Dukati

“Pusho shqip”/ Si mund të shkosh tek Gjiri i Shën Vasilit në gadishullin e Karaburunit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ftoi turistët vendas dhe të huaj të vizitojnë gjirin e Shën Vasilit në gadishullin e Karaburunit.

Kjo verë është e jashtëzakonshme për shkak të situatës së pandemisë, por edhe një ftesë për të eksploruar Shqipërinë.

Keni qenë ndonjëherë në Gjirin e Shën Vasilit? Nëse jo, pyetja e parë do të ishte si shkohet deri atje.

“Një gji i vogël natyror në gadishullin e Karaburunit, me ujë të kristaltë dhe i përsosur për zhytje. Të mbërrish nuk është e vështirë: mund të shkoni në rrugë detare apo të ndiqni rrugën automobilistike për të vazhduar më tej me biçikletë apo hiking”, shprehet ministri Klosi.

Gjiri detar i Shën Vasilit ndodhet në pjesën e brendshme të gadishullit të Karaburunit, në faqen veriore të tij, ku spikat natyra mahnitëse. Plazhi të pashfrytëzuara, hapësira të gjelbra dhe një blu pa fund që të ofron deti. /atsh

“Pusho shqip”/ Si mund të shkosh tek Gjiri i Shën Vasilit në gadishullin e Karaburunit Read More »

Shtimi i infektimeve në Kosovë/ Kufizim i lëvizjes dhe mbyllje e bareve e restoranteve në mbrëmje, vendimet që hyjnë sot në fuqi

Prej sot, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat: Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri. Kjo pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës e cila është marrë mbrëmë.

Megjithatë, personat nga këto komuna dhe pas kufizimit, mund të lëvizin vetëm në raste të veçanta, si mund të jenë rastet urgjente shëndetësore; Në rast të nevojës për t’u kujdesur për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, vetëm nëse të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten.

Në rast të kërkimit të ndihmës nga institucionet përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare; Në rast të vdekjes së anëtarit të familjes; dhe në rast të paraqitjes së nevojave për dalje jashtë shtëpisë/banesës për nevojat fiziologjike të kafshëve, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia duke tërhequr vëmendjen se nuk lejohet shfrytëzimi i këtyre rasteve për të kryer ndonjë punë tjetër ose për ndonjë qëllim tjetër përveç atij të përcaktuar.

Po ashtu, prej sot, të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë si restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme: Iu ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar distancën prej 1.5 metrash hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet take-away (merre me vete).

Të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik si autobusë, kombi, taksi, të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.

Po ashtu, institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen ta reduktojnë numrin e të punësuarve vetëm në nivel të stafit të domosdoshëm.

Institucioneve shëndetësore publike dhe private u rekomandohet t’i reduktojnë shërbimet shëndetësore joesenciale.

Kërkohet nga të gjitha komunat t’i riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale.

Obligohen Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse shëndetësore të ndërtojnë strategji adekuate mediale për informim të qytetarëve.

Në përputhje me kërkesat e Inspektoratit Sanitar, të gjitha inspektoratet e tjera i vënë në dispozicion kapacitetet e veta për të mbikëqyrur zbatimin e masave në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Obligohet Ministria e Shëndetësisë të përgatisë “Planin e veprimit për zbatimin e procedurave të testimit me Covid 19” dhe ta sjellë për miratim në Qeveri brenda një jave.

Ministria e Shëndetësisë përgatit dhe dorëzon në Qeveri në baza javore raportin për zbatimin e këtij vendimi.

Obligohen institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi. /KosovaPress/

Shtimi i infektimeve në Kosovë/ Kufizim i lëvizjes dhe mbyllje e bareve e restoranteve në mbrëmje, vendimet që hyjnë sot në fuqi Read More »

Edhe të rinj me simptoma të rënda në Spitalin Infektiv/ Manastirliu: Merrni përgjegjësi individuale për zbatimin e masave mbrojtëse

Në Spitalin Infektiv mes qytetarëve të shtruar, ka të rinj që po trajtohen për simptoma të rënda të shkaktuara si pasojë e COVID19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apeloi sot të rinjtë të zbatojnë rregullat e higjienës personale, distancimin social dhe vendosjen e maskave në mënyrë që të frenohet përhapja e COVID19, duke ndarë edhe një videomesazh drejtuar qytetarëve nga këngëtarja e njohur Julka Gramo.

