Dukati

Gazetarët nga Kosova vizitojnë Vlorën/ Kryebashkiaku Leli: Këtë verë turizmi të flasë shqip

Prej dy ditësh një grup gazetarësh nga Kosova ndodhen në qytetin bregdetar të Vlorës, në kuadër të promovimit të turizmit.

Paraditën e sotme grupi i gazetarëve vizitoi qendrën historike të qytetit, ku u prit edhe nga kryetari i bashksië së Vlorës, Dritan Leli.

“Vlora është qyteti i historisë, natyrës së mrekullueshme dhe njerëzve mikpritës. Në zonën historike në Vlorë ndodhen gazetarë nga Kosova, shqiptarë matanë bjeshkëve, ashtu siç jemi ne nga kjo anë e bjeshkëve në bregune detit në Vlorë ku historia ka një përzierje fantastike me natyrën, me njerëzit e mrekullueshëm dhe mikpritjen vlonjate”, – tha Leli.

Ai shprehu bindjen se çdo gjë e transetmuar nga gazetarët e Kosovës do të jetë një shtysë e madhe për të gjithë ata që akoma janë në dilemën se ku do të bëjnë pushimet këtë verë.

“Unë do të këshilloja të zgjidhnin Vlorën dhe jo pa qëllim në spotin publicitar që qyteti ka përgatitur me mbështetjen e bizneseve të qytetit dhe natyrisht të gazetarëve të Vlorës, kemi zgjedhur simbolikën e Farit. Do të doja shumë që në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës të dëgjoja atë që thashë dje në takimin me ministrin e Turizmit në Kosovë aksentin e shqiptarëve matanë bjeshkëve”, – nënvizoi Leli.

Kryebashkiaku Leli u shpreh se “kemi shumë dëshirë që Vlora të vizitohet nag turistë të huaj, të ketë vizitorë nga Italia, Polonia, Sllovenia, Austria , Danimarka, etj, por do të donim që këtë verë turizmi të flasë shqip”.

“Dy vjet më parë nuk bëhej fjalë që në këtë shesh të mund të kaloje apo të shikoje objekte që janë rikonstruktuar së fundi. Ndërkohë që duke bërë shëtitoren “Ismail Qemali” të vish në rrugën ku Ismail Qemali dhe Isa Boletini bashkë me njerëzit që shpallën pavarësinë kaluan së bashku, të bësh një ndalesë në shtëpinë e Margiosë, të zonjës së lavdishme që qëndisi flamurin. Të vish në zonën historike të Vlorës për të gjithë ne do të thotë shumë”, – theksoi Leli.

Leli foli edhe për muzeun e hibraizmit që, sipas tij do të jetë unik në botë.

“Ne do të tregojmë shembullin e bashkëjetesës që ne e tregojmë gjithmonë dhe është një nga vlerat e mëdha që ne mbartim”, – tha Leli./atsh

Gazetarët nga Kosova vizitojnë Vlorën/ Kryebashkiaku Leli: Këtë verë turizmi të flasë shqip Read More »

Parashikimi i motit, e mërkurë 17 qershor 2020

Moti sot parashikohet i paqëndrueshëm. Hera herës kthjellimet do të pasohen nga zhvillime vranësirash.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se reshjet e shiut do të vijojnë me intensitet të ulët e mesatar. Lokalisht në orët e paradites reshjet do të marrin karakter shtrëngatash me shkarkesa elektrike.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-jugperëndim e lehtë e mesatare, kryesisht në bregdet. Valëzimi në dete parashikohet i forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 17/23 re diell shi rrufe
Kukës 15/25 re diell shi rrufe
Lezhë 17/25 re diell shi rrufe
Dibër 12/25 re diell shi rrufe
Durrës 17/25 re diell shi rrufe
Tiranë 18/26 re diell shi rrufe
Elbasan 17/26 re diell shi
Berat 14/28 re diell shi
Vlorë 17/27 re diell shi
Korçë 12/22 re diell shi
Gjirokastër 12/28 re diell shi
Sarandë 15/26 re diell shi/atsh

Parashikimi i motit, e mërkurë 17 qershor 2020 Read More »

Manastirliu: Nuk diskutohet momentalisht kthimi pas, kemi transmetim komunitar nga mosrespektimi i masave

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi sot se shtimi i rasteve të reja nuk vjen si pasojë e shtimit të testimeve, por është pasojë e hapjes dhe mosrespektimit të protokolleve të sigurisë.

