Andueli

Moti sot, ja si parashikohen temperaturat

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet fillimisht me vranësira të dendura shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave dhe stuhive. Më pas duke nisur nga orët e mesditës mot me alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Në momentin e zhvillimit të vranësirave reshje shiu të dobta dhe lokale.

Mjegull / mjegullinë, për shkak të reshjeve. Era do të fryjë me drejtim juglindje – veriperëndim 1-10m/s, duke bërë që deti të jetë i forcës 0-1 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 6/13 Shi diell/re
Kukës 5/8 Shi diell/re
Lezhë 6/13 Shi diell/re
Dibër 4/7 Shi diell/re
Durrës 9/15 Shi diell/re
Tiranë 10/16 Shi diell/re
Elbasan 6/12 Shi diell/re
Berat 6/14 Shi diell/re
Vlorë 7/14 Shi diell/re
Korçë 5/8 Shi diell/re
Gjirokastër 7/12 Shi diell/re
Sarandë 8/13 Shi diell/re/atsh

Moti sot, ja si parashikohen temperaturat Read More »

PD: Jo një mandat i tretë për Ramën

Partia Demokratike deklaron se “për Edi Ramën nuk do të ketë më një mandat të tretë”.

Partia Demokratike nëpërmjet një njoftimi shprehet se “në 2 mandatet e Ramës kryeministër më shumë se 300 mijë shqiptarë u larguan nga vendi. Me korrupsion, krim, arbitraritet dhe papunësi, Rama e barazoi Shqipërinë me vendet që janë në luftë për nga numri i lartë i shqiptarëve azilkërkues në Bashkimin Europian”.

“Poshtërsi është të mohosh këtë të vërtetë, duke bërë me faj herë Bashkimin Europian, herë shqiptarët që ikin se nuk pajtohen me qeverisjen e keqe të Edi Ramës. Kjo do të marrë fund me votë të lirë! Për Edi Ramën nuk do të ketë më një mandat të tretë! Për Shqipërinë nuk do të ketë më eksod!”, shprehet PD./atsh

PD: Jo një mandat i tretë për Ramën Read More »

Manifestimi i Metës/Basha: Së bashku në mbrojtje të Kushtetutës

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se do të marrë pjesë në manifestimin e 2 marsit të Presidentit Ilir Meta.

“Si qytetar i vendit tim, si bashkëshort dhe si prind, është detyra ime të mblidhem së bashku me bashkëqytetarët e mi në mbrojtje të kushtetutës”, deklaron Basha.

Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se “Kushtetuta është marrëveshja më e rëndësishme e një shoqërie që garanton bashkëjetesën tonë. Kur shkelet Kushtetuta, bie shteti, bie demokracia, cenohen të drejtat e njerëzve. Çdo qytetar duhet të reagojë. I ftoj anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të bashkohen në manifestimin e 2 Marsit, në mbrojtje të Kushtetutës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit”./atsh

Manifestimi i Metës/Basha: Së bashku në mbrojtje të Kushtetutës Read More »

OBSH në Shqipëri: Hapat që duhen ndjekur kur sëmureni në udhëtim

Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri (OBSHSH) po ndjek me vëmendje hap pas hapi zhvillimet rreth përhapjes së koronavirusit në rajon e botë. Në këtë aspekt ajo informon qytetarët shqiptarë për hapat që duhet të ndjekin në rast se sëmuren gjatë kohës kur janë në udhëtim.

“Kujdesuni për shëndetin në udhëtim!”, është apeli që bën OBSHSH-ja.

OBSHSH informon se nëse sëmureni gjatë kohës kur jeni në udhëtim, duhet të informoni ekuipazhin dhe të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.

“Kur kërkoni vëmendje mjekësore, ndajeni historinë e udhëtimit tuaj me ofruesin tuaj të kujdesit shëndetësor”, shprehet OBSHSH.

Më herë OBSHSH-ja dha disa këshilla të higjienës personale që ndihmojnë për mbrojtjen e vetes dhe të të tjerëve nga sëmundja.

– Mbuloni gojën dhe hundën me bërrylin e përkulur apo letër higjienike kur kolliteni dhe teshtini;
– Hidhni çdo letër higjienike të përdorur në një kosh të mbyllur;
– Pastroni duart me larës të lëngshëm me bazë alkooli ose sapun dhe ujë pas kollitjes ose teshtitjes dhe kur ofroni kujdes shëndetësor.

OBSHSH-ja është zyrë përfaqësuese e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e hapur në vitin 1991, me objekt parësor shëndetin publik./atsh

OBSH në Shqipëri: Hapat që duhen ndjekur kur sëmureni në udhëtim Read More »

Investimet në Spitalin e Vlorës rrisin shërbimet që nuk ofroheshin më parë/ Rama: Duhej bërë muze në çdo spital se si ishin pajisjet përpara sterilizimit

Të moshuarit që paguanin 700 dollarë më parë për lentet e syve, nuk kanë më nevojë të marrin rrugën drejt Tiranës, ndërsa sot ata e kanë falas këtë shërbim në Vlorë.

