Aurora

Qeveria ndryshime në strukturën dhe pagat e punonjësve të administratës

Këshilli i Ministrave miratoi sot një sërë vendimesh të rëndësishme.

Një nga vendimet e publikuara sot në faqen zyrtare lidhet me disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 187, datë 8.3.2017, mbi miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve civilë/nëpunësve, zv/ministrit dhe nëpunësve të kabineteve, në Kryeministri, aparatet e ministrive të linjës, administratës së Presidentit, Kuvendit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, disa institucione të pavarura, institucione në varësi të Kryeministrit dhe institucione në varësi të ministrive të linjës dhe administratës së prefektit.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të ligjit nr. 9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi që në vendimin nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen shtesat dhe ndryshimet.

– shtohet emërtesa “Instituti i Statistikave”.
– shtohet emërtesa “Sekretariati teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar”

– shfuqizohet emërtesa “Instituti i Statistikave”.
– emërtesa “Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve” zëvendësohet me emërtesën “Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve”.

– emërtesa “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave” zëvendësohet me emërtesën “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit”.

– emërtesa “Koordinator në Institutin e Statistikave (INSTAT)” shfuqizohet.

– Lidhja nr. 5/1, që përmendet në pikën 8/1, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

– Pas pikës 8/8 shtohet pika 8/9, me këtë përmbajtje:

– Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Drejtor ekzekutiv”, në sekretariatin teknik të Këshillit Ekonomik Kombëtar”, janë sipas lidhjes nr.5/9, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”.

– Në lidhjen nr.6/3, që përmendet në pikën 9/3, në kolonën “Pozicioni”, pas emërtesës “Drejtor drejtorie” shtohet emërtesa “Koordinator – kategoria III-a”.

– Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Titullar institucioni” (punonjësit civilë) në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Komandën dhe Shtabin e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, si dhe Qendrën Kombëtare të Kërkim Shpëtimit, janë sipas lidhjes 6/6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”.

– Titulli i lidhjes 6/6, që përmendet në pikën 9/6, ndryshohet. Kështu, kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Titullar institucioni” (punonjësit civilë) në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Komandën dhe Shtabin e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, si dhe Qendrën Kombëtare të Kërkim Shpëtimit”.

Pika 10/4 ndryshohet. Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Titullar institucioni” (punonjës civilë) në Komandën dhe Shtabin e Forcës Tokësore, Komandën dhe Shtabin Forcës Detare, Komandën dhe Shtabin e Forcës Ajrore, Komandën dhe Shtabin e Komandës Mbështetëse, Institutin e Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake, Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura, Qendrën e Personel Rekrutimit, Agjencinë e Sistemeve të Ndërlidhjes dhe Informacionit, Qendrën e Doktrinës dhe Kërkimit në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, Qendrën e Stërvitjes Individuale në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, Qendrën e Riparimit dhe Mirëmbajtjes së Teknikës së Forcave të Armatosura në Komandën Mbështetëse, si dhe për punonjësit civilë jomësimorë në Akademinë e Forcave të Armatosura, Akademinë e Nënoficerëve dhe Shkollën e Trupës, janë sipas lidhjes nr.7/4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

– Përjashtimit për vitin 2018, nëpunësit aktualë të njësive të teknologjisë së informacionit të institucioneve të administratës shtetërore, që do të transferohen në përbërje të strukturës dhe të organikës së AKSHI-t gjatë këtij viti, do të vazhdojnë të përfitojnë të njëjtën pagë mujore me atë që përfitonin përpara transferimit pranë AKSHI-t.

– Për vitin 2019 e në vazhdim, nëpunësit aktualë të njësive të teknologjisë së informacionit të institucioneve të administratës shtetërore, të cilët deri në momentin e transferimit në përbërje të strukturës dhe të organikës së AKSHI-t përfitonin një pagë më të lartë se paga sipas lidhjes 5/1 (përfshirë edhe nëpunësit e transferuar gjatë periudhës qershor-dhjetor 2018), do të vazhdojnë të përfitojnë të njëjtën pagë mujore me atë që përfitonin përpara transferimit pranë AKSHI-t, deri në momentin e ndërprerjes së marrëdhënies juridiko-financiare me këtë institucion.

