Dukati

“Eurobondi”/ Meta jep pëlqimin për hyrjen menjëherë në fuqi të ligjit

Presidenti Ilir Meta dha sot pëlqimin e tij për hyrjen menjëherë në fuqi, pas miratimit nga Kuvendi, të ligjit “Për eurobondin që do të emetohet nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti, në marrëveshjet që do të lidhen”.

Në një shkresë drejtuar dje Kuvendit, Presidenti Meta komunikonte mosdhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi menjëherë të këtij ligji, së bashku me arsyet përkatëse.

Ditën e sotme, Presidenti tha se u njoh me sqarimet e kryetares së Komisionit për Ekonominë dhe Financat, dhe dokumentet zyrtare shtesë të paraqitura prej saj, të pavëna në dispozicion në kërkesën e parë.

“Në këtë shkresë zyrtare, Komisioni për Ekonominë dhe Financat shpjegon nevojën dhe urgjencën, si të lidhur me presionin e lartë financiar të shkaktuar pas goditjeve natyrore (tërmeti) dhe shëndetësore (pandemia Covid-19); është rishikuar titulli dhe neni 1 i projektligjit lidhur me çështjen e imunitetit; është vënë në dispozicion qëndrimi dhe vlerësimi i Bankës së Shqipërisë dhe i Avokaturës së Shtetit lidhur me këtë transaksion; është sqaruar procedura e ndjekur për përzgjedhjen e partnerëve që do të mbështesin këtë proces”, vlerëson Meta.

Gjithashtu, ai u shpreh se është informuar lidhur me faktin se, neni 3 i projektligjit, mbi autorizimin që i jepet ministrit të Shtetit për Rindërtimin, do të propozohet të hiqet në seancë plenare.

“Sa më sipër, pas vlerësimit të plotë të të gjithë praktikës dhe sqarimeve shtesë, Presidenti i Republikës jep pëlqimin e tij për hyrjen menjëherë në fuqi të ligjit, pas miratimit nga Kuvendi”, vlerëson Meta.

Nga ana tjetër, Meta theksoi se “çdo transaksion financiar duhet të paraprihet nga një analizë e gjendjes së valutës aktuale, të pritshmërisë së huadhënies për situatën emergjente të dhënë nga institucionet ndërkombëtare (FMN, BE etj.), si dhe të nevojave prioritare për të përcaktuar shumën e duhur në kohë të huamarrjes në tregun ndërkombëtar”.

Ai ritheksoi nevojën që Qeveria dhe Kuvendi, në nisma të tilla ligjvënëse, të veprojnë në kohën e duhur, në mënyrë që t’u lihet hapësira e nevojshme të gjitha strukturave apo institucioneve për shqyrtimin e tyre./atsh

“Eurobondi”/ Meta jep pëlqimin për hyrjen menjëherë në fuqi të ligjit Read More »

Rama: Në tokat e Shqipërisë rriten investimet, prodhimi, eksportet, falë shumicës që flet me punë

– “Në tokat e Shqipërisë rriten investimet, prodhimi, eksportet, falë shumicës që flet me punë”, thekson Kryeministri Edi Rama teksa ka publikuar një video me investimet në bujqësi.

“Mirëmëngjes dhe ndërkohë që në tokat e Shqipërisë rriten investimet, prodhimi, eksportet, falë shumicës që flet me punë, ndërsa në ekrane, portale e platforma, vazhdojnë llafet si e vetmja punë, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Ndërkaq që prej datës 26 prill kanë nisur aplikimet online për subvencionet në bujqësi për vitin 2020 përmes portalit E-Albania me zero dokumente.

Në Skemën Kombëtare 2020 të mbështetjes së fermerëve janë parashikuar 743,9 milionë lekë dhe pritet të përfitojnë rreth katër mijë fermerë në të gjithë vendin.

Gjatë viteve të fundit vetëm nga skemat kombëtare kanë përfituar mbi 200 aplikantë me vlerë të financuar afërsisht mbi 49 milionë lekë./atsh

Rama: Në tokat e Shqipërisë rriten investimet, prodhimi, eksportet, falë shumicës që flet me punë Read More »

Katër zv.kryeministra dhe 16 ministra, ja kabineti i Hotit

Me 61 vota pro, 1 abstenim dhe 24 vota kundër deputetët e Kuvendit i thanë “po” qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së.

Në seancën e jashtëzakonshme kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti ka paraqitur kabinetin e tij qeverisës. Vartës të tij priten të jenë 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministra.

Zëvendëskryeministër i parë, Besnik Tahiri, zëvendëskryeministër Driton Selmanaj, zëvendëskryeministre Albulena Balaj-Halimaj, zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal Goran Rakiq.