“Sot në spitalin infektiv mes qytetarëve të shtruar, ka të rinj që po trajtohen për simptoma të rënda të shkaktuara si pasojë e COVID19, sepse virusi nuk bën dallim moshe.
Sot, ka shumë të rinj që me kontaktet e shpeshta me njëri-tjetrin, pa i respektuar rregullat, rrisin mundësinë e përhapjes së infeksionit dhe e përcjellin atë tek prindërit, gjyshërit, duke i vënë ata në rrezik serioz. Vetëm me kontributin e të rinjve, për të marrë përgjegjësi individuale në këtë kohë të pazakontë, përhapja e koronavirusit të rrezikshëm mund të frenohet. Vendose maskën, ruaj distancën, laj shpesh duart, ruaj veten, ruaj të tjerët”, apeloi Manastirliu.

Në vijim të fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë për përdorimin e maskës mbrojtëse, këngëtarja Julka Gramo tha se përdorimi i maskës mbron veten dhe familjarët tanë.

“Unë mbaj maskë të mbroj ty, kështu që të lutem më mbro edhe ti mua. Le të mbrojmë njëri-tjetrin, të mbrojmë familjet tona, të mbrojmë edhe të tjerët. Nëse unë dhe ti mbajmë maskë rreziku i transmetimit të virusit sipas disa statistikave që unë pashë sot ishte vetëm 1.5%”, thotë Gramo. /atsh

Edhe të rinj me simptoma të rënda në Spitalin Infektiv/ Manastirliu: Merrni përgjegjësi individuale për zbatimin e masave mbrojtëse Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 90 raste të reja, 3 humbje jete, 33 të shëruar në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 362 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 90 raste pozitive.

Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha sot në komunikimin e drejtpërdrejtë se “shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 35 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 10 në Kurbin, 8 në Vlorë, 6 në Shkodër, 4 në Përmet, 3 në Pogradec, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kavajë, Lushnje, nga 1 rast në Kolonjë, Vau i Dejës, Kamëz, Durrës”.

“Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet me raste të shtuara ku aktualisht po trajtohen 80 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar. Ndërsa po merr trajtim spitalor edhe një fëmijë dy muajsh, i prekur nga COVID-19 nën kujdes nga stafi i pediatrisë infektive, në gjendje të stabilizuar bashkë me nënën”, – theksoi Tomini.

Ajo bëri të ditur se “fatkeqësisht 3 qytetarë kanë humbur betejën me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit. Një 57 vjeçar nga Shkodra, një 65 vjeçar nga Tirana dhe një 76 vjeçar nga Durrësi, me disa sëmundje bashkëshoqëruese kanë humbur jetën në spitalin infektiv, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve”.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, duke e çuar në 1592 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

“Në vendin tonë aktualisht janë 1088 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës”, – tha Tomini.

COVID-19 – Statistika (3 Korrik 2020)
Testime totale 28033
Raste pozitive 2752
Raste të shëruara 1592
Raste Aktive 1088
Humbje jete 72 (Qarku Tiranë 39, Durrës 12, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 11, Kukës 1, Elbasan 2)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 409
Durrës 209
Shkodër 158
Vlorë 117
Fier 46
Lezhë 57
Korçë 32
Kukës 21
Elbasan 13
Gjirokastër 10
Berat 8
Dibër 8/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 90 raste të reja, 3 humbje jete, 33 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

Rolando, një nga 10 mijë e 548 qytetarët të cilët kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë në Vlorë

Rreth 169 mijë e 757 qytetarë dhe 46 754 biznese kanë përfituar deri tani nga Paketa e Zgjeruar prej 40 mijë lekë e akorduar nga qeveria shqiptare si ndihmë financiare për të gjithë ata qytetarë që u prekën në punën e tyre, për shkak të masave në kuadër të parandalimit të përhapjes së infeksionit COVID-19.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj publikoi rastin e një prej punonjësve që është përfitues i ndihmës financiare të qeverisë prej 40 mijë lekësh.

Ai është Rolando, punonjës në kompaninë Stamplast. Rolando është një nga 10 mijë e 548 qytetarët të cilët kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë Shqiptare në qarkun Vlorë.

Prej muajit maj bizneset i janë rikthyer aktivitetit të tyre, ndërsa mbetet prioritet zbatimi i protokollit të masave të sigurisë që parandalojnë përhapjen e infeksionit COVID-19./atsh

Rolando, një nga 10 mijë e 548 qytetarët të cilët kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë në Vlorë Read More »

Basha: PD do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës

“Pavarësia, sovraniteti dhe tërësia territoriale e Kosovës janë të pacenueshme”, – tha kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë të martën, me ish-nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti dhe ish-zv.kryeministrin e ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Sipas Bashës, Partia Demokratike e Shqipërisë është e do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës dhe popullit të saj.

