Dukati

Ambasadorja Kim viziton fabrikën e vajit të ullirit në Qeparo/ Hapi rrugën e eksportit, krijoi vende pune

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim vizitoi sot në Qeparo, në jug të vendit, fabrikën e vajit të ullirit “Gjikondi”, një biznes i vogël familjar, që ka përdorur ndihmën e Qeverisë amerikane për të zgjeruar veprimtarinë dhe për të krijuar vende pune.

Ambasadorja publikoi foto nga kjo vizitë dhe u shpreh se, “Gjikondi” ka hapur rrugën e eksportit të vajit të ullirit dhe ka ndihmuar fermerët e tjerë të zhvillohen bashkë me të./atsh

Ambasadorja Kim viziton fabrikën e vajit të ullirit në Qeparo/ Hapi rrugën e eksportit, krijoi vende pune Read More »

Ende pikëpyetje për COVID-19

Megjithëse ishte një pneumoni misterioze, pasi u shfaq në Wuhan në fund të dhjetorit, e shkaktuar nga koronavirusi SarsCov2, vetëm 10 milionë persona janë sëmurur për gjashtë muaj në të gjithë botën.

Sidoqoftë, pandemia Covid-19 është shndërruar në krizën më të rëndë të shëndetit publik të 100 viteve të fundit, me mbi 500 000 të vdekur deri tani.

Por, përkundër asaj që është zbuluar, ka ende pesë pyetje të hapura, të tilla si imuniteti, kërkesat për vaksina, origjina e virusit dhe mutacionet e tij.

Pyetja e parë është se pse njerëzit reagojnë kaq ndryshe ndaj virusit.

Disa mbeten asimptomatikë, ndërsa të tjerë zhvillojnë pneumoni të rënda, ndonjëherë të rrezikshme për jetën.

Konsorciumi ndërkombëtar i iniciativës gjenetike të Cociv-19, që ka studiuar gjenomin e rreth 4 000 pacientëve në Itali dhe Spanjë, ka arritur të zbulojë disa mutacione që lidhen me format e rënda të Covid-19.

Sidoqoftë, këto mutacione që kanë një rol modest në zhvillimin e sëmundjes.

Studiuesit nga universiteti ”Rockefeller” në Nju Jork janë në kërkim të mutacioneve me një ndikim më të madh, duke studiuar gjenomin e njerëzve të shëndetshëm nën 50 vjeç që kanë pasur forma të rënda të Covid-19.

Pyetja e dytë që duhet të zgjidhet është se sa zgjat imuniteti nga Covid-19.

Niveli i antitrupave neutralizues ndaj virusit mbetet i lartë për dy javë pas infeksionit, dhe pastaj bie. Te ata që kanë pasur forma më të rënda, niveli i antitrupave në nivele më të larta zgjat më shumë. Por, nuk dihet se cili nivel i antitrupave neutralizues është i nevojshëm për të shmangur një infeksion të ri SarsCov2 ose për të zvogëluar simptomat e një infeksioni të ri.

Pyetja e tretë janë mutacionet e zhvilluara nga virusi.

Të gjitha viruset ndryshojnë dhe SarsCov2 nuk bën përjashtim. Studiuesit po debatojnë nëse një mutacion në proteinën S të virusit, i cili u shfaq në Europë në shkurt dhe tani është mbizotërues në botë, përveç që e bën virusin më infektiv në laborator, prek qeniet njerëzore.

Pyetja e katërt ka të bëjë me vaksinën.

Tani ka rreth 200 vaksina në zhvillim në të gjithë botën dhe 20 prova klinike. Testet e para në shkallë të gjerë pritet të fillojnë muajt e ardhshëm.

Studimet e Universitetit të Oksfordit kanë treguar që vaksina parandalon infeksionin e mushkërive dhe pneumoninë, por nuk e bllokon atë në pjesën tjetër të trupit, siç është në hundë.

Pak të dhëna njerëzore sugjerojnë që vaksinat kundër Covid-19 mund të detyrojë trupin të krijojë antitrupa neutralizues, të aftë për të parandaluar virusin nga infektimi i qelizave. Por, është e paqartë nëse ky nivel është i mjaftueshëm për të ndaluar infeksionet e reja dhe sa zgjasin antitrupat.

