Andueli

Kosova hap kufirin me Shqipërinë, nuk ka më vetizolim për 7 ditë dhe as test anti- COVID

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që duke nisur që nga dita e nesërme qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga cili do shtet të mos i nënshtrohen masës së vetizolimit për 7 ditë.

Kurse, në vend të testimit të obliguar për CODID-19, për ata që hyjnë, do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të QKMF-ve, të vendosura në pikat kufitare apo edhe në vet QKMF-të brenda komunave.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se situata epidemiologjike është e qëndrueshme, por me rritje të lehtë të rasteve gjatë javëve të fundit në disa komuna si rezultat i moszbatimit të rekomandimeve nga një numër i qytetarëve.

“Kontrollin e detajuar mjekësor për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës, duke marrë shënime të sakta të vendqëndrimit në Kosovë, adresa dhe numri i telefonit për përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF-të e komunave përkatëse. Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSH-së, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike, si dhe kontaktet eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose të dyshimtë me COVID-19. Bazuar në këto rekomandime që nga dita e hënë 8 qershor 2020 propozoj që qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit shtëpiak 7 ditor. Ndërsa, në vend të testimit të obliguar për COVID-19 për ata që hyjnë do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të vendosura në pikat kufitare apo edhe në QKMF-të nëpër komuna”, tha ai.

Zemaj tha se bazuar në situatën epidemiologjike, MSH do të mundësojë liri të plotë të lëvizjes e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave nga të gjitha pikat kufitare.

Po ashtu, ai bëri të ditur se qysh nga nesër do të hiqet edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit.

I pari i Shëndetësisë kërkoi që të zbatohen me përpikëri rekomandimet duke qenë se ende nuk ka kaluar rreziku dhe shfaqja e rasteve të reja si pasojë e moskujdesit, sipas tij mund ta mbingarkojë sistemin shëndetësor me pasoja të paparashikuara që do të çonin në rritje të numrit të rasteve dhe rrezik për jetën e qytetarëve.

Ai tha se kërkojnë nga qytetarët, bizneset, gastronomia dhe sektorët e tjerë që në mënyrë strikte të respektojnë masat me qëllim që të shkohet para me lehtësime të tjera.

Ndërkaq, ministri i Punës Skender Reçiça, ka kritikuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku tha se bashkëpunimi mes dy vendeve gjatë kësaj periudhe është për çdo kritikë.

Bashkëpunimi i këtyre muajve të fundit është për çdo kritikë, është diçka që nuk guxon të përsëritet edhe një herë të vetme, e as edhe një rrethanë të vetme. Tirana për Prishtinën është si Prizreni për Gjilanin, sikur që Prishtina për Tiranën duhet të jetë si Vlora dhe Shkodra. E kuptoj faktin që pandemia kërkon disiplinë, kërkon respektim të masave mbrojtëse dhe e kuptoj faktin që mund të karantinohet Ferizaj, Prishtina, Vlora, Korça, por assesi të mbyllen dhe të izolohen mes vete mes Prishtinës dhe Tiranës. Kujdes po, disiplinë po, por jo izolim dhe mos komunikim pa nevojë. Më e pakta që mund të bëjmë është që sot të miratojmë këtë vendim”, tha ai.

Ministri Zemaj tha se Inspektorati Sanitar i AUVK-së dhe Inspektoratet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe të merren masa përgjegjësie në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Kryeministri Avdullah Hoti, ka kërkuar që deri më 12 qershor MSH të miratojë manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19 dhe të rekrutohen 200 specialistë shëndetësor që do të mbikëqyrin zbatimin e manualit.

“Deri më 12 qershor 2020 MSH të miratojë manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19, ku specifikohen të gjitha detajet për mënyrën e organizimit të punës në të gjitha bizneset private dhe ndërmarrjet publike, në institucionet publike dhe në çdo veprimtari tjetër publike. Pastaj pika katër të jetë, në përputhje me ligjet përkatëse MSH autorizohet që të nis procedurat për rekrutimin e 200 specialistëve shëndetësor që do të mbikëqyrin zbatimin e manualit sipas pikës paraprake gjatë gjithë periudhës sa jemi në këtë epidemi”, tha ai.

Kurse, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, ka kërkuar që të ketë lehtësira për sektorin e gastronomisë.