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, vizituan sot spitalin e Vlorës, ku investimet në infrastrukturë dhe mjekë të specializuar mundësojnë shumë shërbime, që nuk ofroheshin më parë, me kushte dhe standarde të kualifikuara.

“Në spitalin rajonal, ku investimet e vazhdueshme në infrastrukturë dhe plotësimi i nevojave me mjekë të specializuar (si në çdo spital të vendit tanimë), mundësojnë sot shumë shërbime që nuk ofroheshin më parë dhe me kushte të mira e standarde profesionale të sigurta. Edhe pacientët me tumore nuk vijnë më në Tiranë për trajtimin siç bënin deri dje, por sot e marrin shërbimin në Vlorë”, u shpreh Kryeministri Rama.

Ministrja Manastirliu duke shpjeguar punën që është bërë në këtë spital theksoi se, “aktualisht kemi zgjeruar shërbimin e kimioterapisë në këtë spital”.

“Rritja e financimit për shëndetësinë, është e influencuar gjithashtu në rritjen e volumit të barnave citostatike, pra për trajtime me kimiopreparate. Vetë mjekët onkologë në spitale ofrojnë shumë më shumë terapi mjekimi se ç’kanë ofruar mbi të gjitha mbulojnë shumë sëmundje tumorale, të cilat deri dje nuk trajtoheshin në spitale”, tha ministrja.

Kryeministri vizitoi pacientët, të cilët u shprehën se janë të gjitha medikamentet.

Manastirliu u shpreh se, “kemi bërë një përmirësim radikal në trajtimin e sëmundjeve tumorale edhe me barna të terapive të shtrenjta dhe kështu kemi mbuluar jo vetëm sëmundjen e gjirit me Herceptinën, por edhe sëmundjet malinje të gjakut nëpërmjet marrëveshjeve kuadër që kemi lidhur dhe nëpërmjet rritjes së numrit të barnave që ofrojmë me rimbursim për mbulimin e terapive në luftën kundër tumoreve, por gjithashtu edhe për sa i përket të gjithë paketës që ne ofrojmë në spitale. Në barnat bazë, në preparatet bazë nuk ka asnjë mungesë’.

Kryeministri Rama gjithashtu takoi edhe mjekët e rinj që ofrojnë shërbimet e tyre në spitalin e Vlorës, por gjithashtu disa prej tyre edhe në spitalin e Fierit.

Kryeministri Rama vizitoi edhe mjekët që kryejnë ekzaminimet për lentet e syve.

Manastirliu u shpreh se çdo vit në Vlorë po shtojmë shërbime që nuk ofroheshin më parë, apo që paguheshin siç është paketa e lenteve.

Drejtoresha e Spitalit të Vlorës u shpreh se bëhen 250-300 operacione lentesh në vit dhe që dalin me sukses.

Një tjetër pacient tha se më kishin rekomanduar të shkoja në Tiranë me 350 euro për këtë operacion, po unë s’e përballoja dot. Por, kryeministri i tha se s’ka më nevojë për 350 euro, tani është falas.

Një tjetër paciente tha se mjekët janë sjellë shumë mirë dhe asnjë nuk ka kërkuar lekë.

Kryeministri vizitoi edhe centralin e sterilizimit në spitalin e Vlorës.

Manastirliu u shpreh se është një central modern, investim që i gjithi do t’i mbetet shtetit dhe që s’do kishim pasur mundësi ta bënim nëse s’do të kishim bërë këtë partneritet.

Kryeministri është ndalur edhe tek ata persona që akuzojnë qeverinë për vjedhje me koncesionet duke thënë se këto janë të pavërteta.

“E vetmja gjë që kemi bërë gabim është që nuk kemi bërë në këto spitale një muzeum të vogël si ishin pseudo sterilizatorët dhe si ishin instrumentet. Se populli dëgjon këto llafet e rrugëve dhe të politikës së rrugës që që PPP-ja, PPP-ja, vjedhja, vjedhja, korrupsioni, korrupsioni. Ja ku i keni dhe të gjitha këto janë të financuara nga privati. Nuk janë investuar nga shteti. Sepse shteti nuk ka pasur mundësi ta bëjë këtë sepse po të kishte pasur do ta kishin bërë ata të mençurit që na sulmojnë ndërkohë që kishin 30 vjet në dorë ta bënin. Shteti merr shërbimin që e ofron falas për qytetarët se nuk i kemi thënë pacientëve meqë ka instrumente të reja, nxirr lekë nga xhepi dhe paguan vit pas viti shlyen këtë investim. Në fund janë të shtetit pajisjet” tha Rama.

