Aktualitet

Rama ka 127 mijë ndjekës në Instagram, por ai ndjek vetëm një.

[sgmb id=”1″]

Kryeministri Edi Rama nuk është aktiv vetëm në Twitter dhe në Facebook, por edhe në rrjetin e tij social Instagram .

Ajo çfarë bie në sy sapo hap profilin kryeministrit është se ka 127 mijë ndjekës por ndjek vetëm një përdorues.

Dhe bëhet fjalë për Dezeen, revistë që merret me akitekturë dhe dizanjim.

Rama ka 127 mijë ndjekës në Instagram, por ai ndjek vetëm një. Read More »

Uji para apo pas ushqimit?

[sgmb id=”1″]

A keni menduar ndonjëherë se si është më lehtë ta konsumoni sasinë e rekomanduar e ujit?

Një numër i madh i njerëzve e neglizhojnë konsumimin e ujit. Kur u tërhiqet vëmendja për këtë, ata hutohen dhe nuk mund t’ia gjejnë dot vendin në programin e tyre të të ushqyerit.

Edhe pse në shikim të parë nuk duket e rëndësishme koha e konsumimit të ujit, ajo mund të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në tretjen dhe absorbimin e ushqyesve, dhe madje edhe në oreks.

Pirja më e mirë e ujit është në temperaturën e dhomës.

Nëse gjatë ditës hani shumë racione ushqimi, është më së miri që uji të konsumohet 15 deri në 30 minuta para çdo vakti, shkruan “Men’s Health”.

Në këtë mënyrë nuk do të ndikojë në tretjen përmes zbutjes së enzimave digjestive dhe në qoftë se bëhet fjalë për dietën reduktive, uji mund të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në reduktimin e oreksit.

Është e zakonshme që para se të ndiheni të uritur ta pini një gotë të madhe me ujë dhe të shikoni nëse ka qenë fjala për etjen.

Në qoftë se përdoret uji i ambalazhuar, duhet t’i kushtohet vëmendje përbërjes së tij. Uji i tillë duhet të ndryshohet çdo javë dhe nuk duhet vazhdimisht ta pini llojin e njëjtë të ujit.

Uji para apo pas ushqimit? Read More »

SHQIPËRIA “BIE NË DEPRESION”!

[sgmb id=”1″]

Mungesa e mundësive për rritjen e mirëqenies, tranzicioni i zgjatur dhe mospasja e perspektivës e kanë thelluar depresionin në shoqërinë shqiptare. Importet e medikamenteve antidepresive Loram dhe Xanax u rritën me ritme dyshifrore në vitin 2016. Mjekët pohojnë se, numri i të prekurve është shtuar ndjeshëm tre vitet e fundit. Vrojtimi i Monitor në 20 farmaci tregon për përhapje të sëmundjes në mosha më të reja. Vetëvrasjet janë shtuar. Ja kostot që krijohen nga sëmundja në zhvillimin ekonomik dhe rrugët për daljen nga gjendja

Nga Blerina Hoxha

Arjana Rreli është një psikiatre me përvojë të gjatë pune, por vitin e kaluar u përball me një klientelë jo të zakontë. Biznesmenët kishin qenë pacientë të rrallë më parë, po dy vitet e fundit janë shtuar. “Siç duket, punët nuk po iu shkojnë mbarë”, pohon Arjana, e cila zotëron me kompetencë profesionin e saj dhe është më e rezervuar për shkaqet që kanë çuar në ankth të pasurit. Ky konstatim i Rrelit vjen në akordancë me një aksion masiv kundër informalitetit në ekonomi, që në muajt e fundit të 2015-s dhe pjesën e parë të 2016-s, ishte tejet agresiv. Të gjendur përballë situatave të paparashikuara, që mund të sillnin edhe dënimin me burg, shumë biznesmenë kanë rënë pre e ankthit dhe depresionit, aq sa kanë zënë edhe dyert e spitaleve dhe klinikave të specializuara.

Kjo gjendje stresi dhe ankthi, që është shtrirë me shpejtësi edhe në shtresa të tjera të popullatës, i ka dhënë drejtim tjetër zhvillimit ekonomik të vendit. Bizneset po hezitojnë të investojnë dhe konsumatorët shmangin blerjet e mëdha.Radha në Qendrën e Shëndetit Mendor në Tiranë është e gjatë që në orët e para të ditës. Burra, gra të reja, nëna, pleq presin të çelet dera e psikiatrit.

Numri i pacientëve që kërkojnë shërbimet mjekësore është rritur tre vitet e fundit, por doktoresha pohon se situata në realitet është edhe më e rëndë, pasi shoqëria ende nuk ka kulturën e mjaftueshme për të marrë diagnozë te mjeku dhe më pas trajtimin e nevojshëm. Rreli thotë se një shoqëri e stresuar minimalisht nuk është produktive dhe krijon predispozitë për të përthithur edhe pjesën tjetër të shëndoshë të popullatës. Depresioni është ndër sëmundjet më të kushtueshme, me ndikime negative zinxhir në ekonomi.

E lodhur nga tranzicioni i gjatë, krizat politike dhe ekonomike që nuk po ndahen dhe me pak mundësi në sfond, shoqëria shqiptare është duke përjetuar një gjendje të thelluar të stresit. Konfirmimi vjen nga rritja dramatike e konsumit të medikamenteve kundër depresionit.

Sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit. Më 2016 u zhdoganuan 195,137 pako Loram (2.5 miligramë) nga 167,000 më 2015, me një rritje vjetore 18%. Me ritme dyshifrore (11%) janë rritur edhe importet e Xanax-it dhe rritje 6% edhe ato të Ciltolex-it. Burimet në dogana pohojnë se ritmet e rritjes së importeve të këtyre medikamenteve kanë qenë të larta në dy vitet paraardhëse.

Zhdoganimet e antidepresivëve
Sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit. Më 2016 u zhdoganuan 195,137 pako Loram (2.5 miligramë) nga 167,000 më 2015, me një rritje vjetore 18%. Me ritme dyshifrore (11%) janë rritur edhe importet e Xanax-it dhe rritje 6% edhe ato të Ciltolex-it.

