Histori

Veshja Çame – Eshte kontrasti i ngjyrave qe e ben kete veshje madheshtore

Veshja Çame

Kur flasim për veshjen shqiptare, thotë Faik Konica, ka aq kostume shqiptare sa ka edhe krahina. Vizitorët e huaj, që e kanë shëtitur Shqipërinë e Poshtme, kanë vërejtur se kostumet popullore shqiptare janë të bukura e befasuese. Nuk mund të flitet për kostumet shqiptare në Çamëri, pa përmendur Çajrëllin. Ai ka qenë mes çamëve të krahinës së Margelliçit, në vitin 1880. Ai përshkruan një veshje festive të çamëve, parë në një manifestim të madh popullor, që organizohej në fshatin Mazerrek. Ai në librin e tij shkruan për kostumin kombëtar çam, kontrastin e ngjyrave, që e bënte veshjen çame të bukur dhe madhështore. Lidhur me këtë Çajrëll shkruan: “Grupet piktoreske të malësorëve, kësulat e fustanellat e tyre, bënin kontrast me livadhin e gjelbër e me armët e tyre të çuditshme, që vezullonin në diell… Shqiptarët dalloheshin vetëm nga këmishat e kollarisura, nga shkëlqimi i xhaketave dhe madhështia e brezave, në të cilat kamat e pistoletat ishin të vëna në një nemur të madh, që nuk dalloheshin dot”, (V.Chirol, vep.e përm., f.231-250).

Fotografia e Çame Manxurane

Me interes është dhe përshkrimin që i bën Pukëvili veshjes çame dhe elegancën që u jep ajo banorëve të asaj krahine: “…Udhëtari që do të shikojë ata çamë, që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe një rënie mortaje , do të njohë me vështirësi ata burra të bukur, me ato qëndisma të bukura lara-lara të veshur me kostume të shkëlqyer dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros, të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir…”, (Pouqueville, “Voyage…”, vep.e përm., vëll.I, f.530).

Fotografia e Çame Manxurane

Kostumi kombëtar çam ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të studiuesve të huaj, por edhe të historianëve grekë. Njëri prej tyre, Spiro Mela, në njërin nga librat e tij shkruan: “Çamët me rrobat e tyre elegante e luksoze, këmisha të bardha të gjata, të qëndisura anash me ar dhe fermeletë, xhamadanët të shkurtër bojë vishnje me shirita të qëndisura me ar e të përpunuar me shije të hollë, me pistoleta të lara me argjend dhe thika të ngjeshura në brez e me guna të gjata…”, ( Sp.Mela, “To lintari…”, vep.e përm., f.274).

Fotografia e Çame Manxurane

Historiani çam Jani Sharra, kur flet për kostumin karakteristik çam, ndalet edhe në disa detaje më të hollësishme:

“Veshja tradicionale çame, thotë autori, ishte kostumi kombëtar: fustanellat e bardha, kalcat e bukura dyngjyrëshe lidhur me fjongo me xhufkat e mëdha me ngjyrë të zezë, me këmisha të bardha e me mëngë të gjëra, me jelek të zi ose blu… të qëndisur me gajtan, me brezin në mes, ku vendosnin edhe koburen. Në kokë mbanin feste me xhufkë…”, (J.Sarras, vep.e përm.).

Fotografia e Çame Manxurane

Përfaqësuesit e krahinës së Çamërisë e kishin për krenari të përfaqësonin atë krahinë në forumet më të larta të kohës. Kështu p.sh., dy nga figurat më të njohura të Çamërisë, Vejsel Bej Dino dhe Abedin Pashë Dino kishin shkuar në Kostandinopojë me kostumet e tyre kombëtare të qëndisur me ar .

Veshja shqiptare në Çamëri, ashtu si në mbarë viset shqiptare, nuk ishte gjithnjë një veshje uniformë. Kostumet kombëtare, që kërkonin copa të shtrenjta dhe punim të hollë artistik, për shkak të gjendjes ekonomike, ishin në gjendje t’i përballonin vetëm klasat e pasura, bejlerët dhe agallarët e Paramithisë, të Margëlliçit, të Filatit, të Luaratit, të Konispolit, Delvinës, Prevezës, Pargës etj. Shtresat e ulëta nuk mund të përballonin një veshje të kushtueshme.

Fotografia e Çame Manxurane

Heinrri Mercey në fillim të shekullit XX (1907) vuri re në Çamëri se, në disa zona, larmia shumëngjyrëshe e veshjeve kombëtare shqiptare dalëngadalë po tjetërsohej për shkak të civilizimit. Tek banorët e Pargës, thotë ai, veshja e tyre ndryshonte nga fqinjët e tyre shqiptarë: “Veshjen pjesërisht shqiptare e ruanin gratë çame vetëm në fshatin Rrapëz dhe Aija, ndërsa fustanella shqiptare vazhdonte të ruhej vetëm tek parganjotët e pasur. Ata që e ruanin veshjen tradicionale, theksonte autori, ishin me prejardhje nga Suli, Paramithia ose Arpica, ndërsa burrat shqiptarë të shtresave të ulëta i kishin qëndruar besnikë veshjes së thjeshtë shqiptare, (Heinrry Mercy, Sohn Verlang, Pragë 1907, f.18-22).
Shekulli, 06 Janar 2008

Fotografia e Çame Manxurane

Fotografia e Çame Manxurane

Veshja Çame – Eshte kontrasti i ngjyrave qe e ben kete veshje madheshtore Read More »

Histori: Çfarë ka ndodhur më 5 prill?

5 prill 1869-Në Nju-Jork vdiq në moshën 109-vjeçare Daniel Bakeman, ushtari i fundit i Luftës amerikane për Pavarësi.
5 prill 1897 – Fillon lufta greko-turke, e quajtur “Lufta 30-ditëshe”, midis Greqisë dhe Perandorisë Osmane. Shkaku ishte çështja e statusit të provincës së Kretës nën kontrollin osman. Grekët kërkonin bashkimin e saj me Greqinë.

5 prill 1939 – Tiranë, ora 6 e mëngjesit, 101 të shtëna topash lajmërojnë lindjen e princit shqiptar të kurorës. Mbretëresha Geraldina kishte lindur me anë të një operacioni cezarian trashëgimtarin e fronit Leka Skander (emër sipas Aleksandrit të Madh).

5 prill 1950 – Fillon në Pragë gjyqi për spiunazh kundër peshkopëve dhe priftërinjve, ndërsa qeveria çekosllovake kishte filluar sekuestrimin e pronave të kishës (shkolla, jetimore, shtëpi pleqsh të sponsorizuar nga bashkësitë fetare).

5 prill 1955 – Njeriu i thënies “kurrë mos u tërhiq”, Winston Churchill (1874 -1965), jep dorëheqjen nga posti i kryeministrit britanik. Anthony Eden zë vendin e tij.

Histori: Çfarë ka ndodhur më 5 prill? Read More »

Vlorë – Kalaja e Skelës , një nga ndërtimet ushtarake të Perandorisë osmane

Gjurmët e kalase së Vlorës, sot ekzistojnë nën një bodrum të llangosur me ujë, nën një ngrehinë shumëkatëshe në zonën e Skelës, përpara stadiumit të qytetit, që ka emrin e skuadrës. Zbulimi i tyre në vitet ‘70 tregojë rëndësinë, që paraqesin muret e hershem të ndërtimit osman në brigje të Adriatikut.Dhe sot muret e kalasë së vjetër janë të mbyllura në një bodrum uji. Të pavizitueshme dhe të pashpjegueshme përse janë kandisur në këtë gjendje.

Një gravurë e kohës paraqet kalanë e Skelës në Vlorë, kur deti atëherë kishte nën sundimin e tij sipërfaqe të tëra toke. Dallgët e detit arrinin deri pranë ndërkaq anijet nëpërmjet këtij kanali lundronin qartësisht për të shkuar drejt ngrehinës, që ka një formë piramide me disa tregues të hollësishëm.

Një gravurë tjetër e paraqitur nga specialisti Gjerak Karaiskaj tregon një pamje të kalasë, muri i saj i jashtëm kullat dhe pemët e shumta që koordinohen njëra me tjetrën. Kalaja më e rëndësishme bregdetare, që ndërtuan turqit në territorin e vendit tonë, është ajo e Vlorës. Kjo ndodhej në bregdet, pranë skelës së sotme të qytetit, rreth 150 m nga buza e detit shkruan Karaiskaj.

Ndërtimi i kalasë në këtë largësi kishte për qëllim të zgjaste distancën e mundshme të qëndrimit të anijeve armike dhe për pasojë të pakësonte efektshmërinë e zjarrit të artilerisë së tyre. Nga kalaja e Vlorës sot nuk ruhet asnjë gjurmë mbi tokë, pasi më 1905, gurët e saj u përdorën për të shtruar rrugën Vlorë-Skelë. Por nga përshkrimet e E. Çelebiut dhe nga një studim krahasues dhe interpretues i të dhënave të grumbulluara, i bërë kohët e fundit, mund të përfytyrohet deri diku me saktësi pamja e saj. Kalaja ka pasur në plan formën e një tetëkëndëshi të rregullt, me gjatësi brinjësh 90 m dhe një sipërfaqe prej 3, 50 ha.

Muret rrethoheshin nga një hendek i mbushur me ujë, gjerësia e të cilit nuk dihet me saktësi, por ka mundësi të ketë qenë 30-40 m. Ky hendek, që rrethonte kalanë nga ana e tokës, lidhej me detin nëpërmjet dy mëngëve, që veçonin para saj një sipërfaqe toke në formë trapezi.

Nga një sondazh që u bë kohët e fundit, me rastin e ndërtimit të Pallatit të Sportit të qytetit të Vlorës, rezultoi që muri i kalasë kishte një trashësi prej 5, 60 m, ishte ndërtuar me gurë gëlqero-rë të vendosur në rreshta të rregullt, një pjesë e të cilëve ishin të punuar. Këta të fundit, të përdorur më tepër për veshjen e faqeve të kullave, kishin forma drejtkëndëshe me përmasa rreth 0, 30×0, 20 m. Lartësia e mureve, sipas E. Çelebiut, ka qenë 15 m dhe ishin të kurorëzuar në pjesën e sipërme me bedena.

Në qoshet e tetëkëndëshit kishte nga një kullë poligonale të mbuluar me çati prizmatike. Midis dy kullave dilnin nga kurtinat dy kulla të cekëta drejtkëndëshe, me lartësi të barabartë me muret, që krijoheshin nga një zgjerim i murit rrethues në këto pjesë dhe që shërbenin për të kontrolluar më mirë kurtinat midis dy kullave poligonale. Shkallët, që shërbenin për t´u ngjitur në shtegun e rojeve, ishin vendosur pranë kullave të këndeve, të drejtuara në të kundërt të tyre për t´i dhënë përparësi ngjitjes mbi mure.

Kalaja kishte dy porta të vendosura përballë njëra-tjetrës në veri dhe jug. Që të dyja përshkonin nga një kullë katërkëndëshe dykatëshe, të mbuluar me çati me katër kullime. Kullat-portë dilnin plotësisht nga kurtinat dhe ishin më të larta se këto të fundit, ashtu si dhe kullat poligonale të qosheve. Një hyrje e vogël, që përshkonte trashësinë e murit, ndodhej nga ana e detit.

Portat e dy hyrjeve kryesore, sipas dëshmisë së Çelebiut, ishin të tipit urë dhe komandoheshin nga katet e dyta të kullave nëpërmjet të një sistemi makarashë dhe zinxhirësh. Sigurisht që këto porta nuk mbulonin kanalin me ujë që rrethonte kalanë, i cili ishte mjaft i gjerë dhe larg tyre, por me sa duket kapërcenin ndonjë hendek të thatë që ishte hapur për të krijuar një mbrojtje të dytë të portave. Ndërsa urat e palëvizshme, që lidhnin dy brigjet e kanalit, megjithëse ndodhen pranë hyrjes, janë të spostuara kundrejt aksit të tyre. Ndryshe ato do të ishin jo vetëm mjet që lehtësonte komunikimin e garnizonit të kalasë, por edhe rrezik në rast rrethimesh.

Në pjesën e brendshme të kalasë, pranë murit që shikonte nga deti, ndodhej kryekulla. Kjo ishte një kullë cilindrike masive, që mbizotëronte mbi të gjitha ndërtimet e tjera me lartësinë e saj të madhe. Kulla ishte 7-katëshe dhe mbulohej me një kupolë të veshur me plumb mbi një tambur të ulët poligonal. Përveç frëngjive të shumta për topa, që kishte vetë kulla, këta të fundit vendoseshin edhe mbi platformën që krijohej rreth tamburit deri tek muret e jashtme. Brenda kullës gjendeshin komanda e kalasë, magazinat, etj.

E vendosur pranë detit ajo shërbente njëkohësisht për vrojtim dhe për të penguar afrimin e anijeve armike. Muret e kësaj kullë kanë qenë ndërtuar me gurë te punuar me kujdes. Kryekulla e kalasë së Vlorës, nga përmasat, funksioni dhe mënyra e ndërtimit është e ngjashme me Kullën e Bardhë në Selanik, kullën e Rumeli-Hisarit, kullën qendrore në «Kastel de Mare» në Modon, etj. Mungesa e tregut dhe e haneve tregon për karakterin ushtarak të këtij fortifikimi, ku në shek.

