Andueli

Nata e Kadrit/ Meta uron besimtarët nga Xhamia e Parrucës në Shkodër

Presidenti Ilir Meta vizitoi sonte Xhaminë e Parrucës në Shkodër me rastin e Natës së Kadrit.

Në këtë vizitë që u zhvillua në kuadër të kësaj Nate të Madhërueshme, Presidenti Meta u mikprit dhe u shoqërua nga Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari.

“Dua të falënderoj Myftiun e Shkodrës për këtë mikpritje, por edhe për të gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur në vijimësi. Unë zgjodha vetë që sonte, në këtë Natë të Bekuar të Kadrit të isha pikërisht këtu në Shkodër, pasi Shkodra është në zemrën e çdo shqiptari të ndershëm dhe patriot simboli i besimit në Zot. Por edhe i besimit në vlerat atdhetare e të familjes. Është simboli i harmonisë dhe i bashkëjetesës, por edhe i qëndresës, edhe i durimit”, u shpreh Meta për gazetarët.

“Vizituam pikërisht Xhaminë e Parrucës që është ribërë dy herë, që u shkatërrua në 1967-n, në periudhën më të errët të komunizmit, por që u rindërtua me rikthimin e demokracisë, ku Shkodra ka shkëlqyer me sakrificat dhe lidershipin e saj, në themel të të cilëve janë sakrificat në radhë të parë të klerikëve të masakruar e të persekutuar nga regjimi komunist”, vijoi Meta.

“Dhe siç e shohim sonte dhe prej shumë kohësh, kjo Xhami e jashtëzakonshme e Parrucës u rindërtua ashtu siç ishte. Ndaj edhe një herë dua t’u uroj të gjithë besimtarëve, por edhe të gjithë qytetarëve të Shkodrës e të gjithë Shqipërisë: Gëzuar këtë Natë të Bekuar e të paqes së madhe dhe sonte na kujtohen më me forcë mësimet e mençura të Profetit Muhamet se besimi më i mirë është te durimi dhe te zemërgjerësia”, theksoi Meta./atsh

Nata e Kadrit/ Meta uron besimtarët nga Xhamia e Parrucës në Shkodër Read More »

Tirana dhe Shqipëria do të fitojnë një Teatër të ri Kombëtar, të admiruar ndërkombëtarisht

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Tirana dhe Shqipëria do të fitojnë një teatër të ri kombëtar, por edhe një tjetër objekt që siç ka ndodhur edhe me vepra të tjera, do të jetë ndërkombëtarisht i admiruar, i pëlqyer dhe patjetër një arsye për ta vizituar, një destinacion më shumë, për t’u njohur me kulturën dhe historinë e sotme dhe të shkuar të këtij vendi”.

Në një intervistë televizive të dhënë në ambientet e transformuara rrënjësisht të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Kryeministri Rama tha se “ky është teatri i ri i operas, në përfundim dhe më kujton kohën e shumë viteve më parë kur filloi debati i madh për një reformë tërësore të sistemit teatror në Shqipëri. Në atë kohë artistët e operas hynë në grevë urie e kërkuan të mos prekej”.

“Kur u bëra ministër kulture, erdha nga Franca. I kërkova ndihmë Ministrisë së Kulturës franceze për të sjellë një mision shqyrtimi të situatës së Teatrit Kombëtar me synimin për të restuaruar tërësisht. Ai mision erdhi i kryesuar nga një prej inxhinierëve më të famshëm francezë , i cili pasi analizoi të gjithë situatën e Teatrit Kombëtar më tha se nuk asnjë shans ripërtëritje sepse faktikisht është një strukturë, e cila është tërësisht e amortizuar nga pikëpamja e kushteve, hapësirave, standardeve nuk është gjëkundi e gatshme te mbajë mbi vete një emër kaq të madh dhe një mision kaq të madh dhe kurrë nuk do të keni dot trupa të tjera që do të vijnë të luajnë nëse trupën tuaj do ta mbani dhe do ta detyroni të luajë këtu”-, tha Rama.

Qe atëherë, vijoi Rama, filloi dhe debati i madh, një debat që ka zgjatur 22 vjet, që është ndezur e shuar në varësi të kohës e viteve, pasi unë e humba betejën me qeverinë ku bëja pjesë, u largova nga qeveria sepse askush nuk e imagjinonte një ndërhyrje që do të kishte shpëtuar një gjeneratë të tërë.