Në vendim thuhet se efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion për vitin 2018, për INSTAT-in, Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit dhe Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturën e Mbetjeve, të fillojnë nga momenti i transferimit të nëpunësve në pozicionet e reja pas miratimit të strukturave dhe organikave përkatëse. Ndërsa për sekretariatin teknik e Këshillit Ekonomik Kombëtar si dhe për përcaktimet në shkronjat “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g” dhe “h”, të pikës 1, të këtij vendimi, të fillojnë pas hyrjes në fuqi të vendimit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave ngarkon institucionet e administratës shtetërore ku janë të punësuar nëpunësve që do të transferohen gjatë vitit 2018 tek AKSHI-i, ta njoftojnë këtë të fundit për kategorinë e pagës dhe pagesën aktuale të këtyre nëpunësve. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./atsh

Qeveria ndryshime në strukturën dhe pagat e punonjësve të administratës Read More »

Edhe aktorët e rinj u bashkohen kolosëve të skenës shqiptare në peticion: “Duam Teatrin e Ri”

Krahas emrave me peshë të skenës shqiptare, si: Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Luftar Paja apo Todi Llupi, peticionin drejtuar krerëve më të lartë të shtetit në mbështetje të ndërtimit të një teatri të ri, e kanë firmosur edhe dhjetëra përfaqësues të brezit të ri të aktorëve dhe regjisorëve.
Në listën e firmëtarëve të peticionit janë emra të njohur Gazmend Paja, Erion Isai, Ledio Lako, Genti Deçka, Jorke Broka, Olsi Bylyku, Albana Perhati e shumë emra të tjerë, të mirënjohur për talentin dhe të qeshurat që i dhurojnë shqiptarëve.
Këtë të enjte, një grup artistësh, kryesuar nga të mëdhenjtë e skenës shqiptare si Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Luftar Paja etj, iu drejtuan me një peticion Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe krerëve më të lartë të shtetit në vend, me anën e të cilit shprehin vullnetin e tyre pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar, bashkëkohor dhe modern.
Lista e aktorëve të rinj që kanë firmosur peticionin:
Genti Deçka
Paola Kodra
Blerta Belliu
Erion Isai
Gazmend Paja
Jorke Broka
Erblin Bajko
Olsi Bylyku
Ledio Lako
Irgen Çela
Klesta Shero
Miola Sitaj
Albana Perhati
Engjell Hoxha
Armela Demaj
Besart Cani
Danier Shkurti/atsh

Edhe aktorët e rinj u bashkohen kolosëve të skenës shqiptare në peticion: “Duam Teatrin e Ri” Read More »

Rezultatet e Reformës në Drejtësi, tregojnë seriozitetin e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE

Në emër të Bundestagut gjeman, deputeti Nikolas Label tha se Shqipëria e ka marrë seriozisht rrugën drejt Bashkimit Europian dhe për këtë të fundit, mjafton të shohësh rezultatet pozitive nga procesi i Vetting-ut dhe Reforma në Drejtësi.

Ndërsa foli për sfidat që e presin vendin tonë gjatë këtij viti e deri në pranverën e 2019-ës, Label tha se për Gjermaninë dhe vendet e BE-së, prioritet mbeten Reforma e nisur në Drejtësi, Reforma Zgjedhore si dhe stabiliteti politik i vendit.

“Se sa seriozisht e ka marrë Shqipëria procesin e Bashkimit Europian, për këtë mjafton të shikosh vetëm rezultatet e Reformës në Drejtësi dhe në procesin e Vetingut. Shqipëria e ka marrë shumë seriozisht, edhe ne gjithashtu. Ne përfaqësohemi në këtë fushë me 80 ekspertë ndërkombëtarë që kanë të drejtë të jenë këtu, të mbikëqyrin procesin e reformës, por edhe të influencojnë në të, lidhur me kalimin e gjyqtarëve/gjyqtareve, të prokurorëve/ të prokuroreve. Reforma në Drejtësi dhe procesi i Vetingut është një gur i rëndësishëm themeli, në mënyrë që të dalin rezultatet e duhura dhe performanca e Shqipërisë të jetë e qëndrueshme”, – tha deputeti gjerman.

Sipas tij, viti 2019 përbën një vit të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët.

