Dukati

PD nis procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet

Partia Demokratike nisi sot procesin e përzgjedhjes së kandidateve për deputetë nga anëtarësia e partisë me parimin “një anëtar, një votë”

Kryesia e Partisë Demokratike vendosi sot udhëzimet, rregullat dhe mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet qendrore dhe vendore duke u konsultuar më anëtarët e PDSH-së.

Në vendimin e Kryesisë së PD-së procesi i përzgjedhjes së kandidatëve ndahet në tre etapa. Procesi në nivel të degëve për identifikimin e kandidatëve, seleksionimi i kandidatëve nga Komisioni i Vlerësimit, procesi i konsultimit në parim “një anëtar, një votë” për kandidatët e mundshëm nga anëtarësia.

Po ashtu, PD ndalon të kandidojnë në zgjedhjet vendore dhe qendrore personat që kanë patur funksione në kohë të regjimit komunist apo kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

“Kryesia ka vendosur edhe nënpikat, ku procesi duhet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës. //atsh

PD nis procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet Read More »

Basha: Kryesia e PD-së do marrë vendimin e rëndësishëm për zgjedhjen e kandidatëve nga anëtarësia

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha sot se kryesia e Partisë Demokratike do të marrë nesër një vendim të rëndësishëm për shoqërinë dhe politikën shqiptare për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve, në ushtrimin më të madh demokratik që ndonjë parti politike ka bërë ndonjëherë në Shqipëri.

Basha tha se “me mbështetjen dhe ndihmën e vyer të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), pranë Partisë Republikane të SHBA dhe të Partisë Konservatore Britanike e Fondacionit Uestminster për Demokracinë kemi garantuar parimet dhe rregullat për përfshirjen e drejtpërdrejtë të anëtarësisë në propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve”.

“Një ditë përpara këtij vendimi të rëndësishëm, pata kënaqësinë të falenderoj gjatë një videokonference David Jones, Drejtuesin e Panelit Parlamentar për Vlerësimin e Kandidatëve në Partinë Konservatore Britanike dhe Thibault Muzergues, Drejtor i Programit për Europën në Institutin Ndërkombëtar Republikan për ndihmën e çmuar që na kanë dhënë në këtë rrugëtim sfidues”, tha ai.

Po ashtu, Basha shtoi se “miqtë tanë ndanë me mua sot besimin se modeli që do të miratojmë nesër në kryesinë e Partisë Demokratike, do të kontribuojë për demokratizimin e jetës politike dhe duhet të jetë shembull edhe për partitë e tjera në vend.Ky është një hap i rëndësishëm për demokracinë tonë. Natyrisht gara e vërtetë për demokratët dhe opozitën nis pas këtij procesi, për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri që punon për njerëzit, dhe jo për vete”. /atsh

Basha: Kryesia e PD-së do marrë vendimin e rëndësishëm për zgjedhjen e kandidatëve nga anëtarësia Read More »

Investimi prej 10 milionë euro, garantohet infrastruktura vaditëse për 5 mijë ha tokë bujqësore në jug të vendit

Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje sot një tjetër investim me rëndësi për infrastrukturën vaditëse të tokave bujqësore që ka nisur në jug të vendit, për sistemin e ri vaditës të rreth 5 mijë ha tokë bujqësore në fushën e Shalsit, Vrinës, Mursisë dhe të Bufit.

Kryeministri tha se, “paralelisht me sistemin e ri modern dhe rehabilitimin e rreth 100 km kanal, projekti do të mundësojë edhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore të zonës”.

Përmes një kredie 10 milionë euro të marrë nga Banka Botërore, qeveria shqiptare do të rehabilitojë sistemin e Janjarit në Konispol.

Në prezantimin e këtij projekti, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi tha se “kjo është një nga veprat më të mëdha ujitëse të Shqipërisë”.

