“Nëse do të vazhdojmë si sot padyshim nuk ka asnjë arsye që shkollat të mos fillojnë normalisht, kur jemi përpara faktit kur arsimtarët janë të vaksinuar, shumica e fëmijëve kanë edhe prindërit dhe gjyshërit të vaksinuar. Por do të shikojmë situatën dhe në varësi të saj do të jetë edhe vendimi për shkollat”.
Kështu deklaronte disa javë më parë, në 26 Korrik Silva Bino, shefe e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, por situata nga atëherë ka ndryshuar shumë dhe sot gjendemi përballë faktit që shifrat e të infektuarve që zbulohen cdo ditë nuk numërohen më me gishtat e dorës, por janë qindra.
Megjithatë dy javë nga fillimi i nisjes së vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit, Evis Kushi shprehet se nxënësit në 1 shtator do të ulen në bankat e shkollës, ndryshe nga viti që u mbyll, që u zhvillua online dhe i alternuar.
“Pak para nisjes së vitit të ri shkollor, vijon pa ndërprerje puna nëpër shkolla me sistemimet dhe riparimet e fundit në mënyrë që çdo gjë të jetë gati më 1 shtator për nxënësit e mësuesit tanë.
Faleminderit të gjithë punonjësve që angazhohen për të na sjellë ambiente shkollore më të sigurta, më të rregullta dhe më të pastra” shkruan Ministrja Kushi.
Noa.al sqaron se më 1 shtator do të nisë një periudhë 2 javore me përsëritje të temave të vitit të kaluar për nxënësit që duan të bëjnë përsëritje. Dhe të hënën më 13 shtator pritet të nisë mësimi i rregullt. Gjithsesi ende nuk dihet nëse do të ketë mësim me kohë të plotë apo vetëm 4 deri 6 orë 30 minutëshe pa ndërprerje dhe pa pushim në mes të orëve.
E ndërsa përgatitjet po bëhen që gjithçka të rikthehet në normalitet, në javët në vijim pritet për t’u parë nëse do të ketë ndryshime nga Komiteti i Ekspertëve.
Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka publikuar sot disa foto nga procesi për përgatitjen e klasave dhe ambienteve shkollorë për vitin e ri akademik.
Kushi bën me dije se të gjithë shkollat do të jenë gati më 1 shtator për të pritur nxënësit që do të zhvillojnë mësimin plotësues, duke nënkuptuar se mësimi nuk do të bëhet më online, ashtu sikurse u zhvillua vitin që shkoi.
“Mirënjohje për punonjësit e njësive të vetëqeverisjes vendore, të cilët tashmë kanë filluar rregullimin e mjediseve të brendshme e të jashtme të shkollave tona, lyerjen, dezinfektimin, e plot punë të tjera në mënyrë që çdo gjë të jetë gati më datë 1 shtator për nxënësit që do të zhvillojnë mësimin plotësues”, shkruan Kushi.
Për shkak të numrit të ulët të regjistrimeve do të ketë një fazë të dytë aplikimi online përmes portalit e-albania.
Ministria e arsimit njoftoi se regjistrimi për në klasë të parë dhe të dhjetë do të kryhet edhe përgjatë periudhës 15 gusht deri në 30 korrik.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi theksoi se janë marr në konsideratë shq etësimet e nxënësve dhe prindërve të cilët e kanë pasur të pamundur regjistrimin për arsye teknike apo për shkak të tejkalimit të afateve të përcaktuara. Rihapja e portalit e-albania për regjistrimin e nxënësve në shkolla ka sjell edhe disa ndryshime.
Në rastet kur shkollat kanë kapacitetet e mjaftueshme, ministria e arsimit do të jetë më tolerante, pasi lajmëron se këto institucione arsimore mund të regjistrojnë fëmijët edhe jashtë zonës së banimit, me miratimin e zyrave vendore arsimore të shprehura në një arsyetim të legjitimuar.
Dhe më tej, pas kërkesës për regjistrim shkolla duhet të kthejë përgjigje brenda 24 orëve. Në rast refuzimi, prindërit duhet të vazhdojnë aplikimin brenda afatit 15 ditor në shkollën ku u takon regjistrimi.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i ka bërë apel gjithë studentëve të vaksinohen gjatë muajit gusht.
Manastirliu thotë se tashmë është shansi i studentëve përderisa gushti do të jetë për vaksinimin e gjithë moshave mbi 18 vjeç.
Ajo paralajmëron se shtatori e tetori do ta përballin Shqipërinë me rritje të kontakteve e grumbullimeve të pashmangshme, prandaj për të shmangur komplikacionet e fatalitetet duhet vaksinim.
