Babai:Ja pse i akuzoj mjeket,nese vajza do te ishte shtruar nga mjeket ajo do te ishte gjalle sot!
Një ngjarje e rëndë ndodhi në orët e para të së hënës, pasi prindërit e një foshnje vetëm 15-muajshe e kishin gjetur të vdekur në krevat teksa e kishin lënë duke fjetur.
Ata kanë shkuar menjëherë në urgjencën e spitalit rajonal në Durrës rreth orës 02:30 të mëngjesit, por sipas mjekëve, vogëlushja ka arritur pa shenja jete.
Prindërit fajësojnë mjekët për vdekjen e vogëlushes së tyre, pasi vetëm tri ditë më parë, ata e kishin dërguar në Pediatri në Spitalin e Durrësit për kontroll, pasi kishte probleme me frymëmarrjen.
Kujdesi Aga, babai i foshnjes tregon se pasi e kanë vizituar, i kanë rekomanduar që ta marrin në shtëpi dhe të ishte nën kujdesin e mjekut të familjes, por sipas tij, nëse mjekët do ta kishin shtruar në spital, foshnja e tyre do të kishte shpëruar.
“Pak ditë më parë, vajza kishte shfaqur shqetësime shëndetësore, kishte probleme me frymëmarrjen. Menduam se do të ishte diçka kalimtare, sikurse ndodh shpesh me fëmijët e vegjël.
Në datën 14, pra tri ditë më parë, babai im ishte pa qejf dhe meqë po sillnim për të vizituar babain, thamë të sillnim edhe vajzën për një vizitë. Erdhëm këtu në Spitalin e Durrësit, babai u vizitua në urgjencën e spitalit, ndërsa vajza në pediatri.
Vajzën e vizitoi një doktoreshë, dhe pas vizitës mjekësore na dha një recetë dhe na rekomandoi të kishim kujdes dhe vajza të ishte nën mbikëqyrjen e mjekut të familjes.
Sipas doktoreshës, vajza nuk kishte virozë stine, sikur pretendonim ne, por bronkopneumoni, që është ftohje mushkërish. Për pasojë ishin bllokuar rrugët e frymëmarrjes. Pasi përfunduam me vizitën mjekësore, doktoresha na dha një recetë për të marrë ilaçe dhe na tha të largoheshim në shtëpi”, ka rrëfyer babai i foshnjes, për “Panorama”.
Ai tregon se vogëlushja vuante prej pak ditësh, por që kishi meduar se ishte thjesht virozë stine që kalojnë të vegjlit.
“Mirëpo vajza vazhdonte të kishte të njëjtat shqetësime me rrugët e frymëmarrjes. Nuk kishte gjë tjetër, as temperaturë dhe as diarre. Menduam se ilaçet do ta jepnin efektin më pas.
Kur pasi kaluan tri ditë, vajza ndërroi jetë. Bashkëshortja e gjeti të pajetë mëngjesin e sotëm, rreth orës 01:00. Tentuam ta sillnim me urgjencë drejt spitalit të Durrësit, por më kot, ajo kishte ndërruar jetë”, ka thënë më tej ai.
Babi i foshnjes fajëson bluzat e bardha për vdekjen e vajzës së tij.
“Sigurisht që përgjegjësia për vdekjen e vajzës bie drejtpërdrejti mbi mjekët, pasi duhet ta kishin shtruar vajzën në spital dhe jo ta kalonin thjesht me një vizitë dhe me një recetë ilaçesh”, ka thënë Aga.
“Neve nuk këmbëngulëm për ta shtruar vajzën, sepse nuk menduam se situata do të ishte alarmante. Ne nuk jemi mjekë, që të dinim shkallën e sëmundjes së vajzës. Duhet të jenë mjekët ata që të rekomandojnë prindërit, madje edhe të këmbëngulin për ta shtruar pacientin, nëse e shohin të nevojshme. Prandaj ne fajësojmë mjekët për vdekjen e vajzës”, vazhdon ai.
Kujdesi Aga kërkon që të nisin hetimet për rastin në fjalë nga policia. Të gjenden shkaktarët e vërtetë të vdekjes së vajzës. Përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin që meritojnë.
“Ne kemi humbur vajzën, dritën e syve, dhe jemi mjaft të hidhëruar. Është jetë njeriu dhe mjekët duhet të jenë më të kujdesshëm në raste të tilla, pasi nuk është hera e parë që në spitalin e Durrësit ndodhin të tilla raste.
Siç thashë më lart, nuk e dimë ende cili ishte shkaku i vdekjes së foshnjës, por jemi të sigurt se po të ishte nën vëzhgimin e mjekëve, nuk do të kishte vdekur. Si prindër ne kërkojmë të hetohet ngjarja dhe të vihen para përgjegjësisë autorët.
Sigurisht kemi edhe ne përgjegjësit tona dhe për këtë nuk jemi fare krenarë. Por theksoj se nëse mjekët do ta kishin shtruar, vajza do të ishte gjallë sot”, ka thënë ai.