

Gusmari, një vatër qëndrese dhe bujarie, i pakrahasueshëm me asnjë fshat tjetër, kryesisht  me shtëpi dykatëshe dhe odat e stolisura të burrave; të Gumene, Duke, Bane, Gjergje, Horjete, Gjoke, Çele etj. Vendlindja e Hasan Gjostojës që luftonte në krah të Zylyftar Podës, në kalanë e Melesinit. (“Hasan Labi bën dyfek/  Shtatë ditë e shtatë netë/  Sa dridhej foshnja në djep…”, e pas këtij luftëtari rendën të tjerë trima, Xheladin Serjani (“Kucoi”), i cili luftoi me tri mbretëri, Mero e Xhafer Gumeni, Rakip Duka, Xhafer Meta e deri te luftëtarët e fundit, dëshmorë të atdheut, Sami dhe  Tafil Skëndo Gjergji, Çobo Mërkuri, Zigur Gjoka etj. Edhe vendlindja e rapsodëve popullorë, aq shumë të njohur, Ali Dine e Tahir Bana.

Pikërisht këtu, në Gusmar, dua të përshkruaj edhe një veçori interesante. Me polifoninë  labe, të cilën do më pëlqente ta quaja simfonia labe, ka ngjashmëri interesante edhe ligjërimi i grave (kolli), të cilat vajtojnë një trim të vrarë apo një jetë të humbur. Vetëm atëherë, oda e burrave është e detyruar të heshtë, në nderim të perëndive.

Veziko Gumeni, simboli i dhimbjes dhe qëndresës njerëzore, do kujtohet gjatë, shumë gjatë, edhe nga brezat  e ardhshëm, për vajtimin e mençur dhe drithërues.  Çuditërisht, vdekja është më e uritur se mjerimi i banorëve, ndoshta kjo e shtyn të jetë e pamëshirshme.

Progonati, fshati më i madh i krahinës, vendlindja e Hetem Totos (ministër i Brendshëm në Mbretërinë e Zogut), Ismail Leskos,  i Bilbilenjve, i Asllan Kucës, (dhëndër i Zylyftar Podës), një nga më të besuarit e Ali Pashë Tepelenës, i Asim Zenelit dhe dëshmorëve të tjerë, të cilët ranë martirë për këto troje. Fshati me numrin më të madh të alpinistëve dhe organizatorëve të ekipit të futbollit të zonës.

Lekdushi arsimdashës, një fshat i vogël, por interesant, për peizazhin dhe njerëzit e tij. Pikërisht nga ky fshat është shpërngulur edhe fisi e familja e Çelo Picarit, shekuj më parë, dy apo treqind vjet, për t’u vendosur në një kohë doemos të vështirë në fshatin tjetër ngjitur, Picar. Dhe historia e këtij luftëtari të shquar njihet nga bashkëkohësit tanë. Vendlindja e Mustafa Matohitit, luftëtar vizionar dhe orator, viktimë e idealizmit të tij.

Nivica, i dyti pas Progonatit për numrin e banorëve, me histori interesante, me pika të shumta kulmore, emra që kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive apo të shkruar, dhe një natyrë  piktoreske.

Emrin e këtij fshati e mban si mbiemër një prej figurave të ndritshme të krahinës, Hodo Bej Nivica. Është luftëtari legjendë i rezistencës antiosmane, krahas Tafil Buzit, Veis Vasjarit, Zenel Gjolekës e Çelo Picarit. (“Fushë e Delvinës u nxi/ Tetë mijë suvari/ I shkreti Hodo Ali/ I kish djemtë  çilimi…”).

Historia është e mbushur me emra të tjerë trimash niviciotë, deri te dëshmorët e fundit të luftës së dytë botërore, Dalip Seferi, Abaz Aliu (Malaj), etj. S’mund të flitet për Nivicën pa u ndalur së pari te miti-Hodo Ali, që ka ushqyer imagjinatën e disa brezave: “Si gjerdan mbi supe/ Të mban Këndrevica/ Vështron thellë në kohëra/ Hodo bej Nivica/ Ja, përtej Delvinës/ Paska rënë mavrija/ Plagët e Janinës/ I lidh Çamëria/…Lotët që s’ta puthën/ Syrin si fajkua/ Po i nxjerr nga shpirti/ Për dhimbjet e tua…”– (Mihal Gjergji, “Udhë të këputura”, Tiranë 2017, fq 13.).

