Lleshaj: Besa Shahini, përpjekje për pak modernizim në një sistem të shkatërruar gjatë tri dekadave
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha sot se “janë bashkuar shumë “burra” kundër Besa Shahinit. Duket se këta i bashkon më shumë një zell i turpshëm kundër Besës, sesa ndonjë shqetësim i sinqertë për arsimin shqiptar, për gjendjen e të cilit ata janë përgjegjës shumë herë më tepër se Besa”.
Në një reagim, të cilin thotë se e bën në cilësinë e një qytetari dhe jo në atë të ministrit, Lleshaj thekson se “Besa sulmohet se është një rast ndryshe. Ajo nuk ka studiuar në ndonjë nga universitetet tona të shumta, nuk ka qenë studente apo shoqe e ndokujt që bërtet, nuk është nga Tirana, tingëllon pak gegnisht kur flet, vjen nga Kosova… Vetëm këto janë “mëkatet” e saj”.
“Ajo nuk ka pasur kohë për ta prishur cilësinë e shkollës tonë. Ajo nuk ka mundur ende as t’a rregullojë atë. Kush kupton sadopak nga arsimi, e di mirë se efekti i politikave të reja në arsim nuk mund të merret për një apo dy vjet. Të gjithë ata skizofrenë që shajnë Besën për provimin e Maturës Shtetërore, duhet ta dinë se atë nuk e ka formuluar ajo, por studentët që kanë dalë nga shkollat që Besa ka pasur fatin të mos i bëjë”, – nënvizoi Lleshaj, duke shtuar se ato teste i kanë bërë studentët e atyre që bërtasin dhe që janë gati të fajësojnë gjithë botën për cilësinë e produktit të tyre.
E vetmja gjë që ka arritur të bëjë Besa, tha Lleshaj, gjatë muajve të ushtrimit të detyrës së saj, është përpjekja për pak modernizim në një sistem të shkatërruar gjatë tri dekadave.
“Një sistem ku “profesorët” ulërijnë dhe shajnë pa kurrëfare etike, ndërkohë që kanë marrë paga nga universitetet kioska pasi kanë firmosur me mijëra diploma pa vlerë, të cilat ngjajnë më shumë me mandatet e pasurisë që lëshonte Sudja e piramidave sesa me diplomat normale të universitetit. Ata që kanë heshtur përpara gjëmës së bërë kundër arsimit me universitetet piramida, ata që i kanë kthyer universitetet ku punojnë në hane ku edhe analfabetet pretendojnë për notë maksimale dhe ku nuk mbetet askush, ata që e kanë katandisur universitetin në fund të listave të renditjes botërore nuk mund të gjejnë asnjë alibi tek Besa”, – theksoi Lleshaj.
Sipas tij, është fat që ajo është ndryshe edhe në formim edhe në nivel nga autorët e gjendjes së sotme të arsimit.
“Është fat që ajo po përpiqet për një impuls modernizues në një sistem të mbështetur tek indoktrinimi, ku studentët trajnohen vetëm për të përsëritur, por kurrë për të menduar. Besa kërkon një shkollë ku nxënësit dhe studentët mësojnë si të mendojnë dhe jo çfarë të mendojnë, një shkollë që frymëzon dhe jo një shkollë që indoktrinon. Ju, ithtarë, viktima dhe autorë të një sistemi të dështuar, heshtni! Mos e kërkoni tek Besa fajin për dështimin tuaj. Si kosovare, ajo është po aq, në mos edhe më shumë, shqiptare se ju; si e diplomuar në Europë, ajo është edhe më e mirarsimuar se ju. Dhe mbi të gjitha: si një grua që nuk ju shan, ajo ka më shumë dinjitet se ju. Bëhuni pra burra dhe heshtni”, – tha Lleshaj./atsh