“Me e pas një raport se si kishim mundur të veprojmë tutje edhe për kërkesat që i kemi nga sektori i gastronomisë për ngjarjet më të mëdha në këtë fushë, për shkak që mendoj që jeta praktike ka filluar të ndodh, unë sot isha në një prej qendrave tregtare dhe aty ishte plotë, jeta veç ka filluar të ec gjithmonë duke e pasur ndjeshmërinë për situatën, për shëndetin publik, por në të njëjtën kohë duke e pasur përgjegjësinë mbi detyrat që i kemi në raport me funksionimin në veçanti të sektorit privat dhe të sektorit të gastronomisë. Është mirë që në mbledhjen e ardhshme me pas një raport dhe nëse ka hapësirë me e marr një vendim për lehtësim të plotë”, ka deklaruar Tahiri.

Në anën tjetër, ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi, ka kërkuar që të fillojë konsultimet për rifillim të transportit ajror.

“Me lejen e juaj unë kisha filluar konsultimet me Autoritetin Civil Ajror, me ministrinë e Shëndetësisë, gjithashtu kompanitë ajrore të shikojmë mundësitë e rifillimit të transportit ajror sa më shpejt në Kosovë, gjithsesi edhe gjithmonë duke i respektuar masat COVID-19. Kjo do të bëhet gjithashtu duke marrë parasysh edhe standardet e BE-së. Ajo çka kërkoj sot është të fillojmë këto negociata që t’i shohim edhe praktikat e aeroporteve tjera”, tha ai./KosovaPress/

Kosova hap kufirin me Shqipërinë, nuk ka më vetizolim për 7 ditë dhe as test anti- COVID Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 20 raste të reja, shkon në 1232 numri i të prekurve

Në 24 orët e fundit janë kryer 253 testime nga të cilat janë konfirmuar 20 raste pozitive, përkatësisht, 10 raste në Tiranë, 3 raste në Shkodër, 3 në Krujë, 2 në Durrës, 2 në Tropojë.

Dr. Flutra Beqo nga Ministria e Shëndetësisë tha sot në komunikimin e përditshëm se “rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kontakte familjare dhe disa raste të reja në proces hetimi. Aktualisht kemi një personel shëndetësor të riinfektuar pas thuajse 3 muajsh, pra i infektuar për herë të dytë, si kontakt familjar. Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar”.

“Gjatë 24 orëve të fundit një 85 vjeçare nga Tirana ka humbur jetën në Spitalin Infektiv, e konfirmuar me COVID-19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese. Deri më sot 34 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID-19 pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor”, -nënvizoi Beqo.

Sipas saj, vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 27 të prekur, nga të cilët 6 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar.

Në vendin tonë janë aktualisht 273 persona aktivë me COVID-19, rreth 70% e të cilëve janë në Tiranë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju fton edhe njëherë për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrëngimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës vetjake dhe shmangien e grumbullimeve.

Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19.

COVID-19 – Statistika (6 Qershor 2020)

Testime totale 18097
Testime molekulare 16062
Testime serologjike 2035
Raste pozitive 1232
Raste të shëruara 925
Raste Aktive 273
Humbje jete 34 (Qarku Tiranë 21, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 187
Krujë 23
Shkodër 17
Kamëz 14
Durrës 10
Mat 9
Lushnje 6
Berat 2
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 20 raste të reja, shkon në 1232 numri i të prekurve Read More »

Historia e Fatjonit që la fermat e Italisë për tokën e shtëpisë, me mbështetjen e AZHBR-së ka ngritur rreth 4.6 ha vreshta me varietete të ndryshme rrushi

Fatjoni, një djalë nga Qinami, fshati i njësisë administrative Zall Herr në kryeqytet, ka lënë Italinë për t’ju përkushtuar fermës së tij për prodhimin e rrushit. Fatjoni ka përfituar nga Skema e Mbështetjes për vaditje dhe mbjellje, duke marrë një grand prej 1.7 milionë lekësh të rinj.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga vreshta e Fatjonit, ndërsa shprehet se, “në fshatin Qinam të Zall Herrit, me Fatjonin, që pasi punoi e mësoi në emigracion, la fermat e Italisë për tokën e shtëpisë”.

“Falë vullnetit për punë dhe projekteve të mençura, ai ka përfituar financime mbështetëse dhe ka ngritur rreth 4.6 ha vreshta me varietete të ndryshme rrushi, prej të cilave prodhon verërat e zonës”, tha Rama.