“Viti 2019 është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, vit për të cilin po punojmë së bashku për fillimin e negociatave në Bashkimin Europian, por është një vit i mbushur plot me sfida. Për përballimin e këtyre sfidave jemi duke punuar së bashku me Shqipërisë, me qeverinë shqiptare, me Kryeministrin, në mënyrë që zhvillimet pozitive të konstatohen në zhvillimin ekonomik, stabilitetin politik, Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar, por edhe në Reformën Zgjedhore, e cila për Gjermaninë, ka një rëndësi të madhe dhe përfshirjen në Reformën e Drejtësisë të kërkesave të Kopenhagenit dhe mendoj se deri tani Shqipëria është në një rrugë të mirë për ecurinë drejt perspektivës europiane”, – vlerësoi Label lidhur me procesin nëpër të cilin vendi ynë do të duhet të kalojë.

Për deputetin gjerman, Europa në vetvete është bindje, ndaj edhe Shqipërisë i duhet të punojë me ritme të shpejta.

“Europa është një bindje dhe për të krijuar këtë bindje nuk duhet bindur vetëm Gjermania,  por të gjitha shtetet anëtare për dhënien e perspektivës europiane për Shqipërinë dhe për  këtë është përcaktuar plan kohor, i cili përkon me pranverën e vitit 2019. Do të jetë Komision Europian që do të paraqesë një raport lidhur me Shqipërinë dhe në varësi të këtij progresraporti do të merret edhe vendimi në muajt e mëtejshëm të pranverës 2019”, -përfundoi ai.atsh

Rezultatet e Reformës në Drejtësi, tregojnë seriozitetin e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE Read More »

PD sulmon KPK-në: Vendime arbitrare në procesin e Vetingut

Partia Demokratike ka denoncuar procesin e Vetingut, që sipas saj, po shndërrohet në farsë. Kështu, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e cilësoi procesin “si një farsë të orkestruar nga Edi Rama, për të kapur sistemin e drejtësisë”, ndërsa solli rastin e një gjyqtari të papërshtatshëm, sipas Alibeajt, që kaloi Vettingun me urdhër të kryeministrit.

“Meqë qeveria hesht për vendimet arbitrare të komisionit të Vetingut, Partia Demokratike po sjell sot një denoncim, se si ky organ po minon procesin, për të vënë drejtësinë në duart e Edi Ramës. Ilir Toska, Gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Tiranë, kaloi Vetingun në muajin qershor, ndonëse DSIK kishte dorëzuar pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një raport, që e cilësonte si të papërshtatshëm këtë gjyqtar, për të vijuar karrierën në drejtësi. Sipas raportit të DSIK, Toska ka marrë para në prani të një zyrtari të Ministrisë së Brendshme, për të mos dhënë një masë disiplinore ndaj një gjyqtari. Gjithsesi, Ilir Toska e kaloi me sukses Vetingun, pasi është kandidat i Edi Ramës, për Këshillin e Lartë Gjyqësor”, deklaroi Alibeaj.

Gjatë seancës dëgjimore për Ilir Toskën,  relatori i KPK-së evidentoi shkresën e DSIK, që e cilësonte gjyqtarin si të papërshtatshëm, por tha se raporti ishte i paprovuar, ndaj edhe nuk e mori parasysh gjatë procesit. /atsh

PD sulmon KPK-në: Vendime arbitrare në procesin e Vetingut Read More »

Debate për Teatrin në Këshillin Bashkiak, Veliaj: I vendosur që të ecim përpara

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka diskutuar sot çështjen e projektit të Teatrit të ri Kombëtarë, ndërsa këshilltarët e opozitës janë larguar.

Në fillim të mbledhjes, kreu i grupit të këshilltarëve të PD, Kreshnik Çollaku, akuzoi socialistët se po uzurpojnë pronën. “Do mbaheni mend si njerëzit që i shembët teatrin qytetit”, shtoi ai.

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj u shpreh se kjo është një mundësi e mirë për Tiranën, por që opozita vazhdon të humbë mundësinë për Teatrin.

“Kur PD kishte mundësinë që të punonte për Tiranën, zaptoi SHQUP-in me VKM”, tha Veliaj.

Ndërkohë që Veliaj gjatë fjalës së tij u shpreh se opozita vjen në mbledhje vetëm për të marrë lekët, pagën si këshilltarë, ndërsa i sfidoi duke thënë se vitin tjetër për zgjedhjet lokale në garë për bashkinë le të dalë kush të dojë nga opozita, por nuk kanë se çfarë të thonë, pasi kur kishin drejtimin e qytetit nuk bënë asgjë.