Në një intervistë televizive Manastirliu theksoi se “është një situatë që reflekton rihapjen dhe ekspertët e epidemiologjisë konsiderojnë disa faktorë, të cilët kanë shtuar rastet pozitive ditore që lidhen me mosrespektimin e protokolleve të sigurisë”.

“Aktualisht Komiteti i ekspertëve nuk ka vlerësuar si opcion kthimin mbrapa, por ne do të jemi në një vlerësim dinamik të situatës. Për momentin nuk mund të thuhet se ekziston ideja e kthimit mbrapa, pasi ky virus është i paparashikueshëm dhe do të jemi duke e vlerësuar dhe sipas shkallëve të vlerësimit do të marrim dhe masat”, u shpreh ajo.

“Testet nuk janë qëllim në vetvete, por janë një rrjedhojë dhe një arsye e domosdoshme për t’i bërë në rast se ka një hetim epidemiologjik për t’u bërë. Gjatë dy javëve kemi patur grumbullime, festa në familje, persona që kanë shkuar në ceremoni mortore, kemi vatra familjare dhe në institucione. Ne e kemi thënë, ky është një normalitet i ri në strategjinë e rihapjes, parashikon protokolle rigoroze për t’u respektuar. Duhet vijuar distancimi fizik, higjiena, mbajtja e maskave, të gjitha këto janë të vendosura në protokolle. A janë zbatuar këto protokolle? Këtu patjetër një pjesë e madhe e ka zbatuar, siç ka edhe protokolle që janë zbatuar pjesërisht, për të cilët ne duhet të tregojmë më shumë kujdes”, – nënvizoi Manastirliu.

Sipas saj, “përgjegjësia individuale jo vetëm në këtë epidemi, por në të gjithë epidemitë e ndodhura ndonjëherë ka shumë të bëjë kur flasim për ecurinë e saj”.

“Jemi në një transmetim komunitar sidomos në Tiranë, Shkodër, Durrës që janë bashki më të riskuara në raport me të tjerat lidhur me transmetimin komunitar. Përgjegjësia kryesore e strukturave të shëndetësisë dhe e jona gjatë gjithë epidemisë është sigurimi që personeli shëndetësor të jetë i mbrojtur, të ketë gjithë materialin e mbrojtjes personale, në mënyrë që të zbatojnë protokollet. Kur ne jemi të lirë, flasim për qytetarët, ekspozimi kundrejt virusit është më i madh, intensiteti i lëvizjes po ashtu, takimet dhe kontaktet. Por edhe në sistemin shëndetësor ndodhi e njëjta gjë, sepse ne e hapëm sistemin shëndetësor, nuk ishim më si në karantinë kur bëheshin ndërhyrjet e planifikuara, konsultat online. Jo vetëm kaq, por spitalet janë struktura ku nuk vijnë persona të shëndetshëm, por edhe me shumë patologji”, – tha ministrja.

Sipas saj, ky nuk është një fenomen që ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali në spitalin “San Rafaelo”, ka ndodhur e njëjta gjë në Spanjë, madje edhe në Gjermani.

“Ne do të jemi të rrezikuar, nëse nuk zbatojmë protokollet dhe vijojmë të mendojmë se virusi nuk është prezent dhe nuk ka ekzistuar”, – tha ajo.

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se aktualisht në spitalin Infektiv janë rreth 50 të shtruar me COVID-19, kemi vetëm një pacient të intubuar dhe 6 pacientë në terapi intensive”.

E pyetur nëse rrezikojmë t’i kalojmë 80 të shtruar, ministrja tha se “nëse kjo ndodh, Spitali Infektiv ka 120 shtretër kapacitetet. Kemi COVID-2 tek Spitali Infektiv , COVID- 3 dhe COVID-4, që në total kanë kapacitet për 550 shtretër”./atsh

Manastirliu: Nuk diskutohet momentalisht kthimi pas, kemi transmetim komunitar nga mosrespektimi i masave Read More »

Balla: Kur duhet mbrojtur çdo prodhim “Made in Albania”, PD ndërmerr sulm politik ndaj kompanisë “Rozafa”

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e konsideroi sot të turpshëm sulmin politik të Partisë Demokratike ndaj kompanisë “Rozafa”.

“Sulmi i turpshëm politik i Partisë Demokratike ndaj kompanisë Rozafa, është rast i përsëritur i politikës së haraçit të sojit “Lucky” Luçiano”, tha ai.