Krahina e Kurveleshit të sipërm ka nxjerrë personalitete të kulturës, artit, e historisë; mendimtarin Ismet Toto, historianin e mirënjohur Pëllumb Xhufi, poetët e shquar Agim Shehu dhe Mihal Gjergji, sikurse të tjerë autorë të gjinive të ndryshme; Halil Qëndro, Ibrahim Gani, Martin Cukalla, Daut Gumeni, Azis Gjergji, Agim Basha, Izet Qulli, Çobo Skënderi, Veli Hodaj etj. E, të pesë fshatrat, kanë valltarë e këngëtarë virtuozë, të vlerësuar në festivalet kombëtare. Do përmendja emblematikët e valles labe, Remzi Banën e Alush Milorin: Xhufkat e kuqe ua puthte era, teksa nisnin shqiponjat për të fluturuar larg, ndërsa palët e fustanellës kërkonin lartësitë.

Brenda kësaj vlere, ka vendin e tij të padiskutueshëm edhe mësuesi model, njëkohësisht edhe poet popullor, Halo Malaj, autor i teksteve të këngëve.

Largohem nga Nivica duke vërshëllyer me buzë ison e lehtë drithëruese të asaj kënge që përcjell kryetrimin e këtij fshati, pikërisht në një ditë të bekuar, kur e enjtja ia dorëzon pushtetin “të xhumasë”, ditës së faljes: “Të ënjtën dhe të xhumanë/ Hodo trimi e dha xhanë/ Hingëllin i shkreti kalë/ Hingëllin e s’do të hajë/ 20 trima dot s’e mbajnë…”

U zgjatëm pak në historinë e këtyre fshatrave, që përbëjnë zemrën Labërisë, pasi këtu, si askund tjetër në Shqipëri, historia i hyn në hak, i lë pak vend gjeografisë. Labëria është unike në kulturë materiale e shpirtërore, me zanat blegtorinë, pushkën dhe këngën.

Kurveleshi është një hapësirë unike, me nuanca gati të padallueshme nga një zonë në tjetrën brenda  tij. Një i huaj, psh, si unë, e ka të vështirë, që, në gjithë atë etni të lebërve, të vërë kufij: të ndajë Kurveleshin e Sipërm me atë të Poshtmin; Kurveleshin e Tepelenës me atë të Gjirokastrës; të  Lumit të Vlorës  me atë të Dukatit; të Bregut me atë të Delvinës etj. Këta janë kufijtë natyrorë, por karakteri i fortë lab, trimëria, humori dhe kënga labe kanë çarë më tej, kanë zgjeruar ëmbël dhe butë këtë kufi në Myzeqenë e Vogël (e Vlorës), Mifol; në Mallakastër përtej Vjosës; përtej Memaliajt, përtej Drinos në Rrëzë të Gjirokastrës, madje edhe përtej Gjirokastrës, në Lazarat etj.

Thesaret e historikë dhe natyrorë të Nivicës

Në fshatin, dikur më të zhurmshëm e më të bujshëm të Labërisë, shkretia dhe heshtja është vrasëse. Dy “thesaret” më të mëdhenj, që ka ky fshat, kalaja mbi, dhe kanionet poshtë tij, përbëjnë kompleksin historiko-natyror më unik dhe më të rrallë, që, edhe me qiri ta kërkosh, vështirë ta gjesh në të gjithë Shqipërinë. Nivica që herët ka zgjuar interesin e studiuesve të huaj, të cilët, sapo u është dhënë rasti, kanë “vrapuar” në këtë fshat. Nuk është munduar kot deri këtu  gjeografi i famshëm Skilaksi, 50 vjet p.k për të parë nëse ky qytet ishte Amantia apo ndonjë tjetër. Diçka ka ditur konsulli francez pranë Ali Pashë Tepelenës, Pukëvili, i cili që në ditët e para të mbërritjes në Janinë, ka lënë mënjanë punët diplomatike dhe ka shpejtuar për në Nivicë. Pas tij, fshatin e ka vizituar H. Holand, duke i lënë radhë topografit dhe arkeologut të shquar të kohës, njëkohësisht konsulli anglez pranë Ali Pashë Tepelenës, William Martin Lik. Në fillim të shekullit të 20-të Nivicën e ka vizituar udhëtarja e shquar angleze, Edith Durham. Ajo i ka lënë Nivicës dy kujtime të rralla, një hartë të zonës dhe një vizatim në formën e një skice, ku shihen portrete të burrave të fshatit të Nivicës në shtëpinë ku ajo kishte bujtur. Por  në Nivicë, në vitin 1930, u ngjit edhe i famshmi L. M. Ugolin, zbuluesi i Butrintit dhe i Foinikes.