Rama shton se, “si përfitues i Skemës Kombëtare të Financimit nga AZHBR, Fatjoni ndërtoi një sistem të ri modern të vaditjes me pika të vreshtave”.

Duke treguar historinë e tij për ERTV Fatjoni shprehet se, “sipërfaqja e fermës është tek 4.6 ha me disa varietete rrushi për tregti dhe kantinat në vend. Rrushi është i llojit Merlot, Kabërnet, janë dhe dy lloje të tjera, Syrah, Muskat. Babai im është agronom, ai gjithë jetën ka punuar dhe është marrë me vreshta dhe ma ka lënë si pasion këtë pjesë. Unë lashë Italinë për të ndjekur pasionin tim. Kthimi nga Italia ishte i vështirë, pasi mamaja thoshte që do lodhesha shumë. Në Itali punoja tek një fermë 150 hektarë, punonim 5 persona, kishim katër traktorë. Ne këtu tek ferma jonë përdorim sistemin “Gujot”, që është një sistem që mundëson të kesh bimë të reja dhe të fuqishme”.

“Ka qenë e thjeshtë, dikur më përpara, kur kam pas aplikuar, humbnin dokumentet e nuk merrej vesh kush fitonte e kush jo. Por tani çdo gjë është me sistem është elektronik dhe e merr vesh menjëherë nëse fiton apo jo”, tha Fatjoni. /atsh

Historia e Fatjonit që la fermat e Italisë për tokën e shtëpisë, me mbështetjen e AZHBR-së ka ngritur rreth 4.6 ha vreshta me varietete të ndryshme rrushi Read More »

Reforma Zgjedhore/ Topalli: Basha hoqi dorë nga të gjitha kauzat e ngritura në 7 vite

Ish-kryetarja e Kuvendit në qeverinë e PD-së, Jozefina Topalli reagoi sot pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.

Topalli u shpreh se Basha hoqi dorë nga të gjitha kauzat e veta të ngritura në 7 vite.

“7 vite rresht tha se nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Në funksion të kësaj bëri çadër, “revolucion”, dogji mandatet e demokratëve, nuk hyri në zgjedhje lokale, i dhuroi Ramës gjithë Parlamentin, pasi i dhuroi mandatin e dytë, i dhuroi të gjitha Këshillat Bashkiake, i dhuroi të gjitha bashkitë. Dhe ja sot po thotë me shkrim se “ashtu ishte loja”. Nuk kërkojnë më as qeveri tranzitore, as qeveri kujdestare, as qeveri kalimtare. Sipas Luli Bashës, Rama nuk qenka ai që thoshte se ishte”, deklaroi Topalli.

Sipas saj, këta janë dhe kanë qenë të gjithë bashkë.

“Sonte ishin “felici e contenti” me Kodin siç ishte. Kjo kastë politike e korruptuar duhet shkulur”, deklaroi ajo./atsh

Reforma Zgjedhore/ Topalli: Basha hoqi dorë nga të gjitha kauzat e ngritura në 7 vite Read More »

Sezoni turistik/ Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve pastrim të rrjetit në bulevardin Vlorë-Skelë

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë, vijon punën e nisur prej disa ditësh për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve.

“Sektori i Kanalizimeve, vijoi edhe sot pastrimin e rrjetit në bulevardin Vlorë-Skelë, për një rrjet kanalizimesh sa më efikas”, bën të ditur UK Vlorë.

Sipas Uk Vlorë, krahas pastrimit të rrjetit janë kryer edhe punime për mirëmbajtjen e linjës së ujërave të zeza, përgjatë të gjithë bulevardit.

Grupet e punës të Ujësjellës Kanalizime në Vlorë, janë angazhuar çdo ditë për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve dhe riparimin e defekteve të mundshme në këtë rrjet.

Pastrimi i rrjetit të Ujësjellës Kanalizimeve ka rëndësi të veçantë për qytetin bregdetar të Vlorës, i cili pret të mbushet me vizitorë dhe turistë këtë sezon turistik./atsh

Sezoni turistik/ Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve pastrim të rrjetit në bulevardin Vlorë-Skelë Read More »

Plani i gjelbër i veprimit/ Ristani: Cilësia e ajrit në Tiranë përmirësohet nga viti në vit

Nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani deklaroi një një intervistë televizive se Tirana ka pasur që herët planin e gjelbër të veprimit, duke e pasur në fokus objektivitin e uljes së nivelit të ndotjes së ajrit.

