Andueli

Shtyrja e kredive me tre muaj, miratohen 21 mijë raste

Rreth 2 miliardë euro është shuma e kredive të shtyra për tre mujorin aktual.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaron se “shtyrja e kredive për tremujorin aktual ku jemi natyrisht është zyrtarizuar dhe të gjithë jemi në dijeni, është një shumë e konsiderueshme kredish të shtyra, afërsisht 2 miliard euro, por po procedohet më shumë”.

Shtyrja e kredive, tha ai, është për ata që kanë hasur vështirësi financiare, por dua të theksoj që në këtë shtyrje bankat kanë qenë proaktive dhe kanë bërë shtyrjen në 99% të rasteve që kanë aplikuar.

Sejko tha se “për shtyrjet e kredive bankat janë treguar proaktive në terma të përgjithshëm, mund të ketë ndonjë rast përjashtimor, por vetë fakti që deri në momentin aktual janë miratuar 21 mijë raste kredish të shtyra”.

“ I kemi lejuar bankat ta bëjnë shtyrjen pa penalitete. Hapjet e llogarive janë bërë përgjithësisht pa komision”, tha ai./atsh

Shtyrja e kredive me tre muaj, miratohen 21 mijë raste Read More »

Situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme, vijueshmëria varet nga qytetarët

Situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme ndërsa rastet e reja varen nga kujdesi që tregojnë qytetarët në fazën graduale të hapjes.

Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik tha se “realisht, situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme. Numri i rasteve nuk është se është në rritje megjithëse masat janë lehtësuar megjithatë vigjilenca nga ana jonë është maksimale, si nga ana epidemiologëve nëpër rrethe, mjekëve të familjes, ISHP-së, forcave të rendit. Të gjithë momentalisht, janë duke rritur vigjilencën më shumë se më parë se kur njerëzit ishin të izoluar. Shpresojmë ndërkohë që duke lehtësuar këto masa, numri të mos na rritet i rasteve. Megjithatë do të shihet në vazhdimësi”.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë distancimin fizik.

“Edhe një herë u bëjnë thirrje qytetarëve sepse çdo gjë në këto moment varet nga ata. Higjiena duhet të jetë maksimale dhe ju lutem distancimi fizik. Ju lutem, mos komunikoni shumë me njëri-tjetrin dhe mos lëvizni nga një qytet në tjetrin dhe kjo është arsyeja se pse ne nuk kemi pasur edhe raste të reja”, apeloi Daja.

Ajo sqaroi se gruaja shtatzënë e prekur nga infeksioni është në gjendje të stabilizuar. “Normalisht gruaja shtatzënë është në gjendje të stabilizuar megjithatë i takon klinikës për të vendosur nëse do të qëndrojë apo jo”, u shpreh Daja.

E pyetur nëse ka pavijone të posaçme për gratë shtatzëna të infektuara me COVID, ajo tha se “normalisht kemi dy spitale COVID ku shtrohen personat që janë me COVID pozitiv. Janë marrë të gjitha masat, në të dyja spitalet për të mjekuar të gjitha rastet”.

Për numrin e fëmijëve të prekur nga COVID ajo tha se “aktualisht kemi 35 fëmijë të prekur ku 22 prej tyre janë të shëruar. Numri i grave shtatzëna me COVID është 5, ku 4 prej tyre janë të shëruara. /atsh

Situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme, vijueshmëria varet nga qytetarët Read More »

Sezoni turistik/ Gurma diskuton me operatorët protokollet e hapjes: Saranda, oaz i gjelbër qetësie dhe sigurie

Kryetari i bashkisë së Sarandës Adrian Gurma ka zhvilluar sot një takim me operatorët kryesorë turistikë në Sarandë për të diskutuar rreth problemeve për sezonin turistik që pritet të hapet së shpejti.

Qëllimi i takimit me operatorët dhe bizneset që ofrojnë turizëm, ishin rregullat e reja, protokollet dhe angazhimi i përbashkët për menaxhimin e suksesshëm të sezonit turistik.

