Arsim

Së shpejti, protokolli i mbrojtjes së të miturve në shkolla, Kuko: I patolerueshëm çdo mosveprim nga çdo palë përgjegjëse

Zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuko tha sot se së shpejti do të jetë gati protokolli i mbrojtjes së të miturve në shkolla.

Zëvendësministrja Kuko zhvilloi sot një takim online me oficerë të sigurisë në shkolla si dhe deputetë dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit për të diskutuar për sigurinë në shkolla.

“Si e thyejmë këtë kulturë heshtjeje? Duhet vepruar në 360 gradë! Sot thirra në takim online 100 oficerë sigurie në shkolla të vendit, deputetë, MASR, MSHMS për këtë çështje. Shumë shpejt, Protokolli i Mbrojtjes së të miturve në shkolla (MB, MSHSMS, MASR)”, shprehet Kuko.

“I patolerueshëm çdo veprim/mosveprim nga çdo palë përgjegjëse. Kemi kërkuar hetim të thelluar. Abuzuesit ata që mund t’ju shkelin syrin, nuk do ia hedhin paq! Krahas parandalimit, të instalojmë përfundimisht kulturën e mbrojtjes së viktimës. Fajësimi i viktimës duhet të marrë fund”, shprehet Romina Kuko, duke iu referuar ngjarjes në Kamzë.

Gjithashtu, Kuko apeloi që të denoncohen rastert e abuzimit me të miturit.

“Inkurajoj këdo të denoncojë në 112 apo Komisariarin Digjital (edhe në kushtet e anonimatit) çdo rast, pa asnjë hezitim! Dhe nëse nuk shihni reagim, tel. 0800 90 90 Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave për çdo mosveprim! Asnjë frikë për të vënë drejtësi në vend!”, shprehet ajo. /atsh

Së shpejti, protokolli i mbrojtjes së të miturve në shkolla, Kuko: I patolerueshëm çdo mosveprim nga çdo palë përgjegjëse Read More »

Shkolla si hapësirë e sigurtë, Shahini: Dyfishim numrit të psikologëve dhe punonjësve socialë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini përmes një videomesazhi ka komunikuar një çështje të ndjeshme, por të rëndësishme për shëndetin e komunitetit shkollor.

Shahini foli për bullizmin, për dhunën në bazë gjinore dhe për abuzimin seksual, si në komunitet, ashtu edhe në shkollë.

Duke përgëzuar nxënësit që kanë gjetur kurajon të denoncojnë bullizmin, dhunën apo abuzimin që kanë përjetuar, ministrja Shahini nënvizon se kjo është e vetmja mënyrë që të rriturit dhe institucionet të kenë mundësi të dënojnë këtë dhunë, dhe të parandalojnë që kjo dhunë të ndodhë në të ardhmen. Shkolla duhet të shndërrohet në një hapësirë të sigurtë, ku nxënësi ndihet që mund të denoncojë dhunën që e ka përjetuar, apo të paraqesë çfarëdo shqetësimi që ai mund të ketë”.

“Kjo është arsyeja”, shprehet Shahini se pse para disa muajve ka filluar edhe zbatimi i politikës për shndërrimin e shkollës në një hapësirë të sigurt. Do të dyfishohet numri i psikologëve dhe punonjësve socialë përmes një riorganizimi të stafit arsimor që tashmë ka filluar. Ata do të trajnohen për çështjet gjinore dhe për çështje të ngacmimit dhe abuzimit seksual, në mënyrë që të adresojnë këto tema të ndjeshme sa më mirë që të jetë e mundur në shkollë”, thekson ajo.

Më tej, ministrja Shahini shprehet se “janë vendosur tashmë protokollet e veprimit të shpejtë, në mënyrë që sapo të bëhet një denoncim, të përjashtohen nga puna ata që janë denoncuar dhe të ndiqen penalisht. Kjo tashmë ka ndodhur për rastet që janë denoncuar dhe personat në fjalë janë duke vuajtur dënimet e merituara”.

“Përveç njohjes me rregulloren e arsimit parauniversitar dhe kodit penal, Shahini thekson domosdoshmërinë e ndryshimit të kulturës dhe mënyrës se si shoqëria jonë adreson gratë, vajzat dhe grupet e margjinalizuara. “E gjithë kjo duhet të ndryshojë”, tha ajo.