Kreu i qeverisë theksoi se “qeveria e mëpasme, qeveria e atyre që sot janë bërë xhinde për të mbrojtur të pambrojturën faktikisht nxori një financim për ta ndërtuar teatrin e ri kombëtar tek Piramida. Një shumë të konsiderueshmë në një strukturë e pamundur për të ndërtuar një teatër, aq më tepër nëj teatër kombëtar, sepse pot ë shikosh këtë skenë këtu (Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit) dhe boll të shikosh se çfarë hapësira dhe sofistikimi teknologjik ka kjo skenë, e njëjtë do të jetë edhe ajo e Teatrit Kombëtar, për të kuptuar që piramida nuk është vendi i duhur”.

“Aty u bë një investim dhe kurrë nuk u luajt një pjesë teatri sepse në fund fare u pa që ishte e kotë të vazhdohej dhe projekti faktikisht nuk përfundoi kurrë,”, – tha Rama.

Kryeministri Rama deklaroi se “dua t’iu them të gjithëve se ne nuk jemi të prirur nga qëllimi për të prishur, por nga qëllimi për të ndërtuar. Pasi e rimorëm projektin dhe në mënyrë specifike kemi diskutuar edhe me arkitektin me famë botërore Bjarke Ingels dhe me studion e tij që është sot një nga studio më të kërkuara në botën e arkitekturës bashkëkohore, për të parë mundësinë e adoptimit apo të mimetizimit të godinës së re me elementë të së vjetrës. Me gjithë dëshirën e mirë përgjigja e tyre ishte e pamundur”.

“E vetmja mënyrë për ta ruajtur historinë e atij teatri është të arkivojmë dhe të ruajmë me fanatizëm vlerat që ai ka krijuar, ndërkohë që debati fatkeqësiht ra në hullinë e një lufte politike me akuza , shpifje e kështu me radhë”, u shpreh Rama.

“Ne menduam se do të ishte rruga e duhur se do të ndërtonim një partneritet publik-privat me një sipërmarrës që zotëronte dhe një pronë të tijën për të bashkuar pronat dhe krahas teatrit për t’i dhënë mundesi investitorit, që kishte natyrisht interesin e tij në këtë proces e gjitha u transformua në një fabul rrënqëthëse të mirëstrukturua kriminale etj, etj, E vërteta është se në fund u refuzua oferta se nuk perputhej me interesin tonë parësor e tërësor që ishte ndërtimi i një teatri me të gjitha standerdet dhe si pasojë e dialogut që është zhvilluar me një pjesë të madhe të komunitetit teatror në një projekt të mirëfilltë publkc për t’i dhënë Shqipërisë nje teatër kombëtar që se ka pasur kurrë në një projekt që do të financohet me fonde të garantuara nga institucionet shtetërore dhe bashkia e Tiranës si autoriteti zbatues do të kryejë të gjithë procesin e nevojshëm për të ndërtuar teatrin”, – nënvizoi Rama.

Mendoj, shtoi Rama, që në fund vepra përsëri do të flasë. “Kemi shumë shembuj, nuk dua t’i përsëris dhe nëse tek stadium i ri kombëtar, kishte një fragment të mbetur nga monumenti i kulturës, që ishte transformuar dhe kishte pësuar një metamorfozë dramatike dhe ajo pjesë sot është e integruar në starukturën e re në teatrin aktual kombëtar, nuk kishte asnjë copëz tjetër për të ruajtur përveçse zemrës së asaj hapësire që është historia”, – u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se “historia që do të muzealizohet dhe do të ruhet për të gjithë brezat që duan të dinë se ku është zanafilla e asaj hapësire dhe që në fund të ditës kur të mësojnë për të shkuarën, do të mësojnë për ata që e themeluan teatrin, për ta treguar gjithë këtë histori, nuk do të jenë mure tallashi, por do të jenë muret e ndërtuara nga një prej arkitektëve më të famshëm në botë dhe Tirana dhe Shqipëria do të fitojnë një teatër të ri kombëtar, por edhe një tjetër objekt që siç ka ndodhur edhe me vepra të tjera, do të jetë ndërkombëtarisht i admiruar, i pëlqyer dhe patjetër një arsye për të vizituar, një destinacion më shumë, për t’u njohur me kulturën dhe historinë e sotme dhe të shkuar të këtij vendi”./atsh