Por Nivica ka edhe ca thesare të tjerë natyrore,  janë thellinat poshtë fshatit, janë kanionet, për të cilët është folur pak më parë. Vetëm tani vonë, me lëvizjen e turistëve, ata janë jo vetëm të njohur, por edhe të vizitueshëm.

Kanionet fillojnë sa kalon fshatin Bёnç duke ndjekur të kundërtën e rrjedhës së lumit, ku në krah të djathtë ndodhet mali i Çoçkos me shumë shpella që mund të vizitohen. Në këto shpella u strehua çeta e Bilbilenjëve të ndjekur nga turku. Këtë kanion të  madh e kanë krijuar lumi i Nivicës me degët e tij, si përroi i Lekdushit, përroi i Progonatit, i Gusmarit dhe i Gjonmushit, qendra është Guva e Nivicës. Kanionet në lashtësi kanë qenë të lidhur me ura si rrugë kalimi të fshehtë në kohë rreziku nga kalaja e Nivicës për në vendbanimin e hershëm Gradishtë, Progonat dhe Gusmar. Duke u nisur nga Guva në drejtim të  rrjedhës së lumit, në krahun e majtë e përball kalasë, në lindje, ndodhen dy ujëvara, ajo e Pesjakut dhe ajo e Kastravicës. E para, me një lartësi 30 – 40 m dhe, e dyta, me një lartësi rreth 100 m, ku uji bie vertikalisht dhe në fund ka krijuar një gropë të madhe. Në kohë me shira ka një pamje madhështore.

Zagoi i Vasos është një vend disi i sheshtë me bimësi të gjelbër në  mes të  shkëmbinjve dhe në të gjitha anët rrethuar me humnera të  thikta. Më pas vjen Vinja, i shfrytëzueshëm nga banorët, kryesisht për dimër për dhitë. Dhitë  i çonin duke ndërtuar  ura dhe skela, bagëtia qëndronin atje deri në pranverë, sepse s’kishte rrezik as nga egërsirat as nga njerëzit, pasi nuk shkonin dot.

Një tjetër kanion ka qenë Drimoi, disi i shfrytëzueshëm,  me 4 – 5 ha tokë të sheshtë për 20-30 krerë dele ose dhi.

Veç kanioneve në Nivicë dhe rrethinat fqinje ka shpella të panjohura dhe të pa eksploruara, që përbëjnë një resurs turistik për zonën. Do të përmendim disa prej tyre: Shpella Kishë e Drimoit,  e përdorur nga banorët në kohën e dy luftërave, të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Ka marrë emrin Kishë, ndoshta do të ketë qenë kish eremiti. Shpella e Guvës, ndodhet në humnerën poshtë kalasë; Shpella e Labës, Shpella e Gjonushit, Shpella e Aliqënde, Shpella e Ariut, Shpella e Gusmos, e Murtajës, Gropa e Merje etj.

