Andueli

Parashikimi i motit

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet me diell si dhe vranësira shtresore por të larta dhe transparente.

Prani grimcash pluhuri dhe rëre në pjesën më të madhe të vendit. Zagushi për shkak të tyre.

Era do të fryjë me drejtim juglindje – verilindje dhe shpejtësi 1-10m/s. Valëzimi në dete parashikohet i forcës 0-1 ballë duke u shoqëruar me lartësi dallge 0.5-1.0 metër.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 17/29 Diell re transparente
Kukës 18/31 Diell re transparente
Lezhë 25/33 Diell re transparente
Dibër 18/31 Diell re transparente
Durrës 15/29 Diell re transparente
Tiranë 20/34 Diell re transparente
Elbasan 19/35 Diell re transparente
Berat 20/36 Diell re transparente
Vlorë 20/36 Diell re transparente
Korçë 16/30 Diell re transparente
Gjirokastër 18/35 Diell re transparente
Sarandë 17/34 Diell re transparente/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Fjalë të çmuara/ Dita e sotme është sa dy të nesërme

“Dita e sotme është sa dy të nesërme”, janë fjalët e çmuara të zgjedhura nga Kryeministri Edi Rama për të nisur komunikimin me qytetarët këtë mëngjes.

Më këtë thënie të një prej etërve themelues të SHBA-së, Benjamin Franklin, Kryeministri Edi Rama përcolli një tjetër mesazh në rubrikën “Fjalë të çmuara”.

Shqipëria ka nisur lehtësimin gradual të masave kundër COVID-19, ndërkohë që këshilla kryesore e autoriteteve vijon të mbetet vetëndërgjegjësimi qytetar ndaj situatës, si dhe përgjegjësia që ka gjithsecili në këto kohë për të dhënë kontributin si qytetar për të shpëtuar veten, familjen e shoqërinë./atsh

Fjalë të çmuara/ Dita e sotme është sa dy të nesërme Read More »

Teatri Kombëtar, Basha: Grabitja në mes të pandemisë është akt lufte

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përcolli sot një deklaratë të Organizatës Europa Nostra në mbështetje të Teatrit Kombëtar.

“Afera me TK është vjedhja më e dhunshme që u bëhet shqiptarëve nga Rama. Grabitja e TK në mes të pandemisë është akt lufte ndaj shoqërisë dhe ekonomisë që po rrënohen: varfëri masive, krizë e thellë, papunësi e lartë, institucione të kapura dhe korrupsion rekord”, tha Basha, duke mbajtur qëndrim solidariteti personal dhe të opozitës për këtë kauzë.

Europa Nostra, organizatë europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore europiane, e ka shpallur Teatrin si një nga 7 ndërtesat më të rrezikuara në Europë, që duhet mbrojtur dhe restauruar.

Në deklaratën e mbrëmshme Europa Nostra shprehet se kundërshton propozimin për prishjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar në Tiranë, sipas saj, një nga 7 sitet kulturore më të rrezikuara në Europë.

Europa Nostra ka vënë në dijeni për këtë qëndrim disa institucione dhe personalitete europiane, prej të cilëve kërkohet reagim, David Sassoli, President i Parlamentit Europian, Maryia Gabriell, Komisionerja europiane për Kulturën, Josep Borell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Luigi Soreca, ambasador i BE në Shqipëri./atsh

Teatri Kombëtar, Basha: Grabitja në mes të pandemisë është akt lufte Read More »

Ministria e Shëndetësisë: Rastet e reja në Tiranë, Durrës, Berat e Krujë, 916 të prekur në total e 705 të shëruar

Në 24 orët të fundit janë testuar 219 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 18 qytetarë, duke e çuar në total numrin e të prekurve në 916, ndërsa janë shëruar deri tani 705 persona.

Silva Bino, përgjegjëse e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik në komunikimin e përditshëm të Ministrisë së Shëndetësisë për situatën COVID19 në vend tha sot se “pjesa më e madhe e tyre janë kontake të rasteve të mëparshme, ndërkohë që vazhdon hetimi epidemiologjik në terren. Në Durrës janë identifikuar 7 raste në një fasoneri, kontakte të një rasti pozitiv. Në Berat janë edhe 5 raste të reja; në Tiranë 4 raste dhe në Krujë 2 raste”.

