Andueli

Zonat e gjelbra ku nga 27 prilli do të ketë lehtësim të posaçëm të lëvizjes, por me rregulla strikte

Kryeministri Edi Rama publikoi sot zonat e gjelbra ku nga e hëna, 27 prill, do të ketë një lehtësim të posaçëm të lëvizjes, por me rregulla strikt për lëvizjen.

Rama tha se zonat e gjelbra përfshijnë qarkun Dibër, qarkun Gjirokastër, zona e përbashkët e bashkive Pogradec, Prrenjas, Librazhd, zona e përbashkët e bashkive Sarandë, Himarë, Konispol, Finiq dhe bashkia Divjakë.

“Në zonat e gjelbra automjetet private do të lëvizin pa autorizim nga ora 09.30 deri në orën 17.30, por me rregullin e vetëm 2 personave në makinë, nga i cili përjashtohen kategorikisht pensionistët”, tha Rama.

Po ashtu, Rama tha se “pensionistët do të lëvizin lirisht në këmbë, deri në orën 08.30 dhe deri në këtë orë asnjë këmbësor tjetër përveç atyre që kanë autorizim për punë, ndalohet të dalë nga shtëpia”.

“Nga ora 9.30 deri në 17.30 të gjithë të tjerët mund të dalin nga shtëpia, por kujdes, ndalohet lëvizja në këmbë e më shumë se dy personave. Ndalohet rreptësisht qëndrimi në një vend i më shumë se dy personave dhe nuk lejohet frekuentimi i parqeve publike në 14 ditët e ardhshme”, tha Rama./atsh

Zonat e gjelbra ku nga 27 prilli do të ketë lehtësim të posaçëm të lëvizjes, por me rregulla strikte Read More »

Të moshuarit edhe nesër mundësi për të dalë deri në orën 11:00, gjatë javës deri në 08:30 në zonat e gjelbra

Të moshuarit do të kenë sërish të shtunën mundësinë të dalin deri në orën 11:00, ndërkohë që të tjerët do të qëndrojnë në shtëpi si masë parandaluese ndaj përhapjes së COVID-19.

Kryeministri Edi Rama në komunikim me kryebashkiakët e zonave të gjelbra, të premten pasdite, nënvizoi se nesër sërish gjyshërit dhe të moshuarit do të kenë mundësi të lëvizin, vetëm, deri në orën 11:00.

“Domosdoshmëri për të monitoruar, jo vetëm nga Policia e Shtetit, por dhe nga ju, si kryetarë bashkie dhe me gjithë sistemin e kryepleqve që keni, lokalet, mund të tundojnë pronarët të hapin qepenat, por është katastrofë nga pikëpamja e epidemisë. Ai shembulli skandaloz, që unë e solla në vëmendje të gjithëve, për djalin që e merr malli për prindërit dhe që i infekton të dy dhe që i fut në një rrugë që dashtë zoti ia dalin, nuk duhet të ndodhë më”,- theksoi Rama.

“Kush i ka prindërit më vete duhet t’i ruajë dhe ndihmojë duke i çuar ushqimet te dera, jo të futen në shtëpi e t’i përqafojnë, se sado jo njerëzore të duket kjo është e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur. Pensionistë në makina në asnjë mënyrë”,- shtoi Rama.

“Është e domosdoshme që pensionistët t’i lehtësojmë, nesër është dita e tyre në gjithë Shqipërinë. Në zonat tuaja të gjelbra, do e kenë lirinë deri ne 8 e 30 edhe gjatë javës, s’do dalë njeri tjetër, do dalin vetëm ata, por jo domino edhe të tjera, sepse rrezikojnë jetën. Dy janë elementët, të moshuarit dhe lokalet. Vizitat nëpër shtëpi nuk kontrollohen me polici, por duhet vullnetarizëm për të zbatuar rregullat. Secili duhet të jetë roje i vetes”,- tha Rama. /atsh

Të moshuarit edhe nesër mundësi për të dalë deri në orën 11:00, gjatë javës deri në 08:30 në zonat e gjelbra Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 15 raste të reja, shkon në 678 numri i të prekurve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 oëë të fundit janë identifikuar 15 raste të reja, duke e çuar totalin e të infektuar në 678.