Tirana dhe Shqipëria do të fitojnë një Teatër të ri Kombëtar, të admiruar ndërkombëtarisht Read More »

Basha: Do të mbështesim protestat e “Aleancës për Teatrin”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se “opozita, Partia Demokratike do të mbështesë të gjitha protestat e ‘Aleancës për Teatrin’ këtu në Tiranë dhe në krah të qytetarëve kudo që do të ketë protesta. PD dhe opozita do të jetë në krah të tyre”.

Në një prononcim për mediet pas protestës së thirrur nga “Aleanca për Teatrin”, Basha theksoi se “siç e patë sot, siç e pa e gjithë Shqipëria, shpresa e Edi Ramës se përmes frikës dhe terrorit do të shuante energjinë dhe dëshirën e shqiptarëve për ndryshim mori fund”. Sipas tij, shkatërrimi i teatrit nuk është fundi i teatrit, kulturës e artit, por është fillimi i fundit të tiranisë.

Sipas tij, ky fund do të jetë i shpejtë, çlirimtar për shumicën dërrmuese të shqiptarëve.

“Përsëris edhe një herë vendosmërinë time, të PD-së dhe opozitës së bashkuar për t’i qëndruar kontratës së firmosur me “Aleancën për Teatrin” për rindërtimin e teatrit në vendin ku ishte, sipas të gjitha përcaktimeve siç ishte nga jashtë, të modernizuar nga brenda dhe për dërgimin para drejtësisë dhe prapa hekurave, të gjithsecilit prej personave të përfshirë në këtë krim”, – tha Basha./atsh

Basha: Do të mbështesim protestat e “Aleancës për Teatrin” Read More »

Aktori Liçaj: Nën rrënoja kanë mbetur dy “kufoma”

Për aktorin e njohur, Neritan Liçaj, shembja e Teatrit Kombëtar ka bërë që të vdesë edhe një pjesë e tij. Në Facebook, ai shkroi se do të donte të mbyllte sytë për një çast, e kur t’i hapte Teatri Kombëtar të ishte sërish aty.

Ai ka qenë pjesë protestave dhe qëndresës për mbrojtjen e kompleksit të godinave të Teatrit Kombëtar, ndërsa u shoqërua në Komisariat, ku ka qëndruar disa orë, e më pas u lirua për t’u rikthyer më pas sërish në protestë.

Postimi i plotë i aktorit:

Do të doja të mbyllja sytë për një çast dhe kur ti hapja,Teatri Kombëtar të ishte sërish aty.

Por për fat të keq ka vetëm rrënoja!

Një pjesë e imja ka vdekur nën ato rrënoja,por pjesa tjetër e mbetur është më e fortë se kurrë!

Ka dhe dy kufoma nen ato rrënoja së bashku me pjesën time të vrare. Rama dhe Veliaj!

Me vjen keq që ajo pjesë e imja e mbetur aty,do qelbet nga kërmëzimi i dy kufomave.

Aktori Liçaj: Nën rrënoja kanë mbetur dy “kufoma” Read More »

Hapen sot lokalet dhe restorantet , ja cfarë pritet

Shumëkush habitet me numrin e lartë të kafeneve që ka në Shqipëri, që i gjen në çdo cep. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vend deri në fund të 2018-s kishte rreth 18 mijë bare e restorante, 82% e të cilave janë bar-kafe, të cilat sot do të mund të rifillojnë aktivitetin pas më shumë se dy muajsh të mbyllura.

Në raport me popullsinë, kemi vendosur rekord vitet e fundit. Shqipëria numëron 518 bare për çdo 100 mijë banorë, duke kapur rekord jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Ndërsa lë shumë pas vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas Shqipërisë renditet Portugalia, e cila kishte 427 bare për çdo 100 mijë banorë. Në top 5 vendet me numrin më të lartë pas Portugalisë, është Spanja me 392 bare për 100 mijë banorë, Greqia me 343, Kroacia me 240 dhe Italia me 211. Vendet e rajonit kanë shumë më pak bar-kafe sesa ne. Psh, Serbia ka vetëm 9, ndërsa MaSipas përllogaritjeve të “Monitor”, bazuar në të dhënat e Eurostat mbi numrin e aktiviteteve të shërbimit të pijeve dhe numrit të popullsisë, numri i bareve në Bashkimin Europian në vitin 2017 nuk ishte më i lartë se 115 bare për çdo 100 mijë banorë.

