Andueli

Hapja do të jetë graduale, do na duhet të bashkëjetojmë me armikun e padukshëm

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, hapja do të jetë graduale dhe nuk do të ketë një “datë çlirimi” për këtë luftë.

I pyetur sot në një intervistë televizive se kur do të rifillojë puna, Rama tha se, “paralelisht me këto masa do të shkojmë, nëse do të na lejojnë shifrat që vijnë nga vija e zjarrit, që deri sot janë shumë inkurajuese, duke hapur, hapur, hapur për t’i dhënë mundësi punës të rifillojë në pjesën e saj më të madhe. Sigurisht nuk mund të hapim menjëherë restorante dhe bare, por dhe për restorantet dhe baret po punojmë do të kemi një dokument të zgjeruar, të detajuar, një rregullore të bashkëjetesës me armikun në territor se do të jetë bashkëjetesë me armikun, për një periudhë kohe”.

Rama shtoi se, “ajo që ne duhet të bëjmë tani është të lëvrojmë nga arka e përbashkët, e shtëpisë sonë së përbashkët, e buxhetit të shtetit, një masë të konsiderueshme parash që do t’u shkojnë të gjithë atyre që sot janë në këto halle që po flasim për të pasur qetësi deri në periudhën e fundmajit, ku do të shikojmë pastaj përsëri se sa janë ata që kanë rifilluar punë, sa janë ata që nuk e kanë rifilluar dot, dhe me ndihmën e Zotit nuk do të kemi armikun në kundërsulm”.

I pyetur nëse kemi një datë për hapjen, Rama tha se, “hapja nuk do të jetë si një ditë çlirimi. Kjo është një luftë jokonvencionale, kjo nuk është njësoj si luftërat me të cilat ne jemi mësuar nga historia, nga librat, nga filmat apo qoftë dhe nga eksperienca e Kosovës, kur fundi i regjimit në Beograd dhe tërheqja e forcave agresore në Kosovë solli ditën e Çlirimit. Këtu nuk do të ketë ditë Çlirimi, këtu do jetë një periudhë tranzitore mes pushtimit në të cilin ne jetojmë dhe Çlirimit. Pra do të jemi në një hapje graduale pjesë-pjesë dhe do të bashkëjetojmë me armikun. Pra do të bashkëjetojmë me idenë dhe vetëdijen që çdo moment mund të infektohemi dhe çdo moment mund të na ndodhi ajo që nuk duam të na ndodhi. Për këtë arsye duhet të përgatitemi për një jetë, mund të zgjasë 2, 3, 5, 6, 10 muaj. Në shumë vende të botës thonë 3 vjet, nuk e di, larg qoftë, që duhet të mësohemi me një jetë që do jetë me rregulla të tjera. Nuk ka të shkosh në pazar dhe të bësh siç ke bërë më parë, me radha, me hyrje me numra të caktuar në mjedis tregtar, me pritje me të gjitha ato që do na duhen”.

“Do shkojmë në plazh, më pyesin njerëzit. Unë shpresoj që po, por nuk do të shkojmë siç jemi mësuar të shkojmë. Do të shkojmë në plazh, por duke respektuar disa rregulla, për të cilat ne po punojmë, që të mbrojmë veten dhe të tjerët. Pra hapja do të jetë graduale”, – tha Rama.

I pyetur nëse gjendja e turizmit pritet të jetë e mjeruar këtë vit, Rama tha se, “mund ta themi, por mund të ndodhë dhe disi ndryshe, jo shumë ndryshe, sepse fjala e mjeruar është një fjalë shumë e rëndë dhe patjetër që në momentin që flasim nuk duket pa vend”. /atsh

Hapja do të jetë graduale, do na duhet të bashkëjetojmë me armikun e padukshëm Read More »

Kreu i OBSH-së në Shqipëri, Gonzales: Masat e zbatuara ndikuan në mbajtjen e shifrës së të prekurve të ulët

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Raul Gonzales tha sot se “masat e zbatuara nga qeveria që në fillim të rasteve të para kanë qenë të suksesshme dhe kanë pasur impakt, në mbajtjen e shifrës të të prekurve të ulët”.