Në fjalën tij, Gurma tha se falë marrjes së të gjitha masave, Saranda hyri në hartën e bashkive të gjelbra dhe kjo është meritë e qytetarëve, strukturave të pushteti lokal dhe të gjithë instancave të tjera që operojnë në bashki. “Të gjithë bashkë kemi bërë më të mirën jo vetëm për njerëzit tanë, por dhe për ata që presin të na vizitojnë, sepse Saranda do jetë një oaz i gjelbër qetësie dhe sigurie. Kjo është e para që doja të ndaja me ju dhe realisht jam shumë i kënaqur. Jemi në fashën e bashkive të gjelbra. Kjo na vë edhe para përgjegjësive dhe nuk duhet të jemi në eufori. Pjesa që kaluam në bashki të gjelbër, që kemi lirinë e lëvizjes, kemi lirinë e komunikimit, e ndërmjetësimeve me të gjitha bashkitë e tjera që rrethojnë bashkinë e Sarandës, na bëjnë akoma më të përgjegjshëm që situatën në vazhdim ta përballojmë me sukses”, u shpreh Gurma.

“Në momentin që Saranda do jetë e aksesueshme jo vetëm për bashkitë e gjelbra që kemi përqark, por do jetë e aksesueshme edhe për Tiranën, Kosovën, pse jo për Maqedoninë e Veriut, neve na takon dhe kemi përgjegjësi, kemi sfida të mëdha përpara për të përgatitur në kushtet e reja situatën”, vijoi Gurma.

“Do të doja se gjithë secili nga ju të marrë përgjegjësit por të jetë edhe mirëkuptues ndaj rregullave dhe standardeve të reja që do kemi karshi të gjithë pushuesve sepse në fund të fundit nuk na intereson asgjë më shumë sa mbarëvajtja dhe siguria që Saranda të jetë si vitet e tjera jo vetëm avangard për turizmin dhe perla e turizmit, por dhe marka, sepse kur të përmendësh emrin Sarandë do të thotë se pushohet mirë, pastër, lirë dhe në mënyrë të sigurt. Kjo duhet të jetë lajtmotivi i të gjithë punës tonë bashkë”, tha ai.

Gurma ritheksoi se ulja e paketës turistike me 20% sa i përket çmimit do maksimizojë fitimet e operatorëve turistikë, pasi do fitojë Saranda dhe do të kemi një fluks të madh vizitorësh.

“Ne kemi marrë angazhime edhe në bashkëpunim me operatorët e shoqatës turistike e kemi prezantuar zhvillimin e paketës turistike në krahasim me vitet e tjera në një situatë ndryshe për sa i përket ofertës. Ai 20% më i lirë them se nuk duhet të diskutohet më, sepse në fund të fundit do jetë fitim për të gjithë ne. Do jetë fitim për biznesin hoteleri, do jetë fitim dhe për Sarandën. Për sa i përket bashkisë, mbështetja do të jetë maksimale”, tha ai. /atsh

Sezoni turistik/ Gurma diskuton me operatorët protokollet e hapjes: Saranda, oaz i gjelbër qetësie dhe sigurie Read More »

Prej 9 ditësh asnjë humbje jete, testimi i serologjisë te grupet me risk

Prej 9 ditësh në Shqipëri nuk ka asnjë humbje jete prej COVID-19.

Lajmin e ka dhënë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve me Kryeministrin Edi Rama.

“Ne kemi hyrë në ditën e 9-të të kur nuk kemi asnjë humbje jete. Pra prej 9 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete dhe kjo është diçka që patjetër nga gëzon, sepse edhe një humbje jete për ne është e dhimbshme”, tha Manastirliu.

Manastilriu u shpreh se do të kemi pas dy jave e pak pune intensive në laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT rezultatet e para të testimit të serologjisë.

Manastirliu theksoi se, “ky është një testim për një kampion të parë. Pra do të vijojë testimi në grupet e riskut, siç tashmë e kemi vendosur përsa i përket personelit mjekësor, gjithashtu dhe sa i përket të infektuarve të identifikuar sipas skemës dhe metodologjisë që po vlerësohet nga Komiteti Teknik i Ekspertëve”.