“Pata kënaqësinë të mirëpres sot ish-nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti dhe ish-zv.kryeministrin e ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj. Kosova ka ditur gjithmonë të tregojë maturi përballë sfidave jo të pakta që ka kaluar para dhe pas pavarësisë së saj. Pavarësia, sovraniteti dhe tërësia territoriale e Kosovës janë të pacenueshme”, – nënvizon Basha.

“Jam i bindur se së bashku me partnerët euroatlantikë, institucionet dhe forcat politike në Kosovë do të tejkalojnë çdo sfidë dhe do t’ia dalin të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj. PD e Shqipërisë është e do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës dhe popullit të saj”, – përfundoi Basha. /atsh

Basha: PD do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës Read More »

Ndahet nga jeta mjeku Arjan Pushi, i prekur nga COVID-19, mesazhe ngushëllimi

Ministria e Shëndetësisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta të profesorit të Fakultetit të Mjekësisë, Arjan Pushi, i cili, referuar shërbimit Infektiv, ndërroi jetë pak momente më parë në spitalin Infektiv, i prekur nga COVID-19, pavarësisht përpjekjes maksimale të stafit mjekësor.

Prof. Arjan Pushi ka patur një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë dhe ka përgatitur shumë breza studentësh të Mjekësisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i shpreh ngushëllime familjarëve dhe miqve të profesor Arjan Pushit.

“Ndarja nga jeta e Profesor Arjan Pushit është një dhimbje e madhe për familjen, për miqtë e tij, për kolegët, pedagogët e Universitetit të Mjekësisë ku ka shërbyer për shumë vite.
Kontributi i çmuar i Profesor Arjan Pushit për mjekësinë shqiptare, do të mbetet i pashlyeshëm ndër breza. Megjithë përpjekjet e kolegëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në spitalin infektiv, prof. Arjani nuk ia doli dot, në betejën me virusin e rrezikshëm. U prehsh në paqe Profesor Pushi”, shprehet Manastirliu.

Meta: Humbja e parë e jetës nga mantelbardhët tanë

Presidenti Ilir Meta shprehu ngushëllimet më të ndjera familjes Pushi, të afërmve dhe kolegëve të Profesorit, për këtë humbje të madhe të pazëvendësueshme.

“Tepër e dhimbshme dhe shokuese humbja e jetës së Profesorit të nderuar të Universitetit të Mjekësisë, doktor Arjan Pushi, hematologut të shquar me një kontribut të spikatur në dekada në sistemin tonë shëndetësor. Kjo është humbja e parë e jetës nga mantelbardhët tanë, të cilët prej disa muajsh po ndeshen në vijën e parë me këtë pandemi, që tregon se jo vetëm rreziku nuk ka kaluar, por çdo nënvlerësim do të jetë me pasoja tepër serioze për shëndetin, jetën dhe ekonominë”, shprehet Meta.

“Ndaj apeloj nevojën për të forcuar përqendrimin e të gjithë institucioneve për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore, si dhe përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të garantuar me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin e tyre mbështetës, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne”, deklaron ai.

Ruçi: Sinjal alarmi për të gjithë se koronavirusi nuk ka ikur

Edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit Arjan Pushi.

“Doktor Arjani, i cili ua kushtoi jetën dhe karrierën e tij qytetarëve dhe pacientëve, humbi betejën për jetën e vet, në luftë me koronavirusin Covid-19. Ai u shërbeu të sëmurëve deri sa kishte frymë dhe energji, duke mos e marrë në sy rrezikun. I shpreh ngushëllimet familjes, e cila humbi njeriun e vet më të dashur. Mjekësia shqiptare humbi një model të spikatur përkushtimi, shërbimi e vetëmohimi”, shprehet Ruçi.

Ai thekson se “kjo humbje duhet të jetë një sinjal alarmi për të gjithë, se koronavirusi nuk ka ikur, rreziku prej tij është i madh për të gjithë qytetarët. Të gjithë duhet të mbrojmë jetën tonë, por të bëjmë kujdes edhe për jetët e njerëzve që na rrethojnë. Institucionet duhet të zbatojnë rreptësisht të gjitha protokollet e mbrojtjes, ndërsa qytetarët të ndërgjegjësohen se mbrojtja më e mirë nga Covid-19 është kujdesi individual dhe respektimi rigoroz i rregullave mbrojtëse. Mbrojtja e jetëve është sot një detyrë individuale, njerëzore e kombëtare, e institucioneve, por edhe e qytetarëve”.

Basha: Arjan Pushi ka përjetë mirënjohjen e thellë të gjithë shoqërisë për një jetë në shërbim të njerëzve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar tronditës lajmin për ndarjen nga jeta të profesor doktor Arjan Pushit, i cili ishte i prekur nga COVID-19

“Jam i tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të prof. dr. Arjan Pushit, një misionari të bluzave të bardha që përmes përkushtimit dhe angazhimit të palodhur i dha ndihmë te paçmuar qindra pacientëve të tij”, shkruan Basha.

