Andueli

Rama: U uroj rrugëtim të mbarë qeverisë së re të Kosovës e opozitës gjithashtu, në shërbim të interesit të popullit e të shtetit

Kryeministri Rama ka përshëndetur votimin e sotëm në Kuvendin e Kosovës duke i uruar rrugëtim të mbarë qeverisë së re dhe opozitës gjithashtu.

“U uroj rrugëtim të mbarë qeverisë së re të Kosovës e opozitës gjithashtu, në shërbim të interesit të popullit e të shtetit të tyre, me besim e shpresë se pas një periudhe jo të lehtë përpëlitjesh në procesin e maturimit demokratik, do të bëjnë së bashku punë të mira për Kosovën”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Me 61 vota pro, 1 abstenim dhe 24 vota kundër, deputetët e Kuvendit i thanë “po” sot qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së./atsh

Rama: U uroj rrugëtim të mbarë qeverisë së re të Kosovës e opozitës gjithashtu, në shërbim të interesit të popullit e të shtetit Read More »

Reforma Zgjedhore, ambasadorja Kim: Kemi një marrëveshje shumë të mirë, merita të veçanta partisë në pushtet; topi në fushën e Bashës që t’i thotë “po” integrimit në BE

“E përgëzoj partinë në pushtet për atë që bënë këtë mbrëmje. Ne kemi atë që mund të jetë një marrëveshje shumë e mirë. Është një marrëveshje që do ta vendosë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, që mban masat e adresuara nga OSBE/ODIHR”.

Kështu deklaroi ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim pas gati 9 orë të tjera diskutimesh me Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, që nuk ka dalë ende në marrëveshje.

Përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare nuk janë kthyer në tryezën e bisedimeve të Këshillit Politik, ndërsa aty prisnin ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe si dhe anëtarët e tjerë nga mazhoranca dhe opozita parlamentare.

Ambasadorja e SHBA, Yurim, gjatë një deklarate për mediet, theksoi se marrëveshja për reformën zgjedhore është në duart e opozitës dhe topi është në fushën e Partisë Demokratike.

“Faleminderit që pritët. Kemi pasur një ditë të gjatë. U takuam për 9 orë dje dhe kemi bërë progres të madh dhe u takuam sot për 9 orë të tjera dhe bëmë progres të jashtëzakonshëm, por pa rezultat. Kjo reformë kaq e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë duhet të ketë mbështetje nga palët. Çdo palë dhe çdo parti i kërkohet të japë që Shqipëria të fitojë. Çdo palë fitoi, populli shqiptar mund të fitojë edhe më shumë. Çdo palë dha, por duhet t’i jap merita të veçanta partisë në pushtet”, – theksoi Kim.

“Ne e bëmë të qartë se partia në pushtet ka privilegje, e për këtë arsye ata duhet të jepnin më shumë. E përgëzoj partinë në pushtet për atë që bënë këtë mbrëmje. Ne kemi atë që mund të jetë një marrëveshje shumë e mirë. Është një marrëveshje që do ta vendosë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, që mban masat e adresuara nga OSBE/ODIHR”, – tha Kim.

“Përmban disa hapa domethënëse që nuk janë rekomanduar dhe nga OHDIR, por që do të shihen si një hap i rëndësishëm përpara për Shqipërinë. Ka ardhur koha, për opozitën, për PD-në, për mikun tim Luli Basha, që të baraspeshojnë, të balancojnë të gjithë faktorët dhe të thonë ‘po’ për popullin shqiptar, dhe të thonë ‘po’ për Shqipërinë në Europë. Topi është në fushën e tij, e ardhmja është në duart e tij”, tha Kim gjatë deklaratës së saj për mediet. /atsh

Reforma Zgjedhore, ambasadorja Kim: Kemi një marrëveshje shumë të mirë, merita të veçanta partisë në pushtet; topi në fushën e Bashës që t’i thotë “po” integrimit në BE Read More »

“Topi në fushën e Bashës”/ Kreu i PD: Opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi menjëherë pas deklaratave të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim e cila deklaroi se “duhet të thotë ‘po’ për Shqipërinë në Europë. Topi është në fushën e tij”, ndërsa theksoi se Këshilli Politik ka një marrëveshje shumë të mirë për Reformën Zgjedhore.

“Është bërë progres drejt dakordësisë për administrimin zgjedhor. Ka mbetur një çështje pa zgjidhur. Dua t’i siguroj shqiptarët se opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë dhe të ndershme”, – tha Basha.