Në Kurvelesh, në zemër të etnisë së lebërve Read More »

Ekspedita: Të fshehtat e anijeve antike të mbytura në ujërat shqiptare

Oliverta Lila

Anije të mbytura shekuj më parë, ngarkesa me verë e vaj ulliri, amfora të mëdha që “prehen” në fund të detit shqiptar. Janë pasuri arkeologjike të veshura me histori po aq interesante. Prej gjashtë vitesh, ekspedita shqiptaro-amerikane në bordin e anijes “Herkules” është vënë në kërkim të këtyre thesareve. Deri më tani janë 6 “relikte” që datojnë më shumë se 2000 vjet më parë që janë zbuluar, përfshirë edhe të tjera të një rëndësie të dytë. Inxhinierë e arkeologë, ndihmuar nga teknologjia më e lartë i janë kthyer sërish bregut shqiptar. Gjiri i Vlorës është destinacioni i këtij viti, ndërkohë që aktualisht ekspedita është vendosur në veri të ishullit të Sazanit. Zhytje, skanime, përpunim të dhënash. Arkeologu Adrian Anastasi, drejtori i palës shqiptare, tregon se edhe këtë vit janë etiketuar pika të cilat do të verifikohen. Mundësia e një zbulimi të ri në fazën e fundit të ekspeditës nuk përjashtohet. Gjetja e fundit, ishte zbulimi vitin e shkuar të një anije 2100-vjeçare, 30 metra të gjatë në perëndim të ishullit të Sazanit. Mbytja e kësaj anijeje gjatë periudhës së Republikës Romake kaq pranë brigjeve shqiptare, u hamendësua se mund të kishte lidhje edhe me betejat e luftës civile, zbarkimin e Jul Cezarit dhe ushtrisë se tij në gjurmët e Pompeut. Shumëkush mund të mendojë se arkeologët gjurmojnë zona të caktuara, ku nga burime historike apo gojëdhëna thuhet se është mbytur një anije. Në fakt, nuk ndodh kështu. “Kërkimet që bën ekspedita janë kërkime matematikore, pra duke kontrolluar çdo metër të hapësirës ujore me teknologji të lartë. Deri më sot ne nuk kemi kërkuar sipas sinjalizimeve apo burimeve antike. Kërkimet tona janë shumë të sakta, pasi skanohet i gjithë bregdeti dhe jo sipas zonave të caktuara. Kjo metodologji ka kosto më të lartë, por edhe rezultatet janë më të larta. Deri tani janë zbuluar 19 relikte historike nga shek I-IV para Krishtit e deri në disa anije të Luftës së Dytë Botërore”, thekson Auron Tare nga Qendra Shqiptare e Kërkimeve Detare.