“Kemi qenë një ndër qytetet e para në rajon, edhe në të gjithë pjesën e Europës qendrore dhe lindore. Plani është që ti çfarëdolloj investimi bën në qytet, duhet ta bësh me objektivin për të qenë në respekt ndaj mjedisit. Çfarë do të thotë kjo? Siç e pamë në kohën e pandemisë, impakti më i rëndë është pikërisht në ato qytete që nuk e kanë pasur zhvillimin e tyre me këtë objektiv. Në qytetet më të ndotura ka pasur vdekshmëri më të lartë nga pandemia, në qytete që ka pasur më shumë ajër të pastër dhe hapësira të përbashkëta dhe të aksesueshme për të gjithë, ka qenë edhe më e lehtë për ta përballuar. Të gjithë shkencëtarët erdhën me tezën që hapësirat urbane duhet ta lejojnë të jenë të pastra dhe të qëndrueshme. COVID na dha një mundësi të mirë”, u shpreh Ristani.

Sipas saj, “çdo vit në Tiranë, krahasuar me vitin përpara, përpos Covid, ka ndryshime në përmirësimin e cilësisë së ajrit”.

“Kjo ka të bëjë me shumë faktorë, jo vetëm me faktin që nuk kemi lëvizuar mjaftueshëm. Kemi shtuar korsitë e biçikletave, mbjelljen e pemëve pasi me çdo pemë është ajri i të gjithëve ai që pastrohet”, tha Ristani.

“Ndotja e lumenjve hyn tek ndotjet më depërtuese për të gjithë habitatin. Lumi i Tiranës është pastruar në të gjithë territorin e tij. Në fund të Bulevardit të ri, ajo pjesë do të kthehet në park”, tha nënkryetarja e bashkisë së Tiranës. /atsh

Plani i gjelbër i veprimit/ Ristani: Cilësia e ajrit në Tiranë përmirësohet nga viti në vit Read More »

Dita Ndërkombëtare e Mjedisit/ Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të qenë “diamanti” i Mesdheut dhe Europës

Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, Presidenti Ilir Meta bëri apel për të mos lejuar më që keqmenaxhimi i mbetjeve urbane dhe ndotja e ajrit të dëmtojnë jetët tona.

“Të zgjohemi dhe të mos lejojmë që betoni të zhdukë hapësirat dhe kurorat e gjelbra të qyteteve, që lejet abuzive dhe papërgjegjshmëria të sharrojnë pyjet e jashtëzakonshme, malet t’i kthejnë në gurore, detin ta ndotin dhe bregdetin ta shkatërrojnë, që HEC-et dhe shfrytëzimi pa kriter të rrezikojë zhdukjen e Vjosës, Valbonës dhe shumë lumenjve përrallorë që kërcënohen nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i vendimmarrësve”, tha Meta.

Sipas tij, “Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të qenë “diamanti” i Mesdheut dhe Europës, por të gjithë bashkë duhet të kontribuojmë për të mbrojtur çdo dhuratë që na ka falur Zoti”.

“Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët! Ta mbajmë të pastër e të gjelbër, dhe një vend të mirë e të shëndetshëm për të jetuar. Do të jem në mbështetje të shoqërisë civile, aktivistëve të ndershëm e patriotë dhe çdo komuniteti që duke mbrojtur mjedisin dhe bukuritë natyrore mbron të ardhmen e begatë të Shqipërisë”, tha Meta. /atsh

Dita Ndërkombëtare e Mjedisit/ Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të qenë “diamanti” i Mesdheut dhe Europës Read More »

Fake News, Rama: Synimi për të furnizuar çadrën me municion. Mediet italiane tregojnë për këshilltarin e Metës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me zbulimin nga antimafia italiane se shkrimi i tre viteve më parë për kontejnerët me mbetje nga Italia në Shqipëri ishte fake news i porositur nga këshilltari i Ilir Metës, Ilir Kulla.

Kreu i Ekzekutivit thekson se shpifja e asokohe, “kishte synim të furnizonte me municion kundër meje Çadrën nën dritaren e Kryekuvendarit (Ilir Meta)”.

