Izmir Smajlaj:Nese nuk me plotesohen kushtet do te shqyrtoj opsionin e largimit!
Shqipëria rrezikon të humbë një tjetër “xhevahir”. Pas dy mundësve të kalibrit botërorë, si Elis Guri që zgjodhi Bullgarinë (e më pas u shpall kampion bote) dhe medalistit të bronztë të botës, Sahit Prizreni, i cili zgjodhi flamurin e Australisë, tashmë radha është për një tjetër medalist ndërkombëtar.
Ai është kampioni i saposhpallur i Evropës në atletikë, Izmir Smajlaj dhe i vetmi në historinë e “Mbretëreshës së Sporteve” në Shqipëri. Mesazhin e jep vetë shkodrani në një intervistë për Panorama Sport.
“Për momentin nuk mund të them se janë sjellë keq. Mirë janë sjellë, por vë theksin që pres më tepër mbështetje nga shteti. Një shpërblim 40 milionë lekë nuk është ndonjë shpërblim i madh. Në dijeninë time, të përfaqësosh një shtet tjetër të Evropës dhe të shpallesh kampion, të sigurohet jeta. Ndërsa me 40 milionë lekë nuk sigurohet jeta. Por nuk mund ta mohoj faktin se autoritetet shtetërore më kanë mbështetur”.
“Ajo çka duhet të them, është se Shqipëria duhet të dijë si t’i mbajë këta sportistë më afër. Jo vetëm mua, por ka edhe mjaft sportistë të tjerë të talentuar që duhet të mbështeten dhe përkrahur për të mos u larguar nga Shqipëria. Mund të përmend rastin e Elis Gurit, nuk u mbështet dhe nuk i plotësuan kërkesat e tij dhe vendosi të përfaqësonte Bullgarinë. Apo rasti i mundësit Sahit Prizreni me Australinë. Elisi e ngriti flamurin e Bullgarisë si kampion bote, por nëse do të vlerësohej këtu mund ta çonte me përfaqësuesen shqiptare. Kjo mund të ndodhë edhe mua nëse nuk do të më mbështetë. Do të veproj edhe unë si shokët e mi”.
“Po, po, ekziston si mundësi nëse nuk arrijnë të mi plotësojnë kushtet. Gjithsesi, kam besim që shteti do të reflektojë duke na i plotësuar kushtet dhe nuk do të më lërë të largohem. Normalisht këtu kemi lindur, rritur, është vendlindja jonë. Për shpirt, nuk largohem kurrë nga Shqipëria, por e përsëris, nëse nuk plotësohen kërkesat, do ta rishikoj si mundësi”.
“Kam pasur oferta nga Kroacia. Kontaktet kanë qenë të shpeshta. Por, për momentin, do të qëndroj me Shqipërinë. Megjithatë, pas kampionatit botëror, do ta shoh nëse do të qëndroj apo jo. Në kampionatin botëror do të garoj me Shqipërinë, më mbrapa do ta shoh si opsion”, ka thënë Smajlaj.
Izmir Smajlaj:Nese nuk me plotesohen kushtet do te shqyrtoj opsionin e largimit! Read More »