“Nuk është vetëm vegla është çdo proces pune, që nga larja, sterilizimi që është i përditshëm, pastaj janë veshjet që janë një përdorimshe. Ne e dimë sesi kanë qenë, mbulohej shtrati i pacientit me çarçaf, mbuloheshin instrumentet me çarçaf dhe futeshin në autoklavë, që ishin jo vetëm të vjetra, por nuk siguronin sterilitet. Infeksionet spitalore kanë qenë 30,2%, kanë rënë, janë përgjysmuar. Ndërkohë që është ulur ditëqëndrimi, është rritur optimizimi i sallës. Ndërkohë që sot mund të kryhen më shumë ndërhyrje pa lista të gjata pritjeje”./atsh

Investimet në Spitalin e Vlorës rrisin shërbimet që nuk ofroheshin më parë/ Rama: Duhej bërë muze në çdo spital se si ishin pajisjet përpara sterilizimit Read More »

Të hënën votohet Qeveria e re e Kosovës/ Konjufca: Nuk është koha e dorëheqjeve, por e emërimeve

Kryesia e Kuvendit të Kosovës me datën 3 shkurt ka caktuar mbajtjen e seancës për votimin e kabinetit qeverisës nga mandatari për kryeministër, Albin Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje me LDK, derisa la të kuptohet se nuk do të japë dorëheqja nga pozita e kryeparlamentarit.

“Mbledhja e kryesisë ka vendosur që seanca plenare për krijimin e Qeverisë së Kosovës të mbahet të hënën më 3 shkurt në ora 11:00”, u shpreh Konjufca.

Kryeparlamentari foli edhe për marrëveshjen eventuale të Lëvizjes Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike, ku u shpreh optimist për një gjë të tillë.

Për mundësitë e dorëheqjes së tij nga pozita e kryetarit të Kuvendit, Konjufca deklaroi se është koha e emërimeve dhe jo e dorëheqjeve.

“Nuk mendoj që në Kosovë është koha e dorëheqjeve, por e emërimeve”, tha ai.

Ndërkaq, VV dhe LDK nuk kanë arritur akoma një marrëveshje për koalicion.

/KosovaPress/

Të hënën votohet Qeveria e re e Kosovës/ Konjufca: Nuk është koha e dorëheqjeve, por e emërimeve Read More »

Kryemadhi/ 2020-ta, viti i parë i dekadës së ndryshimit

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me strukturat LSI në Lezhë, theksoi se dekada e re do të jetë fillimi i fundit të tranzicionit

Kryemadhi tha se Shqipëria gjendet në një udhëkryq të madh, por shtoi se “është kënaqësi dhe shton më shumë përgjegjësinë tonë kur dëgjon nga të rinjtë dhe të rejat që vazhdojnë qëndrojnë në Shqipëri, të përballen me sfidat e tyre, por mbi të gjitha të ndërtojnë ëndrrën e tyre. Dhe ëndrrat t’i ndërtosh sot në një Shqipëri e cila gjendet në një nga situatat e saj më të vështira, më problematike, do të thotë që është një kurajo e madhe, një guxim i madh, por mbi të gjitha është dhe një besim i madh”.

“Dhe kjo është një nga mësimet më të mira që ne si politikan, duhet të marrim nga këta të rinj dhe të reja. Prandaj gjej rastin tu falënderoj, për këtë kurajo, për këtë forcë dhe për këtë mësim të mirë që i jepni jo vetëm politikës shqiptarë, por u jepni prindërve tuaj, i jepni shoqërisë, i jepni gjithë rrethit shoqëror për të ndryshuar këtë realitet dhe për të kthyer vlerat të cilat Shqipërisë i kanë munguar ndër vite”,- shtoi Kryemadhi.

“Unë do dëshiroja që të thoja që viti 2020 jo vetëm në kuadrin e dëshirës por dhe angazhimit se , do të jetë një vit i ndryshimit, vit i shpresës. Do të jetë viti i parë i dekadës së ndryshimit. Të gjithë thonë çfarë është kjo dekadë. Dekada është ky dhjetëvjeçar i cili do të bëjë ndryshimin përfundimtar të Shqipërisë. Do të bëjë ndryshimin e tranzicionit. Shqipëria duhet të mbyllë njëherë e përgjithmonë, jo vetëm periudhën e tranzicionit, por duhet të mbyllë njëherë e përgjithmonë këtë situatë varfërie, mosfunksionim të çdo gjëje, që ka varfëruar çdo ditë e më shumë shqiptarët dhe i ka detyruar të largohen nga Shqipëria”,- tha Kryemadhi./atsh

Kryemadhi/ 2020-ta, viti i parë i dekadës së ndryshimit Read More »

Ambasadorja Yuri Kim: E nderuar që jam në Shqipëri, gati t’i përvishem punës

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, shprehet se ndihet e nderuar që ndodhet në Shqipëri dhe është gati ti përvishet punës.

Ambasadorja Kim, në ditën e saj të parë të punës ka dhënë dhe mesazhin e parë. “Ndihem e nderuar dhe shumë e kënaqur që jam në Shqipëri dhe jam gati t’i përvishem punës”, -, ka theksuar Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim në ditën e saj të parë në Ambasadë.

Yuri Kim mbërriti në Tiranë si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë në janar 2020. Ambasadorja Kim, një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.

Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë. /atsh

Ambasadorja Yuri Kim: E nderuar që jam në Shqipëri, gati t’i përvishem punës Read More »