Farmacitë: Konsumi i antidepresivëve, në rritje të shpejtë
‘Monitor’ ushtroi një vrojtim në të paktën 20 farmaci në rajonin Tiranë-Durrës, 18 prej të cilave pohuan njëzëri se është rritur konsumi i antidepresivëve, ndërsa 2 refuzuan përgjigjet. Në Tiranë, farmacitë e pyetura ishin në zonën e spitaleve, Medresesë, Siri Kodrës, 5 Majit dhe në zonën e Bllokut. Pothuajse të gjitha njësitë e shitjes së medikamenteve pohuan se është shtuar konsumi nga moshat 25-40 vjeç. Loram-i, një medikament popullor kundër shenjave të para të stresit dhe depresionit që në Shqipëri konsumohej më së shumti nga të moshuarit me Parkinson dhe Alzhaimer, tani po merret nga moshat e reja, pohojnë farmacistët. Shumica e tyre pohuan se këto medikamente po konsumohen nga kategori të shoqërisë që më parë nuk ishin klientë. Biznesmenë, punonjës të administratës, persona në vështirësi ekonomike, personat që jetojnë vetëm dhe adoleshentët janë klientët e rinj të antidepresivëve, pohojnë farmacistët. Ata shtojnë se ka një numër të madh personash që kërkojnë të blejnë pa recetë qetësues për gjumë, si Diazepam etj.

Gjithashtu shumica e farmacive të pyetura pohuan se është shtuar numri i të rinjve që konsumojnë antidepresivë. Ka rritje të numrit të rasteve nga të rinjtë që konsumojnë hashash, efekti i të cilit në disa persona është gjendja e depresionit. Kështu që përdoruesit e hashashit, në një masë të konsiderueshme, po përjetojnë përkeqësim të shëndetit mendor e për pasojë, po konsumojnë më shumë antidepresivë. Farmacitë në rajonin e Durrësit pohuan kryesisht fenomenin e depresionit nga përdoruesit e hashashit. Ndërsa njësitë e shitjes së ilaçeve në Tiranë pohuan se konsumatorët e antidepresivëve janë më së shumti të ardhurit në Tiranë, të cilët gjenden nën presionin e ndryshimit të kushteve të jetesës dhe përshtatjes me kultura të tjera.

Alban Ylli, mjek ekspert në Institutin e Shëndetit Publik, tha se depresioni është sëmundje e nëndiagnostikuar në Shqipëri për shkak të mungesës së kulturës për trajtim që ka shoqëria jonë. Ai tha se mbetet shumë shqetësues fakti që kjo kategori personash nuk u drejtohet mjekëve specialistë dhe tentojnë mjekim amator pa recetën e mjekut. Ylli vuri në dukje se konsumi i qetësuesve pa recetë është shumë i lartë dhe se të prekurit nga depresioni e përkeqësojnë edhe më tej situatën, duke u trajtuar në këtë mënyrë. Përveçse me depresion, ata krijojnë varësi nga medikamenti, duke e bërë më pas mjekimin protokollar edhe më të vështirë.

Kostot ekonomike
Dy vitet e fundit, shqiptarët janë populli që kanë emigruar më së shumti në Europë, pas vendeve të Lindjes së Mesme që janë në luftë të tilla si Siria. Rreth 67 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil politik në vendet e Bashkimit Europian në vitin 2015, ndërsa gjatë vitit të kaluar, edhe rreth 29 mijë të tjerë.

Për dy vite, 4% e popullsisë së vendit ka tentuar të largohet vetëm në vendet e BE-së. Mjekët shpjegojnë se emigracioni është treguesi më i qartë se vendi është duke kaluar një situatë jo të mirë psikologjike. Doktoresha Rreli thotë se faktori ekonomik, përveç predispozitës biologjike, është ndër më kryesorët që krijon depresion. Ajo shton se sëmundjet e shëndetit mendor kanë kosto të shumëfishta në jetën ekonomike dhe sociale të një vendi. Një shoqëri që ka stres të shtuar dhe depresion, më e pakta që mund të ndodhë është mungesa e eficencës, d.m.th. e të bërit të gjërave mirë. Por nga ana tjetër, trajtimi i sëmundjeve mentale është i kushtueshëm. Këta persona kërkojnë angazhimin e shumë burimeve të tjera si njerëzore edhe materiale. Medikamentet që trajtojnë shëndetin mendor kushtojnë shumë, ndërkohë që depresioni nuk zgjedh. Në këtë këndvështrim, Shqipëria një vend i vogël, por me problematika të mprehta, nuk ka mjete të mjaftueshëm për të trajtuar me dinjitet këto kategori pacientësh që po shtohen çdo ditë e më shumë, – shton doktoreshë Arjana.

Studimet globale mbi depresionin kanë gjetur se, fenomeni është mjaft i përhapur në vendet në tranzicion. Sëmundja po vjen në rritje gjithnjë e më shumë. Organizata Botërore e Shëndetit ka gjetur se njerëzit e prekur nga çrregullimet mendore, kryesisht depresioni, kanë performancë të ulët në punë, sigurojnë pak të ardhura dhe kanë cilësi të ulët martese. Gjithashtu këto sëmundje bëhen shkak për invaliditet, vdekje më të hershme, shumica e të cilave janë vetëvrasje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i rendit çrregullimet depresive si faktorin e katërt që krijon aftësinë e kufizuar, por deri më 2020, OBSH vlerëson se depresioni do të jetë shkaku i dytë.Edhe pse të dhënat për prevalencën dhe kostot e depresionit nuk ekzistojnë për shumicën e vendeve, anketat psikiatrike janë kryer në shumë vende të zhvilluara, si dhe në një numër në rritje të vendeve në zhvillim dhe rezultatet tregojnë rritje të sëmundjes.