“Po hyjmë në një fazë destruktive para zgjedhjeve. Më thoni çfarë pune bëni që të bëj. Vini vetëm për të marrë lekët. S’bëni asnjë punë. Mirë mo ndiqeni të gjithë Lulin, por e dini të gjithë se ku do përfundojë kjo histori. Të vijë kush të dojë, Dashi, Jorida, Pollo, Paloka, Luli, Shkelzeni. Pyetja është ca do thonë mo vlla se kur e kishin 4 vjet fjetën gjumë tani do jenë superaktive, edhe ai 10 % i Tiranes do thotë shume mirë që do dilni kundër lalit, por ca keni bërë këto 4 vjet, se fjetët gjumë edhe në opozitë, ca pune doni, ca ka një pemë që ju do mbillni? Asnjë pemë s’ka mbjellë një parti në opozitë. Në këtë seancë ndihem keq për ta. Mos u habisni po të fillojnë prape çadrat, gjërat se do jemi në prag zgjedhjesh mos u habisni po të jemi në një situatë destruktive”, u shpreh ai.

“Jam i vendosur që të ecim përpara me Teatrin. Sapo më kanë informuar që të gjithë artistët kanë firmosur një peticion. Luli një kalama i papjekur. Arkitekti që qyteti i New York i ka besuar të gjithë parqet, komisariatin e Policisë të New Yorkut. Si mund të jetë kaq kalama kryetari i PD-së, që thotë ‘non grata’ për arkitektin e Teatrit të Ri”, tha Veliaj. /atsh

Debate për Teatrin në Këshillin Bashkiak, Veliaj: I vendosur që të ecim përpara Read More »

Kryetari i Bashkisë së Vlorës propozon: Romana Vlahutin qytetare nderi!

Në Bashkinë e Vlorës një nga pikat e rendit të ditës ka qenë edhe miratimi për dhënien e titullit “Qytetar nderi i Vlores” për ambasadoren e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin. Kryetari i Bashkisë, Dritan Leli ka kërkuar votimin në unanimitet për këtë vendim, lidhur me një nga figurat siç e ka cilësuar Leli, më të rëndësishme për Shqipërinë dhe Vlorën.

“Kam qenë unë propozuesi i ketij vendimi,”- ka thne Leli,- “Sepse e konsideroj personalitetin më të spikatur që ka lënë gjurmë në politikën shqiptare, por mbi të gjitha që ka lënë gjurmë në ato ç’ka janë investuar në Vlorë nga delegacioni i BE-së në Shqipëri, veçanërisht për ndërtimin e shëtitores ‘Lungomare’.”

Këshilltarët Bashkiakë, e kanë votuar njëherazi këtë vendim, ndërsa tani pritet dhënia e titullit të akorduar./javanews

Kryetari i Bashkisë së Vlorës propozon: Romana Vlahutin qytetare nderi! Read More »

Manastirliu: Të sëmurët mendorë që kanë kryer vepër penale, trajtim në institucion të posaçëm

“Trajtimi i personave me nevoja të veçanta të shëndetit mendor që janë të privuar nga liria për shkak se kanë kryer një vepër penale do të trajtohen në një institucion të posaçëm që do të përshtatet në kushtet e një spitali, me personel të kualifikuar, me qëllim trajtimin dhe rehabilitimin e tyre”.

Deklarata u bë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në tryezën e organizuar në kuadër të masave të ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor që vuajnë dënimin për vepra penale.

Duke theksuar masat e ndërmarrë nëpërmjet një plani tranzitor, në përmbushje të rekomandimeve Komitetit Evropian Kundër Torturës (CPT), Avokatit të Popullit dhe mbi të gjitha, për trajtimin me dinjitet dhe në kushte sa më optimale të këtyre personave, Manastirliu deklaroi se, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, është bërë një hap përpara në drejtim të respektimit të të drejtave të personave që vuajnë mungesën e lirisë dhe njëherësh trajtohen për sëmundje mendore.

