Andueli

36 raste të reja, Bino: Shkak, grumbullimet masive dhe mosrespektimi i këshillave parandaluese

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se situata e COVID-19 është përkeqësuar dhe brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 36 raste të reja.

Shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP Silva Bino theksoi sot se “kjo situatë nuk ishte kaq e papritshme për shkak të grumbullimeve masive që kanë ndodhur ditët e fundit. Jo vetëm grumbullimet, por edhe mosrespektimi i këshillave, në lidhje me distancimin fizik, në lidhje me mbajtjen e maskave, në lidhje me shumë elementë të tjerë të kujdesit personal qoftë edhe të higjienës”.

“Të gjithë qytetarët, të gjithë ne duhet të jemi të përgjegjshëm që Covid19 nuk ka ikur nga vendi ynë. Deri më tani, deri në fillimin e hapjes së masave kishim një numër njëshifror, e cila erdhi si rezultat i masave drastike, i sakrificës së gjithsecilit. Por kjo nuk do të thotë që me hapjen e masave ne të shpërdorojmë çdo këshillë dhe të shpërdorojmë atë që ne vetë sakrifikuam”, u shpreh Bino.

Në 24 orët e fundit janë testuar 359 persona të cilët janë dyshuar për Covid19 dhe prej të cilëve kanë rezultuar 27 raste në Tiranë, 4 raste në Shkodër, 2 raste në Kamëz, 1 rast në Durrës, 1 në Lushnjë dhe 1 në Lezhë.

Duke sjellë këto të dhëna, Bino theksoi edhe njëherë se “të gjitha këto raste janë shfaqje e mosrespektimit të shumë rregullave të distancimit fizik apo të përgjegjshmërisë personale apo kolektive në lidhje me punëdhënësit apo punëmarrësit”.

Një pjesë e mirë e tyre janë kontakte të rasteve pozitive që tregon që gjurmimi në terren po kryhet në mënyrë të fuqishme, i cili do të vazhdojë dhe do të përforcohet në javët në vijim.

COVID-19 – Statistika (9 Qershor 2020)

Testime totale 18960

Testime molekulare 16716

Testime serologjike 2244

Raste pozitive 1299

Raste të shëruara 960

Raste Aktive 305

Humbje jete 34 (Qarku Tiranë 21, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 204

Shkodër 29

Krujë 24

Kamëz 19

Durrës 10

Mat 9

Lushnje 4

Tropojë 2

Korçë 1

Librazhd 1

Mallakastër 1

Lezhë 1/atsh

36 raste të reja, Bino: Shkak, grumbullimet masive dhe mosrespektimi i këshillave parandaluese Read More »

Klosi: Në 12 qershor mbërrijnë në Shqipëri çarterat e parë nga Bjellorusia edhe Ukraina

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se, paketat mbështetëse të qeverisë dhe masat që u morën, i dhanë mundësi turizmit të rimarrë frymë më shumë se sektorët e tjerë, në kushtet e vështirësisë që krijoi situata COVID-19.

Gjatë një interviste televizive, Klosi tha se, turizmi është rikuperueshëm më i shpejtë i ekonomisë shqiptare dhe respektimi i masave ndaj COVID-19, na bëri ne që të hapeshim më herët dhe gradualisht.

“Ne kemi hapur kufijtë në datën 1 qershor dhe numrat e lëvizjeve në kufi janë rritur pak, pasi kemi patur problem me mbylljen e kufijve nga ana maqedonase. Mali i Zi i hapi, por me karantinim dhe lëvizja e shqiptarëve të Kosovës ishte deri dje me protokolle. Hapja e kufijve tokësorë na jep shpresë se nëse do të kemi hapje të kufirit edhe me Greqinë, turizmi që vjen nga toka, nga 4 kufijtë tokësorë të rëndësishëm të vendit, të kemi më shumë prurje, pasi turizmi tokësor, ka sjellë vitin e kaluar 80% të turizmit në vendin tonë dhe nëse hapet kjo linjë edhe për sezonin korrik-gusht, ne të kemi një lëvizje me makina, që kontribuon në dinamikën e turizmit në përgjithësi”, – tha Klosi.