Sa i përket ministrave, Infrastruktura i është besuar Arban Abrashit. Agim Veliu serish do të jetë ministër i Punëve të Brendshëm. Armend Zemaj ministër i Shëndetësisë, Selim Selimi ministër i Drejtësisë, Blerim Kuqi ministër i Ekonomisë dhe Ambientit, Hykmete Bajrami ministre e Financave, Besian Mustafa ministër i Bujqësisë, Anton Quni ministër i Mbrojtjes, Vlora Dumoshi ministre e Kulturës.

Meliza Haradinaj-Stublla ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ramë Likaj ministër i Arsimit dhe Shkencës, Skender Reçica ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Krasniqi ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Dalivor Jetiq ministër për Kthim dhe Komunitete. Enis Kervan ministër i Zhvillimit Rajonal./KosovaPress/

Katër zv.kryeministra dhe 16 ministra, ja kabineti i Hotit Read More »

Klosi: Përgatitjet kanë filluar gjerësisht, këtë vit menaxhim ndryshe i vijës bregdetare

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi sot se “të gjitha strukturat hoteliere janë aktive, ndërsa përgatitjet për sezonin turistik kanë filluar gjerësisht”.

Në një intervistë televizive, Klosi theksoi se “ditët e fundit kam qenë në të gjithë zonën bregdetare. Këtë vit në plazhet shqiptare do të ketë një menaxhim krejt ndryshe të vijës bregdetare. Zona e bregdetit është një pasuri kombëtare dhe nuk mund të uzurpohet”.

Sipas tij, ajo që ka ndodhur në vite ka qenë uzurpim, ku çdo qytetar që shkonte për të bërë plazh duhet të gjendej përballë një njeriu që e shiste shezlongun dhe çadrën.

“Ajo që kërkohet këtë radhë është që të rriten më shumë hapësirat publike si dhe të garantohen të gjitha standardet si dushet, tualetet, rojet bregdetare”, – tha Klosi.

I pyetur nëse do të ketë rritje çmimi, Klosi tha se “jo nuk ka logjikë, është debat shterpë sepse nuk ka arsye të ketë rritje çmimesh, pasi edhe kërkesa do të jetë më e ulët. Për sa kohë do të kemi me pak vizitorë, më pak turistë është e pamundur që të rriten çmimet”.

“Shqipërinë e kemi 400 km vijë bregdetare, nga e cila më pak se 13% uzurpohet. Pra mbi 85 % është zonë e lirë. Ne shikojmë shumë plazhe si ai Dhërmiut që kanë hapësira të mëdha publike. Por edhe ata që do të marrin zonat e plazhit para hotelit do të kenë detyrimin që brenda kontratës që lidhin 80% do ta menaxhojnë me shezlongë, ndërsa 20 % do t’ia lënë publikut”, – nënvizoi Klosi.

“Në muajin qershor do të kemi turizëm tokësor, prandaj ftojmë shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut të vijnë në Shqipëri”, – tha Klosi.

Në lidhje me çarterat që do të vijnë në vendin tonë, ministri Klosi tha se “brenda dy javëve të para do vijën çartera nga Ukraina, Bjellorusia dhe Polonia”./atsh

Klosi: Përgatitjet kanë filluar gjerësisht, këtë vit menaxhim ndryshe i vijës bregdetare Read More »

Rama: Autoritetet e Kosovës të lehtësojnë kalimin e shtetasve shqiptarë, siç është pa asnjë kusht hyrja në Shqipëri e shqiptarëve të Kosovës

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “beson se autoritetet e Kosovës i kanë të gjitha mundësitë ta lehtësojnë procesin e lëvizjes në kufi për qytetarët shqiptarë që shkojnë në Kosovë, siç është pa asnjë kusht dhe kërkesë të tepërt, veç ardhjes me targa të rregullta, hyrja në Shqipëri e qytetarëve shqiptarë të Kosovës”.

Rama tha se “ne nuk kemi në Shqipëri një shërbim tamponimi privat”.

“Ne nuk mendojmë, dhe kur them ne, jemi ne që e kemi marrë përsipër këtë vendim, por janë ekspertët që e kanë sugjeruar, që çështja e tamponit është si analizat e gjakut. Tamponimi bëhet mbi bazën e strategjisë së gjurmimit. Vlera e tij është shumë, shumë relative kur bëhet kot, ose si analizë gjaku sepse mund ta bësh sot dhe ende nuk ke shenja të kapshme se është në inkubim dhe nesër të shfaqen shenjat”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “është diçka që nuk e kemi si shërbim”. /atsh

Rama: Autoritetet e Kosovës të lehtësojnë kalimin e shtetasve shqiptarë, siç është pa asnjë kusht hyrja në Shqipëri e shqiptarëve të Kosovës Read More »

“Nuk fitohen zgjedhjet me ligjin e reformës apo me sistem”/ Rama: I hapur për çdo gjë mbi bazën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR

Kryeministri Edi Rama tha sot se jam i hapur për gjithçka për të arritur përfundimin e Reformës Zgjedhore.