Po ashtu, ministrja Shahini kërkon edhe bashkëpunimin e medias, si një lojtar kyç në raportimin në mënyrën më të mirë dhe më të ndjeshme në rastet e dhunës kundër grave e vajzave, apo abuzimit seksual.

Në fund të videomesazhit, Shahini nënvizon nevojën se “ne duhet të punojmë së bashku që të ndryshojmë kulturën dhe të shndërrohemi në një shoqëri më të mirë që mbron grupet e margjinalizuara, një shoqëri më të mirë për fëmijët tanë”./atsh

Shkolla si hapësirë e sigurtë, Shahini: Dyfishim numrit të psikologëve dhe punonjësve socialë Read More »

Nga 1 qershori lejohet lëvizja në të gjithë territorin/ Hapen kufijtë tokësorë pa vetëkarantinim, nisin punën kopshtet e çerdhet

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se nga 1 qershori lejohet lëvizja në të gjithë territorin e vendit, si dhe hapen një seri aktivitetesh dhe kufijtë tokësorë pa vetëkarantinim.

Gjatë një komunikimi me publikun, Manastirliu bëri të ditur të gjitha aktivitetet që do të lejohen prej 1 Qershorit duke zbatuar në mënyrë strikte masat dhe protokollet e sigurisë.

Pas rekomandimeve nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, Manastirliu deklaroi se prej datës 1 Qershor do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin dhe do të hapen çerdhet e kopshtet, një seri aktivitetesh dhe kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin e detyruar dyjavor dhe duke e vendosur atë vetëm për raste specifike.

“Nisur nga vlerësimi epidemiologjik deri tani, në konsultim me Komitetin Teknik është vendosur që të ndjekim planin e miratuar në strategjinë e rihapjes dhe nga data 1 qershor lejohet lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin, në të gjitha qytetet dhe qarqet e vendit”, tha Ministrja.

Po ashtu, ajo se rihapen çerdhet dhe kopshtet publike dhe private duke zbatuar protokollet e sigurisë të miratuara.

“Nga 1 qershori kufijtë tokësorë, duke pezulluar karantinimin dyjavor, si një masë e cila është ndjekur nga vendet europiane. Masa e vendosjes së karantinës dyjavore do të mbetet si masë në raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas kritereve të përcaktuara nga ECDC – Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve”, tha ministrja.

Po ashtu, Manastirliu theksoi se “nga data 1 qershor plazhet do të jenë të hapura, nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt”.

“Plazhet sipas zonave të miratuara do të jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një Autoritet i Përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe do të administrojë lejet për vendosje të pajisjeve të plazhit nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçantë për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjieno-sanitare në plazhe. Ndaj ftojmë të interesuarit të zbatojnë procedurat e publikuara, duke informuar së çdo kush që shkel rregullat në plazh do të penalizohet”, tha Ministrja.

Po ashtu ajo theksoi se nga data 1 qershor do të lejohen kampionatet sportive, pa praninë e publikut. “Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit sipas protokolleve të sigurisë, si dhe palestrat sipas protokolleve të miratuara”, tha ajo.

Ndërkohë, Manastirliu tha se “do të vijojë të jetë i mbyllur transporti publik, për të cilin po punohet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transporteve për një plan i cili do të bëhet publik në një kohë të shpejtë”.

Po kështu, ajo theksoi se “do të vijojnë të jenë të ndaluara, aktivitetet kulturore, kinema, teatër, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferenca, dëgjesa publike, tubimet e çdo lloji, duke bërë dhe një thirrje për të mos pasur përsëritje të grumbullimeve masive, efektet e të cilave do të ishin shumë të dëmshme”.