Sipas tij, në rast se do të kishin një situatë normale, që në maj e qershor do të kishim fluks të çarterave me kapacitet të plotë. “Por mbyllja e Korfuzit dhe e shumë aeroporteve të tjera na ka bërë që ta shtyjmë në kohë sezonin e turizmit të çarterave”, – u shpreh ministri.

“Por ama, – vijoi ai, – nga data 12 qershor çarterat e parë do të mbërrijnë në Shqipëri nga Bjellorusia e Ukraina, e më pas të shpresojmë që do të kemi lëvizje të premtuara nga Polonia nga vendet Balltike, nga Çekia, që kërkojnë të hapin tregun e turizmit dhe shpresojmë që me kalimin e mesit të qershorit, fundin e këtij muaji të hapen edhe aeroportet plotësisht dhe në korrik, gusht të kemi lëvizjet me çartera”.

Duhet të kuptojmë tha ai që nuk do të kemi fluksin e një viti më parë, por nese do të kemi aq sa janë pronotimet do të jetë një gjë shumë e mirë.

“Po synojmë të kemi lëvizje nga toka, nga deti që siguron 10% të turizmit në Shqipëri të kemi lëvizjen e emigrantëve dhe çarterat do të jenë vlerë e shtuar. Po punojmë të orientojmë turizmin e brendshëm”, – theksoi Klosi.

Klosi shprehu bindjen se turizmi në Shqipëri është një strukturë e re që është në zhvillim, ku vijojnë investimet e reja në strukturat akomoduese.

“Asnjë press 3086 struktura akomoduese në sektorin e turizmit nuk është mbyllur apo falimentuar nga situata e krijuar nga COVID-19 dhe fakti është që pronotimet nuk janë kançeluar, por ato janë shtyrë dhe me lehtësimin e lëvizjes industria do të fillojë të vihet në punë“, – tha Klosi.

Unë mendoj tha Klosi, se Shqipëria është në 1/3 e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e turizmit dhe jemi një vend në rritje.

Ministri tha se turizmi në Shqipëri është e vetmja degë që ka një investim të brendshëm jashtëzakonisht të madh që arrin deri në 500 milionë euro. Trendi në rritje i investimeve i adresohet politikës lehtësuese që ka ndërmarrë qeveria që nga TVSH-ja, 6% për hotelet, grantet për agroturizëm etj.

“Mbështetja për këtë sektor në kushtet e COVID vijoi me heqjen e taksave për strukturat hoteliere, pagat e luftës për të gjithë strukturat, shtyrja e kë steve të kre disë në banka, apo kreditë për likuiditet nga garancia sovrane”, – tha Klosi.

Ministri theksoi se ky sektor do të paguajë taksa vetëm për strukturat e plazhit që kanë në menaxhim të tyre.

Ai theksoi se turizmi po hapet sipas protokolleve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe OBSH-së që garantojnë siguri për t’u mbrojtur nga COVID-19.

Kërkesa për higjienë, ndarje të vendeve për plazh nuk do të neglizhohen në asnjë rast, tha Klosi.

Klosi theksoi se përmes ligjeve të reja synohet të kthejmë detin në ekonomi të zhvilluar. /atsh

Klosi: Në 12 qershor mbërrijnë në Shqipëri çarterat e parë nga Bjellorusia edhe Ukraina Read More »

Brenda qershorit plani kombëtar i rimëkëmbjes, Teatri Kombëtar pjesë e tij

“Bashkisë së Tiranës i kemi dhënë garancinë sovrane dhe shumë shpejt ajo shpresoj se do të konkludojë një marrëveshje me institucionet financiare ndërkombëtare që do të jetë shumë e favorshme dhe e mundur që të financohet edhe Teatri Kombëtar”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një intervistë televizive, Kryeministri Rama theksoi se “sigurisht nuk mund ta linim Shqipërinë pa Teatër Kombëtar, sepse zbuluam papritur që kjo tokë ishte e shumë idhtarëve të Shekspirit e Molierit që papritur e pa kujtuar u ndjenë të terrorizuar nga fakti që po humbnin godinën, ku shkonin çdo natë dhe e mbushnin plotë”.