XVII ndodhej një garnizon prej 400 ushtarësh. Kalaja e Vlorës u ndërtua me urdhër të sulltan Sulejmanit, që erdhi në Vlorë me 1531, për ta pasur atë si bazë ushtarake dhe kantier ndërtimi anijesh luftarake për zbarkimin në Pulje të Italisë. Janë interesante përshtypjet që u ka bërë kjo kala disa studiuesve të shekullit të kaluar, që patën mundësi ta shohin atë akoma në këmbë. Dijetari J. G. Hahn thotë se «kjo kala e tradhton arkitektin turk», ndërsa një vizitor tjetër e quan atë «Kala veneciane». Ka mundësi që në ndërtimin e kësaj kalaje të kenë marrë pjesë dhe arkitektë venecianë.

Për kryekullën vizitori më i hershëm i saj, E. Çelebiu, thotë se e ndërtoi arkitekt Sinani, autori i Kullës së Bardhë të Selanikut. Gjatë kësaj periudhe u bënë rindërtime edhe në kalanë e Kaninës, e cila duhej të mbante të nënshtruar zonën kryengritëse përreth. Deri në shek. XVII. mbi një nga portat e kësaj kalaje, sipas dëshmisë së Çelebiut, lexohej mbishkrimi «Sulltan Sulejmani e meremetoi… » Kalaja e Vlorës ishte një nga ndërtimet ushtarake më të arritura të Perandorisë Turke, saqë Çelebiu shkruan se «ata që s´kanë parë fortesat e Sekedinit, Benderit dhe Vlorës, nuk kanë dijeni mbi mjeshtrin e osmanëve», përfundon Gjerak Karaiskaj, studimin rreth kësaj kalaje.

Nga: Gezim Llojdia/shqiperia.com

Vlorë – Kalaja e Skelës , një nga ndërtimet ushtarake të Perandorisë osmane Read More »