“Kjo shpifje plehrash kishte synim të furnizonte me municion kundër meje Çadrën nën dritaren e Kryekuvendarit! Po më e neveritshmja është që plehrat iu hodhën në fytyrë Shqipërisë në sytë e botës! Ja këta janë opozitarët që duan të shpëtojnë atdheun nga unë”, tha Rama.

Në një shkrim të publikuar sot, Shqiptarja.com iu referua vendimit të prokurorisë italiane e cila arrestoi 8 persona lidhur me ‘Fake News’-in e publikuar 3 vjet më parë nga faqja italiane “Pianeta Italia News” lidhur me lajmin se 1400 kontejnerë me mbetje toksike ishin nisur drejt vendit tonë për t’u groposur.

“Prokuroria italiane nga hetimet që ka bërë ka zbuluar se pas skandalit qëndron këshilltari i presidentit të sotëm Ilir Meta me inicialet I. K. “Lajmi u sajua me porosi të këshilltarit të Ilir Metës”, deklaron antimafia italiane. Mes tetë personave të arrestuar në Itali për këtë skandal është edhe ish-senatori Sergio de Gregorio, pronar i faqes online “Pianeta Italia News”, që prodhoi lajmin e rremë”, citon Shqiptarja.com.

Antimafia italiane deklaron se “njeriu i Ilir Metës porositi fushatën kundër qeverisë shqiptare në mediet e vendit fqinj. Fushata denigruese nisi në 2017-ën dhe asokohe u mbështet edhe nga opozita shqiptare”.

Këshilltari i Ilir Metës ka qenë në Itali në 26 shkurt, ndërsa 2 ditë më pas faqja “Pianeta Italia News” botoi lajmin e rremë. Këshilltari i kreut të sotëm të shtetit mbërriti në Itali 2 ditë para se të botohej shkrimi për ta ndjekur nga afër gjithçka në tentativën për rrëzimin e qeverisë shqiptare.

Nga përgjimet flitet për një shumë prej 55 mijë eurosh që faqja italiane do të merrte për botimin e shkrimit.

Sot drejtësia italiane konfirmoi duke çuar 8 persona në pranga dhe zbuluar se pas kësaj tentative për të rrëzuar qeverinë qëndron këshilltari i Ilir Metës.

Edhe gazeta italiane “Il Fatto Quotidiano” ka botuar një shkrim ku thekson se ish-senatori Sergio De Gregorio, i arrestuar si pjesë e një hetimi të DDA në Romë, në vitin 2017 kishte financuar aktivitetet e Ilir Kullës, i cili i kishte ngarkuar ish-senatorit detyrën e “organizimit të një fushate denigrimi kundër qeverisë shqiptare”, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, 30 000 euro të paguara për Kullën ishin pjesë e një shume totale prej 55 000 eurosh që De Gregorio i kishte marrë hua nga Eraldo Barletta (i pa hetuar).

Gjatë një bisede më 30 janar 2017, e përgjuar nga ekipi mobil i Romës, Barletta i ankohet De Gregorio për mospagimin e borxhit.

Bazuar në atë që doli nga përgjimet, lexohet në dokument, Kulla i kishte dhënë të drejtë De Gregorio për të organizuar përmes njohjeve të tij dhe mjeteve të komunikimit në dispozicion të tij, një fushatë mediatike denigrimi për qeverinë shqiptare, që do të provokonte rrëzimin e saj.

“Dhe përsëri: “Vetë Kulla kishte mbërritur në Itali pasditen e 26 shkurtit 2017 në mënyrë që të ndiqte nga afër këtë histori”, shkruan gazeta italiane.

Këshilltari i Metës, Ilir Kulla ka reaguar pas publikimit të këtij shkrimi duke e cilësuar thjeshtë një shpifje, ndërsa nuk e mohon njohjen e tij me ish-senatorin e përmendur.

Shkrimi i plotë i publikuar në medie:

https://www.ilfattoquotidiano.it/2020/06/04/de-gregorio-lex-senatore-finanzio-un-diplomatico-che-gli-aveva-chiesto-una-campagna-contro-il-governo-albanese/5823576/

https://shqiptarja.com/lajm/fake-news-per-konteineret-nga-italia-ne-shqiperi-prokuroria-italiane-lajmi-u-sajua-me-porosi-te-keshilltarit-te-ilir-metes?r=kh1/atsh

Fake News, Rama: Synimi për të furnizuar çadrën me municion. Mediet italiane tregojnë për këshilltarin e Metës Read More »