Përpjekjet e bashkisë së Tiranës për të siguruar 30 milionë euro kredi për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, pas shembjes së godinës së vjetër, kreu i qeverisë Edi Rama i konsideroi pjesë të planit kombëtar për rimëkëmbjen e vendit.

“Ne kemi hyrë në një fazë tjetër dhe pikërisht sot që flasim jemi në gjendje ta bëjmë këtë, sepse e kemi plotësisht të mundur që në kushtet kur po synojmë një program tërësor financimi të ekonomisë dhe investimesh kjo është një pjesë relativsht modeste në të gjithë bllokun e investimeve që do bëjmë. Brenda qershorit do të shpallim planin kombëtar të rimkëmëbjes dhe ai plan është një plan që synon një injektim shumë të fortë në ekonomi dhe që synon një nxitje të punësimit”, – nënvizoi Rama.

Lidhur me artikullin e botuar në “Le Monde”, Rama u shpreh se “”Le Monde” aktin barbar e ka në thonëjza, sepse kam pasur një bisedë me këtë gazetë, më kanë dhënë edhe të drejtën e replikës, kam shkruar edhe replikën dhe më kanë thënë shprehimisht që titulli është citim i njërit nga personazhet”.//atsh

Brenda qershorit plani kombëtar i rimëkëmbjes, Teatri Kombëtar pjesë e tij Read More »

Mundësi studimi në SHBA për të rinjtë shqiptarë/ Panair virtual me 23 universitete dhe kolegje

Të gjithë të rinjtë shqiptarë që duan të studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mundësi të takohen me përfaqësues nga 23 universitete dhe kolegje amerikane në panairin virtual EducationUSA Albania në 10 qershor.

“Këshilltarja e Qendrës EducationUSA, Aida Hudhri, ishte e folësja e ftuar në serinë më të fundit Youth Talk të Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane, mbi “Hapat për të Studiuar në Shtetet e Bashkuara”, njoftoi sot Ambasada e Steteve të Bashkuara në Tiranë.

“Aida ndau me nxënës të shkollave të mesme dhe studentë universiteti informacion të saktë dhe gjithëpërfshirës rreth institucioneve arsimore në Shtetet e Bashkuara dhe ofroi udhëzime si mund të shfrytëzohen mundësitë e shumta të arsimit që universitetet amerikane ofrojnë për studentët ndërkombëtarë. Ata biseduan gjithashtu edhe mbi hapat që duhen ndjekur për të studiuar në një institucion arsimor amerikan dhe këshillat për të qenë një aplikues i suksesshëm”, theksoi ambasada./atsh

Mundësi studimi në SHBA për të rinjtë shqiptarë/ Panair virtual me 23 universitete dhe kolegje Read More »

Meta dekreton ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot shpalljen e ligjit nr. 61/2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar”.

Ky ligj ka reflektuar rekomandimet e dhëna nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, për realizimin e plotë të autonomisë së OST-së, thekson Presidenca./atsh

Meta dekreton ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike” Read More »

Rritet numri i shtrimeve në Spitalin Infektiv/ 6 në terapi intensive dhe 2 të intubuar

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar sot se pavarësisht shërimeve ditore, vijon të ketë shtrime të reja në Spitalin Infektiv, ku aktualisht po trajtohen 34 të prekur, nga të cilët 6 janë në terapi intensive, 2 prej tyre janë të intubuar

Shefja e Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini u shpreh se “gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e çuar ne 945 numrin e të shëruarve nga fillimi epidemisë. Në vendin tonë janë 284 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë dhe Kamëz”.

“Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 18500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1263 raste. Në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT janë kryer 2244 testime serologjike në personel shëndetësor, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 7 %”, u shpreh Tomini.

Tomini ka ftuar qytetarët që të tregohen kujdesshëm duke respektuar distancën mes njëri-tjetrit.

“Ministria e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale ju fton për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrengimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës personale.
Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19”, theksoi ajo. /atsh

Rritet numri i shtrimeve në Spitalin Infektiv/ 6 në terapi intensive dhe 2 të intubuar Read More »

Hapja e kufijve me Kosovën, ja se çfarë rregullash duhet të zbatojnë qytetarët

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti konfirmoi sot se në mbledhjen e qeverisë u vendos që të lejohet lëvizja e lirë për në Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit duke nisur nga nesër (8 Qershor 2020).