Këshilli Politik dhe ambasadorët e SHBA-së, BE dhe Britanisë së Madhe punuan dje dhe sot nga 9 orë për të gjetur një marrëveshje për Reformën Zgjedhore, e cila siç u shpreh ambasadorja Kim, do ta vendosë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE./atsh

“Topi në fushën e Bashës”/ Kreu i PD: Opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë Read More »

Lungomare në Orikum, IKMT aksion për pastrimin e inerteve

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi sot pastrimin e inerteve përgjatë bregdetit të Orikumit.

Aksioni është ndërmarrë pas prishjes pak kohë më parë të një numri objektesh po nga ana e IKMT-së.

Në zonën ku po ndërhyn aktualisht IKMT, kalon projekti i shëtitores buzë detit, që nis nga Vlora.

Pavarësisht këtij aksioni në Orikum, IKMT nuk ka ndërprerë, por ka intensifikuar kontrollet dhe ndërhyrjet përgjatë gjithë bregdetit shqiptar dhe prej pak javësh edhe përgjatë lumenjve në mbrojtje të territorit dhe mjedisit./atsh

Lungomare në Orikum, IKMT aksion për pastrimin e inerteve Read More »

Parashikimi i motit, e mërkurë 3 qershor 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet me kthjellime si dhe vranësira mesatare kalimtare nga orët e mesditës deri ato të pasdites.

Do të ketë reshje shiu të dobëta në formë pikash në relievet e larta malore ndërsa në zonën e jugut lokalisht reshjet në kohë afatshkurtër në formën e shtrëngatave dhe stuhive. Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim e lehtë dhe në bregdet fiton intensitet. Deti parashikohet i forcës 0-1 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 11/26 Diell re kalimtare
Kukës 9/23 Diell re kalimtare
Lezhë 11/26 Diell re kalimtare
Dibër 7/20 Diell re kalimtare
Durrës 14/25 Diell re kalimtare
Tiranë 14/27 Diell re kalimtare
Elbasan 12/27 Diell re kalimtare
Berat 10/27 Diell re kalimtare
Vlorë 13/25 Diell re kalimtare
Korçë 7/20 Diell re kalimtare
Gjirokastër 6/26 Diell re kalimtare
Sarandë 13/25 Diell re kalimtare/atsh

Parashikimi i motit, e mërkurë 3 qershor 2020 Read More »

Sejko: Me rëndësi masat e marra nga Qeveria shqiptare për përballimin e kësaj situate

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në takimin e 43-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit.

Në qendër të diskutimeve të takimit ishte trajtimi i situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe efektet e saj në ekonomitë e vendeve anëtare dhe atë globale. Guvernatorët e bankave qendrore u shprehën se kanë marrë në analizë situatën e krijuar nga pandemia, e cila tashmë përbën një sfidë të vërtetë për politikëbërësit.

Guvernatori Sejko në fjalën që mbajti u shpreh se, në linjë me parashikimet në nivel global, edhe në Shqipëri, si pasojë e masave të kujdesit të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë Covid-19, gjatë vitit 2020, aktiviteti ekonomik pritet të shënojë rënie, e cila parashikohet të jetë kalimtare dhe të rikuperohet më pas në vitet në vijim.

Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e masave të ndërmarra nga autoritetet publike për përballimin e kësaj situate, si paketat fiskale dhe miratimi i fondeve për garancitë sovrane të ofruara nga qeveria shqiptare për të mbështetur me kredi bankare kompanitë.

Në vijim, Guvernatori prezantoi masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për të minimizuar kostot e pandemisë Covid-19 në ekonominë e vendit, si ulja e normës bazë të interesit në nivelin historik prej 0.5%, furnizimi me të gjithë likuiditetin e nevojshëm të sistemit bankar në vend duke hequr kufijtë sasiorë, eliminimi i kostove të operimit të sistemeve të pagesave elektronike, sigurimi i pandërprerë i ekonomisë me para fizike, shtyrja me dy tremujorë e pagesave të kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet në vështirësi financiare, si dhe ndryshimet rregullative me qëllim sigurimin e zgjidhjes së kërkesave të klientëve dhe sigurimin e shëndetit të bankave dhe sistemit në tërësi.

Në përfundim, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të përdorë instrumentet që disponon, në bashkëpunim me gjithë autoritetet në vend, me qëllim kapërcimin e kësaj situate dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë.

