Andueli

Ministria e Shëndetësisë: 1 humbje jete, 25 raste të reja në 24 orët e fundit

Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve një pacient 69-vjeçar nga Tirana, me inicialet S.K., i cili po trajtohej në terapi intensive në spitalin infektiv.

Mirela Cami, drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor tha në komunikimin e përditshëm se “Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit. Që nga fillimi epidemisë, 33 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19”.

“Në 24 orët e fundit kemi sërish shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 17 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit ka rritje të numrit të të prekurve, të lidhura me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, por edhe vatra të reja në Tiranë. Janë testuar 173 qytetarë si të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe janë konfirmuar 25 raste pozitive. Më konkretisht janë 24 të prekur në Tiranë dhe 1 në Durrës”, – theksoi Cami.

Sipas saj, ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një call-center, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë. Po vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë.

Në vendin tonë aktualisht janë 193 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën vetjake.

“Qytetarët nuk duhet të neglizhojnë shenjat e COVID-19, prandaj telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID-19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, – tha Cami.

COVID-19 – Statistika (26 Maj 2020)
Testime totale 14832
Testime molekulare 13506
Testime serologjike 1326
Raste pozitive 1029
Raste të shëruara 803
Raste Aktive 193
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 80
Durrës 54
Krujë 24
Shkodër 12
Berat 10
Kamëz 9
Fier 2
Mirditë 1
Korçë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 1 humbje jete, 25 raste të reja në 24 orët e fundit Read More »

Në qershor shpallet paketa e rimëkëmbjes ekonomike për të gjithë sektorët

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se ekonomia shqiptare do të ketë një rimëkëmbje gjatë gjysmës së dytë të vitit, por nuk do të mund të shkojë në parametrat e planifikuara në fund të vitit 2019.

“Ministria e Financave është duke punuar për Aktin e dytë Normativ, atë të buxhetit të rishikuar, i cili do të zgjerojë në kalkulimet e tij dhe në efekte, sidomos ato të kuadrit makro-fiskal, me një parashikim më afër të atij realitet që mundet ky vit të përballojë, si diference e të ardhurave më të lartë se sa ajo e parashikuar në muajin mars”, tha Denaj e pranishme në Komisionin e Ligjeve.

Kjo diference dhe kjo nevojë, tha ajo, do të çojë në një defiçit më të zgjeruar dhe për këtë arsye rishikimi i Aktit Normativ në qershor do të na japë një pasqyrë të saktë.

Sipas Denaj, rishikimi vjen si rezultat i një ulje më të madhe të të ardhurave nga tatimet dhe doganat, të cilat në muajin mars ishin -20 miliardë lekë dhe si periudhë 4 mujore rezultuan -19.1 miliardë lekë.

Në mars, bëri të ditur Denaj, defiçiti buxhetor u zgjerua me gati 2-fish duke shkuar në -3.9% dhe në vlerë absolute 68.6 miliardë lekë.

Denaj u shpreh më tej se kjo është një situatë që gradualisht mund ta rikuperojmë në gjysmën e dytë të vitit me hapjen e ekonomisë. Por shtoi ajo nuk mund të kthehemi në parashikimet e asaj që kishim planifikuar në fund të vitit të kaluar për rritjen e ekonomisë, e cila edhe kjo do të rishikohet me ulje.

“Është parashikuar një reçesion diku në parafërsi me parametrat e FMN. Më të goditur në sektorin e prodhimit janë shërbimi dhe turizmi, efekti i të cilit do të ndihet edhe në tremujorin e tretë, ku në këtë periudhë ndikimi më i madh në rritjen ekonomike vinte pikërisht nga ky sektor”, u shpreh ministrja Denaj.

Edhe sektori i prodhimit, tha ajo, ka pësuar ndikim si në raport me qarkullimin edhe me elementë të tjerë, sidomos në raport me numrin e punësimit.

“Gjatë muajit qershor do të shpallim platformën e rimëkëmbjes ekonomike për të gjithë sektorët. Paketa e tretë, ajo e rimëkëmbjes ekonomike post-COVID është e rëndësishme për të adresuar këto nevoja dhe për të prioritizuar projektet më të rëndësishme të qeverisë Rama”, u shpreh ministrja./atsh

Në qershor shpallet paketa e rimëkëmbjes ekonomike për të gjithë sektorët Read More »

Eksperimentohet për herë të parë në botë transplantimi i qelizave burimore te pacientët me sklerozë multiple

Ka përfunduar eksperimenti i fazës së parë, që përfshin transplantimin e qelizave burimore të trurit të njeriut në 15 pacientë me sklerozë sekondare progresive.