Ndërsa për shumëkënd është një mjet për të kaluar kohën e lirë, baret dhe restorantet në fakt janë mjaft të rëndësishme për ekonominë vendase, për shkak të peshës së lartë që kanë në punësim dhe në totalin e subjekteve private në vend.

Të dhënat zyrtare të Insitutit të Statistikave tregojnë se shërbimi ushqimor dhe pije punëson mbi 50 mijë individë nga të cilët 40% janë të vetëpunësuar. Informaliteti në këtë sektor llogaritet i lartë, çka nënkupton se dhe numri i të punësuarve është shumë më i lartë se ai zyrtar.

Tendenca nga viti në vit ka qenë ajo e uljes së numrit të ndërmarrjeve të kësaj kateorie ku nga 18, 785 që ishin në vitin 2016 arritën në 17, 507 në vitin 2018. Por teksa numri i njësive ka rënë numri i të punësuarve është rritur çka tregon se shumica e tyre janë konsoliduar si biznese më të mëdha. Një faktor që mund të ketë ndikuar në këtë aspekt është pjesa e rrjeteve të coffe shop dhe kafeneve në formë franchais që po lulëzojnë prej disa vitesh tashmë me marka të regjistruara.

Pesha e punësimit të kësaj kategorie në totalin e gjithë punësimit në vend llogaritet në rreth 10% për qind të ndërmarrjeve private në ekonomi.

Në terma gjinorë të punësuarit e këtij sektori janë meshkuj kryesisht që në përqindje llogaritet rreth 64 për qind e totalit. Shumë djem të rinj punojnë si kamarierë, teksa mund të jenë duke ndjekur shkollën, apo nuk kanë gjetur një tjetër alternativë punësimi.

Sa i takon normës së fitimit tek ndërmarrjet e kësaj kategorie ajo ka rënë nga 12 për qind në vitin 2018 në 8 për qind në vitin 2018.

Për shkak te peshës së rëndësishme në ekonomi, mbyllja e përkohshme e bareve e restoranteve dhe një valë falimentimi e më të vegjëlve në të ardhmen, që nuk do të arrijnë të përballojnë kriteret e reja të sigurisë shëndetësore, pritet që të kenë një ndikim të fortë social në vend.

Priten falimente në masë

Enri Jahaj, anëtar i bordit drejtues të Shoqatës të Bareve, Restoranteve dhe Klubeve, pohon se rregullat strikte për distancimin fizik dhe orari i reduktuar deri në 17:30 për klientët do të falimentojnë biznesin e bareve dhe restoranteve. Për të, të hysh në një bar tashmë do të thotë të hysh në një stacion ushtarak. “Në sektorin tonë, 50 deri në 60% e bareve, restoranteve, klubeve janë të goditura nga kriza, janë në prag të falimentimit. Po flasim për një katastrofë reale financiare dhe sipas parashikimeve me normat e distancimit social dhe lehtësimit të masave, stina e verës do të ikë pa u ndier, po me ardhjen e dimrit, nëse pandemia do të riaktivizohet, rreziku do të jetë shumë i lartë”, shprehet Jahaj.

Ai pohon se të gjithë në këtë sektor janë të frikësuar, pasi ka biznese që përqindjen më të madhe të xhiros e kanë në orët e pasdites dhe kjo i shton më shumë koston se sa i lehtëson. “P.sh., një strukturë bosh sot një X biznesi i kushton 100 mijë lekë, duke përfshirë shpenzimet e dritës, ujit, taksave të bashkive. Në momentin që kjo strukturë bëhet gati për punë, shpenzimet shkojnë nga 250 mijë lekë në 500 mijë lekë, për shkak të shpenzimeve për furnizime ku një pjesë e produkteve kanë shkuar dëm. Në momentin që kemi xhiro prej 200 mijë lekësh, humbjet janë 300 mijë lekë. (500.000 lekë shpenzimet-200.000 lekë xhiro=300.000 humbje). 30 deri në 40% të pronarëve janë të frikësuar nëse ia vlen ta hapësh, apo t’i mbajmë mbyllur bizneset deri në një moment të dytë të lehtësimit të masave. Ne nuk jemi kundër masave dhe nuk kërkojmë të jemi shkaktarë të përhapjes të epidemisë. Për ne është dita zero, pavarësisht viteve që kemi në biznes. Është njësoj sikur po hapim bizneset nga fillimi dhe nuk dimë se çfarë do të ndodhë të nesërmen” deklaron Enri Jahaj.