A e dini ku ndodhet Qyteza e Kamenicës ?Ja ku …

Në Shqipëri ruhen shumë fshatra mesjetare të rrënuara, me rëndësi për historinë e vendit. Ndër to një vend të rëndësishëm zë Kamenica që për madhësinë dhe shkallën e ruajtjes nuk ka paralele në vendin tonë. Atë e kemi studiuar së bashku me Emin Rizën duke botuar dhe një artikull si botim paraprak. Rrënojat e Kamenicës gjenden në rrethin e Delvinës, rrëzë shpatit jugperëndimor të Malit të Gjërë. Ato shtrihen mbi dy kodra të ulta, me pjerrësi të butë të bashkuara me një qafë të ulët prej lindjes në drejtim të perëndimit. Fshati, në të kaluarën, zinte dy lartësitë e kodrave, qafën që i bashkon ato, si dhe shpatin e tyre jugor. Terreni rreth paraqitet mjaft i favorshëm për zhvillimin ekonomik: poshtë, nga jugperëndimi, shtrihet një fushë e gjerë me toka pjellore, në veri gjënden kullota të mira për bagëti, ndërsa klima e butë favorizon rritjen e ullirit. Nga ana tjetër, para Kamenicës kalonte rruga që lidhte Delvinën me luginën e Kardhiqit dhe më tej me atë të Drinos. Rruga që të çonte në fshat kalonte duke ndjekur qafën ndërmjet dy kodrave, në jug te tij. Ajo përfundon në qendër të fshatit, i cili është sheshi më i gjere, në masën e dendur të ndërtimeve. Kësaj qendre i përket dhe toponimi : « Qafa e Pazarit ». Ndërtimet rrethojnë atë duke u shtrirë kryesisht nga kodra e madhe në perëndim të saj, dhe më pak në kodrën e vogël, në lindje. Kodra e madhe ka një rënie më të butë në drejtim jugor, kështu që ndërtimet shtrihen më poshtë se ato të kodrës tjetër. Zona veriperëndimore dhe ajo veriore e të dy lartësive bie thikë. Ndërtimet kanë një dendësi të madhe, por kjo është veçanërisht e theksuar në zonën rreth qendrës së fshatit. Ato janë të orientuara, përgjithësisht, nga jugu dhe me pak nga juglindja dhe jugperëndimi, duke ndjekur pjerrësine e terrenit. Nga sa mund të shihet sot, rrugët fillonin nga qendra e fshatit duke u shpërndarë drejt dy grupimeve kryesore të ndërtimeve. Ato kanë qenë të ngushta dhe gjarpëruese, herë duke ndjekur konturet horizontale të terrenit, herë duke përshkruar atë normal vijave rrushkulluese. Ndërtimet janë vendosur buzë rrugëve, ose në mjaft raste ato rreshtohen me mure që krijojnë oborre të vegjël. Në gjendjen e sotme, fshati i rrënuar i Kamenicës ruan, deri diku mirë ,një numër të madh ndërtimesh, ku pjesën dërmuese e zenë banesat por krahas tyre ruhen dhe disa kisha. Numri më i madh i tyre ndodhet në pjesën jugperëndimore të kodres madhe. Muratura e ndërtimeve për shkak të punimit të mirë dhe lidhësit të fortë, ruhet shpesh,thuajse deri në lartësinë origjinale, ndërsa nga elementet e drurit kanë mbetur vetëm gjurmë. Burimet historike që përmendin fshatin e Kamenicës janë relativisht të pakta. Në rregjistrin e vitit 1431-32, fshati i Kamenicës, i përfshirë në vilajetin e Vajonetës, kishte gjithësej 267 banesa, dhe si pronë të fshatit 400 rrënjë ullinj. Të ardhurat nga ky fshat ishin 19740 akce. Këto të dhëna e bejnë Kamenicën, në atë kohë, një nga qendrat e banuara më të mëdha të kësaj zone. Mjafton, të përmendim se Gjirokastra, kryeqendra e sanxhakut te Shqipërisë, në këtë kohe kishte 163 banesa dhe të ardhurat, pa taksat e vilajetit dhe tregut, ishin 16938 akce. Në rregjistrin e vitit 1583, fshati kishte rreth 200 banesa. Këto janë të dhënat që disponojmë deri me sot për Kamenicën. Çelebiu, i cili kaloi në mesin e shekullit XVII nga Delvina në Kalasë, përbri Kamenicës, nuk e përmend këtë të fundit Aravantinoi në listën e hollësishme të fshatrave të Epirit, që i përket gjendjes së fillimit të shek.XIX nuk e përmend Kamenicën si fshat, por në një pasazh ai flet për vendin e quajtur Kamenicë, çka është mjaft domethënëse. Për të patur një tablo të plotë do duhen punime pastrimi e gërmimi që do të bëjnë të mundur të sqarohen dhe thellohen shumë çështje në lidhje me historinë, ndërtimet, urbanistikën, jetën dhe kohën e ndërtimit dhe braktisjes së Kamenicës. Vetëm atëhere do të kemi një botim të plotë, që të pasqyrojë në mënyrë të gjerë e sistematike këtë qendër banimi, dikur të lulëzuar, e cila, padyshim, zë një vend me rëndësi të posaçme ne trashëgiminë arkitektonike të mesjetës Në aspektin tipologjik ndërtimet e Kamenicës janë banesa me kullë, kulla, banesa dhe kisha.Në rrënojat e Kamenicës ruhen në gjendje relativisht të mirë dy ndërtime interesante; një banesë me kullë tre katëshe dhe një kullë në kuptimin e plotë të fjalës. Banesa me kullë për nga kompozimi përbën dëshminë më të vjetër,deri më sot, në vëndin tonë. Barinjtë e zonës e emërtojne “Kulla e Rrahës”. Ajo zë pikën më të lartë të kodrës, në perëndim të qafës së pazarit, duke pasur keshtu një pozicion sundues mbi krejt fshatin. Volumi masiv e prizmatik i kullës lartësohet deri 6,70 m. nga pika më e ulët e terrenit. Ky ndërtim nuk qëndron më vete, por është pjesa më e rëndësishme e kompleksit. Kulla në pjesën veriore zgjerohet në plan, duke përfshirë edhe një ndërtim tjetër, i cili duket qartë se është i njëkohshëm me kullën dhe ka qenë lidhur funksionalisht me të. Për shkak të rrënimeve, është vështirë të përcaktohet në se kjo pjesë e kompleksit ka qenë një apo dy katëshe.Kulla është ndërtuar me muraturë prej guri, lidhur me llaç gëlqereje. Veçanti konstruktive, në dallim nga ndërtimet e tjera, është përdorimi i dy kontureve me breza druri në nivelet e dyshemeve të katit të parë dhe atij të dytë. Në nivelin e dyshemesë së katit të dytë, në mesin e murit jugperëndimor duket qartë vrima ku mbështetej një tra, i cili shkurtonte hapësirën e dritës, për trarët e tjerë, tërthor tij, mbi të cilët shtrohej dyshemeja prej dërrase. Të tre mjediset e kullës kanë gjurmë të qarta që tregojnë se ata kanë qenë të suvatuar. Suvatimi formohej nga dy shtresa: shtresa e parë prej llaç gëlqereje, ndërsa ajo e dyta, shumë e hollë, me patinaturë gëlqereje. Dhe në mjedisin përngjitur kullës, gjejmë gjurmë suvaje në faqet e brendshme të muraturës. Mbulesa e kullës duhet të ketë qenë me çati katërujshe, mbasi nuk ruhet asnjë gjurmë kallkani në dallim nga pjesa tjetër e ndërtimit, e cila ka qenë e mbuluar me çati dyujshe. Ndërtimi tjetër i tipit kullë ndodhet në jugperëndim të banesës me kullë, në pjesën më periferike të fshatit. Ajo është një kullë e vetmuar, e pa lidhur me asnjë ndërtim tjetër. Në plan ajo ka formë katërkëndësh këndrejt, dhe është tre katëshe: kati përdhes dhe kati i parë kanë afërsisht lartësi të barabartë rreth 2.0m, ndësa kati i dytë është më i lartë. Hyrja e vetme për në kullë ka qenë në katin përdhes, nga balli verior, siç tregon një fragment i njërës paturë, në të cilën gjëndet kanali i katarahut. Në katin përdhes, në gjendjen e sotme nuk dallohen gjurmë dritaresh në formë frengjije. Kati i parë le të dyshosh se mund të ketë pasur dritare në faqen jugore dhe ndoshta edhe në atë perëndimore. Kati i dytë ruan mirë muraturën në gjysmën lindore ndërsa pjesa tjetër është e dëmtuar. Faqja lindore ruan shumë mirë disa elementë, deri tashti unikalë në arkitekturën e banesës dhe kullave të Kamenicës. Eshtë fjala për një oxhak të ndërtuar, afërsisht në mesin e kësaj faqeje. Kanali i tymit të tij fillon me një thellim në muraturë dhe në lartësi mbyllet në formë harku, duke lëne të vazhdojë në masën e muraturës një kanal të ngushtë me seksion rrethor. Dy kamare ndodhen anash dhe pranë kamares së djathtë, një sqoll. Dëmtimi i madh i qoshes veriperëndimore, dhe sidomos asaj jugperëndimore, të le të dyshosh se në këto pjesë mund të kenë qënë ndërtuar dritare dhe me shumë gjasë, edhe ndonjë qoshk jashtë konturit të muraturës, siç e gjejmë në kullat e Goranxise. Muratura e gurit është e lidhur me llaç gelqereje. Në dallim nga të gjitha ndërtimet e tjera të Kamenicës, brezat e drurit që lidhin muraturën e kullës janë të futur brenda trashësisë së saj. Në se krahasojmë kullën e Rrahut me këtë do të vërejmë një sërë ndryshimesh jo vetëm në kompozimin e tyre, por edhe në elementë të veçantë. Kështu kulla e Rrahut është pjesë e një ndërtimi më të madh, i cili përfshin dhe një apo dy ambjente, një kat më të ulët se vetë kulla. Ajo, pra, është pjesë e një banesë, siç tregon dhe qënia e oborrit dhe e murit të avllisë. Kompozimi i saj është i njëjtë me banesat e zhvilluara të fshatit. Kurse kulla është e veçuar, qëndron si njësi më vehte, e palidhur me ndonjë pjesë tjetër. Ajo është ndërtuar në një zonë periferike, disi e veçuar nga fshati. Oxhaku dhe kamaret, anash tij janë vendosur dhe realizuar me të njëjtën mënyrë si në shumë banesa të shek. 18 dhe fillimit të shek.19 në qytetet tona, duke qenë elemente unikale në fshatin e Kamenicës. Këto dallime, që në disa drejtime janë mjaft të rëndësishme, lejojne që kulla Nr. 1 të vendoset kronologjikisht mjaft pas asaj të Rrahut. Gjendja e saj më e rrënuar, në krahasim me kullën e përmëndur më të vjetër, duhet shpjeguar me një punim më të dobët të muraturës. Në Kamenicë ruhen një numër shumë i madh banesash, disa prej të cilave në gjëndje relativisht të mirë. Natyrisht në gjendjen e sotme nuk ka mbetur asnjë gjurmë e mbulesave dhe e konstruksioneve prej druri. Kompozimi elementet e veçantë arkitektonikë- konstruktivë, si dhe teknika e ndërtimit, tregojnë qartë se banesat janë të ndërtuara në një periudhë relativisht të afërt me njera – tjetrën. Vetëm një grup banesash të ndërtuara në jugperëndim të “Qafës së Pazarit”, duket se i përkasin një kohe më të vonë, pasi janë të ndërtuara në një zonë periferike të fshatit dhe, në to, gjejmë të ndërtuara në katin e parë dritare në dallim nga banesat e tjera, që ndriçohen nga të çara në formë frëngjije. Banesat ndjekin drejtimin e terrenit, duke pasur kështu orientime të ndryshme nga juglindja, jugperëndimi dhe jugu Ato janë gjithmonë të vendosura me ballin e ngushtë në drejtim të vijave rrushkulluese, duke qenë kështu volumi i tyre normal me to. Kjo vendosje është më racionale në terrenet jo shumë të pjerrët shkëmborë, mbasi nukështë shumë i nevojshëm gërmimi për të bërë të përdorshëm katin përdhes, në anën tjetër largohet më shumë kontakti eventual me ujrat e rreshjeve dhe, së fundi, rritet në mënyrë të ndjeshme aftësia mbrojtëse e banesës. Shumica dërrmuese e banesave janë dy katëshe, ndërsa banesat përdhese janë shumë të pakta.Për shkak të pjerrësisë të terrenit, në shumicën e rasteve banesat kompozohen me gjysmë-kat, d.m.th. sipërfaqja e katit të parë shtrihet përtej asaj të katit përdhes. Konfiguracioni i tyre në plan është gjithmonë katërkëndësh këndrejtë, në shumë raste me brinjë jo të barabartë dhe, disa herë, edhe me ndonjë qoshe të harkuar apo të thyer për të mos ngushtuar rrugën apo për të bërë më të lehtë kalimin në kthesa. Në përgjithsi banesat kanë nga një ambient në secilin kat. Sipërfaqja, disa herë, mjaft e madhe e katit nuk e përjashton mundësinë e ndonjë ndarjeje të lehtë prej druri tërthor saj. Mjaft të rralla janë banesat me dy ambiente, në katin përdhes dhe po aq në katin e parë. Ngushtësia e truallit, dhe natyra shkëmbore e tij ka bërë që edhe në ato raste kur banesa kishte një oborr të rrethuar me mure guri, përbri faqes ku ishin hyrjet, ai ishte shumë i vogël. Por ka dhe shumë raste kur hyrja për në banesa bëhet drejtpërdrejt nga rruga. Për t’u vërejtur është dhe një praktikë e përhapur gjërësisht në ndërtimin e banesave; ajo e ndërtimit të një banese të dytë, ngjitur me të parën dhe, disa herë edhe të një banese të tretë. Në shumicën e rasteve shtesa e re përbën një banesë më vehte, që për nga kompozimi është e njëjtë me banesën së cilës i përngjitet. Më të rrallë janë rastet kur banesës i shtohen një apo dy ambiente. Kjo dukuri shpjegohet me rritjen e numrit të pjesëtarëve të familjeve, mbasi gjurmët e komunikimit të brëndshëm, ndërmjet tyre, tregojnë se ato i shërbenin një familjeje të vetme. Në grumbullimin e madh të rrënojave të fshatit, u studiuan rrënojat e shtatë kishave të shpërndara në zona të ndryshme të tij. Tri prej tyre ndodhen në pjesën e lartë të kodrës perëndimore, një në pjesën jugore të saj, dy në “ Qafën e Pazarit” dhe kisha e fundit në kodrën më të ulët lindore, të cilat paraqesin më së miri ndërtimet e kësaj gjinie ndërtimesh. Një kishë e rrënuar ndodhej larg fshatit, në anën juglindore të tij. Të gjitha ato janë me planimetri një nefshe e mbuluar me çati druri. Së pakut dy prej tyre, që janë dhe më të mëdhatë, datojnë të shekujve XIII-XV ndërsa të tjerat nuk vendosen lehtë në kohë dhe duhen studime të mëtejshme. Studimi i këtyre kishave për këtë arsye paraqet interes sepse ndonjë prej tyre na jep të dhëna me mjaft vlerë për vendosjen në kohë të fshatit dhe ndërtimeve të tij. Arkitektura e ndërtimeve të fshatit të braktisur të Kamenicës përbën një dëshmi të lashtë në trajtimin arkitektonik- konstuktiv të banesës. Për këtë arsye ajo zë një vënd me rëndësi të veçantë në trashëgiminë arkitektonike të së kaluarës. Ky vendbanim i ruajtur relativisht mirë, dallohet për një unitet të theksuar të ndërtimeve në planin arkitektonik dhe atë konstuktiv. Tipizimi i ndërtimeve ështe një dukuri që shfaqet në mënyrë të spikatur dhe vjen i natyrshëm, kryesisht për shkak të thjeshtësisë së kompozimit të banesave që përfshijnë një numer relativisht të vogël ambientesh, duke pasqyruar kushte ekonomiko- shoqërore relativisht të qëndrueshme dhe duke ruajtur kështu, traditën në mënyrën e jetës, pra, dhe në ndërtimin e banesave. Banesa e Kamenicës është një tip i thjeshtë, ajo është e ndarë funksionalisht në dy kate. Kati përdhes, zakonisht me sipërfaqe më të vogël se ajo e katit të parë, është i pabanuar, ndërsa kati i parë është i banuar. Banesa është mjaft e mbyllur. Muret e fortë prej guri, hapësirat minimale për ndërlidhje me ambientin e jashtëm dhe mungesa, thuajse e plotë e dritareve apo hapësirat e tyre shumë më të vogla, i japin banesës një karakter të theksuar mbrojtës. Banesat e Kamenicës dallohen për një primitivizim të theksuar, ku utilitarizimi është realizuar me mjetet më të thjeshta. Megjithëse nuk ruhet thuajse asnjë gjurmë për të gjykuar mbi arkitekturën e brendshme, kuptohet qartë se ajo ka qenë shumë e thjeshtë. Mungojnë krejtësisht oxhaqet, gjë që tregon se zjarri ndizej në vatër, pra, mungonte dhe tavani. Mungesa e dritareve i bënte të errët ambientet por këtu duhet pasur parasysh dhe fakti se banesa ishte më fort një strehë për fjetje, mbasi të aftët për punë, burra e gra, e kalonin ditën jashtë me punët e shumta të blegtorisë e bujqësisë. Kompozimi volumor i tyre është përcaktuar nga pjerrësia dhe natyra shkëmbore e terrenit. Ekzemplarët e shumtë të banesës me gjysëmkat me një kthinë të banuar, janë një dëshmi bindëse se kjo banesë lindi si një zgjidhje racionale me konditat e një zhvillimi relativisht të ulët të jetës ekonomike të fshatit,që kushtëzonte një minimum prej dy kthinash. Ky numër minimal ambientesh bëri që faktori i terrenit, në rastin tonë jo i rrafshët të merrte një rëndësi thuajse vendimtare në kompozimin volumor të banesës me gjysëmkat. Kjo ngritje jo e plotë e banesës në lartësi, pra, qenija e ambientit të banuar pjesërisht në kat e pjesërisht përdhes, konsiderohet si hapi i parë drejt kalimit nga banesa përdhese në atë me kat. Po të jetë kështu banesës së zonave kodrinore e malore, i takon së pari, të tentojë drejt të banesës me kat, që , padyshim, përbën një hap cilësor në rrugën e gjatë të zhvillimit të banesës. Me shumë interes është sidomos banesa me kullë, e cila për nga kompozimi dhe raporti volumor, ndërmjet kullës dhe banesës e konceptuar si njësi e vetme, përbën një lloj të veçantë në arkitekturën e banesës shqiptare. Bashkërendimi i kullës, në kuptimin e një ndërtimi me tipare të theksuara mbrojtëse me banesën, është një fenomen i njohur në banesën shqiptare. Kështu një lloj “kamerijeja” në banesat gjirokastrite është një kullë me tipare të theksuara të mbrojtjes pasive. Gjithashtu të njohura janë dhe banesat e tipit “kullë”, pra, banesat e fortifikuara, në të cilën mund të përfshihet kulla e Kamenicës. Por ajo që përbën të veçantën në banesën me kullë të Kamenicës është kompozimi i saj dhe raporti sipërfaqësor ndërmjet këtyre dy njësive. Në banesën me kullë, sipërfaqja e dobishme e kullës zë më tepër se gjysmën e sipërfaqes së përgjithshme të ndërtimit. Ky tregues, si dhe kompozimi me lidhje organike funksionale, ndërmjet kullës dhe pjesës tjetër të ndërtimit, tregon se vetë kulla kishte dhe funksione banimi dhe nuk ishte për mbrojtje pasive në rast të ndonjë rreziku. Ne gjëndjen e sotme të njohjes dhe studimit të trashëgimisë në lëmin e banesës popullore, banesat e Kamenicës përbëjnë një dëshmi mjaft të lashtë të kësaj kategorie ndërtimesh në vëndin tonë dhe, janë padyshim, më të vjetrat në lloin e banesave me gjysëmkat, aq të përhapura në vëndin tonë si në qytete dhe në fshatra të ngritur në terrene të pjerrët. Kualiteti i mirë i muraturës dhe në përgjithësi niveli i mirë i ndërtimeve, e bëjnë të qartë se Kamenica është ndërtuar nga mjeshtra profesionistë. Teknika e ndërtimit është mjaft e thjeshtë, mungojnë harqet dhe qemeret. Arkitrarë prej një blloku të vetëm mbulonin hapësirat e dyerve, por nuk përjashtohet dhe përdorimi i drurit. Mungesa e brezave të drurit në banesat, shpjegohet me përdorimin e lidhësit të fortë prej llaçi gëlqereje, lartësisë relativisht të ulët të ndërtimeve dhe terrenit të fortë shkëmbor. Banesat e Kamenicës kanë aftësi në kompozimin e tyre me rrënojat banesave të Mistrës. Por banesat e Mistrës, në dallim nga të Kamenicës, janë mjaft të pasura në elementë të veçantë arkitektonike dhe më të mëdha në përmasa. Me interes është gjithashtu të vërejmë se në Mistra takohet dhe ndërtimi i kullave së bashku me banesën; në disa raste me kompozim të njëjtë me ato të Kamenicës Orlandos i daton ato rreth shekujve XIII-XV. Problem i vështirë për t’u zgjidhur, për mungesë hëpërhë të dhënash, është datimi i ndërtimeve të Kamenicës dhe braktisjes së fshatit. Gjendja e rrënimeve, e cila është thuajse e të njëjtit nivel në të gjithë ndërtimet e tij sugjeron një braktisje kolektive të fshatit që ndodhte shpesh në ato kohë të vështira. Për kohën e braktisjes së fshatit merren në konsideratë: përmëndja në tefterin e rregjistrimit të vitit 1583, dhe mospërmëndja nga Çelebiu në mesin e shek. XVII duke mbetur kështu fillimi i shek. XVII koha më e mundëshme gjatë të cilës të jetë kryer braktisja. Ndërtimet e Kamenicës, siç kemi pëmëndur mund t’i ndajmë kronologjikisht në dy grupe: Në grupin e parë, bëjnë pjesë ndërtimet në “qafën e pazarit” dhe në dy lartësitë pranë tij, në grupin e dytë, më të vonë, ndërtimet në jugperëndim të “qafës së Pazarit”.Për mendimin tonë ato të grupit të parë mund të datohen rreth shek. XIV-XV ndërsa të grupit të dytë rreth XV-XVI. Në grupin e parë përfshihet dhe banesa me kullë ndërsa kulla duhet t’i përkasë shek. XVI-XVII. Studimi sistematik i rrënimeve të kësaj qëndre të banuar në të ardhmen, pa dyshim, do t’i japë një përgjigje më të bazuar e më të saktë shumë çështjeve, sidomos vendosjes në kohë të këtyre ndërtimeve.