“Këto të dhëna na tregojnë se ka shumë rëndësi të zbatohen rregullat nga të gjithë qytetarët, të mos e ulim vigjilencën. Kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë. Vetë bizneset duhet të respektojnë protokollet e përcaktuara për të ruajtur qytetarët dhe punonjësit”, – shtoi ajo.

COVID-19 – Statistika (15 Maj 2020)

Testime totale 11988

Testime molekulare 11458

Testime serologjike 530

Raste pozitive 916

Raste të shëruara 705

Raste Aktive 180

Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 77

Krujë 46

Shkodër 16

Kamëz 12

Berat 10

Durrës 9

Fier 5

Elbasan 2

Kurbin 1

Mirditë 1

Korçë 1

/atsh

Ministria e Shëndetësisë: Rastet e reja në Tiranë, Durrës, Berat e Krujë, 916 të prekur në total e 705 të shëruar Read More »

Shkelën masat antiCOVID-19, gjoba dhe heqje të lejes së drejtimit për 40 shtetas

Policia e Tiranës, në vijim të monitorimit për zbatimin e masave kufizuese të përcaktuara për parandalimin e COVID-19 ka konstatuar me shqetësim grumbullimin e një grupi qytetarësh pranë Teatrit Kombëtar, shumë përtej fashës orare të qarkullimit dhe në shkelje të çdo rregulli të parashikuar nga Akti Normativ.

Në zbatim të Aktit Normativ “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, shërbimet e Policisë kanë proceduar me masat administrative përkatëse, gjobë dhe tërheqje të lejes së drejtimit për 40 shtetas.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët, sidomos ata në “zonat e kuqe” që të respektojnë me rigorozitet oraret e lëvizjes dhe distancimin social dhe në këtë kuadër kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e qytetarëve në të gjithë vendin, që të kontribuojë secili në mbrojtjen e shëndetit nga kërcënimi i virusit vdekjeprurës COVID-19.

Policia e Shtetit do të vijojë me angazhim të plotë e vullnet të palëkundur veprimtarinë e vet ligjzbatuese, në mbrojtje të jetës dhe rendit publik në kushtet e jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore./atsh

Shkelën masat antiCOVID-19, gjoba dhe heqje të lejes së drejtimit për 40 shtetas Read More »

“Do të kemi sezon turistik”/ Bregdetin e vendit në dispozicion shqiptarëve në të katër anët

“Ne do të kemi sezon turistik dhe besoj se javën e ardhshme do të kemi konkluzionet për këtë çështje”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “ne sot mund të sjellim në Shqipëri më shumë turistë se çdo herë tjetër”.

“Kërkesat janë të pafundme, presioni është shumë i madh nga vende si Hungaria, Ukraina, vendet nordike etj., por çështja është: a duhet apo jo t’i sjellim? Ata janë të organizuar me fluturime të dedikuara. Janë qeveritë e tyre që thonë në Shqipëri ne jemi gati t’i mbështesin turistët të vijnë, sepse Shqipëria ka situatën më të mirë nga të tjerët, por pyetja është a duhet apo nuk duhet”, tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “janë shqiptarët që nuk do të lejohen të shkojnë asgjëkundi”. “Shqiptarët do ta ketë të pamundur përgjithësisht të bëjnë pushime jashtë për arsye të të tjerëve. Ne duam që bregdetin e vendit t’ia vëmë në dispozicion shqiptarëve në të katër anët”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “sot kam bërë disa biseda telefonike me disa nga kolegët e mi në Europë dhe situata është e paqartë”. “Ata kanë vendosur 15 qershorin që Shengeni është i mbyllur, por brenda tyre ka debate nga më të ndryshmet. Të gjithë po synojnë turizëm të brendshëm apo me korridore, Austria me Gjermaninë e Danimarkën, Italinë nuk e do asnjë njeri në korridor”, tha Rama. /atsh

“Do të kemi sezon turistik”/ Bregdetin e vendit në dispozicion shqiptarëve në të katër anët Read More »

“Do të ishte dramatike nëse aty nuk do të ndërtohej teatër”/ Altin Basha pro shembjes së Teatrit, i rikujton PD-së Piramidën

Regjisori Altin Basha në një intervistë për Euronews, është shprehur se Shqipëria ka nevojë për një Teatër të ri Kombëtar, që do të jetë i pari, pasi ai që ekziston sot është emëruar i tillë, por nuk ka qenë parashikuar që të funksionojë si teatër. Idenë e ndërtimit të teatrit me para të buxhetit të shtetit, sipas regjisorit të njohur, është ideja më e mirë e mundshme.

