Andueli

Sezoni turistik/ Klosi thirrje strukturave hoteliere të bëhen gati për hapje: Po shpërndajmë protokollet e sigurisë

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se në fund të muajit maj pritet të ketë një lehtësim të lëvizjes brenda rajonit, ndërsa u shpreh optimist edhe për fluturimet në një moment të dytë.

Gjatë një interviste televizive, ministri Klosi tha se qeveria parashikon, nisur nga rezultatet e deritanishme, hapjen e bareve dhe restorante me 18 maj, sipas disa protokolleve, çka do të lejojë edhe hotelet të operojnë, jo vetëm në akomodim, por të hapen edhe me shërbimet e tjera.

“Kemi një vendimmarrje për të hapur baret e restorantet. Tani po shpërndajmë edhe protokollet e sigurisë nëpër këto struktura hoteliere që këta të mund të fillojnë përgatitjet, me ëndrrën që në fund të majit të fillojnë lëvizjet në kufij të paktën në rajon. Në fund të muajit maj shpresojmë të hapim këtë sektor”, tha Klosi.

Ministri bëri të ditur se fakti që ne operojmë me struktura të vogla që mund të menaxhohen më lehtë, na ndihmon të rikuperohemi më shpejt, pasi sipas tij, vendet e rajonit apo edhe Turqia, operojnë me struktura shumë të mëdha hoteliere, çka ua vështirëson hapjen. Por, shtoi ai, edhe sepse turistët vijnë edhe përmes rrugëve tokësore.

Ministri Klosi, po ashtu theksoi se Shqipëria ishte vendi i parë që ofroi një paketë mbështetëse për sektorin e turizmit, ndërkohë që vende të tjera ende nuk e kanë ofruar, ose e kanë ofruar pak ditë më parë, si rasti i Kroacisë.

“Janë 132 mijë qytetarë shqiptarë që kanë marrë mbështetjen financiare përmes dy paketave të Qeverisë“, tha Klosi./atsh

Sezoni turistik/ Klosi thirrje strukturave hoteliere të bëhen gati për hapje: Po shpërndajmë protokollet e sigurisë Read More »

Manastirliu prezanton planin e masave të reja: Nga e hëna në zonat e gjelbra përfshihen edhe 18 bashki

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu prezantoi planin e hapjes dhe lehtësimit të masave që do të hyjnë në fuqi që nga data 4 maj.

“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe përcaktues për vijimin e situatës epidemike në vend. Nga vlerësimi i vazhdueshëm i të dhënave epidemiologjike, konstatohen ende vatra aktive infeksioni në disa zona të vendit, ku po punohet intensivisht nëpërmjet testimit dhe gjurmimit agresiv të kontakteve për të kufizuar përhapjen e COVID-19”, tha Manastirliu.

Sipas saj, strategjia e rihapjes e hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, parashikon disa faza të lehtësimit të ngadaltë dhe të kujdesshëm të masave shtrënguese.

Ministrja e Shëndetësisë informoi se në “zonën e gjelbër” përfshihen edhe ato të 18 bashkive të tjera në vend që konsiderohen me risk të ulët për përhapjen e infeksionit.

“Nga data 4 maj do të përfshihen si zona të gjelbra bashkitë: Tropojë, Rrogozhinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë, Vlorë, Selenicë”, bëri të ditur Manastirliu.

Duke theksuar se ky vendim është marrë në përputhje me ecurinë e kurbës epidemiologjike dhe indikatorëve të sistemit shëndetësor, si dhe duke u bazuar në nivelet e riskut, Manastirliu tha se “zonat e gjelbra” do të kenë të njëjtat rregulla të lëvizjes dhe fashave orare tashmë të përcaktuara për këto zona.

Sipas këtyre rregullave pensionistët në këto zona mund të lëvizin nga ora 6:00 deri në 8:30 të mëngjesit, ndërsa qytetarët e tjerë mund të lëvizin nga ora 9:30 deri në 17:30 të shoqëruar me jo më shumë se një person. Përjashtim bëjnë qytetarët që kanë autorizim pune, të cilët nuk kufizohen nga këto orare.