Eugena Tomini, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik ka bërë të ditur se “gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 259 persona të dyshuar me COVID-19. Nga totali i rasteve të dyshuara janë testuar 36 personel shëndetësor, të cilët kanë rezultuar negativë për Sars-Cov2. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 15 raste pozitive me COVID-19.
Nga totali i rasteve të reja 9 raste janë në Tiranë, të gjitha kontakte të rasteve të mëparshme, 2 raste janë në Mirditë, 1 në Shkodër, 1 në Kukës, 1 në Has dhe 1 në Kurbin.
Deri në këto momente janë testuar 6768 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 678 raste, pra rreth 10% e totalit të rasteve të testuara’.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Mirditë, Shkodër, Kukës, Has dhe Kurbin.

Sipas Tominit, “pavarsisht luhatjeve të të dhënave ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është e kontrolluar. Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme. Në kushtet e lehtësimit të disa masave, në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është shumë e rëndësishme të zbatohen me përpikmëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale. Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID-19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID-19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40′.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 285 raste
– Durrës 42 raste
– Lushnje 6 raste
– Elbasan 18 raste
– Fier 36 raste
– Kavajë 9 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 19 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 103 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 2 raste
– Has 14 raste
– Krujë 65 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 5 raste
– Mirditë 5 raste
– Kukës 12 rast
-Mallakastër 1 raste
– Kurbin 29 raste/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 15 raste të reja, shkon në 678 numri i të prekurve Read More »

Mjeku Pipero feston sot 64-vjetorin e lindjes në krye të shërbimit të pacientëve me COVID-19

Pëllumb Pipero, mjeku i mirënjohur dhe shumë i dashur për shqiptarët veçanërisht në këtë situatë të vështirë, feston sot 64- vjetorin e lindjes.

Në një situatë krejt ndryshe nga ajo e zakonshmja, mjeku infeksionist po përballet së bashku me kolegët e tij me luftën e egër dhe të pamëshirshme të COVID-19.

Që në ditët e para të kësaj epidemie, mjeku Pipero ka qenë prezent në medie përmes këshillave dhe informacioneve që ka ndarë me publikun, duke qetësuar njerëzit në të gjithë këtë situatë të vështirë.

Jo vetëm shqiptarët brenda kufijve, por edhe ato jashtë tij, ndjekin më shumë vëmendje daljet e tij publike, si një ndër mjekët më të dashur dhe më të besuar në këto kohë COVID-19. Pipero së bashku me kolegët e tij prej disa muajsh tashmë punojnë të palodhur për t’ju gjendur pranë të sëmurëve me virusin korona në vendin tonë.

Ditën e sotme Pipero ka ditëlindjen dhe kjo ditë e shënuar për të e ka gjetur sërish tek Infektivi. Mjeku mbush 64 vjeç ditën e sotme dhe në disa foto të publikuara në rrjetet sociale mund të shihet teksa mban dy tufa lulesh në duar dhe disa çanta të vogla./atsh

Mjeku Pipero feston sot 64-vjetorin e lindjes në krye të shërbimit të pacientëve me COVID-19 Read More »

“Kjo luftë nuk është kush ia hedh shtetit”/ Rregullat vija e kuqe për mbrojtjen e jetës, gjithçka varet nga sjellja e secilit prej nesh

Secili prej nesh ka një përgjegjësi të madhe në ndalimin e përhapjes së koronavirusit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një bashkëbisedim online me qytetarët se, “sado rregulla të vëmë, sado polici të kemi, sado ndëshkime në Kodin Penal të vendosim, në fund të ditës gjithçka kryesore varet nga sjellja e secilit prej nesh”.

Rama u shpreh se kjo është “një luftë ku nuk është kush ia hedh shtetit, por secili respekton rregullat që të mos i fusë prindërve, familjes, të afërmve miqve bombat në trup.

Rama solli sërish shembullin e djalit që theu rregullat dhe vizitoi prindërit në një qytet tjetër, duke u ngjitur koronavirusin. “Një djalë që nuk duhet të lëvizte nga qyteti në qytet, pa simptoma, siç jemi pa simptoma të gjithë, niset në një zonë tjetër të vendit se e kishte marrë malli për prindërit. Dy prindër të moshuar, me probleme shëndetësore për shkak të moshës i infekton të dy. Sot prindërit janë të rrezikuar seriozisht”, tha Rama

“Atëherë çfarë do të thotë kjo, sidomos në kushtet kur do të hapemi gradualisht. Kjo do të thotë që në fund të ditës roja që nuk duhet të lëshojë istikamin është vetja jonë”, u shpreh Rama.