Manastirliu bëri thirrje për më shumë përgjegjshmëri për të gjithë aktorët, palët politike, organizatat, që të mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe të mos rrezikojnë duke thyer rregullat në një kohë kur virusi nuk është zhdukur dhe ku grumbullimet publike favorizojnë përhapjen e tij, në një kohë që çdo grumbullim, lëvizje dhe destinacion nëse konsiderohet jo i domosdoshëm të vlerësohet për t’u kryer në kohë apo forma të tjera të komunikimit. /atsh

Nga 1 qershori lejohet lëvizja në të gjithë territorin/ Hapen kufijtë tokësorë pa vetëkarantinim, nisin punën kopshtet e çerdhet Read More »

Risitë e maturës shtetërore/ Vrapi: Mësuesit dhe stafi i trajnuar, tre provime me detyrim dhe një me zgjedhje

“Të gjithë mësuesit dhe stafi që do të administrojë procedurën e maturës shtetërore është tashmë duke u trajnuar për të menaxhuar sa më mirë këtë proces, ndërsa maturantët janë njohur me temat me të cilat do ndeshen gjatë testeve, që këtë sezon do të jenë të gjitha me alternativa”.

Gjatë një interviste televizive, drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) Rezana Vrapi, tha sot se “shëndeti i maturantëve është kryefjalë e punës.

“Është bërë dezinfektimi të gjitha ambienteve arsimore dhe kontrollet përkatëse pasi për ne shëndeti i maturantëve është në plan të parë dhe nuk ka arsye për trembje as nga ana e prindërve, as nga ana e maturantëve. Ambienti në shkollë është shumë më i sigurt sesa ambiente të tjera, qoftë në rrugë, lokale apo të tjera”,- tha Vrapi.

“Janë shumë pak maturantë në një klasë, vetëm 10 të tillë, në distancë goxha të madhe nga njëri-tjetri, korridoret janë të zbrazura. Shkolla është mjedisi më i sigurt në këto momente sesa kudo tjetër”,- vijoi Vrapi.

“Që një maturantë të quhet i diplomuar në arsimin e mesëm dhe të ketë përfunduar arsimin e mesëm ka katër provime. Tre janë me detyrim dhe një është me zgjedhje. Vitin e kaluar bëmë një ndryshim, ku testi nga 50 pikë, kaloi me 60 pikë dhe këtë vit do të vazhdojë me 60 pikë. Ndërkohë për t’u quajtur kalues, ky është një nga ndryshimet e maturës 2020, duhet që maturanti të ketë arritur të grumbullojë 25% të totalit të pikëve, pra 15 pikë nga 60 pikë të mundshme. Ky është një vendim i marrë përpara se të vinte pandemia, pra nga që prej muajit tetor apo nëntor të vitit 2019. Pra u vendos që të ketë një rritje të pikëve dhe të kuotës së kalimit, duke e kaluar nga 10 pikë në 15 pikë dhe kështu do të mbetet pavarësisht pandemisë së COVID-19”,- tha Vrapi.

“Kjo formë e testimit është vendosur që vitin e shkuar, që veç fletës së testit do kemi dhe fletën e përgjigjeve. Vitin e shkuar, prezantuam një test me 20 pyetje me alternativë, nga 34 në total. Për të bërë të mundur korrigjimin e tyre në mënyrë digjitale u paraqit që vjet një flet përgjigje si lehtësim për procesin e korrigjimit, këto pyetje nuk korrigjohen më manualisht nga ana e korrigjuesve, siç ka ndodhur që pas vitit 2006 deri në vitin 2018, por në mënyrë digjitale. Kështu rritet pra besueshmëria, ulet kosto, shpejtohet koha etj. Nuk ka asnjë ndryshim në raport me vitin e shkuar, kjo pra nuk do jetë hera e parë që ka një fletë përgjigje edhe përgjigja është e vlefshme tek fletë përgjigja, pasi kjo skanohet, jo fleta e testit”,- nënvizoi Vrapi.

“Fletëpërgjigja, kërkon vetëm 10 minuta për t’u plotësuar nga ana e maturantëve dhe sigurisht ka disa elementë sigurie. Patjetër koha është totalisht e kontrolluar dhe duke qenë që testi nuk hyn dot në skaner, fletë përgjigja merr një rëndësi shumë të madhe dhe prandaj kujdesi ynë, informacioni jonë ka qenë që maturantët të njihen me fletë përgjigjen, që i është dërguar që ditën e hënë dhe informacioni është i plotë dhe në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) dhe kushdo që na e ka kërkuar, e ka marrë. Ata janë të njohur me formatin e fletë përgjigjes, me disa udhëzime se si duhet ta plotësojnë”,- tha Vrapi.

