Letërkëmbimi i Skënderbeut me Sulltanët
Krahasim i shkurtër midis dorëshkrimit të gjetur nga Mark Palnikaj në Bibliotekën Mbretërore të Napolit dhe letrave të botuara në librin “Historia e Skënderbeut” të Marin Barletit
Nga Gjokë Dabaj
Letërkëmbimi midis Gjergj Kastriot-Skënderbeut dhe dy sulltanëve otomanë të asaj kohe, në variantin që ruhet në Bibliotekën Mbretërore të Napolit, paraprihet nga fjalimi i Gjergj Kastriot-Skënderbeut mbajtur në Kuvendin e Lezhës më 28 Nëntor 1443, dukshëm i cunguar. Ai fjalim, në këtë dokument, ka vetëm 20 rreshta, ndërsa në librin e M. Barletit (“Historia e Skënderbeut”, botimi i tretë, f.122-129), i ka plot 7 faqe, dallim ky, jo vetëm i dukshëm, por edhe mjaft domethënës. Përse?! Sepse shkruesi i këtij dorëshkrimi, mbas gjasës, mund të mos e ketë njohur atë fjalim në detaje. Fillimi i fjalimit në variantin e M. Barletit është: “Etër dhe princër fort të nderuar”, ndërsa te Dorëshkrimi i Napolit (Kështu po e quaj unë) është: “Zotërinj të lartë dhe Etër të nderuar”. Thuajse e njëjta përmbajtje, por me rendin e fjalëve të ndryshëm.
Edhe pjesa tjetër e tekstit, ata 20 rreshta që i ka dokumenti i Napolit, ka ngjashmëri me fjalimin e Skënderbeut, të shkruar prej M. Barletit, por fjali të njëjta nuk ka. Madje, në ndonjë rast ka edhe dallime të papajtueshme. Për shembull, te dokumenti i Napolit, Skënderbeu u kërkon princërve të mbledhur në Lezhë që, nëse nuk duan të luftojnë kundër Sulltanit, të paktën të rrinë mënjanë, duke mos i ndihmuar turqit. Ndërsa te varianti i M. Barletit nuk haset askund ky mendim.
Në variantin e M. Barletit emri perëndi në të paktën 4 raste përdoret në shumës: “perënditë e pavdekshme” “perënditë”, “nga perënditë”, “me ndihmën e perëndivet”. Kjo është shumë e rëndësishme të vihet në dukje dhe të analizohet, sepse, sado që flitet për ngjarje të shekullit XV, atmosfera që krijohet në këtë mënyrë është Politeiste. A besonte Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në shumë perëndi (Poseidon, Zeus, Ares etj.), apo në një perëndi të vetme, në atë që bota monoteiste e kish huazuar prej izraelitëve?! A mos M. Barleti kërkon ta lidhë Heroin tonë me Antikitetin, pa qenë vetë Heroi i edukuar me atë frymë?! Mbi bazën e një vargu të dhënash, unë besoj se, edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, edhe Marin Barleti, kanë qenë jo vetëm të frymëzuar nga Rilindja (Renesansa) Evropiane, por edhe frymëzues të asaj Rilindjeje, e cila po rikthehej fuqimisht në një traditë parakristiane.