KAMENICA 1Burimet nga regjistrat osmane tregojnë që fshati në fund të jetës së tij ka pasur 606 familje dhe ishte një nga qendrat që paguante më shumë taksa nga çdo qyte tjetër i Shqipërisë, kishte 606 familje, ishte një qendër e rëndësishme ekonomike. Kishte pesë lagje. Lagja kryesore e Kamenicës kishte rrënoja që i kemi dokumentuar tashmë. Bëhet fjalë për 110 banesa dhe 12 kisha. Janë zbuluar nja katër punishte vaji, etj”. Ndër zbulimet më të rëndësishme, arkeologu Skënder Muçaj përmend dy nga rezidencat kryesore të fshatit, ku sipas tij njëra është ajo e kishës e tjetra e pronarit administrativ të fshatit. “Nga kërkimet që kemi bërë janë zbuluar se dy prej ndërtesave janë rezidenca shumë të mëdha, me ambiente të shumta, me një sipërfaqe tepër të madhe, me punishte e me prodhime të ndryshme. Kështu që marrin vlera në këtë këndvështrim, sepse fillimet e këtij fshati, ne i kemi që në shekullin e 12-të. Që nga shekulli i XII, e kemi të argumentuar se ka filluar jeta në këtë fshat dhe ka vazhduar të ketë jetë deri në fillimin e shekullit të XVII. Në fillim të shekullit të XVIII këto banesa janë braktisur, sidomos lagja kryesore që është Kamenica është braktisur përfundimisht. Kemi dokumentuar në mënyrë sipërfaqësore edhe një lagje tjetër, ku duken gjurmët e banesave, ku është një kishë e një manastir, etj. Është edhe një lagje tjetër që duhet studiuar, ku ruhen toponimet, e ku ka edhe banesa, që është e paeksploruar deri tani”. Arkeologët e kësaj ekspedite, të zhvilluar vetëm përgjatë tri javëve në muajt korrik-gusht, pohojnë se me këto zbulime Kamenica po merr vlera të veçanta. Është bërë tashmë dokumentimi grafik,duke u ruajtur materialet e para sipërfaqësore që do të studiohen për të parë periudhën se kur ka filluar ky fshat dhe se kurrë ka përfunduar. “Ky fshat hyn në atë periudhë, kur në zonën e Mesdheut fillojnë të ndërtohen fshatra dhe të kthehen në qytete”, rrëfen drejtuesi i ekspeditës, Skënder Muçaj. “Madje ishin hapat e para të ndërtimit që nisin të funksionojnë si qytete deri në shekullin e X dhe të XI. E tillë do të jetë panorama e fshatit që po studiojmë, një zhvillim që ndodhte paralelisht në territorin Mesdheut, edhe me fshatrat e Italisë dhe Greqisë. Duke zbuluar nivelin e jetesës në fshatin e Kamenicës zbulojmë se territori i Shqipërisë në atë kohë ishte në të njëjtin nivel me vendet e tjera.

KAMENICA 3Aty kemi banesa me dy, tre, katër kate. Kemi një urbanistikë të përcaktuar. Në qoftë se shohim sot lagjen e Mangalemit, në Kamenicë është një shumëfish i lagjes së Mangalemit”, thotë Skënder Muçaj, duke rrëfyer edhe se fizionomia e këtij fshati është i së njëjtës periudhe mesjetare, ku arkitektura e kësaj periudhe ka marrë edhe tipare orientale. Mendimi i arkeologut pas këtij zbulimi është që të hapen mjedise të vizitueshme dhe nëse ky fshat do të ruhet i gjithi do të ketë interes të madh për turistët. “Ka ndërtesa në këmbë që vetëm çatitë u mungojnë dhe ruhen me shenja të qarta të 3 dhe 4 kateve nëpër muret e tyre. Janë elementë që datojnë deri në shekullin e XII dhe kanë vijuar deri në shekullin e XVI-XVII. Edhe pse janë braktisur që nga shek. i XVII, muret qëndrojnë ende në këmbë, për arsye të teknikës së përsosur të ndërtimit”, shpjegon arkeologu Muçaj, ndërsa kujton se për zbulime të mëtejshme arkeologjike Shqipërisë i mungojnë arkeologët. “Problemi është se ka pak persona që merren me arkeologji. Ka pak arkeologë. Numri i arkeologëve në Shqipëri është i pamjaftueshëm për ekspeditat arkeKAMENICA 1ologjike, që bëhen me tre-katër veta”, shprehet ai, ndërsa i kthen sytë sërish nga zbulimet në Kamenicë. “Duhet parë se ç’domethënie kanë këto banesa me tre e madje me katër kate, të cilat u kanë rezistuar shekujve. Ne shohim se ato plotësojnë kushtet e topografisë së një qyteti të kohës, edhe pse nuk arriti të kthehet në një qytet plotësisht, por ka shumë elementë të një qyteti si dyqanet e punishtet. Shkaku mund të ketë qenë se ishte larg rrugëve të kalimit dhe në këtë zonë më afër rrugëve të kalimit ishte Delvina. Kështu Kamenica mbeti jashtë vëmendjes si qendër administrative dhe e zhvilluar, ku gjenden të dhëna të rëndësishme për studimin e gjithë mesjetës”. Ndërsa rrëfen për rëndësinë e këtyre zbulimeve arkeologu Skënder Muçaj tërheq vëmendjen se “kërkime duhen bërë edhe në veri me gërmimet si në Dalmaci, Banjë, etj, ku ka të dhëna me interes që fillojnë nga shekulli IX deri në shekullin e XV

A e dini ku ndodhet Qyteza e Kamenicës ?Ja ku … Read More »

Shtëpia simbol i Pavarësisë në Vlorë ! Krenaria e Vlorës

Shtëpia e selisë së Qeverisë së Vlorës të vitit 1912, është buzë detit. Një godinë me dy kate. Ngjyrë në të verdhë. Në pamjen e parë ka ballkonin ku u ngrit flamuri.
Ka dy dritare për çdo katë si dhe dy dyer. Porta hyrëse brenda godinës autoktone, sipër porta e daljes në ballkon. Në katin e dytë, në ballkon është i shpalosur një flamur që rri vazhdimisht aty si tregues domethënës, përcjellës i gjurmës dhe historisë sonë. Në pamjen e majtas gjenden dhe dy dritare të tjera.

Në koridorin hyrës brenda janë disa tablo me foto në përmasa të mëdha të luftëtarëve të pavarësisë kombëtare si dhe nga kryengritjet shqiptare për pavarësi.  Kjo është ndërtesa autoktone ,origjinale e selisë Qeverisë së Ismail Qemalit, sot Muzeu Kombëtar i Pavarësisë. I vetmi në llojin e vetë. Gjithçka origjinale. Por i lënë në harresën e madhe, nga investimet nga qeveritë e 14 viteve më rradhë. Nuk është ndonjë godinë me arkitekturë moderne, por gjithsesi është një ngrehinë e asaj kohe, që ka funksionuar asaj kohe si godinë publike dhe spital me ballkon me fytyrë nga deti. Ka 6 dhoma, 8 pavijone dhe 2 sallone. Ka qenë selia e parë e qeverisë së I.Qemalit. Në 1962 shpallet muze kombëtar i pavarësisë.

Duke u ndalur tek porta e tij në Skelë të Vlorës, një tabelë e vendosur nga bashkia e qytetit dhe një shkrim në xham në ngjyrimin e flamurit. Në të djathtën tënde ke tashmë përpara syve dhe vëmendjes tënde. Muzeu i Pavarësisë Kombëtare është ndërtesa origjinale, i përket asaj kohe, c’ndodhet në Vlorë, qyteti ku flamuri kuq e zi, në ditët e fundit të vjeshtës të vitit 1912,u ngrit ky flamur duke shpallur independencën e shtetit shqiptar.

Muzeu i pavarësisë Kombëtare ka patur vazhdimisht një varësi nga bashkia e qytetit të Vlorës,deri në ditët e fundit të verës së 2006.Me një vendim të Qeverisë dhe me interes të ish-Ministrit të Kulturës Bujar Leskaj,muzeu i Pavarësisë kombëtare merr një status tjetër më të rëndësishëm duke shprehur rëndësin e tij. Qeveria i ka dhënë statusin e favorizuar:” Muze kombëtar”, administrohet në vazhdimësi nga institucioni më i ngritur i kulturës shqiptare, Ministria e Kulturës. Kanë përfunduar punimet restauruese të festës .Një përurim bustesh.10 bustet e qeverise se I.Qemalit, janë vendosur ne sheshin përpara godines dhe pritet përurimi i tyre ne ditën e ngritjes se flamurit. Bustet e qeverise se plakut te Vlores jane vendosur për here te pare dhe janë punime ne bronz.

Shtëpia simbol i Pavarësisë në Vlorë ! Krenaria e Vlorës Read More »

Vlorajt dhe Kanina !Një histori e lashtë

FATOS BAXHAKU

Pas vdekjes së Ismail Qemalit askush nuk e vuri në dyshim se ai duhej të varrosej në Kaninë. Ishte e vërtetë, ai vinte nga familja Vloraj, por deri në fillim të shekullit XX, familja e vjetër fisnike, që ishte zhvendosur ndërkohë poshtë në qytet, e konsideronte si “shtëpinë e vjetër” Kaninën, kështjellën e vjetër që vigjilon mbi Gjirin e Vlorës.

Një histori e lashtë

Disa gurë të palatuar që u gjetën dikur në themelet e një kulle në kala kanë shtyrë studiuesit të mendojnë se Kanina ka qenë e banuar që në kohë antike, porse emri i saj nuk del gjëkundi.

Në këtë zonë përmendet Aulona, Orikumi dhe Amantia si qytete antike. Kanina përmendet për herë të parë në shekullin X.

Ajo përmendet në disa dekrete perandorake bizantine, madje edhe në eposin e njohur francez të Rolandit. Kështjella ishte e vogël, në qendër të saj ishte ndërtuar edhe një kishë që i qe kushtuar Shën Mërisë. Me kalimin e kohës Kanina u bë qendra e një zone të gjerë që zbriste deri poshtë në Aulonën e vjetër. E mbrojtur nga sulmet e piratëve dhe lakmitarëve, kështjella u jepte siguri banorëve të saj dhe të zonave përreth. Në 1018 Kanina ishte seli e një arkimandriti dhe bënte pjesë ende në ipeshkëvinë e Orikumit. Në prill të 1081-it normanët, e komanduar nga Boemundi ia hoqën nga zotërimi perandorit Aleks I. Që këtej ata u shtrinë deri në Sarandë, Butrint dhe në zonën e Lumit të Vlorës. Vetë prijësi norman, Robert Guiskardi, u mor me fortifikimin e kalasë dhe me ndërtime të tjera shtesë. Sundimi norman nuk zgjati shumë në anët e Kaninës. Shkruan Eqrem bej Vlora: “Si valët që përthyhen mbi buzëdet, që venë e vijnë, ashtu erdhi dhe iku ky pushtim i huaj”.

Që nga 1204 Kanina, nisi të bëjë pjesë në Despotatin e Epirit. Andej nga mesi i shekullit të XIII vajza e despotit të Epirit, Elena, u martua me Mafred Hohenshtaufen, Mbret i Napolit. Kanina ishte pjesë e pajës e ndaj në kala mbërriti një kapiten nga Napoli, që asokohe quhej “castellan”. Ky “castellan” quhej Jacques de Baligny. Kur Karli Anzhi zuri vendin e Manfredit në oborrin mbretëror të Napolit ky duhej të dorëzonte çelësat e kështjellës, porse Jacques në Kaninë na paska qëlluar kokëfortë. Kështu që fisniku nga larg qëndroi edhe për tre vjet të tjera në kështjellë. Shkruan Eqrem bej Vlora: “Në kalanë e Kaninës, pas Jaques de Baligny u emëruan edhe shtatë kastelanë të tjerë që qeverisën vendin në namë të anxhovinëve që në vitin 1284. Mbas kësaj date punët e mbretit të Napolit në Vlorë e në rrethin e saj filluan të keqësohen edhe nuk sundoi dot më zyrtarisht ndonjë kastelan në Kaninë”.

Kur perandori bizantin, Androniku II (1296-1341) ribashkoi Despotatin e Epirit me perandorinë, Kanina iu kthye sundimit bizantin. Ndërkohë, shkruhet se vendi nuk ishte më ai fshati i harruar i dikurshëm. Kishte një popullsi prej 7000 shtëpish dhe gjashtë apo shtatë kisha. Në 1345-n serbët e Car Stefan Dushanit pushtuan Vlorën dhe Kaninën. Ky sundim do të vazhdonte, me ndonjë ndërprerje deri në 19 qershor të 1417-s. Në këtë ditë një trupë e vogël osmane, e komanduar nga Hamza bej Evrenozi hyri në kështjellën e vjetër. Dy ditë më parë kishte pushtuar Vlorën. Kur turqit hynë në kështjellë e gjetën atë të braktisur. Banorët ishin larguar së bashkë me Rugjinën, sundimtaren e fundit vendase. Gjatë gjithë periudhës deri në pushtimin e plotë të Shqipërisë Kanina u shndërrua në një bazë të rëndësishme ushtarake osmane, megjithëse edhe këtu sundimi kalonte herë në dorë të osmanëve e herë në dorë të kryengritësve vendas. Pikërisht në Kaninë ishte qendra e sanxhakut të Vlorës. Në 1479 u emërua si sanxhakbej një nga figurat më të njohura të mesjetës osmane: Xhedik Ahmed Pasha. Ky i nisi nga Kanina ekspeditat e tij drejt brigjeve përballë që shkuan që nga Otranto e deri në Leçe. Kur Mehmeti II, i quajturi “Fitimtari”, dha shpirt atëherë vendin e tij e zuri i biri, Bajaziti II. Ky kishte prej kohësh armiqësi me Xhedik Ahmet pashën. Në 1482 pashai i famshëm dhe i biri u vranë në afërsi të Durrësit. Sipas Eqrem bej Vlorës varret e të dyve deri në 1939 ishin ende në një varrezë të vjetër në Durrës. Në 1485 Bajaziti I emëroi si sundimtar në Vlorë e Kaninë dhëndrin e tij, Gjegju Sinan Pashën, i cili ishte njëkohësisht edhe admiral i flotës turke në Adriatik, dhe këtu nis të hyjë në lojë familja e Vlorajve, prej nga doli “plaku i Pavarësisë”, Ismail Qemali.

