Dukati

Rama: Po përgatitemi për ndalimin total të daljes së pensionistëve nga shtëpia

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “po përgatitemi për ndalimin total të daljes së pensionistëve nga shtëpia, deri kur kjo luftë të mbarojë”.

“Nuk mund të presim më ndërgjegjësimin e asaj pakice që vazhdon sfidon rregullat, duke vënë në rrezik shumë serioz veten dhe të tjerët. Pensionistët kryefamiljarë në qytete duhet të shërbehen me vajtje-ardhjet për shpezat ushqimore dhe farmaceutike nga fëmijët e tyre. Ata që nuk i kanë fëmijët në të njëjtin qytet, do të shërbehen nga shteti përmes skuadrave të përbashkëta të bashkive dhe qeverisë”, tha Rama.

Ai theksoi se “të gjitha bashkitë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Shërbimin Social Shtetëror dhe Agjencinë Kombëtare të Teknologjisë së Informacionit, janë në punë për planin e mbështetjes në shtëpi të pensionistëve kryefamiljarë në çdo qytet”.

“I lutem çdo biri dhe bije prindërish të moshuar, bëni të pamundurën të mbani në shtëpi babain e nënën tuaj, gjyshin e gjyshen e fëmijëve tuaj! T’i lesh të dalin është njësoj si t’u hapësh derën të shkojnë për të marrë pjesë në një bombardim! O Zot çfarë sikleti ta thuash: Mos u jepni dorën dhe rrini tek dera në distancë kur u çoni ushqimet apo ilaçet në shtëpinë e tyre më vete”, tha Rama.

Po ashtu, ai tha se “kudo ku e keni të mundur në shtëpitë tuaja, mbajini në dhomë më vete”.

“Që t’i përqafojmë fort nesër dhe t’i kemi sa më gjatë pranë nesh, duhet t’i izolojmë sot nga çdo kontakt i mundshëm, me botën po e po, por edhe me vetë ne, që as dorën nuk duhet t’u japim dhe as pragun nuk duhet t’ua shkelim kur u çojmë ushqimet a ilaçet tek dera”, tha ai.

Ndjesë 1.000.000 herë, tha Rama duke shtuar se “kjo ishte më e vështira që duhet të nxirrja nga goja dhe s’do doja kurrë të isha unë që duhet ta bëja këtë, por s’kam si ta mbaj për vete, kur s’ka absolutisht as edhe një rrugë tjetër”.

“Kur themi frikë jo, kujdes po, fjala kujdes në këtë luftë ka fytyrën e prindërve tanë”, tha ai./atsh

Rama: Po përgatitemi për ndalimin total të daljes së pensionistëve nga shtëpia Read More »

Pensioni në shtëpi/Posta Shqiptare: Kontaktoni në dy numrat 0692285591 dhe 0694316998 për çdo paqartësi

Posta Shqiptare publikoi 2 numra kontakti për të gjithë pensionistët në qarkun e Tiranës.

Në këto dy numra kontakti, pensionistët mund të kontaktojnë në rast se kanë paqartësi apo kërkojnë ndonjë informacion sa i përket shpërndarjes së pensioneve në shtëpi.

Për të shmangur prekjen nga COVID-19 për pensionistët, si grupmosha më e riskuar, qeveria përmes një akti normativ vendosi dërgimin në shtëpi të pensioneve, duke shmangur kështu radhët në sportele.

“Të gjithë pensionistët e qarkut Tiranë, përveç informacioneve të afishuara në zyrat postare dhe në faqen zyrtare të Postës Shqiptare, për çdo informacion apo paqartësi në lidhje me shpërndarjen e pensioneve në adresë, mund të kontaktojnë në numrat e kontaktit të Filialit të Postës Tiranë: 0692285591 dhe 0694316998”, njoftoi Posta Shqiptare./atsh

Pensioni në shtëpi/Posta Shqiptare: Kontaktoni në dy numrat 0692285591 dhe 0694316998 për çdo paqartësi Read More »

“Ditën e Verës e festojmë ndryshe këtë vit”/ Kryemadhi: Të kujdesemi për familjen dhe njëri-tjetrin, bashkë do t’ja dalim

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi i ka cilësuar si të duhura masat e marra nga qeveria për të parandaluar përhapjen e COVID 19.