Në një intervistë televizive, Gonzales iu përgjigj edhe pyetjes nëse duhet që qeveria shqiptare të lehtësojë masat parandaluese që janë në fuqi deri më tani.

Ai tha se “ky është një vendim shumë delikat”. “Ajo që mund të themi është se masat e mbylljes së njerëzve në shtëpi janë efikase dhe kanë prodhuar një rezultat të mirë. Disa vende në Europë janë duke bërë të njëjtën pyetje. Mund t’ju them se unë do të doja të inkurajoja vendet t’i mbanin masat bllokuese sa më gjatë që të jetë e mundur. Kjo është ajo gjë që ne me siguri e kemi parë që funksionon. Çdo lloj zbutje e këtyre masave duhet të studiohet shumë, shumë, shumë me kujdes, duhet të bëhen llogaritë mirë e marrë në konsideratë efektet që do të sjellë zbutja”, tha ai.

Gonzales tha se “masat e ruajtjes së distancës i shohim në Shqipëri sikurse në të gjithë botën”. “Çdo masë e adresuar me qëllim zbutjen duhet të shqyrtohen me një kujdes shumë të madh me fokus në impaktin e tyre, natyrisht duke menduar në mënyrë ekskluzive për mos keqësimin e situatës ekonomike në vend. Nuk duhet të ketë arsye të tjera përveç atyre që nuk përkeqësojnë ekonominë. Çdo lloj lehtësimi masash i pa menduar mirë mund të sjellë rritjen e rasteve pozitive me COVID-19 e si pasojë shtim të humbjeve të jetëve të tjera”, tha ai.

Lidhur me situatën në Shqipëri, Gonzales tha se “mund të them se ne mund të jemi optimist për situatën në Shqipëri, sikurse mund të jemi gjithashtu pozitiv nëse shikojmë ç’po ndodh në vendet e tjera të Europës”. “Gjërat me infeksionin në Shqipëri janë duke shkuar mirë nëse shikojmë të dhënat zyrtare kemi 377 raste pozitiv dhe 21 të vdekur dhe meqë po më jepet mundësia dua të shpreh ngushëllimet e mia familjeve. Këto shifra që kemi në vendin tuaj janë të mira. Këto shifra na tregojnë një gjë. Sipas një studimi nga ana jonë e shifrave, nëse qeveria nuk do të kishte vepruar në kohë do të kishim shifra krejt ndryshe. Ky është leksioni i parë që kemi mësuar. Mbyllja totale është efektive”, tha ai.

Po ashtu, Gonzales tha se “numri i atyre që kanë humbur jetën është një indikator që për ne vlen shumë pasi kuptojmë numrin e të infektuarve”. “Të dhënat për humbjen e jetëve në Shqipëri na tregojnë dy gjëra. E para numri të prekurve është i ulët dhe situata në popullatë është nën kontroll. Numri 21 jetëve të humbura që me patjetër është i dhimbshëm për ata që humbën të dashurit por po ta analizojmë në rrafshin kombëtar për të gjithë vendin tuaj në perspektivën afatgjatë është një numër që na tregojnë se gjërat janë duke shkuar mirë”, tha ai.

Lidhur strategjinë e testimit në Shqipëri, Gonzales tha se “çdo vend duhet të zhvillojë politikat e veta të testimit dhe kjo është e lidhur me shumë gjëra si për shembull niveli transmetimit të virusit sikurse edhe gjendja e disponueshme e testeve”.

“Të gjitha vendet në botë janë duke parë për të siguruar teste. Disa vende mundet t’i sigurojnë disa të tjera janë në proces të procedurave të blerjes. E thënë kjo ne inkurajojmë politikat e testimit për të kuptuar më mirë se çfarë është duke ndodhur e për të marrë vendimet e duhura. Ka vende që janë duke i zgjeruar politikat e testimit por duhet të marrim në konsideratë mundësinë e gjetjes së testeve në tregjet ndërkombëtare. Jemi në dijeni të faktit se qeveria shqiptarë është duke bërë të gjitha përpjekjet për të pasur më shumë teste dhe për këtë ne po ndihmojmë. Ka një kërkesë të madhe në tregun ndërkombëtar për këtë test”, tha ai./atsh