Nga legjenda te e vërteta

Një gjenealogji të familjes Vlora ka lënë pas vetë Eqrem beu, pinjoll i shquar i saj, në kujtimet e tij të botuara së pari në gjermanisht. Eqrem beu na transmeton një legjendë të përhapur në shekullin XIX sipas së cilës i pari i familjes Vlora vinte nga Kanina. Ai ishte një djalë i krishterë, i cili u shndërrua në mysliman në kohën kur turqit pushtuan Kaninën. Sipas legjendës, djali mori emrin Mehmet bin Abdullah.

Eqrem beu vë buzën në gaz me ironi kur kujton se të parët e tij i mëshonin fort versionit të prejardhjes anadollake nga Gjegju Sinan Pasha. “Kështu e kërkonte asokohe politika dhe moda – shkruan ai – sepse nuk ishte aspak e hijshme që një ‘derë’, e cila për katër shekuj me radhë kishte qenë mëkëmbëse e sulltanit në vend, ta ketë prejardhjen prej një të krishteri të rëndomtë e të panjohur nga malet e Labërisë”.

Prejardhja në të cilën vetë Eqrem beu duket se beson vërtet është kjo: “Burime turke tregojnë se në vitin 1422, korsarë dalmatinë kapën në Adriatik një anije, me të cilën po udhëtonin për të marrë pjesë në një ceremoni martese në Italinë e Jugut, një djalosh me të motrën. Këta të rinj u nxorën në tregun e Vlorës ku u blenë prej kështjellarit (dizdarit) të Kaninës, Mehmet bin Abdullah, i cili i ktheu në fenë islame dhe u dha emrat Ahmet dhe Aishe. Kështjellari, Ahmetin e ri ia çoi si dhuratë vezirit të madh, Isak Pashës (që kishte si kumbar shqiptarin Pasha Jijit), ndërsa vajzën e mori vetë për grua. Nga kjo martesë duhet të ketë lindur Gegju Sinan Pasha. Fakti që në 1501 ai ndërtoi një teqe (bektashiane) dhe për vete një seli në kala (1498), e cila ka qenë në këmbë deri para 50 vjetësh, mund të ishte një dëshmi se ai kishte lindur në Kaninë. Sinan Pasha mbeti i vrarë në një betejë  detare midis flotës turke dhe një flote armike (mbase napoletane apo veneciane), që kishte depërtuar në Gjirin e Vlorës më 26 prill 1503 dhe u varros në një tyrbe të vogël në oborrin e teqesë së ndërtuar prej atij vetë. Pas vdekjes së tij sanxhakbej u emërua i biri, Mehmet beu, por në vitin 1515, me urdhër të vezirit të madh, Ajaz Pashës (edhe ky vlonjat), shkarkohet ‘për paaftësi’. Pas tij, si mëkëmbës i sulltanit, erdhi i vëllai, Hysen beu. Por edhe ky ra gjatë rrethimit të Rodosit (1522). Me lutjen e popullsisë, si sanxhakbej (1524) u emërua përsëri Mehmet beu, që jetonte në çifligun e tij të vogël në Qishbardhë. Pas vdekjes së Mehmetit (ai u varros në anën e djathtë, në tyrben e të atit) erdhi i biri, Kara Sinan Pasha (1538), për shpirtmadhësinë e të cilit shkruajnë aq shumë kronikat e kohës. Pas Kara Sinan pashës deri në 1828 (sanxhakbej Sulejman pasha) ne gjejmë pothuaj pa ndërprerje 18 anëtarë të kësaj shtëpie në ofiqin e mëkëmbësit të Sulltanit në Vlorë…”.

(Për këtë shkrim u cituan të dhëna nga: Eqrem bej Vlora, Kujtime, Vëllimi II, SHLK, Tiranë 2001; Eqrem bej Vlora, Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera, Koçi, Tiranë 2004).

 

Vlorajt dhe Kanina !Një histori e lashtë Read More »

VLORA – QYTETI I DY DETEVE ! ATJE KU SHKRIHET KALTËRSIA E DETIT ME GJELBËRIMIN E PËRHERSHËM.

Vlora është një nga qytetet më të bukur të Shqipërisë dhe ka me se të krenohet. E quajtur si “Qyteti i flamurit’’, “qyteti me dy dete” apo “porti jugor i Adriatikut’’ ajo konsiderohet si perla e turizmit shqiptar, me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit. Vlora zë një vend të merituar në historinë e Shqipërisë duke gëzuar edhe statusin e qytetit hero.

Qyteti ku u martua Skëndërbeu, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, arenë e luftërave për liri dhe qëndresës shqiptare, Vlora ka edhe një status tjetër si atelje natyrore e piktorëve, vatër e artistëve dhe urë lidhëse e Shqipërisë me botën.  Të vizitosh Vlorën, do të thotë t’i japësh vetes privilegjin e të shijuarit ndjesinë më të këndshme e më mbresëlënëse  të shijes së mirë, humorit gjithnjë në nivele të larta dhe natyrës së mrekullueshme. Duke zgjedhur Vlorën për pushimet tuaja, natyrisht që do të bëni një zgjedhje inteligjente por duhet të keni parasysh se Vlora është një qytet magjik që ta bën të vështirë kthimin. E ashpër në dukje, me shkrepa e natyrë të sertë mes detit të trazuar, ajo ka njëkohësisht një zemër të butë, njerëz të dlirë si dielli, ushqim të shëndetshëm e karakteristik e mbi të gjitha një lloj sugjestioni të pashpjegueshëm që të bën për vete me përmbajtjen plot shije. Natyra e rrëmbyer e lebërve, është njëkohësisht e nxehtë por edhe mikpritëse, plot dinamizëm e dëshirë për jetën, karakteristika këto me efekte ngjitëse që do t’ju rrëmbejnë edhe juve për të shijuar gjallërisht ditët plot jetë të verës vlonjate. Por mos harroni se Vlora nuk është e bukur vetëm në verë. Përveç atraksioneve të shumta kulturore dhe historike, ju mund të vizitoni në çdo stinë të vitit detin e saj të mrekullueshëm, panoramat e të cilit krijojnë momente të papërsëritshme kënaqësie

Vlora ndodhet në J-P të Shqipërisë përgjatë bregdetit të ulët të Adriatikut dhe atij shkëmbor të Jonit. Me një sipërfaqe prej 1609 km2 dhe një popullsi prej 200 000 banorësh, rrethi i Vlorës kufizohet në veri me Fierin, në lindje me Mallakastrën dhe Tepelenën, ndërsa në jug me Sarandën dhe Gjirokastrën. Në perëndim ujërat e ngrohta të Adriatikut dhe Jonit lagin një vijë të larmishme  bregdetare, ku mund të ndeshësh laguna, gjire, ishuj, gadishuj dhe plazhe të shumtë. Vlora është rrethi ku alternohen midis tyre të gjitha format e relievit, si ai i ulët fushor, kodrinor dhe malor. Relievi përbëhet nga fusha e Myzeqesë së Vlorës , luginat e Dukatit dhe Shushicës, disa masive kodrinore, malësia e Kurveleshit dhe vargmalet Shashicë-Lungarë-Cikë (2045 m), si dhe Gribë-Çipin-Pleshevicë. Hidrografia përfaqsohet nga rrjedha eposhtme e lumit Vjosa, lumi i Vlorës apo i Shushicës, përroi i Dukatit, etj. Pjesë të tjera të hidrografisë së pasur janë edhe dy liqenet detare të Nartës dhe Orikumit, si dhe një sërë përrenjsh malorë.

Klima është tipike mesdhetare me verë të nxehtë dhe të thatë dhe dimër të butë dhe të lagësht, ku gërshetohen ndikimi zbutës i detit në perëndim dhe ai i relievit malor në lindje.Temperaturat mesatare arrijnë në 16o, ku ajo e korrikut dhe janarit kapin shifrat 24 dhe 6 gradë celcius. Klima regjistron 2000 orë rrezatim diellor në vit, ndërsa reshjet bien përgjithësisht në formë shiu dhe pjesërisht në formë dëbore në malet e larta. Sasia maksimale e tyre arrin në shpatet e maleve të larta shifrën 2405 mm.

Qyteti i Vlorës është qendra administrative e Qarkut. Ai shtrihet buzë gjirit detar me të njëjtin emër duke nisur nga pusi i Mezinit në veri dhe deri në Ujin e Ftohtë në jug. Githsej me një sipërfaqe prej 30 km 2 qyteti ka një gjatësi veri-jug prej 19 km dhe gjerësi lindje-perëndim prej 16 km.

Popullsia. Dialekti tipik, kultura dhe traditat i dallojnë lehtësisht vlonjatët, të cilët shquhen dhe për temperamentin e zjarrtë dhe humorin e hollë dhe plot shije. Qyteti së bashku me rrethinat ka një popullsi prej 200 000 banorësh shumica e së cilës banon në katër bashkitë e këtij rrethi si Vlora, Orikumi, Selenica dhe Himara. Vlora është një nga 12 qarqet e Republikës së Shqipërisë dhe përfshin rrethet e Vlorës, Sarandës dhe Delvinës. Vetë Vlora përbëhet nga katër bashki, dhe 96 fshatra të përqendruara në nëntë komuna. Njerëzit janë mikpritës, komunikues, të ngrohtë dhe me një botë të pastër shpirtërore. Ndoshta natyra ka krijuar si askund tjetër një ekuilibër midis malit, detit dhe gjelbërimit, duke ndikuar drejtëpërdrejt tek karakteri i njerëzve. Mjedisi gjeografik dhe shoqëria e bëjnë Vlorën një vend të dashur që i tërheq si me magji vizitorët dhe turistët. Nga ky komunitet kanë dalë një sërë personalitetesh dhe njerëzish të shquar, ku mund të përmendim emrat e Ismail Qemalit, Jani Mingës, Eqrem Vlorës, Ali Asllanit, Petro Markos, Drita Pelingut, Shaban Demirajt, Fatos Arapit, Liza Laskës, Bardhosh Gaçes, Mexhit Haxhiut, etj

Transorti  Duke qenë porti i dytë i vendit, Vlora gjendet 72 km larg nga Otrantoja (Itali) dhe 123 km nga ishulli i Korfuzit (Greqi). Transporti detar funksionon rregullisht në linjat me portet e Barit dhe Brindizit. Në funksion të transportit të mallrave dhe udhëtarëve në këtë port përpunohen 3 milion ton mallra në vit. Gjithashtu Vlora komunikon me Tiranën (135km) dhe Durrësin (100) edhe nëpërmjet autostradës dhë arteries së Hekurudhës Shqiptare. Në linjat e brendshme kryhet nëpërmjet mjeteve autobus, taksi dhe furgon. Itinerarët turistikë më të rëndësishëm janë Vlorë-Kaninë, Vlorë-Llogora-Himarë dhe Vlorë-Amantia dhe Vlorë-Zvërnec. Shërbimi postar bëhet nga Posta Shqiptare e cila kryen disa shërbime, ndërsa kompanitë e njohura ofrojnë shërbimet postare DHL, Visa Card, Money Gram, Western Union,etj.

Kultura dhe Trashëgimnia.  Vlora njihet si një nga qytetet që ka dhënë kontribut të shquar në kulturën kombëtare. Janë të shumta fushat nga ku ky qytet ka nxjerrë personalitete. Këtu u hap muzeu i parë arkeologjik në vitin 1936, në të cilin u ekspozuan objektet e zbuluara në Apoloni nga arkeologu francez Leon Rei. Gjithashtu Vlora është quajtur edhe qyteti i statujave dhe monumenteve ku mund të përmendim atë të Luftëtarit Kombëtar, Avni Rustemit, Monumentit të Pavarësisë, Marigo Poisos, Jani Mingës, etj. Sot Vlora është qytet universitar dhe janë të shumta institucionet arsimore, kulturore dhe sportive si Biblioteka Shevqet Musaraj, Teatri Petro Marko, Gjimnazi Ali Demi, muzetë e shumtë, si ai historik, etnografik apo ai I pavarësisë. Çdo vit këtu zhvillohen aktivitete të rëndësishme kombëtare si Festivalii i Polifonisë Mesdhetare, Panairi i librit, Festivali Kombëtar i Teatrove të Estradave. Dy nga vlerat e trashëgimnisë kulturore që mbart rajoni i Vlorës janë edhe Polifonia Labe, e vlerësuar si pasuri e UNESKOS, apo këngët qytetare vlonjate. Vlora për vlerat e shumta që mbart dhe falë vendodhjes gjeografike vizitohet nga turistët gjatë gjith vitit, duke ofruar disa lloje turizmi si atë kulturor, historik, malor, sportive, bregdetar, etj.