Rregullat përfshijnë dhe mjetet private të transportit që do të lejohen të qarkullojnë me autorizim vetëm brenda qarkut ose bashkisë përkatëse nga ora 9:30 deri në 17:30 vetëm me një pasagjer. Përtej orarit të caktuar mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizim nga “e-Albania”. /atsh

Manastirliu prezanton planin e masave të reja: Nga e hëna në zonat e gjelbra përfshihen edhe 18 bashki Read More »

Përballja me COVID-19, Hajdari përgëzon ministren e Shëndetësisë: Keni bërë punë shumë të mirë

Deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari përshëndeti sot punën e bërë nga mMinistrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Unë po hedh hapin e parë. Zonja ministre e Shëndetësisë ishit e vetmja sot që vërtet dhatë një fjalë që ishte për t’u duartrokitur dhe për t’ju thënë që keni bërë një punë shumë të mirë. Unë si nënë, si grua, si përfaqësuese e këtij parlamenti, dua t’ju uroj për punën që keni bërë”, tha Hajdari në fjalën e saj në seancën plenare në Kuvend.

Hajdari u shpreh se, “se në parlament mungon solidariteti, humanizmi, një lloj politike ndryshe në këtë vend”.

“Ky ka qenë viti më sfidues për shqiptarët. Ky ka qenë viti më i vështirë në 20 vitet e fundit. Shqiptarët u përballën me 2 tërmete, humbjen e jetëve më shumë se në 20 vitet e fundit. Shqiptarët ndihen sot më të varfër sesa kurrë. Dhe ne sot në këtë sallë jemi kaq egoistë, kaq të pandrojtur për të folur kundër njëri-tjetrit”, theksoi Hajdari.

“Kur do t’i themi shqiptarëve që kjo sallë do përdoret vetëm për shëndetin, ekonominë, politikat që ndihmojnë jetën e tyre. Shqiptarët kanë nevojë për mbështetje për ndihmë. Ne nuk dimë t’ua japim”, tha Hajdari.

Hajdari u shpreh se “ato që po bën qeveria nuk janë të mjaftueshme, përkundrazi. Unë dëgjova z. Ahmetaj i cili gënjeu drejtpërdrejt, sepse Kosova është vendi që na ka lënë neve pas, sesi po e menaxhon sidomos gjendjen ekonomike. Kosova, vend më i vogël se ne po arrin t’i shërbejë popullit të vet më mirë se ne”.

Hajdari tha se, “mënyra sesi po izolohet çdo informacion që ka zero transparencë në ekzekutiv në mënyrën që bëhet sot çdo masë që vjen nga ekzekutivi është pa asnjë lloj transparence. Të vjen keq të vjen për të qarë, të vjen për të ulëritur. Kemi një ekzekutiv, i cili vetëm po mundohet të abuzojë me gjendjen aktuale. Abuzon sot të jeni të sigurt që do i përgjigjet popullit ditën e zgjedhjeve”./atsh

Përballja me COVID-19, Hajdari përgëzon ministren e Shëndetësisë: Keni bërë punë shumë të mirë Read More »

Masat e reja për fundjavën/ Rama: Dalin prindërit me fëmijë dhe pensionistët, të shtunën hapur vetëm ushqimoret e farmacitë

Kryeministri Edi Rama informoi sot mbi fashat orare të fundjavës kur do të lejohen të qarkullojnë pensionistët dhe kur do të lejohet të qarkullojnë prindërit me fëmijë deri në 14 veç.

“Të shtunën 2 maj dhe të dielën 3 maj, pensionistët do të lejohen të dalin lirisht deri në orën 10.00. Të gjithë të tjerët në shtëpi brenda kësaj fashe orare”, tha Rama.