Letra që sulltan Murati II i dërgon Skënderbeut,(f. 165-168), ka 3 faqe, ndërsa ajo që është shënuar në dokumentin dorëshkrim të Napolit, ka vetëm 34 rreshta. Data në variantin e M. Barletit është 15 qershor 1444, ndërsa në dorëshkrimin e Napolit është 16 qershor dhe viti mungon. Kjo diferencë në shënimin e datës, na çon në mendimin se M. Barleti, ose nuk e ka përdorur, pra nuk e ka njohur dokumentin e Napolit, ose ka njohur edhe ndonjë dokument tjetër më të saktë. Atëherë, cilët kanë qenë burimet konvergues edhe të M. Barletit, edhe të autorit të këtij dorëshkrimi?! Të dyja tekstet e kësaj letre, në përmbajtje janë shumë të ngjashme. Megjithëkëtë, fjali të njëjta nuk ka. Bie në sy që emri i letërprurësit është Hajredin, edhe në variantin e M. Barletit, edhe në dorëshkrimin e Napolit. Pra, të dy autorët i janë referuar të njëjtit burim dhe kjo dëshmon edhe njëherë që, as njëri, as tjetri variant nuk janë trillime apo shpikje, por janë të dy të mbështetur në ngjarje të ndodhura. Nuk do lënë pa u vënë re përdorimi edhe këtu, nga ana e M. Barletit, i emrit perëndi në numrin shumës (“me pëlqimin e perëndivet”, f.167), gjë që na bën të konkludojmë se të tilla përdorime janë shtesa të krahut tonë, pra të krahut europian, e jo shprehje autentike të sulltanit. Po në këtë letër marrim edhe një informacion tjetër shumë të rëndësishëm. Sulltani shkruan: “fushat e vjehrrit Gjergj… i plaçkite gjerësisht, sepse deshi që ti të qëndroje larg kufijve të mbretërisë së tij” (f.166). Është fjala për despotin serb Gjuragj Brankoviq, të birin e Vuk Brankoviqit, i cili paska dashur ta pengojë marshimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut drejt Krujës dhe ky doemos ka reaguar, jo vetëm duke i zmbrapsur forcat e tij, por edhe duke ia plaçkitur zotërimet. Bashkëpunimi midis serbëve të krishterë dhe turqve myslimanë, në dëm të arbërve, del këtu më se i qartë, sidomos kur sulltani i shkruan Kastriotit me kërcënim (f.167): “Vjehrrit tim, Gjergjit, (Lexo Gjuragjit dhe nuk jam i sigurt nëse përkthyesi, në vend të fjalës vjehrrit, duhej të kish vënë: kunatit.t’i kthesh sa më parë që të jetë e mundur sendet e paprishura të misëvet, ndërsa të tjerat, që i mungojnë, pasi të çmohen, t’ia paguash në të holla; dhe këtej e tutje ta quash gjithmonë kob… dhunimin që i ke bërë atij.”
Përgjigjja që i kthen Gjergj Kastrioti-Skënderbeu sulltan Muratit II, në Dorëshkrimin e Napolit mban datën 14 korrik 1444 dhe ka 66 rreshta, kurse në variantin e M. Barletit, (f.171-172), mban datën 12 gusht 1444 dhe ka 74 rreshta. Shohim këtu një përmbysje. Ndërsa në letrën e Sulltan Muratit II varianti i M. Barletit është shkruar 1 ditë para atij të Napolit, këtu varianti i M. Barletit është shkruar 29 ditë më vonë. Si shpjegohet?! Mos ka shfrytëzuar M. Barleti dy burime të ndryshëm apo kemi të bëjmë thjeshtë me gabimet e kopjuesve? Gjithsesi nuk është e besueshme që autori i Dorëshkrimit të Napolit t‘i ketë kopjuar tekstet me dorë nga libri tashmë i botuar i M. Barletit (siç vë re me të drejtë edhe shkruesi i librit, Z. Mark Palnikaj). Ndërkaq, duhet ditur që, kur ngjarjet historike vërtetohen nga dy a më shumë burime, siç është ky rast, ato bëhen më të besueshme. Dy tekstet, për të cilët po flasim, nuk kanë pothuajse fare ngjashmëri njëri me tjetrin. Për shembull, ndërsa në variantin e Napolit i kërkohet me ngulm Muratit që të bëhet i krishterë, në variantin e M. Barletit një kërkesë e tillë nuk shtrohet fare.
Letra që sulltan Mehmeti II i dërgon Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në dokumentin e Napolit mban datën 11 maj 1461, ndërsa në variantin e M. Barletit, 2 maj 1461 (f. 565-567). Pra, varianti i M. Barletit është 9 ditë para variantit të Napolit.
Pjesa e parë e letrës në variantin e M. Barletit nuk gjendet fare në variantin e Napolit. Aty Sulltan Mehmeti II flet për fëmijërinë që ai e ka kaluar bashkë me Skënderbeun në oborrin e Sulltan Muratit II. Ndërkaq, përmbajtja e pjesës së dytë të letrës, në variantin e M. Barletit, është e njëjtë me variantin e Napolit, sado që fjalitë as këtu nuk janë të njëjta. Varianti i M. Barletit këtë herë është më konciz se ky i Napolit. Në të dyja variantet Sulltan Mehmeti II e pranon faktin që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është zot dhe sovran i Arbërit dhe kjo ka shumë rëndësi, sepse dëshmon që të 17 vjetët e qëndresës skënderbejane kanë qenë tejet rezultativë. Të ishte Skënderbeu më 1461-shin më i dobët se në vitin 1444, letra e Sulltan Mehmetit II do të ishte shumë më arrogante. Madje, ndoshta as që do t’i shkruante fare!