Kryemadhi ka uruar sot Ditën e Verës dhe ka përshëndetur të gjitha gratë, nënat, gjyshet, që i janë dedikuar me orare të zgjatura gjatë këtyre ditëve të qëndrimit në shtëpi, higjienës dhe mirëqenies së përgjithshme të familjes.

Kryemadhi thekson se, “gjendja e krijuar prej ndryshimit të rrjedhës normale të jetës ka krijuar ndjenja pasigurie”.

“Ditën e Verës e festojmë ndryshe këtë vit. Një përshëndetje për të gjitha gratë, nënat, gjyshet, që i janë dedikuar me orare të zgjatura gjatë këtyre ditëve të qëndrimit në shtëpi, higjienës dhe mirëqenies së përgjithshme të familjes. Gjendja e krijuar prej ndryshimit të rrjedhës normale të jetës ka krijuar ndjenja pasigurie, por ndërsa marrim masat e duhura dhe lutemi për më të mirën, le të ndalojmë për të vlerësuar ngrohtësinë familjare dhe mundësinë për të kaluar sa më shumë kohë pranë. Të kujdesemi për familjen, të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe bashkë do t’ja dalim, ka theksuar Kryemadhi, teksa ka publikuar një foto ku shihet duke hekurosur./atsh

“Ditën e Verës e festojmë ndryshe këtë vit”/ Kryemadhi: Të kujdesemi për familjen dhe njëri-tjetrin, bashkë do t’ja dalim Read More »

Trump pezullon udhëtimet nga Europa

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se duke nisur që nga dita e premte pezullohen për 30 ditë të gjitha udhëtimet nga Evropa, me përjashtim të atyre nga Britania e Madhe.

Trump nëpërmjet një transmetimi nga Zyra Ovale, iu drejtua popullit të tij lidhur me masat që SHBA-ja ka marrë kundër epidemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

“Bashkimi Europian dështoi në marrjen e masave të nevojshme”, tha Trump duke tërhequr vëmendjen se virusi u transmetua në SHBA nëpërmjet personave të ardhur nga këto vende.

“Për të parandaluar hyrjen e rasteve të reja në territorin tonë, pezullojmë të gjitha udhëtimet nga Europa në SHBA duke filluar që nga dita e premte. Këto kufizime do të rregullohen sipas situatës në terren”, tha Trump.

Më tej Trump tha se këto kufizime nuk do të preknin tregtinë dhe transportin kargo dhe gjithashtu Britania e Madhe do të përjashtohej nga ky zbatim.

Trump njoftoi se janë duke ndjekur edhe situatën në Kinë dhe në Korenë e Jugut dhe në rast të përmirësimit të situatës së tyre mund të rivlerësojnë masat e marra kundër këtyre vendeve./ atsh

Trump pezullon udhëtimet nga Europa Read More »

Ministria e Kulturës: Pezullohen deri në datën 3 prill të gjitha aktivitetet kulturore

Ministria e Kulturës ka urdhëruar sot pezullimin deri në datën 3 prill 2020, të të gjitha aktiviteteve kulturore, konferencave, këshillave kombëtare, dëgjesave publike, të parashikuara për t’u zhvilluar në institucionet e varësisë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka theksuar se, “me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-2019, sipas urdhrit nr.132, datë 08.03.2020 të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, “Për mbylljen e aktiviteteve publike dhe jopublike dhe anulimin e grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura”, Ministria e Kulturës urdhëron: Pezullimin deri në datën 3 prill 2020, të të gjitha aktiviteteve kulturore, konferencave, këshillave kombëtare, dëgjesave publike, të parashikuara për t’u zhvilluar në institucionet e varësisë’

Ndër institucionet kulturore ku do të pezullohet aktiviteti janë teatri Kombëtar, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Teatri Kombëtar “Kujtim Spahivogli”, Cirku Kombëtar, Qendra Kombëtare, Kulturore për Fëmijë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Biblioteka Kombëtare, Instituti Kombëtar I Trashëgimisë Kulturore.