Në këto kohë të vështira kur çdo prodhim “Made in Albania” duhet mbrojtur, Balla tha se “kjo lloj qasje antishqiptare e lidershipit rrugëhumbur të PD-së që gënjen ditën për diell duhet të ndalojë menjëherë”.

Në 5 qershor, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi mbështeti protestën e banorëve në Labinot, të cilët pretendojnë se kompania Rozafa po grabit pasuritë e tyre. /atsh

Balla: Kur duhet mbrojtur çdo prodhim “Made in Albania”, PD ndërmerr sulm politik ndaj kompanisë “Rozafa” Read More »

Basha takim me operatorët turistikë në Vlorë: Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet

“Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha në takim e zhvilluar me operatorët turistikë në Vlorë, ndërsa premtoj uljen e taksave.

Basha u shpreh se Vlora është një nga qytetet me potencialin më të madh turistik të vendit, por sot është pa pushues e pa mbështetje.

“Qindra të punësuar direkt dhe indirekt janë në sektorin e turizmit. Shumë prej tyre e kanë humbur vendin e punës e të tjerë rrezikohen nëse situata vazhdon të ecë me këto ritme. Operatorët turistikë të qytetit të Vlorës më treguan shqetësimet e tyre. Pushues nuk ka, taksat e tatimet duhet t’i paguajnë, punonjësit gjithashtu”, u shpreh Basha.

Ai tha se sektori i turizmit punëson 93 000 persona dhe në zinxhir, pothuajse, 200 000 të tjerë. Qindra mijëra familje jetojnë me të ardhurat nga turizmi.

“Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet, duke u bazuar në praktikat më të mira botërore. Ne jemi duke hartuar një plan i cili do të konsultohet më pas me operatorët turistikë për të arritur në një produkt që ta ndihmojë këtë sektor, zhvillojë dhe njëkohësisht të rrisë punësimin me paga dinjitoze”, tha ai.

Po ashtu Basha tha se taksat e larta që sot shkojnë në xhepat e oligarkëve do të reduktohen.

“Ne do të çlirojmë qytetarët dhe biznesin në përgjithësi nga taksat e larta, duke vendosur taksën e sheshtë 9% që t’iu japim mundësi për të rritur punësimin dhe konsumin. Ne nuk premtojmë të pamundurën, por paketa ndihme e lehtësi fiskale krejtësisht të realizueshme siç bëjnë dhe vendet tona fqinje që të vendosim barazinë në treg dhe të mundësojmë zhvillim ekonomik për vendin”, tha ai. /atsh

Basha takim me operatorët turistikë në Vlorë: Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet Read More »

Çlirimi i Kosovës/ Majko: Perëndimi u bë bashkë në krah të shqiptarëve

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko kujton në ditën e Çlirimit të Kosovës, kohën kur ishte kryeministër i Shqipërisë dhe rëndësinë e kësaj date.

Majko shprehet se “12 Qershori shënon Çlirimin e Kosovës. Për herë të parë në historinë kombëtare, Perëndimi u bë bashkë në krah të shqiptarëve. Së bashku me të, fituam një Luftë të Kosovës që u konsiderua “më e rëndësishmja pas Luftës së Dytë Botërore”.

“Kjo luftë pati heronjtë që ranë për lirinë kombëtare. Ne të tjerët, bëmë veç detyrën”, tha ai.

Po ashtu, Majko ka postuar një foto të asaj kohe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solanën. /atsh

Çlirimi i Kosovës/ Majko: Perëndimi u bë bashkë në krah të shqiptarëve Read More »

29 vjetori i PS-së/ Spiropali: Forcë politike e pakonkurrueshme, respekt për ata që investuan tek ajo besimin

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali, uroi sot socialistët për ditëlindjen e Partisë Socialiste, që sipas saj “udhëheq betejën historike për modernizimin, transformimin dhe integrimin e shtetit dhe të kombit tonë brenda vlerave të përbashkëta të Europës”.

“Në Partinë Socialiste të Shqipërisë kam kaluar pjesën më të madhe të jetës time të rritur. Partisë Socialiste i jam bashkuar në 2009, kur isha 26 vjeç, dhe sot nënë e dy fëmijëve jam e do jem pranë saj përgjithmonë. Partia Socialiste më ka mësuar shumëçka në opozitë dhe në qeverisje, në të mirë dhe në të keq. Më ka sfiduar, por kurrë nuk më ka zhgënjyer”, – theksoi Spiropali.