Historia. Në periudhën e antikitetit qyteti i Vlorës njihej me emrin Aulona dhe shtrihej atje ku sot ndodhet vendi i quajtur Treport. Në një pozicion të favorshëm gjeografik, Aulona u përfshi shpesh herë në territorin e shtetit Ilir, Epirot dhe të Maqedonisë. Pas vitit 229 pk, kur Roma theu mbretëreshën Ilire Teutën, Aulona u bë pjesë e këtij shteti. Më pas ajo dhe rajona përreth përmendet si ‘’teatër’’ i luftërave civile të zhvilluara midis Çezarit dhe Pompeut të madh, ku qytetet e Thronit (Kaninës), Amantias dhe Orikut, u bënë baza të Çezarit gjatë operacioneve të tij ushtarake. Gjeografi nga Aleksandria, Klaud Ptolemeu, e përmend Aulonën në shekullin e II-të, ku thekson edhe koordinatat e saj gjeografike prej 40o45′. Peshkopata e Vlorës u krijua gjatë shekullit të II-të dhe këtu ushtroi aktivitetin e tij Shën Lefteri, një nga shënjtorët e Kishës. Rëndësia e Aulonës u rrit sidomos në fund të shekullit të V-të, kur pas braktisjes së Apolonisë ajo doli si piknisje rrugës Egnatia. Ndërkohë që gjatë mesjetës së hershme qyteti zhvendoset nga Treporti duke u vendosur atje ku është sot duke vijuar jetën qytetare pa ndërprerje. Burimet historike e përmendin në shekullin e IX përsëri me emrin Aulona si një ndër qytetet e Themës bizantine të Durrësit . Do të jenë fushatat e Dinastisë normane Altavila ku ky rajon do të jetë përsëri ‘’teatër’’ i përplasjeve midis Bizantit dhe normanëve. Më pas pushtimet normane do të pasohen nga ato të Despotatit të Epirit, princi Mihali i II-të, ja dha Vlorën dhe rajonin e saj si prikë të martesës të së bijës me Manfredin mbretin e Napolit në vitin 1258. Në vitin 1345 Vlora do të pushtohet nga Perandoria Serbe e Stefan Dushanit. Me vdekjen e Stefan Dushanit në vitin 1455 do të krijohet Despotati i Vlorës. Në vitin 1468 në prani të despotit Aleksandër të Vlorës nënshkruhet dokumenti me Republikën e Raguzës, në të cilin përmendet edhe i pari i familjes së Kastriotëve si kështjellar i Kaninës. Më pas Vlora bie në duart e Muzakajve, Balshajve dhe së fundi Arianitëve. Në kalanë e Vlorës, në Kaninë u zhvillua edhe dasma e Donikës, vajzës së princit Gjergj Arianiti, me Heroin tonë kombëtar Skëndërbeun. Turqit e pushtuan Vlorën në 1417 duke e zotëruar deri në vitin 1912. Gjatë shekujve të mëvonshëm Vlora u bë bazë e marinës turke për pushtimin e Italisë. Në 28 Nëntor 1912 nën drejtimin e Ismail Qemalit Kuvendi Kombëtar shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe Vlora u bë në vitet 1912-1914 kryeqyteti i parë i Shtetit Shqiptar. Gjatë Luftës së Parë Botërore Vlora u pushtua nga Italia. Gjatë vitit 1920 lufta e Vlorës si luftë popullore i detyroi Italianët të tërhiqeshin nga ky rajon.   Gjatë Luftës së Dytë Botërore krahina e Vlorës shërbeu si baza kryesore e rezistencës antifashiste, ndërsa gjatë viteve të luftës së ftohtë regjimi komunist e ktheu Vlorën në bazën më të madhe ushtarake detare të traktatit të Varshavës në detin Mesdhe.

Për tu vizituar.  Kurora e Uliinjve ndodhen në hyrje të Vlorës në kodrat e Bestrovës, përgjatë rrugës së vjetër automobilistike. Janë me dhjetra ullinj shekullorë, të cilët të japin një kënaqësi mbresëlënëse të kësaj mrekullie njerëzore. Midis tyre gjejmë edhe llojet e tipit kalinjot dhe vlonjat të përmendur për frutat dhe vajin.

Sheshi i Flamurit përbëhet nga disa objekte kulturore. Në qëndër ndodhet Monumenti i Pavarsisë, simbol i qëndresës kombëtare. I ndërtuar në vitin 1972 ai është 17 m i lartë dhe konsiderohet si një nga kryeveprat e skulpturës monumentale. Midis gjashtë figurave të bronzta spikat ajo e Ismail Qemalit, arkitektit të Pavarësisë Kombëtare. Në të majtë të monumentit ndodhet shtiza e flamurit, një piedestal në formë kolone me faqe të dekoruara nga data e pavarësisë dhe shqiponja kombëtare. Ajo u ndërtua në vitin 1937 nën kujdesin e kryetarit të atëhershëm të bashkisë, poetit lirik Ali Asllani. Pas shtizës së flamurit, disa metra brenda lulishtes ndodhet varri i Ismail Qemalit.

Varri është ndërtuar në vitin 1932, kur eshtrat e tij u zhvendosën këtu nga Kanina. Sipër tij qëndron skulptura e Luftëtarit Kombëtar, vepër e skulptorit Odise Paskali.

Në këndin perëndimor të Sheshit të Flamurit në vitin 1988 arkeologët nxorën në dritë një pjesë të murit të kështjellës romake të qytetis të Aulonës. Nga gërmimi doli një trakt i gjatë muri prej 40 m, i cili mund të shihet nga vizitorët edhe sot.

Xhamia e Muradies ndodhet në qendër të qytetit, në fillim të zonës së vjetër historike të qytetit. Është ndërtuar në vitin 1537 nga arkitekt Sinani, i cili shoqëronte në Vlorë sulltan Sulejman Madhështorin. E ndërtuar me një teknikë të përzier ku gurët e bardhë të ndërtesës janë kombinuar me tulla të kuqe dhe llaç. Xhamia është e paisur me kupolë të mbuluar me tjegulla të kuqe e cila bën kontrast me minaren të ndërtuar krejtësisht me gurë të bardhë.

Kuz-Babai është në Vlorë kodra më e lartë e cila bie thikë në pjesën lindore të qytetit. Ndërkohë që në këto vite të fundit është rindërtuar edhe tyrbja–mauzoleum e Kuzum babait, një kleriku të mbështjellë nga legjenda, arkitektura monumentale e së cilës ku mbizotëron ngjyra jeshile, është një nga simbolet e sektit bektashi.

Muzeu i Pavarësisë ndodhet në Skelë përballë portit detar. Përbëhet nga një ndërtesë e thjeshtë me disa dhoma, e cila ka shërbyer si seli e Qeverisë Shqiptare në vitet 1912-1914. Midis sallave dhe relikeve në katin e dytë ndodhet edhe studjoja e kryeministrit Ismail Qemali.

Stadiumi Flamurtari bie lehtë në sy nga ngjyrat kombëtare kuq e zi. Me një kapacitet prej 15 000 vendesh ai është i njohur për triumfet e Flamurtarit në vitet 1980 dhe ndeshjeve të paharruara në përballjet historike me Barcelonën.

Universiteti teknologjik Ismail Qemali u themelua në 10 tetor 1994. Përbëhet nga disa fakultete nga të cilët mund të veçojmë atë të lundrimit detar.

Të tjera objekte me vlera për tu vizituar në qytet janë edhe rruga historie Justin Gotard, ku kaluan delegatët e kuvendit të pavarësisë; shtëpia e familjes Vlora, e cila sundoipër 400 vjet qytetin; rruga e Hebrenjve, Kulla e Sahatit, Bashkia, e ndërtuar në stilin neoklasik, Teatri Petro Marko, etj.

Kalaja e Kaninës ndodhet në pjesën J-L të qytetit të Vlorës në një kodër të lartë 380 m. Ka patur funksion mbrojtës për bashkësinë e ilirëve amantë qysh nga periudha antike. Arkeologët kanë specifikuar mure të periudhave të ndryshme historike që I përkasin stileve dhe teknikave të ndyshme. Sipërfaqja e konsiderushme prej 3.5 ha tregon për arsenalin ushtarak dhe njerëzit që mund të strehonte. Nga bedenat e saj kontrollohej gjiri i Vlorës, fusha bregdetare dhe lugina e poshtme e Shushicës. Janë të shumta historitë e mbështjella në formë legjendash për këtë kështjellë, të cilat bëjnë fjalë për gruan vrastare të kështjellarit, për princeshën Rugina, apo për martesën e Donikës me Skëndërbeun.

Gjiri i Vlorës. Gjiri i Vlorës është gjiri më i madh i bregdetit shqiptar, që nis që nga Kepi i Pllakës në Treport dhe vazhdon drejt jugut, duke krijuar formën e një krahu të hapur deri në gjirin e Shën Janit në veri të Karaburunit. Në hyrje të tij gjendet ishulli i Sazanit me një largësi prej 17 km nga qyteti i Vlorës. Gjiri i Vlorës ka një gjatësi prej 19 km, gjerësi prej 9.5 km dhe thellësi 54 m. Pjesa perëndimore e tij që shtrihet përgjatë gadishullit të Karaburunit përbëhet nga një bregdet shkëmbor ndërsa pjesa lindore përbëhet nga një bregdet i ulët ranor, I pasur me disa plazhe. Ujërat e Adriatikut që përbëjnë këtë gji arrijnë temperatura që variojnë nga 130 c në stinën e ftohtë të dimrit e deri në 250 C në muajt e nxehtë të verës, të cilat mundësojnë banjat detare dhe peshkimin pothuajse gjatë gjith vitit. Relievi përreth i mbart të gjitha format, duke nisur nga kurrizi i kodrave të Treportit, pasqyra e Lagunës së Nartës, Kodrat e Zvërnecit, gropa e Vlorës, kodrat rreth saj, kalaja e Kaninës, mali i Shashicës, mali i Lungarës, Llogoraja, për të vazhduar më tej me Rrëzën e Kanalit, luginën e Dukatit, Karaburunin duke e mbyllur unazën në Sazan, pikën më perëndimore të Shqipërisë. Gjiri i Vlorës është përdorur dhe vazhdon të përdoret edhe sot si një vend me mundësi të shkëlqyera për strehimin e anijeve të tipeve të ndryshme. Në të funksionojnë gjithsej gjashtë porte, të gjithë specifik për nga përdorimi. Porti i Vlorës është porti më i madh i Shqipërisë Jugore dhe i shërben të gjithë rajonit përreth, në transportin e mallrave dhe udhëtarëve. Për nga karakteristikat ai është një port i hapur i përbërë nga dy mole kryesore, ku mbahen mjetet lundruese si: anije transporti dhe tragete. Nuk ka rryma të forta dhe zbatica që mund të ndikojnë në navigimin e mjeteve, prandaj ankorimi mund të bëhet edhe pranë tij jashtë sistemit të moleve. Në veri-perëndim të këtij porti ndodhet porti i Zvërnecit, i cili shërben për ankorimin e anijeve të flotës të peshkimit. Ndërsa në Jug të qytetit të Vlorës ndodhet porti i vogël i Radhimës, i cili u shërben anijeve të vogla të transportit. Në pjesën më Jugore të gjirit, atje ku fillon gadishulli i Karaburunit ndodhet porti ushtarak i Pasha Limanit. I quajtur me këtë emër nga Marina turke në shekullin e XVI, ai u bë një bazë e madhe ushtarake e Traktatit të Varshavës në vitet e luftës së ftohtë. Aty sovjetikët investuan miliona dollarë dhe për një periudhë disa vjeçare ajo u bë gati për ti shërbyer një skuadre detare të përbërë nga 12 nëndetëse dhe dhjetra anije të tjera ndihmëse. Sot ky port në kuadrin e marrëdhënieve të partneritetit me Naton është marrë nën kujdesin e marinës turke. Edhe Porti që ndodhet në Ishullin e Sazanit është përdorur për qëllime ushtarake. Sot ai përdoret nga Guardia di Finanza Italiane, për të patrulluar brigjet shqiptare, duke parandaluar trafiqet e paligjshme. Në Orikum ndodhet porti më i ri i gjirit të Vlorës i cili është i vetmi port Turistik i Jahteve në Shqipëri, quajtur Marina e Orikumit.