Kreu i OBSH-së në Shqipëri, Gonzales: Masat e zbatuara ndikuan në mbajtjen e shifrës së të prekurve të ulët Read More »

Bluzat e bardha në misionin human në emër të jetës/ Balla: Mirënjohje heronjve në frontin e luftës, mjekëve dhe infermierëve

Mirënjohje heronjve në frontin e luftës, mjekëve dhe infermierëve.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, duke publikuar një video të dedikuar infermierëve dhe mjekëve në këto kohë të vështira të pandemisë së COVID-19, shpreh mirënjohjen e tij për këta heronj të heshtur të cilët vijojnë të japin kontributin e tyre human në emër të jetës.

“Mirënjohje heronjve në frontin e luftës: mjekëve dhe infermierëve.”,- thekson Balla./atsh

Bluzat e bardha në misionin human në emër të jetës/ Balla: Mirënjohje heronjve në frontin e luftës, mjekëve dhe infermierëve Read More »

Spiropali: Qëndrojmë deri në fund dhe padyshim që e fitojmë këtë luftë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali u bëri thirrje sot qytetarëve të qëndrojnë deri në fund me zbatimin e masave për ta fituar këtë luftë”.

Përmes një video me pamje nga kryeqyteti në karantinë, Spriopali inkurajon qytetarët që të bëjnë durim dhe të vazhdojnë përpjekjet deri në fund.

“Qëndrojmë deri në fund sikurse këto ditë dhe i kemi vendosur vetes dy alternativa përpara: ose e fitojmë ose padyshim që e fitojmë këtë luftë”, tha ajo./atsh

https://www.facebook.com/espiropali/videos/537551193575545/?t=0

Spiropali: Qëndrojmë deri në fund dhe padyshim që e fitojmë këtë luftë Read More »

Koronavirusi përdor bllokues molekular për të pushtuar organizmin

Ekziston një mënyrë tjetër e hyrjes së koronavirusit të ri në trup: është receptori Dpp4, një bllokues molekular që virusi përdor për të pushtuar qelizat, ai gjendet në të gjitha llojet e qelizave njerëzore dhe është i njëjti në të cilin veprojnë shumë ilaçe kundër diabetit, sipas qendrës ”Diabetes Research and Practice Clinical”, drejtuar nga Gianluca Iacobellis nga Universiteti i Miamit.

Kjo tregon se të njëjtat ilaçe mund të përdoren kundër COVID-19, të paktën në raste më të buta.

”Pas receptorit Ace2, i cili gjendet kryesisht në qelizat e sistemit të frymëmarrjes njerëzore dhe që është identifikuar që nga fillimi si porta kryesore e koronavirusit të ri në organizmin e njeriut, zbulimi që SarsCoV2 lidhet me receptorin Dpp4 tregon se “ekziston gjithashtu një mekanizëm tjetër, i cili mund të hapë një rrugë terapeutike për ata që kanë sëmundje Covid-19 në formë të moderuar”, theksoi drejtori Iacobellis.

Receptori Dpp4 dihet se është i pranishëm në sipërfaqen e të gjitha qelizave, siç janë ato të bronkeve dhe zemrës, dhe se ka një lidhje me sistemin imunitar dhe inflamator, si dhe përfshirja e tij në sëmundjen që u shfaq në 2002 e njohur me emrin Sars. /atsh

Koronavirusi përdor bllokues molekular për të pushtuar organizmin Read More »

“Më e keqja nuk ka ardhur akoma”/Disa hileqarë kujtojnë se ia hedhin edhe virusit

Kryeministri Edi Rama teksa ndau mesazhin e tij për javën e ardhshme, tha se qeveria po mendon të krijojë disa lehtësira sa i përket fashës së orarit të lëvizjes së qytetarëve.