Për të, perceptimi i përgjithshëm është që qytetarët kanë ndryshuar sjelljen sociale dhe takimet me njerëzit janë jonormale për shkak të distancimit. Imagjinoni – thotë ai – se sa ka ndryshuar perceptimi te një biznese ku 50% e zë produkti dhe 50% shërbimi.

“Ne si shoqatë parashikojmë që do të ketë një falimentim në masë, sidomos bizneset familjare të ngritura me investime minimaliste nuk do t’i mbijetojnë dot krizës dhe sjelljes sonë ndryshe. Po flasim që tashmë klientët do të hyjnë në një ambient që në fillim do t’i matet temperatura, ku do të jesh i detyruar të respektosh distancën dhe nëse klienti këtë e harron, do t’i rikujtohet nga stafi pasi struktura penalizohet”, pohon Jahaj.

Nga të dhënat e shoqatës, parashikimi për klubet e natës është shumë i zymtë. “Nëse qeveria nuk ndërhyn me grante apo subvencionim të qirasë, këto biznese do të falimentojnë. Flasim për struktura që kanë kushtuar me qindra apo mijëra euro dhe me kosto të lartë në mirëmbajtje”, pohon Jahaj.

Nën rregulla të rrepta

Baret do të hapen, por nuk do të jeni më aq të shkujdesur sa dikur.

Sipas protokollit të bareve e restoranteve, subjekti bar – kafe ose restorant duhet të vendosë në sipërfaqen e ambjentit të hapur tavolinat, në atë mënyrë, që distanca nga pjesa e pasme e një karrige në pjesën e pasme të një karrige tjetër të jetë të paktën 1m larg, e për rrjedhojë, klientët ta shohin përballë njëri – tjetrin nga një distancë prej të paktën 2m.

Subjekti bar apo restorant duhet të garantojë dhe respektojë në çdo moment distancën prej 1.5 metra midis personelit të punësuar dhe këtyre të fundit e klientëve.

Rekomandohet shmangia e parasë “cash” dhe ofrimi i shërbimeve me kartë krediti. Punonjësit e arkës dezinfektojnë duart pas çdo veprimi me “cash”.

Nëse pagesa bëhet në arkë subjekti i bar – kafesë ose restorantit duhet të vendosë xham mbrojtës (plexiglass) midis punonjësit dhe klientit.

Punonjësit e shërbimit bar kafe ose restorant nuk duhet të prekin fytyrën, sytë apo maskën pasi të shkëmbejnë para në formatin letër apo monedhë.

Në asnjë rast nuk lejohet kontakti fizik mes punonjësve apo mes palëve të treta përfshirë përshëndetjet.

Subjekti bar – kafe ose restorant duhet të sigurojë pastrimin dhe dezinfektimin e sipërfaqeve me nivel të lartë prekje të shpeshta, si: dorezat e dyerve, tavolinat, tabaka shërbimi dhe banakët e lokaleve.

Subjekti duhet të kryejë dezinfektim të ambjentit dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes të paktën 2 herë në ditë. Sipërfaqet e papastra lahen fillimisht me ujë dhe sapun e më pas dezinfektohen me produktet e tjera. Produktet përdoren nga prodhuesi/shitësi në përputhje me udhëzimet përkatëse të Minsitrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale./MONITORqedonia 47 (shih grafikun).