Duke folur për atë që është duke u bërë sa i përket situatës së hapjes në të gjithë sektorët e ekonomisë, por dhe të rihapjes së sektorit të kujdesit shëndetësor, Manastirliu tha se, “tashmë është aprovuar strategjia e ekspertëve për planin e veprimit të funskionojë në raport me organzimin e sistemit shëndetësor në të gjithë hallkat e tij duke filluar nga shëndeti publik, duke vijuar nga kujdesi parësor tek ai spitalor tek urgjenca paraspitalore, e cila tregoi edhe njëherë që ka një organizim perfekt, me të gjithë strukturat e tjera. Për të mos lënë askënd pa shërbim dhe kujdes shëndetësor”.

Nga ana tjetër, Manastirliu informoi se, “rezultatet e deritanishme tregojnë për një organizim shumë të mirë të të gjithë sistemit, por edhe cilësisë së shërbimit të ofruar qytetarëve, pasi siç edhe të dhënat deri më sot tregojnë ne kemi hyrë në ditën e 9-të të kur nuk kemi asnjë humbje jete. Pra prej 9 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete dhe kjo është diçka që patjetër nga gëzon, sepse edhe një humbje jete për ne është e dhimbshme”.

“Ne duam të vijojmë me këta tregues, por ka një rëndësi të madhe ndërgjegjësimi i popullatës, kujdesi dhe sjellja personale, në këto momente kur ne do të vijojmë me fazat e rihapjes, ashtu siç Komiteti i Ekspertëve vijon të na këshillojë”, tha ajo.

“Monitorimi do të jetë mbi baza periodike. Ne po përgatitemi të fuqizojmë kapacitetet tona edhe më tej përsa i përket testimit, gjurmimit dhe duke vijuar gjithashtu dhe me testimin e serologjisë që është gjithashtu një indikator shumë i mirë që do të na japë një panoramë më të gjerë sa i përket edhe hapjes së mëtejshme në raport me identifikimin e antikorpeve në grupe të caktuara të riskut por më tej edhe në popullatë, sipas testimit që ne po programojmë të kemi”, u shpreh Manastirliu./atsh

Prej 9 ditësh asnjë humbje jete, testimi i serologjisë te grupet me risk Read More »

Statusi i prokurorëve, parakusht që goditja ndaj krimit të jetë sa më e efektshme

Në takimin periodik të Mekanizmit Institucional Kuvend-Qeveri- Institucione të pavarura raportuan edhe drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela në fjalën e tij vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku theksoi ai, “kontaktet kanë qenë frekuente dhe nevojat reciproke për informacion dhe bashkërendim të aktiviteteve kanë qenë optimale dhe në përgjigje të duhura”.

Sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar , Çela tha se nga ana e Prokurorisë janë kryer të gjitha hapat për të nënshkruar marrëveshjen me Eurojust, ku Prokuroria e Përgjithshme është pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes si dhe të zbatimit të saj, për caktimin e një prokurori ndërlidhës pranë Eurojust-it.

Çela shprehu shqetësimin e tij sa i përket të dhënave statistikore, për të cilat tha se do të jetë sfida për vitin 2020 realizimi i një sistemi statistikor, por edhe të plotë, i cili do të jetë i dobishëm dhe funksional, jo vetëm për Prokurorinë, por edhe për institucionet e tjera që merren parandalimin e luftës ndaj krimit.

Ndërsa drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi tha se, “qëllimi final i yni është mbështetja e sistemit të Prokurorisë që goditja penale e krimit të jetë sa më e efektshme”.

Natyrisht theksoi ai, “që për të arritur deri këtu kërkohen një sërë parakushtesh. Dhe përgatitja e këtyre parakushteve në një masë të madhe ka të bëjë me statusin e prokurorëve”.