“Ne sigurisht që vazhdojmë të mbajmë premtimin e madh që kemi bërë që do të çojmë ujë në çdo parcelë dhe sistemi i Janjarit me një kapacitet ujitës rreth 5 mijë ha të gjithë zonës do të mbulojë përfundimisht ujitjen e fushave të Shalsit, Vrinës, Mursisë dhe të Bufit. Janë të gjitha këto grup fushash që do të mbulohen nga rreth 20 milionë metër kub ujë, të cilat do të shpërndahen nëpërmjet gjithë këtij sistemi që do të rehabilitojmë”, tha Çuçi.

Ai tha se “ky është një nga investimet më të mëdha në vepra të tilla”. “Është shumë ambicioz dhe shoqërohet edhe me përmirësimin e infrastrukturës rrugore për shkak të gjithë aksesit që duhet të ketë në gjithë rrjetin prej 100 km. Janë 100 km kanale të cilat do të rehabilitohen nga ky projekt”, tha Çuçi.

Punimet parashikohet të përfundojnë pas 8 muajsh. Ky projekt parashikon të realizojë një kombinim të dy tipeve të ujitjes: 1) ujitjen me presion (me tubo metalike); 2) ujitjen me gravitet (kanale të hapura) duke shfrytëzuar disnivelin natyral të cilin ka kanali i Janjarit me fushat e Shalësit, Mursisë, Vrinës dhe Bufit./atsh

Investimi prej 10 milionë euro, garantohet infrastruktura vaditëse për 5 mijë ha tokë bujqësore në jug të vendit Read More »

Forcimi i partneritetit SHBA-Shqipëri/ FA stërvitje me marinsat amerikanë në Bizë

Ambasada e SHBA-së në Tiranë tha sot se helikopterët UH-1Y Venoms dhe AH-1W Super Cobras të Korpusit të Marinsave të Shteteve të Bashkuara, të caktuar në Njësinë e 26-të të Ekspeditës Detare (MEU) dhe të atashuar në Grupin Bataan Amphibious Ready (BATARG) morën pjesë këtë javë në një stërvitje qitjeje në kohë reale në Bizë.

Ambasada e SHBA-së shton se “stërvitja ishte planifikuar së bashku me forcat aleate shqiptare dhe përbëhej nga trajnime për dorëzimin e artilerisë së aviacionit, të cilat synojnë rritjen e gatishmërisë dhe forcimin e partneritetit midis SHBA-së dhe Shqipërisë”.

“Ky evolucion trajnimi ishte një mundësi e shkëlqyeshme që ekuipazhet tona H-1 të integroheshin me një aleat të NATO-s përmes një koordinimi të gjerë dhe planifikimi të kombinuar, të gjitha ndërsa ishin të shpërndarë fizikisht prej homologëve tanë shqiptarë në platformën tonë të bazuar në det,” tha kapiteni Casey Low, pilot i helikopterit AH-1W Super Cobra. /atsh

Forcimi i partneritetit SHBA-Shqipëri/ FA stërvitje me marinsat amerikanë në Bizë Read More »

Basha: Kam bindje se Thaçi dhe Veseli do t’i dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar sot pas akuzave që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Në reagimin e tij, Basha shprehet se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për liri përballë një agresori që nuk kurseu asgjë, nga gjenocidi, tek spastrimi etnik kundër popullit të Kosovës. Kohë pas kohe shqiptarëve iu desh jo vetëm të luftojnë për ta fituar lirinë, por edhe ta mbrojnë atë”.

“Kam bindjen se Hashim Thaçi, Kadri Veseli e të gjithë bashkëluftëtarët e tyre do t’i dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë. Asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare dhe sakrificën sublime të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe dinjitet njerëzor”, tha ai. /atsh

Basha: Kam bindje se Thaçi dhe Veseli do t’i dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë Read More »

Balla takime me strukturat e PS në jug të vendit: Në 2021 PS do të marrë besimin për mandatin e tretë me Edi Ramën Kryeministër

Partia Socialiste e Shqipërisë ka “ndezur motorët” për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2021.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori pjesë në takimet me ekipet drejtuese vendore të Partisë Socialiste në Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.