Urdhri parashikon mbylljen deri në datën 3 prill 2020 të muzeve publikë në varësinë e Ministrisë së Kulturës. Mbylljen deri në datën 3 prill 2020 të parqeve arkeologjike. Pezullimin e shërbimit për përdoruesit dhe mbylljen e sallave të leximit në Bibliotekën Kombëtare. Protokolli për kërkesa/ankesa pranë Ministrisë së Kulturës do të funksionojë me orar të reduktuar.

Gjithashtu ministria kërkon mirëkuptimin e institucioneve kulturore private, kinema e muze t’I bashkohen masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-2019./atsh

Ministria e Kulturës: Pezullohen deri në datën 3 prill të gjitha aktivitetet kulturore Read More »

Prindërit në shtëpi të kujdesen për fëmijët, shërbimet vetëm online. Puna e një pjese të administratës nga shtëpia me kompjuter

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, për masa të tjera për parandalimin e koronaviruesit, Kryeministri Edi Rama tha se “është e domosdoshme të kufizojmë lëvizjet duke marrë një sërë masash për kufizimin e lëvizjes, si puna nga shtëpia e një pjesë të administratës, leje pushimi nënat me fëmijë në kopshte e çerdhe, si dhe mbyllja e shërbimit ADISA dhe shërbimet do merren online, apo kufizimi i vizitave në spitale”.

Në fjalën e tij, Rama tha se është e domosdoshme të kufizojmë lëvizjet, lëvizje që në jetën e përditshme janë të nevojshme, por që nuk janë jetike dhe sot është një luftë për të mbrojtur jetën e çdo kujt rreth nesh.

“Nuk mund dot të shkojmë në klub dhe t’ja sjellim koronën gjyshes apo gjyshi. Nuk mund dot të shkojmë në palestër dhe t’ja sjellim sëmundjen, bashkëshortes shtatzënë. Nuk është një luftë që do zgjasë me vite por është një luftë që çdo minut është sa një vit. Kërkon vullnet dhe disiplinë në një të përditshme të reduktuar”, tha ai.

Për këto arsye, Rama theksoi se “nga dita e nesërme do çojmë në shtëpi të gjithë atë pjesë të administratës që mund të vazhdojë të punojë përmes kompjuterit, që bën punë zyre që kanë kompjuter dhe zakonisht bënë atë punë”.

Po ashtu, Rama tha se “për këtë arsye ne nga nesër nuk do të japim më shërbime dhe për sportelet për të gjithë aplikimet online. Për këtë arsye nesër shërbimi i ADISA mbyllet dhe të gjitha shërbimet do të merren online”.

Gjithashtu, Rama tha se “për këtë arsye të gjithë prindërve që kanë një fëmijë në moshën e çerdhes, kopshtit apo arsimit bazë, dhe që nuk janë në këtë pjesë të administratës që do të shkojnë nga shtëpia për të punuar nga shtëpia ne do t’i japim menjëherë leje për të shkuar në shtëpi dhe mbajtur fëmijë për të kufizuar kontaktet me të tjerët”.

Rama tha se do të përballemi me seriozitet me dinjitet duke kontribuuar për familjen për njëri-tjetrin dhe shoqërinë.

“Nuk do të lejojmë të shkojnë pranë spitaleve jo vetëm ata që janë të afër të sëmurëve por edhe ata të cilën në ditë të zakonshme nisen drejt spitalit për të parë njëherë se mos kanë ndonjë gjë, jo. Konsulta në spital do të bëhet sipas skenarit dhe planifikimit për gjendjen e luftës”, tha ai./atsh

Prindërit në shtëpi të kujdesen për fëmijët, shërbimet vetëm online. Puna e një pjese të administratës nga shtëpia me kompjuter Read More »

Ambasadorja Kim: Gratë shqiptare meritojnë falënderime dhe respekt

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka uruar sot gratë shqiptare me rastin e 8 marsit, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

“Gratë shqiptare meritojnë falënderime dhe respekt për gjithçka që ato bëjnë për familjet e tyre, vendin e tyre dhe botën tonë”, shprehet ambasadorja Kim në urimin e saj.