Kosto e sëmundjes dhe hulumtimet rreth saj kanë treguar se depresioni krijon një barrë të madhe ekonomike. Një studim i fundit tregon se depresioni i kushton SHBA-së 210 miliardë dollarë në vit. Sipas studimit, 40% e kësaj shume është kosto e drejtpërdrejtë që lidhet me depresionin, por shumica janë të lidhura me shëndetin mendor, të tilla si ankthi dhe stresi post-traumatik, si dhe për shkak të sëmundjeve të tjera apo çrregullime të gjumit dhe migrenës. Studimi ka gjetur se për çdo dollar të shpenzuar për trajtimin e depresionit, një shtesë 4.7 dollarësh ka shkuar në shërbime direkte apo indirekte, që lidhen me sëmundjen, 1.9 dollarë të tjera janë humbje që vjen si rezultat i kombinimit të faktorëve që lidhen me produktivitetin në punë dhe vetëvrasjet, që lidhen direkt me depresionin.

Të dhënat për sëmundjen kanë lidhje të drejtë me ciklin ekonomik të një vendi. Studimi për SHBA ka gjetur se në periudha të mira ekonomike, të sëmurët me depresion kanë më shumë mundësi për punësim dhe më shumë mjete në dispozicion për të shmangur faktorët e jashtëm që stimulojnë depresionin. Ndërsa është vënë re një prevalencë shumë e lartë e sëmundjes pas krizës ekonomike, ku mundësitë për punësim janë më të kufizuara. Studimi tregon se rritja e depresionit në një shoqëri ndikon në zinxhirin e të gjithë ekonomisë që nga konsumi deri tek investimet dhe prodhimi.

Kostot sociale
Fenomenet sociale që reflekton një shoqëri në depresion lidhen me cilësinë e ulët të martesave, nivelin e lartë të divorceve dhe emigracionin e lartë, shpjegojnë mjekët.
Koeficienti bruto i martesave në Shqipëri ka pasur luhatje përgjatë viteve 2001-2015, nga një vlerë minimale 6,9 në vlerë maksimale 9,0 martesa për 1.000 banorë. Viti 2015 karakterizohet nga 8,7 martesa për 1.000 banorë. Divorcet kanë shënuar një rritje drastike nga viti 2001 në vitin 2015, përkatësisht nga 9,6 në 21,0 divorce për 100 martesa. Viti 2015 shënon vlerën dhe normën më të lartë të divorceve ndër vite, përkatësisht 5.255 divorce dhe 21,0 divorce për 100 martesa.

Ndërsa burimet nga QSUT pohojnë se janë rritur ndjeshëm rastet e tentativave për t’i dhënë fund jetës, në mënyra të ndryshme, sidomos helme. Madje fenomeni është shtuar dukshëm tek adoleshentët, aq sa qendra spitalore më e madhe në vend ka shtuar kapacitetet e trajtimit me mjekë dhe shtretër.

Numri i vetëvrasjeve, tre herë më i lartë se ai i vrasjeve

Depresioni në shkallën e tij më të lartë i çon në vetëvrasje ata që vuajnë. Psikiatrikja Arjana Rreli thotë se numri i vetëvrasjeve dhe sidomos tentativave për të kryer aktin është rritur.

Opinioni publik në vendin tonë është mësuar të konsiderojë vdekje nga vrasjet rastet kur personat marrin jetën e njëri- tjetrit, por pak kujt ja merrte mendja se numri i vetëvrasjeve është trefish më i lartë se numri i vrasjeve.Për vitin 2016 sipas të dhënave të INSTAT personat e vrarë nga të tjerët ishin 85 gjithsej, ndërsa personat që kishin vrarë vetën në të njëjtin vit ishin 235.

Vendet e tjera në Europë kur raportojnë statistikat e krimeve njoftojnë si numrin e vrasjeve dhe atë të vetëvrasjeve, por në Shqipëri nuk ekziston kjo praktike. Treguesit u zbardhen në mënyrë indirekte kur INSTAT raportoi javën e kaluar shkaqet e vdekjeve në Shqipëri.Sipas portalit më të madh global mbi statistikat e shëndetit, “Healthdata”, stresi dhe depresioni janë shkaktari i tretë për aftësinë e kufizuar në Shqipëri, sipas të dhënave të vitit 2015. Rregullimet nga depresioni që janë bërë shkak për aftësinë e kufizuar janë rritur me 9.3% në vitin 2015 në krahasim me 2005. Por ndërkohë sëmundja është e nëntrajtuar dhe e nëndiganostikuar. Ekspertët e ISSH pohojnë se nuk ka një regjistër kombëtar mbi nivelin e sëmundjeve që kanë lidhje me shëndetin mendor. Të dhënat referohen me mesatarizime.

Në vendin tonë, niveli i vdekshmërisë nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në vitin 2010 ishte 5.3 për 100,000 banorë te meshkujt dhe 2.3 për 100,000 banorë te femrat. Në të dy gjinitë, niveli i vdekjeve nga këto çrregullime u rrit gradualisht nga viti 1990 në 2010, sidomos te meshkujt, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik.Niveli i standardizuar në total i vdekjeve nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në Shqipëri në vitin 2010 (3.6 vdekje për 100,000 banorë) ishte i krahasueshëm me atë të Malit të Zi dhe Greqisë, por më i ulët se i Serbisë, Sllovenisë, dhe sidomos Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Në fakt, në Bosnjë-Hercegovinë dhe Slloveni, niveli i vdekjeve nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes ka mbetur praktikisht i pandryshuar në dy dekadat e fundit (në Slloveni: 5.9 dhe 5.8 respektivisht në vitin 1990 dhe 2010, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë: 8.3 dhe 8.5, respektivisht).

Kanabisi, si shkak shtesë
Nga vrojtimi i farmacive doli në dukje fakti se shumë të rinj përdorues të hashashit po japin shenja në rritje të depresionit. Përdorimi kronik i bimës krijon efektet e depresionit në disa raste, prandaj të prekurit kanë nisur mjekimin me antidepresivë.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, krahasuar me vitin 2011, në vitin 2015 u vu re një rritje e prevalencës së konsumit të marijuanës të paktën një herë në jetë me 2.2 pikë përqindje në tërësi (nga 4.4% në 6.6%) dhe për çdo grup në studim. Krahasuar me vitin 2011, në vitin 2015 rritja ishte më e madhe te nxënësit e shkollave tekniko-profesionale (me 7.8 pikë përqindje), nxënësit e shkollave private (me 3.8 pikë përqindje) dhe te djemtë (me 3.5 pikë përqindje).