Po ashtu, ai theksoi se “të shtunën 2 maj dhe të dielën 3 maj, prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç do të lejohen të dalin lirisht nga ora 11.00 deri në orën 17.30”.

Kryeministri theksoi se “të shtunën, 2 maj, do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17.30”.

Ndërkohë, ai tha se “të dielën të gjitha do të jenë mbyllur”.

“Gjatë të shtunës 2 maj dhe të dielës 3 maj do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private )përjashtuar ata që punojnë me autorizimet përkatëse). Kujdes! Nga sjellja e duhur në distancimin social dhe zbatimi i rregullit bazë të mosgrumbullimit jashtë qelizës familjare gjatë fashës orare të lëvizjes këtë fundjavë, varet ecuria e mëtejshme pozitive e kësaj lufte deri këtu të zhvilluar shkëlqyeshëm, po edhe vendimmarrja jonë për më tej”, tha Rama.

Rama tha po ashtu se ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, do të informojë sot planin e hapjes së mëtejshme deri në 18 maj./atsh

Masat e reja për fundjavën/ Rama: Dalin prindërit me fëmijë dhe pensionistët, të shtunën hapur vetëm ushqimoret e farmacitë Read More »

“coronavirus.al”/ Shërohen të gjithë të prekurit nga COVID-19 në Mallakastër, Tropojë, Kavajë , Rrogozhinë, Korçë dhe Lezhë

Deri tani janë shëruar 470 persona të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Shifrat bëhen të ditura nga adresa zyrtare e platformës “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare, vetëm për situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.

Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 470.

Nga puna e bërë e mjekëve, rezulton se Mallakastra, Tropoja, Kavaja, Rrogozhina, Korça dhe Lezha janë zonat ku të gjithë të prekurit deri tani, janë aktualisht të shëruar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoj sot se sa i përket të prekurve nga COVID-19 sot rezulton se numri i pacientëve të shëruar është dyfish më i lartë se i qytetarëve që janë prekur nga ky virus.

Po sipas shifrave të publikuar në coronavirus.al, aktualisht në vendin tonë janë 272 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.

Deri në këto momente janë testuar 8253 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 773 raste.

Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 773 të infektuar me COVID-19, 272 raste aktive, 470 të shëruar, 31 të vdekur, ndërsa janë kryer 8253 teste gjithsej.

Përmes platformës coronavirus.al, qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19./atsh

“coronavirus.al”/ Shërohen të gjithë të prekurit nga COVID-19 në Mallakastër, Tropojë, Kavajë , Rrogozhinë, Korçë dhe Lezhë Read More »

Shkollat profesionale do të hapen në 18 maj vetëm për maturantët

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen, deklaroi sot se “35 shkollat profesionale në vend do të hapen për maturantët nga data 18 maj deri në datën 5 qershor, në bazë të vendimit të marrë nga Ministria e Arsimit, duke u nisur nga vendimet e taskforcës për përballimin e situatës së pandemisë së COVID-19 në Shqipëri dhe mbështetur në vlerësimin e modeleve të vendeve të tjera që kanë filluar hapjen graduale të shkollave”.

Nëpërmjet një deklarate, zv/ministrja Sorensen informoi nxënësit, prindërit dhe drejtuesit e shkollave mbi procedurat që do të ndiqen për mbylljen e vitit shkollor 2019-2020, duke vënë theksin në katër elementë të rëndësishëm.

“Së pari, viti shkollor do të mbyllet në qershor 2020 për të gjithë nxënësit, sipas planifikimit në udhëzimet e deritanishme, së dyti, provimet e Maturës Shtetërore do të mbahen, sipas planifikimit, mes datave 8 dhe 18 qershor 2020, gjë që jep mjaftueshëm kohë që të përgatiten edhe diplomat për të gjithë maturantët që planifikojnë të studiojnë jashtë vendit dhe i duhen ato në korrik”, – tha ajo.