“Transformimi i institucionit të vuajtjes së dënimit në Lezhë në një institucion me orientim jo më për vuajtjen e dënimit por më së shumti spitalor, do ti japë mundësinë 255 të dënuarve me probleme mendore të kenë një trajtim më të denjë, në respekt të të drejtave bazë të njeriut. Përmirësimi i kushteve infrastrukturore dhe përshtatja e godinës së vuajtjes së dënimit në Lezhë, do të shoqërohet me ofrimin e një kujdesi profesional nga një ekip  multidisiplinar i specializuar për shëndetin mendor”, tha Manastirliu.

Sipas Ministres, për herë të parë do të aplikohet masa e bonusit për mjekët psikiatër që punojnë në këto institucione dhe personeli do të jetë pjesë e integruar e sistemit  sistemit shëndetësor. “Do të sigurohet që këta persona të trajtohen si pacientë (jo të dënuar) të cilëve u ofrohet shërbim shëndetësor cilësor”, tha Manastirliu.

Sipas saj, zgjidhja afatgjatë është ngritja e një Institucioni mjekësor të posaçëm për këtë kategori.

“Qeveria shqiptare është maksimalisht e angazhuar për ngritjen e një Institucioni Mjekësor të Posaçëm sipas standardeve ndërkombëtare, duke reflektuar standardet ndërkombëtare në këtë fushë, me synim ofrimin e një kujdesi terapeutik dhe human për këta persona, në respekt të të drejtave të njeriut, nëpërmjet sigurimit të balancës mes kujdesit dhe sigurisë si dhe adresimin e nevojave të veçanta për grupe vulnerabël, si fëmijët, gratë, etj”, u shpreh Ministrja Manastirliu. /atsh

Manastirliu: Të sëmurët mendorë që kanë kryer vepër penale, trajtim në institucion të posaçëm Read More »

CNN: Pse ia vlen ta vizitoni Liqenin e Shkodrës?

Për një vend që shumë njerëz zor se e kanë dëgjuar, kjo masë gjigante uji ka shumë emra.

Në varësi të vendit nga vini, mund të quhet Shkodra, Shkodër apo Scutari, ndërkohë që pjesë më e madhe e vizitorëve e njohin si Liqeni i Shkodrës, shkruan rrjeti informativ prestigjioz amerikan, CNN.

Ky destinacion qëndron nga të dy anët e kufirit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe është liqeni më i madh i Europës Juglindore, një hapësirë e pacënuar dhe park kombëtar.

Ai nuk është ndoshta në listën e vendeve më të vizituara për turistët globalë, por ata që marrin mundimin shpërblehen me një mjedis unik dhe një përvojë shumë speciale udhëtimi.

Liqeni është i paprekur nga zhvillimi apo komercializimi – të paktën tani për tani. Megjithatë, ekziston shqetësimi se Projekti i Portit të Liqenit të Shkodrës, një resort i ri ekologjik në liqen, mund të kërcënojë ekosistemin dhe speciet e rralla, përfshirë shumë që janë endemike.

Ndërkohë, të tjerë përgjigjen se projekti do të jetë i ndjeshëm ndaj mjedisit dhe do të kontribuojë në krijimin e vendeve aq të kërkuara të punës, infrastrukturës dhe rritjes ekonomike.

Ndërsa debati vazhdon, këtu ka disa arsye se pse porti dhe ligatina me rëndësi ndërkombëtare, që mbulojnë një sipërfaqe mbi 200 miljesh katrore, i bëjnë ato një destinacion kaq imponues.

Kur vizitoni Shkodrën, ju duhet ta ulni një marsh, pasi për adhuruesit e udhëtimeve të ngadalta, ka pak destinacione më të mira.

Stili lokal i jetesës duket se reflekton një pamundësi për t’u ngutur, ndërkohë që deri tani rruga më e mirë për të vizituar pjesën më të madhe të liqenit është nëpërmjet udhëtimit me varkë, fillimisht nga qyteti i fjetur malazez i Virpazarit.

Flora

Lojtës Videosh

00:00
00:17

Të gjitha kafshët e egra kanë nevojë për bimësi dhe në mesin e shumëllojshmërisë së tyre gjenden më shumë se 25 specie të konsideruara të rralla dhe të rrezikuara, duke përfshirë një varietet të gështenjës ujore, krokëllit dalmat dhe orkide të shumta të mbrojtura.