Burimet antike

Sa anije mund të jenë mbytur në brigjet shqiptare? A ka të dhëna për vendndodhjen e tyre? A u kanë rezistuar shekujve? Kureshtja e gjithsecilit në këtë pikë mund të çojë në shumë pyetje të këtij lloji. Sipas Tares, burimet antike flasin gjithmonë për mbytje të anijeve në brigjet e Ilirisë apo Epirit antik. “Nga burimet e shkruara ne kemi një database shumë interesante, por duhet thënë se deri më tani nuk kemi mundur të provojmë asnjë nga këto burime për saktësinë e tyre. Jemi akoma në fillimet e kërkimeve, por deri më tani zbulimet janë bërë nga metodologjia e aplikuar dhe jo nga këto burime të shkruara. Është shkruar se në Luftën Civile midis Cezarit dhe Pompeut, i biri i Pompeut, Gnaius Pompeu mbyti një sërë anijesh në hyrje të Orikumit për të bllokuar flotën e Cezarit. Deri tani nuk kemi asnjë të dhënë për të verifikuar këtë burim historik. Po kështu dimë nga burime të shkruara se Flota Normane e udhëhequr nga prijësi i familjes normane, Zhiskardi, luftoi për disa ditë në Gjirin e Butrintit dhe bregun e Sarandës së sotme me Flotën Bizantine dhe Veneciane. Deri tani asnjë gjurmë nuk është gjendur nga kjo flotë, megjithëse burimet thonë se Perandori Komnenu shembi anijen flamurmbajtëse diku afër Butrintit. Po kështu dihet që vëllai i Mbretit të Francës Filipitte Pare, konti Hugh of Vermandois, i cili udhëtonte për në Kryqëzatë më 1096 e humbi flotën e tij shumë pranë brigjeve të Durrësit. Në fakt, ai dhe shpura e tij ia dolën të shpëtonin me not, kështu që anijet e mbytura duhet të jenë shumë pranë brigjeve. Megjithatë pritet që në sezonet e ardhshme të kemi mundësi të verifikojmë edhe këto burime antike nëse janë gjeografikisht të vërteta apo jo. Ndryshon puna me anijet e humbura në konfliktin e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Nga informacioni i mbledhur nëpër arkiva del se në ujërat tanë duhet të jenë mbytur mbi 40 anije italiane, austro-hungareze, franceze, gjermane, një nëndetëse greke, një U-Boat austriak, disa avionë britanikë. Më e famshmja nga këto anije është sigurisht anija flamurmbajtëse e flotës italiane të Mesdheut “Regina Margerita”, e cila u mbyt nga një nëndetëse austriake me 720 vetë në bord, përfshirë edhe një admiral italian, në hyrje të Gjirit të Vlorës. Mbytja e “Regina Margerite” ka qenë një prej lajmeve më të bujshme botërore gjatë Luftës së Parë.Po kështu, gjatë hulumtimit të arkivave kam gjetur se në fakt një prej komandantëve më aktivë të nëndetëseve gjermane gjatë Luftës së Parë në ujërat shqiptare ka qenë një oficer i ri, i cili më vonë u bë një prej figurave më të rëndësishme të Gjermanisë Naziste. Ky ka qenë admirali Kanaris, shefi legjendar i Abwer( Zbulimit Ushtarak) gjerman. Kanaris, i cili operonte nga Baza e Kotorit, ka pasur shumë histori interesante në brigjet shqiptare. Zbulimi i këtyre anijeve të mbytura dhe historia e tyre, do të jetë pjesë e një botimi të veçantë mjaft luksoz, i cili do të sjellë një pjesë të panjohur të historisë shqiptare”, tregon Auron Tare. Sipas tij, i gjithë bregu shqiptar ka mjaft pasuri arkeologjike, sinjë breg i rrahur nga lundërtarë, eksploratorë, udhëheqës, priftërinj, tregtarë etj. Këtu fillonte rruga më e famshme antike Via Egnatia, e cila lidhte Romën me Kostandinopojën dhe më tutje me tregjet orientale të mallrave të luksit.

Dyshimi

Arkeologu Adrian Anastasi thekson se deri më tani e gjithë pjesa e bregdetit jonian deri në 220 metra thellësi është skanuar dhe dokumentuar nga “Herkules”. Për herë të parë, kjo ekspeditë ka realizuar hartat arkeologjike me të dhëna të sakta mbi pasurinë nënujore. Problemi i specialistëve mbetet se çfarë do të bëhet me këtë pasuri pas përfundimit të kësaj ekspedite. Auron Tare mendon se ka një neglizhencë të plotë institucionale, por edhe një paaftësie e shoqërisë për të kuptuar rëndësinë e madhe të trashëgimisë kulturore që kemi. “Për ta ilustruar këtë fakt do të doja të shtoja se për 6 vjet, pala amerikane dhe më saktë Fondacioni RPM Nautical, ka harxhuar shuma të konsiderueshme në identifikimin e pasurive nënujore shqiptare. Shteti ynë dhe institucionet përkatëse deri më sot ka dhënë 0(zero) fonde. Edhe kërkesa jonë për t’u furnizuar me naftë pa taksë nuk është aprovuar dhe anija “Herkules” detyrohet të furnizohet në vendet fqinje edhe pse kjo anije punon për dobi të historisë së Shqipërisë. Edhe dy pulla që ka printuar Posta Shqiptare me zbulimet tona, jo vetëm i ka plot me gabime, por i ka marrë imazhet pa leje duke thyer të drejtën ndërkombëtare të së drejtës së autorit.   Përjashtim bën Flota Detare, e cila këta 6 vjet ka qenë shumë e gatshme për të ndihmuar në sektorin e saj. Pala amerikane sot është, nesër ikën diku tjetër. Janë shumë vende në Mesdhe që e ëndërrojnë këtë punë që po bëhet në Shqipëri. Sa ekspedita të tilla operojnë aktualisht në botë? Vetëm 6. Pra Shqipëria ka një fat të madh në mundësinë e njohjes dhe identifikimit të pasurisë së saj kulturore nënujore. Problemi qëndron se deri më tani nuk shikohet asnjë dritë në fund të tunelit për të qenë optimist se diçka do të bëhet edhe në këtë fushë. Askush nuk e ka marrë seriozisht këtë projekt ambicioz dhe nuk ka jo vetëm investime, por edhe një mirënjohje nga Ministria e Kulturës apo institucionet e tjera. Pyetja është se çfarë do të ndodhë pasi projekti të mbarojë? Si do të ruhet kjo pasuri? Kush dhe si do studiohet? A do të ngrihet një muze i trashëgimisë nënujore? Këto dhe plot pyetje të tjera nuk kanë asnjë përgjigje”, thekson Tare. Ndërkohë, Adrian Anastasi shpjegon se ekspedita e përbashkët, shqiptaro-amerikane do të vijojë deri në realizimin e hartave të plota arkeologjike.