“Nuk mund të ketë goditje efikase penale të krimit në rast se prokurorët që janë ushtruesit e kësaj goditje së bashku me sistemin gjyqësor sigurisht, nuk janë të pavarur, nuk janë profesional, nuk janë etik dhe kështu em radhë”, tha Ibrahimi.

Pikërisht shtoi ai, “këto përbëjnë objektin e punës së KLP. Natyrisht ne jemi organ i ri dhe ne jemi të interesuar për ta vijuar më tej marrëdhënien me Kuvendin në një mënyrë të tillë që të jetë produktive për të dyja palët dhe për shoqërinë”./atsh

Statusi i prokurorëve, parakusht që goditja ndaj krimit të jetë sa më e efektshme Read More »

Brataj: Jemi të përgatitur për përballimin me sukses të një vale të dytë, nëse ndodh

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi sot se “jemi të përgatitur për përballimin me sukses të një vale të dytë të infektimit nga COVID-19, nëse ndodh, në kushtet kur po vijohet me lehtësimin e masave izoluese”.

Në një intervistë në media, Brataj tha se janë marrë masat me shtimin e ventilatorëve si dhe janë bërë skenarët.

Për shkak të masave të forta dhe të shpejta që u morën, Brataj tha se “ne edhe në valën e parë nuk kemi shfrytëzuar as burimet tona pa ardhur ndihmat”.

“Vendet që morën masa të menjëhershme izolimi e disiplinuan disi, ndërsa vendet që nuk morën masa patën një “shok”, u shpreh ai.

Sipas Bratajt, është vënë re se te ato vende që u morën masat që në fillim edhe me lirimin e masave, ka patur raste të pakta të infektuarish, një rritje prej 0.2%.

Ndërsa tek vendet që nuk morën masa të forta izolimi, që në fillim vihet re një rritje më e madhe e numrit të të infektuarve, edhe me lirimin më të pakët të masave.

Ai shprehu besimin se situata do të shkojë drejt përmirësimit, pasi sipas tij, janë disa faktorë favorizues për lehtësimin e gjendjes.

“Viruset kanë një periudhë që shfaqet, arrin kulmin dhe më pas nis rënia derisa sa zhduket siç është gripi dhe viruset e tjera që shfaqen nga tetori deri në mars. Po ta marrim si sezon edhe ky virus po e bën ciklin e vet. Nga dhjetori që u shfaq në Kinë jemi në muajin e 6. Virusi pas kapjes së kulmit ka rënien e virulencës së tij, qoftë si mutacion, për shkak të ndryshimeve që pëson, qoftë për shkak të temperaturave që rriten në verë. Por edhe për shkak të karakteristikave të popullsisë, pasi popullsia shqiptare është më e re, nuk është si ajo spanjolle, italiane, apo angleze. Rol mund të ketë edhe imuniteti i Ballkanit, pasi shikojmë që në këto vende ka patur një ndikim më të vogël. Këtu mund të luajë rol gjenetika, apo mënyra e vaksinimit. Janë shumë faktorë për të mos shfaqur numër të lartë të të infektuarish”, tha Brataj.

Më tej, Brataj theksoi se temperaturat e larta janë jo favorizuese për çdo virus.

“Ka edhe një faktor. Në këtë periudhë dymujore izolimi pati një stopim të të gjitha sëmundjeve infektive, as raste gripi, tuberkulozi, fruthi, sëmundje të kohës që kanë patur gjithmonë një përqindje. Izolimi i zhduk”, u shpreh ai./atsh

Brataj: Jemi të përgatitur për përballimin me sukses të një vale të dytë, nëse ndodh Read More »

U ndanë nga jeta në krye të detyrës një vit më parë/ Meta përkujton Dëshmorët e Atdheut, Major Klodian Tanushi dhe Zarife Hasanaj

Presidenti i republikës ka përkujtuar sot një vjetorin e rënies në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni të Dëshmorit të Atdheut, major Klodian Tanushi dhe Dëshmores së Atdheut, Zarife Hasanaj.