Balla deklaron se takimet kishin në fokus planin organizativ, në thellimin e barazisë gjinore brenda partisë më të madhe në vend si dhe në vendosjen e piketave strukturore për zgjedhjet e Prill-Majit 2021, ku sipas Ballës PS do të marrë besimin për mandatin e tretë me Edi Ramën Kryeministër.

“Qasja e PS-së ka qenë dhe mbetet e qartë: ne duhet të vazhdojmë të qeverisim me besnikëri të madhe ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, të cilët janë aleatët tanë të vetëm. Dobësia e thellë e kundërshtarit nuk duhet të na vetëkënaqë duke lënë pas dore për asnjë moment organizmin/përmirësimin e strukturës së Partisë sonë”-, theksoi Balla.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së u shpreh se “kur them duhet të qeverisim, nuk kam parasysh vetëm e thjesht qeverinë qendrore, qeverisjen vendore, por edhe grupin parlamentar dhe Partinë Socialiste si boshti i koalicionit të madh qeverisës me njerëzit e zakonshëm. Ky proces ka sukses vetëm nëse te gjitha pjesët bashkëjetojnë në harmoni me njëra-tjetrën dhe në funksion të njëra-tjetrës”.

“Me përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme, por duke respketuar një për një masat mbrotëse antiCovid, PS ka filluar në Fier, Vlorë dhe Gjirokastër takimet me ekipet drejtuese vendore me fokus në planin organizativ, në thellimin e barazisë gjinore brenda partisë më të madhe në vend si dhe në vendosjen e piketave tona strukturore për zgjedhjet e prill-majit 2021, ku ne do të marrim besimin për mandatin tonë të tretë me Edi Ramën kryeministër”, – tha Balla.

Duke respektuar në çdo detaj masat e domosdoshme të distancimit social, ne , shtoi Balla, duhet të vazhdojmë të jemi pranë komuniteteve.

“Operacioni humanitar i ndihmës për familjet në nevojë gjatë izolimit, por edhë më pas, ishte shprehje e diferencës së madhe të solidaritetit social, me ata që përqeshnin nga televizori punën e palodhur dhe masat e sukseshme që ndërmori Qeveria”, u shpreh Balla në fjalën e tij gjatë takimeve./atsh

Balla takime me strukturat e PS në jug të vendit: Në 2021 PS do të marrë besimin për mandatin e tretë me Edi Ramën Kryeministër Read More »

Lleshaj: Besa Shahini, përpjekje për pak modernizim në një sistem të shkatërruar gjatë tri dekadave

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha sot se “janë bashkuar shumë “burra” kundër Besa Shahinit. Duket se këta i bashkon më shumë një zell i turpshëm kundër Besës, sesa ndonjë shqetësim i sinqertë për arsimin shqiptar, për gjendjen e të cilit ata janë përgjegjës shumë herë më tepër se Besa”.

Në një reagim, të cilin thotë se e bën në cilësinë e një qytetari dhe jo në atë të ministrit, Lleshaj thekson se “Besa sulmohet se është një rast ndryshe. Ajo nuk ka studiuar në ndonjë nga universitetet tona të shumta, nuk ka qenë studente apo shoqe e ndokujt që bërtet, nuk është nga Tirana, tingëllon pak gegnisht kur flet, vjen nga Kosova… Vetëm këto janë “mëkatet” e saj”.

“Ajo nuk ka pasur kohë për ta prishur cilësinë e shkollës tonë. Ajo nuk ka mundur ende as t’a rregullojë atë. Kush kupton sadopak nga arsimi, e di mirë se efekti i politikave të reja në arsim nuk mund të merret për një apo dy vjet. Të gjithë ata skizofrenë që shajnë Besën për provimin e Maturës Shtetërore, duhet ta dinë se atë nuk e ka formuluar ajo, por studentët që kanë dalë nga shkollat që Besa ka pasur fatin të mos i bëjë”, – nënvizoi Lleshaj, duke shtuar se ato teste i kanë bërë studentët e atyre që bërtasin dhe që janë gati të fajësojnë gjithë botën për cilësinë e produktit të tyre.