“Ideja për ta ndërtuar me para publike është ideja më e mirë e mundshme, duhet të ketë entuziazëm, pasi do t’u shërbejë qytetarëve. Ai teatër e ka humbur funksionalitetin e tij 20 vjet pasi është ndërtuar. Nuk ka qenë i projektuar për teatër, është adoptuar për teatër. Aktualisht nuk mund të quhet një teatër, e ka humbur krejtësisht funksionalitetin”, u shpreh Basha.

Sipas tij, pjesa dërrmuese e artistëve e mbështesin idenë e ndërtimit të një teatri të ri, ndërsa solli në kujtesë dhe rastet kur vende të tjera kanë shembur teatrin kombëtar.

“Po u jap dy shembuj, Hungaria e ka shembur tri herë teatrin kombëtar. Një herë e ka shembur për të ndërtuar hyrjen e metrosë së Budapestit. Suedia e ka shembur, ka pasur një teatër prej druri. Nuk shoh ndonjë gjë dramatike në shembjen e asaj ndërtese dhe ndërtimin e një teatri. Do të ishte dramatike nëse aty nuk do të ndërtohej teatër. Për sa kohë marrim më shumë salla dhe teknologji”, deklaroi regjisori.

Basha duke folur për projektin e Teatrit të ri Kombëtar tha se do të jenë tri salla me një kapacitet prej 1 mijë spektatorë, ndërsa vetëm investimi në teknologji do të arrijë në 10 milionë euro.

“Ka tri salla të mbyllura, një sallë të hapur një ka kapacitet 650, një 350 dhe 150 dhe do të përdoret një teknologji nga më të përparuarat në rajon. Është marrë për model teatri kombëtar bullgar dhe ai i Maqedonisë së Veriut. Ka një kosto shumë të madhe, 10 milionë euro vetëm në teknologji. Do të jetë një teatër jo vetëm në parametra ndërkombëtarë, por një teatër jashtëzakonisht funksional. Jemi në prag të një zhvillimi shumë të rëndësishëm kulturor në këtë vend. Produkti do të jetë teatri i ri i Shqipërisë”, tha ai.

Regjisori thotë se ka një acarim artificial për këtë çështje nga ndërhyrja e politikës, duke thënë se po ndikojnë disa militantë dhe funksionarë të opozitës. Ai kujtoi se, PD gjatë kohës kur ishte në pushtet, nuk investoi për rikonstruksionin e teatrit, por shndërroi Piramidën në teatër.

“Pjesa politike është padyshim pjesa ku nuk do të doja të hyja, sepse nëse do të duhet të futem në pjesën politike, do të doja t’i kujtoja të gjithë atyre që kundërshtojnë teatrin, kanë qenë në pushtet dhe kanë pasur mundësi që t’i shpenzojnë ato para që kanë shpenzuar tek Piramida dhe mund t’i shpenzonin për rikonstruksionin e Teatrit, por ndërtuan një teatër që nuk funksionoi asnjë ditë, e nxorën nga lista e mbrojtjes së monumenteve të kulturës”, përfundoi Basha. /atsh

“Do të ishte dramatike nëse aty nuk do të ndërtohej teatër”/ Altin Basha pro shembjes së Teatrit, i rikujton PD-së Piramidën Read More »

IKSHPK apelon qytetarët për kujdes të shtuar nga COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka bërë serish thirrje qytetarëve për kujdes në luftën për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke thënë se lehtësimi i masave nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.

Mbrëmë në Kosovë janë konfirmuar tetë raste të reja me koronavirus dhe asnjë të shëruar, duke bërë kështu që totali i të prekurve të arrijë në 927.

Kjo ka bërë që IKSHPK të alarmojë qytetarët që të vazhdojnë të ruajnë distancën sociale, mbajtjen e higjienës dhe maskave deri në shuarjen e plotë të COVID-19.

“Lani duart me kujdes 20-30 sekonda! Virusi akoma gjendet në mesin tonë. Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave në vendet publike. Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve”, thuhet në deklaratë.

IKSHPK u ka bërë serish thirrje edhe institucioneve për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim./KosovaPress/

IKSHPK apelon qytetarët për kujdes të shtuar nga COVID-19 Read More »