Aurora

Aurel Plasari: Si e bëri ‘vettingun’ Adolf Hitleri

Nga Aurel Plasari

Kur bie shi dhe kur kam ngé shkruaj në FaceBook nga një rekomandim leximi, që të tjerëve u duket esé. ‘Ernst Fraenkel, Shteti i dyfishtë-Një kontribut në teorinë e diktaturës’, New York 2010 (Oxford University Press): është një vepër e hershme, e botuar për së pari më 1941 jashtë Gjermanisë, pikërisht kur regjimi nazist i Rajhut të Tretë ndodhej në pikun e vet.

Mirëpo ajo ribotohet dendur dhe në shumë gjuhë, sepse vlerësohet ndër referencat më të domosdoshme, si vepër që zbuloi dhe e shpalli sheshit se qysh lind e instalohet një diktaturë. Veçan për ne shqiptarët, që prej përjetimeve tona mund të pandehim-gabimisht-se një diktaturë vjen e vendoset vetëm në rrethanat specifike mbas një pushtimi a një lufte, si rrjedhojë e ‘fitores’ së një force politike e cila imponohet si regjim diktatorial, çfarë edhe ndodhi në Shqipëri, etj.

Politologu gjerman Ernst Frankel (1898-1975) na tregon që nuk ndodh vetëm ashtu siç mund ta dinim deri dje: një diktaturë mund të instalohet edhe në kohë paqeje, edhe në rrethana kushtetuese të një pushteti të arritur me vota, i cili fillon të cenojë e të cungojë liritë kushtetuese.

Atëherë shtetasit ndodhen përballë një situate të deformuar: kur shteti i tyre nuk është më në funksion të tyre, por në funksion vetëm e vetëm të një pushteti, cilido qoftë ai. Ndër teknikat e larmishme të grushtit të shtetit është fjala për një grusht shteti mjaft origjinal: që nuk jepet nga jashtë pushtetit, për ta rrëzuar atë, por nga vetë pushteti për t’iu imponuar shtetasve në mënyrë jokushtetuese.

Ta lexosh sot ‘Shtetin e dyfishtë’ të Fraenkel-it i bie të jesh lexues me fat posa që ngjarjet në ndodhje e sipër në ‘Turqinë mike’ dhe në Rumaninë ‘romantike’ të japin dorë si një ilustrim me ngjyra i një deformimi të ngjashëm me atë që përshkruhet te ‘Shteti i dyfishtë’.

Madje shejnitë e kufizimit të lirive kushtetuese dallohen sot aty-këtu edhe në vende të cilësuara si demokratike të Bashkimit Europian me shkasin e mbrojtjes së shtetasve nga “rreziqe potenciale”, si për shembull terrorizmi. Sepse gjithnjë duhet gjetur një shkas. Si e thoshte Don Kishoti i Nolit? “Do të të çkallmonj, veç sa të gjenj një sebep…”.

Fraenkel-i ballafaqon në veprën e tij dy entitete shtetërore: një Shtet normativ (Normenstaat), i mbështetur në kushtetutën e vendit dhe legjislacionin përkatës, dhe një shtet paralel që e ka quajtur ‘Maßnahmenstaat’, i cili mbetet në politologji koncept i tiji origjinal. Duke qenë term i ri dhe jo i lehtë për t’u përkthyer, anglishtja e ka dhënë me ‘Prerogative State’, frëngjishtja me ‘État discrétionnaire’, italishtja me ‘Stato discrezionale’.

Shqip mund të thuhej ‘Shtet i masave të veçanta’, ‘Shtet i masave të jashtëzakonshme’ ose thjesht ‘Shtet i masëmarrjes’. Janë partitë në pushtet ato që synojnë ta prodhojnë një shtet të tillë paralel brenda shtetit kushtetues. Dhe shtetasit, kur u ndodh tjetërsimi ndaj shtetit, që do të thotë kur shteti u duket si diçka e dhënë ‘nga lart’, që nuk e kanë krijuar ata vetë për t’u shërbyer po atyre vetë, u shpëton fakti që shteti si krijim historik nuk ka qenë dhe nuk është dhe as mund të jetë produkt i partive. Kreu “Partia si instrument i shtetit të masave të jashtëzakonshme” në librin e Fraenkel-it përbën njërin nga krerët më të kuptueshëm për lexues si tanët.