“Do lirohemi hap pas hapi, por në themel të çdo hapi që hedhim për t’u liruar qëndron përgjegjshmëria e secilit prej nesh për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Pse s’më ka marrë malli mua për të takuar nënën time. Jo po besoj që ky rregull më mbron mua, familjen time, nënën time, të gjithë të afërmit e mi dhe miqtë e mi”, tha Rama.

Rregullat, theksoi kryeministri, “janë për të na dhënë të gjithëve një kornizë sigurie dhe për të përcaktuar një vijë të kuqe që përkufizon lirinë tonë si një mundësi që mbron aty ku fillon liria e tjetrit. Ky rregull i përbotshëm ka një komponent të ri që është mbrojtja e jetës”.

“Prindërit tanë janë gjëja më çmuar që kemi s’mund t’i rrezikojmë dhe t’i fusim në qorrsokakun e kësaj lufte ku ata janë më të rrezikuarit dhe nga ku është shumë e vështirë të dalin gjallë pastaj nga terapia intensive”, theksoi Rama. /atsh

“Kjo luftë nuk është kush ia hedh shtetit”/ Rregullat vija e kuqe për mbrojtjen e jetës, gjithçka varet nga sjellja e secilit prej nesh Read More »

Tomini: Hetim epidemiologjik i thelluar në Krujë deri në brezin e tretë të personave të kontaktit

Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini në një nga mediet e vendit deklaroi se në Krujë po vijon hetimi epidemiologjik i thelluar duke kaluar në brezin e dytë dhe të tretë të personave të kontaktit me persona të rezultuar pozitivë ndaj COVID-19.

“Dua të theksoj se jemi në vijim të hetimit epidemiologjik në rrethin e Krujës dhe pikërisht në fasonerinë që ishte vatra epidemike. Testimi ka disa kritere, që duhet të kemi shenja klinike dhe duhet të jetë kontakt i ngushtë i personit që ka rezultuar me COVID. Gjurmimi i thelluar, i zgjeruar bën që të shkëputesh nga grupi i parë apo nga rrethi i parë i ngushtë i kontaktit të rastit pozitiv dhe të kalojmë në brezin e dytë apo të tretë. Ky hetim epidemiologjik bën që këto testime të zgjerohen në masë dhe hetimi epidemiologjik po vijon edhe në këto momente”, – tha Tomini.

E pyetur mbi rastet e reja me COVID-19 në vend, Tomini sqaroi se periudha e inkubacionit të zgjatur bën që dita-ditës, të kemi shfaqje të rasteve ndoshta me një trend në rritje që ndryshon çdo ditë.

“Raste të reja janë të reja si raste primare ndërsa një pjesë e tyre janë kontakte apo raste sekondare që vijnë si rrjedhojë e kontaktit të ngushtë me personat që janë konfirmuar pozitivë. Hetimi epidemiologjik i thelluar ka nxjerrë në pah edhe kontaktet dytësore të cilat rezultojnë për shkak të periudhës së inkubacionit të gjatë rezultojnë pak më me vonesë në ditë në momentin kur ato shfaqin shenja fillestare të sëmundjes apo në ditën e pestë, të gjashtë kur pretendohet të kemi pasur kontakt me rastin pozitiv. Janë raste të shkëputura dhe raste sekondare dhe primare si rrjedhojë e transmetimit të zinxhirit të infeksionit”, u shpreh ajo.

Si ekspertë, Tomini tha se masat e marra në kohë sollën një epidemi të butë në Shqipëri.

“Realisht situata epidemiologjike dhe epidemia e COVID në vend, pa diskutim që nëpërmjet masave të marra pati këtë peshë kundrejt popullatës dhe kundrejt sistemit shëndetësor njëkohësisht. Duhet thënë, e kanë vlerësuar edhe organizata botërore e shëndetësisë dhe struktura të tjera, që marrja e masave në kohë bëri që të kemi një epidemi të butë, një kurbë epidemike të tillë dhe një sistem shëndetësor që iu përgjigj më së miri duke krijuar kapacitete, shtretër, oksi-terapi, shfrytëzimi i shtratit kryesisht reaminator ishte kryesisht në kapacitetet e duhura”, tha Tomini./atsh

Tomini: Hetim epidemiologjik i thelluar në Krujë deri në brezin e tretë të personave të kontaktit Read More »

Basha: Qeveria e paaftë për t’u përballur me krizën

Kryetari i PD-së Lulzim Basha tha sot se qeveria është e paaftë për t’u përballur me krizën.