”Për herë të parë në botë, u trajtuan 15 pacientët e rekrutuar për trajtim eksperimental të sëmundjes”, deklaroi Akademia Papnore për Jetën me Shoqatën ”Revert Onlus” dhe fondacioni ”Casa Sollievo della Sofferenza”.

Asnjë pacient nuk ka përjetuar efekte anësore. Tashmë mjekët dhe ekipi po vlerësojnë efektet terapeutike.

Eksperimentimi, i koordinuar dhe financuar nga ky fondacion dhe nga ”Revert Onlus”, u realizua gjithashtu falë bashkëpunimit me Spitalin e Ternit, universitetin e Milanos ”Bicocca” dhe Spitalin e Luganos./ atsh

Eksperimentohet për herë të parë në botë transplantimi i qelizave burimore te pacientët me sklerozë multiple Read More »

6 të shëruar nga COVID-19 në 24 orët e fundit/ 759 pacientë kanë fituar betejën që nga fillimi i pandemisë

759 qytetarë janë shëruar, ose 79% e të gjithë të prekurve nga COVID-19.

Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha sot në komunikimin për mediet se “nga fillimi i epidemisë rreth 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar. Po aq sa numri i të prekurve është edhe numri i të shëruarve gjatë 24 orëve të fundit. 6 raste janë të shëruar në 24 orët e fundit”.

Ndërsa lidhur me të shtruarit në spitalin Infektiv Tomini tha se aktualisht po trajtohen 16 pacientë, ndërsa 4 prej tyre janë në terapi intensive.

“Në vendin tonë aktualisht janë 177 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë. Fatkeqësisht 32 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me Covid19, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor”, theksoi Tomini./atsh

6 të shëruar nga COVID-19 në 24 orët e fundit/ 759 pacientë kanë fituar betejën që nga fillimi i pandemisë Read More »

Risitë e maturës shtetërore/ Vrapi: Mësuesit dhe stafi i trajnuar, tre provime me detyrim dhe një me zgjedhje

“Të gjithë mësuesit dhe stafi që do të administrojë procedurën e maturës shtetërore është tashmë duke u trajnuar për të menaxhuar sa më mirë këtë proces, ndërsa maturantët janë njohur me temat me të cilat do ndeshen gjatë testeve, që këtë sezon do të jenë të gjitha me alternativa”.

Gjatë një interviste televizive, drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) Rezana Vrapi, tha sot se “shëndeti i maturantëve është kryefjalë e punës.

“Është bërë dezinfektimi të gjitha ambienteve arsimore dhe kontrollet përkatëse pasi për ne shëndeti i maturantëve është në plan të parë dhe nuk ka arsye për trembje as nga ana e prindërve, as nga ana e maturantëve. Ambienti në shkollë është shumë më i sigurt sesa ambiente të tjera, qoftë në rrugë, lokale apo të tjera”,- tha Vrapi.

“Janë shumë pak maturantë në një klasë, vetëm 10 të tillë, në distancë goxha të madhe nga njëri-tjetri, korridoret janë të zbrazura. Shkolla është mjedisi më i sigurt në këto momente sesa kudo tjetër”,- vijoi Vrapi.

“Që një maturantë të quhet i diplomuar në arsimin e mesëm dhe të ketë përfunduar arsimin e mesëm ka katër provime. Tre janë me detyrim dhe një është me zgjedhje. Vitin e kaluar bëmë një ndryshim, ku testi nga 50 pikë, kaloi me 60 pikë dhe këtë vit do të vazhdojë me 60 pikë. Ndërkohë për t’u quajtur kalues, ky është një nga ndryshimet e maturës 2020, duhet që maturanti të ketë arritur të grumbullojë 25% të totalit të pikëve, pra 15 pikë nga 60 pikë të mundshme. Ky është një vendim i marrë përpara se të vinte pandemia, pra nga që prej muajit tetor apo nëntor të vitit 2019. Pra u vendos që të ketë një rritje të pikëve dhe të kuotës së kalimit, duke e kaluar nga 10 pikë në 15 pikë dhe kështu do të mbetet pavarësisht pandemisë së COVID-19”,- tha Vrapi.