“Jam i mërzitur prej pamjeve nga tregu në Kombinat. Janë të patolerueshme dhe përbëjnë një konfirmim shembullor të nevojës për të ecur për forcimin e masave ndëshkuese për të padëgjueshmit dhe të pabindurit, teksa po mendojmë, siç ua kam thënë, ta hapim pikatoren e lehtësimeve për masën e madhe të njerëzve që po bëjnë rezistencën e duhur duke sakrifikuar dhe mirëkuptuar plotësisht të gjitha kufizimet e rënda të lirisë që i kemi imponuar njëri-tjetrit. Duam të lehtësojmë pak lëvizjen, tanimë që kemi konsoliduar mekanizmin online për lejedaljet e vetëm një anëtari të familjes për bërjen e pazarit të shtëpisë. Duam të lehtësojmë pak më shumë shërbimet bankare tanimë që edhe si rrjedhojë e paketës mbështetëse, bankave do t’iu duhet të përballojnë një lumë më të madh shërbimi. Duam të lehtësojmë pak më shumë lëvizjen e automjeteve private, duke iu dhënë mundësi të gjithë atyre që vijnë apo shkojnë në një punë të autorizuar që të kenë fashë orari më të zgjatur dhe të mund të përdorin automjetin e tyre. Duam të lehtësojmë ata që i kanë mbyllur njësitë tregtare individuale jashtë qendrave tregtare natyrisht përveç bareve, klubeve, restoranteve, palestrave dhe njësive ku mblidhen shumë njerëz. Por të gjitha këto kërkojnë një vetëdije të lartë për përgjegjësinë e secilit dhe njëkohësisht të të gjithëve, ashtu sikundër kërkojnë edhe masa të reja ndëshkimore për shkelësit”, – tha Rama.

Ajo që ndodhi në Kombinat nuk ndodhi javën e kaluar, nuk është çështja tek fasha orare siç ankohen disa, as tek liridalja për pazare në një kohë, por tek lirimi i disa vidave të zinxhirëve mbrojtës që kujtojnë se hajt se kaloi më e keqja, apo se kërcënimi i një katastrofe me mijëra të vdekur nuk është real. Më e keqja nuk ka kaluar dhe mund të na ndodhë sa hap sytë dhe mund të na marrë me vete nëse na gënjen mëndja se ia hodhëm. Dhe për këtë mjaftojnë pak koka të shkreta dhe disa njerëz hileqarë që kujtojnë se ja hedhin edhe virusit. Kjo ndodh vetëm në tregun e Kombinatit dhe tek tuk diku tjetër, por kjo del e tepron për t’i bërë gjëmën jo Tiranës, por gjithë Shqipërisë. Po të ishte halli i njëorëshit do të ndodhte me të gjithë, po të vinte nga pamundësia për të bërë me korrektesë detyrën do ishte një fenomen e do na kishte rënë zjarri me kohë”, tha Rama.

Ai tha se kjo ndodh, sepse ka disa që nuk po duan të kuptojnë./atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/239884847400375/?t=0

“Më e keqja nuk ka ardhur akoma”/Disa hileqarë kujtojnë se ia hedhin edhe virusit Read More »

Rama në TG5: Dërgimi i mjekëve, një qiri që ndezëm për Italinë, nuk mund të rrinim duarkryq

Kryeministri Edi Rama ishte i ftuari i gazetares Cesara Buonamici në kanalin TG5 për të shpjeguar disa nga arsyet që e shtynë për dërgimin e mjekëve dhe infermierëve në vendin fqinj, ku gjesti ka shkaktuar shumë emocione.

”Na goditën dhe entuziazmuan këto ditë ardhja e mjekëve dhe infermierëve, ndërsa thatë: “Ne jemi të varfër, por kemi memorie të mirë. Mirëmbrëma Kryeministri Rama. Dëgjoni kryeministër, çfarë ju shtyu të bëni këtë gjest memorie drejt italianëve?”, ishte pyetja e gazetares Buonamici.

“Më erdhi natyralisht. Ne jetojmë në Shqipëri, por jetojmë me Italinë, thithim ajrin e Italisë nëpërmjet televizioneve”, ishte përgjigjja e kryeministrit Rama.

“Duke parë ato konferenca funerale me shumë e shumë të vdekur, duke qenë se edhe ne e përjetojmë këtë agresion vrasës, nuk mundeshim më. Ne nuk jemi në gjendje t’i ndihmojmë me të gjitha, por jemi në gjendje t’u demostrojmë solidaritetin tonë, dashurinë tonë dhe sigurisht impenjimin tonë për të qenë aty”, shtoi Rama.