Në lidhje me Reformën Zgjedhore, Rama tha se “përsa i përket reformës unë i kamë thënë ato që kam pasur për të thënë. Është shumë e thjeshtë nga një sugjerim të kthyer në një kërkesë që nga Bundestagu është përfshirë në dokumentin e Këshillit për një reformë zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR që do votohet në parlament”.

“Kjo është korniza. Dhe mbi bazën e e rekomandimeve të OSBE/ODIHR ku ajo më e përsëritura shpesh është depolitizimi i administratës zgjedhore. Ne jemi të hapur deri në fund për çdo gjë, por duke qenë se në këtë proces për të ndihmuar janë përfshirë dhe partnerë miq të Shqipërisë, unë nuk dëshiroj të bëjë komente përpara sa të flasin dëshmitarët. Sigurisht unë kam diturinë e plotë dhe këndvështrimin tim mbi ecuritë e procesit dhe të ngjarjeve, por besoj ajo që na duhet është të bëjmë sa më pak polemika e lagu se lagu dhe të përpiqemi për produktin më të mirë. Nga ana jonë besoj se produkti është aty, i plotëson të gjitha kushtet mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, sigurisht në një proces zgjedhorë të gjitha palët kërkojnë gjithçka. Ka palë mendojnë se me ligjin e reformës fitohen zgjedhjet, s’është e vërtetë. Zgjedhjet fitohen me zgjedhjet e popullit. Apo që mendojnë se një ky sistem apo ai sistem bëjnë ata që i mendojnë si mrekullira, s’është e vërtetë. Është thjeshtë respektimi standardesh dhe garantimi standardesh. Ne kjo na intereson, për këtë kemi punuar, për këtë kemi dhënë kontributin tonë dhe besoj se e kemi bërë detyrën tonë”, tha Rama.

Rama shtoi se “nuk dua të merremi me fjalë sepse e thashë, ka dëshmitarë. Më vjen keq që në Shqipërinë e 2020 të ketë ambasadorë që dalin në seli partish për të bërë një marrëveshje, apo një negociatë, apo një diskutim në interes të përbashkët siç është diskutimi për rregullat e lojës. Mendoj se do të duhet prej kohësh ta kishim bërë vetë këtë por meqenëse palët e tjera kanë nevojë për këtë element edhe për të pasur garanci, unë jam mirënjohës miqve që janë përpjekur të ndihmojmë. Të bëjmë më të mirën duke lehtësuar procesin e komunikimit, por s’dua të bëjë koment sot për këtë pasi ka akoma të tjerë që do të flasin”.

Kryeministri Rama i pyetur nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp për tu ulur në një takim me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha tha se, “jam gati të ulem me liderin e opozitës Lulzim Basha për Reformën Zgjedhore”.

Rama thekson se “unë kam qenë në opozitë vetë dhe disa herë i ka kërkuar kryeministrit të kohës që të uleshim për gjërat që duhet diskutuar, tani kanë ndërruar pozicionet. Kur isha në opozitë kërkoja të uleshim, tani unë jam kryeministër kërkojë të ulemi”.

Po ashtu, Rama tha se do ishte normale të uleshim për Reformën Zgjedhore. “Gjynah, humbasim kohë humbasim energji, lodhim njerëzit, i lëmë hapësirë gjithë gënjeshtrave, sajesave dhe fantazive të pushtojnë mediet përmes informacionesh të dhëna qëllimisht për dezinformuar dhe duket se çfarë po ndodh. Në fakt është më e thjesht se kaq, do ishte normale të uleshim. Këto janë gjëra që bëhen bashkë, megjithatë nuk jemi ende aty”, u shpreh Rama.

Në vijim, Rama tha se “mendoj se në Shqipërinë e vitit 2020 nuk është e hijshme për ne që për çështje të brendshme që lidhen me vendosjen e rregullave të lojës, siç është reforma zgjedhore ku palët janë dy skuadra a më shumë që zhvillojnë një ndeshje apo një finalë ulen dhe bien dakord, sa është fusha, sa është porta, çfarë quhet faull, penallti dhe të bëhet me ambasadorë që hynë nëpër dyer. Megjithatë është për të thënë faleminderit se përderisa nuk e bëjnë dot hapin për ta bërë vetë, duhet ndihmë”./atsh

“Nuk fitohen zgjedhjet me ligjin e reformës apo me sistem”/ Rama: I hapur për çdo gjë mbi bazën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR Read More »

1 Qershori/ Delegacioni i BE-së: Mbështetja e fëmijëve dhe e të rinjve, prioritet

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, delegacioni i BE-së në Tiranë tha sot se mbështetja e fëmijëve është prioritet kryesor i BE-së.