ISHP analizon se përdorimi i kanabisit nga të rinjtë është i lidhur me një numër problemesh shëndetësore, duke përfshirë rritjen e rrezikut për lëndime, sëmundje kronike, depresion dhe probleme të tjera të shëndetit mendor. Përdorimi i kanabisit lidhet me faktorë të tillë si deprimimi ekonomik, mjedisi rrethues, koha e gjatë që kalohet me bashkëmoshatarë që janë përdorues të drogës, si dhe mbikëqyrja e paktë nga prindërit.

Studimi i ISHP në vitin 2015 ka nxjerrë në pah se, përdorimi i rregullt i marijuanës ishte në mënyrë domethënëse më i lartë në shkollat tekniko-profesionale (2.7%) dhe social-kulturore e gjimnazet (1.3% secila vs. 0.9% në klasat e 9-ta), në shkollat private (1.9% vs. 1.1% në shkollat publike), shkollat urbane (1.4% vs. 0.7% në shkollat rurale) dhe pothuajse i njëjtë në shkollat e Tiranës vs. shkollat e rretheve të tjera (1.1% vs. 1.2%, përkatësisht). Këto tendenca janë të ngjashme me ato të raportuara në vitin 2011, me përjashtim të shkollave të Tiranës vs. rretheve të tjera, të cilat në vitin 2011 kishin një diferencë prej 0.5 pikësh përqindje në favor të shkollave të Tiranës.ISHP referon se në vitin 2015 bie në sy ulja e përdoruesve rastësorë “1-2 herë në muaj” dhe rritja e përdoruesve të shpeshtë të marijuanës, dhe tek vajzat këto tendenca janë më të theksuara, krahasuar me vitin 2011. Për shembull, midis atyre që përdorën marijuanë në vitin 2015, 9.7% e djemve dhe 25% e vajzave e përdorën atë në 40 raste ose më shumë gjatë muajit të fundit (krahasuar me 11% dhe 12.5%, përkatësisht në vitin 2011). Kurse përdoruesit rastësorë u ulën me 12 dhe 29.5 pikë përqindje tek djemtë dhe vajzat përkatësisht në vitin 2015, krahasuar me vitin 2011

Si po rritet fenomeni
Depresioni është një problem shëndetësor shumë i shpeshtë në popullatë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, vlerësohet se rreth 1 në 4 persona vuajnë nga depresioni të paktën një herë në jetën e tyre. Për fat të keq, ky problem nuk trajtohet si sëmundjet e tjera, por rrethohet nga stigma. Për një kohë të gjatë, depresioni në vendet komuniste është konsideruar gabimisht si shenjë e dobësisë së karakterit.Gjithmonë e më shumë vërehet se depresioni rrit rrezikun për sëmundje të tjera të rëndësishme, si sëmundjet kardiovaskulare.

Në Shqipëri, përhapja e depresionit në popullatë është shumë më e madhe sesa mund të vlerësohej nga rastet e diagnostikuara në shërbimet shëndetësore. Kështu, Studimi Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri (ADHS) i vitit 2009 nuk identifikonte më shumë se 2% të popullatës 15-49 vjeç, si persona të cilët një mjek i kishte diagnostikuar me depresion. Në të vërtetë, prevalenca e problemit në popullatë është shumë herë më e madhe dhe shumica dërrmuese e individëve, të rinj apo të moshuar, vuajnë më gjatë dhe më rëndë nga ç’do të ndodhte nëse do të flisnin për të dhe do të merrnin trajtimin apo mbështetjen e duhur.

Ka dy studime të Institutit të Shëndetit Publik, që kanë mundur të matin përmasat e depresionit vitet e fundit në Tiranë, bazuar në metodologji të krahasueshme. Një studim me ndjekje 2012-2016 te një kampion (kohorte) të moshuarish dhe një studim transversal te një kampion të rinjsh të shkollave të mesme i vitit 2013.Nga kohorti prej rreth 400 të moshuarish, të ndjekur gjatë 5 viteve lidhur me shenjat e depresionit, vërehet se, pavarësisht një rënieje në vite, ai ngelet shumë i lartë krahasuar me popullata të tjera në vende të zhvilluara, por në disa raste ngelet më i lartë edhe në vende me zhvillim të ngjashëm ekonomik. Në vitin 2016, 1 në 4 të moshuar kishte probleme me depresionin. Femrat gjithmonë janë në rrezik më të madh për të vuajtur nga depresioni.Faktorë socialë rreziku për depresionin mes të moshuarve në Tiranë rezultojnë arsimi më i ulët dhe pamjaftueshmëria e të ardhurave, ndërsa mes faktorëve biologjikë, më të rëndësishmit janë prania e më shumë se dy sëmundjeve kronike. Rrjetet e dobëta sociale dhe familjare rritin gjithashtu rrezikun.

Studimi dëshmon një proporcion shumë të ulët (më pak se 5%) të angazhimit të të moshuarve në jetën sociale (përfshirje në shoqata, klube e organizata të tjera me natyra të ndryshme).Një studim i vitit 2013, që përdorte metodologji të ngjashme tek të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës (14-18 vjeç), tregonte se rreth 1 në 3 prej tyre paraqisnin shenja të depresionit. Sërish rreziku është shumë i madh mes femrave. Studimi tregoi se të rinjtë kanë ende shumë vështirësi për të komunikuar me profesionistët për çështje të lidhura me depresionin.

Ka tregues në vendin tonë që dëshmojnë se depresioni nuk menaxhohet mirë nga pikëpamja mjekësore në popullatë. Kështu, vërehet një nivel i lartë i përdorimit të anksiolitikëve pa kontrollin e mjekut (pa recetë), ndërkohë që përdorimi i medikamenteve antidepresive është minimal.

Programi i kontrollit bazë mjekësor 40-65 vjeç (i zgjeruar tashmë edhe në moshat 35-70 vjeç) përfshin mes të tjerash edhe një pyetësor të shkurtër për matjen e depresionit dhe kapjen e trajtimin e hershëm të tij nga mjekët e kujdesit parësor. Ndërkohë që programi po funksionon mjaft mirë me testet e tjera biologjike, nga një vlerësim i shpejtë pranë qendrave shëndetësore vërehet se shumica e personave nuk pranojnë ta kryejnë pyetësorin e depresionit, mesa duket për shkak të stigmës që e rrethon këtë sëmundje.Instituti i Shëndetit Publik thotë se ngelen prioritete të rëndësishme lufta kundër stigmës që rrethon depresionin, rritja e besimit mes komuniteteve dhe profesionistëve, integrimi i grupeve vulnerabël në shoqëri, shtimi i mundësive për një jetë më aktive etj.