“Janë tre identifikime, emër, mbiemër, atësi, ka një bar kod testi të printuar nga QSHA, pra ne kemi hequr sekretuesin nga salla e provimit, për arsye sepse tashmë që testi skanohet nuk ka korrigjues, nuk identifikohet dot testi, kështu që nuk e shikojmë të arsyeshme që në sallën e provimit të jetë një persona që shkon dhe vendos bar kode. Nisur nga përvoja e shumë viteve, na ka ndodhur që bar kodet të vendosen edhe gabim, duke sjell dhe problematika si kohë gjatja e daljes së përgjigjeve të testit. Gjithashtu kanë qenë rreth 600-700 persona që vendosnin bar kodet, që tashmë nuk do jenë, dhe nga krahu tjetër përmes kësaj praktike nuk humbim asnjë elementë sigurie, sipas elementëve që përcaktohen dhe nga vendet e tjera në BE”,- tha Vrapi.

Ajo shtoi se kanë nisur trajnimet.

“Rreth dy javë më parë QSHA dhe Drejtoria e përgjithshme e arsimit parauniversitar përcaktuan mësuesit me të gjitha elementët dhe gjithçka do ndodhte nga momenti që nxënësit do kthehen-in në klasë, provimi, kohën dhe të gjitha elementët e tjerë. Tani po zhvillohet trajnimi pjesë pjesë i gjithë stafit që do administroj procesin e testeve deri tek i fundit. Provimi i parë më 8 qershor, i fundit do të jetë më 18 qershor, nis me lëndën e gjuhës së huaj dhe përfundon me lëndën me zgjedhje”,- tha ajo.

“Në udhëzimet dhe trajnimet janë paracaktuar të gjitha hallkat, që në momentin që maturantët do të shkojnë në shkollë, forma si do thirren, ndalohet kategorikisht celulari në sallë, për arsye se rregullorja është shumë e qartë dhe nëse konstatohet se një maturantë ka futur celular, menjëherë përjashtohet nga provimi dhe s’do ketë të drejtë që gjatë një viti të futet në provim, pra humbet një vit. Nga ana tjetër do të mbahen 10 vetë në klasë, duke respektuar distancë, ashtu siç po bëhet edhe tashmë. Njëkohësisht është përcaktuar dhe procedura e futjes dhe daljes në provim e tyre, ku do jenë me patjetër dezinfektantët, maskat…etj Shëndeti i tyre është parësor dhe më pas vijnë të tjerat”,- tha Vrapi.

“Tashmë dihet sasia e temave janë pjesë e programit të maturës shtetërore. Maturantët janë njohur me programin, ku janë informuar dhe për heqjen e një sërë temash që lidhen dhe me periudhën e pandemisë. Testi ka nivelin e caktuar të vështirësisë, të ndarë në tre nivele, niveli 1, 2, 3, sipas aftësive të maturantit. Ka pyetje të nivelit të lartë, ky maturantët të cilët nuk kanë përgatitjet e duhura nuk arrijnë ti plotësojnë të gjitha nivelet dhe me radhë. Qëllimi është të mos ketë kohë të tepërt, ato që janë shumë të mirë e plotësojnë testin brenda kohës së nevojshme. Duhet llogarit dhe 10 minutëshi në fund për plotësimin e flet-përgjigjes”,- përfundoi Vrapi. /atsh

Risitë e maturës shtetërore/ Vrapi: Mësuesit dhe stafi i trajnuar, tre provime me detyrim dhe një me zgjedhje Read More »

Kopshtet dhe çerdhet hapen nga 1 qershori, protokoll masash për prindërit dhe stafin

Kopshtet dhe çerdhet do të hapen duke nisur nga 1 qershori dhe pas më shumë se dy muajsh, fëmijët do t’i kthehen aktiviteteve të tyre ditore, ndërkohë që institucionet do të zbatojnë masat e reja të nevojshme, të vendosura për parandalimin e COVID-19.

Protokolli i specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik ka përcaktuar rregullat që duhet të ndiqen nga të gjitha palët, si nga ana e personelit, ashtu edhe nga fëmijët dhe prindërit.

Në hyrje e në dalje të institucionit do të vendoset higjienizues për duart në trajtë solucioni me përmbajtje aktive të alkoolit 60%. Ai duhet të jetë gjatë gjithë kohës i pranishëm në mënyrë që fëmijët të pastrojnë duart kur të vijnë dhe kur të ikin.