Delegacioni i BE-së në Tiranë u shpreh se zëri i fëmijëve duhet të dëgjohet.

“Gëzuar Ditën e Fëmijëve! Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku që zëri i tyre të dëgjohet dhe të drejtat e tyre të respektohen dhe plotësohen! Mbështetja e fëmijëve dhe të rinjve është një përparësi kryesore për Bashkimin Europian”, shprehet delegacioni i BE-së.

Po ashtu, delegacioni i BE-së sjell në kohë punën e bërë për fëmijët.

“Pas në kohë në festimin e Ditës Botërore të Fëmijëve ku fëmijë nga e gjithë Shqipëria u mblodhën në Korçë për të festuar 30-vjetorin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve”, shprehet delegacioni i BE-së, duke përcjellë pamjet festive. /atsh

1 Qershori/ Delegacioni i BE-së: Mbështetja e fëmijëve dhe e të rinjve, prioritet Read More »

Meta viziton Shtëpinë e Fëmijës “Fillime të Reja”: Të investojmë dhe të mbështesim fëmijët pa kujdes prindëror

“Të investojmë dhe të mbështesim fëmijët pa kujdes prindëror dhe të familjeve në vështirësi ekonomike, duke i përgatitur për sfidat e së ardhmes”.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Shtëpinë e Fëmijës “Fillime të Reja” në Tiranë, ku u uroi përzemërsisht festën e tyre.

I shoqëruar nga bashkëthemeluesi i Shtëpisë së Fëmijëve, pastori i Kishës Ungjillore Paulin Vilajeti, Kreu i Shtetit u dhuroi libra dhe fletore vizatimi fëmijëve, duke theksuar se në këtë ditë feste të gjithë fëmijët, veçanërisht ata pa kujdes prindëror dhe të familjeve në vështirësi ekonomike kanë nevojë për më shumë dashuri, mbështetje, mirëkuptim, kujdes shëndetësor, edukim falas, dhe mbrojtje nga të gjitha format e shfrytëzimit.

“1 qershori i këtij viti vjen në një atmosferë shumë të ndryshme nga vitet e tjera për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Në Shqipëri, mijëra fëmijë nuk frekuentojnë prej gati tri muajsh shkollat, një situatë kjo që, ka vështirësuar jetën e tyre, të prindërve dhe të mësuesve dhe ka sjellë vështirësi të mëdha sociale dhe psikologjike. Kjo situatë është më e vështirë veçanërisht për fëmijët pa kujdes prindëror, apo fëmijët e familjeve në nevojë të cilët më shumë se kurrë kanë nevojë për përkujdesje dhe mbështetje të veçantë”, vuri në dukje Presidenti Meta.

“Vlerësoj institucione të tilla si Shtëpia e Fëmijës ‘Fillime të Reja’, që në 25 vitet e punës së saj, ka ndihmuar rreth 200 fëmijë të braktisur, jetimë apo jetimë social, që vijnë nga familje me problematika të mëdha sociale apo financiare. Misioni juaj ka qenë, gjatë gjithë këtyre viteve që të ndihmojë, mbështesë e investojë te kategoria e fëmijëve me probleme të mëdha sociale, në mënyrë që të edukohen dhe dalin nga varfëria ekonomike dhe ajo shpirtërore, duke i përgatitur për sfidat e së ardhmes”, tha Meta.

“Këtyre fëmijëve iu është ofruar jo vetëm një strehë dhe edukim, por mbi të gjitha dashuri, që fatkeqësisht disa prej tyre nuk e kanë njohur më parë në jetën e tyre të re”, nënvizoi Presidenti Meta.

“Siç ka thënë Shenjtorja Nëna Tereza: ‘Varfëria më e madhe nuk është të mos kesh çfarë të hash, por të mos jesh i kërkuar, i dashur nga të tjerët; të mos kesh dikë që të kujdeset për ty. Kjo është varfëria më e madhe’. Shtëpia e Fëmijës ‘Fillime të Reja’ dhe institucionet e kujdesit social nuk mund të ndryshojnë të kaluarën e këtyre fëmijëve, por qëllimi i tyre fisnik e human është që përmes gjuhës së dashurisë të kontribuojnë e të investojnë për të ardhmen e këtyre fëmijëve, duke kontribuar në këtë mënyrë për të gjithë shoqërinë dhe të ardhmen e vendit tonë, investim për të cilin u jemi të gjithë mirënjohës”, u shpreh Presidenti Meta./atsh

Meta viziton Shtëpinë e Fëmijës “Fillime të Reja”: Të investojmë dhe të mbështesim fëmijët pa kujdes prindëror Read More »