Në Rajhun e Tretë goditja Shtetit normativ iu dha nëpërmjet një akti të njohur si ‘Karta e Jashtëzakonshme Kushtetuese’, më sak të emërtuar ‘Dekreti për Mbrojtjen e Popullit dhe të Shtetit’ i 28 shkurtit 1933. Ishte një ndërhyrje dinake në kushtetutën gjermane, shpallur në formë dekreti mbas djegies së Rajhshtagut-pra me t’u gjetur shkasi-dhe përbëhej nga tri seksione, të cilat autori i ka botuar në Shtojcat e librit.

Kështu filloi në Gjermaninë naziste kontrolli i sistemit gjyqësor nga partia në pushtet nëpërmjet policisë politike, instrument tipik i ‘shtetit të masave të jashtëzakonshme’: Maßnahmenstaat. Nuk u përdor termi anglosakson vetting, mbase ngaqë anglosaksonët qenë ‘armiq’ të Rajhut të Tretë. Të drejtat e një individi do të vareshin nga vlerësimi politik që i bëhej atij. Deri edhe një dokument fillestar, për shembull certifikata e lindjes, mund të mos jepej nëse nuk miratohej nga policia politike.

Nëpërmjet kësaj teknike ‘shteti i masave të jashtëzakonshme’ zuri të veçonte mes shtetasve të shtetit normativ ata që llogariteshin ‘armiq’ në bazë arsyesh politike. Dhe nuk qe më çështje individësh: fjala ishte për masëmarrje qartësisht arbitrare ndaj grupesh popullsie të paracaktuara si ‘armiq të regjimit’.

Si të tillë, ‘armiqtë e regjimit’ do të asgjësoheshin edhe ekonomikisht etj. Ekzistimi kushtetues i lirive mbetej në fuqi, për sy e faqe i pacenuar, ndërsa ekzistimi i tyre në realitetin e përditshëm gjerman ishte asgjësuar kryekëput dhe ‘sovraniteti popullor’ kishte mbetur një fjalë goje.

Kishte edhe gjermanë që rezistuan, që nuk u pajtuan, që protestuan dhe madje u flijuan duke lënë kokat për ta mbrojtur shtetin normativ. Të tjerë u lavirën duke u treguar të paqëndrueshëm. E shumta rezultuan të pakurajë, e mbyllën gojën me würstel dhe e shuan etjen me birrë të zezë. Ndoshta edhe u kërcënuan e shantazhuan, afërmendsh me forma të asaj kohe, ngaqë asomoti sms-të nuk ekzistonin.

Se në ç’katastrofë historike e shpuri popullin gjerman kjo dyfishësi shtetërore, kur ‘shteti i masave të jashtëzakonshme’ ia doli ta nëpërkëmbte shtetin normativ, kjo po dihet. Gjermanët, që shfajësohen se e pësuan duke u zënë në befasi, e meritojnë t’ua kujtosh thënien e njohur të ustallarëve të materializmit historik të përsëritur për sa të tjerë: kombit dhe gruas nuk u falet çasti i dobësisë kur edhe aventurieri i parë mund t’i vërë poshtë e t’i përdhunojë.

Nëse në Shqipëri ndiqet me interes gjithë sa ndodh në Turqi mbas të quajturit grusht shteti të përdorur për shkas,-si thoshte Don Kishoti i Nolit për sebepin?-ose gjithë sa zhvillohet prej dy javësh në Rumani, ky interes vetëm në dukje i tepruar kot i shqetëson disa shkrues portalesh. Interesi i mirëfilltë nuk ka të bëjë me të qenit ‘vëllezër’ ose ‘jovëllezër’ me turqit e sotëm, as me simpatinë e posaçme për ‘revolucionarët’ rumunë që rrëzuan diktaturën më 1989.

Sentimente të tilla, edhe në ekzistojnë, nuk janë jetike për qytetarët shqiptarë, ky është thelbi. Zhvillimet turke, si dhe ato rumune kanë të bëjnë me dhunimin e lirive kushtetuese dhe deformimin sulltanor të shtetit normativ: ato ndiqen me vëmendje ashtu siç ndiqet një fantazmë që të vjen rrotull dhe që një ditë prej ditësh rrezikon të të çatisë edhe ty brenda në shtëpi. Ja: prej Ernst Fraenkel-it mund të mësohet tanimë që kjo fantazmë është pikërisht ‘shteti i masave të jashtëzakonshme’.