SHQIPËRIA “BIE NË DEPRESION”! Read More »

JA VITAMINAT BAZË PËR LËKURËN…

[sgmb id=”1″]

Ushqimi që hani nuk duhet të jetë vetëm burim energjie, por duhet të sigurojë të gjitha vlerat ushqyese, mineralet e vitaminat. Ndonëse këto të fundit gjendet dhe në trajtë kapsulash, efekti është më i madh kur ato merren përmes dietës ushqimore.

Vitamina C

Shumica e njerëzve mendojnë se vitamina C është vetëm për forcimin e sistemit imunitar, por ajo që nuk dini është se kjo vitaminë nevojitet edhe për prodhimin e kolagjenit dhe mbron lëkurën nga rrezet e dëmshme ultraviolet.

Vitamina A

Kjo vitaminë ndihmon në parandalimin e puçrrave e shenjave kafe të fytyrës. Kjo vitaminë përshpejton qarkullimin e gjakut, duke hidratuar në nivel qelizor lëkurën ashtu si dhe minimizon prodhimin e yndyrës.

Vitamina E

Kjo është vitamina që mbron qelizat e lëkurës nga dëmtimet, cilado qofshin ato (nga toksinat, rrezet, etj). Kombinojeni këtë vitaminë me C-në dhe shtresa mbrojtëse e qelizave do të jetë maksimale.

Vitamina B2

Ju gjithashtu duhet të përfshini vitaminën B2 në dietën tuaj, veçanërisht nëse vuani nga lëkura e thatë dhe e acaruar. Kjo vitaminë e mban lëkurën të butë, të hidratuar dhe ndihmon frymëmarrjen qelizore. Ushqimet që përmbajnë vitaminë B2 përfshijnë vezë, brokoli, kërpudha, fasule , sojë, kos etj.

Omega-3

Acidet yndyrore Omega-3 ndihmojnë në mbrojtjen e membranës qelizore, sidomos kur jeni te ekspozuar ndaj rrezeve UV.

JA VITAMINAT BAZË PËR LËKURËN… Read More »

Si kërpudhat pas shiut, dyqanet e rrobave të përdorura po lulëzojnë në Vlorë prej kohësh.

[sgmb id=”1″]

Si kërpudhat pas shiut, dyqanet e rrobave të përdorura po lulëzojnë në Vlorë prej kohësh.

Të dhënat e INSTAT tregojnë për një rritje të fortë të importit të veshjeve të përdorura që prej 2012-s, ndërsa operatorët e vegjël në treg shtojnë se konkurrenca në këtë sektor është rritur shumë…

Një biznes, që po rinjeh lulëzim, në një periudhë që konsumi mbetet i tkurrur, është i ashtuquajturi “Gabi”.

Sipas të dhënave zyrtare, tregtia e rrobave të përdorura po njeh një zgjerim të vazhdueshëm që nga 2012, duke arritur nivelet rekord vitin e kaluar.

Për 2016-n, sipas të dhënave nga INSTAT, vlera e importeve të veshjeve të përdorura është rreth 2.8 miliardë lekë, apo rreth 20 milionë euro, me një rritje prej 13% krahasuar me një vit më parë.

Treguesit pohojnë se marzhi i qarkullimit të veshjeve të përdorura është tepër i lartë, duke bërë që tregu i pakicës të jetë minimalisht tre-katër herë më i lartë se vlera e mallit që hyn në doganë, çka bën që tregu i pakicës së Gabit të arrijë në 60-80 milionë euro në vit.

Operatorët në tregun e rrobave të përdorura operojnë duke blerë mallin me kilogramë dhe duke e shitur me copë, duke gjeneruar kështu marzhe të larta fitimi.

Çmimi për kilogramë për veshje të përdorura varion nga 400 lekë- 2000 lekë.

Sipas të dhënave nga INSTAT rreth 50% e tyre vijnë nga shteti fqinj Italia, por edhe nga vende të tjera si Kina, Gjermania dhe Turqia.

Biznesi i mallrave të përdorura (kryesisht veshje, këpucë, çanta) u zhvillua menjëherë pas viteve ’90 kur vërshuan ndihmat dhe që mori emrin popullor “Gabi”. Më pas, ritmi ra, teksa të ardhurat e konsumatorëve u rritën dhe preferencat u zhvendosën drejt veshjeve të reja.

Por vitet e fundit, tregtia e veshjeve dhe këpucëve të përdorura është “sofistikuar”, duke u zhvendosur nga rruga e fushat në dyqane të mirëfillta (që paguajnë taksa) dhe duke u bërë një prej bizneseve që po përfiton nga kriza.

Si kërpudhat pas shiut, dyqanet e rrobave të përdorura po lulëzojnë në Vlorë prej kohësh. Read More »

Degradon sherri mes deputeteve të PD-së dhe niveli i tyre mediokër (edhe pse janë pedagoge, s’dinë të shkruajnë as shqip)

[sgmb id=”1″]

Dy deputetet e Partisë Demokratike Albina Deda dhe Arbjola Halimi, të cilat u lanë jashtë listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 qershorit, u përplasën ashpër dje.

Deda është një nga zërat që mbështet kryetarin e ngrirë të PD-së Lulzim Basha, ndërsa nga ana tjetër Halimi është një nga zërat kundër Bashës.

“Sot perfundon fushata zgjedhore per kryetar te PD-se!

Nje muaj i shkelqyer elektoral i cili do reflektoje gjate si risi politike. Dy kandidate nga me potencialet me alternativa e fjalor oksidental. Kjo ka terbuar çakejte e kulisave brenda e jashte forces tone politike. Nje ndarje e heshtur e me zhurme mes dy boteve, dy doktrinave e dy praktikave.