Hapen sot lokalet dhe restorantet , ja cfarë pritet Read More »

Basha në protestë me Aleancën, rindërtimi i Teatrit një zotim që do e bëj realitet

Partia Demokratike do ti bashkohet protestës së thirrur nga Aleanca Për Mbrojtjen e Teatrit që do të zhvillohet të hënën në ora 16:30 në Tiranë.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në përfundim të mbledhjes me kryesinë dhe ish-grupin parlamentar të Partisë Demokratike, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkohen në protestën e ditës së hënë në orën 16:30 që është thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka shpallur një protest për ditën e nesërme në orën 16:30 dhe ka kërkuar pjesëmarrjen sa më të madhe të qytetarëve dhe është vendim i lidershipit të PD për t’i bërë thirrje të gjithë demokratëve shqiptarë, të gjithë opozitarëve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë që të jemi në protest në mbështetje të aleancës, kundër këtij akti makabër në shkelje flagrante të kushtetutës dhe ligjit. Në një protest jo vetëm në mbrojtje të teatrit, por kundër shkeljes së ligjit, mjerimit ekonomik, që janë veprat e keqbërësit që është Edi Rama”,- tha Basha.

“Në mbledhjen e sotme janë ndarë detyrat për të siguruar pjesëmarrjen maksimale për tu angazhuar në këtë protest në orën 16:30 e cila ndonëse si shkak mbetet prishja e teatrit kombëtarë, ka për detyrë diçka shumë më të madhe që u takon të gjithë shqiptarëve, rikthimin tek vlerat elementare të Demokracisë të shtetit të së drejtësi dhe garancisë së sigurive të qytetarëve shqiptarë. Këto do të jenë të mundura kur Shqipëria ti kthehet qytetarëve të saj.”,- u shpreh Basha.

Kreu i Demokratëve garantoi se me të ardhur në qeveri do të rindërtoj Teatrin Kombëtar me arkitekturën e saj tradicionale, por me një mjedis të brendshëm të modernizuar.

“Gjej rastin të përsëris angazhimin zyrtarë të opozitës me firmën time për rindërtimin e Teatrit Kombëtar dhe jo thjesht restaurimin, por ndërtimin e plotë të Teatrit Kombëtar me parametrat e konceptuara, me modernizimin e nevojshëm brenda. Ky është një zotim, të cilin unë, personalisht dhe koalicioni opozitar, nesër në qeverisjen e vendit, do ta bëjmë realitet ”,-përfundoi Basha./atsh

Basha në protestë me Aleancën, rindërtimi i Teatrit një zotim që do e bëj realitet Read More »

Lehtësimi i masave, ISHP apel qytetarëve: Respektoni rregullat e distancimit social

Me lehtësimin e masave shtrënguese është shumë e rëndësishme që secili prej nesh të tregojë kujdes maksimal për të ruajtur veten dhe të tjerët.

Instituti i Shëndetit Publik apelon qytetarët të respektojnë rregullat e distancimit social.

“Respektoni rregullat e distancimit social duke qëndruar në shtëpi, nëse dilni jashtë mbani një distancë të caktuar, më shumë se një metër nga njerëzit e tjerë, veçanërisht kur kolliten ose teshtijnë”, thuhet në mesazhin që ISHP iu drejton qytetarëve.

Po ashtu, ISHP apelon qytetarët të mënjanojnë kontaktet e ngushta dhe praktikojnë higjienën respiratore.

“ Lani shpesh duart për të paktën 20 sekonda. Mos prekni me duar sytë, gojën dhe hundën”, informon ISHP./atsh

Lehtësimi i masave, ISHP apel qytetarëve: Respektoni rregullat e distancimit social Read More »

Faqja e njohur italiane: Turizmi në Shqipëri do të jetë një histori suksesi

Në prag të sezonit veror dhe me një turizëm global në pikëpyetje për shkak të pandemisë, ne parashikojmë një të ardhme të suksesshme për turizmin shqiptar, shkruan Sara Perico e vadoinalbania.it, një operator turistik që promovon Shqipërinë në Itali dhe që kryesisht është i përqendruar në turizmin kulturor, natyralist dhe mjedisor.

”Në janar ishim bërë tashmë gati për sezonin, të karikuar dhe plot entuziazëm.

Programi ynë i tureve dhe ekskursioneve ishte i mbushur me propozime, njëri më interesant se tjetri dhe, gjithashtu, kishim gati edhe një gamë të gjerë hotelesh e apartamentesh për pushime.