Pyetja e pestë dhe e fundit ka të bëjë me origjinën e virusit, një enigmë e vërtetë.

Është rënë dakord për lakuriqin e natës si pikënisje, duke marrë parasysh ai mbart dy koronaviruse shumë të ngjashme (96%) me SARSCoV2. Përpjekjet e bëra deri tani në Kinë dhe Azinë Juglindore për të izoluar virusin te kafshët e egra kanë qenë të pasuksesshme./atsh

Ende pikëpyetje për COVID-19 Read More »

“COVID-19 është një realitet në Shqipëri”/ Mjekja Çomo: Respektoni masat, gjatë verës nuk ulet transmetueshmëria e virusit

Shefja e Infektivit në Qendrën Spitalore Universitare, Najada Çomo, deklaroi sot se “COVID-19 është një realitet në Shqipëri dhe është realitet që duhet mbrohet kushdo dhe mund të marrë jetë njerëzish dhe papritur ti mund të bëhesh shkak për t’u sëmurur vetë, apo për t’ia transmetuar personave të tjerë”.

Në një intervistë televizive, Çobo tha se “fillimi i lirisë, pra hapja e Shqipërisë si edhe një pjese të vendeve të botës është perceptuar gabim. Perceptim gabim do të thotë hapet, por ruaj pjesën e masave që janë të thëna në mënyrë të vazhdueshme, sepse kjo lloj hapjeje po shton numrin e personave të sëmurë, jo atyre të infektuar që është një kategori e caktuar dhe shtimi i rasteve të shtruar në spital sigurisht është përcjellë edhe me humbje jetësh, që nuk janë pak”.

Sipas saj, njerëzit duhet ta kuptojnë mirë se hapja është bërë jo se ka mbaruar COVID-19.

“Shtimi i rasteve ishte i pritshëm, por mungesa e sensibilizmit të njerëzve ose harresa se kjo sëmundje iku dhe nuk është më mes nesh mua më shqetëson pa masë dhe ndaj kam dalë sot këtu për të thënë se COVID-19 është një realitet në Shqipëri dhe duhet të gjithë të marrim masa për t’u mbrojtur se virusi është mes njerëzve. Nuk është se ka zgjedhur të rrijë në një zonë të caktuar, ai është në ajër dhe qarkullon”, – nënvizoi Çomo.

E pyetur se nëse në verë ulet transmetueshmëria, Çomo tha se “unë s’e kam artikuluar asnjëherë. Nuk ulet transmetueshmëria e virusit gjatë verës. Madje në temperatura të larta pacientët kanë më shumë vështirësi sesa në temperaturat që kishim gjatë 3 muajve të parë. Një pacient i ftohur ka më shumë vështirësi në temperatura 40 gradë”.

“Kjo është sëmundja më e tmerrshme që unë kam parë në historinë e punës time. Kjo sëmundje ka shumë të papritura. Mendon se ke vendosur në rregull çdo gjë dhe për një orë ndryshon gjithçka. Gjendja e të infektuarve ndryshon krejt papritur”, – tha Çomo. /atsh

“COVID-19 është një realitet në Shqipëri”/ Mjekja Çomo: Respektoni masat, gjatë verës nuk ulet transmetueshmëria e virusit Read More »

“Pusho shqip”/ Si mund të shkosh tek Gjiri i Shën Vasilit në gadishullin e Karaburunit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ftoi turistët vendas dhe të huaj të vizitojnë gjirin e Shën Vasilit në gadishullin e Karaburunit.

Kjo verë është e jashtëzakonshme për shkak të situatës së pandemisë, por edhe një ftesë për të eksploruar Shqipërinë.

Keni qenë ndonjëherë në Gjirin e Shën Vasilit? Nëse jo, pyetja e parë do të ishte si shkohet deri atje.