U shtrua perfundimisht rruga e qarte ne PD e konkurimit te ndershem ku secili anetar ka vetem nje fuqi ideale:Voten. Por nje artileri primitive qe mbushet nga gryka si topat mesjetar te sulltanit nuk ka reshtur se gjuajturi fushaten tone dhe ne shenjester ishte zoti Basha pa perjashtuar dhe fyerje e presione pa fund per z.Selami i cili me qytetari e guxim konkuroi ne emer te vlerave te lirise per te cilat zaten dhe eshte krijuar PD-ja. Pas zgjedhjeve vjen gushti e me gushtin iken dhe vapa qe ka nxehur sulmuesit e sponsorizuar, atyre qe duket se ju tha uji ne aren e perfitimit te pamerituar! Vetem demokratet e thjeshte qendrestare e ruajten freskine e qetesine. Kjo kurore lavdie kurre nuk hoqi dore dhe nuk e linçoi PD-ne prej 27 vitesh. Respekti eshte pak dhe mirenjohja i shoqerofte keta fisnike te vertete. Ata vetem ata dhe jo Lefteret e Lefteriet jane shtylla kurrizore e PD-se. Te tjeret jane brumbuj, zvarranike qe zvarriten, zhaba kanalesh te zeza qe presin me padurim gjuetare per tju dhuruar kembet qe te fergohen ne tiganin e poshtersise.

Neser do heshtim e pasneser do votojme te lire duke shpresuar e punuar qe keshtu te votoje dhe gjithe Atdheu yne. Se demokracia nuk ka tjeter peshore dhe kandar pervec votes se lire. Atyre qe ne zgjedhje e sabotuan PD dhe zotin Basha, ketyre viktimave te zilise se vet do ju them se demokratet vertete humben nje pushtet por po fitojne pushtetin e vlerave. Se demokratet jane lisa dhe ju veç gjethe verdhacuke qe shkelen nen kembe te destinuara per tu bere pleh. E ne perfundim me kujtohet nje thenje monumentale filozofike e Niçes e cila ju dhurohet si kostum morti politik me 22 korrik:”Edhe gjethet e thata bejne zhurme po ti shkelesh”. Ne fakt ju bete zhurme biles deri ne bezdi por prape gjethe te rena ngeleni pa fat per riciklim dhe pa lavdi” shkruan Deda.

Ndërsa Halimi i shkruan: “E dashur Albine. Ne respekt te miqesise qe kemi do kisha dashur te heshtja. Mirepo gjuha e ashper dhe ofenduese qe u drejtohet te gjithe atyre qe nuk mendojne si ju, me shqetesoi thelle. Primitive eshte pikerisht kjo gjuhe. Njeriu i lire mund te zgjedhe te gjykoje si te doje, nuk ka perse kritikohet. Se kush eshte me demokrat kete do ta tregoje koha. Vetem se dicka do e them. Ata qe te duken ty sot si vigane, ndoshta nga vendi nga ai sheh, mund te jene brumbujt e vertete qe i rropen deri edhe kockat Partise Demokratike dhe nese kjo kushton per ta thene, pak rendesi ka. Njeriu frike ka vetem Zotin!”

Debatit i është bashkuar edhe deputetja tjetër e PD, Liljana Elmazi, i shkruan Arbjoles:

Liljana Elmazi: Arbjole, je perball me Edin e bandat e Cerrrikut ke respektin tim maksimal . ne jemi pedagoge dhe sna dha Buke PD e as na e heq , por njeriu ka dinjitet e ne respekt per veten time ,une snund t’ i lepihem asjujt , pra as Lulit , ai eshte” borxhli’ ndaj nesh per cfare kemi bere si deputete dhe vitet me pare! ndersa ne u kemi borxh demokrateve vlonjate, elbasanllinj e shqiptare pergjithesisht. Jam krenare qe kam perfaqesuar ata, edhe ti je ! Ne duam PD ! Kurre skemi qene ne pushtet as drejtore e as ministra. Ne ishim deputete te opozites dhe sbeme kurre kompromis me asnje e per asgje ! Partine nuk duhet ta leme ta marri peng askush, kushdo qofte ky, pra as kryetari as ish kryetari , as ish ministrat e askush. Ajo eshte e demokrateve te vertete! Rrofte PD e dhjetorit ,pa spiune ,sorroiste e hajdute !

Albina Deda: E dashur Arbjole! Nuk arrij ta kuptoj surprizimin dhe idhnimin tend deri ne palce nga opinioni im i cili nuk ka ndryshuar as para dhe as prapa kandidimit. Une e tille jam e vendosur dhe vendosmerine ma dikton geni. Asnje nuk me duket mbinjeri. Natyrisht qe pikpamjet e mia nuk ju pelqejne te gjitheve por nuk eshte as qellim te adaptohem me interesa e deshira qe nuk me pelqejne. Kam shkruar e do vazhdoj te shkruaj kunder atyre monstrave qe nga abuzimi i tyre shumvjecar me pushtetin u pasuruan dhe bene qe PD te katandiset ne pabesueshmeri publike. Ata sabotuan zgjedhjet dhe shiten per ego apo para shpirtin e tyre. Ty nuk te shoh ne ate kategori dhe as te mendoj. Eshte e drejta jote te mendosh ndryshe si dhe te nderpresesh miqesine tone por kujdes kur shkruan me mua si avokate e djallit…! Ata qe i kam permendur nominalisht jane gjalle fizikisht ndonese te vdekur moralisht e politikisht ndaj le te pergjigjen vete. Une dhe familja ime kemi vetem nje shtepi politike dhe ajo eshte Partia Demokratike. Si kodet moderne dhe ato zakonore me obligojne ta dua e mbeshtes pa kushte shtepine time. E di qe mund te kete me te bukura, joshese, iluzive apo reale por geni nuk ma lejon tradhetine.

Arbjola Halimi: Une me gjuhen e kisha gjithsesi. Sa per avokate djalli vazhdon te jete cinizem se sic e di une mbroj vetem drejtesine dhe respektin midis nesh.

Degradon sherri mes deputeteve të PD-së dhe niveli i tyre mediokër (edhe pse janë pedagoge, s’dinë të shkruajnë as shqip) Read More »

Drama e policit në luftë me kancerin: Shteti më ka harruar. Ku të mbytem? T’i vë flakën vetes?!