Rreziku

Arkeologu Adrian Anastasi, por edhe Auron Tare, kanë dhënë vazhdimisht alarmin për rrezikun që i kanoset pasurisë arkeologjike nënujore nga zhytjet e pakontrolluara. Sipas specialistëve, kjo vjen për faktin se shteti shqiptar nuk ka asnjë kontroll mbi hapësirën ujore. Për vite, vjedhja e pasurive nënujore vazhdon pa u ndëshkuar. “Nuk ka një ligj mbi trashëgiminë nënujore. Nuk ka asnjë departament në MTKRS që të merret edhe me këtë pjesë të trashëgimisë sonë. Nuk ka asgjë”, thekson Tare.

Kërkesa

A do të ngrihet një muze i trashëgimisë nënujore?

Arkeologu i arkeologjisë nënujore, Adrian Anastasi, e sheh të domosdoshme ngritjen e një muzeu për këtë pasuri. Por sipas tij, nuk duhet të jetë thjesht dhe vetëm një hapësirë ku ekspozohen disa relikte. “Koncepti modern i muzeut është një institucion që ekspozimin duhet ta ketë si qëllim të fundit. Më parë duhet të bëhet një punë e madhe kërkimore-shkencore, gjë që i mungon profilit të muzeve në Shqipëri. Një muze i tillë duhet të ketë laboratorin, stafin e specializuar që të bëjë në mënyrë autonome kërkimin shkencor. Ne kemi një trashëgimi të tillë që mund të flasim pa frikë për muze të profilizuar. Ka ardhur koha që të kemi një muze kombëtar të arkeologjisë nënujore që t’u përgjigjet standardeve ndërkombëtare. Kati i tretë i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, që aktualisht po i nënshtrohet një rikonstruksioni, mund të shërbente shumë mirë për të bërë një pavijon për arkeologjinë nënujore. Ka material shumë të bollshëm e interesant. U bënë dy vjet që unë po merrem me kthimin e spirancave antike. Janë të kompozuara me dru dhe elemente plumbi, të periudhës arkaike duke nisur nga shek 7 para erës sonë deri në shek 3. Vetëm me studimet e bregut të Jonit kemi gati 80% të tipologjisë mesdhetare të këtyre spirancave dhe kjo tregon se çfarë kontaktesh ka pasur në brigjet e Ilirisë. Nëse studiojmë më pas edhe anijet antike të mbytura në brigjet tona, është një informacion i pafundmë për specialistët e rinj”, thekson Anastasi.

Të dhëna

Një anije në Kepin e Rodonit?

Një anije antike mund të gjendet e mbytur në Kepin e Rodonit. Arkeologu Adrian Anastasi thotë se kanë të dhëna që mund t’i çojnë në gjetjen e një relikti në Kepin e Rodonit. “Janë të dhëna që i kemi marrë e konsultuar me peshkatarët lokalë, sepse ende nuk e kemi përfshirë këtë zonë në ekspeditën tonë”, tregon Anastasi.

Ekspedita: Të fshehtat e anijeve antike të mbytura në ujërat shqiptare Read More »