NJOFTIMI NGA MSH
29 Korrik, Tiranë- Muaji gusht do të jetë muaj i hapur për vaksinimin e qytetarëve +18 vjeç. Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu nga Qendra Shëndetësore nr.1 në Tiranë, ku ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit. “Ne kemi vendosur që muaji gusht të jetë një muaj i hapur për të gjitha grupmoshat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqëndruar. Do të jetë një muaj që ne do ta konsiderojmë muaj sulmi, për të vaksinuar qytetarët e grupmoshës +18 vjeç”, deklaroi Manastirliu. Ministrja Manastirliu i ka bërë apel studentëve të vaksinohen gjatë muajit të hapur dhe përpara fillimit të sezonit të ri akademik. “Eshtë e rëndësishme një thirrje për studentët, për t’u vaksinuar sepse shtatori, tetori, fillimi i shkollës sigurisht që do të na përballë me rritjen e kontakteve, me ato grumbullime të cilat ndonjëherë janë të pashmangshme, por nëse jemi të vaksinaur të paktën kemi të garantuar që shmangim komplikacionet dhe format e rënda të sëmundjes dhe sigurisht edhe fatalitetet”, tha Manastirliu Referuar rasteve të pavaksinuar të shtruar aktualisht në spitalin Infektiv, Ministrja Manastirliu u ka bërë thirrje edhe të moshuarve mbi 60 vjeç të vaksinohen, pasi janë kategori shumë e rrezikuar. “Numrat janë rritur në mënyrë të lehtë, po ashtu shtrimet në spitale, ku ajo çfarë vihet re është që qytetarët që janë shtruar në spital nuk janë të vaksinuar dhe janë të grupmoshave +70 vjeç, +60 vjeç, që do të thotë që ka ende qytetarë që nuk janë vaksinuar, që i përkasin grupeve të riskut, ndaj një apel nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: Vaksinimi është një detyrim qytetar, detyrim moral, për të mbrojtur veten për të mbrojtur të gjithë ata që ne duam” – nënvizoi Manastirliu. Shefja e Epidemilogjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Prof. Silva Bino tha se me ditët dhe javën e hapur të vaksinimit është rritur mbulesa vaksinale për doza të para dhe të dyta, kryesisht në Tiranë, Gjirokastër, Mirditë etj, por apeloi për vaksinim, duke e konsideruar atë një emergjencë. “Mbulesa vaksinale po rritet, sidomos ajo që është e rëndësishme po rritet mbulesa me dy dozat. Pra jemi 24% e popullatës me dy doza. Kemi dhe rrethe që janë 60% e popullatës, si Gjirokastra, apo Mirdita që është 40% e popullatës. Kohët e fundit sidomos me javën e hapur të vaksinimit niveli i mbulesës vaksinale është rritur ndjeshëm. Vaksinimi është një urgjencë, sepse virusi është tepër i transmetueshëm dhe tepër ngjitës, dhe nuk pret. Koha nuk pret. Studentët të cilët do të futen në auditore, mund të bëhen përçues të infeksionit, në grupe të pavaksinuara. Pra vaksinimi, i studentëve, i mësuesve, vaksinimi i të moshuarve të cilët mund të bëjnë forma të rënda apo vdekje për fat të keq siç ndodhi edhe kohët e fundit, është një element tepër i rëndësishëm”, tha Bino. Vaksinimi masiv po vijon nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet, në pikat e përqëndruara te vaksinimit dhe në qendrat shëndetësore. Prej fillimit të këtij procesi janë kryer në total 1,168,308 doza të vaksinës ndaj COVID19. 512,625 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.
Nga data 29 gusht deri në 3 shtator maturantët do të kenë mundësi të zgjedhin një degë në universitet.
Procedura do të jenë të njëjta si vitet e tjera, ku përmes portalit UAlbania të rinjtë do të aplikojnë për 10 preferenca.Të rinjë veç preferencave janë fokusuar edhe te tregu i punës në mënyrë që të kenë një të ardhme të sigurt.
Maturantët do të kenë mundësi të plotësojnë formularin për aplikim në universitet nga data 29 korrik deri në 3 gusht.
Në 6 ditë përmes portalit UAlbania të rinjtë mund të zgjedhin 10 preferenca për studimet e larta.
Ky është viti i dytë që maturantët hasin vështirësi për shkak të pandemisë, jo vetëm gjatë vitit mësimor, por edhe gjatë provimeve.
Xhuljano Pole thotë se provimi i gjuhës shqipe dhe matematikës kanë qenë të vështira dhe te ai ka patur një ndikim te notat.
Nisur nga situata e krijuar nga pandemia, por edhe përhapja e variantit indian Delta, është kushtëzuar edhe nisja e vitit të ri shkollor.
Noal raporton se në urdhrin e përbashkët të firmosur nga ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe ajo e Financave, Anila Denaj, është fiksuar edhe data. Arsimi parauniversitar nis më 13 shtator.
Në këtë dokument dy ministret kanë miratuar strukturën e vitit të ri shkollor. Sipas planit vjetor nxënësit e arsimit 9-vjeçar nisin mësimin në 13 shtator dhe e mbyllin vitin shkollor në 8 qershor të vitit 2022.