Një punë përzgjedhëse e shkëlqyer e strukturave dhe burimeve, e bëre me kujdes dhe përpikmëri për të ofruar më të mirën, sepse ky është misioni dhe qëllimi ynë kryesor.

Ky vit, përsërisnim gjithmonë me vete, do të jetë vit i mrekullueshëm për Shqipërinë, do të jetë viti i suksesit, viti i ngritjes së pandalshme, vit në të cilin Shqipëria do t’i bashkohet përfundimisht destinacioneve më të parapëlqyera mesdhetare.

Ne ishim aq të lumtur dhe plot energji, me panaire, katalogë, bashkëpunime, sa nuk u ndalëm për asnjë çast.

Në fund të shtatorit, ne mbyllëm turneun e fundit në grup të sezonit dhe para mesit të tetorit kishim filluar të planifikonim për vitin 2020.

Dhe shifrat na dhanë shpejt të drejtë; shumë vizita në faqen e internetit dhe në janar kërkesat për kuotat ishin kaq shumë, saqë mezi arrinim t’i ndiqnim. Edhe konfirmimet e para erdhën shumë herët dhe shumë më të shumta se vitin e kaluar.

Me pak fjalë, parashikohej një sukses i paparë.

Pastaj erdhi ai, ashtu krejt papritur, si një tornado. Ky COVID-19 na zuri të gjithëve në befasi, si në nivel njerëzor, ashtu edhe në atë professional.

Në pak javë, ai u bë protagonisti i maktheve tona më të këqija, na hodhi në një det trishtimi, frike, zemërimi, pasigurie, dëshpërimi dhe melankolie.

Edhe ne u tronditëm, do të ishte marrëzi ta mohonim atë.

Datat e para të udhëtimeve tona me nisje të garantuar u anuluan, grupet private që duhej të nisnin në prill u shtynë në një datë të pacaktuar dhe kërkesat u ndërprenë befas për javë të tëra.

Dhe kështu, i gjithë sektori i turizmit, që është ndër më të dëmtuarit në botë dhe në të gjitha nivelet, nga agjencia më e vogël lokale e udhëtimeve deri te kompanitë e mëdha të menaxhimit të ushtëtimeve ndërkombëtare, të gjithë do të vuajnë për një kohë të gjatë.

Por, ajo që nuk ka munguar kurrë është shpresa që na mban gjithmonë në një nivel të lartë entuziazmi dhe dëshire për të filluar nga e para.

Na duket vetja si në vijën e nisjes, me një këmbë te frenat dhe tjetrën te gazi, gati për t’u nisur!

Të ushqyer nga shpresa se Shqipëria e ka përballuar mirë pandeminë, pjesërisht falë faktit që ka pak zona me dendësi të lartë të popullsisë, falë gatishmërisë vendimmarrëse të qeverisë dhe pjesërisht, kjo duhet pranuar, falë edhe pjesëmarrjes bashkëpunuese të popullatës.

Por çfarë do të ndodhë pas një, dy apo tre muajsh, këtë ne nuk e dimë.

Si do të shkojë kjo verë 2020, që tashmë e kemi në prag, kjo është një e panjohur e vërtetë.

Ajo që dimë është se, sido që të shkojë, viti 2020 është dhe do të mbetet viti i suksesit të madh të turizmit në Shqipëri, viti i shumë kërkesave, viti i hyrjes në mesin e destinacioneve më të kërkuara, viti i marrjes së shpërblimit!

Fakti që ky sukses u mbyt pjesërisht nga forca madhore, nuk do të thotë se nuk është një sukses, nuk do të thotë se kemi humbur gjithçka, nuk do të thotë se dëshira për të vizituar këtë vend të bukur është zvogëluar, përkundrazi, besoj se pas rimëkëmbjes Shqipëria do të dalë fitimtare, sepse gjatë kësaj periudhe të vështirë ka treguar se është në gjendje të përballojë situatat e urgjencës në një mënyrë pragmatike dhe vendimtare dhe ka treguar vazhdimisht se ka një zemër të mrekullueshme.

Pra, sido që të shkojë, tashmë Shqipëria është një histori suksesi!./atsh

Faqja e njohur italiane: Turizmi në Shqipëri do të jetë një histori suksesi Read More »