Karaburuni  Karaburuni është gadishulli më i madh që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë, i cili ndodhet midis detit Adriatik( gjirit të Vlorës) dhe detit Jon . Me një gjatësi prej 16 km, Karaburuni shërben si kufiri ndarës midis midis këtyre dy deteve. Peisazhi i çuditshëm i tij ofron forma nga më të ndryshmet si gjire të vegjël, pllaja, shpella karstike, kepe, plazhe, shpate të zhveshur, maja malesh, etj. Midis tyre mund të përmendim gjiret me emra të çuditshëm si ai i Ariut, Dafinës, Raguzës së parë, Raguzës së dytë, Ravenës, Shën Janit, Shën Vasilit,etj, Maja më e lartë e Karaburunit është Koreta me lartësi 826m, kurse fare pranë saj ndodhet pllaja karstike e Ravenës me lartësi që varion nga 200-300 m, në lartësinë e të cilës Sovietikët mendonin të instalonin raketat e tyre në fund të viteve 1950. Përhapja e dukurisë gjeografike të Karstit ka bërë që në gadishull të zhvillohet dukuria e shpellave. Janë gjithsej 20 të tilla përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga ku mund të përmendim shpellën e Haxhi Aliut, atë të Dukë Gjonit, shpellën pranë gjirit të Ariut, Shpellën e pëllumbave, shpellën e Inglizit, shpellën e thellë, etj. Por shpella më e madhe dhe më interesante e Karaburunit është ajo e Haxhi Aliut, e cila ka formën e një tuneli me lartësi 60 m dhe gjatësi 40 m. Sipas legjendës shpella dikur është përdorur nga pirati i njohur i shekullit të XVII-të Haxhi Aliu. Këtu ai strehohej së bashku me anijen dhe njerëzit e tij. Pozicioni i favorshëm i Karaburunit i ofronte atij mundësinë e sulmit ndaj anijeve napolitane, turke, veneciane, apo dalmate. Në Karaburun midis gjireve të shumtë të bie në sy edhe ai i Gramatës. Gramata në greqisht do të thotë “shkrime”. Me këtë emër njihet ky gji i vogël qe ndodhet në pjesën perëndimore të Karaburunit. Qysh në periudhën antike këtu ankoroheshin anijet, të cilat dallgët e detit mund ti përplasnin në shkëmbinjtë e gadishullit. Të strehuar këtu udhëtarë të shumtë nga vende të ndryshme të mesdheut kanë lënë shënimet e tyre, të cilat i kanë gdhendur në faqet e shkëmbinjve, që janë përdorur edhe si gurore Mbishkrimet e para ju kushtohen perëndive dhe janë lutje për shpëtim nga furtuna në det. Ndërsa në të tjera mbishkrime përmendet figura historike të Romës si Pompeu, Dolabela, Mark Antoni ose Konsulli Tit Statit Tauri. Ndërkohë që interes paraqet edhe një mbishkrim i vitit 1396, i cili tregon se gjatë udhëtimit të tij për në Francë u strehua nga stuhia në Gramata, vetë Perandori Bizantin Joani i V-të Paleolog. Mbishkrimet janë bërë kryesisht në gjuhën antike greke, latine, dhe greqishten Bizantine. Shpesh herë ato janë të shoqëruara edhe me vizatime të ndryshme dhe simbole nga më të larmishmet.

Oriku Atje ku Karaburuni bashkohet me luginën e Dukatit ndodhen rrënojat e Orikut antik, i cili lindi si koloni e themeluar nga grekët e Eubesë në shekullin e VI.pk. Një nga autorët antikë, Plini, thotë se Oriku u themelua nga Kolkasit. I ndërtuar sipas stilit të Polisit grek ai mbështetej në shpinë të kodrës së Paleokastrës me pamje të gjerë nga gjiri i Vlorës. Gërmimet arkeologjike që janë kryer dikur kanë nxjerrë në dritë midis objekteve të tjera edhe një teatër të vogël, që merrte në shkallaret e tij rreth 500 spektatorë, disa shtëpi banimi, një mol disa shkallare, etj. Për tu përmendur në historinë e tij janë luftimet midis Çezarit dhe Pompeut gjatë vitit 48 pk.  Interesante është përshkrimi që i bën Çezari dorëzimit të qytetit në librin e tij Belli Civilis (lufta civile), ku midis të tjerave thotë: “Çezari zbarkoi ushtrinë po atë ditë u nis për në Orik. Këtu Luc Torkuati që sundonte në qytet me urdhër të Pompeut mbylli portat dhe u mat të mbronte qytetin, duke urdhëruar grekët të hipnin në mure, dhe të rroknin armët, por orikasit nuk donin të luftonin kundër Romës, bile qytetarët përpiqeshin të pranonin Çezarin vullnetarisht. Atëherë Torkuati çeli portat dhe u dorëzua tek Çezari me gjithë qytet.

Kisha e Marmiroit është një kapelë e një manastiri të vogël ndërtuar në shëkullin e XII-të. Quhet me këtë emër për shkak të gurëve të bardhë, dmth të mermertë (Marmiro) të marrë nga rrënojat e Orikut antik. Me një arkitekturë tipike për kishat bizantine në formë kryqi me kupolë, ajo ruan përreth edhe rrënojat e manastirit të dikurshëm.

Sazani Fare pranë Karaburunit ndodhet ishulli i Sazanit i cili njihet nga të gjithë si Ishulli më i madh i Shqipërisë. Me një sipërfaqe prej 5.5 km2 ai ndodhet në hyrje të gjirit të Vlorës, 16 km larg kësaj të fundit dhe ndahet nga Karaburuni prej ngushticës së Mezokanalit, 4.8 km e gjerë, ndërsa largësia e tij nga kepi i triporteve është 8.5 km. Iërbërë nga dy kodra pothuaj “binjake”, Sazani ka një lartësi maksimale prej 342 m, dhe një vije bregdetare të lartë e shkëmbore, të pasur me gjire të vegjël. Më i rëndësishmi ndër ta është ai i Shën Kollit ku ndodhet edhe Porti ushtarak i Sazanit. Dikur autorët grekë dhe romakë e quanin me emrin Sason. Njëri prej tyre Ptolemeu jep edhe koordinatat e tij gjeografike prej 44o51’. Kurse Plini e përmend ishullin si qendër piratësh. Si pjesë e Perandorisë Romake e më vonë asaj Bizantine Sazani nuk do të ketë ndonjë rëndësi të madhe. Ndërsa gjatë mesjetës do të bjerë nën sundimin e Venedikut. Në shekullin e XV ai do të pushtohet nga turqit, të cilët në vitin 1815 do tja dorëzonin atë Anglisë, që e mbajti deri në vitin 1864, kur Mbretëria e bashkuar do tja kalonte Greqisë  Gjatë viteve të luftës së I-rë Botërore pikërisht në vitin 1915 ishulli u pushtua nga Italia, e cila e mbajti atë deri në 8 Shtator të vitit 1943, kur Sazani u pushtua nga Gjermanët, të cilët u larguan që aty në 14 Tetor 1944. Që prej kësaj kohe e deri tani Sazani është pjesë e pandarë e shtetit Shqiptar, i cili e përdori atë vetëm për qëllime ushtarake. Gjatë viteve të komunizmit këtu u ngrit një bazë ushtarake detare dhe një qytezë ku banonin familjet e ushtarakëve. Ato u larguan nga ishulli kur baza u braktis në vitin 1992 nga ushtria shqiptare, e cila më vonë e vuri Sazanin në dispozicion të Natos. Fakt interesant është se në Sazan rritet edhe një lloj lepuri i egër, i cili u soll në ishull midis dy luftërave botërore nga Italianët. I quajtur Lepuri i gropave, kjo specie ka ardhur duke u shtuar sepse në Sazan nuk ka kafshë grabitqare.

Parku kombëtar i Llogorasë shtrihet atje ku nis lugina e Dukatit përgjatë shpateve të Lungarës dhë Rrëzës së Kanalit. Me një sipërfaqe prej 1010 ha kjo hapësirë shtrihet nga lartësia 500 m duke u ngjitur deri në lartësinë 1100 m. Brenda tij ndeshim një bimësi të dendur që nis nga shkurret mesdhetare, halorët e ndryshëm, drurët gjethegjërë, kullotat, etj. Llogoraja përmendet edhe për faunën e pasur të saj ku mund të përmendim shpendë të rrallë dhe gjitarë të ndryshëm. Brenda parkut, buzë rrugës në lartësinë 910 m ndodhet edhe monument culture shumë I veçantë, siç është pisha flamur, e quajtur kështu nga forma e degëve të përpunuara nga era.

Poshtë Llogorasë ndodhet fshati i Dukatit i përmendur për folklorin, historinë dhe traditat. Këtu ndeshim një nga monumentet e kulturës popullore siç janë kullat e Dervish Aliut, një shtëpi-kështjellë e shekullit të XVIII-të.

Laguna e Orikumit ndodhet midis Karaburunit dhe qytetit të Orikumit. Dallohet për shpendët dhe speciet e shumta të liqeneve detare, ku nga veprimtaritë ekonomike mund të veçojmë peshkimin.

Kisha e Marmiroit në Orikum Kalaja e Gjon Boçarit në Tragjas ndodhet pranë rrugës atomobilistike. Është ndërtuar në shekullin e XVII-të dhe ka një formë klasike katrore e pajisur me dy kulla. Funksioni I saj ishte ruajtja e rrugës Vlorë-Himarë.

Zvërneci është një nga zonat turistike të Vlorës. Këtu ndodhet Triporti një bukuri natyrore e paeksploruar nga vizitorët. Në vitet 1970 arkeologu Vasil Bereti kreu këtu disa fushata gërmimesh, ku dolën në dritë porti detar, disa mure rrethuese, disa ndërtesa, karkasën e një anijeje dhe qeramika të ndryshme.

Manastiri i Zvërnecit ndodhet në një nga dy ishujt e lagunës së Nartës. Kisha ndodhet në ishullin më të madh i cili lidhet me bregun nga një urë druri me gjatësi prej 200 m. Ajo i përket shekullit të XII-të dhe ka shërbyer edhe si mauzoleum, sepse brenda saj ndodhet varri i gjeneralit bizantin Argjiro Karanxhas, varrosur këtu në shekullin e XI-të. Në varrezën e këtij manastiri ndodhet që nga viti 1932 varri i qëndistares së flamurit Marigo Pozios.

Laguna e Nartës me sipërfaqe 45 km2 është liqeni i dytë detar për nga madhësia në Shqipëri. Veçori e saj është numri i madh i shpendëve dhe peshqve që jetojnë në të. Prej disa shekujsh këtu jeton edhe një koloni pelikanësh. Edhe sot në këtë lagunë ruhet tradita e peshkimit me varka druri. Në kodrat përreth peshkatarët nartiotë kanë treguar se janë kultivues të famshëm edhe të vreshtarisë, e cila prodhon verën e njohur të Nartës.

Në brendësi të territorit të Vlorës gjendet edhe qyteti ilir i Amantias, 35 km larg qytetit. Sot ai përbën një nga parqet më interesantë arkeologjikë të Shqipërisë, në të cilin ndodhen objekte unikalë siç është rasti i stadiumit të saj. Rrënojat e qytetit të dikurshëm ndodhen në një kodër me sipërfaqe prej 20 ha, e cila rrethohej nga një mur me perimetër prej 2100 m. Autorët antikë që japin të dhëna për amantët janë të shumtë. Njëri ndër ta Stefan Bizantini tregon se qyteti kishte si legjendë themelimin nga abantët e luftës së Trojës. Pavarëssht historive të shumta monumentet e Amantias si tempulli dorik i Afërditës, stadiumi, muret rrethues, bazilika, etj, përbëjnë një tur tërheqës për vizitorët.

Nga: Ilirjan Gjika

VLORA – QYTETI I DY DETEVE ! ATJE KU SHKRIHET KALTËRSIA E DETIT ME GJELBËRIMIN E PËRHERSHËM. Read More »

Urat kanë një mision të veçantë dhe kanë lindur nga nevoja për ti bashkuar brigjet – Urat përmbi lumin e Vlorës !

Nga Gezim Llojdia

1.Si në të gjithë botën,urat kanë një mision të veçantë dhe kanë lindur nga nevoja për ti bashkuar brigjet. Një urë është ndërtuar me një strukturë të tillë për të kapërcyer vështirësitë fizike të tilla si uji, luginë, apo rrugë, për qëllimin e ofrimit mbi pengesë. Ka shumë dizajnë të ndryshme që të gjitha shërbejnë për qëllime unike dhe të aplikojnë për situata të ndryshme. Etimologjia e fjalës urë: Urat e para u bënë nga vetë natyra – aq thjeshtë sa një regjistër të rënë nëpër një lumë apo gurë të hedhur në lumë. Urat e para të bëra nga njerëzit, përfshin drurët e prerë dhe përfundimisht gurë, duke përdorur një mbështetje të thjeshtë dhe aranzhim traverse.

Në gjuhën poetike kam përdorur për urat simbole :Urat.Qelqore . Hënore.Diellore. Qelqore-ura mbi supe mbajnë copëra vargjesh. Hënore-ura,që mbajnë copëra diamantesh në kujtesë. Diellore-ura,që mbajnë copëra fatesh në pjesë.