Ndërkaq, fëmija do të shoqërohet nga një prind i cili do të qëndrojë jashtë ambienteve të institucionit dhe pret në distancë 1/5 metra nga prindërit e tjerë për ta dorëzuar fëmijën tek personeli i çerdhes.

Disa prej masave të marra janë:

– Kopshtet dhe çerdhet do të hartojnë një grafik për sjelljen e marrjen e fëmijëve në këto institucione. Prindërit duhet ta respektojnë me përpikëri.

– Në hyrje e në dalje të institucionit do të vendoset një higjienizues për duart në trajtë solucioni me përmbajtje aktive të alkoolit 60%. Ai duhet të jetë gjatë gjithë kohës i pranishëm në mënyrë që fëmijët të pastrojnë duart kur të vijnë dhe kur të ikin.

– Fëmija do të shoqërohet nga një prind i cili do të qëndrojë jashtë ambienteve të institucionit dhe pret në distancë 1/5 metra nga prindërit e tjerë për ta dorëzuar fëmijën tek personeli i çerdhes.

– Rekomandohet që fëmija të shoqërohet nga prindi, jo gjyshërit.

– Fëmija do të pritet dhe shoqërohet nga një edukatore e cila e merr fëmijën në hyrje të kopshtit.

– Çdo ditë fëmijës do i matet temperature me termometër digjital.

– Dera e institucionit qëndron e mbyllur kur fëmijët janë brenda, ndërsa dritaret të hapura për ajrosje.

– Nëse fëmija shfaq temperaturë njoftohet prindi për ta marrë menjëherë.

– Fëmijët e një grupi do të qëndrojnë në të njëjtën sallë çdo ditë dhe me të njëjtën edukatore.

– Rekomandohet të mos kryhet asnjë aktivitet jashtë ambienteve të kopshtit.

– Fëmijët do të qëndrojnë në distancë nga njëri-tjetri (p.sh rreth një tavoline me 10 karrige të ulen 5 fëmijë).

– Të kryhet dezinfektimi i çdo dhome çdo ditë.

– Pas largimit të fëmijëve të kryhet pastrimi i sipërfaqeve dhe orendive me lëndë dezinfektuese

– Lodrat të cilat nuk mund të dezinfektohen nuk duhet të përdoren.

– Rekomandohet mos të organizohen festa ditëlindjesh

– Të vendosen postera informues.

– Të ketë ujë të rrjedhshëm, sapun të lëngshëm, letra për fshirjen e duarve.

– Sanitaret të kenë gjithë kohës maska dhe doreza.

– Personeli që përgatit ushqimin duhet të mbajë gjithmonë maskë.

– Drejtuesi duhet të pajisë stafin me maska, doreza, solucione dezifektuese.

– Nëse stafi ka probleme shëndetësore do njoftohet njësia vendore e kujdesit shëndetësor./atsh

Kopshtet dhe çerdhet hapen nga 1 qershori, protokoll masash për prindërit dhe stafin Read More »

Rikthimi i maturantëve në shkolla/ Vlorë, vijon respektimi i masave ndaj COVID-19

Stafi infermieror i Sektorit të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Vlorë së bashku me punonjësit e qendrave shëndetësore vijojnë monitorimin e gjendjes shëndetësore të maturantëve dhe zbatimit rigoroz të protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Gjatë ditës së sotme punonjësit e shëndetësisë në Vlorë ishin pranë maturantëve të shkollave të mesme “Perla”, “Elite”, Shkolla Tregtare, “Qemal Ataturku” dhe “Ali Demi”.

Ata i informuan maturantët mbi mbajtjen e higjienës personale, larjen e duarve dhe dezinfektimin e objekteve që prekin me shpesh.

Po ashtu i këshilluan të ruajnë distancimin social si një tjetër mënyrë e parandalimit të përhapjes së COVID-19, që do të thotë shmangia e vendeve të populluara dhe mbajtja e largësisë nga njëri-tjetri.