”Nuk është se kemi burime të palimituara, edhe ne kemi këtë frikë se sistemi jonë mund të shpërthejë, por deri tani po ia dalim dhe sa kishim këtë forcë rezervë thamë, përse duhet t’i mbajmë rezervë dhe nuk i dërgojmë atje në front që është shtëpia jonë në fund të fundit”, shtoi ai.

”Mjekët dhe infermierët qe dërguat besoj se e flasin mirë si ju italishten sepse shumë janë formuar në Itali dhe imagjinoj se e flasin mirë si ju?”, ishte pyetja e gazetares.

”Shqiptarët e flasin të gjithë italishten. Gjëja më e bukur është se kur bëmë këto telefonata për të kuptuar se a ishin gati të niseshim të gjithë ishin gati, madje kishte nga ata që nuk u kishin thënë as prindërve. Kemi marrë pak nga leksioni i Nënë Terezës që thotë se: “Në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri”. Është një qiri që shpresojmë t’i bëjë mirë Italisë, sepse me të vërtetë nuk mund të rrijë secili në dhomë duke menduar që shtëpia nuk do digjet, duke pasur lajme nga ana tjetër që po digjet”, ishte komenti i Kryeministrit Rama.

”Faleminderit Kryeministri Edi Rama. Faleminderit për atë që bëtë dhe për këtë shembull të shkëlqyeshëm solidariteti”, theksoi në mbyllje gazetarja Buonamici.

”Faleminderit! Rroftë Italia, rroftë Shqipëria!”, uroi kryeministri Rama./atsh

Rama në TG5: Dërgimi i mjekëve, një qiri që ndezëm për Italinë, nuk mund të rrinim duarkryq Read More »

Mjeku shqiptar në Frankfurt, Dasho: Masat e marra nga qeveria në kohën e duhur

Mjeku shqiptar, Erion Dasho, Drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Franfkfurt të Gjermanisë, i është përgjigjur thirrjes së shtetit shqiptar dhe është kthyer në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij në sistemin shëndetësor.

Dasho vlerësoi masat e marra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Dasho u shpreh se situata në të cilën ndodhemi është ende në kufijtë e të menaxhueshmes dhe kjo për shkak të masave të marra në kohën e duhur nga qeveria shqiptare.

“Situata është në kufijtë e të menaxhueshmes për shkak edhe të masave të marra në kohë. Italia është vendi me më shumë viktima për shkak se nuk mori masa në kohën e duhur. Mua më vjen mirë që situata në QSUT është në shkallën e të menaxhueshmes. Kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe për t’u vlerësuar”, theksoi Erion Dasho në një intervistë telelvizive.

I pyetur nëse është gati Shqipëria ta përballoj situatën e emergjencës nga koronavirusi, Dasho u shpreh se sistemi shëndetësor i asnjë vendi nuk është në imun ndaj një pandemie.

“Në rastin e përballjes me pandeminë e COVID-19, asnjë sistem nuk është imun. Mund të kesh një sistem shëndetësor mjaft të zhvilluar sikurse në Italinë e veriut dhe ky sistem të dështojë, pra të mos jetë në gjendje të përballojë komplikacionet shëndetësore”, tha ai.

“Para pak ditësh doli një raport nga ekipi i doktor Neo Ferguson, i cili llogariste skenarët në Angli dhe SHBA. Doktor Ferguson përllogariste se në qoftë se nuk merren masa numri i vdekjeve në Angli do të arrinte deri në 500 mijë persona, dhe në qoftë se nuk merreshin masa në SHBA numri i vdekjeve do të arrinte deri në 2.2 milionë. Pra, nëse nuk merren masa, as sistemi shëndetësor britanik dhe as ai amerikan nuk kanë mundësi ta përballojnë. Këtu bëhet fjalë për një sëmundje ku ajo fraza “të parandalosh është më mirë se sa të shërosh” ka më tepër vlerë. Në qoftë se nuk parandalojmë ne do të mbërrijmë në një gjendje si Ëuhan”, tha ndër të tjera Drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Franfkfurt, të Gjermanisë Erion Dasho. /atsh

Mjeku shqiptar në Frankfurt, Dasho: Masat e marra nga qeveria në kohën e duhur Read More »