Ndryshe nga letrat e mëparshme, variantet e të cilave kanë dallime në data, varianti i Napolit dhe ai i M. Barletit, i përgjigjes që Skënderbeu i kthen Sulltan Mehmetit II, mbajnë të njëjtën datë: 30 maj 1461. Mirëpo, në përmbajtje prapë kanë disa dallime. Në variantin e M. Barletit, Gjergj Kastrioti i përgjigjet pjesës ku Sulltan Mehmeti II shkruan lidhur me fëmijërinë që e kanë kaluar bashkë, kurse në variantin e Napolit fëmijëria as që përmendet. Pjesa tjetër është, si përmbajtje, pothuaj e njëjtë, por as këtu fjalitë nuk janë as afërsisht të njëjta. Ka edhe një dallim tjetër: Në variantin e Napolit, Skënderbeu, lidhur me takimin që i propozon Mehmeti, shpreh dyshimin se mos aty fshihet ndonjë pabesi, ndërsa në variantin e M. Barletit takimi nuk refuzohet, por “shtyhet” për më vonë.
Edhe letra e dytë që Sulltan Mehmeti II i dërgon Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ka të njëjtën datë në të dyja variantet: 22 qershor 1461. (Shih f. 568-569) Edhe përmbajtja është e përafërt, megjithëse në variantin e M. Barletit sulltani tregohet më dashamirës dhe i propozon Skënderbeut marrëveshje konkrete, duke e njohur si zot i Epirit dhe i arbërve. Është shumë e rëndësishme të vihet re edhe këtu që Sulltan Mehmeti II e njeh shtetin e Arbërit si një shtet sovran.
Letra e tretë e Sulltan Mehmetit II ka gjithashtu të njëjtën datë në të dy variantet: 7 maj 1463. (Shih f.582-584) Dy tekstet janë të ngjashëm, por, si dhe në rastet e tjerë, nuk janë të njëjtë. Në pjesën e parë Sulltani i ofron Skënderbeut një paqe të dytë, me kusht që këtë eeherë të betohen,pra të bëjnë sipas rregullave, se nuk do ta shkelin më marrëveshjen. Në pjesën e dytë Sulltani e kërcënon Skënderbeun me ndëshkim të rëndë.
Në variantin e M. Barletit Sulltan Mehmeti II ka renditur emrat e vendeve që otomanët i kanë pushtuar, si një argument që as vendi i Skënderbeut nuk do të mund t’u rezistojë fuqisë dhe furisë së tij të pandalshme
Letra e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, e fundit e këtij letërkëmbimi, në të dy variantet, prapë mban të njëjtën datë: 25 qershor 1463. (Shih f.584-588). Por varianti i M. Barletit është dukshëm më i gjatë, gati 5 faqe, ndërkohë që varianti i Napolit ka vetëm 50 rreshta. Përmbajtja është e përafërt, por tekstet, si dhe në letrat e tjera, kanë shumë dallime e, kuptohet, përderisa varianti i M. Barletit është më i gjatë, aty ka gjëra që në Dorëshkrimin e Napolit nuk janë shkruar.
Mënyra më e mirë për të nxjerrë një konkluzion të vlefshëm për historiografinë tonë, por edhe për historiografinë e Turqisë, do të ishte: publikimi i të dy këtyre varianteve në të njëjtin libër dhe krahasimi i tyre, tash ose më vonë, në të gjithë përbërësit. Madje do të bëhej edhe më mirë, në qoftë se po këtu do të botohej edhe varianti i Arkivit Sekret të Vatikanit.