Më tej, ministrja shprehet “gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste të Shqipërisë, forcës politike që në të gjithë rrugën e saj të përpjetë ka ditur të jetë mishërim i guximit dhe suksesit në transformimin historik, por edhe mbrojtëse e patrembur e demokratizimit shoqëror dhe interesit kombëtar”.

“Jemi një forcë politike e pakonkurrueshme për nga vullneti për t’u korigjuar parreshtur, për t’u hapur ndaj shoqërisë për të qeverisur për të gjithë. Respekte për themeluesit, drejtuesit, anëtarët, aktivistët, votuesit, gratë, burrat, vajzat, djemtë, të rinjtë, të moshuarit, rishtarët, veteranët, që ndër vite e rritën dhe e farkëtuan Partinë Socialiste si fuqinë e ndryshimit, duke investuar tek Ajo besimin e madh te Shqipëria që duam”, – nënvizoi ajo.

Me Shqipërinë dhe për Shqipërine, suksese dhe vetëm suksese në rrugën e nisur që është fillimi i një pambarimi. /atsh

29 vjetori i PS-së/ Spiropali: Forcë politike e pakonkurrueshme, respekt për ata që investuan tek ajo besimin Read More »

29-vjetori i PS, Rama: Gjithnjë ka ditur të ripërtërihet, në rrugën e shumë punëve për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama përcolli pamje të historikut të Partisë Socialiste ndër vit, duke uruar 29-vjetorin e kësaj force politike.

“Mirëmëngjes. Gëzuar ditën e lindjes së forcës më të madhe politike shqiptare, Partisë Socialiste, e cila në 29 vjet ka fituar e ka humbur zgjedhje, ka pasur shkëlqime e rënie, po kurrë nuk e ka bërë gabimin e cënimit të interesit kombëtar dhe gjithnjë ka ditur të ripërtërihet, në rrugën e një ideje të madhe e të shumë punëve për Shqipërinë, që vazhdon”, është shprehur Rama.

Në videon e publikuar nga Rama tregohen pamje që prej burgosjes së ish-kryetarit të saj, Fatos Nano, trazirat e 97-s, vitet e qeverisjes së Partisë Socialiste nga 1997 deri në vitin 2005. Vitet e opozitës, 21 Janari, dhe më pas rikthimi në pushtet në 23 qershor 2013. Vitet e qeverisjes, protestat për armët kimike, marrëveshja e 17 majit me PD, fitorja në 2017-n, vendimi për shtyrjen e hapjes së negociatave nga Këshilli Europian në tetorin e 2019-s, tërmeti tragjik i 26 nëntorit si dhe shumë ngjarje të tjera, të cilat kanë shënuar këto vite të Partisë Socialiste.

“Jeta juaj është e juaja, mos e lini të struket nën hijen e nënshtrimit prej goditjeve. Hapini sytë katër. Ka dalje edhe kur s’ka. Ka dritë diku. Mbase s’do ketë aq shumë dritë, por ka aq sa për të mundur terrin. Hapini sytë katër. Zotat do t’ju ofrojnë shanse. Shihini. Kapini. Ju s’mund ta mundni vdekjen, por nganjëherë vdekjen e të jetuarit mund ta mundni. E sa më shpejt mësoni ta bëni këtë, aq më shumë dritë do të ketë. Kujtojeni këtë gjithë sa kohë jetoni. Jeni mrekullia vetë. Zotat presin të kënaqen brenda jush. Nëse doni ta provoni, shkoni deri në fund përndryshe mos u nisni fare. Nëse doni ta provoni, çojini deri në fund. Gjithçka tjetër është qëndrueshmëri. Sprovë deri në çfarë pike jeni gati të rezistoni dhe do t’ia dilni pavarësisht rrëzimeve dhe shanseve fare të vogla e do jetë më mirë se ç’mund të parafytyroni. Nëse do ta provoni, shikojini deri në fund. Asnjë ndjesi tjetër si kjo nuk ka. Krejt të vetëm para zotave. Nata do ndriçojë nga zjarri juaj. Bëje, bëje, bëje, deri në fund. Do ta çoni jetën tuaj drejt të qeshurës së përsosur . Është e vetmja betejë që vlen të luftohet. Sukseset tona të mëdha s’mund t’i kemi kurrë pas, sepse fati që duam sheh nga lart”, thuhet në videon e publikuar nga Kryeministri Rama./atsh

29-vjetori i PS, Rama: Gjithnjë ka ditur të ripërtërihet, në rrugën e shumë punëve për Shqipërinë Read More »