Ndërsa për gjimnazistët e dhe nxënësit e arsimit profesional, shkolla zgjat një javë më shumë se arsimi bazë, deri në 15 qershor. Pushimet dimërore, që ndajnë edhe tremujorin e parë të shkollës, janë planifikuar nga e premtja 24 dhjetor deri të martën më 4 janar.
Por mbetet e pacaktuar mënyra sesi do të zhvillohet mësimi në vitin e dytë të pandemisë nga koronavirusi. Ministria e Arsimit ende nuk ka vendosur skenarin që do të aplikohet vitin e ri shkollor.
Nuk dihet nëse nxënësit edhe këtë vit do ta zhvillojnë mësimin të reduktuar, me turne duke kombinuar mësimin online me mësimin në shkollë, nëse do të jenë vetëm online apo do të rikthehen plotësisht në klasa.
Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se skenari i zhvillimit të mësimit do të shqyrtohet nga ekspertët e shëndetësisë, në varësi të situatës nga përhapja e koronavirusit dhe mutacioneve të tij.
Megjithatë këtë vit thuajse të gjithë mësuesit dhe edukatorët janë të vaksinuar me të dyja dozat antiCovid. Ndërsa është ende në diskutim edhe mes ekspertëve në vendin tonë, nëse vaksinimi kundër koronavirusit do të përfshijë edhe fëmijët mbi 12 vjeç.
Pandemia e koronavirusit shkaktoi probleme të mëdha në arsim dhe mësimdhënie, ndërsa nxori se shkollat dhe mësuesit ishin të papërgatitur në lidhje me teknologjinë dhe zhvillimin e mësimit online.
Viti i ri shkollor do të nisë dy javë përpara datës zyrtare. Lajmin e ka konfirmuar ministrja e Arsimit, Evis Kushi e cila ka sqaruar se ky vendim është marrë me qëllim që të rikuperohen të gjitha mangësitë nga mësimi online. Por, ministrja ka theksuar se ky plan do të zbatohet në varësi të nevojave specifikave që do të ketë çdo shkollë.
“Jemi të vetëdijshëm që ka pasur edhe mangësira në njohuri apo kompetenca të nxënësve. Për këtë arsye, në muajt e fundit kemi punuar intensivisht edhe me ekspertët e MASR dhe ASCAP për të hartuar një strategji se si t’i plotësojmë këto mangësi. Ne kemi vendosur që për vitin e ardhshëm 2021-2022, dy javë përpara datës zyrtare të fillimit të vitit shkollor, ne do të kemi mësimin plotësues në të gjitha shkollat tona. Ky do të jetë një plan fleksibël në varësi të nevojave specifike që ka çdo shkollë apo zyrë arsimore”, u shpreh Kushi.
Ndër të tjera Kushi është shprehur se është bërë një punë e madhe për të afruar sistemin arsimor me atë të vendeve më të zhvilluara. Kushi theksoi se ndryshimet e mëdha që po pëson arsimio janë të mëdha, si në teknologjinë e mësimdhënies, ashtu edhe në tregun e punës dhe marrëdhëniet sociale. Për të përballuar këto ndryshime sipas Kushit duhen mësues të aftë. Pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe sipas ministres, te përgatitja dhe përshtatja e mësuesit me ndryshimet e reja.
“Për zbatimin e kësaj kurrikule, peshën më të madhe e kanë mësuesit tanë, prandaj zhvillimi profesional i tyre është shumë i rëndësishëm. Sfida e përbashkët është që t’u përgjigjemi ndryshimeve që ndodhin në kohën e duhur dhe mekanizmat më efiçiente, dhe gjithmonë duke mos bërë kompromis për cilësinë. Për të pasur nxënës të mirë, neve na duhen mësues të aftë. E gjithë sfida dhe puna jonë duhet të fillojë nga zhvillimi, përgatitja dhe përshtatja e mësuesit me ndryshimet e reja”, tha Kushi.
Ministria e Arsimit ka hapur thirrjen për të gjithë të rinjtë e diplomuar nga mosha 21 deri në 26 vjeç për programin e praktikave të punës. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit Evis Kushi.
Aplikimet do të kryhen deri në datën 31 korrik ndërsa në praktikën që do zgjasë nga data 16 gusht deri në 16 nëntor do përfshihen deri në 2000 të rinj. Në fund të kësaj periudhe kohore për 200 praktikantët më të mirë do të ofrohet një kontratë pune 1-vjeçare.
“Sot kam një lajm të mirë për të diplomuarit nga mosha 21-26 vjeç. Kemi shpallur thirrjen e gjashtë të programit kombëtar të praktikave të punës që do të qëndrojë e hapur deri në datën 31 korrik.
Janë 2000 vende për praktikë në fushë të ndryshme. Praktikat do zhvillohen mes datave 16-gusht -16 nëntor të këtij viti dhe 200 praktikantë me performancën më të mirë do t’u ofrohet një kontratë 1-vjeçare. Përgjatë 5 thirrjeve të shkuar të këtij programi janë 3000 që kanë realizuar praktikën dhe 1000 më të mirët kanë fituar kontratën 1-vjeçare”, u shpreh Evis Kushi.