Zgjatja më tej me ndonjë kapicë shembujsh aktualizues– ata po bëhen tanimë anekdotikë në Shqipërinë e ‘vettingut’-nuk do të kishte kuptim përderisa ky këtu nuk është veçse një rekomandim leximi për librin e politologut Ernst Fraenkel: ‘The Dual State: A Contribution to the Theory of Dictatorship’, New York 2010 (Oxford University Press).

Dhe leximi dihet që është çështje lirie individuale: si e lexoj unë nuk e lexon ti. Me interes është që tekste të tilla të mos mbeten pa u lexuar, pa le të lexohen edhe ndryshe. Vetë e rekomandoj me besimin se për shqiptarët ‘shteti i masave të jashtëzakonshme’-në kuptimin Maßnahmenstaat të z. Fraenkel – nuk ka sesi të jetë e ardhmja: ai është e shkruara që e shumta jonë e kemi përjetuar njëherë dhe që është refuzuar duke ia kthyer shpinën. Sa për ata që nuk parapëlqejnë të lexojnë, edhe ata janë në të drejtën e tyre: aty e kanë gotën e birrës dhe le të hanë würstel-in./faktor .al

Aurel Plasari: Si e bëri ‘vettingun’ Adolf Hitleri Read More »

Rama dhe Basha përplasen sërish në rrjetet sociale për vetingun

Një video që postoi Edi Rama në Instagram, dëgjohet Kadri Roshi teksa thotë: “Dhe tani nuk kam ç’të bëj tjetër veçse të qesh, skam çfarë të bëj”.

Pjesë që është shkëputur nga video e filmit “Njeriu me top”.  Ndërsa vetë Rama shkruan: “Ai momenti kur gjylet e Vetingut të prishin folenë e gjarpërinjve në Pallatin e Drejtësisë.”

rama

Ky postim i Ramës provokoi reagimin e Lulzim Bashës me një postim në Twitter.

Sipas Bashës, vetingu është kapur nga Edi Rama. Ai paralajmëron se do iu shtypen kokat gjarpërinjve, në mos nga drejtësia, nga populli.

Rama dhe Basha përplasen sërish në rrjetet sociale për vetingun Read More »

MAGJIA DHE MALLKIMI I SHQIPERISE / Nga Arben Abazaj

MAGJIA DHE MALLKIMI I SHQIPERISE

Dy gjera gjen ne Shqiperi qe e bejne ate te vecante e unike! Bukurine e natyres se saj dhe shemtine e krimit!
Natyra ne kete vend shpalos perkryerjen e nje harmonizimi spektakolar te malit, kodres, fushes, lumit, liqenit, detit, lugines, lagunes, flores se pafundme e faunes aq te vecante e shumellojshme!
Ketu Dielli lind me nje rrezellim te argjend e perendon i florinjt, e gjate kesaj udhe dhuron spektakle drite me shkelqimin e tij, me pasqyrimet e tij aq te bukura e aq shprehese sa asnje lloj arti nuk do mundej ta rrokte ne gjithe mrekulline e spektaklit qe jep thuajse pjesen me te madhe te diteve te vitit!
Ketu Hena lind vec per poete e te dashuruar, duke e bere naten diten e dashurise, kot s’thoshte Naimi : “Nate atje eshte tjater nate,edhe dita tjater dite!”
Ketu ne kete vend majat e maleve pershendesin Zotat lart ne qiej e lumenjt si me nje marsh triumfi luajne pjeset me te bukura te lavdise se natyres!
Ketu deti, thinjoshi qe edhe ne terbim qesh, duket se i ka dhene bucimen e vet historise se ketij vendi!
Ketu zor se ka nje vend ku natyra ta kete braktisur, veshtire se gjen nje vend ku te mos falenderosh Zotin per kujdesin qe ka patur duke u marre edhe me detajin e nje petali luleje apo nje cicerime zogu! Gjithshka perfekte gjithshka frymezuese!