Pjesëmarrës në këtë takim, i cili u zhvillua online, qenë drejtuesit e bankave qendrore të vendeve anëtare të Klubit si: Banka Qendrore e Republikës së Turqisë, Banka e Sllovenisë, Banka Kombëtare e Rumanisë, Banka Kombëtare e Bullgarisë, Banka Kombëtare e Çekisë, Banka e Greqisë, Banka Qendrore e Malit të Zi, Banka Kombëtare e Serbisë, Banka e Izraelit, Banka Kombëtare e Polonisë, Banka Qendrore e Republikës Popullore të Kinës, etj./atsh

Sejko: Me rëndësi masat e marra nga Qeveria shqiptare për përballimin e kësaj situate Read More »

Hyrja në Kosovë/ Shtetasit e huaj duhet të nënshkruajnë deklaratën për vetëizolim për 7 ditë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Republikës së Kosovës sqaron lidhur me vendimin nr.02/38 të datës 31 maj 2020, për çështjen e hyrjes në Republikën e Kosovës, se të gjithë personat që hyjnë në RKS dhe e kanë të kryer testin për Covid19, jo më të vjetër se 4 ditët e fundit nuk janë të obliguar të qëndrojnë në vetëizolim.

Në rastin kur nuk kanë test, ata nënshkruajnë deklaratën për vetëizolim për 7 ditë.
Gjithashtu kur ekipi mjekësor vlerëson se ata kanë simptoma të COVID19, i japin udhëzimet e tyre se si të veprojnë.
Në një njoftim për shtyp, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Republikës së Kosovës, thekson se “për të hyrë në RKS, shtetasit e huaj që nuk kanë test të COVID19 duhet të kenë dëshmi të ligjshme për vendqëndrimin e tyre në Kosovë (leje qëndrimi dhe kontratë qiraje, si dhe dëshmi të tjera të pranueshme)”.
“Kjo bëhet në mënyre që të sigurohet se ata do të respektojnë masën e vetëizolimit. Andaj ata persona që nuk paraqesin dëshmi të vendqëndrimit ku do ta mbajnë vetë izolimin nuk lejohet të hyjnë në RKS.
Përjashtim nga ky rregull bëjnë studentët të cilët vijnë në RKS për nënshtrim të provimeve, me kusht që të kthehen në vendet e tyre të njëjtën ditë.
Hyrja bëhet duke dëshmuar identitetin studentor me një dokument të vlefshëm të lëshuar nga Institucioni përkatës Arsimor në RKS.
Të gjithë ata që kanë për qëllim kalimin tranzit nëpër RKS, përjashtohen nga këto rregulla”- thuhet në njoftimin për shtyp. /atsh

Hyrja në Kosovë/ Shtetasit e huaj duhet të nënshkruajnë deklaratën për vetëizolim për 7 ditë Read More »

Meta: Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik

“Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik”, thekson Presidenti Ilir Meta në një mesazh urimi drejtuar Presidentit të Republikës italiane, Sergio Mattarella me rastin e Festës së Republikës italiane.

“Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik, të cilat reflektohen në të gjitha fushat e dimensionet e bashkëpunimit dypalësh, shumëpalësh si dhe iniciativave apo organizatave të tjera rajonale dhe ndërkombëtare. Konstatoj me kënaqësi se falë traditës dhe vullnetit të mirë të të dyja palëve, këto marrëdhënie janë bërë më të forta e shumë më intensive”, ka theksuar Meta.

“Dy popujt tanë, miq prej shekujsh, ndërveprojnë gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin. Arbëreshët e Italisë, një urë lidhëse e vjetër dhe e qëndrueshme, si dhe mijëra shqiptarë që pas viteve ’90 gjetën mikpritje e mbështetje në Itali e kanë forcuar në mënyrë të vazhdueshme miqësinë midis dy vendeve. Gëzohem pa masë kur mësoj se numri i qytetarëve italianë që investojnë, bëjnë biznes, punojnë, studiojnë apo që vijnë për turizëm në Shqipëri rritet çdo ditë, duke i bërë më të forta e të pazgjidhshme marrëdhëniet midis dy kombeve tona”, ka shtuar Meta.

“Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë mbështetjen që Ju personalisht dhe të gjitha autoritetet dhe institucionet italiane po i japin Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian. Ndjehemi me fat që në realizimin me sukses të kësaj aspirate kemi një mbështetës dhe avokat të jashtëzakonshëm si Italia”, ka nënvizuar Meta.

“I nderuar mik, ndërsa pandemia e COVID-19-ës po godet mbarë botën dhe vendet tona, uroj që së bashku, me përpjekje të mirëmenduara e të koordinuara, me mençuri dhe forcë, ta kapërcejmë këtë situatë, të rikthehemi së shpejti në normalitetin e jetës së përditshme dhe të kemi një të ardhme sa më të mirë për të gjithë ne”, ka vijuar Meta.

“Me urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj, si dhe dëshirën për të vijuar së bashku me Ju forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka përfunduar urimin e tij Presidenti Ilir Meta./atsh

Meta: Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik Read More »