[sgmb id=”1″]

Çfarë duan këta, që të më dëgjojnë? Të hipi në majë të vinçit? T’i vë flakën vetes? Ku të shkoj të mbytem? Jam i harruar. I shkelur me këmbë. Jam i persekutuar”.

I kapluar nga dëshpërimi dhe pafuqia për të ndryshuar rrethanat në të cilat ndodhet, Petrit Nelaj bën thirrje publike për ndihmë, shkruan “Panorama”.

Është nga Vlora, 60 vjeç, dhe prej 10 vitesh punon në Policinë e Burgjeve, si inspektor në togën e shoqërimit të paraburgimit të këtij qyteti. Një vit e gjysmë më parë, Petriti është operuar nga një tumor në fshikëzën e urinës.

Tashmë ai e ka të pamundur të përballojë shpenzimet e kimioterapisë. Medikamenti që duhet të injektojë në trup, katër herë në muaj, kushton 120 euro për çdo seancë. Petritin e takuam pak orë pasi kishte bërë seancën e radhës në repartin e Urologjisë te spitali “Nënë Tereza”. Këtë radhë, ardhja e tij në Tiranë dhe shpenzimet e seancës janë mbuluar nga një biznesmen nga Vlora.

“Një njeri me zemër të madhe”, thotë Petriti dhe sakaq shpreh shqetësimin se ku do të gjejë paratë për seancën e radhës. “Është një mjekim që zgjat gjithë jetën. Duhet ta vazhdoj se në të kundërt më shfaqet kanceri prapë”.

Ai thotë se medikamentin e ka siguruar privatisht dhe se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti, ndonëse prej vitesh paguan kontribute shëndetësore.

Gjatë një interviste për gazetën “Panorama”, 60-vjeçari rrëfen gjithë peripecitë e sigurimit të parave për kimioterapinë, nga overdraftet dhe kredia në bankë e deri te nxjerrja e shtëpisë në shitje dhe në përfundim, apelin e tij për ndihmë.

Z. Petrit, kur nisën problemet tuaja me shëndetin?

Kam një vit e gjysmë që jam operuar. Kam bërë operacion kirurgjikal për një tumor në fshikëzën e urinës. Nga analizat, skanerët që kam bërë, më ka dalë problem edhe në prostatë. Sipas biopsisë, problemi im është i gradës së lartë. Gjatë kësaj kohe u përpoqa për të bërë gjilpërën kimio, siç më është dhënë nga doktorët. Mjekët Mustafa Xhanin dhe kirurgun Rezart Xhani i falënderoj me gjithë shpirt, por te reparti i Urologjisë te “Nënë Tereza”, gjilpëra që më duhet mua nuk mbulohet nga spitali. Nuk rimbursohet nga spitali. Në farmacitë e lira është një variant tjetër, por jo fiks gjilpëra që dua unë. Unë munda ta gjej përmes vëllait në Greqi, në spitalin e Athinës, në Greqi. Deri tani kam bërë 13 copë. I kam mbuluar me shpenzimet e mia të gjitha. Shteti mua nuk më ka garantuar asnjë gjë. As spitali, asnjë gjë. As institucionet shtetërore nga të cilat unë varem, që nga Ministria e Drejtësisë, që duhet të më mbulojë me fond ekstra për sëmundjet e rënda. As nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila nuk më ka dhënë as një gjilpërë të vetme.

Ku keni trokitur për shqetësimin tuaj dhe ç’përgjigje keni marrë?

Kam trokitur në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, që kur ishte Artur Zoto, i cili sot është i proceduar penalisht për abuzime. Kam vajtur në Ministrinë e Drejtësisë, jam përballur me ministrin Vasili. Ma ka lënë përgjigjen në dilemë edhe në një program televiziv “Njerëz në fokus” në TV News24. Tha që ka të drejtë, është shumë e drejtë, do përpiqemi t’i sigurojmë gjilpërën. Edhe nëse nuk sigurojmë dot gjilpërën, do të përpiqemi të sigurojmë një fond ekstra për këto sëmundje. Të mbulohet dhe jashtë shtetit. Të gjitha këto ranë në vesh të shurdhër. Nuk më ndihmuan dhe nuk më kthyen asnjë lloj përgjigjeje. Kjo është çudia, pse nuk më përgjigjen? Unë jam me kontribute të rregullta shëndetësore. Duhet përfituar rimbursim. Ose të më japin para, ose të më gjejnë gjilpërën. Drejtori i tanishëm i Burgjeve, Arjan Hoxha, më ka pritur. Më ka dhënë shpresë, por deri tani nuk kam marrë gjë. Falënderoj dhe kryetarin e Sindikatës së Policisë së Burgjeve, i cili më ka premtuar ndihmë.

Sa është kostoja e medikamentit që ju duhet të injektoni?

Në muaj duhet të bëj katër gjilpëra, që në total bëjnë 520 euro. Një gjilpërë bën 120 euro. Po heq bukën e fëmijëve. Vajzës i humbi viti. Nuk kisha para t’i paguaja tarifën e shkollës. Iu dogjën provimet. Përveç gjilpërës, kam edhe 50 euro kosto për vizita dhe ilaçe të tjera në muaj. Nga ana tjetër, 220 euro në muaj i paguaj kredi.

Si e keni përballuar deri tani blerjen e këtij medikamenti?

Unë po lyp. E kam përballuar me overdrafte në bankë. Kam dy overdrafte dhe një kredi. Sot që erdha në Tiranë, më është mundësuar gjilpëra, analizat dhe të tjerat nga një biznesmen i Vlorës. Një njeri me zemër dhe shpirt të madh. Edhe Avokatin e Popullit e kam lajmëruar. Kam dhe katër gjilpëra. Nuk e di kush do m’i sigurojë mua këto katër gjilpëra. Bëj dy muaj pushim dhe marr katër të tjera. Pastaj marr nga dy vit për vit. Është një mjekim që zgjat gjithë jetën. Duhet ta vazhdoj gjithë jetën, se në të kundërt më shfaqet kanceri prapë. Shteti nuk më ka dhënë asgjë. Institucioni më ka dhënë vetëm 500 mijë lekë të vjetra në fillim të vitit. Fond tjetër nuk kanë ata. Më shumë mundet të bëjë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë.