“Një gji i vogël natyror në gadishullin e Karaburunit, me ujë të kristaltë dhe i përsosur për zhytje. Të mbërrish nuk është e vështirë: mund të shkoni në rrugë detare apo të ndiqni rrugën automobilistike për të vazhduar më tej me biçikletë apo hiking”, shprehet ministri Klosi.

Gjiri detar i Shën Vasilit ndodhet në pjesën e brendshme të gadishullit të Karaburunit, në faqen veriore të tij, ku spikat natyra mahnitëse. Plazhi të pashfrytëzuara, hapësira të gjelbra dhe një blu pa fund që të ofron deti. /atsh

“Pusho shqip”/ Si mund të shkosh tek Gjiri i Shën Vasilit në gadishullin e Karaburunit Read More »

Shtimi i infektimeve në Kosovë/ Kufizim i lëvizjes dhe mbyllje e bareve e restoranteve në mbrëmje, vendimet që hyjnë sot në fuqi

Prej sot, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat: Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri. Kjo pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës e cila është marrë mbrëmë.

Megjithatë, personat nga këto komuna dhe pas kufizimit, mund të lëvizin vetëm në raste të veçanta, si mund të jenë rastet urgjente shëndetësore; Në rast të nevojës për t’u kujdesur për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, vetëm nëse të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten.

Në rast të kërkimit të ndihmës nga institucionet përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare; Në rast të vdekjes së anëtarit të familjes; dhe në rast të paraqitjes së nevojave për dalje jashtë shtëpisë/banesës për nevojat fiziologjike të kafshëve, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia duke tërhequr vëmendjen se nuk lejohet shfrytëzimi i këtyre rasteve për të kryer ndonjë punë tjetër ose për ndonjë qëllim tjetër përveç atij të përcaktuar.

Po ashtu, prej sot, të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë si restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme: Iu ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar distancën prej 1.5 metrash hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet take-away (merre me vete).

Të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik si autobusë, kombi, taksi, të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.

Po ashtu, institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen ta reduktojnë numrin e të punësuarve vetëm në nivel të stafit të domosdoshëm.

Institucioneve shëndetësore publike dhe private u rekomandohet t’i reduktojnë shërbimet shëndetësore joesenciale.

Kërkohet nga të gjitha komunat t’i riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale.

Obligohen Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse shëndetësore të ndërtojnë strategji adekuate mediale për informim të qytetarëve.

Në përputhje me kërkesat e Inspektoratit Sanitar, të gjitha inspektoratet e tjera i vënë në dispozicion kapacitetet e veta për të mbikëqyrur zbatimin e masave në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Obligohet Ministria e Shëndetësisë të përgatisë “Planin e veprimit për zbatimin e procedurave të testimit me Covid 19” dhe ta sjellë për miratim në Qeveri brenda një jave.

Ministria e Shëndetësisë përgatit dhe dorëzon në Qeveri në baza javore raportin për zbatimin e këtij vendimi.

Obligohen institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi. /KosovaPress/

Shtimi i infektimeve në Kosovë/ Kufizim i lëvizjes dhe mbyllje e bareve e restoranteve në mbrëmje, vendimet që hyjnë sot në fuqi Read More »

SPAK dhe SHÇBA ndalojnë 2 punonjës të Policisë Rrugore për shpërdorim detyre

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të SHÇBA-së, Tiranë finalizuan pas disa muajsh hetime me metoda speciale, operacionin për ndalimin e 2 punonjësve të Policisë Rrugore.

Sipas Policisë së Shtetit, punonjësit H.Z me detyrë oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë dhe L.D me detyrë shef seksioni për Verifikimin e Shkeljeve Administrative u ndaluan për veprat penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojne funksione publike” dhe “shpërdorim i detyrës, kryer në bashkëpunim”, për punonjësit e Policisë.

“Nga hetimet e deritanishme është e provuar dhe dokumentuar procedurialisht se dy punonjësit, gjatë ushtrimit të detyrës në këmbim të dorëzimit të automjetit në pronësi të një shtetaseje të sekuestruar në cilësinë e provës materiale për një ngjarje ndodhur në shtator 2019, i kanë kërkuar përfitime të jashtëligjshme në formë rryshfeti dhe favore seksuale”, bën të ditur Policia.