Si per inat te kesaj natyre, ne njerezit perbejme anen negative te ketij kompleksi bashkjetese natyre – njeri!
Njerezit ketu jane “gjeni” ne fantazine e tyre per krime! Ketu gjen cdo lloj krimi te cdo natyre e permase, pa dallim moshe, gjinie e statusi shoqeror!
Ketu vrasesin e ke deputet e te pabuke.
Ketu hajdutin e ke kryeminister e lypsar,
Ketu mashtruesin e ke politikan e te papune,
Ketu vesin e ke menyre jetese e mizerjen shtepine e parajses per njerezit e vesit!
Ketu njeriu eshte kanibal per njeriun e kete e ka per mburrje e zotesi!
Ketu ne kete vend si per inat te mrekullive te natyres shemtia njerezore synon cdo dite e me teper te jap spektakle makabriteti!
Ky vend eshte sa i bekuar aq i mallkuar, i bekuar nga Zoti e i mallkuar nga robi.
Nga ai rob qe jeton me krimin e dy here me i mallkuar nga ai robi tjeter qe i behet rrogoz krimit edhe duke qendruar indiferent!/Arben Abazaj

MAGJIA DHE MALLKIMI I SHQIPERISE / Nga Arben Abazaj Read More »

6000 turistë me anije turistike drejt Sazanit dhe Karaburunit

Sazani dhe Karaburuni, vijojnë të mbeten ndër destinacionet më mbresëlënëse për turistët vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur kësaj zone.

Drejtori i Portit Detar Vlorë, Admir Malaj, tha sot për ATSH-në se “deri në fund të muajit korrik rreth 6000 turistë kanë zgjedhur portin e Vlorës për të udhëtuar drejt këtyre destinacioneve turistike”.

“Pjesa më e madhe e turistëve që kanë vizituar Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan janë të huaj. Sipas statistikave nga rreth 6000 turistë, 3675 janë shtetas të huaj të ardhur nga vende të ndryshme si Polonia , Italia, Amerika, Rusia, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja etj”.

Sipas tij, qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.

Në portin e Vlorës operojnë anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

I shpallur në vitin 2010 Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistik që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një dite ndryshe ne gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Alisë (atraksioni me i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit dhe falezat e tij si atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet Kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.

Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore. /atsh

6000 turistë me anije turistike drejt Sazanit dhe Karaburunit Read More »

E dini se çfarë ndodh në trupin tuaj nëse nuk hani kos, qumësht e djathë?

Shqiptarët janë shumë të apasionuar pas produkteve të bulmetit, në veçanti djathit që nuk mungon kurrë në asnjë vakt.

Megjithatë ka njerëz që heqin dorë nga këto produkte me vetëdije për të rënë në peshë, për të pasur një fytyrë të pastër, për më shumë energji e të tjerë.

A e dini se çfarë ndodh në organizëm kur nuk konsumoni më produkte bulmeti?

Kocka më të dobëta

Deri në moshën 30 vjeçare, formimi dhe zhvillimi i kockave është në formë optimale. Pas të tridhjetave masa kockore është më e brishtë dhe ka nevojë për shumë kalçium. Burimi më i mirë i kalçiumit janë sigurisht produktet e bulmetit. Trupi e përthith më mirë kalçiumin nga këto burime se nga çdo ushqim tjetër. Heqja dorë nga produktet e bulmetit nënkupton fillimin e hershëm të osteoporozës.

Lëkurë më e pastër

Femrat që heqin dorë nga produktet e bulmetit nuk do të kenë nevojë për makiazh. Qumështi është një produkt që nxit shfaqjen e akneve. Ai përmban hormone që nxisin gjendrat e yndyrës në lëkurë.

Më pak probiotikë

Heqja dorë nga produktet e bulmetit nënkupton heqjen dorë nga probiotikët. Këto baktere të shëndetshme që gjenden tek kosi dhe djathërat e butë janë tepër të rëndësishëm për organizmin dhe për tretjen. Probiotikët gjenden edhe tek lakra turshi dhe produktet e fermentuara të bëra në shtëpi.

Shëndoshje e shpejtë

Njerëzit që konsumojnë me tepri më shumë yndyrna të bulmetit janë më të prirur të jenë obezë në harkun kohor të 12 viteve në krahasim me ata që konsumojnë më pak ushqime të tilla, shkruan AgroWeb. Heqja dorë nga produktet e bulmetit do e bëjë trupin të dëshirojë karbohidrate të cilat çojnë pashmangshmërisht drejt peshës së madhe.