“Kjo formë e testimit është vendosur që vitin e shkuar, që veç fletës së testit do kemi dhe fletën e përgjigjeve. Vitin e shkuar, prezantuam një test me 20 pyetje me alternativë, nga 34 në total. Për të bërë të mundur korrigjimin e tyre në mënyrë digjitale u paraqit që vjet një flet përgjigje si lehtësim për procesin e korrigjimit, këto pyetje nuk korrigjohen më manualisht nga ana e korrigjuesve, siç ka ndodhur që pas vitit 2006 deri në vitin 2018, por në mënyrë digjitale. Kështu rritet pra besueshmëria, ulet kosto, shpejtohet koha etj. Nuk ka asnjë ndryshim në raport me vitin e shkuar, kjo pra nuk do jetë hera e parë që ka një fletë përgjigje edhe përgjigja është e vlefshme tek fletë përgjigja, pasi kjo skanohet, jo fleta e testit”,- nënvizoi Vrapi.

“Fletëpërgjigja, kërkon vetëm 10 minuta për t’u plotësuar nga ana e maturantëve dhe sigurisht ka disa elementë sigurie. Patjetër koha është totalisht e kontrolluar dhe duke qenë që testi nuk hyn dot në skaner, fletë përgjigja merr një rëndësi shumë të madhe dhe prandaj kujdesi ynë, informacioni jonë ka qenë që maturantët të njihen me fletë përgjigjen, që i është dërguar që ditën e hënë dhe informacioni është i plotë dhe në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) dhe kushdo që na e ka kërkuar, e ka marrë. Ata janë të njohur me formatin e fletë përgjigjes, me disa udhëzime se si duhet ta plotësojnë”,- tha Vrapi.

“Janë tre identifikime, emër, mbiemër, atësi, ka një bar kod testi të printuar nga QSHA, pra ne kemi hequr sekretuesin nga salla e provimit, për arsye sepse tashmë që testi skanohet nuk ka korrigjues, nuk identifikohet dot testi, kështu që nuk e shikojmë të arsyeshme që në sallën e provimit të jetë një persona që shkon dhe vendos bar kode. Nisur nga përvoja e shumë viteve, na ka ndodhur që bar kodet të vendosen edhe gabim, duke sjell dhe problematika si kohë gjatja e daljes së përgjigjeve të testit. Gjithashtu kanë qenë rreth 600-700 persona që vendosnin bar kodet, që tashmë nuk do jenë, dhe nga krahu tjetër përmes kësaj praktike nuk humbim asnjë elementë sigurie, sipas elementëve që përcaktohen dhe nga vendet e tjera në BE”,- tha Vrapi.

Ajo shtoi se kanë nisur trajnimet.

“Rreth dy javë më parë QSHA dhe Drejtoria e përgjithshme e arsimit parauniversitar përcaktuan mësuesit me të gjitha elementët dhe gjithçka do ndodhte nga momenti që nxënësit do kthehen-in në klasë, provimi, kohën dhe të gjitha elementët e tjerë. Tani po zhvillohet trajnimi pjesë pjesë i gjithë stafit që do administroj procesin e testeve deri tek i fundit. Provimi i parë më 8 qershor, i fundit do të jetë më 18 qershor, nis me lëndën e gjuhës së huaj dhe përfundon me lëndën me zgjedhje”,- tha ajo.

“Në udhëzimet dhe trajnimet janë paracaktuar të gjitha hallkat, që në momentin që maturantët do të shkojnë në shkollë, forma si do thirren, ndalohet kategorikisht celulari në sallë, për arsye se rregullorja është shumë e qartë dhe nëse konstatohet se një maturantë ka futur celular, menjëherë përjashtohet nga provimi dhe s’do ketë të drejtë që gjatë një viti të futet në provim, pra humbet një vit. Nga ana tjetër do të mbahen 10 vetë në klasë, duke respektuar distancë, ashtu siç po bëhet edhe tashmë. Njëkohësisht është përcaktuar dhe procedura e futjes dhe daljes në provim e tyre, ku do jenë me patjetër dezinfektantët, maskat…etj Shëndeti i tyre është parësor dhe më pas vijnë të tjerat”,- tha Vrapi.