Njëra ndër pyetjet do të ishte kjo: Pse në fjalimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, mbajtur në Lezhë më 28 Nëntor 1443, në variantin e Napolit, nuk ka datë dhe, në letërkëmbimet para 30 majit të vitit 1461, pse nuk përputhen datat, ndërsa në letërkëmbimet nga 30 maji 1461 e këndej, datat midis dy varianteve pse përputhen? Përgjigjja, pas hamendjes sime, do të ishte kjo: Shkruesi fillimor i dokumentit që gjendet, ndoshta i kopjuar, në Bibliotekën Mbretërore të Napolit, ka qenë dëshmitar okular i ngjarjeve nga 30 maji 1461 e këndej, ndërsa ngjarjet para 30 majit 1461 i ka njohur me të dëgjuar. Marin Barleti, lidhur me këto data, por edhe me elemente të tjera të pasqyruar në librin “Historia e Skënderbeut”, duket se ka patur në dispozicion edhe burime të tjera, prandaj datat e tij duhet të merren si më të sakta. Gjë që është edhe e kuptueshme, edhe e pranueshme, sepse ai ka bërë libër, madje libër të madh për jetën dhe veprën e Skënderbeut
Në letrat që i çon Sulltan Mehmetit II, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i del në mbrojtje Republikës së Venedikut, në një kohë kur dihet që mbretërit e Napolit nuk kanë shkuar mirë me qeveritarët venedikas. Kjo na bën të mendojmë që zanafilla e Dorëshkrimit të Napolit nuk duhet kërkuar në Napoli, por në Venecie ose në Romë. Dhe pastaj, ndoshta nga ndonjë prift arbëresh, lënda në fjalë është kopjuar dhe prurë e lënë në Bibliotekën Mbretërore të Napolit. Prandaj dhe po them që, po në këtë libër, që e ka përgatitur Z. Mark Palnikaj, do të duhej përfshirë edhe dokumenti përkatës që ndodhet në Arkivin Sekret të Vatikanit.
Në hyrjet e dy letrave që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i dërgon Sulltan Mehmetit II, si në variantin e Napolit, ashtu edhe në variantin e M. Barletit, qëndron shprehja “Atleti i Krishtit”. Nuk është e besueshme që këtë shprehje ta ketë përdorur vetë Skënderbeu. Këtë shprehje e ka përdorur njëri nga papët, me qëllim që Kryeheroin e Arbërisë ta paraqesë para botës së krishterë si kampionin e krishterimit. Sipas këtij gjykimi, del që shkruesi fillimor i këtij dokumenti, jo vetëm nuk është i viteve para 1460-s, jo vetëm nuk është i Mbretërisë së Napolit, por është edhe njohës i vlerësimeve që i janë bërë prijësit arbër në Selinë e Shenjtë e ndoshta edhe protagonist i atyre vlerësimeve.
Këndej nxjerrim edhe përfundimin që, qoftë letrat që gjenden në Arkivin Sekret të Vatikanit, qoftë variantet e M. Barletit, qoftë edhe këto të Bibliotekës Mbretërore të Napolit, nuk janë origjinale. Letrat origjinale duhet të kërkohen, ose në Stamboll, ose diku më thellë në Arkivin Sekret të Vatikanit. Ose ndoshta në ndonjë vend tjetër, bartur atje, në ikje e sipër prej invazionit osman. Por kjo kurrsesi nuk do të thotë se, këto që kemi në dorë, nuk kanë vlera të mëdha.
Dëshmi që ky nuk është letërkëmbimi origjinal midis dy sulltanëve dhe Kryeheroit tonë, është edhe të paraqiturit e tij sikur ka dalë në luftë thjesht për të mbrojtur krishterimin, gjë që nuk është plotësisht e vërtetë. E vërteta është që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ka ardhur në Krujë jo si fanatik fetar, por si një princ arbër, mbrojtës i Atdheut të vet, çlirues i shtetit të vet, i tokave dhe i banorëve të atij shteti dhe mbrojtës në atë mënyrë i krejt botës arbërore. Besimin e krishterë dhe pikërisht katolicizmin, pra jo ortodoksinë, së cilës që fëmijë i kish përkitur edhe vetë, ai do ta praktikonte dhe do ta mbronte e pakta për dy arsye: Si pjesë e traditës shekullore të masës së shtetasve të vet dhe si mjet për të siguruar një përkrahje sa më të efektshme prej botës katolike perëndimore. Përfundimisht po e theksoj edhe njëherë: Përderisa i ke hyrë kësaj pune tepër të vlefshme, miku im Mark, më e mira do të ishte të bashkoheshin në të njëjtin libër të paktën të tria variantet e atij letërkëmbimi, Napolit, Vatikanit dhe Marin Barletit.