Zv/ministrja Sorensen theksoi se “së treti në mënyrë që provimi i maturës të jetë sa më i drejtë për maturantët dhe ata të kenë mundësinë për t’u përgatitur, është vendosur hapja e shkollave vetëm për nxënësit e klasave e 13-ta, pra për maturantët, në periudhën 18 qershor deri në 5 maj, gjatë së cilës do të punohet vetëm për lëndët e Maturës Shtetërore dhe me plan-programet e reja që nuk përmbajnë temat e zhvilluara në kushte shtëpie”.

Së katërti, shtoi ajo, mësimi nga shtëpia do të vazhdojë për të gjithë nxënësit e klasave 10-12 deri në fund të majit, duke planifikuar të mbyllet dy javë më herët se sa parashikimet në mënyrë që të krijohet mundësia që mësuesit të shkojnë nëpër shkolla dhe të bëjnë të gjithë punën administrative të hedhjes së notave dhe kalkulimit të vlerësimeve përfundimtare.

Zv.ministrja Sorensen informoi gjithashtu se hapja e pjesshme e shkollave do të realizohet duke zbatuar rigorozisht të gjitha rregullat e distancimit social dhe kushtet higjieno-sanitare nëpër shkolla, për 4200 maturantë në 35 shkolla.

“Do të sigurohet minimumi 1.5 m largësi mes nxënësve, ashtu siç parashihet nga rregullat e institucioneve shtetërore, dhe numri i nxënësve për klasë të mos jetë më shumë se 10-12 nxënës (apo maksimumi 15 nxënës për klasë, në rastet kur klasa ofron hapësirë të mjaftueshme)”, – tha Sorensen.

Zv/ministrja u shpreh se “duke konsideruar situatën e krijuar nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19, për të mbështetur procesin e vijimit të mësimit online dhe realizimin e Provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale dhe të Provimeve të Niveleve në shkollat profesionale, udhëzimet janë si më poshtë: mësimi në kushtet e shtëpisë do të vazhdojë në përputhje me udhëzimet e mëparshme duke synuar një pjesëmarrje sa më të madhe dhe sa më aktive të nxënësve”.

“Nga data 4 maj, duke filluar me mësim nga shtëpia dhe pastaj në shkollë me datë 18 maj, puna me maturantët do të fokusohet në provimet e Maturës Shtetërore. Për nxënësit Maturantë, parapërgatitja, për vitin shkollor në vijim, nuk do të përfshijë temat mësimore të trajtuara gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë”, nënvizoi ajo.

Sipas saj, për periudhën e mbetur deri në datat e provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale do të synohet përfshirja dhe mbështetja sa më e madhe e nxënësve maturantë që kanë patur vështirësi dhe pamundësi për t’u angazhuar në mësimin në kushtet e shtëpisë.

“Modalitetet e realizimit të provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale do të jenë sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë. Provimi i Praktikës Profesionale të Integruar i Nivelit nuk do të zhvillohet në vitin shkollor 2019. Për të gjithë nxënësit (përfshirë dhe nxënësit maturantë), nota e këtij provimi praktik do të llogaritet si mesatare e thjeshtë, e rrumbullakosur, e notave të moduleve praktike që nxënësi ka përmbushur në nivelin përkatës”, tha ajo.

Sipas saj, provimi i Teorisë Profesionale të Integruar i Nivelit, për vitin shkollor në vijim, do të zhvillohet online.

“Përgatitja e testeve teorike, realizimi i provimit, korrigjimi dhe nxjerrja e rezultateve do të kryhen nga vetë shkollat, bazuar në Programet Orientuese përkatëse dhe sipas udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe të Agjencisë Kombëtare të AFP dhe Kualifikimeve. Nota përfundimtare e Provimit të Teorisë Profesionale të Integruar të Nivelit për çdo nxënës do të llogaritet duke marrë në konsideratë jo vetëm rezultatet e provimit të teorisë profesionale online, por edhe mesataren e notave në lëndët profesionale të përfshira në Programin Orientues përkatës”, – theksoi zv/ministrja.