Bambuja është shpesh e dukshme në bregun e liqenit, ndërkohë që disa prej luleve më fotozhenike duhet të jenë zambakët e bardhë dhe të verdhë që dalin nga ligatina.

Mund të mos jenë aq të bukura, por ka qindra lloje algash, shumë prej të cilave përsëri janë të rralla ose unike. Pyjet gjithashtu mbulojnë pjesën më të madhe të peizazhit përreth, duke përfshirë shelgun e bardhë dhe lisin.

Histori

Pavarësisht nga qetësia dhe natyra kryesisht e paprekur e liqenit, ai ka qenë dëshmitar i një historie shpesh të trazuar.

Rreth liqenit qëndrojnë mbetjet e 18 manastireve, fortesave, monumenteve dhe kishave.

I banuar nga ilirët e lashtë, grekët dhe romakët, Shkodra dikur ishte pjesë e Perandorisë Bizantine dhe u pushtua nga Perandoria Osmane për pesë shekuj, siç tregohet nga rrënojat përfshirë fortesën e Besakut në Virpazar.

Pas rënies së perandorisë në shekullin XIX, Mali i Zi më pas u bë një principatë e pavarur para se Virpazari të bënte histori si vendi i kryengritjes së parë partizane të Malit të Zi në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

Alcatrazi i Malit të Zi

Sundimi i Perandorisë Osmane nxori gjithashtu një nga legjendat më famëkeqe të liqenit. Kështjella e Gërmozurit u ndërtua në 1843 në një ishull me gurë, përpara se të shndërrohej në versionin malazez të Alcatrazit nën mbretin Nikolla I.

Thuhej se as të burgosurit dhe as rojet e burgut, të cilët ishin në gjendje të notonin, e kishin teorikisht të pamundur arratisjen.

Por, dy të burgosur, me sa duket, ia dolën të ikin, duke përdorur një derë si trap.

Për rojet e pafat që i vëzhgonin, dënimi ishte të vuanin të njëjtin dënim si të burgosurit e shpëtuar.

Ushqimi

Ndërsa liqeni është një strehë e mbrojtur e kafshëve të egra, peshkimi me leje është i mundur në disa zona, që do të thotë se peshku nuk mund të jetë më i freskët sesa kur vjen në tryezën tuaj.

E njëjta gjë vlen edhe për produkte të tjera, duke përfshirë djathrat e shkëlqyer të bërë në shtëpi, bimë të tilla si rozmarinë dhe sherbela si dhe pirgje me fruta dhe shegë të kudogjendura, fiq, qershi dhe arra.

Një numër i vogël opsionesh për të ngrënë janë të dallueshme përgjatë liqenit. Në një prej tyre, me pamje nga rrënojat e shtëpive të lashta dhe shtretërve të kallameve, ushqimi është i thjeshtë, por i shijshëm.

Një çift i moshuar mbikëqyr gjërat, në karrige plastike kopshti dhe tavolina pikniku që ofrojnë sfond të përsosur për festë.

Mund të fillojë me proshutën, domate të shkëlqyera lokale të bëra sallatë, përpara se krapi të skuqet dhe të shërbehet me bukë të bërë në shtëpi.

Dollitë me një pije alkoolike ”të zjarrtë” të quajtur raki të sigurojnë një udhëtim të butë me varkë gjatë të cilit mund të jeni edhe të përgjumur.

Manastiret

Një numër manastiresh historike janë të shpërndara në dhe përreth liqenit, në heshtjen, paqen dhe bukurinë natyrore që i rrethon.

Manastiri i Vraninës, më i njohur si Shën Nikolla, është një manastir ortodoks serb dhe gjithashtu një nga më antiket e zonës, që daton në shekullin XIII. Ai ndodhet lart në një kodër në një ishull me të njëjtin emër duke patur një pamje të pabesueshme.

Megjithëse është sulmuar dhe pothuajse është shkatërruar gjatë historisë së saj, kisha u restaurua rreth 20 vjet më parë, ndërsa përpjekjet vazhdojnë për rinovimin e gërmadhave të tjera në vend.

Sot atje jeton vetëm një murg, i cili kujdeset për kishën dhe gjithashtu punon si bletar duke prodhuar mjalt mesa duket me përfitime mjekësore./ atsh.

CNN: Pse ia vlen ta vizitoni Liqenin e Shkodrës? Read More »