“Unë e ndaj vendosmërinë tuaj për të bërë një ndryshim pozitiv, në Ditën Ndërkombëtare të Grave”, tha ajo.

Po ashtu, ambasadorja Kim bashkë me urimin për gratë shqiptare postoi dhe deklaratën e Departamentit të Shtetit Amerikan.

“Më 8 Mars, ne shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe festojmë gra dhe vajza në të gjithë globin. Shtetet e Bashkuara mbështesin një botë në të cilën gratë dhe vajzat janë të lira të realizojnë potencialin e tyre të plotë dhe të jetojnë me dinjitet së bashku me familjet, komunitetet dhe vendet e tyre”, thuhet në deklaratë e DASH./atsh

Ambasadorja Kim: Gratë shqiptare meritojnë falënderime dhe respekt Read More »

Ministria e Shëndetësisë jep informacion të përditësuar: Asnjë rast me koronavirus në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) informon se Shqipëria deri pasditen e së martës, datë 3 mars 20202 nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19.

Gjatë ditës së djeshme janë testuar 5 raste të reja në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP nga ku në total numri i rasteve të testuara ka shkuar në 36. Të gjitha rastet kanë rezultuar negative për COVID 19. Rastet kanë pasur shenja të infeksionit respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthim epidemik dhe komunitar të koronavirusit të ri dhe janë testuar pranë Laboratorit e Virologjisë në ISHP, i vetmi i certifikuar nga OBSH.

Në 24 orët e fundit në total kanë hyrë 17830 udhëtarë dhe në vijimësi po kryhet survejanca e përforcuar në pikat kufitare ajrore, detare dhe tokësore duke kryer monitorimin e temperaturës për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu në 24 orët e fundit thirrjet kundrejt numrit 127 ka arritur nivelin e 1649 telefonatave, nga të cilat 39 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksion viral respirator dhe histori udhëtimi me Italinë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën apel udhëtarëve që vijnë nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë patur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhë 14-ditore.

MSHMS rekomandon qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral të telefonojnë në numrin 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore.

Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së është si më poshtë:

Në nivel global, janë raportuar në total 90 663 raste të konfirmuara me COVID-19, dhe në total 3124 vdekje:

Azi: 263 raste të konfimuara – 3055 vdekje
Afrikë: 9 raste të konfirmuara
Amerikë: 145 raste të konfirmuara – 6 vdekje
Oqeania: 34 raste të konfirmuara – 1 vdekje
Europë: 2507 raste të konfirmuara – 56 vdekje
Tabela 1. Numri i rasteve të konfirmuara deri në datën 3 mars 2020 sipas shteteve (sipas ECDC): https://www.ecdc.europa.eu/en/novel-coronavirus-china

Shteti Nr i rasteve të konfirmuara (3 mars 2020)
Kontinenti i Azisë 87 263
Kina 80261
Republika e Koresë 4812
Iran 1501
Japoni 254
Singapor 108
Kuvajt 56
Bahrain 47
Tajland 43
Tajvan 41
Malajzi 29
Emiratet e Bashkuara Arabe 21
Irak 21
Vietnam 16
Liban 13
Izrael 10
Oman 7
Indi 5
Pakistani 4
Katar 3
Filipine 3
Indonezia 2
Kamboxhia 1
Afganistan 1
Nepal 1
Jordania 1
Sri Lanka 1
Arabia Saudite 1
Raste të tjera 705
Rastet e tjera në një mjet transporti detar Japoni 705
Amerika 145
USA 103
Kanada 27
Ekuador 7
Meksika 5
Brazili 2
Republika Domenikane 1
Oqeania 34
Australia 33
Zelanda e Re 1
Afrika 9
Egjipt 2
Algjeria 3
Nigeria 1
Tunizia 1
Maroku 1
Senegali 1
Total 88 156/atsh

Ministria e Shëndetësisë jep informacion të përditësuar: Asnjë rast me koronavirus në Shqipëri Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com