Ndër të tjera, Policia bën të ditur se janë siguruar prova se me veprimet dhe mosveprimet me dashje, në një periudhe kohore relativisht të gjatë, kanë zvarritur procedurat ligjore të dorëzimit të automjetit me qëllim përfitimin e favoreve të mësipërme, duke konsumuar elementë të shpërdorimit të detyrës dhe të korrupsionit pasiv.

SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor./atsh

SPAK dhe SHÇBA ndalojnë 2 punonjës të Policisë Rrugore për shpërdorim detyre Read More »

Merkel: Falënderoj të moshuarit për qëndresën gjatë pandemisë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka falënderuar të moshuarit në Gjermani për stojcizmin e treguar gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Unë e di se jeta e përditshme, e cila shpesh është e vështirë, sidoqoftë, është bërë edhe më e vështirë edhe më e vetmuar gjatë pandemisë”, tha ajo në mesazhin javor të së shtunës.

“Përkundër gjithë kësaj vështirësie, unë nuk gjeta aspak zemërim te shumë njerëz të moshuar, por më tepër një mirëkuptim për politikën tonë për kufizimet e nevojshme të kontakteve. Unë ju falënderoj shumë për këtë”, tha Merkel.

Ndër të tjera, Merkel iu referua shumë nismave të reja gjatë të cilave të rinjtë gjermanë po ndihmojnë njerëzit e moshuar duke ua bërë më të lehtë jetën e përditshme.

“Do të isha e lumtur nëse këto iniciativa do të ruheshin për një kohë të gjatë. Nevoja për një mbështetje të tillë mes brezave me siguri duhet të ruhet ende”, tha kancelarja./atsh

Merkel: Falënderoj të moshuarit për qëndresën gjatë pandemisë Read More »

Edhe të rinj me simptoma të rënda në Spitalin Infektiv/ Manastirliu: Merrni përgjegjësi individuale për zbatimin e masave mbrojtëse

Në Spitalin Infektiv mes qytetarëve të shtruar, ka të rinj që po trajtohen për simptoma të rënda të shkaktuara si pasojë e COVID19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apeloi sot të rinjtë të zbatojnë rregullat e higjienës personale, distancimin social dhe vendosjen e maskave në mënyrë që të frenohet përhapja e COVID19, duke ndarë edhe një videomesazh drejtuar qytetarëve nga këngëtarja e njohur Julka Gramo.

“Sot në spitalin infektiv mes qytetarëve të shtruar, ka të rinj që po trajtohen për simptoma të rënda të shkaktuara si pasojë e COVID19, sepse virusi nuk bën dallim moshe.
Sot, ka shumë të rinj që me kontaktet e shpeshta me njëri-tjetrin, pa i respektuar rregullat, rrisin mundësinë e përhapjes së infeksionit dhe e përcjellin atë tek prindërit, gjyshërit, duke i vënë ata në rrezik serioz. Vetëm me kontributin e të rinjve, për të marrë përgjegjësi individuale në këtë kohë të pazakontë, përhapja e koronavirusit të rrezikshëm mund të frenohet. Vendose maskën, ruaj distancën, laj shpesh duart, ruaj veten, ruaj të tjerët”, apeloi Manastirliu.

Në vijim të fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë për përdorimin e maskës mbrojtëse, këngëtarja Julka Gramo tha se përdorimi i maskës mbron veten dhe familjarët tanë.

“Unë mbaj maskë të mbroj ty, kështu që të lutem më mbro edhe ti mua. Le të mbrojmë njëri-tjetrin, të mbrojmë familjet tona, të mbrojmë edhe të tjerët. Nëse unë dhe ti mbajmë maskë rreziku i transmetimit të virusit sipas disa statistikave që unë pashë sot ishte vetëm 1.5%”, thotë Gramo. /atsh

Edhe të rinj me simptoma të rënda në Spitalin Infektiv/ Manastirliu: Merrni përgjegjësi individuale për zbatimin e masave mbrojtëse Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com