E vetmja gjë që ka arritur të bëjë Besa, tha Lleshaj, gjatë muajve të ushtrimit të detyrës së saj, është përpjekja për pak modernizim në një sistem të shkatërruar gjatë tri dekadave.

“Një sistem ku “profesorët” ulërijnë dhe shajnë pa kurrëfare etike, ndërkohë që kanë marrë paga nga universitetet kioska pasi kanë firmosur me mijëra diploma pa vlerë, të cilat ngjajnë më shumë me mandatet e pasurisë që lëshonte Sudja e piramidave sesa me diplomat normale të universitetit. Ata që kanë heshtur përpara gjëmës së bërë kundër arsimit me universitetet piramida, ata që i kanë kthyer universitetet ku punojnë në hane ku edhe analfabetet pretendojnë për notë maksimale dhe ku nuk mbetet askush, ata që e kanë katandisur universitetin në fund të listave të renditjes botërore nuk mund të gjejnë asnjë alibi tek Besa”, – theksoi Lleshaj.

Sipas tij, është fat që ajo është ndryshe edhe në formim edhe në nivel nga autorët e gjendjes së sotme të arsimit.

“Është fat që ajo po përpiqet për një impuls modernizues në një sistem të mbështetur tek indoktrinimi, ku studentët trajnohen vetëm për të përsëritur, por kurrë për të menduar. Besa kërkon një shkollë ku nxënësit dhe studentët mësojnë si të mendojnë dhe jo çfarë të mendojnë, një shkollë që frymëzon dhe jo një shkollë që indoktrinon. Ju, ithtarë, viktima dhe autorë të një sistemi të dështuar, heshtni! Mos e kërkoni tek Besa fajin për dështimin tuaj. Si kosovare, ajo është po aq, në mos edhe më shumë, shqiptare se ju; si e diplomuar në Europë, ajo është edhe më e mirarsimuar se ju. Dhe mbi të gjitha: si një grua që nuk ju shan, ajo ka më shumë dinjitet se ju. Bëhuni pra burra dhe heshtni”, – tha Lleshaj./atsh

Lleshaj: Besa Shahini, përpjekje për pak modernizim në një sistem të shkatërruar gjatë tri dekadave Read More »

Vota e Diasporës në Reformën Zgjedhore/ Angazhim programor i PS-së, por duhen negociata mes tri palëve

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “vota e emigrantëve është një angazhim programor dhe publik i marrë prej nesh, por në kushtet specifike kur duhet negociuar mes tri palësh, vetvetiu optimizmi për realizmin e kësaj mundësie është shumë më i vogël se normalisht”.

Kryeministri Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim online me Këshillin Koordinues të Diasporës për të diskutuar “Votën e Diasporës në Reformën Zgjedhore”.

“Arsyeja e këtij takimi është diskutimi i mundësive praktike për votimin e shtetasve shqiptarë që janë me banim jashtë vendit dhe natyrisht një sqarim mbi procesin e deritanishëm dhe faktikisht edhe mbi rrethanat aktuale në një kontekst më të gjerë, sesa thjesht kjo çështje”, – tha Rama.

Ai theksoi se “së pari, vota e emigrantëve është një angazhim programor dhe publik i marrë prej nesh. Së dyti, ne kemi punuar në funksion të këtij angazhimi paralelisht me procesin politik, i cili për shumë arsye që nuk është nevoja t’i shtjellojmë, është një proces shumë i vonuar për Reformën Zgjedhore në funksion të zgjedhjeve të ardhshme”, – tha Rama.

Ai siguroi se “ne as na ka munguar, as na mungon vullneti politik për ta realizuar këtë objektiv, që në këndvështrimin tonë ka rëndësi të veçantë dhe është një prej objektivave strategjikë që lidhen me mjedisin dhe kornizën e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri”.