I ftuar në një emision televiziv për situatën e pandemisë, Basha tha se “ka një paradoks të jashtëzakonshëm me atë që ka ndodhur sot. Sot ka zyrtarisht ka 29 të infektuar kaq sa ishin edhe në 4 prill. Pra, ndërkohë që 6 javë i është kërkuar shqiptarëve sakrificë duket se kurba e infeksioneve jo vetëm që është po aq e destabilizuar sa gjuha dhe veprimet e qeverisë dhe kryeministrit, por karantina dhe vetizolimi, distancimi social që qytetarët ç’është e vërteta e kanë respektuar me rigorozitet të lartë nuk po jep frytet. Pse?! Sepse qeveria nuk po bën detyrat”.

“Sepse nga njëra anë lihen bombat me sahat që kemi 1 muaj që i paralajmërojmë, si fasoneritë të cilët shpërthejnë dhe pastaj përhapin infeksione në territore të tëra. Kruja, Kurbini, janë dy territore që janë shtuar në numra të frikshëm të infektuarish, pse? Sepse qeveria nuk e zgjidhi qesen për të paguar një minimum jetik për punonjëset, për nënat, për vajzat e këtyre fasonerive. Sepse e ka mendjen që këto para të vazhdojë të ja japë oligarkëve. Ku janë lekët e shqiptarëve? Se këto nuk janë lekët e Edi Ramës, këto janë lekët e taksave të shqiptarëve. Si asnjë popull tjetër në Ballkan, shqiptarët në 7 vite të qeverisjes së Edi Ramës kanë parë t’u rriten taksat nga viti në vit, kanë parë faturat t’u rriten nga viti në vit. Tani që kanë nevojë për këto para që janë paratë e tyre, tani që kanë nevojë për ndihmën e shtetit, tani shteti zhduket apo bën vetëm propagandë dhe pastaj bëjnë zgjatje të gjendjes së emergjencës”, tha ai.

Basha tha se qeveria nuk bën mjaftueshëm testime dhe s’ka marrë asnjë masë.

“Shqipëria bën 5 herë më pak teste se Maqedonia, pasi nuk u përgatit në kohë për situatën. Pse rekomandimet e OBSH-së në Shqipëri u zbatokan 5 herë më pak se në Maqedoninë e Veriut?! Jo, jo. E para e punës kjo ndodh, sepse këta nuk kanë mjaftueshëm kite testimi dhe kjo është arsyeja përse prej 2-3 javësh unë i kam kërkuar ndërkombëtarëve dhe në veçanti SHBA, BE, por edhe OBSH – që të na ndihmojnë në këto sektorë prioritarë, në veçanti tek testimi. Këta akoma nuk mjaftueshëm kite testime. Shpresoj se me ndihmën e partnereve tanë të arrijmë, por këta s’kanë bërë asgjë në këtë drejtim. Kjo qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë masë dhe ka gënjyer se tha ‘i kam ndërmarrë masat’”, tha ai.

Basha shton se “në qoftë se do të bëhej testim i mjaftueshëm, sa më shumë testohet, aq më shumë të infektuar dalin. Aty ku rritet testimi, rritet edhe numri i zbulimeve. Por kjo do të tregonte, do të nxirrte në pah atë që çdo shqiptar Shqipëria është vendi ku qeveria nuk ka ngritur as gishtin më të vogël për të ndihmuar familjet, për të ndihmuar bizneset, por i ushqen me lugë bosh dhe i ushqen me të dhëna të rreme. Pse? Pikërisht për të fshehur dështimin e saj total në përballimin e kësaj krize”, tha ai. /atsh

Basha: Qeveria e paaftë për t’u përballur me krizën Read More »

385 të shëruar nga COVID-19, 29 gjatë 24 orëve të fundit

Gjatë 24 orëve të fundit, 29 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve nga COVID-19, duke e çuar numrin e personave që kanë fituar betejën me këtë sëmundje në 385.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se deri tani rezulton që Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë zona ku të gjithë të prekurit deri tani, janë të shëruar.

Aktualisht në vendin tonë janë 251 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.

“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 26 të shtruar nga të cilët 4 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive, në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavion. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 34 pacientë’, -bën të ditur ministria e Shëndetësisë./atsh

385 të shëruar nga COVID-19, 29 gjatë 24 orëve të fundit Read More »