Fryrje në stomak

Kur njerëzit heqin dorë nga produktet e bulmetit, ata kërkojnë zëvendësues të tjerë. Nga ana tjetër produkte të tjera janë shumë vështirë për tu tretur ndaj shkakton shumë fryrje dhe gazra. Kosi dhe djathi nga ana tjetër nuk përmbajnë galaktozë ndaj nuk janë të rrezikshëm.

E dini se çfarë ndodh në trupin tuaj nëse nuk hani kos, qumësht e djathë? Read More »

Amerika dërgon 125 ushtarë në Kosovë, ja arsyeja

SHBA do të dislokojnë 125 ushtarë, pjesë e Batalionit Sulmues të Helikopterëve, në Kosovë, si pjesë e forcave të NATO-s.

Kjo njësi ofron mbështetje gjatë sulmeve nga ajri, lëvizshmëri dhe evakuim të të lënduarve, ndërsa është e vendosur në Nashville, me partnerë në Jackson dhe Louisville.

Gjeneral-majori Max Hastonka thënë:

“Ushtria amerikane ka qenë vazhdimisht prezente në Kosovë për 20 vjet, ndërsa në vitet e fundit këto forca janë udhëhequr nga Garda Kombëtare.Stabiliteti në këtë vend është përkushtim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, ndaj Garda Kombëtare e Tennessee ka ndihmuar vazhdimisht në këtë drejtim”.
Veç këtij misioni, Garda Kombëtare e Tennessee do të nisë ushtarë edhe në dy misione tjera, për të mbështetur prezencën ushtarake në NATO-s në Poloni.

Amerika dërgon 125 ushtarë në Kosovë, ja arsyeja Read More »

Ndahet nga jeta Artisti i Popullit, Gaqo Çako

Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare Artisti i Popullit, Mjeshtri i Madh Gaqo Çako.

Tenori legjendar, Gaqo Çako, është i rreshtuar në emrat e mëdhenj të Panteonit të muzikës shqiptare si Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, etj.

Lajmin e hidhur e ka dhënë Teatri i Operas dhe i Baletit, me anë të një postimi në Facebook, ku shkruan se tenori virtuoz është ndarë nga jeta.

Në njoftim shkruhet:

“Lamtumire simboli historik i operas dhe muzikes shqiptare, “Nderi i Kombit” – Gaqo Cako. Me hidherim te thelle bejme me dije se pak minuta me pare eshte ndare nga jeta ne moshen 83 vjecare tenori virtuoz, simboli historik i muzikes operistike shqiptare, “Nderi i Kombit” – Gaqo Cako. Mjeshtri i madh u shua ne shtepine e tij ne Tirane. Ngushellime familjes, miqve dhe kolegeve te Gaqo Cakos – “Nderit te Kombit”. Per homazhet dhe ceremonine mortore, TKOBAP do tju beje me dije ne vijim.”

Ndahet nga jeta Artisti i Popullit, Gaqo Çako Read More »

Mos e publikoni ditëlindjen dhe nurmin e celularit online!

Platformat e ndryshme dhe komunikimi online janë kthyer tashmë në domosdoshmëri në jetën tonë.

Megjithatë, ndonëse jemi të afeksionuar pas këtyre rrjeteve sociale, të cilat na ofrojnë mundësi komunikimi, shkëmbim informacionesh, lajmet me të fundit, informacione rreth miqve tanë, duhet të keni parasysh një rregull kur bëheni pjesë e tyre.

Publikimi i disa të dhënave tuaja personale mund të jetë i rrezikshëm.

Data e lindjes-Data e plotë e lindjes suaj është një fakt që nuk duhet që të publikohet në këto rrjete sociale. Është e ndaluar për arsye se shumë njerëz ende e kanë shprehi që këta numra t’i përdorin si fjalëkalime për kartela të bankës apo raste të tjera. Hackerat e dinë tashmë këtë gjë, dhe nganjëherë nuk u duhet mund i madh që t’u gjejnë gjëra personale, e t’i keqpërdorin ato.

Numrin e telefonit- Asnjëherë mos e publikoni numrin tuaj të telefonit në rrjete sociale, sado që keni menduar se një ditë do të ju kontaktoj dikush i rëndësishëm apo se njerëzit do ta përdorin numrin vetëm nëse u nevojitet. Një gjë e tillë mund t’u sjell probleme.

Mos e publikoni ditëlindjen dhe nurmin e celularit online! Read More »