Stafi mjekësor realizoi edhe termometrimin e çdo nxënësi për të evidentuar çdo problematikë shëndetësore. Ata i këshilluan nxënësit të zbatojnë rregullat për të parandaluar përhapjen e infeksioneve respiratore si COVID-19./atsh

Rikthimi i maturantëve në shkolla/ Vlorë, vijon respektimi i masave ndaj COVID-19 Read More »

4200 maturantët e 35 shkollave profesionale në vend rinisën mësimin në klasa

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj njoftoi se, 4200 maturantët e 35 shkollave profesionale në mbarë vendin rinisën sot procesin mësimor në klasa, i ndërprerë për shkak të situatës së shkaktuar nga COVID-19.
Mësimi do të zhvillohet për një periudhë trijavore.
Synimi kryesor është dhënia e mundësisë për një përgatitje të plotë nxënësve për mbarëvajtjen e provimeve shtetërore.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë garanton nxënësit, por edhe prindërit se stafet pedagogjike do t’i përgjigjen me profesionalizëm çdo nevoje, që do të kenë nxënësit e klasave të 13-ta për ta kaluar këtë sfidë së bashku me sukses”, shprehet Denaj.
Sipas Denaj, për të gjithë nxënësit e klasave të tjera mësimi në distancë do të vijojë normalisht deri në fund të muajit maj. /atsh

4200 maturantët e 35 shkollave profesionale në vend rinisën mësimin në klasa Read More »

31 mijë maturantë rikthehen në klasa të hënën/ 490 shkolla në dispozicion, ja masat e distancimit fizik

Drejtoresha e përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Zamira Gjini, deklaroi sot se ”31 mijë maturantë do të kthehen në shkollë për të zhvilluar orë mësimi për 4 lëndët që i kanë provime të Maturës Shtetërore – matematikë, letërsi, gjuhë e huaj dhe lënda e provimit me zgjedhje, ndërsa janë marrë masat për të garantuar distancimin fizik dhe kushtet e higjienës”.

Në një intervistë televizive duke folur rreth kushteve dhe procedurave që do të ndiqen ditën e hënë për rifillimin e mësimit në shkolla, Gjini tha se “janë vënë në dispozicion 490 shkolla, të cilat janë dezinfektuar në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor për të qenë të gatshme për maturantët”

“Për të garantuar distancimin fizik dhe kushtet e higjienës autoritetet kanë vënë në dispozicion edhe shkollat 9-vjeçare. Nuk do të jenë vetëm godina të shkollave të mesme, por edhe 9-vjeçare, kjo për të krijuar që në klasa bankat të vendosen me largësi nga 2 metra dhe që numri i maturantëve në klasa të jetë në 10-12 nxënës”, – nënvizoi Gjini.

Sipas saj, është hartuar orari mësimor dhe janë bërë shpërndarjet e nxënësve.

“Në çdo bankë nxënësit do të kenë dezinfektantë, maturantët do të duhet të zbatojnë një rregullore të rreptë të hartuar nga drejtoritë e shkollave dhe autoritetet e shëndetësisë, në këtë rregullore është përcaktuar mënyra e lëvizjes në korridore, si do të qëndrojnë klasa apo dhe mjedise të tjera të shkollës. Maturantët janë të detyruar duhet ta zbatojnë rregulloren në mënyrë që të gjithë të jenë të sigurt”, – theksoi drejtoresha Gjini.

Duke folur për numrin e mësuesve për ndarjen e re, Gjini u shpreh se “për shkollat që nuk kanë numër të shumtë maturantësh nuk është problem, ndërsa për ata që kanë numër të madh maturantësh janë angazhuar të gjithë mësuesit e shkollës së asaj lënde në mënyrë që të mbulohen të gjitha orët mësimore për përsëritje për të gjitha lëndët që janë provime të Maturës Shtetërore”.

“Nga 18 maji deri më 5 qershor maturantët do të kenë mundësi të ripërsërisin lëndët e provimeve, të jenë në kontakt me mësuesit për të përsëritur konceptet dhe njohuritë kryesore të programit që do të kenë në maturën shtetërore”, – u shpreh Gjini.

Provimet e maturës zhvillohen nga data 8 qershor deri më 18 qershor dhe do të jenë 2 orë, ndërsa testet me alternativa. /atsh

31 mijë maturantë rikthehen në klasa të hënën/ 490 shkolla në dispozicion, ja masat e distancimit fizik Read More »