“Gjatë muajve të fundit kam ruajtur një komunikim të rregullt me prof. Arjanin mbi krizën e COVID-19 dhe gjendjen e kujdesit spitalor në tërësi. Kam mbresa të pashlyeshme nga përkushtimi profesional dhe atdhetar dhe dhembshuria njerëzore e tij”, shprehet Basha.

“Asnjë ngushëllim nuk e lehtëson dot dhimbjen e thellë të të afërmve dhe kolegëve të tij. Prof. dr. Arjan Pushi ka përjetë mirënjohjen e thellë të gjithë shoqërisë për një jetë në shërbim të njerëzve. Lutjet dhe mendimet e mia janë për familjarët dhe miqtë e tij. Respekti im maksimal është për mjekët që luftuan deri në fund për ta mbajtur në jetë mikun dhe kolegun e tyre dhe që punojnë me të njëjtin përkushtim për çdo pacient. U prehtë në paqe!” – përfundon Basha.

Ambasadorja Kim: Do të kujtohet si hero

Edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim shprehu trishtimin për ndarjen nga jeta të mjekut Arjan Pushi, i cili ishte prekur nga COVID-19.

“Jemi thellësisht të trishtuar nga humbja e parakohshme e Dr. Arjan Pushit. Ai e dha jetën, ndërsa ishte në shërbim të të tjerëve dhe do të kujtohet si hero!”, u shpreh ambasadorja Kim./atsh

Ndahet nga jeta mjeku Arjan Pushi, i prekur nga COVID-19, mesazhe ngushëllimi Read More »

“Legjenda e një shisheje vere”/ Rrëfimi i Ersol Cacos për traditën familjare në kultivimin dhe përpunimin e rrushit në Grabovicë të Pogradecit

“Legjenda e një shisheje vere” mund të titullohet rrëfimi i Ersol Cacos për traditën familjare në kultivimin dhe përpunimin e rrushit në fshatin Grabovicë të Pogradecit, aty ku sot është ngritur një prej kantinave më të mira në vend të prodhimit të verës.

Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi përcolli historinë e Ersolit, duke thënë se bëhet fjalë për një histori frymëzuese për këdo që kërkon të investojë në fshat.

Ersoli tregon se, përveçse vreshtaria është një profesion shumë i bukur, është edhe i vështirë, pasi kërkon angazhim për të përfituar rezultate konkurruese.

28-vjeçari thotë se ndonëse u shkëput me familjen për të jetuar në Pogradec, lidhja me fshatin vijon të jetë shumë e fortë e kjo falë investimit në vreshtari.

Ersoli ka studjuar Kimi Ushqimore me qëllim që t’i shërbejë rritjes së produktivitetit në vreshtari dhe prodhimit të verës në kantinën e ngritur pranë fermës së tij.

Tradita e vreshtarisë në Grabovicë është e hershme. Ersoli, thotë se vreshtaria në tokën e familjes së tij është zhvilluar në katër breza, por falë investimeve në teknologji prodhimi i verës nga kantina “Caco”, është kthyer në një markë mjaft të kërkuar nga tregu vendas.

“Pjesa e kantinës ka arritur kualitetet më të mira. Metodat tradicionale konsistojnë në fermentimin e rrushit, por teknologjia e përparuar i ka shtuar vlerë verës nga kantina jonë”, – shprehet Ersoli.

Shembulli i tij është dëshmi e punës së përkushtuar për prodhim cilësor dhe për të rritur vlerat e zonës.

Ndërsa rritja e sipërfaqeve me vreshta falë subvencioneve po rrit prodhimin për treg, edhe lehtësitë fiskale për industrinë e verës po përcaktojnë ecurinë pozitive të sektorit.

Zhvillimi i këtij sektori po rrit punësimin dhe përmirëson të ardhurat ekonomike.

“Sot në fermën me vreshta janë të punësuar mbi 20 familje të zonës dhe janë rritur të ardhurat e ekonomisë fermere. Ndërsa aplikimi në programin IPARD do të na mundësojë zbatimin e teknologjive bashkëkohore që bën diferencën në cilësi”, – thotë Ersoli.

“Vëmendja ndaj fshatit është mundësi e padiskutueshme në zhvillimin ekonomik të vendit”, shprehet ai. /atsh

“Legjenda e një shisheje vere”/ Rrëfimi i Ersol Cacos për traditën familjare në kultivimin dhe përpunimin e rrushit në Grabovicë të Pogradecit Read More »