“Në një vjetorin e rënies në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni, nderojmë sot me respekt dhe mirënjohje të thellë kujtimin, sakrificën sublime, kontributet e çmuara, patriotizmin, trimërinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë të Dëshmorit të Atdheut, major Klodian Tanushi dhe Dëshmores së Atdheut, Zarife Hasanaj”, është shprehur Meta.

Presidenti ka theksuar se, “rënia e tyre në krye të detyrës, është dëshmi e lavdishme e përkushtimit dhe sakrificës të Forcave tona të Armatosura në çdo angazhim dhe mision të NATO-s, në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së tyre. I përjetshëm kujtimi i tyre”.

Major Klodian Tanushi dhe nëntetare Zerife Hasanaj, pjesë e kontingjentit shqiptar në kuadër të misionit të NATO “Enhanced Forward Presence” në Letoni, humbën jetën një vit më parë, gjatë kryerjes së detyrave luftarake./atsh

U ndanë nga jeta në krye të detyrës një vit më parë/ Meta përkujton Dëshmorët e Atdheut, Major Klodian Tanushi dhe Zarife Hasanaj Read More »

“Masat që morëm çuan në kontrollin e epidemisë”/ Brataj: Rreziku ka kaluar, me rëndësi respektimi i rregullave dhe i distancës nga qytetarët

“Masat që morëm çuan në kontrollin e epidemisë dhe situata është nën kontroll”, tha sot drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj.

Brataj tha se ka rënie edhe të numrit të telefonatave drejt Urgjencës Kombëtare. “Numri ka rënë i thirrjeve si te 127, si te 08004040. Në këto momente jemi te 2039-2500 thirrje në 24 ore te 127 dhe 300-400 thirrje te 08004040. Duke menduar se në kohën e pikut të thirrjeve ne patëm 8300 thirrje në 24 orë, nga të cilat mbi 6000 ishin për COVID-19. Kështu që rënia është drastike, kjo është një shenjë e mirë që tregon nivelin e shoqërisë ose nevojat për ndihmë mjekësore”.

I pyetur nëse e kemi kaluar atë moment të rrezikshëm, Brataj tha se “unë mendoj se po, fakti i kësaj kurbe të sheshtë është kontrolli i saj ose menaxhimi i situatës dhe kjo për shkak të marrjes së masave të marra që në fillim, sidomos distancimi social. Ne hyjmë në ato vende që morëm masa menjëherë dhe çoi në kontrollin e epidemisë. Kjo pati disa faktorë pozitiv që sot, po shohim se shtetet po fillojnë të lirojnë masat. Ato që morën masat menjëherë e kanë situatën nën kontroll”.

I pyetur se sa ndikon rritja e temperaturave në uljen e infeksioni, Brataj tha se “ka disa faktorë dhe midis tyre është dhe temperatura e lartë dhe nuk diskutohet, por siç e pamë faktori kryesorë është distancomi social. Ne këtë periudhe duhet të mbushim mendjen se do të bashkëjetojmë për disa kohë me COVID-19, sepse është një virus i ri dhe nuk e dimë se sa do të zgjasë”.

Brataj theksoi se “mendoj se jemi drejt kontrollit të situatës dhe kjo do të tregojë pas dy javësh të lirimit të masave sa do të jetë numri i të infektuarve, varet nga respektimi i rregullave”.

Në lidhje me rrezikun e kësaj faze të lirimit të masave, Brataj shtoi se “Shqipëri nuk është se i ka masat ndryshe nga vendet e tjera. Po të shohim që nga fillimi i pandemisë, masat janë të gjitha njësojë, me ndryshimin, se kush mori me herët dhe me vonë dhe u dukën rezultate. Është kritik ky moment, lirimi i masave dhe njerëzit që do dalin, por duhet të jenë më të kujdesshëm. Nëse pas dy javësh do kemi raste të shtuara do merren masat sërish”, theksoi ai. /atsh

“Masat që morëm çuan në kontrollin e epidemisë”/ Brataj: Rreziku ka kaluar, me rëndësi respektimi i rregullave dhe i distancës nga qytetarët Read More »