2.Të bëhemi më realist dhe të sjellim në kujtesë se në trojet tona, urat kanë qenë nevojë për të lidhur brigjet .Ne kemi një terren të thyer ndërsa strehët tona janë ndërtuar ndër kodra ,male si strehë karakolli,ku poshtë rridhte lumi valë-valë.Këto ndërtime të fshehura shpesh poshtë rrapeve shekullorë,shelgjishteve humbën ose u nxorën jashtë përdorimit me ndërtimet e urave me beton dhe hekur.Bëhet më interesant fakti se shumica e urave kanë edhe emërtim të tyre disa të veçanta. Si Ura e frengut,ura e Belasë e Slapit etj. Në të tri urat kam shkuar shpesh. Pranë urës së e Belasë vite më parë gjendej një banesë dhe banori i saj ishte i vetmi njeri që kishte parë ,disa lloje regjimi si dhe në kohën kooperativës , ishte i vetmi banor i republikës që nuk kishte tufëzuar bagëtitë e imta. Nga lindi emri bela,Slap,freng etj është e kuptueshme fjala por ato kërkojnë ende një studim më të thelluar.

A jemi në gjendje, që këto ndërtime ti rikthejmë në kujtesë duke i evidentuar, mirëmbajtur ?Qarku i Vlorës shprehen në rrjete sociale, specialist të DRKK Vlorë,ka një reliev kodrinor-malor, te pasur me ujera rrjedhëse, lumenj e përrenj.

Për bashkimin e dy krahinave, e fshatrave me njëra – tjetrën dhe e lagjeve brenda fshatrave, banoreve te një krahine u është dashur qe nder shekuj te ndërtojnë vepra arti siç, ura, etj. Në këtë territor sot numërohen me qindra ura te mëdha dhe te vogla qe u takojnë periudhave te ndryshme historike nga antikiteti deri ne mesjetën e vone. Ato dallohen për vlera monumentale, estetike dhe funksionale. Me iniciativën e drejtuesit të DRKK Vlorë Agim Haxhiraj dhe historianit Novruz Barjami, po kryhen pastrime dhe evidentime si dhe mirëmbajtje për ato objekte, ura që janë të shpallura monumente kulture, por edhe për ato ura që ruajnë vlera ndërtimore, për t’i shpallur monumente kulture.Disa nga urat e evidentuara janë :Ura e Drashovicës,Ura e Slapit-Kufiri midis Drashovicës dhe Mavrovës shek. XVII-XVIII,Ura e Belasë Mavrovë shekullit XIX,Ura e Bratit,Brataj shek XV dhe Ura e Frëngut –Gjormë Ura e Frengut, Gjorm shek. XVI

3.Ura e Drashovicës aktualisht lidh dy brigjet e lumit Shushicë. Ura e sotme është e derdhur me beton. E gjithë struktura e saj. Ura e Drashovicës është kufiri ku fillon të shtrihet krahina e Labërisë. Rrapet e Drashovicës , monumenteve te natyrës shqiptare.

Poshtë urës vërshon herë i qetuar e herë tërbuar lumi Shushicë. Shushica derdhet në det pasi ka përshkrua rreth 72 km në luginën e Shushicës,burimet e saj nxjerrin ujë në Shurr të Kuçit 500l/s dhe rreth 300l/s në Buronja,sipas studiuesve Buronjat e Kuçe shkarkojnë ujërat nëntokësore që grumbullohen në masivin karstik të Kurveleshit të Sipërm, i cili gjendet rreth 600 m më lartë se vendi. Në këtë kufi natyror duhej të vendosej një pllakë dëftonjëse si kufi tregues ku fillon një krahinë e madhe. Te këmbët e urës së Drashovicës. Te fasada e saj përkarshi monumentit Drashovicë 1920-43. Një varg gati i thjeshtë dhe i gjetur .Dhe ky vargëzim shkronjash të tregojnë se këtu fillon kufiri i krahinës. Lexojmë përveçse kulmin :Labëri. Nga ky kulm burojnë shumë cilësi, që mbartë më vete krahina e madhe jugore.

….Pjesë nga folklori: Atje to Hani ne gryke / te ura në Drashovice, / Qëllon topi Italisë / Ka nijet që ta vithisë /Komision’ e Shqipërisë,/ 0 moj Shqipëri e bardhe/ Bota ta kane sevdanë / Italia me Junanë / Të keqen ta kane marrë/ Se ke trima kordhëtarë / Barutin me grusht e hane

Koci Petriti poet:Unë i shoh gjithë urat/Nga urë Bushtricës,/Ja, urë e Qabesë/Ja, e Drashovicës….

Barjamaj rapsod: O Drashovica me derte…/ O e gurta Drashovicë!,/ Faqe historisë i mbete,/Historisë se Shqipërisë. / Ke qene pëllëmbë e gëzhoja,me tym baroti mbuluar, Si ti, thonë,ka qenur Troja,/ Që në themele rrënuar…/ Për ty flet lumi me valë.. / Për ty fletë gjithë Labëria,Ura e Drashovicës. Në një fotografi të vjetër vrojtohen varrezat e ushtarëve italian të cilat janë varreza tipike katolike me kryqin e madh dhe gurët e qemerit ,nga kjo fotografi shënohet Shushica qartësisht duket e turbulluar dhe ujëshumë. Ura e Drashovicës lidh dy brigje sot është një urë me disa parmakë të rrëzuar me rreth 8 këmbë, që mbajnë përmbi supe një masiv beton. Rreth 30 m përkarshi urës është monumenti Drashovicë 20-43 projektuar nga P.Hazbiu edhe ky është një masiv me një hark dhe një shtatore bronzi ku paraqiten dy figura kryesore të luftërave, që në emërtimin popullor janë quajtur: epope 20-43. Këtu ose më tej duhet të kishte një pllakë që të tregonte se kur udhëtari vë këmbën aty, ka shkelur ndërkaq në krahinën më të madhe në jug të vendit.

Në kufirin midis fshatrave Drashovicë dhe Mavrovë gjenden dy ura të cilët kanë periudhë kohore nga shekujt e shkuar. Ura e Slapit që mendohet e shek.XVIII ,ura përbëhet nga harku kryesor e ndërtuar me gurë dhe me një teknikë të shkëlqyer inxhinjerike. Ura e Slapit gjendet e pozicionuar perëndim- jug përmbi përroin me të njëjtin emër .Ky përrua në stinën e dimrit është mjaftë problematik për shkarkimin e ujrave për shkak të bllokimit nga furia e lumit Shushicë. Ura ka qenë funksionale deri në vitet ’60. Nga ujëra e tepërta të përroit të Slapit, ura shpesh bëhej njësh ngase grykëderdhja e lumit të Shushicës,nuk tërhiqte ujin e përroit .Ura është e amortizuar në pjesën e sipërme në gjysmën e radhës së parë të gurëve në pjesën perëndimore të sa,j është rrëzuar me kalimin e kohës. Gurët e harkut dhe pjesa tjetër janë në gjendje funksionale. Pranë urës ndodhen edhe kolonat e një tjetër ure ,ajo e trenit ndërtuar nga italianët,që vinte në shfrytëzim linjën hekurudhore Kotë-Vlorë,për qëllime ushtarake.

Ura e Belasë, është një urë lidhëse me përruan e Slapit, që derdhet nga liqeni i Petës si dhe ujërat e shumta të kodrinave me kodrat e fshatit Mavrove, mendohet të jetë ndërtuar në shek .XIX .Ura ka një hark të madh është ruajtur mjaftë mirë duke i rezistuar kohës dhe faktorëve të ambientit. Ura është funksionale për kalimin e banorëve drejt një prej lagjeve të fshatit.Mavrova është emri i sotëm qytetit Olimpia .Gjurmët e para të kalasë hasen në lagjen e emërtuar “Cakallovaj” dhe vazhdojnë përgjatë kopshteve private. Sipërfaqja brenda mureve rrethuese të kalasë së Mavrovës arrin në rreth 13 ha.

Urat, që janë të ndërtuar përmbi përrenj të fshatit Mavrovë kanë nga një hark të ndërtuar nga mjeshtër të përpunimit të gurit ,element i të cilit gjendet aty pranë në kavat gurit. Ato kanë bazament të fuqishëm dhe një strukturë të fortë,rezistencë karshi faktorëve të ambientit përfshi edhe ujërat, që janë armiku i tyre.

Duke qenë një qytet me kohë lindje para Krishtit në luginën e lumit, urat mund të kenë moshë më të hershme si dhe mund të kenë ekzistuar të tjera, ura monumentale të gdhendura në gurë dhe me një mjeshtri të veçantë ndërtimi.

Ura e frëngut në Gjormë. Nga gërmimet arkeologjike, shkruan intelektuali K.Kapaj është vërtetuar se janë të asaj periudhe disa vepra kulti, disa kështjella dhe urat me harqe guri mbi përrenj dhe lumenj si Ura e Frengut në Gjorm, në Brataj etj.

Ura e Frëngut është një urë e ngritur përmbi buzët e dy shkëmbinjve .Gryerja nga ujit ka formuar një përrua të thatë më tepër në verë .Ura ka dy frëngji,njëra në formë dritareje .Ka dëmtime në pjesën e sipërme.

Ura e Bratit është një objekt monument kulture dhe në mbrojte nga shteti .Ura e Bratit gjendet edhe sot e kësaj dite në funksionim të plotë në fshatin Brataj, në fshatin me këtë emër buzë lumit Shushicë i cili përzihet më lartë me ujërat e tjëtër lumi rreth 40 km nga qyteti i Vlorës. Paraqet interes ndërtimi i saj me harqe dhe sidomos fortësia e materialit përbërës të urës. Është një ndër monumentet e veçanta ku krahas rolit prej 6 shekujsh jetë është në funksionim .

Ura e Bratit mbanë Nr 31 në listën e propozuar për tu shpallur monument kulture në vitin 1948. 31. Ura e Bratajt, në fshatin Brataj. Ky objekt që i ka shërbyer banorëve të kësaj zone për shumë shekujsh është vlerësuara si objekt mbi të cilën do të vepronte mburoja monument kulture mbrohet nga shteti. Vendimi i Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës, në mbështetje të nenit 3 të dekretit nr. 586, datë 17.3.1948 Mbi mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe të sendeve natyrale të rrallë si dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.130, datë 9.4.1995, në bazë të të cilit Universiteti Shtetëror i Tiranës autorizohet që të aprovojë në lista të posaçme monumentet e kulturës që vihen në mbrojtjen e shtetit dhe duke marrë parasysh vlerën historike, shkencore dhe artistike të monumenteve .

Përshkrim. Brati,katundi në luginë të Shushicës. Nga dhjetori në mars,agimet janë të ngopur me shi. Nga kreshtat e vargmaleve,shirat zbresin në tokë me rrebesh. Vesa, lot pikon nën dritë të hënës. Dielli i praruar lind në lindje,ndonëse gjelbërimi zë fill në mërmërima pranverore. Kreshta përmbi fshat është e populluar nga gurët. Poshtë këmbëve të tij, në rrugën e zallit ecën herë e qetë,herë e fryrë,Shushica që bashkohet me përruan e Brate.

Ura e Bratit është ura me dy harqe. Hapësira e madhe është pjesa ku kalon edhe lumi ndërsa pjesët e tjera janë dritare kur fryhen ujërat në stinën e dimrit ,ujerat shkarkohen dhe nga kjo pjese. Ura e Bratit qëndron aty prej më shumë se 6 shekujsh. Një profil të plotë të urës së Brate shqiptarët e kanë parë tek filmat ” Nëntori i dytë” dhe filmi :”Udha e shkronjave”.Ura e Brate në stinën e dimrit pasqyron edhe fortësinë e saj .Shushica është lumi që ka 76 km gjatësi ndërsa kokën e ka në shurr të Kuçe. Bashkimi i lumenjve quhet vendi ku përzihen lumenjtë.Kjo urë daton në shekullin e XV-XVI dhe ndodhet në afërsi të fshatit Brataj. Prej mese 5 shekuj ajo është funksionale. Si urë kalimi ajo lidh dy anët e lumit Shushicë, rrugën e vjetër të Karvaneve me atë të Rrëzës. Ajo është e lartë mbi 9 metra dhe e gjatë afërsisht 30 m. Ajo lidh fshatin Brataj me fushën e Brate dhe Smokthinën. Për të shkuar në këtë objekt kulture që i ka shërbyer zonës për shekujsh udhëtimi zgjatet në luginë të lumit . Në qendër të fshatit Brataj rruga zbret drejt lumit. Ura gjendet përmbi ujërat e Shushicës dhe sot shërben për kalimin në pjesën e përtejme të Smokthinës, një krahinë kjo në luginë. Ura e Bratit është një ure e tipit venecian ka një lartësi nga lartësia normale e ujit e ndërtuar ne një mënyrë te tillë, qe te përballoj dhe vërshimet e lumit këndet dhe mbështetja e bëjnë që të përballojë dallgët e mëdha të lumit te cilët ne shume raste kalon mbi të .Është shpallur monument kulture . Kjo ure ka shërbyer për te lidhur qytezën me pjesën tjetër të krahinës. Rreth dy km mbi Urën e Bratit pra mbi kryqëzimin e lumenjve, ndodhet Ura e Bogdanit .

Urat kanë një mision të veçantë dhe kanë lindur nga nevoja për ti bashkuar brigjet – Urat përmbi lumin e Vlorës ! Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com