“Unë i kam ndjekur gjithë përpjekjet dhe diskutimet tuaja dhe më vjen mirë që kontakti me qeverinë drejtpërdrejt nuk ka munguar, si rezultat i angazhimit të drejtpërdrejtë të ministrit Majko. Më vjen keq që në njëfarë mënyre ju keni vënë në dyshim vullnetin tonë, kjo e kapërcyeshme dhe lehtësisht e shpjegueshme”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ne jemi në proces të një Reforme Zgjedhore të pandodhur më parë, pasi sot nuk jemi dy palë por jemi tri palë, dhe në një farë mënyre skena e palëve politike që duhet të merren vesh për zgjedhjet është trepolare”.

“Kemi shumicën parlamentare nga njëra anë, një opozitë jashtëparlamentit dhe një opozitë brenda. E theksoj këtë, se nga pikëpamja aritmetike Kodi dhe Reforma Zgjedhore në tërësi kërkojnë një shumicë të cilësuar që ne nuk e disponojmë sot numerikisht në Kuvend. Nga pikëpamja e traditës po ashtu duam të respektojmë një vijimësi të një procesi gjithëpërfshirës. Ky proces në kontekstin ku jemi nënkupton mirëkuptim mes 3 palësh, nga ana jonë si shumicë me dy pole të tjera politike, që pavarësisht se janë produkt i të njëjtit bark apo burim përzgjedhjeje sot janë në divergjencë ekstreme njëri-tjetrin”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “na duhet një mirëkuptim me tolerancë reciproke nga të treja palët”.

“Kur vjen puna te vota e emigrantëve nuk ka divergjencë të shfaqur, por nuk është se kemi dakordësi në momentin që flasim pasi djalli është gjithmonë në detaje. Në parim nuk ka parti të thotë nuk duam që emigrantët të votojnë, por kur vjen puna si duhet të votojnë dhe mundësitë në dispozicion, mundësitë janë shumë të kufizuara. Procesi ka qenë goxha i ngatërrruar dhe konfliktual dhe ulja në tryezë për këtë reformë është bërë në një vonesë të jashtëzakonshme. Në kushte specifike kur duhet negociuar mes tri palësh, vetvetiu optimizmi për realizmin e kësaj mundësie është shumë më i vogël se normalisht”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ne e kemi studiuar dhe analizën e metodave të realizimit të votimit nga jashtë por për arsye historike të konfliktit politik ne e kemi përjashtuar mundësinë e votimit në ambasada e konsullata, që do të ishte një arsye kontestimi dhe mosbesimi shumë të madh”.

“Edhe pse mund të ishte i realizueshëm pa asnjë problem nga pikëpamja e integritetit, është më i vështirë nga pikëpamja e lëvizshmërisë dhe afërsisë me ambasadat e konsullatat. Ne kemi lënë si alternativë të vetme votimin me postë, që ka një sërë ekzigjencash të domosdoshme që lidhen me regjistrimin, me adresën e emigrantit në vendin ku është. Ky është një proces që kërkon goxha kohë. Ne kemi ecur nga pikëpamja e kuadrit ligjor, nuk kemi humbur kohë në pikëpamje të infrastrukturës, por jemi në këto kushte sot”, – tha Rama.

Ai tha se opozita në parlament e ka këtë një kërkesë shumë insistuese, ne vetë e kemi objektiv dhe angazhim politik dhe programor dhe jemi duke punuar çdo ditë.

“Jemi duke punuar për një opsion elektronik të regjistrimit, një opsion përputhshmërie mes listës së votuesve dhe listës së personave të interesuar, por jemi ende herët sot të themi me siguri që jemi në kushtet kur kjo gjë mund të realizohet. Kam besim se në një mënyrë apo në një tjetër mund të hyjmë në këtë proces, qoftë edhe me një projekt pilot”, – tha ai. /atsh

Vota e Diasporës në Reformën Zgjedhore/ Angazhim programor i PS-së, por duhen negociata mes tri palëve Read More »