Ndërsa për nxënësit që do ta kenë të pamundur të marrin pjesë në provimin e teorisë profesionale online, në përshtatje me rrethanat dhe kushtet që do të krijohen në vijim, Sorensen tha se “do të jepen udhëzime të mëtejshme për të mundësuar edhe realizimin e këtij provimi dhe nxjerrjen e notës përfundimtare përkatëse”.

Në përfundim të deklaratës së saj, zv.ministrja Sorensen ritheksoi se të gjitha shkollat profesionale do të vijojnë mësimin online dhe përgatitjet për provimet përfundimtare sipas udhëzimeve të mësipërme./atsh

Shkollat profesionale do të hapen në 18 maj vetëm për maturantët Read More »

“Ecuria e epidemisë nën kontroll nga masat dhe respektimi i tyre”, Pipero: E kemi kaluar pikun prej 2-3 javësh

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero tha se nga 700 e ca raste të konfirmuara me COVID-19 në vendin tonë, më shumë se 400 persona janë shëruar. Pipero tha se kemi kaluar prej 2-3 javësh pikun e epidemisë.

Gjithashtu gjatë një interviste televizive mjeku Pipero theksoi se jo të gjithë janë pozitivë aktivë, pasi ata që janë pozitiv janë më pak të rrezikshëm sesa një që nuk e di që pozitiv dhe mund t’ia transmetojë të tjerëve.

“Jo të gjithë janë pozitiv aktivë, ata që janë pozitiv janë shumë herë më pak të rrezikshëm, sesa një që është pozitiv dhe nuk e di, sepse ai mund tua transmetojë të tjerëve. Nga 700 e ca raste, më shumë se 400 e ca janë shëruar tanimë. Kjo lloj shifre nuk na tremb, kjo shifër na dëshmon që virusi është këtu, masat janë adekuade, strategjia është adekuade.

Pipero tha se, “e kemi kaluar prej 2-3 javësh pikun e epidemisë. Sipas studiuesve, piku është kur numri i rasteve pozitive shkon paralelisht me numrin e të shtruarve në spitale. Të gjithë treguesit rikonfirmojnë, se ecuria e epidemisë është nën kontroll, e menaxhuar, edhe referuar masave të qeverisë, dhe respektimit të rregullave të qytetarëve, dhe me këmbënguljen tonë”. /atsh

“Ecuria e epidemisë nën kontroll nga masat dhe respektimi i tyre”, Pipero: E kemi kaluar pikun prej 2-3 javësh Read More »

Zbulohen 35 molekula të reja për të luftuar COVID-19

Janë zbuluar 35 molekula të reja për të luftuar virusin SarsCoV2, falë një fuqie informatike.

Të përshkruara në faqen e internetit të ArXiv, studiuesit do të jenë në gjendje të bëjnë teste për të zbuluar nëse ato mund të bëhen ilaçe anti-Covid-19. Projekti po udhëhiqet nga kompania Sibylla Biotech dhe nga Instituti Kombëtar i Fizikës Bërthamore (INFN).

Molekulat, të cilat tani do të jenë në gjendje të fillojnë testimin e tyre laboratorik për të zbuluar nëse ato mund të bëhen ilaçe të ardhshme anti-Covid-19, funksionojnë duke parandaluar coronavirusin e ri që të lidhet në qelizat njerëzore.

Molekulat janë si dy xhepa që janë të vendosura në strukturën kryesore të dyerve të hyrjes të përdorura nga koronavirusi i ri për të pushtuar qelizat njerëzore, receptorin Ace2 i cili, përveç qelizave të sistemit të frymëmarrjes, gjendet në ato të shumë organeve të tjera, përfshirë zemrën dhe zorrët. /atsh

Zbulohen 35 molekula të reja për të luftuar COVID-19 Read More »