Sa vjet keni i punësuar?

Kam 14 vjet me uniformë veshur. Katër vjet në Polici të Shtetit. Jam plagosur dy heë në krye të detyrës. Një herë jam plagosur në vitin 1998. Kam qenë bodigard i shefit të krimeve të asaj kohe, Ilir Ngresi. U largova nga detyra se isha i kërcënuar nga bandat e kohës, ndërkohë që Ngresi u vra nga bandat. Pas njëfarë kohe kam qenë polic sigurie në Gjykatën e Apelit Vlorë dhe më pas kam kaluar në Drejtorinë e Burgjeve. Plagosja e dytë ka qenë në vitin 2002, në gusht, mora dy plumba në trup gjatë një vjedhjeje të armatosur të një banke në Vlorë.

A jeni ndihmuar në atë kohë?

Asnjë gjë nga shteti. Gjithçka e kam mbuluar vetë. Pas plagosjes kam ndenjur nga 8-9 ditë në spital. Më tej kalova në Policinë e Burgjeve, në vitin 2008 dhe deri më tani. Jam inspektor në Policinë e Vlorës. Institucioni mbase nuk e ka mundësinë direkt të më garantojë mua një fond, por e ka Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. E ka Ministria e Drejtësisë. Këtu ka munguar dëshira. Ka munguar kërkesa zyrtare. Nëse nuk më sigurohet gjilpëra, më jep ta blej. Kam një muaj që kam nxjerrë shtëpinë në shitje. Nuk kam si ta përballoj. Të gjitha ilaçet, medikamentet i blej privatisht. Shteti nuk më ka rimbursuar asnjë gjë fare. Jam i harruar. I shkelur me këmbë. Jam i persekutuar në detyrë. Kam skaner në punë. Mua ai skaneri më bën gropën. Nuk më lënë ta shmang. Jam i detyruar të kaloj, për shkak të rregullores së institucionit të burgut.

Cilat janë të ardhurat e familjes suaj?

Të ardhurat janë vetëm paga ime. 420 mijë lekë të vjetër. Çfarë të bëj me ato lekë? Do mbaj fëmijët, do paguaj kredinë në bankë, do blej gjilpërën, apo do vij në Tiranë? Unë blej dhe rrobat e uniformës, stemat e emblemat. I blejmë vetë me lekë. Më ka mbetur që të vetëflijohem. Jam në një depresion të paparë. Kam arritur në një stres që them “ku të vete”. Unë nuk pushoj derisa të më jepet e drejta. Kontributet që më mbajnë mua ku shkojë? Ku shkojnë paratë e mia? Unë për këtë rast e dua. Nuk më duhen kur të vdes. Unë i vdekur jam. Të kap ndonjë vinç apo të blej ndonjë litër benzinë? E di që nuk do dëmtoj njeri, dënim do t’ia bëj vetes dhe fëmijëve të mi, po nuk kam ç’bëj.

E përballoni dot punën në gjendjen shëndetësore në të cilën jeni?

Dua s’dua do ta përballoj sepse ku do vete? Po s’vajta dhe në punë, ku do vete? Unë punoj 12-orarësh. Ndihmën më të madhe në orarin e punës ma japin kolegët, që ma lehtë- sojnë dhe për këtë i falënderoj.

Cili është apeli juaj?

Çfarë duan këta që të më dëgjojnë? Të hipi në majë të vinçit? T’i vë flakën vetes? Ku të shkoj të mbytem? Unë dua që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë të më japë një fond, tre deri në katër paga, që të mbuloj gjilpërat. Apelin më të fortë e kam për Kryeministrin Edi Rama. Meqë po bën këtë koalicionin me popullin. Ja, unë jam këtu, katërmbëdhjetë vjet i veshur dhe s’po përfitoj asnjë gjë. I bën thirrje kryeministrit të vendit, Edi Rama, me shpresë të madhe te Zoti, që pasi të dëgjojë historinë time, do vërë diçka në lëvizje. Unë jam konsumuar në të gjitha institucionet. Nuk kam ku vete më. Vetëm kryeministri më ka mbetur dhe fati i Zotit.

Drama e policit në luftë me kancerin: Shteti më ka harruar. Ku të mbytem? T’i vë flakën vetes?! Read More »

Ky është gabimi më i madh që e bëni me iPhone.

[sgmb id=”1″]

Një nga gabimet më të mëdha që bëni me iPhone nuk duket në fakt si i tillë, por si i dobishëm.

Por miliona njerëz që kanë këtë telefon të Apple, thjesht harxhojnë kohë, bateri dhe energji çdo ditë.

Përdoruesit e iPhone mundohen që ti mbyllin me forcë aplikacionet në një kohë kur kjo nuk është e nevojshme. Ekspertët paralajmërojnë se nuk është e nevojshme t’i mbyllni aplikacionet me forcë, që realizohet duke e shtypur dy herë butonin “Home” dhe më pas heqja e aplikacioneve që tashmë është një praktikë e zakonshme.

Eksperti i Apple, John Gruber thotë se kjo praktikë bazohet në një ide të gabuar se si punon iOS në iPhone dhe iPad. Madje kjo mund të jetë dhe kundërproduktive.

Njerëzit mendojnë se është e rëndësishme të mbyllen aplikacionet pasi nuk ju merr atyre shumë memorie apo bateri kur nuk janë në ekran. Por është e gabuar.

“Sistemi iOS është projektuar në atë mënyrë që asnjë nga këto justifikime për të mbyllur me forcë aplikacionet nuk është i vërtetë”, shkruan ai në Daring Fireball.  Aplikacionet në ekran janë ‘të ngrira’, të kufizuara ndjeshëm dhe duke liruar RAM që përdoret, transmeton tch.

Kur një aplikacion mbyllet me forcë, do të thotë që do të hapet nga e para kur ta hapni sërish atë aplikacion. Kjo nga ana tjetër do të thotë se duhet të kryejë të gjitha ato veprime intensive që mund të shmangen nëse i lini aty ku janë.

Ky është gabimi më i madh që e bëni me iPhone. Read More »