Ky vendim erdhi pas disa ditësh që protestohej për bllokimin e kufijve pasi lejoheshin të kalonin vetëm personat që kishin bërë testin e koronavirusit në katër ditët e fundit ose duhet ti nënshtroheshin karantinës një javore.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në faqen zyrtare në Facebook, ka dhënë detaje në lidhje me rregullat që duhet ti nënshtohen qytetarët në Pikat e Kalimit Kufitar.

Ky është vendimi:

Qeveria e Republikës së Kosovës shfuqizon pikën 6.1, 6.2 dhe 6.4 të Vendimit të Qeveris Nr.02/38 të datës 31 maj 2020 në të cilin është përcaktuar që:

6.1. Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës dhe posedojnë rezultate negative për testin #COVID19 RT PCR (𝐣𝐨 𝐦𝐞̈ 𝐢 𝐯𝐣𝐞𝐭𝐞̈𝐫 𝐬𝐞 𝟒 𝐝𝐢𝐭𝐞̈) nuk i nënshtrohen procedurave të vetë-izolimit;

6.2. Ata që nuk kanë testin sipas pikës 6.1. detyrohen të vetë-izolohen për 7 ditë.

6.3. Qytetarët që manifestojnë shenja klinike udhëzohen nga profesionistët shëndetësor në Pikat e Kalimit Kufitar;

6.4. Deri me datë, 20 qershor 2020 do të bëhet vlerësimi i situatës epidemiologjike dhe me këtë do reflektohen masat e reja lidhur me Pikat Kufitare dhe hyrjen e qytetarëve në Republikën së Kosovës.

Pika 6. e Vendimit të Qeverisë Nr.02/38 te datës 31 maj 2020 me të cilën është caktuar që “Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të #QKMF-ve (𝐐𝐞𝐧𝐝𝐫𝐚𝐯𝐞 𝐊𝐫𝐲𝐞𝐬𝐨𝐫𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐌𝐣𝐞𝐤𝐞̈𝐬𝐢𝐬𝐞̈ 𝐅𝐚𝐦𝐢𝐥𝐣𝐚𝐫𝐞) në Pikat e Kalimeve Kufitare dhe t’i zbatojnë masat e mbrojtjes kundër COVID-19 mbetet e njëjtë./faxweb

Hapja e kufijve me Kosovën, ja se çfarë rregullash duhet të zbatojnë qytetarët Read More »

“Gratë, Paqja dhe Siguria”/ Programi ndihmon bletërritëset të prodhojnë mjaltë bio

Sot në Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimore, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim (USAID) apelon se garantimi i sigurisë ushqimore është çështje e të gjithëve.
USAID solli në vëmendje se përmes programit të tij “Gratë, Paqja dhe Siguria” po ndihmon bletërritëset në Shqipëri të prodhojnë dhe të tregtojnë mjaltë të pastër dhe të shijshëm.
Projekti në baskëpunim me pushtetin lokal po punon me fermerët në Korçë, Pogradec, Vlorë, Durrës, Berat, Tiranë, Shkodër, Lezhë, Kukës, Elbasan që merren me prodhimin e mjaltit.
Në kuadër të këtij programi, është përgatitur një manual për Bletarinë, i pari në gjuhën shqipe, i cili u dhëzon bletërritësit se si të prodhojnë mjaltë bio, që është mjaft i mirë për shëndetin, i sigurt dhe shumë i kërkuar në tregjet e huaja.
Mjalti dhe i nënproduktet e tij po fillon të zërë terren çdo ditë e më shumë jo vetëm në konsumin vendas por edhe në eksport.
Sipas shifrave të INSTAT, prodhimi i mjaltit ka shënuar një rritje me 8,97%, gjatë 2019 krahasuar me 2018. Ndërsa aktorët e këtij sektori po përpiqen të rrisin standardet e prodhimit për zgjerimin e eksporteve. /atsh

“Gratë, Paqja dhe Siguria”/ Programi ndihmon bletërritëset të prodhojnë mjaltë bio Read More »