“Tashmë dihet sasia e temave janë pjesë e programit të maturës shtetërore. Maturantët janë njohur me programin, ku janë informuar dhe për heqjen e një sërë temash që lidhen dhe me periudhën e pandemisë. Testi ka nivelin e caktuar të vështirësisë, të ndarë në tre nivele, niveli 1, 2, 3, sipas aftësive të maturantit. Ka pyetje të nivelit të lartë, ky maturantët të cilët nuk kanë përgatitjet e duhura nuk arrijnë ti plotësojnë të gjitha nivelet dhe me radhë. Qëllimi është të mos ketë kohë të tepërt, ato që janë shumë të mirë e plotësojnë testin brenda kohës së nevojshme. Duhet llogarit dhe 10 minutëshi në fund për plotësimin e flet-përgjigjes”,- përfundoi Vrapi. /atsh

Risitë e maturës shtetërore/ Vrapi: Mësuesit dhe stafi i trajnuar, tre provime me detyrim dhe një me zgjedhje Read More »

Kjo java e fundit e kufizimeve dhe orareve, në fuqi edhe dy fundjava pa makina për t’u rikthyer në tetor

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kjo do të jetë java e fundit e kufizimeve dhe orareve në Tiranë dhe në qytetet tona”.

Gjatë një komunikim, Kryeministri theksoi se “fundjava pa makina mbetet në fuqi edhe dy të shtuna e të diela”.

“Për t’u rikthyer pas sezonit të verës çdo të diel minimalisht, nga tetori deri në marsin e ardhshëm si një moment i përjavshëm kushtuar ajrit pa tym makinash, familjeve, të moshuarve, fëmijëve dhe mjedisit tonë”, tha Rama.

Kryeministri ftoi qytetarët që “të vazhdojmë të ecim së bashku duke kuruar plagën e hapur të ekonomisë nga kjo pandemi pa lejuar që shëndeti ynë të preket”./atsh

Kjo java e fundit e kufizimeve dhe orareve, në fuqi edhe dy fundjava pa makina për t’u rikthyer në tetor Read More »

Lehtësimi i masave/ Qytetarët, edhe më shumë përgjegjësi për të ruajtur veten dhe të tjerët

Në kushtet e lehtësimit të masave, zgjerimit të fashave orare të lëvizjes, heqjes së të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe përgjegjësia e çdo qytetari për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të respektojnë distancimin fizik dhe të ruajnë higjienën personale.

Institucionet dhe bizneset duhet të zbatojnë protokollet strikte për parandalimin COVID-19.

Ministria këshillon qytetarët që të qëndrojnë të sigurtë, nëse duhet të dalin nga shtëpia për qëllime thelbësore, sikurse janë vajtja në pazar apo farmaci.

Nëse është e mundur këshillohet të kufizohen daljet duke provuar mundësitë online.

Po ashtu, këshillohet të vizitoni sa më pak vende të jetë e mundur si dhe kryerja e furnizimeve për të paktën një jave.

Këshillohet mbajtja e distancës prej të paktën 1 metër dhe larja e shpeshtë e duarve./atsh

Lehtësimi i masave/ Qytetarët, edhe më shumë përgjegjësi për të ruajtur veten dhe të tjerët Read More »

Fitër Bajrami/ Basha: Gëzuar festën e madhe të shpresës dhe besimit

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.

“Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin, festën e madhe të shpresës dhe besimit”, shprehet Basha në mesazhin e urimit.

“Koha që po kalojmë është plot sprova të mëdha për çdo shqiptar. Mes vështirësive e sfidave, mes sakrificave dhe vuajtjeve, forca e besimit në Zot na mbush me shpresë, na jep siguri se e keqja do të mundet, se e nesërmja do të jetë më e mirë.Bashkoj lutjet e mija me të gjithë besimtarët, në veçanti për çdo bashkëqytetar në vështirësi e pamundësi, për ata që lëngojnë e kanë nevojë për dritën në fund të tunelit, për prindërit dhe për fëmijët tanë e për mbarë kombin tonë, me këtë sure me titullin kuptimplotë Shndritja:”Si kur shndrin dielli i mesditës, ashtu dhe natën kur terri bie, Zoti yt nuk të ka braktisur, as zemëruar me ty nuk është. Dhe patjetër çfarë po vjen, Për ty më mirë do të jetë se çfarë po shkon, dhe Zoti duarplot do të jetë me ty, e ti i lumtur”, tha Basha.

“Zoti ju dhëntë begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet e muajit të bekuar të Ramazanit! Gëzuar Fitër Bajramin! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, përfundoi Basha urimin e tij për festën e Fitër Bajramit./atsh

Fitër Bajrami/ Basha: Gëzuar festën e madhe të shpresës dhe besimit Read More »